• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DON  LAZER  SHANTOJA

February 19, 2022 by s p

download

DON LAZER SHANTOJA 

(1892 – 1945)

Pergatiti Fritz RADOVANI:

Don Lazer Shantoja asht Martiri i Parë i Kishës Katolike Shqiptare që u pushkatue në Tiranë, nga vrastarët terroristë komunistë me 5 Mars 1945. 

Me dashtë me shkrue per figuren e Tij njeriu mendohet nga t’ ja filloj? Tek lindja apo tek vrasja e këtij demokrati, letrari, publicisti e vigani poliedrik të kulturës Shqiptare që vdekja mizore prej katilave komunistë, tue la me gjakun e tij tokën Shqiptare e ngriti meshtarin katolik Don Lazër Shantoja, të parin në atë Elterë të bekuem me datën 5 mars 1945, përkrah martirve që dhanë jetën për një Shqipni të lirë e demokratike. Yjet e Heronjve të Atdheut nuk shuhën me ujë e, as nuk mbulohën me baltë. 

Ata qëndrojnë nalt, fort nalt e gjithmonë mbas kthjellimit të kohës ata shndrisin e vezullojnë, tue u ba udhërrëfyesit e brezave të ardhshem për dashtni e sakrificë ndaj Atdheut. Nderimi dhe lavdia për tà asht e përjetshme, kur vendosja në këtë piedestal asht e meritueme dhe e pakundërshtueshme.

Ai u pushkatue i çuem zvarrë buzë Lanës (jo nga frika e vdekjës), porse nuk  ecte dot, mbasi kambët ia sharruen me sharrë druvarësh, krahët ia thyen dhe nuk i banin asnjë mjekim deri që e hodhën tek gropa, vetëm se ishte meshtar i devoçëm, publicist i njoftun dhe antikomunist i betuem. Këtë e vërteton fakti se ato tortura makabre që komunistët kanë ba mbi trupin e Don Lazrit, janë ndoshta ndër të rrallat raste që njeh historia e dhimbëshme e të vujtunve në Sigurimin famkeq komunist shqiptar.

Dikush kujton se historia mbyllët me dyert e furrave të gazit, por jo, gaboni! Si thoni, do të kënaqeshin komunistët me aq sa banë mbi nazistët? – Asnjëherë! 

Një dijetar thonte: “Çdo ditë e ma shumë shohim me sy, se në shekullin XX aqsa ecet përpara në shkencë e teknikë, aq ecët mbrapa në formimin e ndërgjegjës së njeriut.” 

Dihet se pushtuesit e këtij truelli përdorën forcën e dhunën për me na mbajtë me shekuj në robni. Turqit, jo vetëm na shndëruen, na dhunuen e na poshtnuen, por kur e lypte rasa përdorën ëdhe shpatën jo vetëm në fushat e betejës, po edhe në shtëpitë e katolikëve, dhe në qelat e priftënve, madje, klerikët edhe i ngulnin ndër hunjë. 

Vepronin ashtu mbasi nuk kishin të ngimë me kokat e tyne, por mos të harrojmë se ata ishin turq, ishin edhe pushtues, prandej vëpronin ashtu.

Ardhja e komunistëve në pushtet në vitin 1944 solli fakte të mnershme! Shka do të thonte Bota sot, po të shihte një dokumentar të përsekucionit komunist në Shqipni të bamë nga Sigurimi, kundër atdhetarëve apo dijetarëve dhe klerit katolik Shqiptar?

Shka do të mendonte Bota per rracen Shqiptare kur Don Lazër Shantojën e shef të lidhun për karrigë, me kambë të këputuna, apo i shkrryem përdhé në qeli mes ndytsinës dhe, Nana e Tij tek dera tue u thanë katilëve: “Ma vritni, ju lutëm ma vritni, banje këtë mirësi.., mos e leni kështu djalin!”

Sigurimi i Shtëtit vëpronte kështu, se, nën pelerinën e kuqe të komunizmit për mish kishte të ngjeshuna ndjesitë fundamentaliste që instruktoheshin nga shovinistët sllavo-aziatikë. Torturat e mizoritë e tyne nuk ishin tjetër veç shpërthimi i shfrenuem i epshit shtazarak të kafshëve të egra, që ndryhej ndër shekuj ndër këto qenje që për fat të zi edhe këto thirreshin “shqiptarë” edhe pse nuk kanë asnjë pikë gjak shqiptari. 

Për kaun e Sigurimit të shtetit ishte kënaqësia ma e madhe vërsulja mbi veladonin e zhgunin, tue e shkrrye e shkye copë copë edhe pa jetë për tokë, mandej qetësohëj e zgërdhihej kur duert e ndyta i lante në lamën e gjakut të pastër të presë së tij.

Don Lazri shkruante në gazetën “Ora e Maleve”(me siglën Y), nr. 48, viti 1924: “Ndodhjet politike të vjetve të fundit mund të thomi përgjithsisht u kanë dhanë arsye fjalve të publiçistit rus të mbytun nga bolshevikët”.

Shpirti i Demokratit të madh i shprehun në këtë gazetë si dhe në revista e fletore të tjera dhe qëndrimi i tij në 1926 kundër Ahmet Zogut, (në kontradiktë me vetvedin mbas 1940 ashtu si shumë të tjerë, ndoshta për shansët e krijueme të Shqipnisë Etnike), janë një fushë e gjanë për studjuesit e ardhshëm, mbasi na rreshtojmë faktet e vetëm ata të çliruem nga pasioni do të mundën me gjetë vendin e merituem për këta dijetarë, tue fillue nga Shantoja, hapsina kulturore e të cilit e ven Atè, përkrah penës ma të fortë të Jugut të madhit Faik Konica, si për kah forca e stili por edhe karakteri modern i shprehjës. Për këtë na Gegët duhët të krenohemi!

Prof. Dr. Angjela Cirinçione shkruen: “Historia e Letërsisë shqiptare pa emnin e Don Lazër Shantojës del e mangët dhe e vorfën”.

Jo, pa qëllim po i referohem shkrimit Z. Aurel Plasari në gazetën “Drita”, dt.15 gusht 1993, ku, citon Prof. Dr. Ernest Koliqin, që shkruen: “Shumë herë kam pyetun pse komunistat janë sjellun kaq egërsisht në një mënyrë kaq rrënqethëse me të mjerin poet, që mbas kthimit në Shqipni jetonte pa u impenjue në lamshin e rrymave politike të ndryshme që turbullojshin vendin, veçanërisht nga vjeti 1941 deri në 1944”.

Prof. Isak Ahmeti shkruen: “Ai ka krijuar disa nga vargjet ndër ma të bukurat në poezinë shqipe. Si poet për shembull, ai dallohet për hov të vetvetishëm frymëzimi dhe për ngrohtësi ndjenjash që bulzojnë si shembëlltyra të shkëndijshme.” (“Kleri Katolik Shqiptar dhe letërsia” fq. 177), dhe vazhdon po aty (fq.179): “Letërsisë shqiptare me siguri do t’i kthehët edhe Don Lazër Shantoja, që ishte me të vërtetë si një prijës i popullit, si një apostull dhe interpretues artistik i kohës kur jetoi dhe vëproi”.

E, tue lexue këta rreshta më epet me pyetë edhe mue:

Kush ishte ky Don Lazër Shantoja, që në gazetën “Ora e Maleve”, në vitin 1924, me datën 28 nandor shkruen: “Ligja ndalon cungimin e gjymtyrëve të trupit, por politika e Evropës pranon cungimin e organizmëvet të gjalla shoqnore që janë kombet”.

Njëzet vjet ma parë Shantoja shkruen: “Ligja ndalon cungimin e gjymtyrve të trupit.”

Mos ndoshta dikujt i kishte mbetë ndër mend kjo shprehje?!

Bota asht e madhe. Nuk kam ndigjue as lexue kund se ka pasë Nanë që ka kërkue pushkatimin e djalit të vet, di vetëm se një Nanë Shqiptare, nana e Don Lazër Shantojës, po! Ky asht komunizmi! Don Lazër Shantoja mbetët në Martirët e Krishtënimit model i masakrës së Sigurimit komunist antiatdhetar.

Më datën 31 janar 1945, ditë e martë, ora 15.00, në Shkodër, u dha vendimi nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, me kryetar Esat Ndreu, antarë: Mustafa Iljazi e partizani Hysni Lame, prokuror Vaskë Koleci, sekretar Shaban Kuçi: “I pandehuri Dom Lazër Shantoja me vdekje, me pushkatim.” Me datën 2 shkurt 1945, aprovohet nga Gjykata e Lartë Usht. Tiranë, vendimi i dhënë në bazë të ligjit nr. 21, dt. 30 janar 1945, nga gjykata ushtarake e korparmatës së III, Shkodër: “Dom Lazër Shantoja, vjeç 52, nga Shkodra, dënohet me vdekje – me pushkatim”. “Vendimi u ekzekutue në Tiranë, me datën 5 mars 1945.” 

Nga Don Lazer Shantoja:

                                                      Zani i të vdekunit!

Carlyle e fillon historinë që shkroi mbi Revolucionin e Francës të vitit 1848 me këto fjalë të Montesquieu: “Lum ai popull që ka histori të merzitëshme!”….

Po kjé sé qetësia e monotonia e ndodhjeve historike përbajnë lumninë e një kombi, atëherë Shqiptarët e soçëm do t’ishin me të vërtetë njerëzit ma të mjerë të Botës. Historia e Shqipnisë së lirë asht një kaos luftash, ngatrresash, tradhëtinash, ambicionesh, partinash kaq të mëdhaja, të shpeshta, të ndyta e të damëshme, që nuk e gjen askund shoqen në Botë. 

Sot me hapjen e Kuvendit Kushtetues, Populli Shqiptar çilë një fletë të ré e ngulë një cak të ri që ka me shenue një Epokë në historinë tonë kombëtare. Me Kuvendin Kushtetues na shqiptarët dishrojmë e pretendojmë me e dijtë tek e mbramja se ku jemi! Do të kuvendim me letra të zblueme!

Jemi tepër të lodhun e të mërzitun prej ndodhjeve të viteve që shkuen: Lypim që historinë e kombit tonë ta përshkojë mbas sodi jo mâ era e duhisë, por flladi i një jete ma të stabilizueme e të normalizueme. Me datën e Kuvendit Kushtetues historia shqiptare do të fillojë me u bâ mâ monotone! Do ta dijmë mâ, njëherë, “ubi consistam” t’Arkimedit, pse me droje, dyshime, kërcënime, mos-sigurime të paprashme ekzistenca e jonë nuk mund të mbahët mâ.

Mjaft e kemi pa Shqipninë e mjerë të bâme dyqan për fitim ekskluziv të disa klasave të privilegjueme: Mjaft mâ ndêj livadh kulloset ku rend mbas rendit u lëshuen politikanët e improvizuem; mjaft u duruem porsi lâme eksperimentësh për aventurierë kosmopolitë; mjaft pësoi e bâme skakjerë lojnash diplomatike. Mjaft!

Sot popullit i ka ardhë shpirti në fyt: Sot populli don me dijtë kategorikisht: A ka a s’ka Shqipni?  Të mendojmë se kësaj pyetje qeveritarët tonë të deritashëm nuk i kanë përgjegjë ende! Se ka Shqipni e beson sot, ndoshta, ministri, deputeti, oficeri, nëpunësi: me njëfjalë i frangar-rroguemi; por populli që luftoi, që pagoi, që u dogj, që u vorfnue, që u fik.., nuk mund ta besojë kurrë!

Janë disa vjetë që Shteti ynë i Ri velëzon nëpër udhën e hapët të Lirisë. 

Si lexohët në një ndër vjerrsha ma të bukra e të përmenduna të Henrrik Ibsen, edhe Shqipnia i ka ngja “një anijes që udhëton me një të vdekun mbrendë”. 

Në barkën e Shtetit tonë të randuem ekonomikisht nuk gjejmë sot tjetër përposë një trup të vdekunit. Ky i vdekun asht Populli! 

Qeveritarët tonë deri më sot u  kujtuen me mbajtë Shqipninë e.., mbytne Popullin! 

Por, ky Popull sot flet! Prej gjumit të dekës çon zanin e me shpresë por edhe me guxim e kercënim pyet: A ka Shqipni edhe për mue? 

Po kjé sé Misët e Kuvendit Kushtetues me ligjët që do të bâjnë e me drejtësinë që do të ndjekin nuk kanë me mujtë me ju përgjegjë kësaj pyetje, atëherë ajo Mbledhje nuk ka me kenë tjetër veçse, mbaresa e një farse e fillesa e një tragjedisë!…

Hyu mos e premtoftë!                                                        Y. (Don Lazër Shantoja)

Shenim nga FR: Y. Asht pseudonimi i Don Lazer Shantojës. Ky artikull asht marrë nga gazeta “Ora e Maleve”, ditën e shtunë me 19 Kallnor 1924, nr. 4, fq. 1. D Lazër Shantoja.

Melbourne 18 Fruer 2022.

Filed Under: Histori

KONCILI II I VATIKANIT, RRETHANAT, NGJARJET, DOMETHËNIA, POROSIA (1962-2022) 

February 18, 2022 by s p

Në shumë forume kishtare dhe laike bisedohet, shkruhet, shqyrtohet, analizohet, studjohet, ndriçohet një ndër ngjarjet e mëdha dhe të rëndësishme të shekullit të kaluar, Koncili II i Vatikanit (1962-1965), që për shumçka e ka shënuar dhe tipizuar shekullin e XX. Vlersësimet janë të llojlloshme, që unë i kam përmbledhur në tri kategori përfshirëse. 

Disa thonë se dukshëm e ka ndërruar, ka dhënë disa tipare dalluese dhe orjentuese, së pari Kishës katolike, krishtërimit, por edhe botës bashkëkohore. Grupi apo qëndrimi i dytë e shohin dhe vlerësojnë Koncilin e Dytë të Vatikabit si një ngjarje “kronike” thjesht kishtare, pa ndonjë domethënie më të thellë dhe gjithënjerëzore. Grupi i tretë janë “tradicinalistët”, të cilët jo vetëm që mohojnë rëndësinë dhe ndikimin pozitiv dhe kostruktiv të Koncilit të Dytë të Vatikanit në Kishë dhe në botë, por shkojnë aq larg, sa që theksojnë ndikimin e tij negativ në Kishë dhe në botë. Kreu i kësaj rryme pa dyshim ishte ipeshkvi françez  tashmë i ndjeri  Marcel Levfevre (1905 -1991), i cili kishte themeluar një lëvizje meshtarake “Shën Piu X”, për t’i kundërshtuar Papës, Kishës Katolike, sidomos reformave të Koncilit të Dytë të Vatikanit. 

Megjithatë, pa dyshim është një rast për të bërë një lloj “bilansi”, llogarie, që ky Koncil të kuptohet më mirë në rrethana, ngjarje, domethënie dhe porosi, jo vetëm për atëherë, por mbi të gjitha për të  sotmen  dhe  të ardhmen tonë.  

Para se të hyjmë në trajtim të kësaj tematike, duhet të themi me dhembje dhe keqardhje të madhe se në Koncilin e Dytë të Vatikanit nuk ishte i pranishëm asnjë ipeshkëv shqiptarë, sepse Shqipëria ishte nën sundimin dhe përndjekjen e tmerrshme komuniste dhe ateiste të Enver Hoxhës. Ipeshkvinë tonë, që atëherë ishte Ipeshkvia e Shkupit, ishte  ipeshkëv, prijës fetar dhe shpirtëror Imzot Dr. Smiljan Franjo Çekada (1902 -1976), kroat, me prejardhje nga Bosnja dhe Hercegovina, i cili ka udhëhequr ipeshkvinë tonë gjatë viteve 1940-1970.  

Në selinë e arqipeshkvisë së Tivarit ishte Imzot Aleksander TOKIQ (1911-1979), që rrjedhte nga familja e përzier dhe fliste mjaft mirë gjuhën shqipe. 

Në dy ipeshkvi lindore Arbëreshe në Kalabri dhe në Sicili, ipeshkëv apo eparkë ishin: imzot Giovanni MELE, në Lungro – Ungri të Kalabrisë (1911-1979), ndërsa në Horën Arbershe – Piana degli Albanesi, imzot Ernesto Ruffini, si Administrator Apostolik (1947-1967), më vonë arbëreshi imzot Giuseppe Perniciaro (1967-1981). 

Për ta vlerësuar, çmuar dhe shqyrtuar sa më mirë Koncilin e Dytë të Vatikanit, si dhe trashëgiminë e tij për ne sot, Papa Benedikti XVI, tashmë në dorëheqje, ka shpallur Vitin e Fesë (2012-2013), për vetëdijësimin e Kishës dhe të krishterëve për thesarin e fesë, i cili pa dyshim është dhurata më e madhe e Zotit, Kishës, traditës së të parëve, por mbi të gjitha duhet të jetë përcaktim, orjentim dhe zgjidhje, jetësim, dëshmi personale, familjare dhe shoqërore, për ne dhe për botën e sotme 

Protagonisti i parë nga aspekti njerëzor dhe kishtar i Koncili II të Vatikanit (KDV) është Shën Papa Gjoni XXIII, i cili e kishte ftuar dhe organizuar këtë Koncil. Përse dhe si ndodhi kjo gjë? Nën frymëzimin dhe ndikimin e Shpirtit Shenjt, ai si synim kishte këtë: të mësojmë nga historia, e cila është Mësuesja e jetës, që Kisha katolike ka nevojë të vazhdueshme për reformë, për ballafaqim të dyfishtë, me Zotin, por edhe me kohën  dhe rrethanat në të cilat jetojmë dhe veprojmë. Kjo mund të arrihet konkretisht në dy mënyra,  nëpërmjet besnikërisë dhe përtrirjes. 

Këtë porosi dhe frymëzim ai e kishte shprehur me një figur të bukur stilistike që ka domethënie vërtet jetësore: “Kisha katolike është kroni i vjetër që gjithnjë dhuron ujë të ri” thoshte Papa i Mirë –  Shën Gjoni XXIII. Apo: “T’i hapim dritaret që të ajroset Kisha me Shpirtin Shenjt, që most të jetë muze…” 

Koncili II i Vatikanit mund të shqyrtohet nga shumë këndvështrime, si histori, por edhe si ngjarje dhe aktualitet, ndikimi i tij në Kishë me 16 dokumentet bazë të aprovuara dhe ratifikuara nga etërit konciliarë nga mbarë bota.  

Shpalljen për thirrjen e KDV e bëri papa Gjoni XXIII më 25 janar 1959, tre muaj pas zgjedhjes së tij në Selinë e Shën Pjetrit, duke befasuar gati të gjithë, ndërsa mbyllja e tij kremtore ishte më 8 dhjetor 1965 nga Papa Pali VI. 

Gjoni XXIII ndër të tjera në shpalljen e thirrjes së KDV tha: “Të nderuar vëllezër dhe të dashur bijtë tanë! Shpallim para jush, me siguri dhe duke u dridhur nga ndjenjat, por edhe të vendosur me përvujtëri synimet, emrin dhe propozimin e kremtimit të dyfishtë: të një Sinodi për Qytetin dhe të një Koncili ekumenik për mbarë Kishën”. 

Më 16 maj 1959 Papa Gjoni XXIII ka emëruar Komisionin përgatitor për Koncil, të cilin e ka kryesuar kardinali Domenico Tardini (1888 -1961), për t’u këshilluar me të gjithë kardinajt e Kishës, ipeshkvinjët, kongregatatë romake, eprorët e bashkësive rregulltare, universitetet katolike, teologët në tërë botën. 

Më 25 dhjetor 1961 papa Gjoni XXIII shpalli dhe nënshkrojti kushtetutën apostolike “Humanae salutis” me të cilën edhe zyrtarisht e kishte ftuar KDV. 

Më 2 shkurt 1962  Papa promovoi motu proprio “Conslium” me të cilin përcaktohej data e hapjes së KDV,  e enjte, 11 tetor 1962. 

Gjoni XXIII në fjalës e hapjes “Gaudet Mater Ecclesia” ka theksuar këtë: vazhdimësinë dhe risinë e doktrinës së krishterë. Ai kishte thënë kështu: “Duhet të shkojmë përpara me shpirt të qetë, pa shvlerësuar asgjë në Aktet e Koncilit të Trentos… por duhet kjo doktrinë e sigurt dhe e pandryshueshme, të cilës duhet t’i mbesim besnikë, të thellohet dhe paraqitet sipas nevojës së kohës sonë…”

 Pastaj i kishte përpunuar dhe propozuar tri pika kryesore duke i ftuar të gjithë, 2778 pjesëmarrës nga mbarë bota, që të luten dhe punojnë në këto drejtime, që: 

  •  Kisha të gjejë fuqi dhe frymëzim të ri për ta shpallur Shëlbuesin e botës, Jezu Krishtin, me fjalë dhe shprehje të reja, të kuptueshme dhe të përshtatshme për botën e sotme; 
  • Kisha mos të largohet dhe distancohet më prej botës nëpërmjet mallkimeve dhe përjashtimeve, por të jetë “drita dhe kripa e botës”, ashtu si kërkon prej saj vetë Jezu Krishti; 
  • Kisha sa më parë të kërkojë dhe të gjejë bashkimin e të gjithë të krishterëve, duke kërkuar atë që na afron dhe bashkon, e jo atë çka na ndanë dhe përçanë. 

    Pas vdekjes së Papës Gjoni XXIII, 3 qershor 1963, dhe zgjidhjes së Papës së ri, kardinalit të Milanos Giovanni Battista Montini – Pali VI, KDV do të vazhdojë me këto katër synime dhe orjentime bazore: 
  • Definicioni më i saktë dhe përpiktë i Kishës në botën bashkëkohore; 
  • Ripërtrirja e brendshme e Kishës Katolike; 
  • Ribashkimi i të gjithë të krishterëve; 
  • Dialogu i Kishës katolike me botën e sotme. 

    Koncili II i Vatikanit si ngjarje historike, ka një fazë parakonciliare, dhe një paskonciliare. Historiani i njohur francez  Etienne Fouilloux flet «për ndërrimin rrënjësor të shenjave që i kishte shkaktuar ngjarja”. Disa teologë, ndër të cilët mund t’i përmendim,  Congar, de Lubac, Daniélou, Chenu, “teologët e ri”, ishin  bërë disi mësuesit dhe interpretët autoritativ të dëshirave, kërkesave, nevojave, synimeve dhe reformave konciliare. 

    KDV ka përfunduar më 7 dhjetor 1965.  

    Ta shqyrtojmë përkatësinë dhe prejardhjen e etërve konciliarë:  
  • nga Evropa ishin 1090;  
  •  nga Azia 408; 
  •  nga Afrika 351;  
  •  nga Oqeania 74. 

    Nuk duhet harruar që pjesa dërmuese nga të ashtuquajturat “tokat e misioneve”, ishin misionarë. 

    Frytet e tija janë të shumëfishta, sidomos me dokumente, akte dhe shpirt të ri ungjillor, që hetohet kudo. 

    Nga KDV kemi trashëgiminë e katër Kushtetutave themelore: 
  • SACROSANTUM CONCILIUM – mbi reformën liturgjike dhe përdorimin e gjuhëve amëtare, e aprovuar më 4 dhjetor 1963; 
  • LUMEN GENTIUM – që papa Pali VI e quajti “Magna Charta” të KDV, e aprovuar më 16 nëntor 1964; 
  • DEI VERBUM – mbi zbulesën e Fjalës së Zoti për ne dhe njerëzimin, e aprovuar më 18 nëntor 1965; 
  • GAUDIUM ET SPES – mbi Kishën në botën e sotme, e aprovuar më 7 dhjetor 1965. 

    Përpos këtyre Kushtetutave, kemi edhe 9 Dekrete: 
  • AD GENTES, mbi misionin dhe dërgimin e Kishës, 7 dhjetor 1965; 
  • PRESBYTERORUM ORDINIS, mbi jetën meshtarake, 7 dhjetor 1965; 
  • APOSTOLICAM ACTUOSITATEM, mbi jetën e laikëve në Kishë, 18 nëntor 1965; 
  • OPTATAM TOTIUS, mbi formimin meshtarak, 28 tetor 1965; 
  • PERFECTAE CARITATIS, mbi përtrirjen e jetës rregulltare, 28 tetor 1965; 
  • CHRISTUS DOMINUS, mbi detyrat baritore ipeshkvore, 28 tetor 1965; 
  • UNITATIS REDINTEGRATIO, mbi bashkimin e të krishterëve, 21 nëntor 1964; 
  • ORIENTALIUM ECCLESIARUM, mbi Kishat lindore, 21 nëntor 1964; 
  • INTER MIRIFICA, mbi mjetet e komunikimit shoqëror, 4 dhjetor 1963. 

     

    TRI DEKLARATA: 
  • GRAVISSIMUM EDUCATIONIS, mbi edukimin e krishterë, 28 tetor 1965; 
  • NOSTRA AETATE, mbi marrëdhëniet ndërfetare me fetë jo të krishtera, 28 tetor 1965; 
  • DIGNITATIS HUMANAE, mbi lirinë fetare, 7 dhjetor 1965. 

     Interpretimi i Papës Gjon Pali II dhe Benedikti XVI, sidomos duke filluar nga Sinodi Ipeshkvor 1985, KDV e vendos më shumë në vrazhdën e traditës shekullore katolike, si vazhdimësi dhe risi, pa të cilat s’ka mirëkuptim reformë dhe traditë.  

    Në Jubileun e madh të vitit 2000 papa Gjon Pali II thotë kështu: «Kisha me shekuj i njeh rregullat për një hermeneutik të mirëfillët të përmbajtjeve të dogmës… Nëse duke lexuar Koncilin supozohet se është një ndërprerje me të kaluaren, ndërsa  vërtet është në përkim të fesë së përhershme, është padyshim e gabueshme. Ajo që kanë besuar të gjithë gjithmonë dhe në çdo vend është risia burimore, e cila mundëson që çdo periudhë duhet të jetë e ndriçuar nga fjala e zbulimit të Hyjit në Jezu Krishtin”. 

     Papa  tash në dorëheqje Benedikti XVI në fjalën e rastit me Kurinë e Romës më 22 dhjetor 2005 ka folur për dy lloj intrepretimi të Koncilit të Dytë të Vatikanit: e para, e gabuar, si “nterpretim i ndërprerjes me të kaluaren dhe historinë e Kishës”, që ka shkaktuar “tollovi”, dhe e dyta, e drejtë, si “interpretim i reformës, ripërtrirjes në vazhdimësi”, që “ka sjellur fryte”.  

    Prishtinë, 15 shkurt 2022                      Radio Maria – Kosovë               Don Lush GJERGJI 

Filed Under: Histori

ORIGJINA MË E HERSHME E KASTRIOTËVE  NGA KASTRATI?

February 12, 2022 by s p

NGA  NDUE  BACAJ

HYRJE 

Për origjinën  e Kastriotëve është shkruar e folur  nga historianë , studiues ,  njerëz të letrave  e  njerëz të zakonshem , e megjithë-keto “enigma” e origjines të kesaj familje famëmadhe arbëre ende vijon të mbetet e pa zgjedhur perfundimisht… Duke njohur  kontributin historik e heroik të Kastrioteve dhe birit tyre të lavdishem Gjergj Gjon Kastriotit  ,i cili  mbrojti me trimeri e lavdi per rreth 25 vite  Arberinë  ,  Europen e kohes  si dhe besimin e qytetrimin e saj të shkon mendja se çdo fis ,krahinë  e  trevë shqiptare (por edhe të huaja ) do ta deshironin që origjina e Kastrioteve të ishte nga vendi e fisi i tyre ..Kjo “deshirë”  me gjuhen e popullit shprehet ,se  të mirin e të zotin ka qjef gjithëkush  ta ketë  gja ,të tijin apo të afert.. Natyrisht edhe unë si malesor e kastratas bëjë pjesë ndër ata shqiptar  që do të kishin dëshirë të madhe që  familja e Kastrioteve të ishte me origjinë nga vendi , fisi  apo krahina  ime…Megjithatë  unë në ketë “shenim” do të perpiqem të paraqes  vetem disa “argumente” të shkruara nga studiues  e historianë  (të huaj e shqiptar) ,  të cilet na kanë lënë “diçka” per origjinen e (hershme) të Kastriotëve…nga  Kastrati.

KUR  DOLI  NË “DRITË” FAMILJA  E  KASTRIOTËVE..?? 

Familja e Kastriotëve kishte një principatëtë vogël në malet midis Matit e Dibres ,në kufirin verior me zotrimet e Topiajve. Kostandin Kastrioti e filloi sundimin e tij mbi ketë principatë në vitin 1383 . I biri Gjergji  me trupat e tij mori pjesë në betejen ogurzezë  të Kosoves  më 1389. Venediku e pushtoi  Kryeqytetin e saj ,Krujen me 1392 . Në vitin 1395  kur Gjergji  e vendosi serish  sundimin e tij në Krujë ,Venediku e shpalli armik (Gjergjin) dhe i preu koken në Durrës në vitin 1402. Pas tij erdhi i biri ,Gjoni , i cili e mori  Krujen  perseri   dhe gradualisht e shtriu sundimin e tij mbi Tiranen , Matin , Dibren dhe Mirditen  ,nga Prizreni në lindje  deri në detin Adriatik në perendim. Kala të fuqishme  ishin ajo në Krujë , Petrelë ,afer Tiranës , Petralbë , Stelush në Mat , Sfetigrad në Dibren e Eperme  dhe Tornak.  Nga viti 1407  deri me 1430  Gjoni luftoi periodikisht me turqit , u mund tri here  dhe u detyrua të pranonte kushte të renda  paqeje. Kur turqit me në krye Muratin II , e thyen atë në vitin 1421  ata ndoqen praktiken e tyre  të zakonshme , duke lejuar që të mbante një kontroll të kufizuar mbi principaten e tij. Mirpo i kerkuan të paguante haraç vjetor dhe  të dorzonte kater djemt e tij si pengje per garantimin e nënshtrimit  të tij  të perhershem ndaj sulltanit . (Në fakt kater djemt  Gjonit ja kishte  marrë sulltani si pengje që në vitin 1414.. N.B.). Gjithashtu  Gjonit i premtuan që pas vdekjes së tij ata do ta kthenin djalin e parë që të zinte vendin e sundimtarit.  Më i vogli i kater djemëve të Gjonit ishte Gjergji nëntëvjeçar , i cili do të njihej më vonë  si heroi Skenderbe..1.

PAKË  “SHENIME”  PËR  ORIGJINEN  MË TË  HERSHME  TË KASTRIOTËVE …NGA  KASTRATI !!

Pa dashur tu prishë “qjefin” të gjithë atyre që e kanë  “ndarë” mendjen se origjina e Kastrioteve  “rrugëton” nga Dibra –Mati, në Has e Mirditë ,apo pa dashur tu bëjë “qjefin” kastratësve të “mi” që “kembëngulin” se origjina (më e hershme) e Kastriotëve është nga Kastrati i Malësisë së Madhe , unë mendova të rendisë  ato pakë “argumente” që  na “joshin” të besojmë se origjina më e hershme  e Kastriotëve  mundet të jenë edhe nga Kastrati .. Por per hirë të vertetes fillimisht më duhet të them se nëse bëhët fjalë per Kastratin dhe banoret e asaj kohe kjo na “kthen” mbrapa  të pakten mbi një shekull para betejes të Fushë-Kosoves (1389) ku kishte marrë pjesë edhe gjyshi i Gjergj Kastriotit –Skenderbeut. Edhe sikur të merret e vertet se origjina më e hershme e Kastrioteve është nga Kastrati, ne na duhet të “pranojmë” se Kastriotet nuk i perkasin fisit të Kastratit  që perben mbi 95% të popullsisë së sotme të ardhur  nga Kuqi  shqiptar  , (sot Kuçi i sllavizuar nën Malin e Zi) në fillimet e shekullit XVI , me të parin tonë  Dedlin apo Dedalin…që fillimisht kishte zenë vend në Kastratin e Moçëm (Katund të Kastratit).. Ndër të parët  “biograf” të Gjergj Kastriotit që shkruan se origjina e Kastriotëve është nga Kastrati  ka qënë Peshkopi i Sapes  Frang  Bardhi ,  i cili në vitin 1636 boton në Venedik  librin kushtuar Gjergj  Kastriotit.. Në këtë liber “biografikë”  Frang  Bardhi  i kushton një vemendje të madhe replikes së tij me sllavin Tomko i cili shkruante se Gjergj Kastrioti –Skenderbeu nuk ishte Arbër ,por sllav nga familja e njohur e  Margnaviçëvet, nga e cila ishte edhe Tomko.. Gjatë kesaj replike plot argumente të dokumentuara per origjinen Arbëre të  Gjergj Kastriotit dhe familjes të Kastriotëve , Frang  Bardhi ndër të tjera shkruan : “…Megjithse ato që kemi thënë  gjer tani mund të mjaftonin per vertetsinë e çeshtjes në fjalë , unë do të shtoj edhe disa gjëra nga mendja ime , të cilat ndihmojnë per ta  ndriçuar punen e familjes së Kastriotëve (origjines të kastriotëve N.B.) . Duhet të dimë d.m.th. se është një pjesë e vogel  e Epirit apo e Arbërisë , që sot në kohen tonë (viti 1633, N.B.) quhet nga epiriotët dhe bashkëvendasit tanë  “As”, (Has, N.B.). Pranë ketij vendi  janë vendosur  e ndodhen pulatasit  dhe dukagjinasit, popullsi të Arberisë .  Permes ketyre popullsive dhe maleve shumë të larta  rrëshqet lumi i shenuar  dhe shumë i shpejtë  Drin.  Në ketë pjesë të Epirit  , ndermjet vendeve malore të asaj krahine  ngrihet një fshat i vogël i  quajtur prej askolëvet  Kastrat.  Ky fshat bashkë, sigurisht me shumë fshatra, bashtina e kështjella e qytete të tjer , që ndodhen në vendet më të ashpra të malevet,u sjellë dëme jo të pakta  mësymjeve dhe sulmeve të turqvet….Të drejten dhe pushtetin mbi këtë fshat e pretendon per vehten e saj një familje e permendur ,dhe shumë e vjeter  ndermjet bashkëvendasve tanë e quajtur Kastrati. Prej kesaj familje kanë dale shumë burra të nderuar per mençurinë dhe trimerinë e tyre luftarake….Unë per shumë aresye guxoj të pohoj  si të vertet se nga ky vend e kjo familje kanë dalë ata që  quhen zakonisht “Kastriotë”. Së pari sepse me ketë mendim është në pajtim të plotë mendimi i pergjithëshem  i kombit tone, gjë që unë e kam patur parasysh  në çeshtjen që shqyrtojmë. Sepse ato që trashigojmë nga etërit  dhe gjyshërit , ua lëmë me lehtësi pasardhësve tanë , sidomos kur është fjala per gjëra të shquara , e që meritojnë të mbahen mend , sipas fjales : “Pyet babanë tend dhe do ti tregojnë të parët e tu “. Pastaj sepse është nevoja  të merret parasysh se që nga koha e Skenderbeut e gjer tani, nuk ka kaluar aq kohë sa per të  shlyer e harruar  çdo kujtim i tij dhe  i njerëzve të tij nga bashkëkombasit tanë. (Sepse keta e kanë zakon që të këndojnë gjithëmonë  nëpër gostitë e tyre , ashtu siç bënin të vjetrit , për origjinën dhe veprat e paharruara të burrave të tyre  të shkelqyer). .. Argumente të tjera për këtë mendim dhe supozime të shumta  jo të pa rëndësishme po i lë menjanë . Vetem dua të parashtroj në favor të ketij  opinioni  rëndësinë e pazakontë të Analeve  të Raguzes … Keto Anale  flasin për origjinën e të gjitha familjeve , që kanë patur një farë rëndësie  në ato anë…Analet pra shumë të vjetra , të këtyre anëve ….japin edhe këto informata në gjuhen italjane , që unë si zakonisht po i parashtroj këtu fjalë për fjalë në po atë gjuhë , me qellim që të mos dyshohet se u kam bërë ndonjë ndryshim…Gjon  Kastrioti  , zot i Krujës , familja e të cilit ka dalë nga Kastrati… Këto janë informatat që permbahen atje . Por megjithë këtë unë nuk mund të kaloi në heshtje , ndërmjet të tjerash  dy nga heronjët e panumër të familjes Kastrati , të cilet janë gjallë gjer më sot (viti 1633 N.B.).Njeri nga këta është turk …dhe quhet Mustafa  Kastrati , ndersa  tjetri është i krishterë dhe është i dhënë plotësisht  mbas normave të Krishtit , dhe është prijës …i atyre të krishterëve  që siç  thamë nuk e duron tiraninë turke. Quhet Gjon Kastrati dhe është  një pararojë i palodhur i krishterimit . Duke dhënë çdo ditë prova të shkelqyera  të burrërisë së tij , po tregohet kështu trashigimtar i denjë i lavdisë dhe trimërisë stergjyshore..2. Këto që shkruan Frang  Bardhi i perkasin vitit 1633 , ose më sakt 165 vite pasi kishte vdekur Gjergj  Kastrioti Skenderbeu.. Është me vlera të sqarohet se këtu bëhët fjalë për fisin e Kastratit , dhe prejardhjen e Kastrioteve nga fshati i Kastratit , por jo i Kastratit  të Malesisë së Madhe , por në Has të Kukësit. Edhe sot  Kastratasit e Hasit po ti pyesesh , shumë të pergjigjen se e kanë prejardhjen nga Kastrati i (moçem) i Malesisë së Madhe para shumë shekujsh. Kjo prejardhje është trashiguar nga baba te djali , brez pas brezi  apo siç shkruante  Frang  Bardhi këto i trashigonin  me lehtësi nga etërit dhe gjyshërit te pasardhesit tanë..Gjë që nuk ka bërë perjashtim as te Kastratësit e Hasit… Një ndër historianet e njohur shqiptar të gjysmes së parë të shekullit XX , at Marin Sirdani ,  ka shkruar një “liber” me vlera edhe per sot kundër atyre që janë kunder  Gjergj Kastriotit dhe veprave të tij  me titull : “Pse Fajësohet Skenderbeu” , si dhe librin tjeter  historik që i kushtohet  ketij heroi  me titull :”Skanderbegu mbas Gojëdhanash”. Unë mendova ti referohem librit të fundit që merret edhe me prejardhjen e Kastriotëve , ku nder të tjera citoj:  “ Kastriotet  mbas gati të gjithë shkrimtarëve të jetës të Skenderbeut , mendojnë se e muaren emnin prej ndonjë vendi të quajtur Kastri… Mbas zakonit të hershem e të shpeshtë ndër ne një familje kur emigron e  merr emnin (mbiemrin N.B.) prej nga rrjedhë… Do vu mend se me emën Kaster , qytet  , qytezë  apo kala emnohen disa kështjella të vjetra , e shumta të rrënueme  faret  që gjindej aty pari. Mbas gjaset qytet (gjytet) a qytetez (gjytetez) janë më të hershmet , e duket se do të jenë mbetjet e qyteteve  a kështjellave Ilire të kohëve të para të sundimit romak…. Kastrat duket se u ndreqen prej romakëve  për sigurim të vromit (vrojtimit N.B.)..  Fshate  me emën Kastri  a  Kaster   ka edhe sot disa , në Shqipni.  Kastri e  banoret e tij Kastriot quhet një fshat në Çamri  – Kaster thirret një  ktund  i vogël  në veri të Mrdites  afër Drinit …Kaster quhet një katund në Has –  Kastrat  mban emnin  një bajrak në Malesi të Madhe – Kastri e banoret e tij Kastriot  është  një katund në Dibër – Kastria  a fisi i Kastriotëve njihet një fshat i  vogël afër Shtjefnit në Mat.  Kohëshkruesi i Raguzes  Pietro  Luccari në vitet 1606 thërret “gabimisht” Kastrat , Kastratin e Hasit  dhe i  zënë Kastriotet të rrjedhun  pre atij vendi…3.  Ndersa Jacques De Lavardin shkruan se mendimi i pergjithshem ishte  se familja e Kastroitë  është Matjane dhe se mbiemrin e merrte prej ndonjë vend të quajtur Kaster ,por prej  të cilit vend në Mat  , e prej të ciles Kaster nuk e  çekin…4. Kastri i Mates skje veç një  fis i vogel i  qytetit të Shtjefnit i ardhun prej Kastriet të Dibres ( fshat që  gjindet ndermjet katundit  të Suhadolit e Drinit) në kohë të Skanderbegut ,të quajtun  edhe tashti Kastriot  a fisi i Kastriotit..”.5. Siç shihet origjina e Kastriotëve ka qënë e “diskutueshme” që heret (shek.XVI..).  Edhe At Marin Sirdani ndonse e lidhë mbiemrin Kastrioti me fshtra ,katunde apo kështjella të thërritura  (latinisht nga romaket ) Kastra e deri  Kastart ai nuk është gjendje të thotë saktesisht se  nga cili vend që ai permend (edhe në bazë të dokumenteve të shkruara), e ka origjinen familja e Kastriotëve. Por  nga libri që sipercituam  i At Marinit një gjë është e kuptueshme , se i vetmi vend që trashigon pa ekuivoke emrin Kastrat dhe ka një organizim të njohur (kombetarisht e nderkombëtarisht)  është fisi –bajrak (flamur) i  Kastratit të  Malesisë së Madhe . Ketu ( në Marshenjë)  ndodhet qyteza apo  kalaja më e vjeter e njohur , dhe me rëndësi strategjike që e perdoren pushtuesit  romakë edhe si vend strategjik- ushtarak dhe si qënder qytetare ku strehoheshin familjet e ushtarakeve të tyre.. Albanologu dhe studiuesi Franc Nopça  shkruan : “ Si duket  Kastrati i  vjetër e ka marrë emrin nga ”Castrum”  i Romes që ndodhej në Marshej  dhe emri Kastrat  gjendet edhe si emer fshati  në kadastren e Shkodres më 1416.  Sipas një tradite  tjetër , të paret e Kastratit  quheshin “anas” (vendas, N.B.) dhe peskëshin qënë të mëdhenjë , të shkathet dhe të fortë , ishin në gjendje të kapercenin mbi 6 kuaj  dhe rronin  me mish kali e lende.”.6.  Ndërsa perkundër dyshimeve (të sipercituara) të At  Marin  Sirdanit , historiani  francez Zhan  Klod  Faveirial  në  Historia  (më të vjeter) e Shqiperisë  (të shkruar prej tij në gjysmen e dytë të shek.XIX) ,”thotë” pa asnjëllojë dyshimi se Familja e Kastriotëve e kishte prejardhjen nga Fisi  Shqiptar i KASTRATËVE , prej nga rrjedhë dhe emri i Kastriotit..7. Studiuesi i njohur I shekullit XIX Hyacinthe Hecquard  në librin histriko-enciklopedik (Historia dhe Pershkrimi i Shqiperisë së Eperme  ose i Gegërisë),kur shkruan per origjinen e familjes Kastioti ,  bazohet kryesisht në librin e Frang  Bardhit (Georgius  Castriotus ..botuar në Venedik me 1636) dhe në disa gojëdhëna.  Nga libri i Hecquardit citojmë : “..Mbi origjinen e Gjergj Kastriotit thonë se kjo familje ishte me origjinë nga Emathia, (sipas F.Nolit te historia e Skenderbeut ,fq.16 , Emathia e cilësuar nga  M. Barleti identifikohet me Matin e sotem N.B.), Frang  Bardhi  ,peshkop i Sapës  nuk ka të njëjtin mendim . Sipas tij  Kastriotet rrjedhin nga malet e Kastratit  dhe kujtimi i tyre ruhej ende  aty kur ai shkruante : “ Në ketë pjesë të Shqiperisë të quajtur random As , në kufi me krahinën e Pultit dhe fisin e Dukagjinit ..gjendet një fis i quajtur  Kastrati , i drejtuar në atë periullë nga një familje me të njejtin emer , e famshme për guximin dhe maturinë në luftë…nga ky vend dolen Kastriotet.. “ Ndersa per gojëdhenen që është në favor të origjines të Kastriotëve nga Kastrati  nder të tjera po cilësojmë : “ Nuk ka kaluar ende aq kohë , qysh prej kohes së Skenderbeut  deri në ditet tona  sa të harrohet kujtimi dhe origjina…  ,të cilet sipas  një tradite të lashtë neper festime e kanë zakon të këndojnë per origjinen dhe bëmat e mëdha të burrave  të tyre të shquar. 

Nese pranojmë se është e lehtë të genjehesh nga gojëdhënat që sjellin fakte shumë të vjetra të lashtësisë ,do të ishte nderkaq qesharake të besonim se e gjithë popullsia e një province të madhe ,per të mos thënë e një mbretërie , gënjehet mbi një fakt që nuk është edhe aq i largët ,Barleti, thotë Farlati  nga i cili kam marrë ketë citat…”8. Një tashigimi gojore me mjaft vlera ,dhe të trashiguar prej qindra vitesh ka mbledhur studiuesja e njohur angleze Edith  Durham ,(një njohese e mirë dhe e vlersuar  për historinë dhe traditat e shqiptarëve  të veriut e verilindjes) , e cila ka vizituar disa herë  edhe Malesinë e Madhe . Kjo studiuese në shkrimet e saj  të vitit 1908, kur i vjen “rradha” Kastratit ndër të tjera shkruan: “Thuhet se emri  Kastrat  rrjedh nga latinishtja  CASTRUM , gjë që nuk më duket e pamundur , sepse rruga kryesore që dikur bashkonte  Shkodrën me Dioklenë  duhet të ketë kaluar nëpër Kastratin e Poshtëm, dhe ajo duhet  të ketë pasur nevojë per roje që ta ruanin. Sidoqoftë  banorët e fisit (Kastratit) të tregojnë se emri i tyre rrjedh nga heroi i tyre  Gjergj  Kastrioti , i madhi Skenderbe”.  Kur vdiq Skenderbeu ne (i kishin thënë kastratasit, Durhamit) u ulëm buzë rruges dhe qamë. Kaloi andej turku dhe na tha : Pse po qani ? dhe ne i thamë se po qajmë se na ka humbur shpata ! Dhe ai na tha : Do jem unë shpata tuaj (Sergjede). Pastaj ai na lexoi sheriatin (ligjin turk) dhe tha : Tani hiqni  xhurdin ( xhaketa e shkurtër në ngjyrë të zezë, që sipas traditës mbahet në shenjë vajtimi per Gjergj Skenderbeun dhe që mban emrin e tij), dhe vishni  xhyben turke . Por ne iu pergjigjem : të krishterë  jemi  dhe të krishterë do të jemi  perherë. Ligjin turk se pranojmë dot as rroben turke. Ne na qeverisë ligji i Lekë Dukagjnit.  Atëherë ai na ofroi jelekun , që ne vazhdojmë ta quajmë me po atë emer , duke na thënë , JE  LEK (Ti je Leka)..”.9. Kjo gojdhënë është mbledhur  prej  Edith Durham-it  nga banoret e Kastratit në vitin 1908 , pra 440 vite  pas  vdekjes së Gjergj Kastriotit , çfarë tregon per një lidhje të forte në mes trashigimisë gojore (gojëdhënës), nga njeri brez në tjetrin ,dhe e një të vertete historike në mos tjetër frymëzuese në qendresen e gjatë të kastratasve , kundër pushtimit e sundimit turko-osman. Është interesant se gojdhënën  e shënuar nga studiuesja Edith Durham e “përsëritë” në një fare mënyre edhe një raport sekret të  sherbimit të zbulimit të admiraliatit të marinës ushtarake angleze…  gjatë luftës parë Botërore , nga i cili citojmë : “Sipas gojëdhënave të vendalinjëve , fjala “Kastrati”  vjen nga emri i Gjergj Kastriotit (Skenderbeut).10.

Studiuesja  Edith Durham  në studimin e saj  nuk e “sqaron” se ku e ka mbledhur këtë trashigimi gojore , te banoret më të vjeter (anas) të Kastratit , që kishin mbetur fare pak , apo te banorët e ardhur  në trojet e Kastratit rreth vitit 1550-1575 , dhe që në vitin 1908 (si dhe sot) perbejnë shumicën e shumices së popullsisë që banon trojet e Kastratit të Malësisë së Madhe, banorë që trashiguan e trashogjnë vlerat më të mira ,të Malesisë e Shqiptarisë. 

NË VEND TË NJË KONKLUZIONI…

Duke parë këto pak shenime , një pjesë të të cilave mund ti quajmë edhe argumente (ndonse  jo shumë bindëse), ne kastratasit  e Malesisë së Madhe , me gjithë deshirën tonë të bazuar edhe në ndonjë gojëdhënë , nuk mundemi të “kembëngulim” se familja e Kastriotëve , e për rrjedhojë biri i tyre i lavdishem Gjergj Kastrioti e ka origjinen më të hershme nga Kastrati i Malesisë  së Madhe.. Por nëse ne kastratesve nuk na vertetohet (ekzaktësisht) origjina (më e hershme) e Kastriotëve nga Kastrati , ne na “vertetohet” plotesisht deshira dhe e drejta  jonë për të vijuar të mendojmë se kjo familje famëmadhe e ka origjinen më të hershme (rreth shek.XIII) , pikrisht  nga Kastrati , apo Kastra (Castra ) nga thuhet se e ka marrë emrin edhe kjo trevë historike e Malesisë së Madhe të Shqiperisë  Etnike…

Kastra , kalaja apo  qyteza , rrenojat e së ciles identifikohen  sot  në fshatin Marshenjë (të Kastratit) , janë edhe një vlerë  e hershme  e zhvillimit e qytetrimit të kesaj treve , ku në një dokument të shek.III-IV (pas Krishtit) , Tabula Peutingeriana e shenon fshatin ku gjindej kastra (castra) me emrin SINNA, 11, emër që ndër shekuj i ndryshoi në “toponimin” Marshenj (Mali i shenjtë , apo Shën Marku), por kjo nuk ka shumë rendesi , pasi rendesi ka se këtu në Kastratin e sotëm gjinden themelet e rrenojat e Kalasë apo Qytezes së Marshenjit… 

REFERENCAT:

1. Edwin Jacques ,SHQIPTARET – historia e popullit shqiptar nga lashtesia deri ne ditet e sotme , fq.201. Tirane 1995. + Fan  S. Noli  ,Historia e Skenderbeut Mbretit të Shqiperisë  ,fq.70-71 ,80-89, Boston shtypshkronja  Dielli 1921.

2.Frang  Bardhi ,Gjergj  Kastrioti –Skenderbeu  ,fq.116-122 ,Tiranë 1999.

3.Pietro  Luccari, Annali di Ragusa, f.86, anno 1606.

4.Jacques De Lavardin, Georges  Castriot , surnomme  Scanderbeg , Roy d’Albania (Gjergj Kastrioti  me “mbiemrin” Skanderbeg , mbret i Shqiperisë  N.B.), fq.5, Paris 1576.

5.At Marin  Sirdani OFM , Skanderbegu mbas gojëdhanash ,fq.4-8 ,botime franceskane ,Shkoder 2008.

6.Franc  Nopça  ,Fiset e Malesisë  së Shqiperisë Veriore  dhe e Drejta Zakonore e tyre  ,fq.191 , (Qendra e Studimeve Albanologjike ,Instituti i Historisë ) Tiranë 2013.

7.Zhan Klod Faveirial  ,Historia (më e vjeter) e Shqiperisë ,fq.282 ,Plejad ,Tiranë 2004.

8.Hyacinthe  Hecquard , Historia dhe pershkrimi i Shqiperisë së Eperme ose  i Gegërisë ,fq.235-236 , Plejad ,Tiranë 2004.

9.Edith  Durham , Shqiperia e Eperme ,Një udhëtim në Shqiperinë e Veriut të vitit 1908 ,fq.52-53 (Botime IDK).

10.Raport sekret i sherbimit të zbulimit të admiraliatit të marinës ushtarakeangleze; Personazhet kryesore  të Shqiperisë , vendi , fiset populli gjatë luftës parë Botërore, fq.176 , perkthye nga orgjinali Piro Misha , Tiranë: IDK, 2016.

11.Iliret dhe Iliria te Autorët Antikë ,Akademia e Shkencave të Shqiperisë, Instituti i  Arkeologjisë , fq.309 . Pergatitur nga Selim islami (redaktor pergjegjes)  Frano Prendi ,Hasan Ceka ,Skender Anamali (Botimet Toena ,Tiranë 2002).

Filed Under: Histori

Ndertesa e bukur në Mitrovicë të restaurohet me fondet e buxhetit të Kosovës dhe kontributet e qytetarëve

February 9, 2022 by s p

Lindita Komani/


Nga një kronikë televizive ku me shumë pozitivitet një arkitekte dhe një gazetar bisedonin sesi do të restaurohej ndërtesa e bukur në Mitrovicë, pjesë e listës së trashëgimisë kulturore të Kosovës, brenda pak ditësh u kalua në një debat të zjarrtë me fokus Xhafer Devën dhe mosrehabilitimin e tij.(Xhafer Deva) Nuk ka jetuar, por e ka ndërtuar shtëpinë, u shpreh arkitektja Rrezarta Loxha-Vitaku. Ishte viti 1930, kur për herë të parë në Mitrovicë dhe në rajon ndërtohej një ndërtesë me bodrum, përdhes dhe dy kate, e stilit europian, që ndërroi kahun e ndërtimeve dhe stileve të deriatëhershme. Me këtë ndërtesë, arkitektura në Mitrovicë nisi të diversifikohej, gjë që i jep asaj shumë vlerë. Por për shkak të traditës që shprehej në jetën e zhvilluar brenda oborrit të shtëpisë, Xhafer Deva për të mos krijuar jokomoditet tek fqinjët që do të ndiheshin të vëzhguar nga katet më të larta të shtëpisë, nuk jetoi në të. Me ardhjen e komunizmit, familjes Deva, ndoshta më e pasura në Kosovë, iu konfiskuan shumë prona në Mitrovicë dhe edhe sot tri mes këtyre pronave janë në listën e mbrojtjes nga Qendra e Mbrojtjes së Trashëgimisë. Arkitektja Loxha-Vitaku u shpreh më tej se projekti i parë për restaurimin e kësaj ndërtese që në mungesë të një cilësimi tjetër njihet si shtëpia e Xhafer Devës, edhe në zërat e buxhetit vjetor të qeverisë së Kosovës, është hartuar në vitin 2010 dhe u bënë 12 vjet që rishikohet e shtyhet në kohë. Në 2015 objekti pësoi zjarr dhe në 2017-2018 zhvillohen punime për përforcimin e konstruksionit. Sipas arkitektes, fasada e ndërtesës ka pësuar ndryshime në kohë, por jo aq sa të mos mund të përmirësohet më. Në projektin më të fundit, Ministria e Kulturës në bashkëpunim me UNDP, hartojnë dhe kalojnë në komision një projekt i cili u miratua për zbatim. Dhe pikërisht me gëzimin se zbatimi i këtij projekti ishte fare pranë, arkitektja ndau lajmin se ndërtesa do të marrë një funksion konkret dhe do të shërbejë si Qendër Rajonale për Trashëgimi. Më në fund qendra do ta ketë përfundimisht të zgjidhur statusin e vendndodhjes së saj. Kati përdhes do të jetë galeri e hapur për të gjithë artistët. Dy katet e sipërme do të jenë zyra te Qendrës. (Burimi: https://www.youtube.com/watch?v=p4fcygsEmIw&t=6s) Çfarë kishte dhe ka të paqartë, shqetësuese apo acaruese në këtë projekt shumë të mirë restaurimi dhe rifunksionalizimi? Nuk e kuptoj nga distanca se kush e ndezi zjarrin e debatit, por nxitës ka qenë sigurisht edhe ambasadori gjerman në Kosovë Jorn Rohde, i cili shprehu shqetësim lidhur me restaurimin e planifikuar. Një shqetësim i pavend nga një përfaqësues i shtetit i cili, ndonëse ishte baza frymëzuese e nazizmit dhe shkaktar e nxitës i Luftës së Dytë Botërore, nuk shquhet për ndonjë harresë, lënie pas dore apo egërsi të ushtruar mbi trashëgiminë arkitektonike të kohës së nazizmit. Pyetje që më erdhën në mendje teksa lexoja shkëmbimet e shumta në internet ishin:A e di ambasadori gjerman që ndërtesa për të cilën flitet është ngritur që në 1930 në tokën e me paratë e një familjeje të pasur si ajo Deva? Nuk ka punë as nazizmi, as lufta, as dreqi dhe i biri në të.A e di ambasadori dhe të tjerët që Deva nuk ka jetuar në të dhe që ajo ka mbetur thjesht ndërtesë, asnjëherë me funksion shtëpie, por e shfrytëzuar për qëllime të tjera?Projekti i restaurimit ka 12 vjet që ka nisur, me gjithë miratimet nga komisionet përkatëse dhe shtyrjen në kohë për kushedi ç’arsye, por asnjëherë nga kjo që po zjarrmon këto ditë në internet. Përse sulmohet qeveria aktuale për këtë projekt?UNDP nuk e dinte se kush ishte Xhafer Deva kur pranoi të bënte bashkëpunim me Qendrën e Mbrojtjes së Trashëgimisë së Kosovës?BE nuk e dinte se kush ishte Xhafer Deva kur mori përsipër ta bashkëfinanconte?Pse u desh gjithë ky zjarr kundër idesë së shfrytëzimit të një ndërtese me status të mbrojtur të trashëgimisë kulturore për ta rifunksionalizuar në Qendër Rajonale të Trashëgimisë së Kosovës?Ata që e kundërshtojnë këtë rifunksionalizim, çfarë kanë thënë për shembjen e Teatrit Kombëtar në Shqipëri? Po për mbajtjen ne këmbë të Shtëpisë së Diktatorit Enver Hoxha në Gjirokastër? Po për mbajtjen në këmbë të Piramidës së tij dhe tashmë rifunksionalizimin e saj në qendër teknologjie? Po për rifunksionalizimin e Shtëpisë së Gjetheve? Por për Bunk’artin? Në këto kushte, është e udhës qe qeveria e Kosovës të mbështesë projektin e rifunksionalizimit të ndërtesës së bukur të Mitrovicës me aq fonde sa kishte parashikuar ta bënte dhe për pjesën tjetër të thirret në ndihmë qytetaria qoftë e Kosovës, apo e Shqipërisë dhe e diasporës mbarë nëse është e nevojshme. Shuma totale për të cilën bëhet fjalë është 300 000 euro (Burim: https://www.youtube.com/watch?v=U8NdeZmeN-8). Për këtë do të mjaftonte që Qeveria e Kosovës të bënte një thirrje për kontribute financiare dhe jam e sigurtë që do të mblidheshin shumë të tilla. Ky model i bashkëpunimit qeveri – qytetarë për restaurimin e trashëgimisë kulturore do të ishte mirë të zbatohej në çdo rast kur qendrat/institutet tona për mbrojtjen e trashëgimisë tonë kulturore, qoftë në Kosovë, Shqipëri apo tjetërkund në rajon, synojnë të mbajnë gjallë e në jetë ndërtesa me vlerë që dëshmojnë për sqimë, kulturë e investim në arkitekturë të kultivuar mes nesh shqiptarëve.
(Fotoja marrë nga grupi Albanian Vintage Photography, people, cities, culture and history)

Filed Under: Histori

77 VJETORI  I  TRADHTISË  KOMUNISTE  QË  NDAU TROJE  E  ZEMRA TË MALËSISË SË MADHE…

February 7, 2022 by s p

NGA NDUE  BACAJ /

Malësorët si dhe shqiptaret etjerë patriot e pritën pushtimin fashist me indinjatë të thellë dhe me deshirë (“të pa realizuar…”) per tu rrjeshtuar në ushtrinë mbrojtëse shqiptare, kundra pushtuesve Italian. Por perkundër kësaj ,në qendresën e pabarabartë por heroike të ushtrisë shqiptare që priti me plumba e jo me lule fashistet italian me 7 prill (1939) në bregdetin e Durrësit e më gjerë, do të dalloheshin per trimerinë, atdhetarinë dhe qendresen heroike tre ushtarakë malësor- hotjanë; Mul Deli Bajraktari -Komandant i batalionit “Deja”, Toger Gjelosh Luli -Dedëvukaj i cili komandonte një pjesë të baterisë së topave të vendosur në vijen e parë të mbrojtjes në kodrat e Durrësit, si dhe Zef Martini-një nëtoger i shquar i këmbësorisë shqiptare..1. Në keto kohë gjysma e Malesisë së Madhe lengonte nën pushtimin e Malit Zi, që kishte filluar të pakten që nga kongresi i Berlinit e “finalizuar” me konferencen e Londres (1913).. Në këto kushte paria e kësaj “gjysme” të Malesisë Madhe (nën Malin e Zi) për të shpetuar çfarë mund të shpëtonte ( edhe pse përkohësisht), kishte vendosur të “thërrasë” në ndihmë të keqen më të “vogël”.. Pikirsht për këtë me datën 12 maj 1941: Hoti, Gruda, Trieshi, Koja, Tuzi,Vllana, Vrana dhe Matagushi u dergojnë autoriteteve qeveritare fashiste në Tiranë një Memorandum për bashkimin me Shqiperinë nënë, të trojeve shqiptare të lëna padrejtesisht nën Malin e Zi. Memorandumi fillonte me disa levdata (të pa merituara) per fashistet, por ske çi bënë pasi ky është haraçi që duhet të paguash kur kerkon ndihmë nga një pushtues… Pastaj memorandumi vijonte..: “ Jemi shqiptar dhe duam Shqipninë. Me Malazezet kemi kenë dhe jemi armiq të perhershem, na ndanë kombesia, gjuha, traditat, doket, ligjet, pra na ndanë jeta… Piramidat e kufijëve të vume padrejtësisht mbi vorret tona qysh me 1878 e mbrapa lypim që të zhduken fare, tue kenë se viset e syperthanuna janë kenë edhe duhet të jenë pergjithmonë, në prëhen të Nanes së vet Shqipnisë së Madhe…Rrnoftë Shqipnia e Madhe… Keto kerkesa me plotë besim i nënshkruajmë perfaqesuesit e popullit:

 Hoti: Smajl Haxhija, Lucë Gjeloshi, Gjon Leka, Lukë Deda, Prekë Gjoni, Tomë Nika, Pjeter Zeku, Prekë Gjoku.

Gruda: Mark Zefi, Mark Gjeku, Martin Hasi, Selman Juku, 

, Dokë Martini, Nikë Marashi, Gjokë Deda, Zef Preka, Pjeter Nika.

Trieshi e Koja: Mark Toma, Gjon Lucë Nika, Gjon Smajli, 

 Kolë Preloka, Pjeter Nikashi, Pretash Zeka Ulaj, Prenash Uci.

Tuzi: Sherif Hyseni, Dem Binaku, Prekë Gruda.

Vllana, Vrana e Matagushi: Ali Zeku, Pretash Nika.2. 

Pas këtij memorandumi, Malesia e Madhe, ndonse vuante pasojat e pushtimit fashist si pjesa tjetër e Shqiperisë, Ballkanit e më gjerë, ju krijuan disi premisa më të favorshme per bashkepunimin e trevave të saja të ndara, që në vitet 1878 -1913. Madje fashizmi per qellime edhe propogandistike mori parasyshë memorandumin e perfaqësuesve të Malesisë së Madhe të dates 12 maj (1941) dhe me dekretin e 7 gushtit të vitit 1941 shpalli ribashkimin e trojeve shqiptare që i mbanin të pushtuara Serbo-Malazezet…3. 

 MALËSIA E MADHE NË “MES” FASHIZMIT E KOMUNIZMIT.

Megjithë ketë klimë qe solli një ënderr ribashkimi të trojeve shqiptare, Malesia si gjithë Shqiperia e urrente fashizmin si ideologji dhe pushtues,i cili si per çudi solli kushtet e favorshme që emisaret jugosllav, Mugosha e Popoviç, Dushan Mugosha  tjerë të krijojnë bijen e tyre; Partinë Komuniste Shqiptare me 8 nentor 1941. Ketë të vertetë të mjerueme historike për shqiptarët do t’ua komunikonin edhe malësorëve hapët emisarët komunist malazez-jugosllav veçse gjashtë muaj nga dita e krijimit të PKSH, në një mbledhje në fshatin Kopilaj të Piperit me 23 maj 1942… Ketë mbledhje e preshkruan në ditarin e tij me realizem intelektuali dhe nacionalisti Prekë Gruda, i cili ishte pjesmarrës në ketë “kumt” kobndjedhes per shqiptaret e vertet, nga i cili citoj: “…Mbledhjen e hapi dhe kryesoi Dragisha Ivanoviq, tuj na pershendetë me grusht Vdekje Fashizmit ! Rreth treqindë vetë i pergjigjen me za Liri Popullit ! Mandej qenë urime per jetë të gjatë Stalinit dhe urra të forta per ushtrinë e kuqe edhe mjaft shtesa me mbiemna e bishta të tjer të stilit komunist. Mbas këtyre cermonive të rendomta folen gjanë e gjatë komisaret politik për gjendjen e brendëshme të Jugosllavisë e për kushtet e përgjithshme botnore, me të cilat nuk pajtohen aspak, mbasi nuk mundem me e besue se janë çmendë nga mania aq fort Anglo-Amerikanet që të zemruem nga Hitleri kanë ra ashtu në kambë të Stalinit, per me i hapë vorrin e kuq njerzimit… Nuk po më duket e arësyeshme me u marrë me parashtrime të tyre, perveç po e ndjej detyrë me vu në dukje trajtimin që ju ba çeshtjes shqiptare…Çeshtjen tonë e hapi prof. M.Vujosheviqi. Kur foli u zgjat hollësisht te çeshtja jonë, per shumë punë të programit të komunistëve jugosllavë ndaj Shqipnisë. Qe shkurtimisht çfar u tha: Malesia e Madhe tha profesori Vujosheviq asht tuj na dhanë ndihma e strehua pë ditë, sidomos kur na msyjnë çetniket me ushtrinë e okupatorit. Shumica jonë e shpetojmë kryet ndër ta dhe kemi me qindra familje malazeze të strehueme në krahina shqiptare. Edhe ekonomikisht jemi të varun nga bujaria e tyne, e per të tana keto të mira prej sish nuk na kerkohen kurrfarë konditash, veçse po, ata na pyesin e duan me e dijtë si ka me qenë çeshtja e kufijëve mbas kesaj lufte?. Ata duken të vendosur mos me u ndarë kurrma nga atdheu i tyne shqiptar, gja shumë e drejtë që pajtohet edhe me luftën tonë nacionalçlirimtare. Dragisha ju pergjigj lakonisht profesorit trim luftar. “Vetem u thoni se ka me vendosë populli në fund të luftës”. Nderkaq një komisar nga Vasoviqi nderhyni energjikisht. Ata nuk knaqen me kaq, por kerkojnë hollësina ma të gjata dhe sigurime ma të mira prej nesh. “Ata janë burra të mirë e të urtë dhe nuk mashtrohen prej fjalëve të bukura e premtimeve të thata”. Veç kaq u thom e të tjerat i dijmë ne tha Dragisha, porse vasoviqasi nguli kambë burrnisht tuj kerkua sqarime ma të plota si malazias luftar. Atëherë u çua në kambë tuj perdredhë mustaqet Bllazhe Jovanoviqi, (i deleguari i Titos N.B.) dhe mbasi na kqyri me ata sy gaca sikur donte me na coptua të tanve, ia filloi me folë rrufeshëm pa maskë të kuqe: “Partinë Komuniste të Shqiperisë e kemi në dorë ne malazezet, dhe i kemi atje organizatoret tanë që drejtojnë e komandojnë. Edhe në Kosovë ku jemi tuj ndeshë mjaftë pengesa nga naionalizmi shqiptar, ia kemi dalë me i organizue partizanët shqiptar si jugosllavë, dhe ketë gja e kemi garantua me ndihmen e komunistave të Shqiperisë, per të larguar veshtirsitë tona atje në atë Serbi të vjeter. Pra per çdo gja i kemi vu bazat në Kosovë që çdo pikë ujë të shkojnë në mulli të Jugosllavisë së madhe, dhe me siguri do ta zmadhojmë nga të gjitha anët. Per pakicat shqiptare në Mal të Zi nuk kemi biseduar aspak me komunistë të Shqiperisë. I kemi në dorë pa asnjë konditë. Ungji Stalin ndoshta ka me na e lanë krejt Ballkanin në dorë e jo ma Shqipninë që e kemi qysh tashti në grusht. Ma në fund mos harroni e duhet ta dijmë mirë të gjithë se na janë vrarë në luften Ballkanike (1912-1913, rrethimi i Shkodrës N.B.) njembedhjetë mijë malazez në rrethinat e Shkodres, atë çfarë nuk e perfituan etnit tanë ateherë me luftë, jemi tue fitua ne me mënyrë tjeter. Malet shkambore të Malësisë Madhe e as ata të Krajës me Ruminë nuk na duhen gja sepse male kemi majft, dhe aq ma pak na duhen gja banoret trima të egër të atyne krahinave. Na duhet Liqeni i Shkodres, që do të thahet dhe do të bahet Banata e Malit Zi, hambari i pasun per buken e popullit tonë, e prej Matagushit e deri në Vraken e vllazneve tanë malazez kanë me lulëzua katundet sllave dhe ajo Shkodër, kaq fortë e deshirueme prej nesh do të bahen krejtësisht sllave, sikurse janë ba Podgorica, Tivari dhe shumë krahina të tjera të marruna shqiptarëve mbas kongresit të Berlinit e deri në luftën ballkanike.”.4.  Është me vlera të cilësohet se gjatë luftës antifashiste , si nga Partia komuniste Jugosllave dhe nga bija e saj propagandohej , se mbas çlirimit nga fashistët , edhe shqiptaret në trojet e tyre etnike kanë të drejtë të vendosin lirshëm se me kë dëshirojnë të jetojn: me Shqipnin nanë apo me Malin e Zi që i kishte bashkuar dhunshëm Europa plakë. Këtë të drejtë sipas propoganduesve jugosllavë e shqiptar ua jepte lufta e përbashkët që gjoja i kishte vëllazëruar. Këtij premti, si gjithë premtimeve të tjera të sllavëve do t’u delte boja pa vonuar.. 

TUBIMI I FUSHËS SË TUZIT APO TUBIMI I FUSHË SË TURPIT TË KOMUNISTËVE SHQIPTAR, TË 07 SHKURTIT 945. 

Përshkrimin e ketij tubimi tradhtie e turpi , mendova t’ia lë nacionalistit Prekë Gruda, pjesmarrës në këtë tubim, të cilin e përshkruan vertetësisht në një dorshkrim që më ka ra në dorë para rreth 30 viteve me titull : « Hot Grudë, pervjetuer turpi për komunistat shqiptarë », nga i cili për të kujtuar 77 vjetorin e kësaj ngjarje tragjike mendova të citoj : 

“Mbas tërheqjes së gjermanëve prej Malit të Zi, Shtabi i divizionit VI – të të ashtuquajturës ushtri naç – çlirimitare shqiptare, thirri në Tuz të gjithë burrat e Malësisë ku lajmëtarët kumtojshin që mos të mungonte asnjë mashkull, dhe porositnin të shkonin të gjithë të armatosur në bashkim, ku do të komunikoheshin disa çështje me rëndësi. Bashkimi u bë në fushë të Tuzit me dt.7.02.1945. Në tribunë zejshin vend Shfeqet Peçi me shokë të shtabit të tij nga ana e qeverisë Shqiptare dhe Gjeneral Gjoku Mirasheviç me një sasi të madhe autoritetesh civile e ushtarake jugosllave. Kërkush nuk mundej me mendue tragjikomedinë e turpshme që kishin pranuar me vu në skenë n’at çerdhe Shqiptarie komuniste shqiptare… Perden e hapi Shefqet  Peçi, i cili me fjalë të parë i lajmëroi malësorët se janë të rrethuar nga çdo anë prej divizioneve Shqiptaro – Jugosllave, e i porositi për qetësi dhe i ftoi të dorëzojnë armët aty për aty. U komunikoi shkuarjen e kufirit prapë në Han të Hotit, dhe i porositi ata burra Shqiptarë t’i duan Serbo – Malazezët, me të cilët gjoja i kishte vëllazëruar lufta… Mandej u kthye mercenari nga gjeneral Gjoku me shokë e u tha: Qe ku po ua dorëzojmë këta derra reaksionarë që t’i bani turbiet, pse neve nuk na duhen gja, prandaj mos u kurseni me ta. Qe dajakun që t’i rrihni, qe fishekun t’i vrisni, në qoftë se nuk ju duan e nuk ju ndigjojnë. Këtu ia preu fjalën Kol Zefi i Grudës, i cili ndër të tjera tha: “Tash 52 vjet kjeshë detyruar me shtëpinë time me i shërbye sllavëve, tuj o mbrojtë me gjoks e fanatizëm interesat e këtyre maleve shqitpare, që qysh prej kongresit të Berlinit e këndej filluan të shkatërrohen prej malazezëve. Ju këta i paskeni ba vëllazën, ndërsa ne kurrë as për formë nuk kemi muejtë me u thanë miq… Me 1890, kur filluam luftën kundër Turqve, na kjeme lidhë me besë të Zotit drejtpërdrejtë me Kral Nikollën e Mark Milanin, per me na ndihmue, e Vendet tona që do t’i merrshim me gjak prej turqve me na i njoftë si zona të lira shqiptare, por ata na rrejtën. Trojet që i çliruam me aq sakrificë ia bashkuan Malit të Zi. Gjithmon na kanë rrejtë e mashtruar dhe tradhëtuar. Shumë më zi kanë me jua ba ju, shpejt keni me u pendue, por ka me kenë vonë me fitua çfarë sot, me syplasët po dhunoni. Jemi shqiptarë me mish e me shpirt të gjithë në këto male, prandaj na duket shumë e natyrshme e njerëzore që të mbetemi me Shqipninë. Sa për dajakun ktheje ka doli se na e kemi pasur traditë me u pre me shpata me Malazez, e me u vra me pushkë ballë për ballë, e jo me u rrahë si gratë me shkopinj”. Mbas Kolës, foli Smajl Haxhia i Hotit, që nuk pranoi me i dhanë dorën gjeneral Gjokut. Smajli të nesërmen vdiq, plasi nga maraku që mbuloi Malësinë. Tom Nika i Traboinit foli, me nji ton të zjarrtë patriotik tuj vu në dukje luftëtarët e përpjekjet e Malësisë për Shqipni. Po kështu i argumentuan punët Ali Zeku i Vranjes, nik Zeka i Trieshit, Pretash Zeka i Kojës, Luc Maxhi i Luharit e Osman Bajri i Dinoshës. Të gjithë kërkuan energjikisht mos të ndaheshin ma prej Shqipnie, por me kë me folë e kujt me iu drejtue?… Vetëm komisari i divizionit të VI-të, Muyzafer Spaho, u prek e pa me sy tradhëtinë e tij e të shokëve të vet. Ai tha: “Qëndroni shqiptarë, se ne nuk luftuem me vendosë kufijtë e versajës e as të boshtit për liri e bashkëpunim të popujve. Ju qenkeni më shqiptarë se ne, prandaj gjaku ynë i kësaj lufte e i juaji gjithnjë për liri, u garantojnë vetvendosjen tuaj në bazë të luftës sonë e të premtimeve aleate.” Këtu ia zunë në fyt fjalët Peçi me shokë, atë ditë ra viktimë e idesë mashtruese edhe Myzaferi, që kishte lënë studimet në Itali, për të luftuar për lirinë e Shqipërisë. Ai ishte një ndër të paktët që nuk iu nënshtrua turpit mashtrues. Nuk munguan oratorët malazez me folë me demagogjinë marksiste, tuj lavdërue shërbëtorët e vet. Gjendja u keqsua fort. Malësorët edhe pse e panë se çështja e tyre shqiptare asi shtegu dështoi, vendosën të gjithë të vdesin me armë në dorë, por kurrë mos me u dorëzue, ç’burrni ishte në atë tubim Tradhëtie. Pater Zefi që qysh në fillim kishte refuzuar me ndejtë në tribunë, duel nga mesi i trumës në shesh të burrave, e theksoi rrufeshëm: “Po e shihni, o komunista shqiptarë. Mjerë Shqipnia në duart tuaj. A keni mendua ndopak për historinë e kombit? Ku janë premtimet marksiste për liri e të drejta të popujve? Ndërsa ju Malazez u lumshin krahët, sepse dini gjithmonë me manovrue për të mirën e Malit të Zi  e Jugosllavisë. Na jemi tuj e pa se prapë u bëmë robët tuaj, por jo për dobësi të këtyre burrave luaj malesh ndër pranga, por për tradhëti të komunistëve shqiptarë që i paski marrua e ç’burrua kështu. Sa për dorëzimin e armëve Malësorët paskan punë me ju, por siç po e shihni nuk dëshirojnë me i dorëzue sot këtu, prandaj le t’i kthejnë të armatosur ndër shtëpia të veta. Ju e dini se me to nuk u bien tradhtishtë. Vëllezën shqiptarë që u braktisën Vëllazënit e Shqipnisë, qindroni burra e të urtë. Detyrën tuaj e keni krye, ma tepër nuk keni çfarë me ba. Armët keni me i dorëzue autoriteteve Jugosllave kur t’jua kërkojnë. Të shpërndahemi për në shtëpiat tona. Rrnoftë Shqipnia. Zoti kjoft me ne.” Akti i Parë i tragjeditë u mbyll, tjetri u luajt dy javë më vonë, kur natën hynë brigadat Serbo – Malazeze, gjoja me bashkue armët. Në atë natë të kobshme terri mjaftë burra nacionalista të përvëluar për Shqipëri u vranë pa faj, pa kurrë një farë gjyqi të paktën formal. Po atë natë u muar në kishë të Traboinit, ndërsa ishte ndër të lutuna edhe Pater Zefi (Leonardi) e u pushkatuar ndër sy të nanës së tij, vetëm pse i shërbeu Zotit e Kombit me besnikëri. Akti i Tretë i tragjedisë u vu në skenë në Hot e Grudë, ndër krahina të Ulqinit e Tivarit me Larje e Shestan dhe në Plavë e Guci me rrethe…. Porse me Kosovën tonë të martirizuar skena e masakrave ishte gjithnjë e hapur qysh përpara….me Karagjerogjeviqa, me Pashiqa, prej Titos me Dushana e tjerë, për çfarosjen e Kombit Shqiptar… ».5. Sot edhe pse kanë kaluar 77 vite nga kjo tradhti kombëtare e komunistëve shqiptar, trojet etnike shqiptare të Malësisë së Madhe e më gjërë vazhdojnë t’a  vuajnë këtë ndarje…por pa humbur shpresen e ribashkimit me Shqipninë nanë…

REFERENCAT : 

1.Mul Deli Bajraktari,Beslidhjet e Malësisë, kujtime 1939-1945, fq.9.Shkodër 2004.

2.At Marin Sirdani “Ndricime te historise,kultures dhe artit shqiptare,fq.61-62. Prishtinë 2002. 

3.Fletore zyrtare 7 gusht 1941.

4. Prek Gruda “Ditari i nje zemre te lendueme,sa kam shprese kame shpirte”(1937-1975) pjesa I, fq.192-193.Tiranë 1995. 

5.Prekë Gruda, Hot Grudë, pervjetuer turpi per komunistat shqiptarë (dorshkrim…), + Ndue Bacaj, gazeta “Shqiperia Etnike,nr.15, viti 2001,+Kostaq Xoxa, gaz.55,dt.7 qershor 2010.

6.Më e zgjerueme kjo histori tradhtie e krimesh komuniste, është pasqyruar në librin tim të botuar në vitin 2018 me titull: Malësia e Madhe Kundër…, ku janë të shënuar edhe emrat e plotë të të pushkatuarve nga komunizmi jugosllav e shqptar…

Malësi e Madhe, 07 shkurt 2022 

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 229
  • 230
  • 231
  • 232
  • 233
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit
  • Mirëqenia mendore dhe shëndeti i sistemit tretës
  • SKËNDERBEU DHE ALFONSI I ARAGONËS: KËNDVËSHRIME TË TJERA
  • Ismail Qemali mes hafijeve dhe gjeopolitikës: Botohet për herë të parë letra e panjohur e vitit 1902
  • 8 nëntor 1462 – Dita e shkrimit të “Formulës së Pagëzimit” nga imzot Pal Engjëlli
  • GJON MILI – IMAZHET PA FORMË DHE ONEIRIZMI POETIK
  • Nëntori i historisë dhe i kujtesës kombëtare
  • FILATELIA PËRBALLË HISTORISË – 118 VJET NGA KONGRESI I MANASTIRIT
  • Portreti i një intelektuali …

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT