• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HISTORIA E ZONJËS SË PARË TË SHQIPËRISË

March 10, 2025 by s p

Nga Evarist Beqiri*

HISTORIA E ZONJËS SË PARË TË SHQIPËRISË

Nga Evarist Beqiri*

Me rastin e 8 marsit Ditës Ndërkombëtare të Gruas, po përkujtojmë me anë të këtij shkrimi një grua që historia jonë e ka harruar krejtësisht. Ajo është gruaja që i qëndroi në krah Themeluesit të Shqipërisë moderne Ismail Qemal Vlorës, për plotë pesëdhjetë e një vite, si në ditët e bukura ashtu edhe në ato të vështirat.

Më 1864, Ismail Qemali u martua me një grua nga Konica, e cila vdiq në vitin e parë të martesës, së bashku me vajzën (ndoshta gjatë lindjes). Pas vdekjes së bashkëshortes së parë, Ismail Qemali u martua sërish në vitin 1867, me Kleoniqi Surmeli, vajzën e Antonit, një fisniku grek nga krahina e Edërnesë, i cili banonte në Rusçuk, Bullgari. Nëna e saj quhej Anastasia Misirli. Gruaja, me të cilën u dashurua Ismail Qemali, rridhte nga familja e Vezirit të Madh, Ali Pasha Surmeli (Vezir i Madh 1694-’95). Kleoniqi Surmeli u lind në qytetin Rusçuk (Ruse), Bullgari, më 15 gusht 1850.

Ismail Qemali, ishte vetëm 23 vjeç, kur u dashurua me këtë zonjushë të re. Ai shërbente asokohe në Ruse, si zyrtar i Perandorisë Osmane. Ndryshimi në besimin fetar ishte bërë pengesë për realizimin e kësaj martese. Ismail Qemal Vlora ishte një djalë i ri tepër i hijshëm asokohe. Ai vinte nga dera e madhe shqiptare e Vlorajve. Natyrshëm joshet nga një vajzë e bukur, që e ka parë në pazar. Por, njerka e vajzës e kundërshtonte me ngulm këtë bashkim. Prandaj, një natë, Ismail Qemali me mirëkuptimin e vajzës dhe pëlqimin e heshtur të të atit të saj, e rrëmbeu vajzën. 

Në vijim, Ismail Qemali thirri dëshmitarët në shtëpinë e tij dhe nënshkroi “kontratën e martesës” në prani të dëshmitarëve, njëri prej të cilëve konsulli belg. Akti i martesës ishte hartuar në mënyrë të tillë që e përjashtonte përgjithmonë çdo mundësi për një martesë të dytë nga ana e bashkëshortit. Ky akt fisnik i Ismail Qemal Vlorës, ishte prova më sublime e dashurisë së tij të vërtetë.

Martesa e Ismail Qemalit me gjithë bujën që kishte shkaktuar, i dha atij prova simpatie nga ana e miqve të tij. Martesa me Kleoniqi Surmelin i dha Ismail Qemalit qetësinë dhe lumturinë e duhur. Nga kjo martesë ai pati 10 fëmijë, gjashtë djem: Mahmud bej Vlora (1871 – 1920), Tahir bej Vlora (1875 – 1932), Et’hem bej Vlora (1885 – 1937), Xhevdet bej Vlora (1888 – 1910), Qazim bej Vlora (1893 – 1953), Qamil bej Vlora (1895 – 1950) dhe katër vajza: Mevedet (1873 – 1954), Alije (xx – 1955), Ylvije (xx – 1934), një vajzë vdiq pak pas lindjes.

Beqir Velo Kanina sjell një dëshmi origjinale pak pas Shpalljes së Pavarësisë: “Kur u kthyem në Vlorë, më thirri Smail beu një mbrëmje me Ali Dautin e më tha, të shoqëroja zonjën e tij Kleoniqi dhe gruan e Pashko Vasës me dy djemtë e saj, për të pjekur në Kaninë Isa Boletinin. Hera e parë dhe e fundit që u poqa me znj. Kleoniqi. Në bisedë me të në Kaninë mësova se ishte e mbesa e Kapedan Siqeca nga arvanitasit e Sulit. Ajo qëndroi veç pak muaj në Vlorë. Ajo fliste një shqipe të kulluar, që e kishte edhe gjuhën e nënës.”

Me krijimin e familjes dhe martesën me një femër të një kombësie dhe feje tjetër, Ismail Qemali shfaq sërish konceptet e tij përparimtare. Për Ismail Qemalin, në themel të institucionit të martesës qëndronte dashuria e çiltër dhe e dëlirë midis bashkëshortëve. Ai e sfidoi mjedisin e prapambetur, i cili e kundërshtonte martesën midis të krishterëve dhe myslimanëve. Ky veprim i Ismail Qemalit ishte shumë i guximshëm për kohën. Ai tregon se, Ismail Qemali ishte zhveshur nga çfarëdolloj paragjykimi, fanatizmi dhe mungesa e tolerancës. Historia e martesës së tij të pazakontë, shumë kohë përpara se ai të bëhej i njohur, u shfrytëzua më pas prej shtypit të kohës për të hedhur baltë mbi atë vetë, e natyrisht mbi shtetin e porsathemeluar.

Zgjedhja e bashkëshortes është një moment i rëndësishëm për jetën e çdo njeriu dhe në veçanti të një lideri. Ajo është zgjedhje intime, personale dhe private, por që ka shumë ndikim në jetën publike, pasi, siç thuhet shpesh, “pas çdo burri të madh, qëndron një grua madhështore” dhe “madhështia e një burri matet me madhësinë e bibliotekës dhe vlerat e gruas së tij.”. Kjo përzgjedhje është vendimtare për ecurinë e karrierës së mëtejshme të liderit. 

Nënvleftësimi i këtij momenti mund të ketë pasoja shumë negative për të ardhmen tuaj si lider, ashtu si edhe vlerësimi dhe përzgjedhja e duhur mund t’ju sjellë shumë avantazhe. Historia ka plot shembuj grash, të cilat jo vetëm e kanë kryer me sukses rolin e bashkëshortes, por kanë shërbyer edhe si këshilltaret më të mira të liderëve. Vlen të përmendim këtu rastet e bashkëshorteve të Uinston Çurçillit, Xhon F. Kenedit, Bill Klintonit, Barak Obamës, Volodymyr Zelensky etj.

Martesa mund të rrisë ndjeshëm efektivitetin e një lideri duke ofruar mbështetje, vizion të përbashkët dhe një ekuilibër të shëndetshëm midis jetës personale dhe profesionale. Një partneritet i fortë mund të kontribuojë në suksesin e një lideri dhe në përmbushjen e misionit të tij. Martesa e Ismail Qemalit dhe Kleoniqi Surmelit ndikoi si në jetën e tij personale ashtu edhe në udhëtimin e tij politik, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes familjare në udhëheqësi. Partneriteti i tyre mishëroi angazhimin e përbashkët ndaj idealeve të pavarësisë dhe unitetit kombëtar. Më 5 mars 1918, në moshën 68-vjeçare, pas një jete me plotë sakrifica në krah të bashkëshortit të saj, Kleoniqi Surmeli do t’i mbyllte sytë njëherë e përgjithmonë në Rue Tonduti de l’Escarene 26, Nicë, Francë, ku edhe prehet. Sot, po publikojmë për herë të parë edhe dokumentin zyrtar të vdekjes së saj në Nicë.

* Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo e shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri). Falenderojmë Darling Ismail Vlorën dhe Qamil Ismail Vlorën (stërnipat e Ismail Qemal Vlorës) për vendosjen në dispozicion të dokumentit.

C:\Users\user\Desktop\ISMAIL QEMAL VLORA\ISMAIL QEMALI FOTO ARTIKUJ\AKTI I VDEKJES KLEONIKI SURMELI VLORA.jpg

Akti i Vdekjes së Kleoniqi Surmeli Vlora, Nicë, Francë, më 5 Mars 1918.

Filed Under: Histori

ZEKERIA CANA HISTORIANI, HUMANISTI DHE MBROJTËSI FANATIK I TË DREJTAVE KOMBËTARE TË SHQIPTARËVE

March 8, 2025 by s p

Nga: Besim Muhadri

Të shkruash për Zekeria Canën, për këtë veteran të historiografisë shqiptare por njëherësh edhe një nga figurat e rëndësishme të kësaj historiografie, është e vështirë. Jo pse nuk ke çfarë të shkruash, por duhet tëhulumtim, informacion, dhe para së gjithash, korrektësi për të shpërfaqur brenda një shkrimi gjithë kontributin e tij të dhënë dekada me radhë. Ikja e tij fizikenga kjo botë vite më parë, përkatësisht më 10 janar të vitit 2009 ishte shumë e dhimbshme, ndonëse kishte 75 vjet të jetës, sepse profesor ZekeriaCana kishte për t’i dhënë akoma historiografisë shqiptare, ashtu siç i dha gjatë dekadave të tëra të jetës dhe të krijimtarisë së stij.

Kur lexojmë biografinë e tij, shohim se ai ishte njëpedagog i përkushtuar, një gazetar po ashtu i përkushtuar, por edhe një aktivist dhe entuziast i madh i aktiviteteve të cilat do të ishin në favor të njohjes se shqiptarëve në një kohë kur ata diskrimoheshin në të gjitha aspektet. Sa e shohim mësues, sa e shohim korrespodent të gazetës “Rilindja”, sa themelues i shoqatës së studentëve shqiptarë që studionin në vitet pesëdhjetë dhe gjashtëdhjetëtë shekullit të kaluar në Universitetin e Beogradit, në kohën kur në Kosovë nuk kishte universitet, sa profesor historie, sa të pushuar nga puna e të përndjekur, sa punonjës arkivi, instituti, themelues Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtavedhe Lirive  të Njeriut, sa të rrebeluar ndaj padrejtësive që regjimi jugosllav e ai serb i bente popullit të tij.

Interesimet e tij për çështjen shqiptare dhe zbardhjen e të vërtetës për të i shohim që herët, por më theksueshëm do t’i hasim te punimet e tij shkencore. Herën e parë me rastin e përgatitjes dhe mbrojtjes se temës së magjistraturës dhe herën e dytë me rastin e punimit dhe mbrojtjes së disertacionit të doktaraturës. Që të dyja kishin të bënin me çështjen shqiptare, përkatësisht me përpjekjet dhe lëvizjet e vazhdueshme të shqiptarëve për liri dhe pavërësi, në kohë dhe periudha të ndryshme. E para ka të bëjë me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Kosovëgjatë viteve 1909-1912 dhe qëndrimin e Serbisë ndaj kësaj lëvizje, ndërsa e dyta me qëndrimet e socialdemokracisë serbe në krye me DimitrieTucoviqin ndaj çështjes shqiptare.

Pra siç shihet, rruga jetësore dhe shkencore e profesor Zekeria Canës ishte e përcaktuar që herët. Nuk kishte asnjë dilemë se ai do të punonte, gjurmonte vazhdimisht, jo vetëm në ndriçimin, por edhe në mbrotjen deri në fund të çështjes shqiptare, të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe në përgjithësi të atyre që jetonin mbrenda hapësirës së të ashtuquajturës Federatë Jugosllave, ku në vazhdimësi dhe egërsisht shkeleshin të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Puna dhe hulumtimet shkencore të profesor Zekeria Canës, ku trajtohen probleme të mprehta politike, sociale, ekonomike, arsimore etj., kanë“Bottom of Form

mbështetje të gjerë burimore, arkivore dhe bibliografike”. Si të tilla ato natyrisht se përbëjnë njëkontribut të rëndësishëm tëtij.

Gjatëleximit dhe studimit të veprave të Zekeria Canës, shohim se studimet e tij, reagimet dhe hulumtimet e tij janë të bazuara nëanaliza shkencore, ku asnjëherë nuk mungon qëndrimi kritik ndaj ngjarjeve të viteve të fushës së interesimit. Në shkrimet dhe studimet e veta profesor Zekeria Cana, përveç shpjegimit historik të dokumenteve, ai arrin që me njëmaturi, thellësi dhe guxim intelektual dhe me fakte të demaskojë dhe të hedhë poshtë pikëpamje dhe qëndrime pseudoshkencore dhe shoveniste tëhistografisë serbosllave lidhur me Shqipërinë Etnike dhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Në studimet e profesor Canëspërveç pasqyrimit objektiv të ngjarjeve me rëndësi të madhe për popullin shqiptar dhe historiagrafisë së tij në tërësi, vërehet edhe një stil i veçantë, dhe i rrjedhshëm i të shkruarit, i të trajtuarit dhe i të argumentuarit. Profesor Cana ka një gjuhë tejet të pastër, e cila karakterizohet nga një sintaksë dhe leksik i rrallë, që do t’ia kishin lakmi edhe gjuhëtarët dhe letrarët më në zë të kohës.

Shikuar në tërësi, interesimet studimore të profesor Zekeria Canës, veçanërisht ato qëkanë të bëjnë me Lëvizjet Kombëtare Shqiptare, janë një kontribut shumë i çmuar që japin mundësi thellimi në këtë fushë dhe të njohjes së këtyre periudhave të cilat trajtohen nga ai. Po ashtu aty kemi edhe qartësime të shumë çështjeve historiagrafike, veçanërisht të periudhës së dhjetvjetëshit të parë të shekullit të kaluar.

Profesor ZekeriaCana fushën e interesimeve dhe kontributeve të tij e ka shtrirë edhe në periudha të tjera historike, ndërsa aktivitetet e tij gjatë viteve të okupimit serb të Kosovës, sidomos në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovës, janë një kontribut i jashtëzakonshëm që mbahet mend nga gjeneratate atyre viteve, për të cilat profesori ishte bërë një simbol i mbrojtjes të të drejtave kombëtare shqiptare, por edhe një shpresë e luftës për liri në Kosovë.

Filed Under: Histori

JASHARAJT E PREKAZIT QË SHKRUAN EPOPENË E SHQIPTARIZMËS

March 7, 2025 by s p

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI/

Ditët e epopesë së madhe të UÇK-së, filluan me betejën historike tre ditore të Jasharajve të Prekazit 27 vite më parë. Ishte dhe mbeti beteja historike e ditës së të vërtetës dhe krenarisë kombëtare, ditët e Jasharajve të shqiptarizmës. Adem Jashari dhe oxhaku i Jasharajve shkruan tre ditëtët epope të UÇK-së, shpëtimtarës së shqiptarëve të përtej Drinit, ditëtët simbolike të shekujve që shqiptarët e Kosovë e pritën jo pak por një shekull. UÇK-ja është krenari e të gjithë shqiptarëve që nisi si forcë e sigurisë kombëtare, si një burim i pashtershëm lirie. Në fakt janë tri ditë të përkujtuese të Epopesë së madhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse më 5, 6, e 7 Mars të 1998-ës ishtë zhvilluar njëra ndër betejat më vitale dhe më të rëndësishme të UÇK-së kundër agresionit brutal ushtarak të pushtuesve serbë. Trupat militare serbe sulmuan familjen e Adem Jashari dhe pas një përballjeje heroike në Prekazin e atdhetarisë u shkrua epope qëndrese, u vranë 55 vetë nga të cilët 20 fëmijë e gra. Këtu në këtë luftë ra legjendari i UÇK-së Adem Jashari, vëlla i tij Hamëz Jashari dhe babi i tyre, Shaban Jashari. Prekazi u bë kthesa madhore e zgjidhjes së çështjes të Shqiptarëve përtej Drinit, e Dardanisë sonë.

Adem Jashari komandant i paepur ishte lindur në ditën e flamurit më 28 Nëntor 1955, në një ditë që u trupëzua me flamurin dhe shkroi histori të re të gjakut, të besës dhe të shkresës për Dardaninë kreshnike. Ai gjithë jetën punoi e luftoi për flamurin, që kërkoi një Kosovë të pavarur, por edhe një ëndërr që ta shihte Shqipërinë të bashkuar. Ai u trupëzua më flamurin kombëtar dhe ra për këtë flamur në epopenë e madhe heroike të 5 deri në 7 mars 1998. Kombi shqiptar ka sot një nderim të vecantë për komandantin legjendar Adem Jashari, prijësi i heronjve të pavdekshëm të kombit. Gjenealogjia e familjes Jashari është e vjetër Prekazi i Poshtëm përbëhet prej katër lagjeve: lagjia Jasharaj, Kodra, Meha dhe Lushtaku. Tri lagjet e para janë krijuar prej tre vëllezërve: Jasharit, Kadriut dhe Mehës, prandaj edhe janë të një gjaku, ndërsa Lushtakët janë të ardhur më vonë në Prekaz. Jashari ka pasur tre djem, ndërsa familja e Adem Jasharit, rrjedh prej djalit të tretë të Jasharit, Muratit, prej të cilit pastaj janë krijuar brezat e tjerë të familjes tonë: Fazliu, Murati, Shabani. Shabani (Murat) Jashari, ishte martuar me Zahiden, dhe i kanë lindur tre djem: Rifati, Hamza dhe Ademi. Kështu, trungu i familjes Jashari vazhdon të zgjerohet dhe të shtohet dita ditës duke u ripërtërirë breza të tërë. Shaban Jashari dashurinë për komb e atdhe e kishte shfaqur që në vitet 50 të shekullit të kaluar, por rezistenca më serioze, më publike e familjes Jashari që do të mirrte dhenë ndodh në dhjetor të vitit 1991, kur me armë u ndeshën me forcat policore serbe.

Marsi i vitit 1998, ishte rrethimi i tretë i kullës së Jasharëve në Prekaz, ku përgjakja e tre ditrëve është pjesë e martirizimit të shqiptarëve. Fakt është se rreth e përqark Fabrikës së Municionit në Skënderaj, më 3 e 4 mars 1998, ishin dislokuar forca të shumta ushtarake por edhe forca e mjete të artilerisë së rëndë. Gjithashtu policia serbe kishte bërë përforcime të shumta nëpër të gjitha postblloqet e saj në Drenicë. Në orën 5.30 minuta të datës 5 mars, artileria serbe, nga Fabrika e Municionit, fillon gjuajtjet në drejtim të Kullës së Shaban Jasharit, por dhe të gjithë Jasharëve të tjerë. Krismën e armëve dhe sidomos kundërpërgjigjen e dëgjoi gjithë shqiptaria. Qëndresa ishte heroike titanike e kryetrimave në Prekaz, por kushtrimi ishte dhënë tashmë në mbarë shqiptarinë, në të gjitha trojet e Shqipërisë dhe në diasporën shqiptare. Legjendari Adem Jashari, kishte marrë vendimin historik, tepër të vështirë, ndër më të dhembshmit të pakrahasueshëm në historinë shqiptare, për të qëndruar trimërisht përballë sulmit dhe për të mos u dorëzuar për së gjalli. Adem Jashari kishtë thënë “Vrastarët nuk do të kalojnë, veçse mbi trupin tim të vdekur!” dhe historia më e re e Prekazit ishte bërë flamur frymëzimi për brezat. Ai ngeli pishtari i pashuar që udhëhiqtë luftën si frymëzues betejash, i cimentuar njësh me lirinë. Lajmi për rënien e legjendarit Adem Jashari dhe të njëzetë pjesëtarëve të familjes së ngushtë të Shaban Jasharit, por edhe të 39 të tjerëve nga familja e madhe e Jasharajve, që gjendeshin në Prekaz, kishte prekur shpirtin e çdo shqiptari liridashës.Dhimbje dhe krenari për një akt ekstrem të sakrifikuar për lirinë e një kombi të tërë, një veprim frymëzues i pakrahasueshëm. Prekazi u kthye në kullën e përjetshme të lirisë së shqiptarizmës, flakadani i qëndresës, prushi i përjetshëm i atdhetarisë, që përbashkon shqiptarinë, anembanë trojeve etnike të Shqipërisë dhe në diasporën shqiptarë të shpërndarë në të katër anët e globit. Akti vetëflijues i Adem Jasharit, Hamëz Jasharit, Shaban Jasharit, Osman Gecit, Hamit Jasharit, Salë Jasharit, Faik Jasharit, Halil Jasharit, Ali Jasharit, Sherif Jasharit, Hajzer Jasharit, Ramiz Jasharit, Kajtaz Jasharit dhe i sa e sa të tjerëve, i kishte dhënë frymëzim dhe impulse flakës së luftës për liri. Oshëtima e shekujve “O, prite Azem Galicën…”, u shndrua “Prite, prite Adem Jasharin!”, devizë për të cilën u luftua dhe u fituan betejat, nga bijtë e bijat e Kosovës martire, luftëtarët dhe luftëtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ushtrisë-shpresë të popullit dhe tmërrit për armikun. Gjatë luftës emrin e Adem Jasharit, e mbante Brigada 111 e UÇK-së. Në përvjetorin e pavarësisë shqiptare, por dhe datëlindjen e kryeheroit, më 28 nëntor 1998, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin e shpall Komandant Legjendar të UÇK-së, ndërsa sot këtë emër të ndritur “Adem Jashari” e mban Garda e Republikës së Kosovës. Ka hyrë në histori thënia e kryeadministratori i parë i Kosovës francezi Bernard Kushner, që me rastin e një vizite në Prekaz, kishte deklaruar: “Po të kishte çmim Nobel për liri, ai çmim do t’i takonte familjes Jashari të Prekazit”. Për komandantin Adem Jashari janë shkruar libra, drama, broshura, jetëshkrime nga shumë intelektualë shqiptarë dhe të huaj, ka dhjetëra e qindra shkrime të autorëve të ndryshëm, është objekt hulumtimi në dhjetra e qindra Konferenca shkencore e sesione shkencore brenda dhe jashtë Kosovës, janë emërtuar shumë sheshe dhe rrugë qytetesh në Prishtinë, në Tiranë, në Gjirokastër dhe kudo në trojet e Shqipërisë Etnike, është realizuar kompleksi memorial “Adem Jashari”, në Prekaz. Adem Jashari është përjetësuar në institucione të shumta edukative, arsimore e shkencore, në trojet shqiptare. Adem Jashari është emri më i frekuentuar shqiptar në mediat shqiptare dhe botërore. Portreti i Adem Jasharit gjendet kudo në Kosovë, Shqipëri, tek shqiptarët në emigracion. 

Amanetin e Adem Jasharit e përmbushi UÇK-ja me luftën e saj të drejtë për çlirim kombëtar. Vepra më heroike e shqiptarëve ishte UÇK-ja dhe lufta e saj ajo e cila e ndërkombëtarizoi si kurrë më parë çështjen kombëtare shqiptare në arenën botërore. UÇK-ja diti që me sigurinë dhe vendosmërinë e saj të detyronte Fuqitë më të Mëdha të globit, që të mblidheshim në një konferencë ndërkombëtare, në kështjellën e Rambujesë, në Francë në shkurtin e 1999, posaçërisht për çështjen shqiptare. Përfaqësues të shqiptarëve bënë të njohur botës të vërtetat mbi tragjedinë me shqiptarët dhe me trojet e tyre, tragjedi që kishin ndodhur më parë në Shën Stefan, në Berlin, Londër, etj, por këtë radhë më ne shqiptarët ishte edhe aleati ynë strategjik, Fuqia më e Madhe e botës SHBA.

UÇK-ja e të gjitha trojeve shqiptare e organizuar, dinjitoze dhe e vendosur u bë struktura e një force tokësore të NATO-s në teren, ndërkohë që NATO ndërhyri ushtarakisht më 24 marsin e 1999-ës. Ushtria e Kosovës ishte një misionare lirie me karakter clirimtar gjithëkombëtar. UÇK-ja u kthye në aktorin dhe faktorin misioinar për çlirimin e Kosovës. NATO u shndrua në Forca ajrore e UÇK-së, ndërsa UÇK ishte këmbësoria solide dhe zbulimi në teren i forcave të NATO-s. Faktori NATO nën drejtimin e SHBA-s, dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, janë misionarët e së drejtës, në një mision historik të kryer bashkëpunues, të njohur dhe legjitimuar botërisht, dhe sa herë kujtohet epopeja e madhe e kreshnikëve të Prekazit përkujtohet NATO dhe UÇK-ja të lidhur në funksion të lirisë dhe të drejtës së kombeve të shtypur, që tashmë janë pjesë e historisë sonë Kombëtare. Ky unitet do të shpaloset padyshim edhe në kërkimet shkencore të elitës intelektuale historiografike këtej dhe matanë Drinit, që do të mblidhen për sesionin shkencor me temë: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – vlerë kombëtare”. 

59 Dëshnorët e Prekazit, Drenicës, Dardanisë, Shqiptarizmës

Familja Jashari ka rol të veçantë e të papërsëritshëm, jo vetëm në historinë tonë kombëtare, por edhe në atë të përbotshme, për përgatitjen e gatishmërisë popullore në luftën çlirimtare, ka rolin e papërsëritshëm e të pakrahasueshëm për organizimin e UÇK-së, ka rolin e pashembullt për mobilizimin e masivizimin e popullit në luftën çlirimtare, për mbështetjen e kësaj lufte nga faktori ndërkombëtar si dhe ka merita të pakrahasueshme për lirinë, dhe mbarësinë kombëtare, për Republikën e Kosovës shtet të pavarur, sovran e demokratik. Familjet e tilla nderojnë secilin komb, por jo të gjitha kombet kanë madhështi të tilla. Për çdo përvjetor, Jasharët që mbijetuan, Jasharët e ripërtërirë, në fytyrat e tyre nuk kanë ngrysje, lot e zhgënjim; në çdo fytyrë të Jasharëve sheh dashuri, bujari krenari për fitoren e arritur kombëtare. Edhe në këtë rrafsh, edhe në Kosovën e re Jasharët dëshmojnë dhe rrezatojnë veçantinë e tyre familjare të trashëguar, që është për tu lakmuar nga të gjithë shqiptarët kudo që janë. Anëtarët e familjes Jashari të rënë gjatë luftës së UÇK-së: Adem Shaban Jashari (42), Udhëheqës legjendar i Kosovës; Shaban Murat Jashari (74-vjeçar), babai i Ademit; Zahide Geci – Jashari (74-vjeçare), nëna e Ademit; Zarife Jashari (49) gruaja e Rifatit; Hidajete Rifat Jashari (18), vajza e Rifatit; Valdete Rifat Jashari (15), vajza e Rifatit; Igball Rifat Jashari (13), djali i Rifatit; Igballe Rifat Jashari (11), vajza e Rifatit; Hamëz Shaban Jashari (47), vëllai i dytë i Adem Jasharit; Feride Mecini – Jashari (43), gruaja e Hamëz Jasharit; Selvete Hamëz Jashari (20), vajza e Hamëz Jasharit; Afete Hamëz Jashari (17), vajza e Hamëz Jasharit; Besim Hamëz Jashari (16), djali i Hamëz Jasharit; Lirie Hamëz Jashari (15), vajza e Hamëz Jasharit; Blerim Hamëz Jashari (12), djali i Hamëz Jasharit; Fatime Hamëz Jashari (9), vajza e Hamëz Jasharit; Blerinë Hamëz Jashari (7), vajza e Hamëz Jasharit; Adile Rama – Jashari (40), gruaja e Adem Jasharit; Fitim Adem Jashari (17), djali i Adem Jasharit; Kushtrim Adem Jashari (13), djali i Adem Jasharit. Por në betejën treditëshe të fillimmarsit dhanë jetën për lirinë e shqiptarizmës edhe dëshmorët sepse janë 59 jetë të martirizuara, janë dëshmorët e trupëzuar njësh me lirinë me emrat e dëshmorëve të Zonës Operative të Drenicës, të rënë në betejën e madhe të shekullit më 5, 6 dhe 7 marsit 1998 të familjes Jashari në Prekaz. “Epopeja e UÇK-së”, në Prekazin e gjakut, trimërisë dhe gjakut është epopeja e 59 dëshmorëve, të rënë në betejën e familjes së komandantin legjendar Adem Jashari. Janë të gjithë dëshmorët e Ademjasharëve, që shkruan lëvdi në përjetësinë shqiptare: 1.Adem Sh. Jashari; 2.Adile B. Jashari; 3. Afete H. Jashari; 4.Afije A. Jashari; 5.Ajvaz K. Jashari; 6.Ali R. Jashari; 7.Avdullah Z. Jashari; 8.Bahtije M. Jashari; 9.Beqir B. Jashari; 10.Besim H. Jashari; 11.Blerim H. Jashari ; 12.Blerim Z. Jashari; 13.Blerina H. Jashari; 14.Bujar Z. Jashari; 15.Elfije S. Jashari; 16.Elheme U. Jashari; 17.Faik T. Jashari; 18.Fatime H. Jashari; 19.Fatime S. Jashari; 20.Fatime Xh. Bazaj; 21.Feride R. Jashari; 22.Fitim A. Jashari; 23.Hajrije Z. Jashari; 24.Hajzer Z. Jashari; 25.Halil B. Jashari; 26.Halit I. Jashari; 27.Hamdi S. Jashari; 28. Hamëz Sh. Jashari; 29.Hamide A. Jashari; 30.Hamit H. Jashari; 31.Hanife Z. Jashari; 32.Hidajete R. Jashari; 33.Igball R. Jashari; 34.Igballe R. Jashari; 35.Isak F. Halili; 36.Kajtaz M. Jashari; 37. Kushtrim A. Jashari; 38. Lirie H. Jashari; 39. Mihrije F. Jashari; 40. Murtez Z. Jashari; 41. Nazmi Z. Jashari; 42. Osman Sh. Geci; 43. Qazim O. Jashari; 44. Qerim H. Jashari; 45. Ramiz S. Jashari; 46. Sabrije Z. Jashari; 47. Sadik H. Jashari; 48. Salë Sh. Jashari; 49. Selvete H. Jashari; 50. Shaban M. Jashari; 51. Shahin Q. Jashari; 52. Sherif B. Jashari; 53. Sinan R. Jashari; 54. Smajl A. Jashari; 55.Smajl Xh. Bazaj; 56.Ukshin Q. Jashari; 57. Valdete R. Jashari; 58. Zahide Sh. Jashari; 59. Zarife B. Jashari. Nuk janë emra, por lumenj gjaku për lirinë, janë krenaria e përjetshme shqiptare e Shqipërisë ketej dhe matanë Drinit, prandaj meritojnë gjithë respektin e të gjithë shqiptarëve dëshmorët e Prekazit të martirizuar, dëshmorët e përjetësisë së shqiptarëve. Janë lumenj gjaku në themelet e lirisë. Janë  Dëshmorët e Prekazit, të UÇK-së, të Dardanisë të mbarë kombit shqiptar.

-&-

Filed Under: Histori

27 vjet UÇK!

March 6, 2025 by s p

Bujar Leskaj/

Natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi rrethohet nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Ishte hera e tretë që rrethohej kulla e familjes Jashari! Betimi i Adem Jasharit: “Nëse duhet të vdesë dikush, më mirë unë, sesa Kosova ime! Do të ishte betimi i LIRISË! Flijimi i Adem Jasharit, Komandantit Legjendar dhe 54 pjesëtarëve të familjes së tij, do të ishte simfonia e qëndresës së pamposhtur të Kosovës, rrënjët dhe maja e historisë së luftës për liri dhe bëri që Kosova të mundë frikën dhe të hapë shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë.

Çdo 5, 6, 7 mars, për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi legjendar, që i dha Kosovës aq shumë.

Madje dëshmoi se çmimi i lirisë është shumë i shtrenjtë, por më i çmuari.

Ademi Jashari lindi në Prekaz, më 28 nëntor të vitit 1955, një datë simbolike kjo, sepse përkon me 28 nëntorin e viti 1443, kur Gjergj Kastrioti ngriti Flamurin në Krujë dhe me datën tjetër të historisë, 28 nëntorin 1912, kur Ismail Qemali shpalosi në Vlorë flamurin e Pavarësisë të Shqipërisë. Me qëndresën, përkushtimin, luftën e tij, Adem Jashari i tejkalon përmasat e heroit kombëtar, sepse vepra dhe akti vetëflijues me gjithë familjen, janë ngjarje unikale në Histori.

Epopeja e familjes Jashari është shkruar me gërma të arta në Histori, ashtu siç është shkruar në Histori me gërma të arta edhe sakrifica e Fehmi Lladrovcit, i cili përpara se të vritej iu drejtua bashkëluftëtarëve të tij me fjalët: “Ku ka ditë më të mirë se sot për të vdekur për atdhe. Mos u frikësoni, kush e ka dekën ka për të rënë në altarin e Lirisë. Kemi për të bërë luftë, që do të futet në analet e historisë.”

Lavdi familjes Jashari, UÇK-së dhe gjithë dëshmorëve të kombit, të rënë për Liri dhe Pavarësi!

Filed Under: Histori

“PËRSHKRIMI FIZIK I STATUJËS SË HEROIT KOMBËTAR GJERGJ KASTRIOTIT REALIZUAR NGA PROF.ARDIAN PEPA”

March 5, 2025 by s p

Paulin Zefi/

Subjekti i veprës është i bazuar pikërisht te “Kuvendi i Besëlidhjës së Lezhës” dhe figura e realizuar në këtë shtatore është dy herë më e lartë se sa figura normale njerëzore, 3.7 m. Ajo mishëron tiparet fizike dhe cilësitë më të shkëlqyera të Heroit tonë Kombëtar, por edhe ruan në mënyrë të përhershme raportet kohore dhe harmonike me qendrën historike të qytetit të Lezhës. Portreti i përjetësuar në bronz paraqet një Gjergj Kastriot në moshën 39 vjeçare, konform të vërtetës historike, pra aq sa ishte kur ai thirri dhe organizoi “Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës”, por jo një portret të një burri të moshuar dhe në prag të vdekjes, siç ndodh rëndom ta shohim imazhin e tij në pikturat, gravurat dhe skulpturat e shumë autorëve shqiptarë apo të huaj. Po ashtu, portreti fizik i përmbahet njerëzores dhe jo imazheve surreale, abstrakte dhe të bastardhuara deri në kufinjtë e groteskut dhe shëmtisë ekstreme artistike. Kryevepra në fjalë mishëron portretin e vërtetë dhe impresionues të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe nxjerr në pah madhështinë dhe autoritetin e tij karizmatik, duke mos përjashtuar as ngarkesat e shumta politike (politika e kohës kur jetoi), historike dhe kalorsiake etj. Elementët e uniformës ushtarake dhe disa detaje të tjera, për një pjesë të të cilave i kam dhënë autorit sugjerimet e mia si historian, pasqyrojnë në mënyrë besnike atë çfarë ndeshim në burimet historike dhe kryesisht te veprat e jetëshkruesve klasikë të kryeheroit. Për nga mënyra e veçantë e kompozimit dhe cilësia e realizimit, në të njëjtën lartësi me statujën qëndron edhe piedestali i saj i stilizuar. Përballë paraqitet hijshëm Emblema e Kastriotëve me “Shqiponjën dykrenare” dhe mbi të shkruhet me germa prej bronzi: “GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU. 2 MARS 1444.” Në dy pjesët anësore të piedestalit janë kompozuar dhe realizuar në mënyrë besnike emblemat e princave që morën pjesë në Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës, të cilat paraqiten në basoreliev të mbivendosura në formë të shkallëzuar dhe të gërshetuara me njëra-tjetrën. Kritikët e artit e kanë vlerësuar këtë punim artistik si një “Gjergj Kastriot të veçantë”, imazhi i të cilit gjatë viteteve në vazhdim, mund të kthehet në një “Simbol apo Emblemë e qytetit të Lezhës”, kësaj Lezhe që jo më kot historianët e kanë pagëzuar me tre emra: “Qyteti i pavdekshëm”, “Lezha e Besëlidhjes” dhe “Lezha e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.”

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 83
  • 84
  • 85
  • 86
  • 87
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT