• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Glauk Konjufca: Liria e Kosovës erdhi sepse kishte çlirimtarë si Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

November 2, 2024 by s p

Në 35-vjetorin e rënies heroike të veprimtarëve të shquar çlirimtarë, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca së bashku me kryeministrin Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule pranë varreve ku prehen eshtrat e dy heronjve.

Kryetari Konjufca tha se liria e Kosovës erdhi sepse kishte çlirimtarë si Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, duke lënë porosinë e qartë se mirë të vdiset me armë në dorë kundër Serbisë okupatore, se sa të jetohet në robëri.

Kreu i Kuvendit tha se Afrimi e Fahriu jo vetëm që ishin çlirimtarë e luftëtarë, por edhe intelektualë të mëdhenj.

“Veprat e tyre, shkrimet e tyre, mendimi i tyre politik na frymëzon edhe sot e kësaj dite, sepse është mendim politik çlirimtar, është mendim politik i vetëdijes së lirisë. Ata përmes sakrificës së tyre sublime, duke dhënë edhe jetën për atdhe, lanë amanetin për çlirimtarët e ardhshëm. Duke e dhënë shembullin e tyre ideal, përmes dhënies së jetës, u bënë pararendës të vërtetë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj do të kujtohen e do të nderohen gjithmonë nga institucionet dhe populli i Kosovës”, theksoi kryetari Glauk Konjufca.

Filed Under: Komente

Ç’ është populizmi?

November 1, 2024 by s p

Nga Jan-Werner Müller/

Ky libër analitik dhe provokues shtrihet në histori dhe merr shembuj nga Amerika Latine, Evropa dhe SHBA-ja, për të përcaktuar karakteristikat e populizmit dhe shkaqet e thella të triumfit elektoral në kohët tona. Sipas autorit, populizmi është gjithmonë anti-pluralist. Ndërsa populistët mund të fitojnë zgjedhjet dhe të qeverisin, ata tentojnë të përmbysin institucionet demokratike sapo të jenë në pushtet. Ata shpesh minojnë gjyqësorin, dobësojnë shtypin dhe kërkojnë të gërryejnë kontrollet mbi autoritetin e tyre, duke i transformuar sistemet demokratike në regjime më autoritare.

Sipas Muller karakteristikat e populizmit përfshijnë:

1. Retorikë Anti-elitë: Populistët shpesh e përshkruajnë veten si mbrojtës të popullit kundër interesave të elitës.

2. Fokusi në “vullnetin e popullit”: Populistët zakonisht flasin për “vullnetin e popullit” si një vlerë supreme që duhet të udhëheqë qeverinë, duke shpërfillur ose sfiduar procedurat tradicionale demokratike.

3. Qasje “Ne kundër Tyre”: Populizmi e ndan shoqërinë në dy grupe të kundërta: “ne”, populli i zakonshëm, kundrejt “atyre”, elitave dhe institucioneve të korruptuara.

Ndërsa populizmi mund të jetë i majtë ose i djathtë, ai shpesh bëhet i kontestueshëm sepse priret të nxisë polarizimin dhe të përdorë retorikë të fortë që mund të cenojë institucionet demokratike dhe sundimin e ligjit.

Ai shpjegon se populistët bëjnë pretendime specifike që i dallojnë ata nga aktorët e tjerë politikë. Këto pretendime rrotullohen rreth pikëpamjes së tyre moraliste për politikën dhe qasjes së tyre përjashtuese ndaj përfaqësimit. Ja çfarë thonë zakonisht populistët, sipas Müller:

– Vetëm ne përfaqësojmë popullin e vërtetë

Populistët pretendojnë se janë përfaqësuesit e vetëm autentikë të “popullit”. Ata argumentojnë se kanë një lidhje unike me popullin dhe vullnetin e tyre, ndryshe nga kundërshtarët e tyre, të cilët portretizohen si pjesë e një elite apo establishmenti të korruptuar. Ky është një element kyç që përcakton populizmin – nuk ka të bëjë vetëm me kritikën e elitave, por me pretendimin e një monopoli mbi legjitimitetin politik.

Cfarë bëjnë populistët, ose populistët në pushtet…

•Në *Çfarë është Populizmi?*, Jan-Werner Müller përshkruan se si populistët në pushtet zakonisht sillen në mënyra që minojnë demokracinë:

•1. **Mënimi i institucioneve**: Populistët dobësojnë institucionet demokratike si gjyqëstarët, mediat e pavarura dhe legjislaturat, të cilat ata i shohin si barriera për sundimin e tyre. Ata shpesh zëvendësojnë gjyqtarët, censurojnë ose kooptojnë shtypin dhe anashkalojnë partitë opozitare.

•2. **Pretendimi i përfaqësimit ekskluziv**: Populistët këmbëngulin se ata janë përfaqësuesit e vetëm legjitim të “popullit”, duke i hedhur poshtë kundërshtarët dhe kritikët politikë si të korruptuar ose armiq të kombit.

•3. **Refuzimi i pluralizmit**: Populistët nuk tolerojnë mospajtimin ose diversitetin në pikëpamjet politike, duke përjashtuar pakicat dhe grupet opozitare, duke sulmuar kështu thelbin e pluralizmit demokratik.

•4. **Shfrytëzimi i krizave**: Ata shpesh përdorin kriza reale ose të prodhuara—si emergjencat kombëtare ose kërcënimet e sigurisë—si një pretekst për të zgjeruar fuqinë e tyre dhe për të justifikuar masat e jashtëzakonshme, duke gërryer kontrollet dhe ekuilibrat.

Përgatiti: Prof. Dr. Sylë Ukshini

Filed Under: Komente

Roli vendimtar e historik i UÇK-së në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës

October 30, 2024 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Pas refuzimit kategorik që Millosheviqi bëri në Dejton, kërkesës për negociata me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Kosovës, e vetmja rrugë për të nxjerrë në tavolinën e bisedimeve çështjen e Kosovës ishte fillimi i rezistencës së armatosur në Kosovë, që në një mënyrë apo tjetër ishte si rezultat i veprimeve të diplomatëve ndërkombëtarë që nuk arritën ta bindin Millosheviqin për negociata paqësore me shqiptarët e Kosovës.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, zë vend qendror në historinë e re të Kosovës, jo vetëm për kthesën e madhe që i dha zhvillimeve të brendshme në terren, por edhe për angazhimin e diplomacisë ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Ishte diplomacia anglo-amerikane ajo që tregonte vendosmëri në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, diplomacia evropiane, në anën tjetër, manifestonte mosunitetin e saj kronik në veprimet e saj dhe ishte hezituese për një linjë të ashpër kundër Serbisë dhe diplomacia ruse me aleatët e saj që mbronte interesat serbe me fanatizëm në Kosovë. Kosova i nxori në sipërfaqe edhe dallimet e diplomacive ndërkombëtare në raport me Kosovën dhe interesat e tyre në Ballkan.

Në planin e brendshëm, UÇK-ja, përbënte pikën kulmore në zhvillimin e lëvizjes për liri në Kosovën e pushtuar që paralajmëronte një kthesë historike në organizimin e shqiptarëve për liri dhe pavarësi nga Serbia.

Për diplomacinë ndërkombëtare, UÇK-ja përbënte bazën kryesore që t’i bënte presion Millosheviqit për negociata me përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës.

Dalja publike e UÇK-së dhe reagimi i diplomatëve ndërkombëtarë ndryshoi skenën e Ballkanit përgjithmonë.

Analizat e shërbimeve amerikane për UÇK-në kishin filluar nga paraqitja publike e disa personaliteteve të rëndësishme dhe mediave vendore dhe ndërkombëtare, duke qartësuar se nuk ishte vullneti i shqiptarëve dhe fuqia e tyre për t’i rezistuar forcave serbe, por ishin të detyruar t’u kundërvihen masakrave dhe gjenocidit të policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë.

Paraqitja e strukturave dhe intelektualëve që përfaqësonin konceptin dhe vizionin e UÇK-së dhe idenë e qartë për lirinë e Kosovës, kishin filluar të kenë ndikim.

Takimet me përfaqësuesit e UÇK-së në Kosovë dhe Perëndim me diplomatët perëndimorë, këta të fundit filluan që të marrin në konsideratë disa liderë politikë të UÇK dhe filluan që të mbështeten në marrëveshjet dhe përgjegjësitë e tyre.

Profili i përfaqësimit politik të UÇK-së ishte në një mënyrë apo tjetër edhe përzgjedhje e diplomatëve perëndimorë, të shtyrë nga diplomacia anglo – amerikane që filloi të bashkëpunojë në të mirë të paqes në Kosovë.

Në qershor të vitit 1998, amerikanët në mesin e shumë partnerëve për të arritur paqen në Kosovë e trajtonin edhe bashkëpunimin me UÇK-në si faktori më i rëndësishëm për një marrëveshje paqësore për Kosovën. Këtë e dëshmojnë shumë shkresa dhe dokumente të kohës, të bëra nga zyrtarë të qeverive të kohës, e të cilat i disponoj po ashtu.

UÇK-ja mbetet bazamenti i themelimit të Republikës së Kosovës, pa i mohuar edhe gjithë ata breza që luftuan me penë dhe pushkë dhe nuk u pajtuan me robërinë serbo-sllave, duke qenë përjetësisht mirënjohës për kontributin dhe sakrificën sublime për liri.

Filed Under: Komente

“Rajonet shqiptare në kuadrin e zgjedhjeve në SHBA”

October 29, 2024 by s p

Dr. Ernest Nasto/

Siç ishte njoftuar, dje u zhvillua veprimtaria e degës së Vatra Çikago me temë “Rajonet shqiptare në kuadrin e zgjedhjeve në SHBA: programet e partive, konfliktet dhe rëndësia gjeopolitike” e cila doli me sukses të plotë.

Në prezantimin tim në pjesën e parë u ndala në disa aspekte të polarizimit politik, situatës së tensionuar parazgjedhore si edhe të rreziqeve që i kërcënohen demokracisë amerikane nga pririrjet e hapura autoritariste brenda dy partive kryesore.

Ndërsa në pjesën e dytë prezantimi i Dr. Jani Gjoni, n/kryetar i AANO Chicago, shtjelloi aspekte të ndryshme të situatës gjeopolitike në botë dhe disa rrjedhime të mundshme të rezultatit të zgjedhjeve për vatrat kryesore të konflikteve, e veçanërisht për rajonet shqiptare në Ballkan.

Më pas, nën moderimin profesional të Ing. Artan Nati u vazhdua me një bashkëbisedim të gjallë me pjesëmarrësit e shumtë të cilët shprehën mjaft interes për temat e prekura gjatë prezantimeve, duke theksuar gjithashtu nevojën për të zhvilluar më shumë takime e biseda të tilla.

Falenderojmë me këtë rast për diskutimet interesante të gjithë pjesëmarrësit, që mund të themi se përfaqësonin krejt trevat shqiptare. Një mirënjohje e posaçme i takon z. Naser Hoxha dhe Qendrës Kulturore Shqiptare në Berkeley IL, që na vunë në dispozicion ambientet e tyre duke na krijuar kushte të përsosura. Po ashtu edhe z. Jani Gjoni për bashkëprezantimin, si dhe AANO Chicago, duke uruar për bashkëpunime të mëtejshme ndërmjet dy organizatave tona. Ndërkaq edhe anëtarët e Kryesisë së Vatrës Chicago u shquan për kontributet e tyre të veçanta: Ardian Ruci për anën organizative, Shkelzen Cakeri e Anjeza Muca për teknikën dhe Artan Nati e Dhimo Jano për sponsorizimin e koktejlit në mbyllje të takimit.

Suksesi i kësaj veprimtarie na inkurajon që Vatra Chicago të ndërmarrë edhe në të ardhmen të tilla të ngjashme, duke bashkëpunuar me AANO e organizata të ndryshme shqiptare në Chicagoland.

Filed Under: Komente

Shqipëria në “Luftën e Madhe”, nga anarkia politike dhe pushtimet e fqinjëve, tek autonomia e kontrolluar nga shteti protektor A-H, pavarësia e mbikqyrur e Italisë dhe Republika e Korçës

October 28, 2024 by s p

Prof. Romeo Gurakuqi/

Shqipëria në Luftën e Madhe respektivisht nga dita e largimit të Mbretit Wied, më, 3 shtator 1914 dhe deri me 25 dhjetor 1918, me mbledhjen e Kuvendit Rithemelues së Durrësit, pësoi dezintegrimin e Shtetit Nacional, Kushtetues, Shekullar dhe të Europianizuem, prapësimin e forcave nacionaliste që kryen revolucionin nacional dhe mbisundimin e forcave kunder-revolucionale obskurantiste, ehlikjamiste dhe esadiste, pushtime të koordinuara te vendeve fqinje, që thyen Paktin e Londrës së 29 korrikut 1913, shndërrimin e territorit nacional në një shesh lufte mes fuqive ndërluftuese; por, njëkohësisht, pas janarit të vitit 1916, vendi përjetoi një kohë të ndaljes së shpërberjes nga vendet fqinje dhe të ripërtëritjes së kontrolluar të nacionit, që do të ndihmojë Shqipërinë, të ringrihet vetvetiu në mbrojtje të të drejtave nacionale, ripërtëritjes së shtetit dhe mbrojtjes së kufijve pas nëntorit 1918.

Ne vitet 1914-1918, për shkak të rënies së shtetit të europianizuem, para së gjithash prej vetë kundërshtisë së një pjesë të popullsisë, ndryshimit të njëanshëm nga ana e vendeve të Antantës të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (me traktatin e 26 prillit 1915), Dezintegrimit të Perandorisë A-H si protektor i kombit dhe shtetit shqiptar, në planin e të drejtës ndërkombëtare u vyshken deri në tharje, aktet themeltare të ekzistencës së Principatës së Shqipërisë dhe legjitimiteti restaurues i dinastisë Wied.

Gjithsesi, në vitet 1916-1918 në tre qendra të Shqipërisë, Shkodër, Korçë dhe Vlorë, për shkak të lejimit të detyruar nga tre sundimtarë europianë jo ballkanikë, i autonomisë arsimore dhe kulturore, krijimit të administratave vendase, zhvillimit të shtypit, ndodhi rigjenerimi i nacionalizimit dhe rekuperimi i pozicionit prej anës së elitës së Vlorës 1912, në pasluftë. Kjo elitë, e mbështetur nga emigracioni elitar në SHBA, Zvicër e gjetkë, ia doli të përformojë në mënyrë spektakolare në tratativat diplomatike të pas luftës, duke u shndërruar në faktorin vendimtar që ndryshoi rrjedhat e paramenduara të fuqive fituese mbi të ardhmen e Shqipërisë në paqes e pas Luftës së Madhe.

Menjëherë pas dy viteve të luftës civile, të kaosit, pikërisht në gjendjen e luftës, nën okupimin nominal austro-hungarez, do të fillojë për Shqipërinë, në një pjesë të Kosovës, në disa treva të Malësisë, në Shkodër, në Korçë dhe në pjesën tjetër të Jugut (pas largimit të detyruar të ushtrive greke nga ndërhyrjet e ushtrive franceze dhe italiane): rizgjimi administrativ, arsimor, kulturor, procesi i ripërforcimit të kohezionit nacional ndër shqiptarë, tashmë në një hapësirë më të gjërë që përfshinte pesë zona pushtimi: tre nën dominimin e Perandorisë Dualiste, të ndarë në komanda të ndryshme ushtarake austro-hungareze (Zona shqiptare, serbe dhe malazeze); zonën franceze të kontrollit të Korçë; dhe zonën italiane që nga Vlora do të shtrihej në rrjedhën e vitit 1916 në të gjithë Shqipërinë e Jugut dhe në Epirin e Jugut. Pavarësisht se ndër zona të ndryshme pushtimi, elitat përparimtare shqiptare, edhe pse të dobësuara, ia dolën të ringjallën dhe të qëndrojnë në linjat kryesore të interesave të kombit, programit politik të indipendencës; t’u imponohen tre fuqive që ishin armike mes njëra-tjetrës në këtë kohë, dhe t’ua marrin atyre të drejtat autonomiste dhe indipendentiste në vitet 1917-1918. Shpalljet e autonomisë vetqeverisëse nën mbikqyrje, të Pavarësisë, ose të Republikës Krahinore, pasuan me ngut njëra-tjetrën nga ato fuqi, si në një garë mes tyre për shpallur miqësinë, dashamirësinë dhe kujdesin ndaj popullit shqiptar; në fakt, dhe para së gjithash, për të kontrolluar territorin e lënë pa shtet, për arsye strategjike dhe për francezët dhe italianët, për të mos pasur në prapavijë një popullsi armiqësore.

Njera nga pyetje kerkimore qe eshte ngritur ne kete studim, ka qene: Pse Shqipëria nuk ia doli të mbijetojë në kohën e pavarësisë së parë, si një vend me udhëheqësi të njësuar mbi parimet rindërtuese dhe organizuese të një vendi me kushtetutë, liri, shekullarizëm dhe administrim civil vendor?

Jam perpjekur t’i jap pergjgje të detajuar kësaj pyetjeje kërkimore përmes analizës së kualitetit të Nacionalizmit, shpjegimit të kushteve të përgjithshme të dështimit të shtetit të parë modern, nivelit te respektimit të kushtetutshmërisë dhe shekullarizmit, si kondita të panegocueshme për mbijetesën dhe përforcimin në unitet të një shteti modern ndër shqiptarë.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 491
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT