• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR VETMJAFTOHESH ME ATË QË TË DHURON FATI I JETËS

June 16, 2016 by dgreca

NGA PËLLUMB GORICA*/ Jeta është një rrjedhë e fuqishme në kohë dhe hapësirë. Atje ku mendohet se ajo është futur tërësisht në brigjet e saj, ngjarje tinëzare gremisin të natyrshmen. Në labirintet e realitetit të saj, në gurgullimat, oshëtimat dhe vështirësitë ndodh që njeriu burgoset brenda kornizave të ndjenjave dhe ndërgjegjes së tij të vrarë. Atëherë shumë pikëpyetje mbesin të ngrira në ajër. Ku është e keqja është edhe e mira. Aty ku është gëzimi është edhe trishtimi. Aty ku është ferri është edhe parajsa. Aty ku është humbja, është edhe lavdia. Aty ku të rrethon trishtimi, angështia, ku t’i thua se tani më mori lumi e u katandisa i pushtuar nga monotonia, duke u kokolepsur,një zë të orienton me urtësi për të dalë nga ky qerthull, dhe për të kapur njerëzoren e rrjedhës.
Të gjitha këto të papritura të larmishme të jetës, mundohet t’i ngërthejë brenda tregimit të saj, “Profil vetëmjaftueshmërie”autorja Lida Lazaj, e njohur tashmë për lexuesin tonë.
Një grua që i ka vdekur i shoqi e vret vetminë, duke i shkuar çdo ditë “në takim” tek varri me një tufë lule në dorë, me mendimin se jeton më shumë me të kaluarën se sa me të tashmen, e zbehur përkohësisht nga ndjenjat e shterpëzuara, dhe vitet e vështira të jetës, mundohet që përsëri kafen e mëngjesit ta pijë me bashkëmoshatarin e saj, Klitin. I tillë është subjekti i tregimit “Profil vetëmjaftueshmërie”, ku jeta monotone ka strukur në një rreze të saj një grua fatkeqe me emrin Elenë. Ajo rri gjithë ditën brenda shtëpisë, fshin pluhura dhe shikon albume, mundohet të ndalë e rikthejë jetën pas, kohën që ka ikur. Mendimet e mbyllin në një zymti dërrmuese, dhe si një sëmundje që gërryen përbrenda shpirtin e ndjen ngushtësinë e tij. Ajo tashmë e thithur nga monotonia e jetës sikur është bërë materie e ngurtë, është sendërtuar. I ngjan vetja send ose objekt mes orendive të shtëpisë, me të vetmen ndryshim: “merrte frymë”, shkruan autorja, për Elenën. I duket se edhe krimbi i mërzitjes, rrezja e diellit që hyn nga dritarja e dhomës e bën të vuaj edhe më shumë, pasi mendon e kupton që bie në donkishotizëm, ndaj nis e loton. “Vajtonte me fjalë, në regjistrin më të ulët të zërit. Qaj-qaj i thoshte vetes, kush tjetër do t’i qajë ëndrrat dhe dëshirat tuaja të vdekura” -shprehet autorja, duke arritur të futet artistikisht në të fshehtat e ndërgjegjes së personazhit. A ka forcë të dalë nga kjo gjëndje rraskapitëse e shpirtit? Elena në butësinë trishtuese, por më shumë me vështrimin e sinqertë për atë që ndodh, përpiqet për një ndryshim të gjendjes shpirtërore, ndjenjë e cila përzihet me brengën dhe në këtë pushtim të vetmisë, ndjen keqardhje për këtë gjendje që nuk e fsheh dot. “Ditët rrokullisen pothuajse njësoj” me vetëmbylljen e saj. Duhet ndryshuar kjo gjendje. Takimi me bashkëmoshatarin e saj, Klitin sikur zgjon diçka shpresëdhënëse, megjithëse autorja këtu nuk thotë atë që lëngëzon zemrën e tharë të vejushës. ‘‘Dy të moshuar shquanin dhe në hapin më të ngadaltë ngutjen që tek ata e kish humbur prej kohësh kuptimin”. Por jo vetëm kaq, të moshuarit edhe pse pleq kanë nevojë të shijojnë jetën dhe më shumë të marrin hak për ato gjëra që u kanë mbetur pishman në jetë. Elena e kupton se jeta jashtë saj gjallon, përtërihet, ndryshon, ecën, herë me ritme të ngadalta e herë të vrullshme, por ajo nuk e ndjen veten zonjë më pas vdekjes së të shoqit, ta ndjekë me hapin e saj të mplakur. Autorja Lida Lazaj, këtu mundohet, duke e zhytur Elenën në kujtime rinore, madje, duke kujtuar libra që kishte lexuar për dashurinë, por edhe atë krahasimin me të dashurën e mplakur të shkrimtarit Gabriel Garsia Markez, në romanin “Dashuri në kohën e kolerës”. Elena mundohet kështu që të mbush boshllëqet e zemrës së saj me ç’të mundet dhe ‘‘që hyjnë si një refren i shkurtër gazmor në mes të një melodie monotone”, ku i ndërthur me takimet e bashkëmoshatarit të saj Klitit, por edhe më shumë, duke dërguar çdo ditë lule tek varri i të shoqit. Nostalgjia te ajo është kalimtare, e nuk i bëhet brengë. Jeton dhe shijon aq sa i premton mosha dhe aq sa i duhet. Kjo është Elena me gjithë vështirësitë e jetës së saj plot tallaze, me largimin e fëmijëve, humbjen e bashkëshortit, ekzistencializmin. Në fund të tregimit, Elena zgjohet dhe sikur rrezaton shpresa të reja. Por ajo nuk mjaftohet me të shkuarën e saj. Dëgjon tingëllimën e telefonit dhe mendon për fëmijët, për rrugën e së ardhmes që ecin ata. “Fëmijët me krahët si zogjtë e forcuar, kishin fluturuar në të tjerë qiej” – shkruan autorja. Ndaj autorja vë në gojën e Elenës edhe këto fjalë: “Koha që tjetërson gjithçka, lastarët i bën lisa, djelmoshat burra dhe vashëzat gra”. Ndaj sikur kënaqet në vetëmjaftueshmërinë e saj. Ëndërra që sheh shpirtin e vet si një shpend, i hyn e i del kraharorit dhe përmbyll profilin e saj të vetmjaftueshëm.

Jeta pulson me ritmin e kohës, dhe këto përmasa ndjesore sikur ja zbusin sëmbimet e dhimbjes. Ç’hapësira paska për dhimbjet koha kur kalon, sepse jeta ecën, vazhdon, e kurrë nuk ka vetëmjaftueshmëri.

*   (Lida Lazaj në tregimin “Profil vetmjaftueshmërie”)

Filed Under: LETERSI Tagged With: “Profil vetmjaftueshmërie”, Lida Lazaj. Tregimi, Pellumb Gorica

I ÇMENDURI

June 16, 2016 by dgreca

GI  DË  MOPASAN- ( Guy de  Maupassant )/

  I  ÇMENDURI/

Tregim/Përktheu: Faslli Haliti/

Jam i çmendur? apo vetëm xheloz? Nuk e di, nuk e di, por kam vuajtur shumë… E pranoj, kam bërë një veprim prej të çmenduri, të një çmenduri të tërbuar; por xhelozia përvëluese, dashuria e ndezur, e tradhtuar, e dënuar, dhimbja e tmerrshme që vuaj, a nuk mjafton e gjitha kjo, të kryejmë krime apo çmedurira, pa qenë kriminelë të vërtetë me zemër dhe me mendje?

Oh! kam vuajtur, kam vuajtur, kam vuajtur vazhdimisht,

thekshëm, lemerishëm. E desha atë grua si i tërbuar… Po a është e vërtetë? A e kam dashur pra ? jo, jo, jo. Ajo u bë padronia e trupit dhe e  shpirtit tim, më pushtoi dhe më prangosi. Kam qenë dhe jam një send i saj, një lodër e saj. I përkas buzëqeshjes së saj, buzës së saj, shikimit të saj, linjave të trupit të saj, tipareve të fytyrës së saj; ndiej të më merret fryma nën zotërimin e trupit të saj; por Atë, gruan, esencën e atij trupi, unë e kam urryer gjithmonë, përbuzur, nëmur; sepse është e pabesë, shtazarake, e ndyrë, e fëlliqur, është gruaja e rrënimit, kafsha epshore  dhe e rreme, pa shpirt, në të cilën shpirti nuk qarkullon kurrë si ajër i lirë dhe gjallërues; është kafsha njerëzore, edhe më keq akoma, s’është veçse një gji, një mrekulli prej mishi të butë  dhe  të plotë, e pushtuar prej Turpit.

Periudha e parë e marrëdhënieve tona qe e çuditshme dhe

e këndshme. Në krahët e saj gjithmonë të hapur shkrihesha në një kënaqësi të tërbuar e të pangopur. Sytë e saj bënin që të më hapej goja dhe të më merrte etje. Në mesditë ata ishin gri, me një tis hijeje si në të blertë në perëndim dhe, të kaltër në agim. Nuk isha i çmendur: ju betohem që sytë e saj kishin pikërisht këto tri ngjyra.

Në orët e dashurisë ata ishin të bruztë, si llumra, me

bebëzat e mëdha e nervoze. Midis buzëve, që i përshkonte një dridhmë, dilte, nganjëherë, maja rozë dhe e lagësht e gjuhës, përpëlitëse si ajo e një zvarraniku dhe qepallat e rënda ngriheshin ngadalë dhe zbulonin shikimin e zjarrtë e të përhumbur të saj që më bënte të çmendesha.

Duke e shtrënguar midis krahëve, shikoja sytë e saj dhe

dridhesha i tronditur nga nevoja  për ta hequr qafesh atë kafshë dhe nga nevoja që ta sundoja pa reshtur.

Kur ecte nëpër dhomë zhurma e çdo hapi të saj më jepte një goditje në zemër; kur fillonte të zhvishej, ajo e linte fustanin t’i binte dhe dilte pise dhe rrëzëllore midis rrobave të saj të rëna përreth; përmes gjymtyrëve, gjatë krahëve dhe këmbëve, në gjoksin gulçues, unë ndieja një përhumbje të pafund dhe të urryer.

Një ditë u kujtova se ajo ndihej e lodhur nga unë. E pashë në sytë e saj ndërsa po zgjohej. Çdo mëngjes, i përkulur mbi të, prisja shikimin e parë të saj. E prisja me tërbim, urrejtje, përçmim nga kafsha e fjetur, skllav i së cilës unë isha. Por kur e kaltra e zbehtë e bebëzës, një e kaltër e kulluar si uji dukej ende e fikur, e lodhur, e sfilitur nga përkëdhelitë e mëparshme, e ndieja veten të mbështjellë nga një afsh i menjëhershëm dhe që më digjte, duke e bërë më të ashpër afshin tim. Atë ditë kur ajo hapi qepallat, pashë që shikimi i saj ishte mospërfillës dhe bosh,  pa pikën e dëshirës.

Ah! e pashë, e mësova, e ndjeva, e kuptova menjëherë. Kishte marrë fund, fund për gjithmonë. Dhe këtë e provova çdo orë, çdo minutë.

Kur me krahë e me buzë doja ta tërhiqja nga vetja, ajo kthehej nga ana tjetër duke mërmëritur: – Lërmëni të qetë! – ose: – Jeni i urrejtshëm – apo edhe : – Nuk më lini fare të qetë!

U bëra xheloz, xheloz si një qen dhe dinak dyshues,

shtirak. Isha i sigurt se nuk do të vononte dhe një tjetër do të fillonte t’ia rizgjonte ndjenjat.

U bëra xheloz i tërbuar; por s’jam i çmendur; jo, sigurisht që s’jam i tillë.

Prisja; oh! Përgjoja; s’do të mund të më tradhtonte; por mbetej e ftohtë, e papranishme. Ndonjëherë më thoshte;  – Burrat më ngjallin neveri. – Dhe kjo ishte e vërtetë.

U bëra xheloz për të, për gjithçka: xheloz për mospërfilljen e saj; xheloz për vetminë e netëve të saj; xheloz për sytë e saj; për mendimet që i ndieja të urryera si gjithmonë; xheloz për gjithçka që arrija të vija re. Dhe nëse ndonjëherë në zgjim e sipër shikimin e kishte të mekur, i cili më parë ishte pasojë e netëve tona të zjarrta, sikur epshi të kishte rizgjuar dëshirat e saja, e ndieja veten të mbytur nga hidhërimi, dridhesha nga zemërimi dhe më kapte një tërbim sa më vinte ta mbysja, ta kërrusja nën gjunjët e mi që duke e shtrënguar për fyti, ta detyroja të rrëfente të fshehtat e turpshme të zemrës së saj.

Jam i çmendur ? Jo.

Gjersa një mbrëmje e ndjeva se ishte e lumtur. Ndjeva që dridhej nga një pasion i ri. S’isha i sigurt, shumë i sigurt. Dridhej njëlloj si pas përkëdhelive të mia; vështrimi i saj flakërinte, duart e saj përvëlonin, i gjithë trupi i saj drithërues përhapte atë erë dashurie që më kishte bërë si të çmendur. U hoqa sikur s’kuptova gjë, por në mendjen time e kisha futur në rrjetë.

Megjithatë s’arrija të zbuloja gjë.

Prita një javë, një muaj, një stinë të tërë. Ajo lulëzonte  e mbështjellë në flakërimat e një dashurie të panjohur, kënaqej e lumtur nga ato përkëdheli të pakuptueshme.

E kuptova menjëherë ! nuk jam i çmendur, ju betohem, nuk jam i çmendur.

Si mund të shpjegohem më qartë ?   Si t’ia bëj që ju të më  kuptoni më mirë? Si ta shpreh një gjë kaq të urrejtshme dhe të pakuptueshme ?

Ja si e kuptova.

Një mbrëmje, jua  thashë, një mbrëmje ajo u kthye nga një shëtitje me kalë, me mollëza të përflakura, me gjirin drithërues, me këmbët që s’e mbanin, me sytë e mavijosur. U lëshua mbi një karrige të vogël përballë meje. E kisha parë dikur kështu! Ishte e dashuruar ! S’gabohesha !

Ndjeva të më merreshin mend dhe, për të mos e parë, u ktheva nga dritarja. Pashë një shërbëtor i cili duke mbajtur për freri kalin e saj të bukur që tërhuzej, po e çonte në stallë.

Edhe ajo e ndiqte me vështrimin e saj kafshën e vrullshme dhe çukërmuese. Dhe kur kafsha u zhduk, atë e zuri gjumi menjëherë.

E kalova gjithë natën duke menduar; më dukej se po arrija të kuptoja disa të fshehta për të cilat deri atëherë as që  kisha dyshuar. Kush mund ta hetojë vallë mbrapshtinë e ndjenjave të grave?  Kush mund t’i kuptojë tekat e tyre të padëgjuara dhe kënaqjen e fantazive ende më të  e çuditshme ?

Gjatë  gjithë mëngjeseve, duke zbardhur dita, ajo galoponte në fushë e në pyll dhe kthehej përherë e këputur si pas një dashurie të  tërbuara.

E mora vesh! Tani isha xheloz për atin nervoz  galopues; xheloz për erën që përkëdhelte fytyrën e saj, kur lëshohej në ato vrapimet e çmendura; xheloz për gjethet që i puthnin veshët, kur kalonte; për reflekset e diellit që i binin mbi ballë përmes degëve; xheloz për shalën që e mbarte  dhe që ajo e shtrëngonte mes kofshëve.

Ishin të gjitha këto gjëra që e bënin të lumtur, që e entuziazmonin, e ngopnin, e rraskapitnin dhe ma bënin të pandjeshme dhe gati të zalisur.

Vendosa të hakmerresha. U bëra i sjellshëm me të dhe gjithë përkujdesje. I zgjasja dorën që ta mbaja kur ajo hidhej në tokë pas kthimit nga vrapimet e saja të shfrenuara. Kafsha e harbuar më sillte me shqelma, ajo e zbuste duke i përkëdhelur qafën e përkulur, e puthte në flegrat fërgëlluese dhe nuk fshinte as edhe buzët; dhe era e trupit të saj të njomur si e ngrohtësisë së shtratit, përzihej në fejzat e mia me duhmën e vrazhdët të kafshës.

Prita ditën dhe orën e përshtatshme. Çdo mëngjes ajo kalonte nëpër të njëjtin shteg, përmes një pylli me mështekna që futej si pykë në të.

Dola para se të zbardhte dita me një litar në dorë dhe me pistoletën e fshehur në gji sikur po shkoja të ndeshesha në duel.

Arrita me vrap në rrugën që pëlqente ajo; shtriva litarin midis dy pemëve dhe u fsheha mes barërave.

Vura veshin në tokë; ndjeva trokun që larg;  pastaj e pashë atë të vinte me të katra atje poshtë nën kurorën e degëve.

Oh! S’u gabova! Ishte siç mendoja ! Ajo ishte e hareshme, faqet i kishte të purpuruara  dhe marrëzinë në sy; lëvizja e rrëmbyer e vrapimit e bënte t’i fërgëllonin nervat me një kënaqësi të vetme dhe të furishme.

Kafsha u pengua në litar me të dyja këmbët e prapme dhe u rrokullis me brinjët e thyera. Ajo ra në krahët e mi. Jam aq i fortë sa mund të mbaja edhe një ka. E hodha përtokë dhe iu afrova Atij që po na vështronte. Ai kërkoi të më kafshonte akoma, por unë i vura pistoletën në vesh … dhe e vrava…sikur të ishte njeri.

Rashë përtokë dhe unë me fytyrë të shënjuar me dy kamxhikë dhe meqenëse ajo m’u vërsul mbi kurriz ia zbraza  në bark plumbin që më kishte mbetur.

Më thoni, a jam i çmendur ?

Përktheu: Faslli Haliti

Filed Under: LETERSI Tagged With: GI DË MOPASAN, I cmenduri

DITE TE ZJARRTA

June 15, 2016 by dgreca

Nga Reshat  Kripa*/

…Ishte mbrëmje. Fatosi po dëgjonte emisionin qëndror të lajmeve. Spikerja, me një zë që dukej sikur nuk ishte i zakonshëm, po tregonte për një demonstratë që ishte zhvilluar në qendrën e studentëve në kryeqytet.  Fatosit i dukej sikur zëri i saj dridhej. Fliste, por herë pas here, pushonte dhe pas disa sekondave fillonte përsëri.

– E ka nga emocionet, – mendoi Fatosi.

Spikerja fliste për një djalosh, student i fakultetit juridik, që ishte vënë në krye të studentëve. Ajo fliste dhe Fatosi dëgjonte. Një ndjenjë nostalgjie e  kishte  pushtuar. Nuk e di sepse por nga sytë i rrodhën dy pika lot.

– Babi, çfarë ke? –  e pyeti vajza që porsa kishte ardhur.

– Filloi! Filloi! – i tha ai me një zë të gëzuar.

– Kush filloi?

– Furtuna. Furtuna e madhe  që  do  të  fshijë  nga faqja e dheut përbindëshin që na shpërfytyroi, që na sakatosi dhe depersonalizoi.

Shikonte në ekran studentët që njëzëri thërrisnin: E duam Shqipërinë si gjithë Europa dhe para syve  i  dilte fëminia e tij. I dilnin shkrepat dhe  gërxhet  nëpër  të  cilat ishte detyruar të kalonte.

– Edhe   ne  kështu u ngritëm  kunder tiranisë, – i tha së bijës. – Por atëherë ishim në gojën e ujkut dhe duhej të luftonim në ato kushte.

Fatosit  iu  shfaq  para  syve  gjithë  e  kaluara  e largët. Iu kujtuan ditët kur ai së bashku me dy shokët e tij, Mondin dhe Janin, fshehurazi shpërndanin trakte nëpër rrugët e qytetit.

I lindi ideja të shkruante diçka. Por për çudi asgjë nuk i vinte ndër mend për ta hedhur në letër. U mundua më kot për një kohë të gjatë, por frymëzimi nuk donte që nuk donte t’i  vinte.  U  ul  në  kolltuk,  mori një libër dhe filloi ta lexoj por, shpejt e kuptoi se nuk mbante mend asgjë nga ato që kishte lexuar. Hoqi dorë.

Ndërkohë dëgjoi tingujt  e  një  kënge  të  njohur. Nga shtëpia pranë vinte zëri i radios, volumi i së cilës ishte hapur aq shumë  sa dëgjohej në të gjithë bllokun. Ky ishte zakoni i njerëzve në atë kohë. Dueti italian Albano dhe Romina Pauer po këndonin këngën Libertá. Vargjet e saj kumbonin fuqishëm në veshët e tij

Një ndjenjë e çuditëshme e pushtoi. Ishte një ndjenjë dhimbjeje dhe krenarie. Kush  ka provuar robërinë mund t’i ndiejë më thellë vargjet e kësaj kënge.  Ndjenja e lirisë, për të cilën kishte luftuar që fëmi, e bënte që t’i dridhej zemra dhe  t’i  rridhnin  lotë  nga  sytë.Para syve i doli e kaluara.

…Mblidheshin çdo pasdite dhe shkruanin traktet. Kur errej i ngjisnin  mureve të rrugicave dhe shesheve të qytetit. Në mendjen e tij ato rrugica dhe sheshe kishin mbetur ashtu si ishin atëherë. Vrenezi e Muradija, Varoshi e Tophanaja, Çolja e Kumja, Sheshi Kateqit e Sheshi Pashait i dilnin para syve me traktet në muret e tyre.

            Ishin ditë të turbullta. Shpesh herë monotoninë e përditëshme e prishnin avionët e huaj që gëvishtnin qiellin shqiptar dhe që shoqëroheshin me një breshëri të paparë kundërajrorësh  e mitralozësh që mundoheshin t’i godisnin, por asnjëherë nuk ia arrinin qëllimit. Avionët hidhnin trakte ku bëhej thirrje për kryengritje të armatosur. Njerin prej këtyre trakteve  Fatosi  e  kishte  gjetur  në taracën e shtëpisë. E kishte  hapur dhe në krye të tij kishte  lexuar:  

            “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!” 

            Më poshtë vijonte thirrja për t’u ngritur kundër sistemit totalitart dhe në fund nënshkrimi:  

    Komiteti  Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. 

            Ky trakt iu ngulit në mendje dhe, në mënyrë të veçantë, shprehja e shkruar në krye të tij, një shprehje nacionaliste shqiptare, që tregonte përse kishin luftuar ndër vite bijtë e këtij kombi. Ndoshta ishte  ky një nga shkaqet që ai së bashku me dy shokët e tjerë, Mondin dhe Janin, të krijonin  organizatën antikomuniste “Atdhetari” dhe të shpërndanin trakte në qytet. Në krye të çdo trakti shkruanim shprehjen:

           “PërLiri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!”

            Para   se   të   fillonin   aktivitetitin   Fatosi    kishte vrapuar në shtëpi ku kishte marrë një flamur pa yll, që e ëma e ruante në sëndukun e saj dhe që dikur e vendosnin mbi portën e hyrjes së shtëpisë në ditën e Festës Kombëtare. E  shtruan  mbi  tavolinë  dhe  duke  vendosur duart e djathta mbi shqiponjën dykrenore u betuan: 

            “Për liri, pë Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!”

Duke shqiptuar këtë shprehje,  ndien  t’u  lageshin sytë. Ishin lotë dhimbje për lirinë, për atë që u kishte munguar me vite.

            Mësimet pothuajse i kishin harruar fare. Ishin në vitin e parë të gjimnazit. Po afronte fundi i  vitit  shkollor. Një ditë i thirri, Harilla, drejtori i shkollës.

            – Përse kjo rënie në mësime?- u tha. – Ju jeni nxënës të shkëlqyer.

            Ata rinin të heshtur. Nuk dinin si  të  përgjigjeshin. Me veten e tyre mendonin se ishte pikerisht drejtori  ai  që i kishte mësuar ta donin atdheun dhe lirinë dhe për to të sakrifikonin edhe jetën, po të ishte nevoja. Atyre iu kujtohej se kur drejtori fliste per lirinë (ai u jepte lëndën e letërsisë), deklamonte vargje të tilla si këto:

                        Të kisha ah, fuqi prej perëndie,

                        T’i  jepja shkelmin kësaj gjithësie,

                        Dhe të krenja botë tjetër ku të kishte,

                        Çdo plotësim dëshire e lirie! 

Mendonin   se   ëndrrat   mund   të  realizoheshin vetëm me traktet e tyre. Mendonin se ishin të pakapshëm. Por, një ditë, ato u ndërprenë. Ishte maj kur Dhimitri, punonjësi i ofiçinës së qytetit, që më vonë do të  merrte, si shpërblim për shërbimin e kryer, bursë studimi në shkollën e aviacionit në Bashkimin Sovjetik, i denoncoi  në  organet  e Sigurimit të Shtetit.

            Kështu filloi kalvari i përndjekjeve dhe  secili  prej tyre ndoqi rrugën që i kishte caktuar fati. Jani me temperamentin e tij të rrëmbyer u mundua të çante perden e hekurt, duke marrë rrugën e emigrimit, por nuk i eci. Një sëmundje e rëndë e ndau nga jeta, kur sapo kishte filluar ta jetonte atë, kur sapo kishte filluar të bëhej diçka. Mondi i matur dhe i ngadaltë u end për vite të tëra nëpër fshatrat e veriut të vendit duke kënduar me zërin e ëmbël këngën e tij të preferuar ‘’Erëza Malore‘’. Ndërsa Fatosi i   qëndroi   besnik   qytetit   duke    ngritur    mure,    duke ëndërruar për të ardhshmen, duke  ëndërruar  për lirinë.

  Albanua me  Rominën  kishin  kohë  që  e  kishin përfunduar këngën e tyre. Kurse atij vazhdonin t’i buçisnin në vesh vargjet e saj: Io vivrò per avere te!

           Shikonte studentët e Universitetit të Tiranës që marshonin nëpër rrugët e kryeqytetit me parullat  për liri dhe demokraci dhe në to vështronte rininë e tij në ato ditë të zjarrta. Mendonin se do të  ishin  të  përjetshëm,  se  nuk do  të  kishte  forcë  në  botë   që  mund  t’i  ndalonte.  Por mosha në të cilën ishin, nuk i lejonte të shihnin realitetin.

Tanimë kohët kishin ndryshuar. Vala e lirisë ishte përhapur në të gjithë Lindjen, vendet e të cilave kishin muaj që e kishin fituar. Nuk  mund të mbetej prapa Shqipëria. Mjaft ishte vonuar deri më sot. Koha nuk  priste.  Rinia  ishte  ngritur  më  këmbë. Ishte ajo që kishte marrë përsipër përmbysjen e madhe,  të  ëndërruar dhe  të  larë  me  gjak  dhe  vuajtje  për  gati  një  gjysmë shekulli.

*Kjo ditë kishte arritur.

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: DITE TE ZJARRTA, reshat kripa

Sofra Poetike e Diellit-Robert Frost- poeti i jetës së gjallë

June 14, 2016 by dgreca

Nga poezia më e mirë amerikane/

Përktheu  Rafael Floqi /

Robert Lee Frost (26 Mars, 1874 – 29 Janar 29, 1963) ishte një nga poetët më  të shquar  amerikanë. Fillimisht krijimet e  tij u botuan në Angli para se ato të botoheshin në Amerikë. Ai shquhet për paraqitjet reale të jetës rurale dhe përdorimin e fjalës së gjuhës së folur amerikane. Vepra e tij shpesh përdor parametrat nga jeta rurale në New  England në fillim të shekullit të njëzetë, duke pasqyruar nëpërmjet përdorimit të detajeve shqyrtimin e temave komplekse sociale dhe filozofike. Ai ishte një nga poetët më të njohur dhe të respektuar nga kritika amerikane të shekullit të njëzetë. Frost u nderua shpesh gjatë jetës së tij, duke marrë katër  Çmime Pulitzer për poezi. Ai u bë një nga “figurat publike letrare, dhe u shndërrua pothuajse një institucion artistik.”  Atij iu dha Medalja e Artë të Kongresit në vitin 1960 për veprat e tij poetike. Më 22 korrik 1961, Frost u emërua poet laureat i Vermontit. Ai madje mbajti një fjalim mjaft domethënës në inaugurimin e Presidentit JF Kenedi

Poeti / kritiku Randall Jarrell që vlerësoi poezinë e Frostit shkroi për të , “Robert Frost, së bashku me  Stevens dhe Eliot, është një nga poetët më të mëdhenj amerikanë të këtij shekulli. Virtytet e Frost-it janë të jashtëzakonshme. Asnjë poet tjetër i gjallë nuk ka shkruar aq mirë në lidhje me veprimet e njerëzve të zakonshëm, monologët e tij të mrekullueshëm me dramatike apo skenat dramatike vijnë nga një njohuri e thellë për botën njerëzore që pak poetë kanë pasur, dhe ata janë shkruar në një dorë e freskët që përdor, me një mjeshtëri absolute të paparë ndonjëherë , ritmet apo të folmen e gjallë amerikane “. Ai gjithashtu vlerësoi seriozitetin dhe ndershmëri e Frost-it”, duke deklaruar se “Frost ishte veçanërisht i aftë të mishëronte një gamë të gjerë të përvojës njerëzore në poezitë e tij.” Shkëputur nga libri në proces mbi poezinë e këtij poeti të madh amerikan në shqip po paraqes për “Diellin” disa përkthime të mia të poezive të Robert Frostit.

Zjarr dhe akull

Ca thonë se bota do të shuhet në zjarr,

Ca thonë prej akullit.

Duke u nisur nga ç kam shijuar nga dëshirat

Jam me ata që  thonë në zjarr.

Por nëse duhet të shkatërrohet dy herë,

Mendoj se  e njoh mjaft urrejtjen

Sa të them se akulli si shkatërrues

Është po aq i madh

sa mjafton.

 

 Imigrantët

Asnjë anije , qoftë  me vela apo avullore

S’ka sjellë kaq njerëz njeri pas tjetrit tek ne

Sa ëndrra e Mayflower e pelegrinëve , prore

Që ysht ankthshëm karvanët nga deti në breg .

 

Hi në sy 

Nëse, siç  thonë ca se hiri i hedhur syve

Do ma ndalte ligjërimin e mençur ,

Unë s’ jam njeriu që mund të bësh prova .

Ndaj le t’ më përmbyt ë hiri gjer jashtë pullazit

Rreth e përreth  si tis bore i kthyer në pluhur ,

Le të më verbojë e të më ngurosë po të mundet.

 

Do të këndoj me -Oi

Kisha shumë kohë shtrirë

Pa fjetur atë natë

Duke dashur që nata

T’i pagëzonte  orët

Dhe të më thoshte se kur

Unë do mund ta quaja natën ditë.

(Dhe pse ende pa gdhirë)

Hoqa dorë prej gjumi.

Bora binte rëndë

Plot me fshikuj pizg ;

Dy vrunduj ere ndesheshin ,

Njëra poshtë në një udhëz

Dhe tjetra më përtej ,

Përlesheshin  në mes  një pluhuri

të butë dhe puplor.

Unë s’mund të them,

Se iu druajta ngricës

Por kontrollova mardhjen

E orës së kullës

Duke ia lidhur bashkë

Dy akrepat e artë

Mu para fytyrës .

 

Pastaj mu dëgjua sikur trokiti një herë !

Me një notë të shuar

Me një aromë si prej dheu,

Qe për çudi qe e shurdhët.

Dhe kulla tha, ‘Ora Një!’

Dhe pastaj diç shndriti mbi kambanore  .

Që zbuloi njerëzit e paktë në shesh

Që duket sikur flisnin me vete …

Nëse erërat munden të zgjohen

Nga ngrohtësia e gjumit

(Meqë nuk i nxora jashtë  shtëpie ).

Ato e lanë stuhinë

Të përplaste  masivisht

Në qelqin e dritares time,

Me një gëzof me rruaza të ngrira.

Por në mes asaj zhurme varri

U dëgjua një zë  “Ora Një”

Më pas

Erërat i folën Diellit

Hënës dhe Yjeve ,

Saturnit , Marsit

Madje dhe Jupiterit.

Akoma më të shpenguara,

Ato i lanë emra t e planetëve

Dhe folën me  germa,

Duke numëruar Sigmat dhe taut

E konstelacioneve.

Më pas pasi mbushën gurmazet

Me trupat qiellorë më të largët

Drejt së cilave njeriu  shpesh dërgon

Spekulimet e veta,

Përtej aty  ku gjendet Zoti;

Ku grimcat kozmike

Nanurisnin  lentet.

Me lëvozhgat e tyre  solemne

Pastaj erërat :

Folën për orën

Për ato rrotat e mëdha

Me dhëmbë të ndërkallura.

Dhe për atë fjalë varri

Ndërsa më pas

Ylli më i madh

Sikur shqiptoi vetëm fjalën : ”Një”

E duke u dridhur i nxiti,

Dhe pse qe aq larg

Vrushkujt e tërbuar të erërave

Të bënin sikur qëndronin

në një stacion të vetmuar .

Duke ruajtur brenda çudinë

Kur ishin me përmasa pa kufi

Dhe vazhdonin të zgjeroheshin

Për t’u bërë një  Supernova ,

Dhe mendoja

Se për sytë e njeriut

Asgjë nuk gjë  s’ka ndryshuar

Me gjithë këta planetë

Përmbi ,

Përreth dhe përposh

Qysh kur njeriu filloi

Ta tërheqë zvarrë njeriun

Dhe kombi kombin, osh.

.

Pyetje

Një zë më tha :Më shih mua ndër yje

Njeri i i kësaj toke  dhe thuama të vërtetën

Nëse të gjitha plagët e trupit dhe shpirtit

Që paguajmë  për lindjen, a s janë tepër?

 

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: nga poezia me e mire amerikane, Rafael Floqi, Robert Frost

FASLLI HALITI VJEN ME “TROKITJE”

June 13, 2016 by dgreca

FASLLI HALITI/

TROKITJE/

 POEMTH/

I./

 Tak,/

Tak. tak,/

Trokitje…/

Po trokasin./

Le të trokasin…,/

Le të trokasin atje pas derës,/

Mes breshrit, llohës, indiferencës,/

Mes borës, stuhisë, shkretëtirave, shkurreve, erës./

 

II.

 Lehje.

Po lehin.

Leri

Të lehin!

Po nuhasin.

Lëri të nuhasin.

Plehrat do nuhasin, bajgat,

Hajdutët, zgrapësit, hajnat, killërët,

Hajdutët,

Hajnat

Po vjedhin.

Lëri të vjedhin…

Tek ti

Tek unë

S’kanë ç’të vjedhin,

S’kanë ç’të marrin nga ne ata?

S’kanë ç’të klepsin klepsokratët

S’kanë ç’të vjedhin ku nuk ka.

 

III.

 

Krisma. 

Dëgjohen

Krisma.

Dëgjohen të shtëna.  

Ç’i dëgjon krismat, të shtënat;

Kundër njëri-tjetrin shtien,

Me njëri -tjetrin e kanë;

Me Kallash

Pistoleta 

«TT»

Vriten 

Mes  tyre.

Për një copëz tokë vriten,

Për një dekolte, për një minifund zyre.

 

V.

Britma.

Sharje,

Grushte, kacafytje si qentë

Kafeneneve , trotuareve,

Në parlament.

 

VI.

 

Lëri

Të bërtasin,

Lëri të grinden,

Lëri të hahen tepistët,

Leri të shahen mes tyre,

T’i thyejnë  turinjtë, nofullat njeri-tjetrit,

Sidomos atyre që kanë vjedhur me trena, furgona:

Që kanë grabitur fusha, kodra, troje, toka bregdetare.

Leri të shahen mes tyre deputetët, partiakët,

T’i thyejnë turinjtë njeri-tjetrit

Hundët prej pinoku që zgjaten

Që shkurtohen

Sipas

Gënjeshtrave të tyre

Kilometrike

Imcake

Milimetrike,

Hundët

E përpjeta,

Sidomos atyre

Që kanë ndërtuar vila

Bregdeteve, botës anembanë:

Në Londër, Paris,

Amerikë,

Spanjë,

Në bregdetin limitrof italian…!

 

VII.

 

Të vjedhurit, pronarët,

Të grabiturit keq.

Po bëjnë

Padira me nerv pronari, fermeri

Në prokurori, në gjykatë,

Po bëjnë kallëzime

Po pajtojnë

Avokatë.

Po apelojnë gjer në Hagë…

 

***

 

Po vijnë paditësit plot bindje, nerv, besim.

Le të vijnë paditësit e grabitur,

Le të vinë,

Le të padisin

Prokurorët,

Hetuesit,

Gjyqtarët,

Thonjgjatët e gjyqësorit,

Avokatët, qeveritarët. 

 

VIII.

 

Paditës!

Paditini kriptohajdutët,  

Hajnat mes të ditës me diell,

Bëni kundër hajdutërisë

Kallëzime 

Penale

Gjithë nerv.

 

 

Bëni

Padira

Të ashpra,

Besojuni gjyqtarëve

Me duar të pastra.

 

Besojuni prokurorëve  

Gjyqtarëve  

Që japin drejtësi

 

Edhe pse sot ata kërkohen me qiri…

 

Shtator 2015

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Faslli Haliti, poemth, trokitje

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 259
  • 260
  • 261
  • 262
  • 263
  • …
  • 312
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • BESA NUK ËSHTË SLOGAN – ËSHTË NDËRGJEGJA MORALE E KOMBIT
  • Nikolaos Dragoumis dhe libri i tij për Skënderbeun
  • Si Italia sulmonte “Vatrën”: Bostoni që trembte Romën
  • “Cheers to Summer 2026” AFC sends a Love Postcard to Kukes Hospital
  • Dokumentarë historik mbi krimet e luftës në Kosovë
  • MALI I ZI, SHTETI KU DISA KOMUNA TENTOJNË TË UDHËHEQIN ME POLITIKËN E JASHTME TË TIJ
  • 𝗠𝗮𝗿𝗿𝗲𝘃𝗲𝘀𝗵𝗷𝗮 𝘂𝘀𝗵𝘁𝗮𝗿𝗮𝗸𝗲 𝗺𝗲 𝗦𝗛𝗕𝗔-𝘁𝗲: 𝗶𝗻𝘃𝗲𝘀𝘁𝗶𝗺 𝗻𝗲 𝘀𝗶𝗴𝘂𝗿𝗶𝗻𝗲 𝗸𝗼𝗺𝗯𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲
  • Kujtojmë në përvjetorin e lindjes gjuhëtarin austriak dhe albanologun Maximilian Lambertz
  • Jeronimi dhe Bibla që foli latinisht
  • FYTYRA E STATUJËS SË LIRISË
  • “Besa” e kryeministrit dhe besa e shqiptarëve
  • GURËT E KULTIT QË QAJNË, PLAGOSJA E SHKUPIT SHQIPTAR
  • UNESCO duhet ta njohë edhe Malin e Tomorit
  • KUR SHKRIMTARIA I NGJAN NJË LUTJEJE PËR LIRI
  • “IDENTITETI PA MBROJTJE INSTITUCIONALE”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT