• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

STAMBOUL (1886) / KUR SULLTANI FALI ABDYL FRASHËRIN

January 31, 2022 by s p

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 31 Janar 2022


“Stamboul” ka botuar, të shtunën e 6 shkurtit 1886, në ballinë, një shkrim në lidhje me faljen e Abdyl Frashërit nga Sulltani, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : “Shqiptari Abdyl bej Frashëri, vëllai i Sami beut, shkrimtar i njohur osman, me ndikim të madh në vendin e tij, i komprometuar në kryengritjen shqiptare të vitit 1881, ishte arrestuar dhe internuar në Panderma (Bandirma). Madhëria e Tij Perandorake Sulltani sapo e ka falur (amnistuar). Abdyl beu ka mbërritur në qytetin tonë.”

Filed Under: Histori

Gëzuar ditëlindjen e 106-të në qiell, Dr.Lazër Radi

January 29, 2022 by s p

46 vjet i burgosur familjarisht, i internuar nën diktaturë

Nga Keze Kozeta Zylo

Do më kujtohet deri në më të fundmen ditë/ oborri i shkollës fsheh në mangë të kishës/ e në mes tij një pishë/ bijë e mirë blerimi/.

Kur më futën në burg/ lashë gruan me gjithë vajzë/ kur dola nga burgu, gjeta gruan në burg dhe vajzën të vdekur.  Nga libri: “Muret e muzgut”

Sot në këto kohë të çakërdisura, që udhëhiqen nga lider që prodhojnë vetëm ngrica dhe akullnaja nga arteriet e zemrave të tyre të zeza ke mundësi të gjesh shtigje për t’i përballuar këto drithma ftohtësirash dhe të marrësh frymë lirisht duke lexuar bardët e rrallë të kulturës kombëtare.  Kur them të rrallë ata numërohen me gishta si psh Dr.Lazër Radi.  

Kemi pasur nderin si familje të takoheshim në shtëpinë tonë në Tiranë, ashtu thjesht, pa bujë e trumpeta, ja si tek tavolina në foto, të kuvendonim burrërisht në odën me qilim të thjeshtë të punuar nga duararta e vuajtura nëna ime Liri. Sa çudi më dukej kur e takova në fillim sa kishte ardhur nga internimi në Savër dhe po banonte në Tiranë, prej atëhere nuk u ndamë kurrë familjarisht si për së gjalli dhe për së vdekuri…  Ju ishit njohur burgjeve dhe internimeve me elitën e Kombit, ju i latë popullit tuaj lehonë në shekullin e ri, djepin me shqiponjën e lirë dhe ne këndojmë këngët e pakëndueme këngët që t’i kemi borxh përjetësisht…  

Sa shumë figura të ndritura solle në bisedat tona të cilat janë tejet fryëmëzuese për mua dhe një pjesë të civilizuar të Kombit. Jeta juaj ishte burgjeve, por në shpirtin dhe shkrimet tuaja nuk gjej kurrë një molekulë hakmarrjeje, por vetem drejtësi ashtu siç ishte profesioni juaj mbaruar për drejtësi në Romë, profesion që s’e ushtruat kurrë denuar nga diktatura komuniste dhe hoxhiste.

Ne ikëm drejt Amerikës në acarin e shkurtit të 97-ës kur filloi lufta civile.  

Mbaj mend, kur u takuam për herë të fundit në një muzg tirane dhe po ecnim nëpër baltë e lloh përmes një kanali drejt shtëpisë suaj.  Juve ju kishim në mes, na kishit futur krahun mua dhe Qemalit dhe për një moment u ndalët nën krisma plumbash, nën gulçima të ecjesh, pak të rënduar dhe na thatë:  “Bijtë e mi, se shpesh kështu na thërrisnit, u bëmë vite bashkë, njeriun ke mundësi ta njohësh qoftë dhe në një bisedë, por me ju u bënë gati 7 vite.  Unë ndjej dhimbje që do ndahemi, mosha ime është e thyer më shumë nga hallet, por jam i gëzuar që do shkoni në vendin më të lirë në botë atje ku kam bijën e vetme Adrianën time… (O Zot sa shumë e donte, ishte në çdo bisedë tonën).  Une jam i sigurtë se ju një ditë do të ktheheni, e dini pse?  Gjaku thërret, Atdheu thërret.  Por unë dua te jem i sigurtë për ju, qëkur të ktheheni mos të keni fatin tim që u ktheva nga Roma dhe u mbyta burgjeve dhe internimeve.  Ju duhet ta jetoni Lirinë jo vetëm në Amerikë, por dhe kur të ktheheni në Shqipërine etnike… Sa e ëndërronte”!  

Tani që shkruaj nën flakën e qiririt të përshpirtjes ndjej dhimbje ngase do të desha që këto fjalë amanet të Dr.Lazerit të mos ishin aktuale dhe sot…  Mjerisht shumë parashikime të korifejve si Konica, Fishta etj janë shumë aktuale…      

Në këtë 106 vjetor fjalët shqip në librat tuaj më bëhen jehonë që vijnë si nga Bjeshkët e Nëmuna, apo nga Prizreni i vendlindjes suaj, ndërsa ju si Pëllumb Paqeje fluturoni për të takuar miqtë e besës dhe trondit kujtesën të ndërtuar mbi themele harrese… 

Në këtë 106 vjetor me fjalën e parë shqip që ju kujtoj, është poezia e shkruar nga ju me titull “Abetarja”, që është libri i shenjtë i shqiptarëve.  

Dhe ja disa vargje prej saj: “Do më kujtohet deri në më të fundmen ditë/ oborri i shkollës fsheh në mangë të kishës/ e në mes tij një pishë/ bijë e mirë blerimi/”.

Në këtë 106 vjetor ndez një qiri në shenjë përshpirtjeje të përëndishme e lutem në shenjtërinë e fjalëve si para një shenjti dhe bëhem vazhduese e denjë e mësimit të Abetares në Diasporë.

Jeta juaj është si një muze i hapur dhe rrëfeni historinë sa tragjike dhe të bukur të kombit tuaj.  Ecën nga njeri pavion në tjetrin me një trok shekulli e 6 vite të pandalur dhe pas një pushimi zanor lëshon në qiell një tufë pulëbardhash për të ikurit si Ju, për të ikurit prej Soi.  Petalet e shpirtit tuaj puthin me mall që djeg zhur, gërmat e ndritura shqipe, dhe rinisin një këngë që s’do të mbarojë kurrë.  Së bashku rinisim një melodi të pakëndueme, një melodi kujtese që çan gjokset e maleve hijerëndë.

29 Janar, 2022

New York

Filed Under: Histori Tagged With: Lazer Radi

MEDALIONI I PARË I GJERGJ KASTRITOIT SKENDERBEUT NGA VITI 1449 QË RUHET NË ZAGREB

January 27, 2022 by s p

Prof. Dr.  Musa AHMETI

Center for Albanian Studies – Budapest

Studimet dhe hulumtimet shkencore për epokën e Skenderbeut, po japin rezultate të reja në fusha dhe lëmi të ndryshme, për të cilat më parë nuk kishte fare njohuri. Është deri diku e çuditshme që nëpër arkiva e biblioteka shtetërore e private, muzeume e koleksione të ndryshme të ruhen thesare kaq të çmuara. 

Në Zagreb, në Muzeun Arkeologjik, në fondin e: “Numizmatikës Mesjetare / Srednjovjekovne numizmatike,” ruhet një medalion origjinal i Gjergj Kastritoit Skenderbeut. Ky medalion është prej bronzi me dimensione: 95 x 97 mm dhe peshon 169.96 gr. Autori është i panjohur, po kemi të dhëna të sakta se medalioni është punuar në Venedik në vitin 1449. 

Në dy dokumente, gjejmë të dhëna për vitin e punimit të medalionit, po jo edhe për autorin. Dokumentet janë të pa botuara dhe ruhen në fondin: “Senato Mar. Bust. V“. Si duket ky medalion është punuar me porosinë e një familje fisnike shqiptare që jetonte në Venedik, sipas të gjitha gjasave, degës së Engjëllorëve të Drishtit, që jetonin atje që nga fundi i shek. XIV-të.

Medalioni ka formë të rrumbullakët, është i gdhendur dhe ka shënime, vetëm në njërën anë, në avers, ndërsa në revers, nuk ka ndonjë dekorim, shënim apo diçka të ngjashme. Në avers, Skenderbeu është në profil, i kthyer në të djathtë. Në kokë ka një kapele venedikase, të thyer në të dy këndet, ndërsa veshur ka një pelerinë venedikase, nga ato që mbanin bujarët vendas, venedikas, me disa dekorime të bukura, që bën për të kuptuar, se autori e kishte shikuar Skenderbeun të gjallë, e jo nga ndonjë përshkrim, me siguri gjatë qëndrimit të tij në Venedik. Mjekrën e ka të gjatë, por, jo të zbardhur. 

Në medalionin e Zagrebit, Skenderbeu nuk më i madhë se, 50 vjet

Është me rëndësi të ceket se Skenderbeu në këtë medalion duket shumë i ri, gjë që e bën shumë më të vlefshëm dokumentin që ne kemi shfrytëzuar për të datuar medalionin. Vijat e fytyrës, tregojnë se nuk kishte më shumë se pesëdhjetë vjet. Hunda, nuk ka pozicionin e një “Hundë shqiponje“, po është e drejtë.

Brenda shiritit anësor, në gjërsi prej: 11 mm, është i gdhendur teksti: 

GEORGIVS CASTRIOTT DE SCANDERBEG INVICTISS.

Ky tekst duhet të lexohet: 

[D/OMINUS/] GEORGIUS CASTRIOTT[VS] DE SCANDERBEG INVICTISS[IMVS];

 ndërsa i përthyer në gjuhën shqipe lexohet: 

GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU [MË] I PAMPOSHTURI.

Teksti fillon në anën e majtë, në nivelin e supit dhe mbaron në anën e djathtë, te cepi i jelekut, që dallohet nga pelerina.

Për rrugën historike të këtij medalioni, për fat të mirë ekzistojnë disa të dhëna. Në Zagreb, në fondin e numizmatikës mesjetare, ka arritur në vitin 1912, pasiqë është blerë, për një shumë jashtëzakonisht të madhe parash: 251 kruna ose 10 dukat floriri dhe një krune të argjendit, në ankandin e Frankfurtit nga Josip Brunschmid, /1858-1929/, në atë kohë drejtor i Muzeut Historik të Zagrebit. Në këtë ankand, ky medalion i Skenderbeut kishte arritur çmimin më të lartë nga gjithë eksponatet tjera që shiteshin.

Ne kemi bërë një studim të veçantë, po edhe kemi konsultuar specialistë të kësaj fushe. Dr. Ivan Mirnik, si udhëheqës i Fondit të “Numizmatikës Mesjetare” pranë Muzeut Arkeologjik të Zagrebit, na ka mundësuar të bëjmë analiza përkatëse studimore, duke na ofruar ndihmë të pakursyer profesionale dhe literaturë të shumtë; po edhe ka lejuar fotografimin dhe publikimin e këtij medalioni. Me këtë rast, e falënderojmë publikisht.

Rëndësia e veçantë histroike e këtij medalioni

Medalioni i Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, ka një rëndësi të shumfishtë. Fakti se ai u punuan derisa ishte gjallë Skenderbeu dhe pos kësaje dhe në një moshë mjaft të re, ka një peshë të veçantë, ngase autori [mjeshtri], e kishte shikuar me sytë e tij heroin shqiptar. Të dhënat i kishte të sakta, dmth. nuk bazoheshin në gojdhëna, rrëfime apo përshkrime të të tjerëve. Tiparet dhe karakteristikat që i gjejmë në këtë medalion, bëjnë shumë të qartë fytyrën e Skenderbeun, veshjen e tij dhe moshën; gjëra këto, që kanë qenë shumë pak të njohura deri sot.

Medalioni i Zagrebit, është shumë ekskluziv, ngase është punuar në vitin 1449, pra, vetëm 11 [njëmbëdhjetë] vjet më vonë, pas medalionit të parë [nga viti 1438] që njihet në histori, të cilin e ka punuar Pisanello, me rastin e pjesmarrjes së Gjon Paleologut të VII-të, në koncilin e Ferrarës.

Fjala medalion, në gjuhë të ndryshme ka funksion të njëjtë, psh. në latinishte: metallum; në italishte: medaglio; në anglishte: medal; në frengjishte: médaille; në gjermanishte: Medaille; në kroatishte: kolajna, etj. Medalioni mund të jetë nga: floriri [ari], argjendi, bronzi, plumbi dhe legura të tjera. 

Origjina dhe zhvillimi i medalioneve gjatë historisë 

Gjatë historisë kishte funksion të ndryshëm. Psh. në Greqinë antike, nuk njihej termi medalion, edhe pse në disa monedha, gjejmë elemente që janë shumë të afërta me medalionin. Në Romën antike, medalioni që punohej atëherë, i ngjan shumë, medalionit të sotëm, modern; me një ndryshim, që në Romë, mdealioni punohej vetëm me urdhër të mbretit romak dhe nuk kishte askush tjetër të drejtë, të punonte apo ndante medalione. Në Bizant, medalinoni është fare i panjohur. I panjohur është edhe në mesjetën e hershme. Për herë të parë, medalioni punohet në vitin 1438. 

Medalioni ngjan shumë me monedhat, por është diçka më i madh. Dukja e jashtme dhe elementet përbërëse, janë të njëjta me ato të monedhave, por ka funksion tjetër. Është punim artistik, me karakter përkujtimor ose jubilar. Punohet në një kopje të vetme, e në raste veçanta në disa kopje, po çdoherë në numër të kufizuar. Zakonisht, në avers ka gdhendje portreti të ndonjë figure të shquar, po në raste veçanta mund të ketë edhe reliev. Ndërsa në revers, zakonisht paraqitet ndonjë reliev, gdhenjde grafemave të ndryshme, dekorime stilistike, data të caktuar, dhe gjëra të tjera të cilat përdorën në raste të tilla.

Filed Under: Histori

KOMPROMISI I KOSOVËS DUHET TË MBAJË VULËN E GARANCËS AMERIKANE

January 26, 2022 by s p

Pas interesimit të shtuar të SHBA për të mbyllur çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë, qëndron një arsye shumë e fortë, më tepër e karakterit gjeopolitik, prandaj Qeveria e zotit Kurti duhet ta shfyrtëzojë këtë moment që të demonstrojë fleksibilitet maksimal në arritjen e një kompromisi i cili do të jetë i monitoruar dhe garantuar nga Washingtoni, Brukseli dhe NATO.

Nga Mehmet PRISHTINA

Betejat politike dhe ushtarake kundër Serbisë, Kosova i zhvilloi në koordinim dhe mbështetje të plotë nga partnerët strategjik, sidomos SHBA-të. Falë kësaj mbështetjeje, Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran. Por edhe Ukraina është shtet i pavarur, mirëpo sovraniteti i saj është i rrezikuar seriozisht nga Rusia. Kjo  efundit ka dërguar mbi 1000 trupa në kufinjt e shtetit fqinj, ndërkohë që Kievi zyrtar vazhdon të  jetë në qendër të shqetësimit dhe brengosjes ndërkombëtare. Administrata e zotit Biden ka qenë mjaft  eqartë në ultimatumin drejtuar Kremlinit, të cilin e ka kërcënuar me masa ndëshkuese në rast të cënimit të integritetit territorial të Ukrainës. Ky paralelizëm në mes të Kosovës dhe Ukrainës mund të duket në shikim të parë i sforcuar dhe paksa apokaliptik, mirëpo analogjia e gjërave na shtyn të mendojmë se një shtet quhet plotësisht sovran vetëm atëherë kur arrin të zmraps çfarëdo lloj agresioni nga jashtë. Po t’i pyesni ekspertët ushtarak dhe të sigurisë sigurisht që do të merrni përgjigje dekurajuese kur është në pyetje raporti i forcave në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku ashiqare del në pah një asimetri e frikshme në favor të fqiut tonë verior. Pra, ky sovranitet që aktualisht gëzon Kosova sigurohet falë pranisë ushtarake të KFOR-it dhe mekanizmave politik e diplomatik që ushtron Washingtoni zyrtar në funksion të krijimit të një klime të sigurisë dhe stabilitetit në këtë pjesë të Ballkanit.

Mbështetja amerikane për Kosovën është e një rëndësie jetike, prandaj jo pak njerëz druajnë se një ditë amerikanët mund ta braktisin Kosovën dhe kjo situatë do ta gjejë atë të papërgatitur për t’iu përgjigjur sfidave nga jashtë. Shqetësime të tilla pati edhe me rastin e largimit të trupave amerikane nga Afganistani pas një marrëveshje me talebanët, kur skeptikët filluan të tërheqin paralele mes Afganistanit dhe Kosovës duke aluduar në skena të aeroportit të Kabullit që do të reprizohen edhe në Prishtinë. Por doli se këto shqetësime dhe aludime ishin të pavend, për arsye se amerikanët jo vetëm që nuk u tërhoqën nga Kosova, por ata po tregojnë shenja se kanë shtuar interesimin për këtë pjesë të Ballkanit, sidomos pas ndërrimit të stafit udhëheqës diplomatik në shumicën eambasadave në kryqendrat rajonale, përfshi edhe Prishtinën, ku ditë më parë Kosova mirëpriti ambasadorin e posaemëruar amerikan,Jeff Hovenier.

Në funskion të këtij interesimi ishte edhe letra e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, drejtuar ditë më parë kryeministrit  Albin Kurti, ku theksohej se marrëdhënia mes dy shteteve është e rrënjosur në vlerat e përbashkëta demokratike dhe zotimin për Kosovë sovrane e të pavarurSa i takon dialogut Kosovë-Serbi, sekretari amerikan i shtetit në letër  theksonte se në qendër të bisedimeve duhet të jetë njohja reciproke.

“Si mik dhe partner i Kosovës, Shtetet e Bashkuara presin të bashkëpunojnë me ju për ta zbatuar plotësisht agjendën e Presidentit Biden të përcaktuar për marrëdhënien tonë, përfshirë fuqizimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurimin e marrëveshjes së vonuar prej kohësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus në njohjen e ndërsjellë”, ka vazhduar ai.

Blinken ka potencuar  se raportet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë mbesin pengesë për anëtarësim në institucionet evropiane dhe euroatlantike, duke shtuar se pranimi i Kosovës në to është qëllimi i përbashkët i Kosovës me SHBA-në. Blinkeni ka ofruar mbështetje për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Pra, Kosova jo vetëm që vazhdon të mbetet e mbuluar nga “reflektorët” amerikanë, por ajo paraqet një test prove për qëndrueshmërinë e paqes dhe sigurisë në këtë pjesë të Ballkanit, për faktin se marrëdhëniet me Serbinë vazhdojnë të prodhojnë krizë dhe animozitet rajonal.

“Besojmë që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet forumi më i mirë për normalizimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ne koordinohemi nga afër me partnerët tanë në BE për këtë qëllim”, ka shkruar Blinken në letrën etij drejtuar Kurtit.

Nëse e lexojmë mes rreshtash këtë letër, dhe kjo vlen sidomos  për këshilltarët e Kryeministrit Kurti, Kosova në një të ardhme jo shumë të latrgët duhet të përgatitet për një kompromis politik me Serbinë, ku në tavolinën e negociatave do të nxirren të gjitha çështjet e hapura. Nëse dikush ka iluzione se do të lë diçka nën tavolinë, diçka që do të mbulohet nga pluhuri i harresës, do të gabohet shumë rëndë, për arsye se kompromisi i kërkuar nga amerikanët tani nuk lë shumë hapësirë për manovra të pakufishme politike as të Prishtinës , as të Beogradit.

Kompromisi i tanishëm i kërkuar nga Administrata Biden dallon shumë nga Administrata Trump, për arsye se ky i fundit ia kishte lënë duart e lira Serbisë ngjashëm siç mund të ndodhë në një meç të pabarbartëkur një boksieri i lihen duart e lira kurse tjetrit i lidhen. Në një situatë të tillë nuk bëhej fjalë për kurrfarë kompromosi por për nënshtrim të Kosovës ndaj diktateve dhe kushteve të Serbisë, të cilat, fatkeqësisht legjitimoheshin edhe në Washington. Kosova me duar të lidhura, ku arbitër ishte Riçard Grenell, ishte e predispozuar të humbas çdo meç kundrejt Serbisë, prandaj fitorja e Zotit Biden, në Kosovë u kremtua si fitore personale e popullit të saj.

Por, çka po bën elita jonë, sidomos Qeveria, Parlamenti, opozita, intelegjencia, mediat,  akademikët, që këtë fitore të z. Biden ta kthejë në favor afatgjatë për popullin e Kosovës?

Tani ndodhemi në një kthesë të rëndësishme të zhvillimeve gjeopolitike, pas përpjekjeve për të çmontuar BeH e Dejtonit, pas trazirave në Podgoricë dhe pas zhvillimeve të fundit në kufinjt e Ukrainës,  ku çdo hap i gabuar mund të reprodukojë pasoja me impakt të thellë edhe për të ardhmen e Kosovës.

Letra e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, duhet analizuar e rishikuar me sy kritik dhe në të nuk duhet kërkuar me çdo kusht pikat që, eventualisht, favorizojnë Kosovën, por gjithsesi edhe ato pika që e obligojnë atë të tregoj sens të lart përgjegjësie në gjetjen e një kompromisi në tejkalkimin e raporteve me Serbinë.

Blinkeni i ka thënë Kurtit se pret që lidershipi i tij ta rikthejë momentumin në dialog duke i mbështetur zotimet paraprake të Kosovës, duke nxitur transparencë e duke shmangur veprime apo retorikë që mund të rrisë tensione. Ai ka bërë thirrje për vëmendje në arritjen e marrëveshjes për energji për veriun e Kosovës dhe për avancim të çështjes së personave të pagjetur.

“Është në interes të Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për progresin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës”, ka shkruar Blinken.

Blinken ka përsëritur kërkesën për mbështetje të vendimeve gjyqësore – në veçanti ato që lidhen me të drejtat e minoriteteve, ndërkohë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrimi në Twitter, e ka mirëpritur letrën dhe mbështetjen që i erdhi nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Kurti ka thënë se Kosova është mirënjohëse për angazhimin e SHBA-së në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshje që prodhon njohje reciproke.

“E mirëpres letrën dhe mbështetjen e sekretarit Amerikan, Antony Blinken, për prioritet dhe punët tona në punë dhe drejtësi. Kosova është mirënjohëse për angazhimin e SHBA-së në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje që prodhon njohje reciproke. Mezi pres të punojmë së bashku”, ka shkruar Kurti.

Përtejt kurtoazisë së këtyre letrave që mbështillet nga velloja e gjuhës fine diplomatike, megjithatë në terren qëndron një proces ende i hapur. Kosova ende beson se do të jetë e gatshme të diktojë stil dhe dinamikë në procesin negocues me Serbinë, kurse kjo e fundit ende shpreson se do të arrijë të jetësojë në Kosovë projektin e bosnjizimit.

Kërkersat e ashtuquajtura maksimaliste nga të dyja palët do të duhej të pësojnë “hekurosje”, sidomos tani pas letrës së Antony Blinken, i cili ka adresuar disa detyra që duhet t’i kryejnë Prishtina dhe Beogradi, të përmbledhura në tri çështje kruciale: njohja reciproke, respektimi i të drejtave të minoriteteve (aludohet në statusin e serbëve), përfshi edhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore që kanë të bëjnë me ta (aludohet në statusin  e tokës përreth Manastirit të Deçanit) si dhe çështja e të pagjeturve ( aludohet në detyrimet e autoriteteve serbe për identifikimin e vendndodhjeve të varrezave masive me shqiptarë të ekzekutuar).

Prej të gjitha këtyre çështjeve, statusi i serbëbe mbetet “thembër Akli” për politikën e Kosovës. Nga mënyra si është trajtuar deri më tani kjo çështje, sidomos në vitet e mëhershme, Kosova ka demonstruar një qëndrim defanziv, duke pranuar gjithçka që është servirur në tryezën e bisedimeve. Si rezultat i këtyre qëndrimeve është projektuar edhe narrativi i Beogradit mbi statusin e mjerueshëm të serbëve të Kosovës i cili me patjetër duhet përmirësuar, paçka se Pakoja e Ahtisarit kishte ofruar garanca shtesë për minoritetin serb në Kosovë, përfshi edhe ulëset e garantuara në Parlsment, madje edhe përtej konventave ndërkombëtare.

Tani çka i mbetet të ndërmerr Qeveria Kurti që të gjitha gjërat të biejnë në vendin e vet, pa shkaktuar ndonjë pakënaqësi te njëra palë, apo te tjetra. Me fjalë të tjera, çak duhet të bëjë Qeveria e z. Kurti që, në njërën anë, të plotësohetn disa ambicje të Serbisë por me kush që të ruhet sovraniteti i Kosovës, dhe në anën tjetër, të demonstrohet politika e vendimarrjes autonome kosovare  por pa i prishur raportet me amerikanët.

Këto dhe pyetje tjera të vështira, Qeveri e Kosovës duhet t’i shqyrtojë me miqtë amerikanë, duke kërkuar nga ata garanca shtesë për dy çështje tepër të rëndësishme: që Kosova të bëjë kompromis deri në kufinjt e moscenimit të sovranitetit të saj dhe të kërkoj reciprocitet në mes të drejtave të shqiptarëve në Jug të Serbisë dhe serbëve në Kosovë.

Pas interesimit të shtuar të SHBA për të mbyllur çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë, qëndron një arsye shumë e fortë, më tepër e karakterit gjeopolitik, prandaj Qeveria e zotit Kurti duhet ta shfyrtëzojë këtë momentum që të demonstrojë fleksibilitet maksimal në arritjen e një kompromisi i cili do të jetë i monitoruar dhe garantuar nga Washingtoni, Brukseli dhe NATO. Vetëm në këtë mënyrë sovraniteti i Kosovës do të jetë një “mollë e ndaluar” për luftënxitësit në Beograd, por edhe një shans më shumë që edhe kjo pjesë e rajonit të përfshihet në proceset eurointgruese e auroatlantike, për të cilat Kosova ka nevojë si toka e thatë për shi.

Prishtinë, 24 dhjetor 2022   

Filed Under: Histori

NDERIM NË PERJETËSI BABAIT TË KOMBIT SHQIPTAR

January 24, 2022 by s p

Prof. As. Dr. Zaho Golemi

Sot më 24.01.2022 është 103 vjetori i vdekjes te themeluesit te shtetit shqiptar Ismail Qemal Bej Vlora. Është dita e mirënjohjes dhe respekt për babanë e Kombit shqiptar, babait të pavarësisë së Shqipërisë si dhe kryeministrit të parë të shqiptarëve. Historiani shqiptaro-turk Nexhip Alpan thotë se ditëlindja e saktë e Ismail Qemalit është 16 tetor 1846. Është fakt se Ismail Qemali u martua dy herë. Për herë të parë me një vejushë nga Konica, që vdiq gjatë lindjes së bashku me vajzën, herën e dytë u martua në vitin 1886, me Kleoniqi Surmeli, vajza e një fisniku nga krahina e Edrenesë. Ismail Qemali u detyrua ta rrëmbente gruan e dytë, pasi ligjet e ndalonim martesën e një myslimani me një ortodokse. Nga martesa e dytë Ismail Qemali pati nëntë fëmijë, tri vajza dhe gjashtë djem. Vajzat quheshin Myvedet, Alije, Ylvie; ndërsa djemtë ishin Mahmud Bej, Tahir Bej, Et’hem Bej, Xhevdet Bej, Qazim Bej dhe Qamil Bej. Ismail Qemali ishte një poliglot, i cili njihte gjuhën shqipe si dhe shtatë gjuhë të huaja: osmanishtja, turqishtja e re, greqishtja e vjetër, latinishtja, italishtja, frëngjishtja, sllavishtja. Ismail Qemal Bej Vlora zhvilloi veprimtari të mencur diplomatike e politike në Europë për njohjen e kombit shqiptar dhe realizmin e Pavarësisë. Ai materializoi ëndërrën e shqiptarëve, që përputhej me ato të idelologëve të Rilindjes. Në dhjetor të vitit1908, zgjidhet deputet I sanxhakut të Beratit në parlamentin osman, dhe bashkë me grupin e deputetëve istori shqiptarë, mbrojti istoric kombëtare. Misioni I tij në pragun e Luftës Ballkanike shkoi në Stamboll për ta bindur qeverinë osmane t’u jepte Shqiptarëve autnominë. Më tej bashkë me istori të tjerë për të shpëtuar atdheun e për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë u nis në istori fisnik nga Stambolli istoric. Në Bukurështë më 5.11.1912 me mbështetjen e kolonisë shqiptare shkon në Vjenë dhe Budapest, ku u takua me personalitete politike, diplomatike dhe ushtarake austro-hungareze dhe siguroi përkrahjen e tyre për çështjen shqiptare duke marrë premtimin “për ta naltësuar flamurin shqiptar në një bajonetë austro-hungareze”. Nga Vjena shkon në Trieste dhe më tej rrugëtimi i Ismail Qemalit vjen më 21.11.1912 në Durrës. Pas tre ditësh tre ditë udhëtime baltrave të Myzeqesë, në Ciflik të Lushnjës dhe në Libofshë të Fierit… Më 28 nëntor 1912 u mblodh Kuvendi istoric I Vlorës, që zgjodhi si kryetar të qeverisë së përkohshme Ismail Qemal Bej Vlorën. Deklarata e Shpalljes Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritja e Flamurit Kombëtar janë akti madhor në historinë e kombit tonë.Ismail Qemal Beu deklaroi fjalët që do ndrijnë në shekuj:“Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur. Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajm-ëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë. Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija. Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni!Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Amatorët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë). Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest. Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë. Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë.Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipërija!”Për figurën e themeluesit të shtetit shqiptar Ismail Qemalit, ende nuk kemi një shesh dinjitoz me një përmendore gjigande, për udhëheqësin e pavarësisë së vendit, për kolosin mjekërbardhë, për burrin e flamurit, që meriton më shumë vlerësim si të gjithë kombet e civilizuara. Ismail Qemali ndërroi jetë në mënyrë misterioze në Peruxha të Italisë më 26 janar 1919 dhe më 12 shkurt 1919 trupi i tij u soll në Vlorën e flamurit, por varrimi u bë në Kaninë. Në kuadrin e 20 vjetorit të Pavarësisë, më 28 Nëntor 1932, u rivarros në lulishten pranë Sheshit të Flamurit në Vlorë. Pavarësia është monumenti më i lartësuar dhe më i cmuar i shqiptarëve, prandaj është koha për t’u sjellë si komb i civilizuar.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 231
  • 232
  • 233
  • 234
  • 235
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT