• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

102 vjetori (7 shkurt 1920-7 shkurt 2022) i lindjes së atdhetarit Qerim Haxhiu

February 7, 2022 by s p

NGA Kevin HAXHIU/

102 vite më parë,më 7 shkurt 1920 në Lushnjë,në një familje qytetare,fisnike,patriotike të Lushnjes lindi atdhetari Qerim Haxhiu.Djali i patriotit të shquar shqiptarë Bajram bej Haxhiu i cili ishte një nga anëtarët e Komisionit Nismëtar të Thirrjes dhe Organizimit të Kongresit të Lushnjës dhe i vëllai i legjendës së sportit shqiptar Abdurrahman Roza Haxhiu.

Qerimi shkollën fillore e kreu në Lushnje ndërsa shkollën e mesme e kreu në Medresenë e Tiranës.Qerim Haxhiu shkollën e lartë e vazhdoi për teologji (shkenca islame) në universitetin “Al-Azhar” në Kairo,Egjypt.Ai në vitet ‘30 u aktivizua si futbollist me ekipin e futbollit ‘Kongresi i Lushnjes’ i qytetit të Lushnjes.Qerimi ishte një nga futbollistët e gjeneratës së parë të ekipit lushnjarë dhe i pari që nisi “rrugën” e gjatë të mbiemrit që bëri histori në sportin lushnjarë dhe atë shqiptarë “Haxhiu”.Në vjeshtën e vitit 1938 Qerimi u nis nga Lushnja me tranzit në Selanik dhe mbërriti në Aleksandri.Kjo rrugë e gjatë për Qerimin ishte e paharruar për faktin se për të ishte rrugë pa kthim mbrapa në atdhe gjerë sa ndërroi jetë por në vitin 1967 arriti të merrte një leje për vizitë në atdhe.Patrioti Qerim Haxhiu fizikisht ishte në Egjipt,por me shpirt e zemër ishte gjithmonë në Shqipërinë Etnike.Ai botonte gjithnjë artikuj për atdheun Shqipërinë dhe çështjen kombëtare në gazeta,revista të diasporës shqiptare të Egjiptit.Qerimi e kishte pasion letërsinë që në rininë e tij të hershme ndaj dhe shfletonte pothuajse të gjitha botimet që dilnin në atë kohë.Ai gjithashtu ka shkruar dhe poezi nga më të ndryshmet.Haxhiu ka qënë nismëtarë i shumë organizimeve si dhe hartues i disa memorandumeve,peticioneve të gjitha këto për çështjen kombëtare Shqiptare.Në 7 prill 1939 kundër okupimit të Shqipërisë nga Italia fashiste Qerimi hartoi një peticion si dhe ishte njëri prej studentëve shqiptarë organizator të protestave në Kairo.Në vitin 1958 Tito do të vizitonte Naserin në Egjypt dhe këtij të fundit Qerimi i nisi një memorandum rreth 20 faqe për gjëndjen e shqiptarëve në Jugosllavi.Në përmbajtjen e Memorandumit  jepeshin të dhëna mbi golgothën e shqiptarëve në Jugosllavi dhe shpjegohej se myslimanë nuk jetojnë vetëm në Bosnje,por edhe në Kosovë,Maqedoni,Mal të Zi e gjetiu dhe se ata me kombësi janë shqiptarë.Memorandumi megjithëse iu drejtua Naserit nuk u protokollua në zyrat e Institucionit të Presidentit të Egjiptit por memorandumi u dorëzua në Ambasadën Jugosllave.Kjo bëri që atdhetari Qerim Haxhiu të arrestohej gjithmonë përkohësisht kur Tito do të vizitonte Egjiptin.Në 9 korrik 1941 Qerimi do të shkruante poezinë  “Teqeja Magauri” kushtuar teqesë bektashiane shqiptare të Baba Ahmet Serri Glina me origjinë nga Përmeti.Teqeja “Magauri” në Kairo të Egjiptit u kthye në një “shtëpi” për shqiptarët atje pas pushtimit të Shqipërisë nga italia fashiste.Qerim Haxhiu ishte një besimtarë myslimanë i devotshëm dhe kurrë nuk u largua nga leximi i Librit të Shenjtë Kur’anit dhe nga falja e namazit.Haxhiu ishte ndër personalitetet e njohur shqiptare që emigruan në Egjipt.Qerim Haxhiu ishte atdhetar i paepur për çështjen kombëtare shqiptare në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit dhe gjithë jetën dhe veprimtarinë patriotike ia kushtoi atdheut Shqipërisë,Kosovës,Çamërisë dhe të gjithë trevave shqiptare.Qerimi kishte njohuri të thella për historinë shqiptare dhe gjithnjë fliste për Rilindasit e gazetat që ata botuan,të cilët kontribuan në zgjimin dhe ndërgjegjësimin kombëtarë të shqiptarëve të Egjiptit.Haxhiu ishte antikomunist i flakët,demokratë dhe nacionalist i madh.Për regjimin diktatorial komunist në Shqipëri patrioti Qerim Haxhiu ka thënë se:

-“Regjimi komunist në vend që rinisë t’ia shtojë dashurinë për atdheun,regjimi komunist u interesua për Rusinë dhe Vietnamin,për dallim  nga rinia kosovare e cila ndjenjën e atdhedashurisë e ruajti më tepër.Mirëpo,rinia kosovare nuk e dinte se Shqipëria zyrtare më tepër interesohej për Vietnamin se sa për Kosovën”. [1]

Në 21 vjetorin e ndarjes nga jeta të Andon Zako Çajupit (11 korrik 1930-11 korrik 1951),Qerimi mbajti një fjalim mbi jetën dhe veprën e Çajupit,gjatë homazheve që zhvilluan atdhetarët e kolonisë shqiptare të Egjiptit,në varrin e Andon Zako Çajupit në Egjipt.Nga të gjithë veprimtarët e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit Qerim Haxhiu ishte i vetmi që shkruajti një përmbledhje (histori) për diasporën shqiptare të Egjiptit qe i duhej Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” në Amerikë.Patrioti Qerim Haxhiu ka mbajtur lidhje të vazhdueshme në të gjallë të tij me Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës”VATRA” dhe ishte i abonuar në Gazetën “DIELLI”.Gjithashtu Qerimi ka bashkëpunuar me Drejtuesit e Vatrës edhe në një projekt historik të Diasporës Shqiptare në Egjipt,projekt që e ndërmori “Vatra” dhe që u realizua nga Qerim Haxhiu në bashkëpunim me studentët shqiptar në Egjipt.Qerimi edhe në Egjipt gjatë gjithë jetës qëndroi pranë shqiptarëve dhe për këtë është shprehur: 

– “ Unë kudo që të shkoj,kërkoj shqiptarë,sepse pa ta dita nuk më shkon ”. [2]

Qerimi ka takuar edhe Mbretin e Egjiptit me origjinë shqiptare Faruk njëherë në një iftar që mbreti organizoi për studentët dhe njëherë tjetër në Bashkësinë Shqiptare.Ai në Kairo ka takuar edhe personalitete të rëndësishëm shqiptarë ndër të cilët janë: Mbreti Zog I dhe Familja Mbretërore Shqiptare (Mbretëreshën Geraldina,Princin Leka I,Skënder Zogu),Ernest Koliqi,Abaz Kupi,Nexhmedin Qorraliu,Qemal Butka,Aleksandër Meksi,etj.Gjatë qëndrimit të Familjes Mbretërore Shqiptare në Aleksandri,Qerimi mbajti lidhje miqësore dhe kjo ishte vazhdimësi e një miqësie të vjetër që fillesat i ka në 1920 në Kongresin e Lushnjes e babait të Qerimit nismëtarit të Kongresit Bajram Haxhiu me delegatin e Matit Ahmet Zogun.Haxhiu e vizitonte shpesh Familjen Mbretërore Shqiptare në residencën e saj në Aleksandri.Gjithashtu gjatë stinës së verës Qerimi qëndronte në residencën e Familjes Mbretërore Shqiptare,ku i mësonte dhe gjuhën arabe (lexim dhe shkrim) mbesave të Mbretit Zog.Qerimi kishte miqësi edhe me Abaz Kupin dhe me djalin e tij që ishin moshatarë dhe shokë të ngushtë.Haxhiu ka kontribuar vullnetarisht në mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e Shqiptarëve në Kairo.Gjithashtu ai ka dhënë edhe leksione 3 herë në javë për studentët shqiptarë në Liceun e Kairos.Në vitin 1967 gati pas 3 dekadash u nis me anë të një vize (pasi kapërceu pengesa të shumta burokratike të regjimi diktatorial komunist) për të vizituar për herë të parë atdheun Shqipërinë që pas vajtjes me studime në Egjipt në 1938.Kjo do të ishte vizita e parë dhe e fundit në atdhe,ndaj dhe e kujtoi gjatë gjithë jetës së tij aktivisti i shquar për çështjen kombëtare shqiptare Qerim Haxhiu.Një moment prekës të kësaj vizite atdhetari Qerim Haxhiu nuk e harroi asnjëherë për të cilin ka treguar se: 

– “ Nga Tirana deri në Lushnje nuk kam pushuar së qari.Kur arrita në Lushnje oborri i shtëpisë ishte mbushur me njerëz.U takova me të gjithë me shumë mall.Kur hyra në dhomë në të cilën po rrinte babai (Bajram Haxhiu),ai posa më pa thirri: Qerim! Dhe i ra të fikët! Nuk kishte faj ngase njëzet e nëntë vjet nuk më kishte parë!Këto janë përshtypjet e kësaj dite që nuk do t’i harroj kurrë ”.[3]

Qerim Haxhiu ishte i martuar me znj.Shukrane me origjine nga Prishtina por me vendbanim në Kairo,vajza e Dr.Shyqyri Çupishti i cili ishte kirurg dhe Drejtor në Spitalin e Vlorës në vitet 1933-1935.Qerimi ka lënë dy fëmijë nje djalë dhe një vajzë.Djali Iliri me profesion Farmacist dhe punon në fabrikën e ilaçeve në Stamboll të Turqisë ndërsa vajza Dhurata,Doktore e Shkencave të Kimisë,Profesoreshë në Universitetin Koç të Turqisë.Iliri i ndoqi studimet në Universitetin e Kairos ndërsa Dhurata në atë Amerikan.Femijët e Qerimit jo vetëm gjuhën shqipe që ua mësoi i ati dhe që e flasin qartë dhe rrjedhshëm,por ata njohin edhe disa gjuhë të huaja.Shtëpia e patriotit Qerim Haxhiu në lagjen “Abidinë”,në rrugën “Sherif Pasha El Kebir nr.2”,në Kairo ishte një mjedis totalisht shqiptarë në tokë të huaj.Biblioteka e Qerim Haxhiu-t ishte burim dijesh dhe e njohur nga të gjithë ata të cilët (kryesisht studentët shqiptarë me studime në Kairo,me origjinë nga Shqipëria,Kosova,Çamëria dhe nga të gjithë trevat shqiptare) që kishin vizituar patriotin dhe kishin lexuar libra nga biblioteka e tij apo edhe ishin këshilluar me të për çështjet atdhetare.Biblioteka përbëhej nga një literaturë e çdo lloji dhe e zgjedhur në disa gjuhë si:shqip,turqisht,italisht,anglisht,frëngjisht,etj.Librat kryesorë në bibliotekën e atdhetarit të shquar Haxhiu ishin ata që tregonin për historinë e Shqipërisë dhe për çështjen kombëtare shqiptare.Në disa prej rafteve të Bibliotekës së madhe të Qerimit qëndronin pothuajse të gjithë librat e shkruar nga autori i preferuar i tij i cili ishte “Homeri Shqiptar” Gjergj Fishta.Librat e Fishtës e kthenin shpesh herë me mëndje e zemër në atdhe por pa harruar edhe pikturat e veçanta për të ato të piktorit korçarë Guri Madhi që pasqyronin atdheun që Qerim aq shumë e donte dhe kishte kontribuar pamasë për çështjen kombëtare shqiptare.Qerim Haxhiu ditët e pleqërisë i kaloi duke punuar paradite si drejtues në një fabrikë (edhe pse kishte dalur në pension),kurse pasdite duke lexuar,e herë herë duke vizituar ndonjë familje shqiptare.Qerim Haxhiu ka kontribuar në fillim të viteve ‘90 në përpilimin e librit “Shqiptarët e Egjiptit” me informacionet e tij të shumta për Historinë e Diasporës Shqiptare të Egjiptit.Qerim Haxhiu me pak fjalë ishte erudit por që nuk arriti dot që të jepte kontributin e tij në Shqipëri sepse në atë kohë regjimi diktatorial-komunist personaliteteve intelektuale të arsimuar jashtë si atdhetari Qerim Haxhiu nuk ia hapi “derën” për të kontribuar në atdhe,në Shqipëri.Megjithatë ai e vazhdoi në Egjipt veprimtarinë e tij patriotike me kontributin e madh për çështjen kombëtare shqiptare.Emri Qerim Haxhiu është shënuar me shkronja të arta në historinë e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit.Ai ishte Rilindasi i Fundit në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit.

Qerim Haxhiu u nda nga jeta më 1 Janar të vitit 2003.Për Qerim Haxhiu-n janë shkruar disa faqe në librin “Shqiptarët e Egjiptit”-Autor,Emin Azemi,Shkëlzen Halimi-Botuar,Logos-A, 1993 Shkup.Në Gazetën Illyria,1209,21-23 Janar 2003 është botuar një artikull nga Prof.Beqir Ismaili me titull “U largua nga kjo jetë edhe një veprimtar i diasporës shqiptare:Qerim Haxhiu (1920-2003)”.Në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Roli i Mërgatës në Shtetformim”,Prizren,10-13 qershor 2012 e organizuar nga Ministria e Diasporës Kosovë me rastin e 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar,Prof.Dr.Beqir Ismaili në kumtesën që ka mbajtur në këtë konferencë ndër të tjera ka përmendur edhe veprimtarinë e atdhetarit të shquar shqiptarë Qerim Haxhiu.

Në vitin e 100 vjetorit të lindjes së atdhetarit (1920-2020),Këshilli Bashkiak Lushnje me Vendimin me Nr.67 Datë 28/07/2020 vendosi të vlerësojë me titullin “QYTETAR NDERI I LUSHNJES” Z.Qerim Haxhiu (pas vdekjes) me motivacionin:-“Bir i një familjeje shumë të njohur lushnjare,zoti QERIM HAXHIU mbetet një atdhetar i madh midis diasporës shqiptare në botë.Në Egjiptin e largët,ku jetoi e punoi ,për gati 60 vite ai krijoi një Lushnje e Shqipëri të vogël,bëri gjithçka për mësimin dhe përhapjen e gjuhës sonë të lashtë dhe lartësoi vlerat e bukura morale e kulturore të vendit tonë”.Në datën 11 shtator 2020 Shoqata Çamëria Kosovë vlerësoi me Çertifikatë “Mirënjohje” me motivacionin: -“Per kontribut atdhetarë” (pas vdekjes ) atdhetarin Qerim Haxhiu në vitin e 100 vjetorit të lindjes së tij (1920-2020).Në muajin shtator të vitit 2021 Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” nderoi me vlerësimin më të lartë “Mirënjohja e Artë” Z.Qerim Haxhiu (pas vdekjes) me motivacionin:-“Për kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare jashtë atdheut,ruajtjen e identitetit shqiptar,ruajtjen e gjuhës shqipe,mbështetjen e studentëve shqiptarë në Egjipt dhe lidhjet e vazhdueshme me Vatrën dhe Gazetën “Dielli””.

BIBLIOGRAFIA

  • Libri “Shqiptarët e Egjiptit”-Autor,Emin Azemi,Shkëlzen Halimi-Botuar,Logos-A, 1993 Shkup.
  • Gazeta “Republika”,Viti IV i Botimit,Nr.32(279),Organ i PRSH,E Dielë,24,4,1994, “Shqiptarët në Egjipt” nga Beqir Ismaili.
  • Gazeta “Illyria”,1209,21-23 Janar 2003,“U largua nga kjo jetë edhe një veprimtar i diasporës shqiptare:Qerim Haxhiu (1920-2003)” nga Prof.Beqir Ismaili.

REFERENCA

 [1] Libri “Shqiptarët e Egjiptit”-Autor,Emin Azemi,Shkëlzen Halimi-Botuar,Logos-A, 1993 Shkup,f.68-69

[2] Libri “Shqiptarët e Egjiptit”-Autor,Emin Azemi,Shkëlzen Halimi-Botuar,Logos-A, 1993 Shkup,f.62

[3] Gazeta “Illyria”,1209,21-23 Janar 2003,“U largua nga kjo jetë edhe një veprimtar i diasporës shqiptare:Qerim Haxhiu (1920-2003)” nga Prof.Beqir Ismaili

Filed Under: Histori

DON NDRÉ ZADÊJA

February 5, 2022 by s p

DON  NDRÉ ZADÊJA

(1891 – 1945)

Pergatiti Fritz RADOVANI:

Shqiptarët e njohën me Emnin e nderuem: Poeti i Ambelsisë! 

U thirr bashkë me popull edhe prifti Don Ndre Zadeja, kur do të pushkatohej i ndjeri Kolë Sheldija me datën 2 shkurt 1945, në fshatin Sheldi. Menjëherë mbas pushkatimit të Kolës, Don Ndreu iu afrue, i bani Shartët e Fundit dhe porsa u ngrit në kambë, pau vedin me pranga ndër duer nga forcat e Ndjekjes komuniste.

Don Mikel Koliqi edhe Ky atëherë i arrestuem, më tregonte në vitin 1993: “Si tash e kam ndër veshë të inçizuem zanin e të shkretit Don Ndre, kur po e torturonin. Ai asht torturue shumë dhe po u thonte torturuesve: “Mohni bre kështu, po a ban shqiptari në shqiptarin shka jeni tue ba ju në mue!?”

Don Ndreu akuzohet se ka pasë dijeni për vendqëndrimin e Don Lazër Shantojës, Don Alfons Trackit, Kol Ashikut, Martin Sheldisë, Gjovalin Sheldisë, Ndoc Jakovës, Gjok Gjergjit (prej Lisnet) dhe Zef Augustinit (prej Lisnet). Njëkohësisht ka mbajtë lidhje të ngushta me Don Injac Gjokën, i cili strehon dhe përcjellë ndër shpella “kriminela” të luftës. Don Ndreu mohon akuzën që i bahet por burrnisht pranon: “Mësova se punohët për shuemjen e Partisë Komuniste, të cilën si doktrinë e urrej edhe unë.” (Dosja 667, me 7 shkurt 1945, Don Ndre Zadeja d.v.).

Gjykata Ushtarake e Shkodrës e përbame nga: kryetari Hamid Keçi, antarë, Mustafa Iljazi dhe Arif Gjyli, prokuror Sotir Dodona dhe sekretari Shaban Kuçi, me 16 shkurt 1945 dha vëndimin: “Për të pandehurin Dom Ndre Zadeja, me vdekje, me pushkatim”.

“I pandehuri kërkoi lehtësimin e dënimit.”

Gjykata e Lartë Ushtarake, Tiranë, me datën 28 shkurt 1945, refuzon kërkesën.

Don Ndre Zadeja u pushkatue më 25 mars 1945, në Zallin e Kirit, mbas murit të  Rrëmajit, në Shkodër. Ishte i Pari Klerik Katolik Shqiptar që u vra në Shkoder.

Fjala e fundit e Don Ndre Zadejës ishte: “Ah, moj Shqipni, moj mizore e, shka të baj ma shumë për ty?!”. Ndër pushkatimet e ditëve të para lejohej prifti me i krye sherbimet. 

Në këtë rasë ishte aty Don Tomë Laca, i cili mbas pushkatimit e mori në krah Don Ndreun e vramë, (me leje të Sheuqet Peçit) dhe bashkë me xhakonin Mark Çuni dhe dy të tjerë, e kanë varrosë mbrenda vorreve të Rrëmajit, aty ku asht edhe sot. 

Kur Don Toma shkoi në Argjipeshkvi aty nga ora 7.00, pau veladonin e lamë me gjakun e Don Ndreut prej supit ku e kishte mbështetë e deri në fund të kambëve, dhe aty për aty i ka ra të fikët. Prej atij çasti ai ka pësue një sëmundje nervore nga e cila nuk asht shërue kurrma. (Si mbas tregimit të Don Mikel Koliqit, në vitin 1993).

Atë ditë, një afishe e madhe u vue ndër murët e Shkodrës:

“PUSHKATOHEN KRIMINELAT E LUFTËS DHE ARMIQTË  E  POPULLIT:

1.Prenkë Cali 2. Dom Ndre Zadeja 3. Luigj Gjeto Kastrati 4. Ndok Nik Bardhoku 5. Ndrekë  Loka 6. Arif Selim Hyseni 7. Dedë Lulash Smajli  8. Gjok Nikaj 9. Dul Bajrami 10. Mark Luc Gjoni 11. Tomë Lekë Daka 12. Maliq Bajrami 13. Gjok Nikoll Voci dhe 14. Pjetër Dedë Gjedashi.”Ideali që i bashkonte këta burra ishte: “Rrnoftë Shqipnia!”

Don Ndreu i la Popullit Shqiptar një veprimtari letrare të pakrahasueshme.

Shkodra nuk e harroi asnjëherë Letren që Ai i dergoi në 1942 At Fulvio Cordignanos. 

ME 25 MARS 1945…

PRANË RRËMAJT, NË ZALLIN E KIRIT NË SHKODER, 

PUSHKATOHET EDHE “POETI I AMBËLSISË” DON NDRE ZADEJA,

I CILI, HAPË EDHE FLETËN E GENOCIDIT KOMUNIST NË KËT QYTET, MBAS DON LAZËR SHANTOJËS NË TIRANË, ME DATËN 5 MARS 1945.

NË SHENJË NDERIMI DHE RESPEKTI PËR KËTE MARTIRË TË

KISHËS KATOLIKE SHQIPTARE, 

QË ME GJAKUN E TIJ LAU TOKËN TONË AMTARE, 

PO JU DHUROJ KRYEVEPRËN E TIJ LETRARE.

Me shumë respekt Fritz RADOVANI.

LETER E HAPUN
A T   F U L V   C O R D I G N A N O S

1942

Cum non est cui suadeatur

 Et qui suadeant non sunt. 

(Plint. Paneg.)

I.

    Me thân’ se s’dijte ç’âsht votra e shqiptarit 

e shtroja e tij me firi t’njomë e trûngu   

nënkrejse e vrashtë illyre pranë zjarmit

gjith’her’ mikprit’s, nëpr’ ato biga e ahishta

ku bjeshk’t e nêmna derdhin lot rrëshine:     5

Me thân’ se at dor’ të lmut e t’shugurueme,

si tosk’ si geg’, pa farë idhní besimi, 

s’ta puthi e s’ta shtërngoi si miku mikut,

por kryet ta vrau pse kok’ për kok’me tândin

shqiptari e ndeshi fatakeqi, rrehëm!   10 

E pra ky derën dy kapak’sh ta çili,

si i t’shpis, dita me ditë ândjeve tua

bujar i erdh e gjurm’ për gjurm’ ndër shpêlla,

ku flêjn’ drangojt, drangûe aj vet’ të prini, 

me krrab’ të vet çërmoi nëpër têrrina,   15  

me lahut’ të vet këndoi pa mê pran’ téje,     (pa mê – pa pushue,FR)

me brisk të vet latoi me shkrojla t’vjetra 

një shkop për ty. Patër Milan të quejti, 

t’ ndêshi e t’përcuell, ké stani i vorfën t’prîni, 

ngarkue me plaçka tua e me visare    20 

t’njaj giuhe s’lasht’ qi namin ty ta rriti 

ndër blêj qi nuk dijn’ mort. Ké stani t’prîni, 

ku e pakundshoqe t’pritte bujarija 

e grues shqiptare. E kur mbi letra tua, 

lodhun s’kërkuemi, nji sy gjumë i knaqun    25 

me bâ ti dojshe i patrazuem prej kujna, 

cikën e lop’s ajo fisnike e mielte,  

plotepërmaje ‘i kup’ me psheshatâmbël 

para ta vête e, ksulën n’dorë, i zoti 

i shpis’ “njelmo, njelmo, i bekue” me t’dhânun    30 

e buk e krypë e zemër parashtrote.

Héu! Mirë uhan shqiptarit sot ja ktheve! 

N’areopagun e letrarve t’tú 

rrashtën e t’parve ton’ prej thesit nxore, 

(at thés na vet’ ta mbâjtme e vet’ ta mbûshme!)    35 

e si shpërblim plot e përplot me tamthin 

e i’dhuni’s s’pashoqe né na paraqite 

e “pini, pini, t’shkret’” i grishe evarshëm 

Astyagjë i dytë Arpagut t’mjer’ shqiptar! 

Arpagu n’darkë, o mizorí! Me mishin  40 

e djalit t’vet do t’ngihet edhe n’rrashtën  

e tij do t’pijn’…. i pvetun do t’përgjegjët: 

“N’sofrën mbretnore çëdo gjellë a e shijshme!” 

Dishmitare ty t’thrras o e tepruemja 

durés’ shqiptare, ti qi vuen pa zâ,               45 

e brén pa u ndî, e kjân pa ankim, e thér 

pa vrá, diftom’ pash Perëndin, a mundem 

shqiptar i lirë Arpag i dyt’ m’u bâ 

i shuem e i poshtër? Un me dije tânde 

s’ due t’mbatëm, o letrar. Synon meshtari   50 

meshtarin jo shqiptar, i thot’: Gabove! 

Ujku don tym e mjegull. Rac’s illyre 

ti ujk ju bâne, gjall’ ti ma përpine, 

me at eureka t’çuditshëm ti e zbulove 

nênin gordjan, me’i t’sjellme shpate e kpute,                 55 

e nji rras’ t’ré mbi vorrin e Shqipnis’ 

na vûne: Ktu pushon rraca ariane! 

Rracë e stërkeqne, farë e manafikun, 

skotë e përzieme hithâsh ariane 

kênka Shqipnija? O témpora! O móres! 60 

Gjurmues i thêll’, ti gjurmë Illyrjes s’vjetër 

n’Shqipni s’i gjên? Mbi té përbé pra jemi, 

mbi pluhun t’saj përbéhen pelikanat 

e dërmishun ndër vuejtje mijvjeçare 

dëshmor’ të padishmuem. Gjurm’ nuk i gjên? 65 

e prá dikur i madhi i t’mdhejve Leka 

n’Egjyptin e gjymtisun pik’ma s’pari 

mbi ball’ t’Hetéjve ton’ s’kundroi habitun 

emnin shqiptar? At emën t’nëpërkâmbun 

nuk shkoi aj me e ringjallë? Ti gjurmë Illyrit 70 

n’Butrintin tând nuk i gjên? E nuk kujtohe 

se edhe n’shpi tânde dora e huej la shêjet 

e ‘i gjytetnimit t’huej? Edhe n’shpi tânde 

gjuha e përfolun s’kjé gjth’ herë e shkrueme? 75 

Përmbi gërmadha t’hueja ndër pasojna 

tejshekullore rrihi flet’t e tua,  

Shqipe virgjin e Illyrve, e n’çerdhe tânde 

çili ata zogj, rriti ata zogj e ndîelli 

me gjuhën tande Illyre Shqipëtare!

Préja ti, Roma e Madhe, hovin Pirros, 80 

rrudhja guximin, Rom’, Teutës zamâdhe, 

Gencin shkodran’ shtërngoje me verig’ ari, 

por jan’ verigat shêj se Rom’ a Roma   (shêj – kêputë)

e Illyri  Illyr. Verigat ja zgjidh’ Gencit, 

i shkrijn, i bân kunor’, mbi krye t’Illyrit 85 

besnik vetê ajo e vnon Roma e pavdekshme. 

Na komb’ bastardh, na t’huej n’vend ton’, na préja   (preja – të pabesë)

e votres sonë, emënharruem, rrugaca? 

Rrugaç, vasal, ushtar i blem me pare 

edhe zamadhi Kastriotë i yni?  90 

pse ‘i dit’ vetimshëm aj me shqipe t’veta 

mbi Ardjen fluturoi, besën e dhânme 

fronit t’ Partenopës me gjak n’Ursáre 

n’vend për me çue si e ka zakon shqiptari? 

E drejta a nji. Kjé Kastrioti i bindun 95 

n’miqsi t’Venecjes s’lasht’, por pau Rozafa 

Shpatën e tij e u dridh. Aj Kapidani, 

Aj pararoja e krishtënimit t’ngûcun, 

por edhe Mbret i Shqipënise Illyre. 

Ti ndér’, ti t’drejt’ kurrkund s’i dhae shqiptarit.                         100

Ç’e bâjm’ na t’gjallt’? Pse lodhna kot? Pse lypim 

çka s’na përket? E ti djelmni, pse lnyre 

për  fate t’ardhshme t’Shqiptaris, kur n’shpatull 

ná gjâ nuk kém, as komb’ as fis nuk jém? 

Perjârgë a pênda e jote, Cordignano! 105 

Me dâng’ të zez’ ti ja zhigate ftyrën 

vedit e né. Por nuk jan’ dokrrat tua 

qi e bâjn’ paçavër rracash Shqiptarin! 

Nuk jan’ zbulimet t’tua çudiplote 

qi e bâjn’ me kthye dalë ‘i fjal’ të folme,   110 

nji dor’ vllaznisht të shtrime, ‘i bés’ të dhânme: 

Shqipja Shqipës krahun ja dhâ, s’ja kputi. 

Njikshtu shpnesojm’, njikshtu e dijmë. E t’bâni 

goja me fol’ çka para téjet nieri 

i gjall’ nuk thá? E t’bâni zemra shpirtin  115 

pa i dalë endè ti me ja xjérr’ shqiptarit 

me at styl të kuqun n’gji? I thérun n’zemër 

vigmën aj sot e lshon…. Prej téje e nâmta 

kupë e përmbyzne a derdhë e buka e thyeme (përmbyzne –përmbysun)

nuk njitët mâ. Hin fjal’ kah dole ‘hè gjoftë   120 

rrféja mizore e hijevet Illyre, 

nâma e nji kombit qi nuk humb’ si s’humbin 

Shtyllat e Kapitolit tând! Prapóu, 

ti hije e zez’, mos t’marrin mbrapa vigma 

e t’parve ton’ prej vorrit, ku flên Fishta, 125 

prej grope, ku pushon Frashëri e Mjedja.

                              II

Mjedja, Barbari i Madh, n’heshtjen e gjumit 

t’vorrezave injacjane e luejti rrashtën 

brahyçefale e prej dy rrathve t’humbun

Frombója i dyt’ dy sy vetoi si rrféja; 130 

me grushtin e përtham e shkundi Pasin, 

Jungun e t’amblin Gjenovic me vllazën, 

akull ku n’préhje barasohen eshtnat 

e t’strukunve nën dhé. E théll’ si deti, 

ehéu! Nji gjâmë u ndi e përfrigueshme.  135 

Ndigjom’, ti Cordignano, e veshin vénja 

fjal’s qi po t’thâm: Nuk a zili degâmje 

vargjet e mija qi frymzon, por ahti 

i nji shqiptarit t’lirë, i shituem zânash, 

pse i prekun n’tél, pse i thérun n’zemer, t’rámën    140

gati me e bâjt’ por t’shámen kurr. Harrohet 

e s’harrohet çdo dhûn’ mbi tok’, por ndéri 

për kombe a shêjt, si shêjt a gjaku i dêrdhun 

për Atmë e Fé. Por, kurr nuk mund t’harrohët 

oshtima e théll’ e shigjetve t’helmatueme   145 

tridhetë e sa vjeçare, kur s’andejmi 

shkodranit ftyrën me ja marrun déshte 

me t’idhtin gaz e Shkodrën e rrëthueme, 

(ku zogjt e shqipës s’parit syt i çilne,)

n’thalbin e zemrës keqas ma gërgave,            150 

njât’her’ kur ûja flatrat e shpuplueme 

ndête mbi né mortore e ankimi i zi, 

me rrâjça n’goj’ kelkaze e madergone, 

çilte vorreza t’reja n’për gardhîje; 

kur nanën téme, ditë e zezë, e mblova  155 

n’at syz’ lédine n’Rmâj, kur Taraboshi 

e Lodertuna viellshin zjêrm çeliku, 

n’thalbin e zemrës keqas ma gërgave! 

Nanën kush e harron? Por Nana e Madhe 

Shqipja dykrenshe Illyre u njâllte e lumja,  160 

u njâllte. E pra ty Shkodra, Cordignano, 

t’ bâjti e t’nderoi! Andërr a kjo ti thue? 

A e din, a e din sa tâmb’l atdhedashtnijet    (tamb’l – qumësht)

q’at ditë e sod ka derdh’ gjini i Rozafës 

shkodrane? A e din, a e din se lojcë a fati,  165 

por jo mizuer si ti? Se e vërvit’ peshën, 

por si ti dorën nuk e mshehë? E s’paku 

me rrashta e me kersij s’lot shkopecingël    (kersij – kocka)

si don me lujtun ti, tue çprush’ ndër vorre 

amanet vorrit ç’âsht zakon me i lânun  170 

të pa trazuem, t’pa fyem? S’harrohët shpota  (shpota – tallja)

mbi ata shqiptar’t  e lashtë e meshatarë, 

mprojtsa fatosa t’virgjinís s’ kërcnueme 

e t’ fés s’ ligshtueme, qi ti m’i shgjetove, 

kâllpa m’i qite. E pra njata rrëbeshit 175 

salvimtar kalli vetun ballë i bâne, 

njashtu si muejtne e dijtne, kurse ndjeksit 

e Benediktit t’ Madh hanës drapnore 

ju shmângne tui lân’ mbrapa troje e rrasa, 

por monumente jo, sikur Barleti,  180 

Buzuku i lashtë e Budi e émënmadhi 

Bogdan’ i yni, ndéra e kohve t’ shkueme, 

nám i pasosun i ksaj’ tok’s  shqiptare, 

ku ‘i drit’ ka mbet’ ndër zemra endè e pa shkîmun, 

ku ‘i gac’ ka mbet’ ndër votra endè e pa shkrepun,  185 

ku ‘i bés’ ka mbet’ ndër fise endè e pa çártun. 

Ti misjonar, përmbi stomîjet shêjte, 

vllazën na quejte e vllazën na përcolle, 

por vrasës ti na dole! E, po, po, thue, 

t’i lajnë uhat félshuesat e Shqipnisë  190 

me priftën t’vet shqiptarë! E prá këta priftën 

nuk ju përulne kurr çâllmës sulltane, 

as shkopit t’carvet, por synuene Romën 

Latine t’Papve fén edhe kombsinë 

tuj mprojt’ her’ mbath’ her’ zdath’, edhe tiarat  195 

përmbi fronet e lashta ipeshkëvnore: 

Kur brûnxat flêjshin n’dhé e kur t’mbértisna 

vashat shqiptare drejtë e syjshin trévën 

shêjte t’zbulueme, gur’ për gur’ ku shêji 

i mbledhjes s’tyne, qinda vjet me radhë, 200 

krepatueshëm kumbon’t  i xëvêndsote;  

kur jashta murit t’that, pushkën për faqe, 

burrat e dheut, xhúrdin e zez’ mbi krye, 

vështojshin mos t’i xân pusí vezire 

mbi ltér’ t’bekuem, ku dora e meshtarit  205 

shqiptar n’bekim dukej e zhdukej para 

se t’qitte synin rrezja e parë e diellit. 

O misjonar’, kambsor’t  e Naxarenit 

n’detin e shqetësuem t’ kti krishtënimi 

s’ bashkut me né, kush rretin e kush grepin,  210 

me gjoj’ hyjnore dora dor’s  ta mbushim 

lundricën e Tinzot me at lajm t’frigueshëm 

qi nierz përtrijn e kombe! Marrí njehët, 

âjun kur Drini breg e m’breg vërsulet 

e shkamba dyndë e m’ shpin’ përkund’ çináre, 215 

bregut përpjet’ me i dhân’ rrëshanzës  s’ vogël, 

për t’ mbledh’ bërcakë e cokla e cingla t’ thata 

pa ndonji vlér’. Grêth’ mundet m’u bâ bleta, 

por marimanga blet’ nuk bahët lângun 

pa e sjellun n’helm. Ta dijë koha e ardhshme  220 

e lume o e mjer’ (me fatin kush mund kapët?): 

Kanuja Illyre pronen edhe kullen 

me kulm e me temel e gjan’ e gjallë 

me ç’fryn e  ç’ avullon ja digjte núri, 

por armën lirshëm n’dor’ ja lête gjaksit. 225 

Siell, Cordignano, n’dorë armën e ké: 

Ndêshëm n’tryvezën shkencatare t’ presin 

banor’t  e botës s’ vogël primitive. 

Kjémë çka kjém’ e jém çka jém. Zakonët 

ti ruejmë Illyre e gjuhën t’papërlyeme! 230 

Ndër duer t’virgjilta t’ çikave t’ fatueme 

t’ përshkohen spikt, e pêjna leshi s’dredhun 

t’ dalin të ri për tirqi si biluri, 

e téja t’ fort’ si kanpi për buljera, 

e kput’ t’ qindîsna n’ar për fatamirin 235 

qi hylli do t’u sjell’ kur táta e lókja 

n’ân’ ti vên’ shêj, njashtu si na lá i pari.

Njashtu si na lá i pari, çeta e lúme 

e barijvet shqiptar’ n’ mallesa t’ veta 

ogiçin para, berreve dihatse  240 

t’u prijn ké mrizi plak mijavjeçari; 

nën hije t’ tij t’këndojn kangën e vjetër, 

t’shkruejn zogj me krah’ n’velgji prej s’ kuqi s’ pishës, 

t’shkruejn flutra lloje lloje m’ furk’ shpatúke, 

si lokja jau kërkoi Bardhën nuse. 245 

(qi me e kërkue me pishë edhe me qiri 

mana kûnd shoqen nuk ja gjên’); e t’ shkruejn 

e t’ shkruejn edhe me gjak shêja vllaznije, 

n’krahun e njom’ të njani tjetrit, gërmat 

e vjetra t’nji kujtimi t’ lasht’ sa bota  250 

e tyne Illyre. Bashk’ me hije t’ dirgjën, 

prej muzgu, dhênt përpara tè konaku 

t’u prrallë e tue këndue ‘i  kang’ mbas krahit 

qi sos’ përher’ n’ kushtrim. Çka thot’ kumbona, 

or ju, n’ at  Kish’ të lume, vetmitare? 255 

Dita e misjonit! Mblidhën çeta çeta, 

bûjen me u dá mikpritse misjonarve,      (bujen – buken)

me u ba konak. Qé, siellet n’ héll’ ma i miri 

dash për kumbon’. Prân’ spata kmesa e lavra, 

prân’ dér’ n’ mullî çakallja, e dîng  përmbushet 260 

streha hyjnore e vorfën. Nisin zêmrat 

rryeshëm m’u thy para s’ vërtet’s tronditse, 

e besa bés’ m’u  lidhë e i leshti parzëm 

me lyp’ mëshrirë e dora dorën gjakse 

për hatër t’ Drunit Shpërblimtar m’e puthun, 265 

me t’ luejtun gjakut, ndërsa trina e s’majtës 

cirkën e tér’ zbunûese. A lodhë, a thýe    (cirkën – djersën)

Thráku barbar i yti, Cordignano! 

Tashti , té votra shlodhu, o misjonar, 

e n’ dritën e tymósun t’ pishtarit  270 

shejó triumfe t’réja: sóse ditën 

me syt e lodhun tui kërkuemun gërmat 

e ufices meshtarake. S’a nevoja, 

n’ kureshtën tânde shkencatare, synin 

harû t’a lshojsh ndër rrath’t e atij vargoni: 275 

a janë a s’jan’ këputë, e Lék’t e shqipës 

a janë a s’janë Illyrë, a mos teprica 

e ‘i  rracës s’ bastardhueme? Nuk t’ka hije 

me u ardhun hakut macave shpijake, 

prushin mbi shpîn’ t’u grumbullue, gazit  280 

pa dijt’ me i dhânun fund, kur ato t’mjerat 

t’përzhituna n’térbim e merrshin iken. 

Njikshtu m’kurriz’ t’ shqiptarve grumullove 

gáca mbi gáca, Cordignano, e bota 

veshin tá vûni e përmbi letra t’ mëndafshta 285 

dorën kundroi leçitse albanofóbe. 

Veprën e misjonarit lavdiplote, 

ravën e kambve t’ tija koha e amshimi 

me bindje e përkujton, por, vepra e jóte, 

ravizë e zbét’ trathtije, a gjurmë gamilli,   290 

qi vetun e përlán’ shtërgata e breshni.

Shkoder, 1942.

Shenim F.R.:Më shpjegonte Prof. Gaspër Ugashi, rreth vitit 1958 në Shkoder: 

Lexoje këte “Leter të hapun” që një Prift Katolik Shqiptar, Don Ndre Zadeja i ka shkrue një klerikut tjetër italian At Fulv Cordignano-s, mbasi ai pat fye në një shkrim të vetin Popullin Shqiptar, në vitin 1941. Kjo u shpall në shtyp në vitin 1942. 

Në vitin 1942 një student shqiptar (emni i të cilit nuk më kujtohet F.R.), në Paris tue dhanë provim për letërsi në Universitet atje, e pyet profesori: “Po, përveç dy letrave të njohtuna, a ka ndonjë tjetër të kësaj gjinije që asht botue në këto ditët e fundit?” – Studenti shqiptar heshtë… – Profesori francez shton: “Pikërisht në vendin tand asht botue këto ditë një letër e tillë, ku, një Prift Katolik Shqiptar i asht përgjegjë fyemjes që i ka ba Popullit Shqiptar, një dijetar i njohtun italian, po edhe ai klerik katolik. 

Ajo “Letër e hapun” e shkrueme nga Don Ndre Zadeja, zen vendin e tretë në letersi botnore për nga ana letrare dhe artistike. 

Autori i saj Zadeja, ka shkrue një letër të tillë që mund të lexohet në të gjitha ambjentet dhe për të gjitha moshat, mbasi gjuha që përdorë Autori, asht shumë e pastër dhe shumë e pasun.”.

Por, askush nuk mund të parashikonte se mbas tri vjetësh, me 25 Mars 1945, në orën 05.00 të mengjezit, Don Ndre Zadeja, “Poeti i Ambëlsisë” do të pushkatohet në Zallin e Kirit nga tradhëtarët komunist “shqiptar”, si “anmik i Popullit të vet”.

Ju lutëm shpërndajeni tek Rinia këte Leter!

Shpërndajeni në katër anët e Botës, si asht shpërnda.., edhe vetë Rinia Shqiptare !!!

Melbourne, 4 Fruer 2022.                         

Filed Under: Histori

GERALDINA, KONTESHA QË “KRISHTEROI” DHE EUROPIANIZOI MBRETËRINË SHQIPTARE, ME SHTATORE NË TIRANË

February 2, 2022 by s p

NGA  NDUE  BACAJ

Me 01 shkurt 2022 në Tiranë u vendos shtatorja e Mbretëreshës Geraldinë, me financimin e  qeverisë së Republikës të Hungarisë. Meqense media të ndryshme e transmetuan këtë eveniment, unë mendova që me këtë rast të “ndalëm”te një histori e shkurtër e mbretërisë, dhe të konteshës që u bë mbretëreshë e shqiptarëve. 

NË VEND TË HYRJES, NJË HISTORI E SHKURTËR E MBRETËRISË SHQIPTARE

 Me 01 shtator 1928 Asambleja Kushtetuse e dalë nga zgjedhjet e 17 gushtit 1928, vendosi që forma qeverisëse në Shqipëri të ishte Mbretëri (Royaume) Demokratike, Parlamentare dhe e Trashëgueshme, dhe Mbreti i shqiptarëve ishte Zogu I. Deri atëherë “tradita” qeverisëse e shqiptarëve kishte kaluar rreth  katër shekuj e gjysëm e “mbështjellë” me vellon e errësirës , kerbaçit dhe kulaçit  që serviri sundimi Turko-Osman në Shqipëri, si dhe në kalvarin e intrigave e luftrave që sillte pa prerë grykësia e fqinjëve sllavë që kërkonin të shkyenin sa të mundnin nga trojet shqiptare… Mbretëria shqiptare përveç shpresës kishte brenda edhe mjaft element të perandorisë turkoshake, ku spikasin rreth këtij oborri mbretëror shumë përfaqësues në zë të familjeve feudale e të “nderuar” me tituj nga Turqit si ,”beg”, “aga” ,”bajraktar”, “pasha” ,”vezir” e të tjer të “zgjedhur”, kur në fakt këto tituj nuk ishin rrjedhim i formimit historik, por në shumicë i përkisnin atyre familjeve që me zellin shpesh edhe të tepruar i kishin shërbyer lakunisë së pushtuesit Aziatik  turko-osman i cili i kishte shpërblyer në kohën e tyre , por që mjerisht disa nga këta ende ishin “mina” me sahat për kombin tonë (kujtojmë Esat Pashë Toptanin e tjerë). Mbreti i kurorëzuar ishte në fakt një malësor i shkolluar nga Mati , i cili rrjedhte nga një familje (Zogollëve) që ndonëse kishin kohë që kishin ndërruar fenë (duke u bërë musliman), por që kishin vërtetuar se nuk kishin ndërruar  atdheun e detyrimet ndaj tij. Këtë mund ta ilustrojmë të paktën me vetë mbretin Ahmet Zogu, i cili ishte një ndër pjesëmarrësit aktivë në Kongresin e Lushnjes (1920) dhe qeverinë e saj, por edhe pjesëmarrës në drejtimin e luftërave mbrojtëse të këtyre viteve (kujtojmë luftën e Koplikut 1920…). Gjithsesi  zhvillimet e mëvonshme, para dhe pas mbretërisë ende “rrezatonin”  çehre të verdhë aziatike, ndërsa armiqtë e ndërgjegjshëm dhe të “pandërgjegjshëm” të Shqipërisë me “furçën” në dorë (në të shumtën sllavo-bolshevike) kërkonin t’ja shtonin ngjyrën e verdhë aziatike mbretërisë, ku edhe në mes kësaj “mjegullnaje” si për inat të armiqve të vjetër e të rinjë të kombit tonë kishte arritur mjaft suksese në krijimin e një shteti jo pak “modern” për kohën. Për të plotësuar këtë ia vlen të theksohet se në Europë kishin filluar të hedhin shtat dy ideologji e sisteme të kundërta në dukje por të përafërta në qeverim e mjerim, Komunizmi dhe “alternativa” e ekstremit tjetër Fashizmi. Natyrisht në këto kushte mbretëria shqiptare ishte më e sulmuar se kurrë, madje pika më e goditur ishte ajo se duke qenë musliman nga besimi mbretin Ahmet Zogu shpesh e akuzonin si Turko-Osman , anadollak dhe epitete të tjera të cilat jo pak e dëmtuan në arenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare Shqiperinë. Roli i fqinjëve sllavë nuk kishte aq rëndësi sa roli i “ambasadorëve”, disa dhe me orientim Bolshevik që ishin shpërndarë nëpër botë, nën pretekstin e përndjekjes politike nga mbretëria… Në këto kushte aspak të favorshme, madje kur kishte filluar të fabrikohej edhe justifikimi i pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste (në atë kohë ende ishte sekret i fashistëve…), një ndër “justifikimet” e pushtimit siç do të merrej vesh më vonë kishte qenë edhe pushtimi i trojeve shqiptare për t’i çliruar gjoja nga mbretëria “anadollake” e Ahmet Zogut , shqiptarët e “robëruar”, ku si çlirimtarë do të “priteshin” fashistët. Pikërisht  në këto ditë të vështira mbretit Zog  I  ju “servirën” tre fotografi të konteshës së re Hungareze me emrin Geraldina nga një gjeneral dashamirës i mbretërisë, ku ju dërgua dhe jetëshkrimi i shkurtër i kësaj konteshe katolike, që pas njohjes reciproke më 10 janar të vitit 1938, Kontesha Geraldinë Appony pranoi të bëhej bashkëshortja e Mbretit Shqiptar, ndonëse ai ishte i besimit musliman ,dhe ajo katolike.. Oborri mbretëror e shpalli këtë fejesë më 30 janar 1938, dhe të nesërmen edhe parlamenti shqiptar e miratoi këtë fejesë pa asnjë kundërshtim, duke i dhënë një “leksion” të mirë Europës plakë e cila ende e shihte mbretërinë me syze turkoshake, por pas kësaj jo më kot disa gazeta të Europës fejesën e Konteshës katolike me mbretin musliman e quajtën më shumë se civilizim i mbretërisë…Por përpara se të shkojmë tek martesa po paraqesim një jetëshkrim fare të shkurtër të kësaj konteshe që do të vinte kurorën e mbretërisë sonë:  

PAK NGA CURRICULUMI I KONTESHËS GERALDINË… 

Kontesha Geraldinë lindi më 6 gusht 1915 në Gjenevë të Zvicrës, ajo ishte e bija e kontit Hungarez Xhula Appony, dhe e konteshës Gledis Stjuart nga Amerika e largët. I ati i Geraldinës konti Xhula, në fillim të luftës së parë botërore kishte marrë pjesë në forcat Austro-Hungareze duke luftuar kundër Serbëve. Mbarimi i luftës së parë botërore, dhe shpërbërja e perandorisë (Austro-Hungareze) shkaktoi probleme për këtë familje dhe vetë shtetin Hungarez i cili u copëtua jo pak në bazë të traktatit të Trianonit, ku pjesë të bukura të Hungarisë së bashku me tre milion e gjysëm hungarezë u lanë jashtë kufinjve etnikë të Hungarisë (“fat” i përbashkët me shqiptarët). Çifti Appony kishte pasur edhe dy fëmijë të tjerë, një djalë dhe një vajzë. Pas vdekjes së babait të tyre, kontit  Xhula Appony në vitin 1924, “jetimët” shkuan në kolegjin “Sacre Coeur” të Petersburgut, Austri, ku edhe mbretëresha e ardhëshme Geraldina do të arsimohej duke kryer fakultetin e shkencave shoqërore dhe financiare. Për Geraldinën e motrën e saj u kujdes halla e saj (motra e babës), kontesha Karoly, e cila zotëronte një nga kështjellat më të bukura dhe më të famshme të Hungarisë në Zebegeny. Thonë se kjo konteshë e kishte bërë zakon që në periudhën verore të priste të gjitha mbesat e saja, ku për to kishte përgatitur një “fshat” ku kishte të mbjellura të gjitha llojet e luleve e dekoracionet më fantastike të gërshetuara me mjaft fantazi e bukuri. E mbesat e kësaj konteshe që kalonin verën këtu të gjitha kishin marrë një emër luleje. Për shkak të bukurisë të bardhësisë së saj natyrale Geraldina kishte marrë emrin Trëndafili i Bardhë i Hungarisë… Që pa vonuar do të “zbardhte” me ngjyrën e bardhë të krishtërimit, mbretërinë disi të “verdhëcitur” të shqiptarëve. E kjo ndodhi me martesën e Geraldinës me Mbretin shqiptar me datën 27 prill 1938, ku kjo datë “koinçidonte” me martesën e prijësit legjendar të shqiptarëve dhe europianëve Gjergj Kastriotii, Skënderbeut me Donikën nga Vlora (më 27 prill 1451).. e kjo “koinçidencë” nuk fliste pak për kohën… Kjo datë e “njëjtë” martese  dhe vetë martesa flasin mjaft po të kujtojmë të gjithë personalitetet e botës që kishin uruar fejesën dhe uruan martesën e Mbretit Zog me konteshën Geraldinë, si Presidenti amerikan Ruzvelti, mbretëria e Italisë, Anglisë, Suedisë, Norvegjisë, Egjyptit e tjerë. “Krishtërimi” i çiftit mbretëror filloi që në mënyrën e organizimit të dasmës, celebrimit të vetë dasmës, si dhe mënyrën origjinale të kalimit të natës së parë të çiftit mbretëror, ku siç kujton bashkëkohësi, gjimnazist që ka marrë pjesë në dasëm, Beqir Ajazi në një shkrim të tij, se atë natë në hotelin që priti çiftin mbretëror nuk qëndruan çehrerëndët e tij për të ruajtur, por u ruajt nga të rinjtë (gjimnazist) që ishin ftuar edhe në dasëm, nga ku filloi një erë e re në lëvizjet e daljet publike të mbretit e mbretëreshës, të cilët u afruan më shumë me popullin e hallet e tij, nga ku do të fillonte një epokë e re e mbretërisë shqiptare. Duhet theksuar se Fan Noli një nga kundërshtarët permanent të mbretërisë e vetë Mbretit në vitin 1937 i kishte shkruar Mbretit  për t’u “pajtuar” , dhe për të fituar një pension , të cilin mbreti si për “rastesi”, që në fillim të vitit 1938 kur ai fejohet me konteshën Geraldinë fillon t’i japë pensionin e kërkuar Nolit, madje dhe shumë kundërshtarëve të tij politikë, çfarë tregon për një shpirt më paqësor, më sentimental, e pse jo më kristian që ka në themel mëshirën e faljen të cilat ishin disi më të kufizuara në të shkuarën. Gjithsesi me këtë martesë kundërshtarëve të mbretërisë (shpesh edhe të Shqipërisë) u iku nga “dora” argumenti “kryesor” se mbretëria shqiptare është një derivat i rëndomtë i perandorisë anadollake, madje fillimi i një jete më moderne europiane i mbretërisë ishin disa nga premisat që rrisnin shpresat që shqiptarët të hynin më shtruar në sofrën europiane, nga ku për hirë të vërtetës duhet thënë se asnjëherë nuk qëndruam të përbuzur e braktisur si shpesh herë sot në shekullin e ri…(Kujtojme se me pasaporten e mbreterisë  shqiptare udhtojë pa vizë (si sot) në Europë , madje edhe në Amerikë, ndërsa leku shqiptar ishte një monedhë e shkembyeshme e me vlerë në të gjithë Europën…). Pas kësaj martese fatlume e të bardhë për mbretërinë e vetë shqiptarët, nuk ishte thënë prej Zotit të zgjaste më shumë se rreth një vit, kur fashizmi (Italian) më 7 prill 1939 ndërmori aktin barbar të pushtimit të Shqipërisë, ndërsa mbretëria si të gjithë shoqet e saja në Europë u detyruan të lënë vendin e tyre, për të mos u bërë “graso” për grasatimin e ingranazheve të shtetit 40 milionësh fashist, e ndërsa Shqipëria kishte  më pak se një-milion banorë. Kujtojmë se kishte dhe shtete të tjera që , për të mos prishur qytetet dhe  historinë e tyre  “lejuan” pushtimin pa luftë, e këtu vlen të përmendim Francën që dorëzoi Parisin… Gjithsesi shqiptarët qëndruan, por qëndresa nuk dha rezultat për arsye që dihen. Por me këtë rast shqiptarët lëshuan toka e troje, por jo shpirtin liridashës e trimërinë e tyre, të cilët e demostruan vazhdimisht në luftën e paprerë, si me fashistët italian  dhe ata gjerman.  Ndersa  në keto kushte  mbretëria u detyrua të marrë rrugët e kurbetit, që nga Greqia, Turqia, Anglia, Franca, Spanja, Egjypti, Afrika e Jugut e gjetkë. Mjerisht për Shqipërinë në këtë luftë që quhet lufta e dytë botërore , Mbretëria nuk arriti të bëhet palë bindëse në agjendat ndërkombëtare, për shumë arsye, por dy janë më kryesoret. E para sepse “ambasadorët” emigrant politik me të filluar lufta trumbetuan me shtypin e miqësinë e tyre antimbretërinë, duke e paraqitur si mbretëri tradhëtare e që kishte shitur vendin. Madje u arrit deri aty sa ti ngjiten të pabëra sikur ka vjedhur thesarin e tjerë e tjerë. Së dyti “Bota” sllavo-ortodokse ku po hidhte shtat komunizmi ishte bërë faktorë në luftë kundër fashizmit, pasi disa grupime anarshiste që dalngadalë Moska e Beogradi do t’i bashkonte e emërtonte si Partia Komuniste Shqiptare, që siç u provua më vonë ishte vegla më e mirë jo vetëm për të shtypur shqiptarët brenda kufirit 1913, por edhe për të ndihmuar në eleminimin e nacionalistëve dhe shpirtit kyrengritës të trevave shqiptare që sllavët i kishin gllabëruar prej vitesh.. Duke realizuar kështu ëndrrën e kahershme që Shqipëria të mos jetë “kurrë” një shtet i bashkuar e i zhvilluar. Gjithsesi Mbretëria në mërgim nuk qëndroi duarkryq, por aktiviteti i saj erdhi duke u zbehur fill pas marrëveshjes së Jaltës e konferences së Teheranit , kur kompromiset politike të forcave fituese e lanë Shqipërinë në duar të Stalinit e Titos, për t’u gllabëruar edhe kjo që kishte mbetur, por edhe për të vazhduar eksperimentet antinjerëzore të komunizmit deri shumë vonë. Natyrisht në kushtet e një emigrimi të pashoq mbretëria shqiptare mbijetoi, edhe pse më 24 maj 1944 komunistët kishin marrë vendimin “historik” të ndalimit të kthimit të Mbretit në Shqipëri. Mbreti Zog u sëmur dhe vdiq në vitin 1961, për t’u trashëguar nga djali i tij Leka i parë i cili u largua nga Shqipëria vetëm dy ditësh. Tashmë kollonisja e Mbretërisë në mërgim bëhej kryesisht nga Mbretëresha Geraldinë, e cila për të mos humbur dinjitetin e saj e të Mbretit sakrifikoi jo vetëm pasurinë që i mugnonte, por edhe kujtimet e fejesës e martesës, si relike, unaza e tjerë. E këto i bënte që edhe djali i saj, mbreti trashëgimtar të shkollohej e aftësohej që një ditë t’i shërbente Shqipërisë… Dinjiteti i Mbretëreshës që tashmë quhej Nëna Mbretëreshë, ishte më i larti i të gjitha mbretërive në mërgim, aq sa shkrimtari i shquar Ismail Kadare do të thoshte:  “Mbretëresha Geraldinë është sovrania e vetme në Botë që pas përmbysjes së të shoqit nuk u përgojua ansjëherë , dhe gjithë jeta e saj është një model për mua…”. E përsëri kjo Mbretëreshë e Bardhë ka tërhequr vëmendjen e Papa Gjon Palit të dytë, i cili i kishte thënë Geraldinës: “Me kontributin tënd, me shpirtin tuaj Kristian do të mbeteni e nderuar për Brezat”. Dhe për këtë Papa ka të drejtë, pasi kjo mbretëreshë në tërë kalvarin e saj të mërgimit 63 vjeçar, asnjëherë nuk mendoi apo shprehu një fjalë të keqe për shqiptarët e Shqipërinë, përkundrazi ajo mijëra herë i ka “bekuar” dhe është  lutur për ta  në kisha e faltore të ndryshme, duke u dëshmuar jo vetëm mbretëreshë e devotshme, por edhe si kristiane e bindur. Madje ajo asnjëherë nuk kaloi kufijtë njerëzorë e kulturorë në mallkimin apo përgojimin e klyshëve të kuq sllavë që kishin ndaluar jo vetëm mbretërinë, por një popull të tërë… Gjithsesi kur mosha e mbretëreshës po bënte “detyrën”, dhe ajo si çdo qenie njerëzore e tokësore filloi të mendonte për të ndërruar jetë, në shpirtin e saj vlonte dashuria për tja “besuar” trupin e saj  tokës së shenjtë shqiptare për të cilën ishte sakrifikuar pa kursim.. Ketë deshirë të saj të fundit mbreteresha Geraldina do të shprehte me fjalet : “Do të vdes si shqiptare, në tokën shqiptare, në mes të shqiptarëve”. Me sa duket ketë dshirë të saj Zoti bëri emer tja plotësojë, pasi  me 28 qershor 2002 ajo u rikthye përfundimisht në Shqipërinë e ëndërruar e dëshiruar gjatë. Por pa kaluar veçse pak muaj (me 22 tetor 2002) ajo ndërroi jetë, por tashmë e qetë, pasi do të prehet përgjithmonë në tokën që i kushtoi jeten e saj… Në perjetsim të emrit saj  të mirë maternitetit (qendror) të Tiranës i është dhënë  emri i mbretereshes Gelardinë. Ndërsa me datën 01 shkurt 2022 në Tiranë, në krah të godinës së Ministrisë së Drejtësisë, Bulevardi Zogu I, u përurua vendosja e shtatores të Mbretëreshës Geraldinë, një perjetësim i bukur e domethënës , në të cilin muaren pjesë perveç disa personaliteteve shqiptare me në krye kryetarin e bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, nipin e Geraldinës Princin Leka etjerë edhe Gjinia e saj , përfaqesues nga Republika Hungareze, bijë fisnike e të cilës është, dhe me të cilen krenohen…

ME 01 SHKURT 2022

Filed Under: Histori

PRO ARMENIA (1901) / THIRRJA E ISMAIL QEMAL BEUT PËR EUROPËN DHE FRANCËN : “SHPËTONI KOMBET E SHTYPURA NGA REGJIMI HAMIDIAN!”

February 1, 2022 by s p

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 1 Shkurt 2022/


“Pro Armenia” ka botuar, me 10 nëntor 1901, në f.186-187, një shkrim në lidhje me thirrjen e Ismail Qemalit drejtuar asokohe qeverive dhe popujve të Europës dhe në veçanti Francës për t’u ardhur në ndihmë të gjithë kombeve të shtypura nga regjimi hamidian, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Një thirrje për Europën dhe Francën
Ismail Qemal beu, në bashkëpunim me krerët e tjerë të partisë reofrmatore osmane, u drejton qeverive dhe popujve të Europës dhe në veçanti Francës një thirrje në emër të të gjithë kombeve të shtypur nga regjimi hamidian. Ai tregon në të njëjtën kohë të keqen (sëmundjen) dhe ilaçin dhe fjala e tij bëhet dhe më e besueshme se ai është mysliman dhe kështu zhduken parandjenjat e këqija të masakrave, në rast se një ndërhyrje evropiane do të çlironte “fanatizmin mysliman”.
Këtu është ky dokument i rëndësishëm :
“Ne, myslimanët dhe të krishterët e Turqisë, mirënjohës ndaj Evropës për të mirat e saj, dënojmë politikat e regjimit aktual në një kohë kur, duke kulmuar në devijimet e tij, ai hedh një sfidë të pakonceptueshme ndaj asaj të kombeve të mëdha, mosinteresimi i të cilëve gjithmonë na ka inkurajuar më së shumti që të kërkojmë mbrojtje.
Dinastia osmane u vendos nga Traktatet e Londrës dhe Parisit mbi themelet solide të së drejtës ndërkombëtare, por me kushtin e shprehur që ajo do të njihte, siç ka njohur nga Perandoritë e Larta, të drejtat civile dhe politike, me barazinë absolute të të gjithë subjekteve të saj, si dhe heqjen e abuzimeve të lënë trashëgim nga një e kaluar e dënuar përgjithmonë.
Perandoria, e cila ishte në prag të humbjes, u shpëtua për herë të dytë nga Evropa, e cila i imponoi njohjen dhe zbatimin e dispozitave të Traktatit të Berlinit. Ne e dimë vlerën që iu dha në Kostandinopojë këtyre klauzolave të pranuara kaq solemnisht në Berlin. Drejtësia u shfuqizua, ligjet u shkelën, taksapaguesit u shtypën nën taksat e padrejta dhe arbitrare, konfiskimet u rivendosën, thesari publik u plaçkit, nëpunësit e shtetit u privuan nga rroga e tyre, ushtria nga paga e saj, popullata të pambrojtura u shfarosën në masë, i gjithë vendi u zhyt në mjerim ekstrem.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de FranceBurimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de FranceA do të lejohet që kjo gjendje e anarkisë, e nihilizmit zyrtar të vazhdojë më? A do të vazhdojnë qeveritë të qëndrojnë në heshtje ndërsa ndodhin keqbërje të paprecedenta? Franca, e cila ka marrëdhënie shekullore me Lindjen, e cila pa dyshim është e vetëdijshme për detyrimet që ka kontraktuar ndaj nënshtetasve të sulltanit duke kundërshtuar, nga të plotfuqishmit e saj në kongres, që ekzekutimi i klauzolave të parashikuara në favor të tyre u vu nën kontrollin e fuqive kontraktuese, do të dijë të mbetet e denjë për veten duke kërkuar, me autoritetin që i takon, ilaçet më të përshtatshme për plagët që brejnë Turqinë. Këto ilaçe (mjete juridike), për më tepër, janë të gjitha të shënuara në Traktatin e Berlinit dhe në protokollet që janë jurisprudenca. Nenet 23, 61 dhe 62 dhe rregulloret organike të hartuara në përputhje me dispozitat e tyre, përcaktojnë të gjitha të drejtat e fituara, si për popullsinë e Turqisë në Evropë, ashtu edhe për atë në Azi.
Moszbatimi i përcaktimeve të traktatit përbën një vepër penale e cila, sipas mendimit të shprehur nga presidenti i kongresit në seancën e 9 korrikut, do t’i detyronte Fuqitë të shqetësoheshin për të dhe të bien dakord për takimet e reja diplomatike. Prandaj është takimi i një konference apo komisioni ndërkombëtar që është thelbësor sot dhe misioni i të cilit do të ishte rishikimi i rregulloreve të shpallura tashmë dhe që kanë mbetur një letër e vdekur, për të hartuar të tjera të përshtatura më mirë me rrethanat dhe nevojat aktuale, pasi të ketë mbledhur opinionet e popullatave në fjalë dhe duke u kujdesur që të mos lihen vend për intriga me të cilat dikush do të kërkonte të shtrembëronte synimet e Fuqive në sytë e myslimanëve. Vetëkuptohet se një nga masat që kërkon situata do të ishte administrimi nga ky komision, bashkë me Portën Sublime, i financave deri në përfundimin e organizimit që do të futet. Dhe kur Europa të ketë kryer kështu detyrën e saj deri në fund, myslimanët dhe të krishterët, popujt e Turqisë së Evropës dhe Azisë, duke përfituar në të njëjtën bazë nga drejtësia e barabartë për të gjithë, do të pushojnë së ndari për t’u dërrmuar më mirë, por të gjithë, të ribashkuar në të njëjtën ndjenjë mirënjohjeje, ata do të bekojnë çlirimtarët të cilëve do t’u detyrohen të jetojnë në paqe dhe të gëzojnë punën e tyre.”ISMAIL QEMAL BEU

Filed Under: Histori

STAMBOUL (1886) / KUR SULLTANI FALI ABDYL FRASHËRIN

January 31, 2022 by s p

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 31 Janar 2022


“Stamboul” ka botuar, të shtunën e 6 shkurtit 1886, në ballinë, një shkrim në lidhje me faljen e Abdyl Frashërit nga Sulltani, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : “Shqiptari Abdyl bej Frashëri, vëllai i Sami beut, shkrimtar i njohur osman, me ndikim të madh në vendin e tij, i komprometuar në kryengritjen shqiptare të vitit 1881, ishte arrestuar dhe internuar në Panderma (Bandirma). Madhëria e Tij Perandorake Sulltani sapo e ka falur (amnistuar). Abdyl beu ka mbërritur në qytetin tonë.”

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 230
  • 231
  • 232
  • 233
  • 234
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit
  • Mirëqenia mendore dhe shëndeti i sistemit tretës
  • SKËNDERBEU DHE ALFONSI I ARAGONËS: KËNDVËSHRIME TË TJERA
  • Ismail Qemali mes hafijeve dhe gjeopolitikës: Botohet për herë të parë letra e panjohur e vitit 1902
  • 8 nëntor 1462 – Dita e shkrimit të “Formulës së Pagëzimit” nga imzot Pal Engjëlli
  • GJON MILI – IMAZHET PA FORMË DHE ONEIRIZMI POETIK
  • Nëntori i historisë dhe i kujtesës kombëtare
  • FILATELIA PËRBALLË HISTORISË – 118 VJET NGA KONGRESI I MANASTIRIT
  • Portreti i një intelektuali …

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT