• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHFLETIME TE GAZETES “DIELLI”

January 18, 2014 by dgreca

Qëndrimi i gazetës “Dielli” ndaj qeverisë komuniste të Shqipërisë dhe qeverisë amerikane gjatë viteve 1945-1955/

Nga Idriz Lamaj*

Viti 1945  Pas çlirimit të Shqipërisë nga forcat nazifashiste, në fund të vitit 1944, Federata Panshqiptare Vatra, pa humbur aspak kohë, njeh pa rezervë qeverinë e re të kryesuar nga Enver Hoxha. Duke filluar nga 10 janari i vitit 1945, në gazetën “Dielli” botohen telegrame përshëndetëse, artikuj redaksionalë dhe materiale të tjera të një natyre entuziaste për udhëheqësit e rinj komunistë dhe Shqipërinë e re, siç e cilësonte “Dielli”. Në editorialin e po këtij numri, thuhet ndër të tjera: “Në një mënyrë të çuditshme, kjo qeveri pasqyron shkallën më të lartë demokratike.” (“Dielli”, 10 janar 1945).

Katër muaj ma vonë, kur filluan të dalin në shesh qëndrimet negative të regjimit të Tiranës ndaj vendeve perëndimore, në editorialin e organit të saj, “Vatra” pohon zyrtarisht se qeveria shqiptare është fajtore për krizën e marrëdhënieve me vendet perëndimore. Në këtë editorial, kritikohet qeveria e Tiranës, por shumë më ashpër kritikohet qeveria amerikane. Aty thuhet se qeveria amerikane po përdor ndihmat ushqimore për qëllime politike e jo humanitare. Për krizën midis Tiranës dhe kryeqyteteve të vendeve perëndimore, “Dielli” fajëson propagandën e ballistëve dhe të Abaz Kupit, për të cilët thotë: “…po i japin ngjyra tepër majtiste qeverisë së re shqiptare pranë qarqeve perëndimore dhe qarqet perëndimore po keqinformohen mbi gjendjen e vërtetë në Shqipërinë e re demokratike…” (“Dielli”, 7 prill 1945).

Pak muaj më vonë, “Dielli” proteston kundër mosnjohjes së qeverisë shqiptare nga ana e vendeve perëndimore dhe sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tek “Dielli” shkruhet: “Çdo gjë në Shqipëri shkon në rregull. Enver Hoxha gëzon mbështetjen e plotë të popullit shqiptar.”, (“Dielli”, 7 prill 1945).

Nga mesi i atij viti, kur UNRA pati dërguar, si ndihmë ushqimore, 9500 tonë grurë dhe miell dhe pritej të dërgonte çdo muaj nga 10.000 tonë, gazeta “Dielli”, duke i lënë në heshtje këto ndihma, fillon t’i japë një përkrahje të plotë Bashkimit Sovjetik. “Dielli” pohon se sovjetikët njohën qeverinë e re shqiptare, ndërsa vendet perëndimore po e sabotojnë atë. Udhëheqësit komunistë vlerësohen kështu: “Udhëheqësit e Shqipërisë së re janë anëtarë të partisë komuniste. Ata besojnë sinqerisht në revolucionin e tyre. Ata do të vendosin demokracinë pa marrë parasysh format propagandistike që përdor qeveria e tyre.” (Glenn A. McLain, “Albanian Expose”, 1952, faqe 61).

Në nëntor, kur në Shqipëri bëhej propagandë e madhe për zgjedhjet  që do të zhvilloheshin në dhjetor, “Dielli” shkruan: “Le të mos dyshojmë aspak mbi demokracinë, shtypin e lirë dhe zgjedhjet e lira në Shqipëri. Shqipëria kurrë më parë nuk ka pasur zgjedhje më të lira se zgjedhjet që do të zhvillohen me 2 dhjetor të këtij viti.” (“Albanian Expose”, f.61).

Për vitin 1945, nuk ishte për t’u çuditë për qëndrimin politik të “Vatrës” ndaj regjimit komunist, sepse Shtetet e Bashkuara ende nuk e kishin bërë të qartë qëndrimin e vet poltik ndaj qeverisë së Tiranës. “Dielli” dhe “Vatra” nuk kishin asnjë të dhënë se çfarë po ndodhte brenda në Shqipëri. Ishin të informuar vetëm nga të dhënat që u jepnin përfaqësuesit komunistë shqiptarë, që vepronin në Kombet e Bashkuara, pranë shërbimit jugosllav. Noli përpiqej t’i ndihmonte ata në përkthimin e kushtetutës dhe hartimin e materialeve të tjera diplomatike, që i kërkonte koha. Qëndrimi i Nolit ishte i qartë. Ai përpiqej për t’i siguruar Shqipërisë anëtarësimin në OKB, me qëllim që të sigurohej integriteti tokësor i shtetit shqiptar.

1946 –1947  Gjatë këtyre viteve, temat më të rëndësishme për gazetën “Dielli” bëhen: çështja e propozimit për pranimin e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Çështja e Epirit, incidenti në Gjirin e Korfuzit dhe Doktrina e Presidentit Truman për frenimin e përhapjes së komunizmit.

Në fillim të vitit 1946, kur ministri i Jashtëm amerikan kundërshton pranimin e Shqipërisë në OKB dhe kërkon që qeveria komuniste e Shqipërisë të njihte traktatet e paraluftës, gazeta “Dielli” reagon me këtë editorial: “Lincolni do ta pranonte Shqipërinë në OKB për arsye se e urrente hipokrizinë dhe dy fytyrësinë politike. Shtetet e Bashkuara nuk e pranuan Shqipërinë për arsye se Shqipëria i dha një grusht të rëndë fashizmit.” (“Albanian Expose”, f.62).

Editori i “Diellit”, në mënyrë të tërthortë, e cilëson ministrin e Jashtëm amerikan si profashist dhe, për herë të parë, në vija të gjera, fillon përkrahjen e Moskës duke cilësuar politikën sovjetike ndaj Shqipërisë si politikë të një vendi të vërtetë demokratik.

“Dielli” e mbyll vitin 1946, duke kritikuar Perëndimin në këtë formë: “Diell i flakët është guverna demokratike e Enver Hoxhës, e cila pa dyshim është e fortë si brenda si jashtë. Brenda, përveç veprave të tjera konstruktive, ka mundur të zbatojë reformën agrare me rrënjë dhe të transformojë Shqipërinë nga një çiflik bejlerësh në një tokë të fshatarëve dhe të punëtorëve. Jashtë, për here të parë në historinë e saj Shqipëria e vogël qëndron ballëpërpjetë dhe di t’ua jap xhevapin kapadainjëve që i bien në qafë, qofshin të humbur si Greqia, qofshin të mëdhenj si Anglia.” (“Dielli”, 27 nëntor 1946).

“Dielli” e fillon vitin 1947 me trajtimin e çështjeve të radhitura në fillim të vitit të mëparshëm dhe hap një fushatë tjetër të ashpër polemizuese kundër kundërshtarëve politikë të regjimit komunist. Këtu po citojmë disa paragrafë të nxjerra nga editoriali me titull “Dy fjalë për ballistët”. “Si të gjith reaksionarët e tjerë në botë, ashtu edhe ballistët tanë, të emigruar në Itali e gjetkë, kanë marrë ofensiva, në mos me armë, po të paktën me pendë e propagandë. Si duket besojnë seriozisht që për së shpejti do të kërcas një luftë ruso-amerikane, e cila do t’i shpjerë nga syrgjyni në Tiranë. Shpresat e tyre duken fare të kota. Ballistët tanë kanë vdekur moralisht dhe nuk mund të ngjallën më. Nga ana tjetër, lufta nga e cila kanë shpresë të ngjallën nuk mund të ngjajë aq shpejt sa t’u hyjë në punë. Nuk ka shqiptar aq budalla sa të mos dijë se ballistët tanë vdiqën një herë e mirë, po sa falimentoi politika e tyre. Bashkëpunuan me fashistët italian dhe nazistët gjerman me shpresë që të fitonin luftën tok me ta. Me këtë taktikë jo vetëm vranë veten por vranë edhe Shqipërinë. Desh perendia, dualën në shesh partizanët me Enver Hoxhën në krye dhe jo vetëm nxorën Shqipërinë nga hendeku i vdekjes, po e vunë në radhën e të gjallëve pranë shteteve aleate. Guverna e Enver Hoxhës jo vetëm shpëtoi Shqipërinë nga vdekja po tani i vë themele të patundura shtetit me reformat dhe veprat konstruktive.” (“Dielli”, 26 mars 1947).

Mbas fjalëve të ashpra kundër ballistëve, në këtë editorial kritikohet Doktrina e Trumanit kundër komunizmit si “profkë për të fituar votat e reaksionarëve amerikanë, si manovër diplomatike e cila nisë në Greqi dhe në Turqi dhe një meze e vogël për fabrikat amerikane që bëjnë topa dhe xhephane për evzonët dhe anadollakët.” (“Dielli”, 26 mars 1947).

Në mars të këtij viti, fillon botimi i gazetës “L’Albanie Libre”, organ i Blokut Kombëtar Indipendent, e cila zhvillon një fushatë të aspër kundër “Diellit” dhe “Vatrës” për mbështetjen që i bëjnë regjimit komunist. Kjo gazetë nuk lexohej në Amerikë me përjashtim të disa personave dhe nuk kishte ndonjë efekt në komunitetin shqiptaro-amerikan, për arsye të mungesës së qarkullimit. Në të njëjtën pozitë ndodhej edhe gazeta e Ballit Kombëtar, “Flamuri”.

1948 –1949  Viti 1948 mund të konsiderohet për “Diellin” si viti i vështirësive të reja në ndjekjen e politikës së vet. Ndodh prishja e marrëdhënieve midis Moskës dhe Beogradit. Për këtë aventurë sllavokomuniste, “Dielli” fajëson Beogradin, të cilin e kishte mbështetur më parë. Tani përkrah Moskën.

Një rendësi të posaçme i jep kandidaturës së zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, duke mbështetur kandidatin liberal të Partisë Progresive (Progresiv Party), Henry Wallace.

Qerim Panariti përdor shtypin liberal amerikan për të përgatitur strategjinë e vijës politike të “Vatrës”, me të cilën përpiqej të mbrohej nga kritikat e ndryshme si antiamerikan dhe prokomunist. Në të njëjtën kohë vazhdon avazin e vjetër, përkrah dhe lavdëron qeverinë komuniste me anë të ribotimit të artikujve të gazetave të Tiranës, ku viheshin në dukje përparimet ekonomike dhe jeta e lumtur në Shqipërinë e re.

Këtë vit “Vatra” boton përmbledhjen e vjershave të Nolit me titull “Albumi”, i cili u dedikohet: “Kryetrimave që çliruan Shqipërinë nga fashistët, nazistët dhe nga bejlerët.” (“Albumi”, 1948).

Të gjitha problemet që trajton “Dielli” gjatë këtij viti janë tipike kundër politikës së jashtme të qeverisë amerikane. Të njëjtën metodë e ndjek edhe gjatë vitit 1949, ku politikën e jashtme amerikane e cilëson si ekspansioniste. Ai pohon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk dëshirojnë paqe, sepse 10 deri 20 vjet paqe e shkatërrojnë ekonominë amerikane dhe ekonomia amerikane mbetet në vend, nëse Amerika nuk ndërlikohet në hapjen e luftave të reja.

Gjatë këtij viti, në faqet e “Diellit” gjejnë vend të posaçëm buletinet e lajmeve të Tiranës dhe të Moskës. Lajmet sillen pa asnjë koment ose vërejtje nga ana e editorit. Për prishjen e marrëdhënieve midis Beogradit e Tiranës, Panariti fajëson Beogradin: “Jugosllavia ishte shkaktare e krizës ekonomike dhe politike në Shqipëri. Tito ka provokuar kufinjët e Shqipërisë. Planet e Titos për shkeljen e sovranitetit të Shqipërisë janë të njohura.” (“Dielli”, 10 nëntor 1948).

Nga fundi i vitit 1949, “Dielli” kritikon ashpër Ministrinë e Jashtme Amerikane, duke theksuar se ka krijuar një qeveri në mërgim, nën udhëheqjen e mbretit Zog. Qeveria amerikane kritikohet edhe për konspiracion me Greqinë për aneksimin e Shqipërisë së Jugut.

1950– 1951  Këto janë vitet më kritike për politikën e jashtme të “Diellit” ndaj qeverisë komuniste shqiptare dhe qeverisë amerikane. Megjithëse Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë ishte themeluar një vit më parë, më 1949, më 1950 fillon veprimtarinë e vet aktive në të gjitha fushat dhe këtë veprimtari e fillon nga Amerika. “Dielli” polemizon me këtë komitet. Kryetari dhe anëtarët e komitetit, gadi në çdo numër të gazetës, cilësohen si fashistë, tradhtarë, gjakpirës, ballistë, etj.

Problemi tjetër që i del “Diellit” është ardhja e peshkop Mark Lipës në Amerikë, të cilit i hap një front të ri lufte dhe, thënë të vërtetën, luftën kundër tij e bën me mjaft sukses. Këto dy vite “Dielli” armiqësohet me gjithë botën, me “Zërin e Amerikës”, radio “Free Evrope”, Ministrinë e Jashtme Amerikane, me senatorë dhe deputetë të ndryshëm, të cilët përkrahnin luftën e ashpër kundër komunizmit global dhe ndikimit komunist në Amerikë. Gjatë këtyre dy viteve, herë pas here, “Dielli” boton kritika të buta kundër regjimit të Tiranës, të cilat tingëllojnë më shumë si lutje se si kritika. Për këto lloj kritikash, editori i “Diellit”, Qerim Panariti, shpallet tradhtar nga regjimi i Tiranës.

“Dielli” ngrihet haptas kundër luftës në Kore, duke e quajtur të padrejtë dhe si ndërlikim amerikan në punët e brendshme të një vendi pa interes kombëtar për Amerikën. Kërkon që të lihet rehat Bashkimi Sovjetik dhe pretendon se sovjetikët nuk janë luftënxitës.

1952 -1953  Fushata e polemikës kundër asaj që gazeta “Shqipëria”, organ i Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, e quan dalldisje e Qerim Panaritit, aspërsohet. Fillojnë konferencat e prof. Stavro Skendit nëpër komunitetet shqiptare të Amerikës kundër “Diellit”, Panaritit dhe Nolit. Në të njëjtën mënyrë vepron Vasil Alarupi, novelist i njohur. Shumë deputetë dhe senatorë amerikanë kritikojnë qëndrimin politik të “Vatrës”. Shkruhet libri “Albanian Expose” i Glean Mc. Lain-it kundër “Vatrës”, “Diellit”, Panaritit dhe Nolit. Polemikat marrin përmasa shqetësuese për “Diellin” dhe editorin e tij si dhe për udhëheqësit e “Vatrës”.

“Dielli” e mbyll kapakun e vet për vitin 1953 me këtë kritikë kundër komunizmit: “Jeta e njeriut, qoftë i madh qoftë i vogël, s’është fare e sigurtë nën sistemin komunis.” (“Dielli”, 30 dhjetor 1953).

1954 –1955  Në janar të vitit 1954, “Dielli” e fillon fushatën kundër regjimit komunist të Tiranës me një kryeartikull, që vetëm një njeri si Qerim Panariti mund ta shkruante. Ja titulli: “Shqipëria sot e ka surratin të shëmtuar”. Dhe vijon: “Në qoftë se Shqipëria ka bërë përparime nën regjimin e sotëm, përparimet duhet t’i shikojmë që t’i besojmë; përndryshe na hyn dyshimi. Një çupë e bukur nuk duhat ta mbuloj surratin; duhet të dalë jashtë me surrat hapur që t’a admiroj bota bukurinë e sajë. Përndryshe bota ka të drejtë të besoj se surrati i çupës është tepër i shemtuar. Po të jenë të vërteta ato që shkruan shtypi i Shqipërisë mbi zhvillimet e vendit që pas  mbarimit të luftës e gjer më sot, s’ka përse të mbajë një Shqipëri të mbuluar si gratë…” (“Dielli”, 20 janar 1954).

Viti 1955 për “Diellin” dhe Qerim Panaritin ishte një vit më i lehtë për arsye se forcat politike nacionaliste në mërgim kishin përqëndruar veprimtarinë rreth problemeve të Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, i cili ndodhej në shpërbërje e sipër. Kulmi i luftës së ftohtë ishte në rënie, ashtu siç ishin në zbutje e sipër edhe qarqet e ashpra antikomuniste të qeverisë amerikane. Në të vërtetë, “Vatra” kishte filluar të ndryshonte qëndrimin ndaj regjimit komunist të Tiranës, dy vjet me parë.

Në fillim të marsit, presidenti Eisenhower lajmon Kryqin e Kuq Shqiptar me anë të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar se Amerika dëshiron t’i vijë në ndihmë popullit shqiptar dhe, për këtë qëllim, vë në dispozicion të tij 850.000 dollarë, të dhëna në ushqime. Gjithashtu, Presidenti amerikan merr përsipër shpenzimet e dërgimit të ushqimeve nga Amerika në portet e Shqipërisë.

Për këtë gjest humanitar dhe dashamirës ndaj popullit shqiptar, Noli i drejton presidentit Eisenhower këtë telegram: “Në emër të Kishës Orthodhokse Shqiptare në Amerikë, dëshiroj t’ju falënderoj për ushqimet që bujarisht i dhuroni popullit shqiptar që vuan nga uria (stop). Kjo dhuratë do të çmohet thellësisht prej gjithë shqiptarëve të cilët dinë se Amerika kristiane dhe paqedashëse ka qenë dhe është shteti mik më i mirë i tyre”.

Peshkop Fan Noli 816 NW Third Ave, Ft Launderdale, Florida. (Shqipëria, 31 mars 1955).

Ndërkaq, Qerim Panariti i dërgon Presidentit telegramin që vijon: “Lutem më lejoni të parashtroj në emër të popullit shqiptar falënderimet zemrore për sendet ushqimore që bujarisht i keni ofruar për të lehtësuar vuajtjet e tij (stop). Ky gjest njerëzor kundrejt Shqipërisë do të shtojë edhe më tepër miqësinë tradicionale midis popullit Amerikan dhe popullit Shqiptar (stop). Shqiptarët nuk kanë harruar dhe nuk do të harrojnë kurrë përpjekjet fisnike të presidentit Wilson në Kongresin e Paqes në Versaj, në mbarim të luftës së parë botërore për të shpëtuar Shqipërinë nga një coptim midis fqinjëve të saj (stop).” (Shqipëria, 31 mars 1955).

Qerim Panariti, Sekretar Ekzekutiv i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, 30 Huntington Ave, Room 605 Boston Mass.

Dy-tri ditë më vonë, qeveria komuniste e Tiranës refuzon me përbuzje dhuratën e presidentit Eisenhower. Gazeta “Dielli” shënon këtë reagim: “S’na merrte mendja që Tirana të refuzonte ndihmën bujare të popullit Amerikan, ndonëse një marrëzi të tillë duhej ta prisnim nga një mentalitet i sëmur. Këtë refuzim mund ta përshkruajmë me fjalët e Ungjillit: Ndjeji o Zot, se s’dijnë se ç’bëjnë. Marrim këtë rast hidhërimi ti kërkojmë ndjesë me përunjësi popullit amerikan dhe presidentit Eisenhower për këtë turp tragjik që bëri Tirana këtë herë përmbi stommakun e zbrazët të popullit shqiptar”. (“Dielli”, 9 mars 1955).

Ndërkaq, Noli me një lloj zemrimi të veçantë shprehet: “Ore, lëre se nuk qenkan politikanë, këta nuk qenkan njerëz”. (Vasil Alarupi, “Fletë kujtimesh”).

Refuzimi i ndihmave humanitare bëri bujo në shtypin amerikan. Gazetat më të njohura si “The New York Times”, “The Washington Post”, “Boston Globe”, etj., kritikojnë regjimin e Tiranës dhe vënë në dukje se populli shqiptar nën regjimin komunist kalonte krizën e urisë së zezë në Shqipëri.

Me datën 3 gusht 1955, “Dielli” kritikon përsëri regjimin komunist të Tiranës me një artikull redaksional, duke theksuar se mbyllja e dyerve, izolimi i Shqipërisë ndaj Perëndimit dhe mos lejimi i shqiptarëve të Amerikës për të vizituar Shqipërinë hedh poshtë pohimet e regjimit komunist për demokraci, shtyp të lirë dhe përparim. Në numrat e pastajmë të “Diellit”, është fjala për deri në fund të vitit 1955, kritikat e kësaj natyre thellohen gradualisht, por në të njëjtën kohë, Panariti, herë pas here, sjell edhe ndonjë artikull në favor.

30 vjet më parë, me rastin e 60-vjetorit të “Diellit”, Hasan Dosti, ish-kryetar Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, të cilin vite më parë “Dielli” e kishte kritikuar pa mëshirë, vjen në këtë përfundim të urtë: “Veprimtaria e organizatës Vatra dhe lënda e botuar në të gjitha faqet e shtyllat e Diellit, kanë qenë ndjekur e po ndiqen me interes, jo vetëm prej shqiptarëve, por edhe prej shumë qarqesh të huaja. Në disa prej këtyre qarqeve lënda e Diellit ka qenë interpretuar, komentuar, dhe duhet të pranojmë, dhe shfrytëzuar qëllimisht e metodikisht në dëmin e prestigjit të Vatrës e të organit të saj.” (“Seminari Ndërkombëtar i Federatës Panshqiptare Vatra”, 1969, F.192).

Këtu përfundon zhvillimi kronologjik 10-vjeçar (1945-1955) i qëndrimit politik të “Diellit”, i paraqitur në vijat më të shkurtëra. Kjo periudhë meriton një studim të hollësishëm. Për këtë periudhë nuk mund të shkruhet objektivisht pa analizuar raportet e Ministrisë së Jashtme amerikane dhe rezolutat e botuara në Rekordet e Kongresit Amerikan (Congressionnal Reports).

Gjatë 10-vjeçarit në fjalë, në faqet e “Diellit” nuk botohet asnjë shkrim mbi vuajtjet, vrasjet e persekutimet e ushtruara mbi popullin shqiptar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Prej fillimit të vitit 1945 deri nga fundi i vitit 1499, gazeta “Dielli” mbron pa asnjë kritikë regjimin e Tiranës. Riboton nga shtypi komunist i Tiranës materiale pa komente as vërejtje, duke përfshirë edhe lëndë propagandistike kundër qeverisë amerikane.

Në vitet 49- 55, “Dielli” bën ndryshim gradual. Kritikon lehtë regjimin e Tiranës dhe nuk heq dorë nga kërkesa për përmirësimin e marrëdhënieve midis Washingtonit dhe Tiranës. Kërkon që regjimi komunist të lejojë shqiptarët e Amerikës të vizitojnë Shqipërinë.

Për këto dy kërkesa këmbëngulëse dhe për zbutje të qëndrimit kritik ndaj qeverisë amerikane, shtypi komunist i Shqipërisë e shpall Panaritin tradhtar dhe fillon kritikat e ashpra kundra tij.

Përkrahja e regjimit të Tiranës nga një organizatë me prestigj si “Vatra”, duke pasur Nolin për kryetar nderi, shkonte drejtpërdrejt kundër interesave politike të qeverisë amerikane. Le të mos harrojmë se ishte 10-vjeçari i kulmit të luftës antikomuniste. Lufta e përgjakshme e Koresë, rënia e Kinës nën regjimin komunist, kërcënimet e Stalinit dhe pasardhësve të tij për përhapjen me dhunë të komunizmit në territoret e botës së lirë e kishin detyruar qeverinë amerikane të mirrte masa serioze edhe për sigurimin e brendshëm kombëtar nga ndikimi komunist.

Gjatë atyre 10-viteve, “Dielli” dhe “Vatra” i bënë sfidë lëvizjes nacionaliste shqiptare në botën e lirë dhe qeverisë amerikane, e cila e përkrahte këtë lëvizje në të gjitha drejtimet.

“Dielli” e ndryshoi qëndrimin politik ndaj Washingtonit dhe Tiranës nga trysnia e fortë e lëvizjes nacionaliste shqiptare dhe nga qarqet diplomatike amerikane.

Panariti dhe Noli në vitet 45 –55

            Tani dy fjalë për Panaritin dhe Nolin gjatë asaj periudhe 10-vjeçare. E sjell Panaritin para Nolit, për arsye se ai ishte editori i “Diellit” dhe Sekretari Ekzekutiv i “Vatrës” dhe mori përsipër të gjitha të sharat dhe këcënimet mbi supe. Them i mori përsipër, sepse atij ju drejtuan dhe, derisa vdiq, nacionalistët në mërgim dhe komunistët në Shqipëri nuk e ndaluan fushatën kundër tij.

Ata e quajtën Qerimin komunist, prokomunist, faqe me nderë, liberal, sahanlëpirës, etj. Ai i quajti kundërshtarët e tij fashistë, tradhtarë, tiranë, hajdutë, bejlerë, gjakpirës dhe armiq të kombit. Le të mos çuditemi për këto shprehje. Me shprehje të tilla është ushqyer publicistika jonë dhe ende po ushqehet.

Panariti ishte gazetar profesionist, shkruante lehtë dhe kishte elasticitet në shkrime. Ishte njeri me mendësi liberale ammerikane. Kishte karierë në polemikën e tipit shqiptar. Sipas Petro Kolonjës dhe Faik Konicës, Qerimi i kishte qitë problem në polemikë. Konica kishte thënë për të: “Po ra Qerimi në burg, do të punoj tërë jetën për ta mbajtur brenda.” Noli i kishte thënë Faikut duke qeshur: “Po ra Qerimi në burg, unë shes kishën dhe e nxjerr nga burgu.”

Noli e quante Qerimin “babaxhan”. Atë e kishte krahun e dajthtë. Për këtë “babaxhani” ishte i vetëdijshëm aq sa ishte i vetëdijshëm se ishte lidhur për një kolos të pavdekshëm dhe të paprekshëm si Noli. Prandej, të sharat dhe kërcënimet, që i mori nga komunistët, nacionalistët apo qarqet amerikane, nuk e mërzitën shumë. Ai sot rron si dishepull i Nolit.

Tani kthehemi tek peshkop Noli. Ai e përkrahu një qeveri si atë të Enver Hoxhës, për t’i siguruar Shqipërisë praninë e shtetit të pavarur në gjirin e OKB-së. Këtë e bëri nga frika e paqartësisë politike perëndimore ndaj Shqipërisë. Nuk duhet të harrojmë se Kisha Ortodokse e Nolit, “Dielli” dhe “Vatra” janë krijuar si reagim ndaj kërcënimit të zhdukjes së Shqipërisë. Frika e zhdukjes së Shqipërisë nga fqinjët tonë, Kishën tonë Ortodokse, “Diellin” dhe “Vatrën” i mban edhe sot në ankth.

Gjatë asaj periudhe, Nolit i bëhen disa ftesa për të vizituar Shqipërinë. Asnjërën prej tyre nuk e pranoi. Ata që e njohën Nolin pohojnë se, si gjithmonë, ai ishte i qetë dhe nuk i mungoi humori e sarkazma gjatë atyre viteve. Sipas Vasil Alarupit, Noli thonte duke qeshur: “Qerimi na futi në luftë me shtatë kralat dhe mbretin. Qerimi duhet të shpallë armëpushimin.” Ndoshta me fjalën “shtatë krala”, Noli u referohej shtatë partive politike shqiptare dhe Komitetit Shqiptar Shqipëria e Lirë. Në atë kohë ishin tre fraksione të Ballit, Bloku, Katundarja dhe KKSHL.

Shtypi nacionalist i asaj kohe e quajti Nolin: peshkopi komunist, prokomunist dhe komunist. Ai ishte mësuar me këto relike qysh në vitet ’20 e ’30.

Noli arriti t’i shihte kundërshtarët e tij politikë të dërmuar nga komunizmi. Deri më sot nuk kam gjetur asnjë shkrim, qoftë edhe një fjali, që të shprehë keqardhje për goditjen që morën ata nga komunizmi. Ndoshta është gabim për të kërkuar një gjë të tillë. Sado i madh që ishte, Noli ishte shqiptar dhe nuk i harronte lehtë kundërshtarët e tij politikë. Ndërkaq, keqardhjen e Nolit për katandisjen e popullit shqiptar nën regjimin komunist e gjejmë shpesh në ato që mund të quhen shprehje noliane. Këtu po sjell dy prej tyre: “Shqiptarët dëshirojnë të bëhen luftra të mëdha sa më shpesh me qëllim që të dalin fitues në njërën prej tyre…” dhe “Duke ruajtur pavarësinë kombëtare popullit shqiptar i vijnë ditë më të mira…” (Letër e Nolit dërguar Nelo Drizarit, më 1961).

Fërkimet politike të Nolit me nacionalistët shqiptarë gjatë 10-vjeçarit të përmendur më lart, ngjasin shumë me fërkimet e tij politike, që pati me Konicën. Kur ishte puna e Shqipërisë, ai pajtohej me të sepse besonte në patriotizmin e tij. Në vitet e fundit të jetës së vet, Noli shkëmben urime për Krishtlindje dhe festa të tjera fetare dhe kombëtare me Baba Rexhepin, Tajar Zavalanin dhe Rexhep Krasniqin. Ai shkëmben mendime letrare me Arshi Pipën, Vasil Alarupin dhe Nexhat Peshkëpinë. Me këto gjeste, Noli lë si trashëgim vëllazërimin kombëtar dhe lartësimin e njeriut shqiptar mbi çështjet politike.

Unë besoj se në këtë mënyrë do të shikohet Noli edhe kur të kremtohet 180-vjetori i “Diellit” të shqiptarëve të Amerikës.

* Kumtesë e mbajtur në seminarin kushtuar 90- vjetorit të “Diellit”, në New York, më 30 tetor 1999

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 1945-1955, Idriz Lamaj, shfletime te Diellit

THIMI THOMA KREJI – NJË VEPRIMTAR I RILINDJES KOMBËTARE NGA KRUSHEVA

January 16, 2014 by dgreca

Nga Avzi Mustafa/

 Thimi Kreji, sipas disa shënimeve, thuhet se ka lindur rreth vitit 1842 në Krushevë të R. së Maqedonisë së sotme. Me shpërnguljen e vllehve të Gramozit dhe të Voskopojës në fund të shekullit VIII dhe në fillim të shekullit XIX, këtu vendoset edhe një pjesë e madhe e shqiptarëve nga Shqipëria e Jugut. Supozohet se kjo familje ka ardhur nga rrethi i Gjirokastrës. Shumica e të shpërngulurve vllahë ishin të detyruar për arsye politike, ndërsa shqiptarët për arsye ekonomike. Varfëria e vendeve malore, si dhe shtypja dhe shfrytëzimi i pamëshirë i administratës osmane, kërkonte ndërrimin e vendbanimit për kushte më të mira jetese. Kështu shpërngulja ishte edhe një ikje nga pronat e pronarëve, që ata të mund të merren me zejtari dhe tregti ose te gjejnë një “tokë pazot”.

Në Krushevë ose, siç i thonë vendasit, Krushovë, mërgimet bëheshin grupe-grupe nga koha në kohë. Prandaj ky qytet është formuar mbi ndarjet familjare dhe etnike. Kështu Krushevën e përbëjnë 12 mëhallë: mëhalla e vllehve, mëhalla Arbinesh (e Shqiptarëve), mëhalla e mijakëve të ardhur nga Reka e Dibrës, mëhalla e Gjipëve (mëhalla rome), si dhe mëhallët sipas familjarëve: e Strungës, e Bushës, e Matakëve, Koku etj.

Çdo mëhallë e kishte qendrën e vet, ndërsa në qendër të mëhallëve ekzistonin dyqane, furra, si dhe zejtaritë të ndryshme. Në mëhallën e mijakëve ekzistonte edhe një kishë. Po në këtë qytet ekzistonte edhe një shkollë meshkujsh dhe një shkollë femrash.

Mesha në kishën e mijakëve mbahej në gjuhën shqipe, por pas vitit 1821, kur Greqia e shtoi zgjerimin e kufijve dhe krijoi të ashtuquajturën “Megali-Idea”, ajo i përdori të gjitha mjetet e mundshme që ta identifikonte fenë me kombësinë. Kështu të gjithë ortodoksët, pra edhe shqiptarët ortodoksë, i llogariste grekë. Kjo bëhej me qëllim të caktuar dhe në vende ku jetonte popullatë ortodokse e etnive tjera. Kisha, nëpërmjet klerit, bënte propagandë, por përdorte edhe mjete të tjera për helenizimin e popullatës ndaj etnive jogreke. Këtë e shohim edhe në rastin e mitropolitit për Ohër e Prespë, ku bënte pjesë edhe Krusheva. Ndonëse mitropoliti grek i kësaj eparhie selinë e kishte në Ohër, ai e transferon atë në Krushevë vetëm e vetëm që ta ndalojë të mos dëgjohet aty gjuha shqipe ose arumune. Ky metropolit i kishte thënë popullit të Krushevës: “Gjuha arumune dhe gjuha shqipe janë mallkuar dhe aforisuar nga të gjithë të shenjtit, por edhe nga vetë Zoti dhe se vetëm gjuha greke është gjuha e dashur e Zotit”.

Thimi Krej ndoqi shkollën e meshkujve në vendlindje. Aty mësimi zhvillohej në gjuhën greke. Familja e tij ishin zejtarë – me kohë e kishte ushtruar zanatin e ngjyrosjes së flokje dhe merreshin me shitjen e tyre. Thimin, krahas shkollës, e dërguan edhe në zanatin e terziut te një mijak. Dukë punuar në dyqanin e terziut, edhe pse ishte i ri, Thimi me vëmendje dëgjonte gjithçka mbi shqetësimet e ndryshme që rëndonin mbi jetën e këtyre banorëve, si dhe kërkimin e zgjidhjeve për të ardhmen. Megjithëse nuk dihet se ku e ka mbaruar shkollën e mesme në gjuhën greke, në bazë të informacioneve të mbledhura nga njerëz të ndryshëm të këtij qyteti, përshtypje më lë plaku 92-vjeçar Nako me një memorie të çuditshme, i cili pohon se të “tonit” kanë mësuar “gërkisht”, ngase kisha i dërgonte nëpër shkolla të gërkishtës. Në fakt, të gjithë ortodoksit, pra edhe shqiptarët e këtij konfesioni, për arsye fetare mësonin greqisht, sepse mësimi në këtë gjuhë llogaritej si cilësi e një kulture të lartë, duke anashkaluar gjuhën shqipe dhe duke mos lejuar shkolla në gjuhë amtare. Por, kur diskutojmë për familjen e Krejit, plaku Naku thekson se nuk ka dijeni për këtë personalitet, sepse shpeshherë pushtuesit na kanë djegur e plaçkitur, por thotë se “ne (duke përfshirë edhe shqiptarët – A.M.) jemi marrë me tregti dhe se neve na quanin grekë me kuptimin tregtarë”. Disa familjarë nguliteshin në ato vende, ku punonin edhe me familje. Gjithashtu plaku 90-vjeçar rrëfen me ofshamë se “neve na kanë shitë bullgarët te osmanlinjtë”. “Shumë familje vllahe e shqiptare pësuan gjatë kryengritjes së Ilindenit, ndërsa disa u shpërngulën brenda qyteteve të tjera”. Prandaj, thotë xha Nakoja, edhe Tomajt mund të kenë ikur. “Tomaj ka në Kërçovë, Manastirë, Shkup.. Bisedën e mbyllë duke thëne “se kemi qenë të detyruar disa herë edhe llagapet t’i ndërrojmë. Të tonit punonin kudo, edhe në Egjipt, edhe në Stamboll, edhe në Selanik, Bukuresht e gjetiu”.

Kushtet, rrethanat dhe motivet ekonomike-shoqërore e psikologjike ishin faktorët kryesorë që shumë shqiptarë të kërkojnë fatin e tyre nëpër vendet e botës. Kjo gjendje tepër e vështirë e detyron edhe Thimi Krejin të marrë rrugën e mërgimit. Ai një herë mendoi të shkojë në Bukuresht ose në Sofje, sepse atje kishte shumë ortodoks që punonin, por në kohën kur ai përgatitej të largohet nga vendlindja me të madhe flitej për Egjiptin si një vend ku mund të gjendet punë.

Mërgimet në Egjipt janë ato që lidhen me luftën që beri Turqia kundër mamlukëve dhe me vendosjen ne krye të qeverisjes së shqiptarit Memhmet Ali Pasha. Egjiptit ndodhej në zhvillim e sipër dhe atij vendi i duheshin punëtorë të profesioneve të ndryshme. Shumica e shqiptarëve që kishin shkuar atje si ushtarakë, kishin mbetur edhe pas luftës. Prej tyre shumica e shqiptarëve ishin vendosur në qytete të ndryshme, si: Kajro, Aleksandri, Benisuef, Shibin El Kom, Mansuri, Fishnje, Mamflutë, Bibe, Vostë etj. Një pjesë e shqiptarëve kishin mërguar në Egjipt edhe për shkaqe ekonomike, ashtu që shumica e shqiptarëve, përveç punëve nëpër karakollë, punonin edhe punë të ndryshme të zanateve e të tregtisë. Shqiptarët që jetonin në Egjipt, sipas P. Kabue-së, ishin afër 30 mijë.

Si te shumica e shqiptarëve në vendet tjera, edhe në Egjipt ata rronin së bashku dhe në ditët e festave ose kohët e lira ose me ndonjë rast të veçantë, në shtëpitë e banimit ose në hanet e ndryshme gjëmonte kënga dhe vallja shqiptare. Këtë më së miri e përshkruan Spiro Dine, i cili thotë: “Karakollët e Kajros qenë plot gegë e toskë, këngët e vallet nuk reshtin, buzuku, tamburaja e bakllamaja buçitnin në katër anët… na dukej sikur gjendeshim në Shqipëri”.

            Thimi Kreji në vitin 1860 nga porti i Selanikut udhëton për në Egjipt dhe bashkë me një shok vendoset në qytetin Shibin El Kom. Me t’u vendosur aty, për Thimin do të fillojë një jetë të re. Ai shumë shpejt do të bie në kontakt me bashkatdhetarë të viseve të ndryshme të Shqipërisë. Pasi siguron një vend pune, duke iu falënderuar njohjes së gjuhës frënge, pas orarit të punës shkonte në klube e vende ku tuboheshin shqiptarët. Meqë mërgimi ngjallë dashurinë me të madhe ndaj atdheut, ai me inteligjencën e dhuruar nga Zoti nuk mund të mos inkuadrohej në biseda patriotike. Siç duket, ai si intelektual, gjatë studimeve, kishte njohuri nga historia, e njihte mirë gjuhën greke, vllahe, bullgare, turke dhe gjuhën frënge. Ndërkaq tani ai do të interesohet për gjuhën shqipe, për letërsinë shqipe, për lashtësinë e shqiptarëve, për trashëgiminë kulturore etj. Ai lexonte çdo gjë që i binte në dorë. Si njeri që nuk përtonte të kontaktonte me secilin dhe i dashur që ishte, që shihet edhe nga korrespondenca e tij me shumë intelektualë e patriotë të kohës, ai do të inkuadrohet me tërë qenien e tij në jetën kulturore dhe në lëvizjen patriotike.

Në fillim shqiptarët e Misirit e kishin vështirë të mendonin dhe të vepronin në mënyrë të organizuar në lëvizjen kombëtare. Prandaj ishte e nevojshme që shqiptarët e Misirit të krijojnë një vatër ku do të tuboheshin gjithë shqiptarët e Misirit, ashtu siç vepronin shqiptarët në Bukureshtit e të Sofjes. Siç dihet, shqiptarët e Misirit në fillim u organizuan si një degë e Shoqërisë së Stambollit, e quajtur “Shoqëri e të shtypurit shkronja shqip”, e cila u krijua në Aleksandri me ndihmën e Jani Vretos, por kjo pati një jetë të shkurtër.

Thimi Kreji, bashkë me Thimi Mitkon dhe të përkrahur edhe nga patriotë të tjerë, u angazhuan të formojnë një shoqëri me emrin “Bashkimi i vërtetë i atdhetarëve shqiptarë”, që do të kishte organin “Besa”. Kjo shoqëri zgjodhi motom “Bashkimi bënë fuqinë”.        Në maj të vitit 1882 në Egjipt formohet shoqëria e përkrahur nga të gjithë të mërguarit kudo që jetonin në Egjipt, që do të quhet “Vëllazëria Shqiptare”, e cila për qëllim kryesor do të ketë ruajtjen e gjuhës dhe të traditave kombëtare shqiptare. Aty Thimi Kreji do të zgjidhet sekretar i kryesisë së Shoqërisë për Shibin el Kom.

Anëtarët e Shoqërisë me vëmendje po i ndiqnin ngjarjet e viteve 1878-1881, kur propagandat e huaja shoviniste, sidomos ajo greke ushtronin veprimtarinë e tyre grabitqare. Anëtarët e Shoqërisë haptazi iu kundërvunë këtyre qëllimeve grabitqare dhe asimiluese nëpërmjet polemikave të botuara në shtypin kombëtar, si “Shqipëria”, “Toska”, “Spata”, “Pellazgu” etj.

Gjuha shqipe për shqiptarët e Egjiptit ishte një ndër çështjet më të mëdha që mund ta ruante kombin tonë. Por, siç dihet, ende nuk kishte gjetur zgjidhje alfabeti i përbashkët i gjuhës shqipe. Prandaj atdhetarët tanë në Egjipt nuk kursenim as mund e as djersë për të gjetur format më të ndryshmet që të organizojnë lëvizjen arsimore dhe kulturore, si në mërgim, ashtu edhe në Shqipëri. Në një letër që mban datën e 17 majtit 1877 Thimi Mitko i shkruan kështu Thimi Krejit: “Për sa i përket qytetërimit të Shqipërisë së prapambetur do të ishte një vepër me më shumë sukses ngritja në Egjipt e një tipografie për të shtypur vazhdimisht libra dhe një gazetë”. Po ashtu nëpërmjet të shoqërisë shqiptare që do të “përhapte diturinë do të mundësohej që të hapen një ose dy shkolla shqipe në qendër të Shqipërisë”.

Thimi Kreji do të futet në problemet e kohës dhe do t’i zgjerojë lidhjet e veta me shumë atdhetarë, si në Misir si me Jani Vruhon, Milo Duçin, Çajupin, L. Lligorin,Th. Tashko, Th. Manon, V. Vithkuqarin, S. Dinen, Th. Mitkon, Jani Vreton etj., por edhe me patriotë të tjerë të kolonive të tjera shqiptare. Ai nuk do të shkëputet nga forcat përparimtare. Si njeri me një intelekt të çuditshëm, ai do të inkuadrohet në çështjet rreth alfabetit. Derisa të gjendej një zgjedhje përfundimtare, dominonte mendimi që “toskët ta shkruajnë shqipen me germa helene, kurse gegët me ato latine”, por intelektualet shqiptarë, si ato të Stambollit, Bukureshtit e Sofjes, po përgatitin variante të ndryshme të alfabeteve. Një variant që e kishte përgatitur Jani Vretoja kishte kërkuar mbështetje edhe nga patriotët e Misirit. Ai ia dërgon këtë variant pikërisht Thimi Krejit në Shibin el Kom që ai ta propagandojë atë. Kështu këtë variant të alfabetit e përkrahin edhe Thimi Kreji, Thimi Brandi, Sipro Dine etj. Kështu, të kënaqur për punën e Vretos, këtë alfabet e quajtën atë si një sistem shkronjës, si një alfabet shumë i përshtatshëm. Kreji, i bindur se ky ishte një alfabet origjinal i bërë nga një intelektual i formuar si Jani Vereto, në vitin 1877 do të angazhohet të shkruajë edhe një traktat mbi alfabetin shqip. Me aprovimin e këtij varianti ai do të hapë polemikë të ashpër sidomos me shqiptarët në Benisuef, të cilët udhëhiqeshin nga Thimi Mitko, sepse nga ata nuk u pranua ky variant i alfabeti të Vretos, siç ndodhi edhe në mesin e shqiptarëve të tjerë të Misirit dhe të patriotëve në kolonitë tjera .Me gjithë kundërshtimet, ai nuk e humbi miqësinë me patriotët e tjerë shqiptarë. Këtë e vërejmë në letrën e Thimi Mitkos dërguar Thimi Krejit më 12.7. 1878, ku ai shkruan: “Thash dhe kuvendova. Papo secili të ketë idhenë e vet. Idherat e njërëzëve janë të respektueshme”.

Në vitin 1878 Jani Vretoja përsëri do të ofrojë një variant tjetër me 8-9 ndryshime, ndërsa Thimi Kreji, edhe pse është përkrahës i projekt-stautit të Kanonizës së vitit 1878, ai nuk është kundër një alfabeti të përbashkët kombëtar, i cili do të përkrahet nga të gjithë. Edhe ky variant i alfabetit të Vretos nuk do të gjejë popullarizim dhe do të kritikohet nga atdhetarët e tjerë, ndërsa Kreji përsëri do të arsyetojë këtë variant të alfabetit të Vretos. “Ai (Vretoja) është pjesëmarrës në Mbledhjen e Stambollit, ku do ta paraqesë një variant të vetin, duke dhënë edhe këtë sqarim: “Këtë alfabet e ka dërguar tek ne i lartpërmenduri Jani Vreto, me qëllim thjeshtë që të na kallëzojë vështirësitë e këtij alfabeti”.

Studiuesit e ndryshëm nuk kanë njohuri se me cilin variant u paraqit Vretoja në Mbledhjen e Stambollit, por krahas supozimeve të ndryshme, më i bindshmi është ai i shkencëtarit Alfret Uçi, i cili mbështetet në fjalët e Thimi Krejit, i cili shkruan: “Në mbledhje janë paraqitur disa alfabete: grek, latin dhe arab. Më në fund ranë dakord se secili të mendojë e të parashtrojë projektin e vet. Jani Vretoja në Mbledhje i prezanton të tre variantet e alfabetit vet”. Megjithatë, ndryshimet që u bënë në vitin 1879 janë pikërisht të Vretos, ngase u morën gati 20 shkronja nga ai (nga të tria variantet) dhe të atij të Stambollit.

Prandaj Kongresi i Manastirit në nëntor të vitit 1908 për një alfabet të përbashkët shqip nuk është punë rasti, por është një punë e vazhdueshme gjatë gjithë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Thimi Kreji ishte i pasionuar ndaj leximit, shkruante edhe vetë, por mbi të gjitha atë e karakterizonte oratoria dhe zgjedhja e fjalorit. Kryeneçësinë nuk e adhuronte, ishte tolerant, por vendimet i merrte vetë. Këtë Ai tërë jetën e vet, me energjinë dhe entuziazmin që kishte, punoi për të qenë një shëmbëlltyrë e vërtetë morale dhe fizike. Gëzohej shumë kur dikush botonte ose shkruante në periodikun e kohës. Daljen e librit të Thimi Mitkos “Bleta shqyptare” ai e priti me dashuri të veçantë, madje në letrën që i dërgon autorit të veprës menjëherë pas botimi ai do të shprehet kështu: “Shumë kënaqemi duke kënduar zakonet e vendeve tona, të cilat po thuaj se i kemi humbur”.

Thimi Kreji, krahas veprimtarisë iluministe, na paraqitet edhe si një figurë që trajton personalitete historike dhe si një frymëzues me poezitë e tij, që janë parulla kushtrimi për çlirim, janë mësime moralizuese, shprehen kundër fanatizmit fetar, kundër gjakmarrjes etj.

Pas largimit të tij nga vendlindja, ai do të kthehet aty në vitin 1864 dhe do të bëjë një vizitë jo vetëm në Krushevë, por edhe Korçës, Kavallë, Manastirit e Janinës. Aty do ta shohë gjendje shumë të rënduar të popullit të molisur nga taksat, grabitjet, vëllavrasjet, ndasitë fetare, injoranca etj. Kjo gjendje do ta mundojë shumë gjatë dhe kurrë nuk do t’i hiqet nga mendja. Madje, ndoshta nga kjo arsye, ai do të fillojë të botojë vjersha me frymë atdhetare Kështu në vitin 1888 do ta shkruajë vjershën me titull “Shqipëria”, ku do të lëshojë kushtrimin ashtu siç kishte bërë Vaso Pashë Shkodrani.

 

“O zot im, Perëndi,

shtjer syt’e tu, shikomë ti!

Përse më le të shkretë sot,

e mjera vdes dhe s’duroi dot.

O mëmëzë e dashurë,

ç’na je kështu se ç’pate ti?

Përse na je helmuarë?

Përse qan e na mban zi?”

Gjendja në të cilën gjendej Shqipëria, e lidhi Krejinme realitetin jetësor. Gjakmarrja dhe ndasitë fetare i shprehin shqetësimet dhe idealet e autorit. Vjersha me titull “Vret vëllai vëllanë”, po ashtu është një problem i madh që të huajt ua kishin mbjellë shqiptarëve, duke mbrojtur të fortit e kriminelët që gjenin mbështetje te pushteti i korruptuar. Ai habitet se si mundet një Shqipëri me një histori të trimërisë, tani e ndarë dhe e coptuar, tanimë nuk i ngjan aspak Shqipërisë së Skënderbeut. Shpëtimin e Shqipërisë Kreji e shihte vetëm në nëpërmes arsimit në gjuhën amtare, të bashkuar pa dallim feje e krahine dhe në besën e dhenë.

Krijimtaria e tij do të marrë frymëzime kryesisht edhe nga historia e lashtë e Shqiptarëve. Qëllimi i tij i madh është që, nëpërmjet frymëzimit nga heronjtë e Atdheut, të arrihet bashkimi i të gjithë shqiptarëve, ashtu siç ndodhi edhe në kohën e Skënderbeut. Prandaj, ai do t’i rreket përshtatjes nga gjuha greke në gjuhën shqipe të një historie të Skënderbeut me titull “Istoria e Gjergjit Kastriotit që u quaj Skënderbej, Princ i Shqipërisë” nga një autor i panjohur. Vepra është në dorëshkrim dhe gjendet në bibliotekën e Korçës.

Rreth shkrimit të kësaj historie ekziston edhe letra ndërmjet Thimi Mitkos dhe Krejit. Kreji më 17.05.1877 do t’i kërkojë Mitkos disa të dhëna lidhur me “sinoret” (kufijtë) e Shqipërisë. Në këtë Mitkoja i përgjigjet se ai posedon një kopje të një J. Pema në Zagazik të një “historie të Shqipërisë në gjuhën frënge… Ajo do t’u vlejë. Unë kam një kopje, por ajo është në gjuhën gjermane dhe nuk ju vlen”, por Mitkoja nuk e lë Krejin pa i dhënë disa shënime mbi kufijtë: “Mbë Veri Mali I Zi, Bosnja Serbija,M’anën e Diellit: Kaçaniku, Shkupi, Velesi, Përlepi, Manastiri (Dhiavati), Ohëri, Mali i Thatë, Gramozi, Konica, Zagori, Narta (Arta). Në jug është Deti Jonë, nga perendon Dielli, Adriatiku. Nahite Shqipënisë: Gegëria, Shkodra, Zadrima edhe Malësia, Miridita, Mati Daradania (Shkupi, Dibraçlart-poshtë edhe bregu i detit gjerë në Shkumbin e në Elbasan. Toskëria që nga Shkumbini (lum) gjer në lum të Viuosës, e përpjetë Korça e Kolonjë e Leskovik, Arbëria që në Viosë e gjer në Delvinë e Gjirokastër (Kaonët), Çamëria, nga Delvina gjer në Nartë (Thesprotia dhe në krahinën e Sulit edhe Mollosia e përpjetë gjer në Janinë. Ndarjen e Shqipërisë së Sipërme nuk e njoh…”. Kjo do të thotë se Historia e Skënderbeut nuk është thjesht një përkthim.

Thimi Kreji me vëmendje do t’i ndjekë të gjitha ngjarjet që ndodhin mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Atij i dhimbset shpirti vetëmohues luftarak i shqiptarëve. Ai kurrë nuk do të kënaqet me atë që i ndodhte Shqipërisë nga fuqitë e mëdha. Ai ushqente edhe më tej shpresë, edhe pse ishte në moshë të thyer, se përsëri shqiptarët duhet të organizohen si më pare për ta ndihmuar shtetin shqiptar dhe shqiptarët e Misirit. Në vitin 1930 Thoma Kreji përsëri në Kajro do ta themeloi një tjetër shoqatë me emrin “Tomorri” me qëllim që të botojë edhe një gazetë me këtë emër. Mirëpo, kjo mbetet vetëm iniciativë, sepse ai më vitin 1931 ndërroi jetë.

Veprimtaria patriotike e Thimi Krejit, me punën e tij vetëmohuese, mbetet një shembull i përpjekjes së një shqiptari nga Krusheva për koloninë shqiptare të Misirit për Shqipërinë dhe shqiptarët. Edhe pse figura e tij nuk është i ndriçuar thuajse aspak, roli i tij është i madh dhe radhitet ndër personalitetet që punoi shumë për zgjimin kulturor, arsimor dhe politik të shqiptarëve në mërgim, duke u radhitur ndër figurat më të merituara të Rilindjes Kombëtare.

Filed Under: Histori Tagged With: Avzi Mustafa, Thimi toma Kreji

JUSUF E BARDHOSH GËRVALLA ME KADRI ZEKËN EMRA QË NDEROJNE HISTORINË KOMBËTARE

January 14, 2014 by dgreca

Shkruan:Shaban Cakolli/

Jusuf e Bardhosh  Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin bërthama e çështjes sonë kombëtare,nderi ,dhimbja dhe krenaria shqiptare.Ata ishin burra të cilët arritën unifikimin e mërgatës shqiptare,përpjekësit e angazhuar me tërë qenien në internacionalizimin e çështjes shqiptare në Evropë dhe botë.Trima të cilët i njohi dhe i bëri të pandashëm çështja madhore kombëtare.Asnjëherë nuk i ndau as lodhja,as veprimtaria e pashembullt,as vapa,as acari,ashtu si nuk mund i ndau as breshëria e plumbave të pushtuesit sllav.Ata ishin themelues së  Lëvizjes  Kombëtare për  çlirimin e vendit.Ishin strategët më të stërvitur për themelimin e platformës më të qartë kombëtare.Vizioni i tyre ishte të i bashkojnë gjithë shqiptarët,pa dallim feje,krahine apo gjinie.Vizioni i tyre në të folur e shkruar gjëthnjë ka pasur parasyshë edhe opcionin e çlirimit të  Kosovës nga okupatori,pa përjashtuar edhe rezistencën e armatosur,kur pushtuesi nuk do të njihëte tjetër formë.Dalja e tyre në skenë në mërgatën shqiptare pati bërë jehonë të madhe.Ata ishin guximtarë të veprimeve kombëtare,edhe pse UDB-ja,sllave vepronte lirë në perendim dhe i përcillte kudo.Ata ishin edukuar në frymën jo vetëm të duan atdheun në të cilin u lindën dhe edukuan,por edhe të sakrifikojnë të e mbrojnë dhe shpëtojnë ate me çmimin më të lartë(gjakun)
Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri  Zeka,ishin pishtarë  të  lirisë  së Kosovës,pa veprimtarinë e të cilëve Kosova nuk do të kishte lirinë të cilën e gëzon sot.Ata vunë themelet e tyre  në këtë drejtim,duke kundërshtuar guximshëm pushtimin  sërb mbi  Kosovën,Një formë të ngjajshme kundërshtimi të pushtuesëve e patën nisë edhe studentet e Univerzitetit të Prishtinës në vitin 1981.
Gërvallajt dhe Kadri Zeka sakrifikuan çdo gjë për lirinë të cilën po e gëzojmë sot.Ata me veprimtarinë e tyre paralajmëruan  Sërbinë,ish-Jugosllavinë por edhe mbarë botën e civilizuar,se shqiptarët e Kosovës më kurrë nuk do të  lejojnë të jetojnë   nën tutellën serbo-sllave.Jusufi,Bardhoshi dhe Kadriu ishin simbole të qëndresës kombëtare,që burimin e kishin nga familje me tradita kombëtare patriotike.  organizon  likuidimin e tyre në mënyrën më barbare dhe tinzare duke organizuar mbi ta atentat klasik.Janaret për shqiptarët ishin janare të kobshme dhe të zeza ,ku mbi ta dora e zezë tinëzare likuidoj  shumë veprimtarë të shquar.Kështu ndodhi edhe më 17 janar 1982 në Untergrupenbach të Gjermanisë dora e zezë e pushtuesit i vrau tinëzisht Jusufin,BaDuhet të thuhet se  prej tyre më tepër shquhej Jusuf Gërvalla,dallohej për prirëjet dhe orientimet kombëtare në të gjitha fushat.Jusuf  Gërvalla ishte poet,këngëtar,publicist,veprimtar i devotshëm i  çështjes kombëtare,intelektual i guximshëm e luftarak për çlirimin e Kosovës,i cili veprimtarinë e vet atdhetare e zhvilloj në ilegalitet në  Kosovë dhe emigracion.Ishte në rrezik të arrestimit,por pasi i shpëton arrestimit,migron në  Gjermani,ku më parë jetonte dhe vepronte i vëllai Bardhi,ku e vazhdon me një intenzitet edhe më të shtuar veprimtarinë e tij patriotike për  çlirim e bashkim kombëtar.Në Gjermani arrinë të bashkojë faktorin shqiptar të emigracionit në një front të përbashkët kundër shtypjes,burgosjes,vrasjeve e shpërnguljes së shqiptarëve nga forcat sërbo-jugosllave.Ai së bashku me Bardhoshin,Kadri Zeken e disa  veprimtarë të dalluar,ishte në ballë të frontit të gjërë për sensibilitetin e opionit  botëror për çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në ish-Jugosllavi e Ballkan.Pushteti i atëhershëm serbo-jugosllav tek  Jusufi e shihte nyjen kyçe të organizimeve anti jugosllave,prandajrdhoshin  dhe Kadriun.Me 17 janar Kosovës iu trazua qielli,shqiptarëve iu trazuan zemrat,atë natë të zezë janari dëbora u skuq me pikat e gjakut të trimave tanë të lirisë,Agu i mëngjezit i gjeti pikat e gjakut të tyre të ngrira,por as acari as breshëritë e plumbave nuk mund i ndanë trimat.Ata ranë në altarin e lirisë për të shënuar pavdeksinë.Shembulli i Jusuf  Gërvallës,mbeti dhe mbetet i gjallë ndër intelektual të kohës moderne,si krijues dhe atdhetar i shquar për liri.Shqiptarët kishim të bënim  me një armik  të pacipë,i cili tinëzisht na i vriste trimat dhe nuk i linte të varroseshin në atdhe.Jusufi,Bardhoshi dhe Kadriu,ishin varrosur në Gjermani.Më kujtohen ato vite dhimbjesh,kur çdo përvjetor bënim homazhe tek varrezat e tyre.Sikur më dukej se u bënim dëm,sikur i shkilnim varrezat e tyre,e trupi i tyre nuk prehej pa i kthye eshtrat e tyre në  atdhe,për të cilin kishin rënë heroikisht.Tani fatbardhësisht ata janë në tokën e tyre,janë bërë dritë,diell e shkëndijë e lirisë dhe kombit.Edhe ne mërgimtarët pas tyre jemi mundue të bëjmë veprimtarinë kombëtare,po rrugën e kishim të trasuar nga ata,shtigjet i kishim më të hapura dhe krahërorët më të mbrojtur,si rezultat i veprimtarisë së tyre.Ashtu si Jusufi,ashtu nga prirëjet për orientim kombëtar dallohet  bija e saj Donika Jusuf  Gërvalla,në organizimet e veprimtarisë së tyre pata marrur pjesë dhe aty shihja ringjalljen e  Jusufit,nga se Donika ishte  veprimtare e paepur e çështjes kombëtare,ashtu si babai i saj  Jusufi,ishte e zëshme dhe zëdhënëse e cila veprimtarinë kombëtare e zhvilloj në Gjermani dhe zëri i saj i fuqishëm,i guximshëm e intelektual,internacionalizoi çështjen shqiptare nëpër Europë.Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe  Kadri Zeka,janë personalitetet më të çmuara të cilët u flijuan për çlirimin e Kosovës,Ata janë nderi,dhimbja dhe krenaria jonë,vetëm se ata nuk duhet të i përkujtojmë vetëm në përvjetorin e rënjes,duhet  të gjejmë forma më të shpeshta organizimesh për të i përkujtuar dhe nderuar këta pishtarë të lavdisë,qoftë në Kosovë e kudo në mërgatën shqiptare

Filed Under: Histori Tagged With: Jusuf e Bardhosh Gervalla, Kadri Zeka, Shaban Cakolli

Ç’KA E KE GJITHË KËTË DRITË,O SALI SHARI I HOTIT TË VENDIT?!

January 11, 2014 by dgreca

PAÇ KUJT IA LENË PUSHKËN!…/

Shkruan: Ramiz LUSHAJ/

Tungjatjeta, Sali Shar Ibra i vllaznisë Haxhaj të Hotit të Vendit, burrë me traditë, shpirt e kostum kombëtar, po sa hije simbolike po të ka pushka histori ndritur në duart e tua të gishtit e të lapsit.Nuk e di saktësisht se ku ke dalë në këtë foto: në shtetin ma demokratik të botës–në Amerikë, në “Hotin e Dytë” të mërgimit apo në shtetin tejet shovinist e pafundësisht kundërshqiptar në Malin e Zi, në Hotin e Vendit skej liqenit të Plavës, në të bekuaren vendlindje tande. Veçse dije: Jam ka ta njoh pushkën, o burrë i maleve të Hotit. Qebesa, kjo është pushka e trojeve të Shar Ibrës së Hotit. Pushkë e urtisë dhe e trimnisë. Ndër breza pushkë e krismave të ndershme e të jehonshme në emën të Zotit e të Hotit.

Më gëzo ajo pushkë e pafjetur, me fishekë në gojë, teksa e mban në prehnin tand o Sali Shari, teksa mbahet në shekuj në prehnin e kullës së Shar Ibrës, teksa jeton e ndriçon në prehnin e Hotit. Jetë e mote kanë këndue nanat në djepe e pleqnue burrat në kuvende: Paç kujt ia lenë Pushkën! Nuk është çështja me u përcjell si stafetë apo dorëzue me ceremonial, po me kanë pushkë me histori e me ra në dorë trimash, me i pasë amanetet e eposet e veta. O Sali Shari Ibra, ju jeni “Shtëpi Pushke”, siç janë në breza shtëpijat e Hotit të Vendit, (sipas rendit alfabetik) edhe të Haxhajve, Hysenajve, Mehjave, Mujajve, Sinanajve. Trimi i Hotit dhe i Historisë Shqiptare, Shari Ibra, që e ka vra vet i tretë një nga kundërshqiptarët ma të mëdhenj, prefektin  e Plavë-Gucisë me rrethina, të pabesin e të pashpirtin Stanisha Turkoviq, ta la pushkën ty. Baba ia la pushkën djalit. Kit’ pushkë nderi e mori edhe Cen Haxhaj, djali yt, që si luftëtar i lirisë shqiptare veshi uniformën e UÇK e me Batalionin “Atlantiku” shkoi nga Amerika në Kosovë, bashkë me Sadri Xhemë Mehaj të Hotit, derisa trimat e Shqiptarisë e të NATO-s hynë triumfalisht në Prishtinë, në kryeqytetin e shtetit të ri euro-atlantik të Kosovës. Prapë baba ia përcjell pushkën djalit. Kjo simbolikë e pushkës është realitet  jetik e bohemik i Hotëve të Vendit e të mërgimit, ashtu sikurse i krejt Shqiptarisë.

“PUSHKA E MENDELEJEVIT”

Kurrgja mos më thuej o Sali Shari i Hotit se u morëm vesh pa folë ndërveti. Bana me të dvet: çka i duhet pushka mësuesit të kimisë?! – dhe kur fjala më doli prej shpirtit e ndala në grykë të fytit. Kah me i dhanë udhë, bre burrë i Malësisë? E ma dhe vetë përgjigjen: Me atë pushkë të ndershme në prehën. Me ato dy duar që kapin lapsin dhe po e shtrengojnë fort edhe pushkën. Me atë kostum kombëtar na jep simbolikën e kombit. Shqiptarisht: me mendje ditunie si mësues kimie, me pushkë trimnie Hoti, me veshje malësore kombëtare.

Edhe Ibër Hoti ia vnoi djalit të vet emnin Shar, me kuptimin “dituri”, po nuk lanë luftnat me sllavët ardhacakë e pushtues, nuk lanë Stanisha Turkoviqët, për me i ndjek shkollat e ditunisë e me u ba mësues i kimisë. Edhe ju, o Sali Shari i Hotit u batë mësues kimie po nuk të lanë sllavët e tipit Gjukanoviç, ky “diktator modern” e kundërshqiptar bio-politik, për me u dhanë mësim fëmijëve të Hotit të Vendit e të krahinës etno-historike e komunare të Plavë-Gucisë.

O Sali Shari, e di se nuk jep mësime kimie, po veç kisha me thanë: shpjegoju brezave të rinj të Hotit të Vendit e të Plavë-Gucië për Tabelen e Mendelejevit. Shpjegoju atyne siç e din ti. Shqiptarisht. Në vend të elementëve kimik të Gjithësisë, në ato kuadrate të kësaj Tabele, vendosi simbolet e Hotit të Vendit: Vendose martirin e Luftës së Nokshiqit, Murat Osmanin e Mahmudëve të Hotit që u farue krejt në luftna me mashkuj të trollit të vet. Vendose Alush Smajlin me gjashtë vllaznit e vet në Luftën e Nokshiqit që i piedestalon edhe Fishta i Madh në monumentin e tij e të kohës” Lahuta e Malësisë”. Vendose mendjendriturin kombëtar, Ukshin Hotin e pavarr e plot lavdi, Vendosi …..deri tek dëshmori ma i fundit i Hotit të Vendit, i vllaznisë Sinanaj,  Avni Bali Zeka i cili u vra në Qafë të Morinës në luftë për çlirimin e Kosovës nga sllavët e Millosheviçit.

Na duhet Tabela e Mendelejevit me simbolet e Hotit të Vendit, me simbolet e Nokshiqit, Arzhanicës, Pepaj; me simbolet e Vuthajve, Martinajve, me simbolet e Gucisë, Plavës…

Ashtu sikurse kimia nuk ban pa Tabelen e Mendelejevit, njisoj edhe Shqiptaria nuk ban pa Tabelën e Simboleve të Saj Shqiptare, aq ma shumë në Hotin e Vendit e në Plavë-Guci që me sllavët e Beogradit e të Çetinës po përjetojnë shekullin e dytë ma të zi në historinë e jetën e vet. Dituria dhe Pushka na kanë mbajt gjallë mbi dhe, pa u hsue si komb. Prandaj edhe mue, ajo pushkë e jotja o Sali Shari, mësuesi i kimisë, m’u duk si “Pushka e Mendelejevit”, në kuptimin e caktuar, si një nga Pushkët në Tabelën e Simboleve Shqiptare të Hotit të Vendit skej liqenit të Plavës e Hotit të Rrafshit skej liqenit të Shkodres.

PA E DITË SE KUSH ËSHTË SHAR IBRA I HOTIT NUK MUND TA DIJMË KUSH ËSHTË STANISHA TURKOVIQI I MALIT TË ZI

Diçka po duhet me i thanë kohës e brezave: Pa e mësue mirë se kush është Shar Ibra i Hotit të Vendit e kena disi të vështirë me e ditë se kush është Stanisha Turkoviqi i Malit të Zi.

Në koft se flasim për kundërshqiptarë bio-politik, të atillë që nuk ua duan shqiptarëve etnikë as kockat në truallin e vet shqiptar, këta janë edhe Turkoviqët në Plavë-Guci.  Një i pari i tyne, Stanisha Turkoviq, në kohën e pas Luftërave Ballkanike, në kohën e pushtimit e aneksimit ushtarak të përgjakshëm me masakra genocidiale si Masakra e Previsë, u emnue prefekt me pushtët në Plavë, Guci, Murinë, Andrijevica. Përzgjedhja e tij kishte dy arsye madhore: ishte kriminel ndaj shqiptarëve dhe mik i krajl Nikollës së Malit të Zi.

Një herë, përgjatë luftërave të malësorëve shqiptarë për Pavarësi nga otomanët e sllavët, kah vitet 1910-1911, kryengritësit shqiptarë deshtën me i djegë tri shtëpijat e Turkoviqëve e me ua vra mashkujt kundërshqiptarë, po iu ranë në besë derës së Curranëve, me të cilët kishin një farë lidhje të afërt. Shpeshherë ka ndodh kësisoj. Po Turkoviqët nuk kthyen mendje, nuk ndrruan rrugë. Ka dy shekuj që i luftojnë shqiptarët më të gjitha forcat e mjetet, duke i vrarë, burgosë, internue, marrë tokat, etj.  Plavë-Guciasit i mbajnë mend barbaritë e Llukës së Turkoviqëve edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe Turkoviqët e fundshekullit XX, që kanë pozita politike-ekonomike-ushtarake deri në piramidën e shtetit të Malit të Zi, nuk ndryshojnë aspak nga të parët e vet. Përkundrazi: kanë marrë pjesë në luftra kundër shqiptarëve të Kosovës, kundër boshnjakëve në Bosnje-Hercegovinë, etj.  As Millo Gjukanoviçi, kryeministri me shtatë mandate qeverisëse, sikurse edhe Krajl Nikolla, është mik i fortlidhun me Turkoviqët, saqë më rastisi një herë në një elektoriadë ta shoh me eskortën e tij për drekim edhe kundrashqiptarë tek Turkoviqët, në breg të liqenit të Plavës.

 

Stanisha Turkoviq nuk po i ndahej Hotit të Vendit, pasi donte me e nënshtrue nën pushtetin e tij, nën Malin e Zi. Iu ka qëllue forcave të tij me u kthye edhe tek Shkambi i Koromanit. S’kanë mujt me hy në Hotin e Vendit. Zyrtari i lartë Stanisha Turkoviqi me forcat të shtetit të tij, përndryshe: shteti i Stanisha Turkoviqit, e rrethoi Hotin e Vendit e, kësaj kohe, e vranë Cen Ibrën në Osonja, tek Ura e Bekës, teksa ishte tue kullotë bagëtitë e kullës së vet. Nuk ishte vrasje aksidentale, po e qëllimtë: Stanisha Turkoviq donte të vriste një hotjanë, po nuk e dinte çka e gjente ma mbrapa.

Shar Ibra i Haxhajve të Hotit të Vendit po don me marrë hak. Edhe për krimet e tij të përgjakshme në Plavë-Guci, edhe për vrasjen e të vllait, Cen Ibrës. U ba vetë i tretë: me Nasin e Sejdit të Hysenajve të Hotit dhe me Mujë Alinë e Mustafaliajve (banor të atyshëm, nipa bije të Hotit), dolën në bjeshkën e Treskavaçit. Kjo bjeshkë në afri gjeografike kapej me Hot. Në kit’ bjeshkë kishte dalë edhe Stanisha Turkoviq, me do roje mbas vetit. Për me e garantue vrasjen e Stanishën e lanë me gjuejt të tre: në mos e vraftë i pari, ta vrasin i dyti e, në mos i dyti, atëherë i treti. Krisma e pushkës së Sharit sinjalizoi breshërinë e kryqzueme të plumbave mbi trupin e antishqiptarit Turkoviq, i cili gjeti vdekjen e merituar. (Ma gjanësisht kam me fol në një libër për Plavë-Gucinë e Hotin e Vendit).

Luftëtari i trojeve të veta, i kombit të vet, i lirisë shqiptare, Shari Ibra me dy bashkëluftëtarët e tij ikën përkohësisht, po u kapën hjeksisht dhe u prangosen në burgjet sllave. Shari me 20 vjet, ndërsa Nasi e Muja nga 17 vjet burg, të cilët, këta dy të fundit, ia mbrrinë me dalë nga burgu e me u rikthye në vendin e vet etnik, në Hotin e Vendit. Shari jo. Ai kur i bani vitet e burgut në Kotorr të Malit të Zi po kthehej në kambë për në shtëpinë e vet, ndali në një kafe në Andrejavicë. Aty ish kanë një Turkoviq tjetër, kapiten i klasit të parë Veshi Turkoviqin me mustaqe vesh më vesh, i cili rrinte me kapuç të bardhë. E çoi dorën drejt tij dhe e dveti rrmisht:

-A je ti Shari Ibra?

-Po, unë jam.

-Ku je ka shko?

-E kam krye burgun e po shkoj në shpinë teme.

-Tek shtëpia jote ti kurrë nuk shkon ma!

Pas kësaj fjale me dorë në allti i thirri policët, të cilët e lidhën kambë e duar dhe çuan prapë në Kotorr. Nuk e la me e pi asnjë gotë ujë. Asnjë kafe. Kështu ta bajnë shkijet, malazezët e serbët.

Atje në burgun e Kotorrit  vdiq (apo e vdiqën) Shari Ibra dhe kurrkund vorri s’ju ka gjetë.

O Sali Shari i Hotit të Vendit, ajo kuti duhani dhe ajo xhaketë (setër) Shari Ibres së Hotit të Vendit, të vetmet relike të tij nga koha e burgut, ruajini në kullat tuaja në Hotin e Vendit apo në Nju Jork të Amerikës. I duhen historisë, e cila ka me folë më shumë e ma mirë për Shari Ibrën e historisë, për Shari Ibren e Hotit të Vendit.

Ç’KA E KIE GJITHË KËTË DRITË, O SALI SHARI I HOTIT TË VENDIT?!

A je ka e shihni çka a ka ba Sali Shari i Hotit të Vendit: E ka kap një degë Pranverë. Bash në vendlindje, në krahinën e Plavë-Gucisë. E ka kap atë pemë në lulim, një nga degët e shumta e të bukura të saj. Sa shumë e don ky burrë Pranverën e Hotit të Vendit e të Plavë-Gucisë nën Malin e Zi.

Një nga djemtë e fismë të Mehajve të Hotit të Vendit, Imer Sinan Mehaj, djalosh i virtytshëm dhe energjik, shqiptaro-amerikan i dhanun pas vendlindjes së tij – Plavë-Gucisë, më krijoi mundësinë e mirë t’i kem nkëto dy foto të Sali Shari Ibrës të Haxhajve, të cilat më frymëzuan për këtë esse, për të cilat edhe e falenderoj publikisht.

Edhe vetë Sali Shari i Hotit të Vendit, në këtë foton e dytë, ka dalë i qeshur. I qesh shpirti. I qeshin sytë. Sa shumë dritë ka ky burrë në fytyrën e tij. Thonë se i ka kalue 70 vite, e ka mujt me e mbajt një fytyrë kaq të qeshur, me kaq të dritë. Më kuptoni: Është drita e Sali Sharit dhe jo vetëm e tij. Mos harroni: Është dhe drita e Shari Ibrës, e jetës së tij me trimni e sakrifica për kombin e vet. Më besoni: Është edhe drita e djalit të tij, Cen Sali Shari (Cen Hoti) luftëtar i lirisë e pavarësisë së Kosovës, tashti qytetar i nderuar në Shtetet e Bekuara të Amerikës, një shqiptaro-amerikan i denjë, një hotjan dinjitar. Më mirëkuptoni: Është edhe drita e trojeve të Shar Ibrës, drita e Hotit të Vendit, drita e Plavë-Gucisë, drita e Shqiptarisë.

Sot dhimbja e ka emnin e Sali Shari Ibrës të vllaznisë Haxhaj në Hotin e Vendit mbi liqenin e Plavës. Ai iku, ndrroi jetë, në këtë ditë dimri me Pranverë në shpirt, në sy, në duar… Ai e donte Pranverën – përndryshe: jetën e tij të brezave Pranverë, se e donte Hotin e Vendit Pranverë, se e donte Plavë-Gucinë Pranverë.

Filed Under: Histori Tagged With: Ramiz Lushaj, Sali Shari i hotit

Shqiptari që bëri Turqinë

January 11, 2014 by dgreca

Shkruan: Skender Blakaj/

Andon Zako Çajupi, në vjershën Punërat e Perëndisë, botuar me 1902 në përmbledhjen Baba-Tomori, me pezmin e të pushtuarit e të të shtypurit, e pyet Perëndinë-“Kur bëre derr’ dhe arinë/ ç’ deshe që bëre Turqinë”? Në fillim të shekullit XIX, kur Turqia po binte plotësisht, ishte Mustafa Qemal Ataturku (19.05.1881-10.11.1938), shqiptar i vogël e turk i madh, ai që e ngriti dhe e nisi udhës së qytetërimit. Disa të dhëna për këtë personalitet të shquar e të çuditshëm, i mora nga libri Ujku i murrmë i amerikanit H. C. Armstrong. Me përkthim të atypëratyshëm e kishte lexuar edhe vet Ataturku dhe kishte bërë vërejtje – Ka bërë gabim të madh qeveria që s’e ka lejuar librin e Armstrongut në Turqi. I shkreti, ka lanë mangut, nuk ka thënë shumë për qejfet e dehjet e mia. Jo tjetër. Kurse Armstrong shkruan se Mustafa Qemali kishte lindur në Selanik, nga i ati Ali Rizai, i cili kur ishte djalë i vogël kish ardhur nga malet e Shqipërisë aty dhe kishte gjetur punë në portin e Selanikut dhe nga e ama Zybideja.., babai i së cilës kishte ardhur nga malet e jugut të Shqipërisë… Edhe kur jetonte në Stamboll, ku fshehej edhe Mustafa Qemali nga sulltanistët, e ëma-e moshuar dhe krejt e verbuar, kishte dëshirë t’u fliste të burgosurëve grekë, të cilët i jepnin lajme nga fshati i saj në Shqipërinë jugore, ku kishte lindur. Kjo ishte koha e vërsuljeve të egra greke, por edhe momenti kur turqit e marrin veten dhe e mbrojnë, jo perandorinë, por atë që e quanin Turqi. Ky ishte koncepti i Mustafa Qemalit. Ai u rrit në një pjesë të Selanikut, me shumicë turqish e hebrenjësh. Kishte bërë shkolla ushtarake dhe ishte ngritur shpejt në profesion. Hove-hove çonte jetë tmerrësisht të shthurur, i dehur nga alkooli e nga gratë. Kishte pak miq. Në çaste të shpeshta të dëshpërimit, ia hapte zemrën vetëm së ëmës, që ishte grua shumë dinamike. U largohej e i largoheshin pothuaj të gjithë me mosbesim. Shumë autorë thonë se edhe për nga pamja ai ishte turk krejt jo i zakonshëm. Grindej edhe me ata që i lidhte njëfarë ideali. Ata ishin pak, madje tre prej tyre ishin shqiptarë që po përpiqeshin ta mbanin Turqinë në këmbë-Njaziu nga Resnja, Enveri nga Manastiri dhe vete Mustafa Qemali nga Selaniku. Njaziu, shqiptari i egër, si një Garibald i panënshtruar e nisi revolucionin xhonturk në Resnje e në Manastir. Nga malet në Maqedoni, Njaziu shkoi në Shqipëri dhe atje u vra. Enveri, me veprimet praktike, edhe me dredhitë ushtarake e politike, shumë gjatë e la në hije Mustafa Qemalin. Dhe grindeshin e urreheshin shumë. M. Qemali donte o të ishte i pari o s’ do të bënte asgjë. I pamëshirshëm, i përkushtuar, i pandalshëm drejt cakut, i fuqishëm në rrëmujat ushtarake, M. Qemali del e shkëlqen në skenën politike. I urrente të huajt që kishin vërshuar ta copëtojnë e ta dirigjojnë Turqinë. Në Ankara ishte pushteti provizor në fuqi. Në Stamboll ishte Sulltani, Kalifi me Vezirin e Madh dhe me ministrat, por ajo ishte një qeveri vetëm për emër…Idetë e tij ishin që bashkë me armiqtë e huaj duhet të largoheshin edhe Sulltanati, Kalifati dhe të gjitha vjetërsirat e Perandorisë Otomane, gjithë ai shkëlqim i rremë dhe ai budallallëk primitiv i trashëguar nga e kaluara. Ai do të shpallte Republikën dhe pastaj ai do të ishte sundues absolut. E mbas kësaj do ta reformonte Turqinë në çdo detaj. Herë butë e më shumë egër, por i realizoi. Qysh kur bashkohej e i shtrinte degët e Shoqatës “Vatani” ishin betuar se do ta mposhtnin tiraninë e sulltanit e ta zëvendësonin me një parlament popullor, dhe se do ta shpëtonin popullin nga hoxhallarët dhe gratë nga shamia e haremi. Mustafa Qemali vetë ishte kundër hoxhallarëve. Nuk e duronte sistemin ligjor të bazuar në Kuran, sipas tij ai zbatonte ligje irracionale. Në luftë ishte i durueshëm, frymëzues dhe nxiste krenarinë e rënë: Ju, thërriste ai, ju jeni turq! A do të zvarriteshit para këtyre grekëve që deri dje nuk ishin veçse vartësit  dhe skllevërit tuaj? Këtë unë nuk mund ta besoj. Bashkohuni, përgatituni dhe fitorja është me ne. Grekët sistematikisht digjnin dhe shkatërronin çfarë t’u dilte përpara. Mirëpo, Ai fitonte dhe ishte “Gazi” (hero) për gjithë turqit. Bëri parti, i fitoi zgjedhjet, në parlament, në Ankara, fitoi kreun e vendit. Duhej të bënte reformat dhe i qëronte pamëshirshëm hesapet me kundërshtarët. Ai do ta shkulte fenë nga shteti. Edhe hoxhallarët fanatikë do t’i detyronte të punonin si gjithë të tjerët. Ai e kish përzënë Hoxhën më të lartë nga zyra dhe e kish gjuajtur me Kuran. I kish detyruar gratë të zbuloheshin. Gruaja e tij, Latifa, e shkolluar në Evropë, ecte nëpër rrugë e veshur si burrë. M.Qemali e donte Turqinë një vend të civilizuar, por e kuptoi se duhej t’i trajtonte turqit si mësuesi nxënësit e tij. Kur nuk bënte punë mësimi, e përdorte forcën. Ai i ishte vënë punës për të ndryshuar të gjithë mentalitetin e popullit, idetë e tyre të vjetra, zakonet, veshjet, sjelljet, doket, mënyrat e të folurit, të gjitha detajet e vogla të jetës së tyre, të cilat i lidhnin ata me të kaluarën dhe me formimin e tyre oriental. Vendosi që fesi duhej të zhdukej, si shenjë dalluese e otomanëve dhe e myslimanëve. Fesi është shenjë injorance, thoshte ai. Parlamenti miratoi ligjin për fesin. Rezistenca pushoi shpejtë. Nga rreziku i burgut dhe i trekëmbëshit çdo turk doli të blejë e te vejë kapele çfarëdo që ishte, madje edhe me pupla e me fjongo. Zbatoi kodin civil zviceran me të cilin e ndryshoi statusin e familjes dhe të drejtën mbi pronësinë, ndaloi poligaminë dhe haremin dhe rregulloi në mënyrë radikale pozitën e grave, të cilat fituan të drejtën e votës dhe u ngritën në profesione të larta. Zbatoi alfabetin latin dhe vetë me dërrasë të zezë vajti edhe katundeve t’ua shpjegojë lehtësinë e përdorimit. As të burgosurit nuk mund të liroheshin po të mos e mësonin alfabetin latin. Urdhëroi pastrimin e gjuhës, të këngëve… donte të jetonte si në perëndim. Ferma ishte gëzimi i jetës së tij. Kish blerë makineritë e fundit, demat dhe derrkucët më të shtrenjtë dhe atje kalëronte shpesh. I pëlqente të luaj rolin e fermerit zotëri. Nxiti zhvillimin e bujqësisë, industrisë, ekonomisë. Thonë se Turqia e sotme është vepër e Qemal Ataturkut. Ai është njeriu që respektohet më së shumti në Turqi. Edhe makinat në të gjithë Turqinë u bien burive dhe ndalojnë, e njerëzit madje dalin e qëndrojnë në heshtje pikërisht në çastet kur ka ndaluar zemra e tij dekada më parë. Edhe Çajupi dhe njerëzit tanë të ndritur e urrenin Turqinë, pikërisht atë që e urrente dhe që e reformoi Mustafa Qemal Ataturku. Megjithatë, a nuk na duhen edhe neve prijës e ligje që na i nxjerrin nga shpirti e nga shallvaret veset tona të këqija?!

 

Filed Under: Histori Tagged With: Mustafa Qemal attaturku, Shqiptari qe beri, Skender Blakaj, Turqine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 607
  • 608
  • 609
  • 610
  • 611
  • …
  • 697
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT