• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RINI E SHKËRMOQUR NËPËR BURGJE

July 2, 2016 by dgreca

GËZIM ÇELA në dy libra: “Klithma e një nëne” dhe “Nga burgu i Spaçit drejt lirisë”/

Nga Kadri Tarelli /

 Në mes të muajit Qershor 2016, në odeonin “Nikolin Xhoja”, në mjediset e teatrit “A. Moisiu” të Durrësit, Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve të qytetit bregdetar, organizoi një veprimtari të bukur dhe shumë mbreslënse, kushtuar dy librave me tregime: “Klithma e një nëne” dhe “Nga burgu i Spaçit drejt lirisë”, të autorit Gëzim Çela. Vetë shkrimtari, i cili mbajti mbi shpinë 21 vjet e 8 muaj burg, me rini të rronitur e coptuar ndër vite, provoi prangat dhe birucat, goditjet dhe torturat, qëndresën dhe mbijetesën, njërëzore e mbinjerëzore, fizike dhe shpirtërore, dhe nuk u thye, “Rrnojti për me tregue”, doli në liri, erdhi mes nesh dhe na rrëfen disa copëza jete të thërmuar nëpër skëterën e sistemit komunist. Burgu i gremisi enderrat, i zbardhi flokët, i veniti bukurinë (Sytë e zinj dhe vetullat e gjata të djaloshit të ri, mund t’i lakmojë çdo model bukurie në botë), por nuk e theu dashurinë për jetën, të vërtetën dhe të bukurën, nuk ia mposhti as trupin e cfilitur, as edhe shpirtin e tij të lirë.

Vetë titujt e dy librave janë këmbana që gjëmojnë e rënkojnë, për për të mbajtur zgjuar zgjuar ndërgjen e kombit për çka i ndodhi bijëve të tij. Mjafton vetëm tregimi i parë, “Klithma e një nëne”, në librin me të njëjtin emër, që të ndjesh dridhje e morrnica në trup, edhe në mes të vapës së këtij qershori. Tregimet, qoftë edhe veç e veç, i bëjnë librat thëngjilj zjarri, që të përcëllojnë ndër duar, kur njihemi me tmerret në birrucat e hetuesisë, torturat e paimagjinueshme, dënimet e sajuara e të pamerituara, veprimet e xhelatëve që i zbatonin. Po në emër të kujt!? Aty mes fjalësh e fjalish, në lot e rënkime, në gjak e mundime, në fyerje e dhunime, përjetojmë tragjedinë më të madhe që pësoi kombi, i ndarë e i përçarë nga absurdi “Lufta e klasave”, që e katandisi popullin, në të mirë e të liq, në atdhetarë e armiq, në besnik e tradhëtar, në fitues e sundimtarë dhe në vuajtës e të vrarë, të mbetur pa emër e pa varr.

Ç’mallkim na ndjek që po mbetemi të ndarë? Vallë a ishim e jemi të gjithë shqiptarë? Këto pyetje të tmerrojnë, kur i mendon dhe i përjeton cilido, edhe pas kaq vitesh. Ma merr mendja, nuk ka krim më të madh që i është bërë shqiptarëve, se zbatimi i këtij ligji të zi, ideologjik e politik, që brohoritej dhe bekohej nga diktatura, sepse e keqja nuk mbaronte vetëm tek burgu. Ajo  vazhdonte nëpër kampet e internimit, dhe “njolla”, “armik i klasës”, u ngjitej e trashëgohej jo vetëm për familjarët, por edhe për farefisin. O zot ç’marrëzi, të bësh armik popullin tend!  Dhe përse!?

Përmbajtjen dhe analizën letrare – artistike të këtyre dy librave e ka në dorë vetë lexuesi. Ai ka privilegjin të gjykojë mbi forcën dhe bukurinë letrare të fjalës, vërtetsinë e ndodhive, ku jeta dhe vdekja ishin kaq ngjitur, njëra pranë tjetrës. Këndonjësi ka mundësi të kuptojë dhe të shijojë mesazhet hyjnore e njerëzore, që dalin nga zemra e një të riu që vuan absurdin e kohës, si një thirrje e oshëtimë që ta dëgjojë njerëzia. Ndërsa dua të ndalem tek kuvendi i miqëve, krijuesve, dhe bashkëvuajtësve të shumtë, durrsak dhe të ardhur edhe nga Tirana, Kavaja, Vlora, etj, të cilët nderuan Gëzimin në këtë festim të tij, sot në moshën 81-vjeçare.

Me dhimbje e lot në sy u përcoll në video, kënga “Nëna Roza”, kënduar nga tenori i njohur Kastriot Tusha. Nënë Roza është nëna e “heroit” tonë Gëzim Çela, e cila për dhjetëra vite, me trasta në dorë e ndoqi të birin, qeli më qeli e burg më burg. Jeta e kësaj nëne, si e mijëra nënave të tjera, frymëzuan muzikollogun, shkrimtarin dhe poetin durrsak Zini Beqiraj, të kompozojë muzikën, të hartojë edhe tekstin, si hymn për qëndresën, dhimbjen, pritjen dhe kalvarin e vuajtjeve, për rininë e djalit të shkërmoqur burgjeve, sepse donte liri. Kur përjeton melodinë e kësaj kënge dhe tregimet e librit, cilido prej nesh bën pyetjen më të sinqertë që del vetiu: “Kush e kishte dhimbjen më të madhe, djali i mbërthyer në hekura, apo nëna përtej tyre?” A jemi në gjendje, si prindër e fëmijë, nënë e bir, motër e vëlla, shok apo mik, t’i japim vetes një përgjigje?

Me mjaft interes u ndoq fjala e organizatorëve dhe pjesëmarrësve në këtë kuvend miqsh, shokësh, mes tyre edhe letrarë, poetë, shkrimtarë e krijues të njohur, të cilët përcollën copëza njohjeje dhe përjetime nga jeta, përshtypje nga tregimet e librave, të cilat janë fletë të shkëputura nga kalendari jetësor i Gëzimit, që veç emrin pati Gëzim, se jeta e tij kaloi e hidhur farmak e pelin. Ata që morën fjalën ishin të shumtë, po përmend disa prej tyre: Nikolla Spathari, Simon Miraka ardhur nga Tirana, Zini Beqiraj, Vladimir Muça, Sami Velçani, Laureta Petoshati e ardhur nga Vlora, Fatmir Minguli, Nazmi Roli ardhur nga Kavaja. Meri Lalaj, shoqe e vjetër e Gëzimit, sot ka ardhur nga Tirana, duke sjellë përshëndetjet edhe të artisteve të njohura, Margarita Xhepa dhe Roza Anagnosti, të cilat si lushnjare të herëshme, e kanë njohur në rininë e tyre Nënë Rozën dhe vetë të birin, por që sot nuk mundën të jenë të pranishme në këtë ditë të madhe për Gëzimin.

Poeti i njohur Agim Bajrami i frymëzuar nga tregimi “Çibuku me tul buke”, enkas për këtë takim, krijoi poezinë “Llulla prej buke”,  të cilën e recitoi me mjaft ndjenjë e bukuri artistike, duke përcjellë njerëzishëm emocione të forta mallëngjimi e trishtimi:

-Llullë e vjetër burgu,

Me bukë prej urie,

Prej teje edhe helmi

Kishte tjetër shije

………………..

Llullë e tharë e shkreta,

mushkëritë farmak.

Me ty edhe unë vetë ,

vij të tymos pak.

Në fund të takimit Gëzimi falënderoi pjesëmarrësit, nuk foli për jetën e tij. Përse duhen trazuar plagët, që dhembin sapo i fryn pluhrin e një jete të shkatëruar? Ai e di mirë, madje më mirë nga ne, se vragat e torturave në trup mbyllen e shërohen, ndërsa të shpirtit, duken sikur mbulohen, por nuk harrohen. Në këtë rast, Gëzimi i kurseu fjalët dhe përshëndeti me poezinë “Ëndërrime nga qelia”. Kur i dëgjova këto vargje, dhe i përsërita nga libri, çuditem dhe më vjen keq, pse gëzimi nuk ka lëvruar këtë gjini letrare. Janë vetëm katër të tilla të vendosura mes tregimeve, por që kanë shumë frymëzim, ndjenjë, dashuri dhe harmoni të lakmueshme edhe për poetët me emër. Po citoj vetëm katër vargje:

-Jo, më mirë po iki, po kthehem në qeli.

S’dua të jem si tymi, por me gjak si ti.

Ndonjëherë n’u kthefsha, nëse s’m’ ke harruar,

Dua t’puth me zjarr, jo me zemër të shuar.

Askush nga ne, apo ata që nuk e provuan burgun, internimin dhe ferrin  komunist, nuk mund ta përfytytojmë durimin, guximin dhe vetmohimin e Gëzimit dhe bashkëvuajësve të tij, që gjetnë forca të mbijetojnë e të ngadhënjejnë mbi vdekjen. Ç’forcë i ka mbajtur gjallë, veç ata e dinë. Mbase këtu gjejnë vend fjalët e shkrimtarit A. Solzhenicini, që e bëjnë njeriun të fortë të përballojë edhe fatkeqësi të tilla: “Kur i keni marrë një njeriu çdo gjë, ai nuk është më në dorën tuaj. Ai është i lirë”.

Gëzimi ishte i burgosur, por mbeti me shpirt të lirë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: dhe “Nga burgu i Spaçit, drejt lirisë, GËZIM ÇELA në dy libra: “Klithma e një nëne”, Kadri Tarelli

Promovohet libri i Ndriçim Kullës, “Shqipëria dhe Bota në veprën e Kadaresë”

July 1, 2016 by dgreca

“Shqipëria dhe Bota në veprën e Kadaresë” është libri me i ri i studiuesit  Ndricim Kulla. I konceptuar në trajtën e një albumi me vendet me të bukura që përshkruan autori, ky botim vjen pas një pune 20 vjeçare , në kuadër të 80 vjetorit të lindjes së shkrimtarit Kadare.

Ndricim Kulla: Më lindi ideja që me këtë mund të bëja një album që mund të kishte trajtën e një guide, që mund t’i shërbente promovimit të turizmit shqiptar dhe aq më shumë që kjo bëhet nga pena e shkrimtarit me famë botërore Ismail Kadare.

Në këtë botim flitet për qytetet kryesore të Shqipërisë por edhe disa vende të botës që Kadare nuk i kishte vizituar asnjëherë , por i kishte përshkruar me shumë saktësi.

Ndricim Kulla: Unë jam fokusuar tek koha e studimeve të tij në Moskë, Parisi. Unë u habita që ai përshkurante me kaq saktësi, por njëkohësisht të marrim edhe një shembull tjetër Sahara, që ai bën një vjershë brilande që nuk e ka shkruar dikush pa qenë në Sahara.

“Shqipëria dhe Bota në veprën e Kadaresë” është shkruar në shqip dhe anglisht ,me qëllim promovimin e turizmit dhe bukurive natyrore të vendit në sytë e të huajve.

Filed Under: LETERSI Tagged With: “Shqipëria dhe Bota, Ndricim Kulla, në veprën e Kadaresë”

AT GJERGJ FISHTA-POEZI PER SHQYPNINE

June 27, 2016 by dgreca

AT GJERGJ FISHTA/

Poeti ynë kombëtar për Atdheun/*

Shqypnisë/

T’falem, Shqypni, ti i shpirtit tem dishiri!/
I lum njimend jam un n’gji tand tue rrnue,
Tue gzue t’pamt tand, tue t’hjekë atë ajr t’kullue/
Si Leka i Madhi e Skandërbegu i biri/
Kje i Lumi vetë, qi mue m’dërgo ksi hiri/
Për nën qiellë tande t’kthielltë un me u përftue./
Malet e hjedhta e t’blerta me shikjue,/
Ku Shqypnija e Burrit s’dron se i qaset niri./
Ktu trima lejn gjithmonë, pse ti je nana
E armvet n’za, qi shndrisin duert e t’lumit,
Kah des për ty i rrebtë e trim si zana:
Eden n’Balkan ti je; ti prej t’Amshumit

Shqypnia

Edhè hâna do t’ a dijë,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká !
Fusha t’ gjâna e kodra t’ blera,
Zijes s’ mnershme larg kû âsht droja,
Me gaz t’ vet ktû i veshë Prendvera,
Si t’ Parrizit t’ larmet shtroja.
Nën nji qiellë përherë t’ kullueme,
N’ rreze e n’ dritë përshkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigâj shtiellen n’ ajrí.
Ke ato bjeshkë e ke ato male
Kroje t’ kjarta e t’ cemta gurra,
Tue rrëmbye npër mriza hale,
Gurgullojn npër râjë e curra.
Mbi ato male e bjeshkë kreshnike
Léjn mande’ ata djelm si Zâna,
Armët e t’ cillvet, përherë besnike,
Janë përmendë ndër fise t’ tana.
Atje léjn, po Toskë e Gegë,
Si dý rreze n’ flakë t’ nji dielli:
Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë,
Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.
Oh! Po, e din i prûjtë anmiku,
Se âsht rrfé zogu i Shqyptarit,
Rijtun gjakut kah çeliku
N’ dorë t’ ktij shndritë për vend t’ të Parit.
Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N’ turr t’ Shqyptarit pît ka rá.
Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka’ i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmben kû e thrret Lirija.
Lume e shé para atij ngelin,
I a lshojn udhën dete e male;
Mbretënt fjalën s’ mund t’ i a shkelin,
Turrin ferri s’ mund t’ i a ndalë.
Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n’ gjí,
Nuk mund t’ quhesh, jo, robneshë.
Burrë Shqyptár kushdo i thotë vetit,
Qi zanát ka besë e fé,
Për Lirí, për fron të Mbretit
Me dhânë jetën ka bâ bé.
Sy për sy, po, kqyr anmikun;
Përse djemt, qi ti ke ushqyue,
S’ i ka pá, jo, kush tue hikun:
Friga e dekës kurr s’ i ka thye,
Kaq të bukur, kaq të hieshme
Perëndija t’ fali i Amshueshëm,
Sá ‘dhe deka âsht për tý e shieshme:
N’ gjí t’ and vorri âsht i lakmueshëm.
Po, edhè hâna do t’ a dijë,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká !
Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Për jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera.

·        *   *   *

  • Zoti n’qiell e na mbi tokë:

Me gjithkënd vllazën e shokë,

Pa tý lules smi vjen era,

Pa tý pema fryt nuk mbjen:

Mue pa tý nuk mdel prendvera,

Pa tý dielli nuk mshelxen.

Dersá tmundem me ligjrue

E sá gjáll me frymë un jam,

Kurr Shqypni, skam me tharrue,

Edhe nvorr me tpermendë kam.

Atdheut

N’ tý mendoj kúr agon drita,

Kúr bylbyli mallshem kndon,

Ntý mendoj kur soset dita,

Terri boten kúr e mblon.

Veç se tý të shoh un nanderr,

Veç se tý, çuet, tkam nmendim;

Nder tvështira ti mjé qanderr,

Per tý i lehtë mvjen çdo ndeshkim.

Po, edhè hâna do t’ a dijë,

Edhè dielli do t’ két pá

Se për qark ksaj rrokullije,

Si Shqypnija ‘i vend nuk ká !

  *DERGOI PER DIELLIN: ANTON CEFA

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: AT GJERGJ FISHTA-POEZI, PER SHQYPNINE

URAN BUTKA MIDIS MISIONIT DHE PASIONIT

June 24, 2016 by dgreca

( Një lexim i vëllimit me tregime dhe novella “Vetëm një natë” të Uran Butkës)/

Shkruan: Halit  Shamata/

Ndryshe do të thonim: Uran Butka midis historisë dhe letërsisë. Në kufirin ndarës dhe në osmozën natyrale që i bashkon të dyja, Uran Butka riskon suksesin e tij të dyfishtë.

Puna e historianit për të është një mision, si rrallë herë i paautorizuar nga askush. Ndërsa shkrimtaria letrare, deri më tash e hijezuar nga politikani dhe historiani Butka, po rreket të ndryshojë rendin e përparësisë së vlerave. Krijimtaria letrare është pasioni i përditëshmërisë së tij. Por Uran Butka ka bërë me pasion edhe deputetin dhe vazhdon të bëjë me një pasion natyral, punën e historianit.

Euxhenio Montale, poeti nobelist dhe, në të gjallë edhe senator i përjetshëm italian, në përmbledhjen me ese “Në kohën tonë” shkruan se raporti mes ideales dhe reales krijoi letërsinë klasike, ndërsa raporti mes reales dhe ireales, krijoi letërsinë moderne. Përtej dy blloqeve kryesore të letërsisë, te Uran Butka përndryshe, shfaqet një qasje tjetër, raporti mes historisë dhe realizmit si drejtim letrar. Një qasje deri diku niçeane. Në veprën “ Mbi dobinë dhe dëmin e historisë për jetën”, Niçe shkruan “ Ajo që është histori dhe ajo që nuk është histori janë në mënyrë të barabartë të domosdoshme për shëndetin e një individi, të një populli dhe të një qytetërimi. përkth. im). Duket sikur në këtë pamëdyshje të dyshuesit të paepur Niçe, Uran Butka end thurimën e teksteve të tija historike dhe letrare. Historiani Butka i ofron Butkës shkrimtar, dokumenta, fakte, dëshmi, në të shumtën e rasteve tronditëse, që abstragohen estetikisht në tekst letrar, duke ruajtur herë drejtpërdrejtë, herë të mjegulluar kontekstin dhe dëshminë historike. Nga ana tjetër shkrimtari i ofron historianit, gjuhën dhe stilin letrar, vitalizimin e shkrimeve historike, me një qasje të vetvetishme letrare duke ruajtur entitetin e tekstit historik.

Një gjë vlen të thuhet lidhur me atë që Niçe e quan “ dëmi i historisë”. Veprat historike të Butkës kanë mënjanuar deri diku nga vëmendja e lexuesit, veprën e tij letrare. Kjo ka edhe një arsye më shumë, veprat historike të Butkës, i përkasin historisë politike moderne. Është i njohur konstatimi i Edit Durhamit, se shqiptarët prodhojnë më shumë histori se sa konsumojnë. Me ç’duket pas njëqind vjetësh, mund të themi të kundërtën…

Duket vërtetë e çuditshme që, megjithë kontekstin e jetës dhe përjetimeve politike, proza e shkurtër e Uran Butkës, dallohet lehtas për lirizmin e sinqertë dhe poetikën ngrohtë. Mund të thuhet se ai është në vazhdën e rrëfimit poetik në prozë, të brazduar herët nga mjeshtra si Mitrush Kuteli, por edhe Sotir Andoni etj.

Uran Butka është në përputhje me veten, përsa i përket natyrës së njeriut dhe natyrës së stilit të tij letrar. Ai është i kuptueshëm, me një lexim të parë, por gjërat duket sikur ndërlikohen pasi ke mbaruar se lexuari tregimtarinë e tij.

Aktualiteti shqiptar , që hera-herë shmanget në të shkuarën e afërt, është ajo me të cilën lidhen shqetësimet dhe përjetimet krijuese të Uran Butkës.

Më poshtë po përpiqem të ofroj disa lexime të vëllimit “ Vetëm një natë” që sapo ka dalë nga shtypi:

Tregimi “Vetëm një natë”, që ka pagëzuar librin me proza, na rrëfen kalvarin e mundimshëm gjer në pamundësi, nëpër të cilin kalon procesi i kthimit të pronës. Për autorin, rikthimi i pronës nuk është malli në vetvete, por është rikthim te liria, e cila ka kuptim, qoftë edhe vetëm për një natë.

Tregimi “Zëri”, në një kontekst social, na thotë se gjëra fare të vogla, siç është ngritja e pavetëdijshme e tonit të zërit, mund të prishë statukonë e një familjeje. Në kontekstin psikologjik, zbrazëtia e zërit, prish ekuilibrat shpirtërorë.

Uran Butka në pjesën më të madhe të tregimeve të tij, shfaq një mentalitet që e ka kapërcyer prej kohësh tranzicionin e stërzgjatur shqiptar. Në tregimin “ Viti ‘92” pasqyrohet model i një nëpunësi arsimor, që pasi ka provuar torturat dhe burgjet e komunizmit, duke qenë i ndershëm me veten, i vlerëson njerëzit nga meritat dhe jo nga biografia, gjë nga e cila ne shqiptarët ndjehemi të trysnuar ende edhe sot.

Tirana ze një vend të veçantë në librin e Butkës. Tregimi me titullin sugjestionues “Pamje nga ura” nga idili i Urës së Tabakëve, gjer tek gërrhima çehoviane në shfaqjen e dramës së Milerit, ngre problemin e vlerave të dyshimta që mpleksin të ardhmen e një njeriu apo një qyteti.

Karrierizmin e mbështetur mbi shëmtimin moral trajton novella “Arrivisti”. Dhe po në këtë frymë, është edhe përpjekja për të blerë me para, lavdinë e

parardhësve, jo për t’i bërë nder qytetit, por në emër të pushtetit, tek tregimi “Shtatorja”. Ceremonia për përurimin e shtatores që bëhet në prag të zgjedhjeve ka një mbyllje groteske. “Në orën e caktuar kryetari i bashkisë mbajti një fjalim të ndjerë dhe, në mes të një entusiazmi të paparë, nisi të zbulonte shtatoren. Por gjithçka u fashit rrufeshëm: shtatorja ishte pa kokë”.

Në libër ka një numër tregimesh ku përjetimet dhe përvoja personale, kondensohen në situatë artistike, përmes dramacitetit tek tregimi “Nëna”, përmes së papriturës tek tregimi “Prangat” si dhe përmes lirizmit tek “ Dy pensionistët”, apo përmes aksionit tek tregimi “Pishat e buta”. Sikurse ndodh që përjetimi personal nuk arrin gjendjen e masës artistike si në skicën ‘Përfaqësuesi i popullit” etj.

Uran Butka ka njohur dy anët e madaljes së pushtetit. Ai është ndër të paktit njerëz që kanë provuar dhunën e egër të shtetit dhe qënien në pushtet. Nga kjo buron dramaciteti dhe thelbi i qenies së tij. Por unë besoj se ai i përket atyre që mendojnë se pushteti nuk është as i natyrshëm, as i domosdoshëm.

Më në fund do të them se Uran Butka është vital në gjithë qenien dhe krijimtarinë e tij. Nga viti ’96, në harkun e njëzet viteve, ai ka shkruar më shumë se njëzet vepra në fushën e historisë, monografi, libra me tregime, një roman etj. Një model se si mund të përballohet koha fizike me punë të përditshme. Në takimin e radhës ai është gati të dhurojë një libër të ri. Kjo të sjell ndër mend Sartrin që besonte se Prusti punonte me dy duar.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Halit Shamata, Uran Butka, vetem nje Nate

HIJA

June 17, 2016 by dgreca

Tregim nga Fotaq Andrea/*

Nga libri “La Pierre de l’âme”,“Guri i shpirtit”,  botuar  në  Francë, 2015/

 Shpirtrat janë pilivesat e hijes/

Viktor Hygo/

Hije më thonë,/

Tek vij që nga errësirat e kohës,/

Gjithkënd e gjithçka të shoqëroj,/

Në kurorëzim e shkurorëzim me dritën,/

Edhe diellin sundoj./ 

E pavdekshme jam, në Jetë e në Përtejjetë,/

Shoqëruese e shpirtit në shtegtim të gjatë./

Rrëshqas e depërtoj kollajshëm gjithandej,/

Përherë me vete mision e mister tek mbart./

E thjeshtë jam në përbërje,/

Lakuriqësi e marrtë./

 Mes ëndrrës edhe zhgjëndrrës, në vegim e ag,/

Dridhem, luhatem, regëtij,/

E vetëtij,/

Kujtim tek jam, mbijetesë e shenjtërim,/

 E dukshme dhe e padukshme,/

Në vetëdijë e pavetëdijë./

Po vij, të dashur miq, duke ju drejtuar juve, dhe jo nopranëve, t’ju flas, një e vetme, e përbashkët për të dy. Sepse edhe vetë ata, të dy, u shkrinë, u tretën brenda shoshoqit, u shndërruan në një dritësi të njëtrajtshme, me shpirtra të përpuqur. I shoqërova, unë hija, nga fillimi në fund, në atë fund pa fund, dhe vij t’ju dëshmoj, t’ju rrëfej – në kini pakëz durim -, gjithë sa pashë me sy, gjithë sa dëgjova me veshë, sa preka me dorë, sa fola me fjalë nga vetë gojë e tyre, tek i përkëdhela, i qetësova, i përgjova, i përgjuma, i rizgjova e i përgjuma sërish, në atë luftë e ngërthim mes jetës e vdekjes.

Se s’e kisha të lehtë, edhe pse u orvata të vë baraspeshën midis lumturisë e dhimbjes, shpresës e fatalitetit, të qeshurës e të qarës, zgjimit e gjumit. S’kam qenë dhe s’do jem kurrë armike e vdekatërve. Kam qenë dhe jam e zellshme për t’i ndërgjegjësuar e përjetësuar.

Dëgjoheni miq rrëfenjën time, me gjakftohtësi, pa pasion marrak, dhe nuk dua të më jepni të drejtë, ashtu sikurse nuk dua të gjykoni a të peshoni ligjin fillestar, përfundimtar dhe fundfillestar, të tejtejshmen pavdekësi. S’dua t’ju mbaj leksion, ca më pak ndoca konfuzëve ateistë, për materien e imaterializuar, apo materien mendim e të teorizuar të relativitetit ajshtajnian. Dua t’ju flas me një gjuhë konkrete, mbase edhe disi të thekshme e të prekshme, por krejt të ndryshme nga gjuhë e ashpër e bunkerit, shi në atë kohë të bunkerit. Sepse, e gjithë sa ndodhi, filloi aty, e mbaroi aty, në kohë e në hapësirë të betontë. Në gjumë të tokës mëmë, ata, të dy, Mira dhe Miri, të mirë si vetë buka që hanin, janë duke u prehur tashmë përjetësisht…

Ishin ditë të bukura, plot diell e jetë, me gëlim e gumëzhimë natyre, me vallëzim fluturash e kandrrash, me cicërima e ciatje, me aroma erëndjellëse e erëdehëse bimësh dhe pemësh në lulëzim, mes një kaltërsie qiellore të tillë që ta përpinte shikimin. Gëzonin ata, gëzoja dhe unë hija, lodronin ata, lodroja dhe unë, në atë shëtitje të bukur të dëshirës dhe ëndrrës rinore, larg qytetit, zhurmës, vështrimit gjuajtës dhe gjuhës vrastare.

Po shijonin pranverë, pranverë natyre e moshe, po shijonin një të diel në diellësi, në atë vetmi të praruar që të fal gjiri i natyrës me lëng jetësor, duke u rrekur me eth e epsh shoqmëshoq në butësinë e shtufës, në shtrat të shqopës. Putheshin, përqafeshin, pinin e përpinin në buzët e njëri-tjetrit me krejt zjarrminë e dashurisë. Duheshin marrëzisht, por edhe druheshin po marrëzisht, e trembeshin si zogëza para skifterit nga një realitet shoqëror që i bënte të lëngonin. Se ç’ishin, fundja, të rinj engjëllorë, jo më shumë se shtatëmbëdhjetë pranvera!

Dhe ja, në një çast të tillë të trëndafiltë, plot dashuri të kulluar, veç kur ndjejnë hapa së largu, një fishkëllimë të gëzueshme mashkullore. Ajo e shkretë zu të dridhej, « se mos i kapnin », siç tha me aq pafajësi. Ai, më i qetë, i vuri dorën te goja, dhe ashtu të fshehur në shqopishtë, panë tek kaptoi shtegun poshtë tyre një djalosh i gëzuar ushtar, që tundte rripin, me xhaketë shkopsitur dhe pa kapë mbi krye. Iku në punë të vet.

Atëherë, ata menduan të ktheheshin në shtëpi. Po prapë, kishin bërë dy orë rrugë në këmbë që nga qyteti për të mbërritur aty, në gji të natyrës kondrinore, thjesht për atë gjysmë orën e tyre të artë që kaluan së toku. Pesëdhjetë metra përmbi ta, një tunel ushtarak, beton i gjallë, rrinte gojëshqyer, si i habitur nga prani e ngrohtë njerëzore, që kish guxuar të dhunonte mjedisin e tij të militarizuar gjithë transhe. U joshën të rinjtë tek panë në krahë të tunelit një mimozë mizore me verdhësi shpërthyese. Djaloshi mori përpjetë, drejt pemës tunduese, për të bërë një tufë lule, tek tërhoqi vashën nxitimthi pas vetes. Gjithë harbim, zunë të mbledhin mimoza e të qëllonin shoshoqin me pjalmin dhe pushin e kokrrave verdhore që mbushnin degëzat…

Sërish ndjenë hapa dhe zëra bashkë. Këtë herë më pranë tyre, nga sipër. Ashtu siç qenë, braktisën lulet dhe vetëtimthi u futën në gojë të kuçedrës tunel. Ishte i ftohtë, i errët, bosh, si vetë boshësia asgjësuese. Hapat u afruan, u afruan edhe më, u ndodhën mu te pragu. Ata u bënë njësh me errësirën, rrafsh me paretin e ftohtë të çimentos. Befas, dëgjuan një zhurmë të fortë, shndërruar aty-aty në rrapëllimë oshëtitëse, që i ngriu në vend, i shtangu krejt, dhe përfundimisht, ndjenë një kërcëllimë fatale hekuri që burgosi betonin. Përpara tyre u shua gjithçka, u shua dielli, u shua qielli, krejt natyra. Porta e tunelit qe mbyllur rrëmbimthi, shulosur përgjithnjë.

Pas një çasti hutimi fatal, ata u hovën drejt portës, zunë t’i bien me grushte, ia dhanë klithmave e ulërimave :

– Hej, hape ! hape, hape, hapeeee !!!

Po kujt i binin se ! Nuk ishte më portë, por masë betoni gjysmë metër trashësi, mizore si vetë lufta, që i bënte grushtet e tyre të pambukta dhe klithjet e tyre të shurdhëta. Nuk reshtën gjysmë ore së brituri e së godituri mbi portë, me lot e klithma, vajtime e përgjërime. Luteshin me aman e derman « Hape, hape, o none, hape ! » sa të këpusnin shpirtin…

Domosdo, edhe ju, të befasuar e kureshtarë, do dëshironit një përgjigje për pyetjen që po ju djeg tashmë majën e gjuhës : « Po çfarë ndodhi, xhanëm ? »

Ndodhi ajo që s’duhej kurrsesi të ndodhte : një çast i pandreqshëm, i kobshëm. Ushtarët kishin marrë, atë ditë, urdhër nga eprorët, dhe këta nga lart, nga vetë Makinë e Luftë-Mbrojtjes, të mbyllnin tunelet me portat e rënda hermetike, përllogaritur shkencërisht që edhe gazin e shpërthimit bërthamor të mos e filtronin ! Flitej se bunkerët dhe tunelet e shumtë, si mizë lisi gjithandej, në male, fusha, kodra, qytete, fshatra, varreza, fabrika, rrugë, bregore, gjer edhe te vetë Truri Qendror i Big Brother, po frekuentoheshin në atë kohë, shpesh e më shpesh, nga njerëz për do punë personale, por sidomos nga çifte të dashuruarish, dhe kish rrezik në atë rast se mos  nevojtorizoheshin apo çnderoheshin bunkerët dhe mos përdhosej ushtria!…

Fjalët mbase s’do mjaftojnë këtu për të përshkruar tragjedinë që sapo kemi nisur të rrëfejmë, por kur një nga ushtarët e gjorë që mbylli atë portë makabre aq vetëtimthi, mori vesh se kish murosur për së gjalli dy të rinj, luajti nga mendja dhe u lirua parakohe, si i paaftë për ushtri. Por sot e kësaj dite është i paaftë edhe për jetën e tij !

Besoj do më besoni tani se ç’barrë të rëndë mora përsipër nga çasti që u mbyll njëherë e përgjithnjë bota para atyre engjëllorëve.

Si u rraskapitën e dërrmuan grushtet dhe krahët mbi portë, si u ngjirën e u mbytën në lot, kërkuan këmba-doras, në çdo qosh të territ, në mund të gjenin diçka të fortë. Gjetën vërtet një shufër hekuri dy pëllëmbë të gjatë, mbetur nga saldimi, një arkë ushtarake shkatërrinë, ca gjethe të thara që kish kuturisur aty era, njady bishta cigareje dhe… asgjë tjetër. Zunë t’i bien me shufrën e hekurt çivive të mëdha, duke dashur të jepnin kësisoj alarmin. Po ç’të thuash : a mund të japë një mizë alarmin duke u rrekur të tundë çokun e rëndë të një kambane të madhe majë një kulle të lartë ? Shqyen atëherë arkën, rrëmbyen dërrasat e saj kalbësirë dhe zunë t’i bien betonit shurdh e memec. Ishin egërsuar në mënyrë të tillë sa pandehnin se vërtet do t’i shqyenin, dërrmonin e copëtonin ato mure gjysmë metri të trasha, por shpejt u copëtuan e u thërrmuan vetë dërrasat e ata u përgjakën si mosozot nga duart. Nuk përmbaheshin më, edhe pse forcat po u shternin, dhe nisën asohere të vërtisnin vetveten mbi portë, tek përplaseshin mbi të, duke u rropatur ta lëviznin nga vendi, ta shkulnin, ta shpërthenin.

U shembën nga mishtë, u shembën nga kockat dhe… e para u zalis vasha. Ai, i miri Miri, e rrëmbeu në krahë, e shtrëngoi në pëqi, e puthi dhe e shkundi disa herë për ta sjellë në vete. Me njëmijë të thirrura, me njëmijë lot e të lutura, e përmendi. Nisi të qante e të qeshte njëkohësisht, mes gëzimit e hidhërimit.

Vetëm në atë kohë, mes demonëve agresivë të shkretëtirës beton dhe demonëve të marrëzisë njerëzore, m’u dha rasti të ndërhyj. Deri atëherë, e kisha të pamundur të veproja për t’i qetësuar sadopak. Kishin kaluar mbi dy orë dhe, me sa duket, të lëshuar krejt, djaloshi, i pari, kërkoi t’i thërrasë arsyes:

– Mos u mërzit Mira, mos u bëj merak, do dalim, ke për të parë ! Do vijnë prapë ata dhe do e hapin portën. Mbase na kanë parë, dhe po bëjnë shaka, sa të na trembin një çikë. Me siguri na kanë dëgjuar ! Sa të mbarojnë drekën dhe do vijnë. Këtej, ata bëjnë stërvitjen, nuk i vure re transhetë ? Hë, më thuaj ? – Mundohej kështu ta bënte të fliste, tek e puthte dhe e përkëdhelte në faqe, flokë dhe mbi kapakët e rënë të syve.

Ajo rënkoi, ndjeu dhimbje në tërë trupin, dhe zu një hop të dridhet, pa thënë një fjalë. Ai sërish u tmerrua, tek pandehu se Mira e tij do përpihej në humnerë të kllapisë.

– Kam ftohtë ! – foli ajo me zë të hollë, si të kish frikë se mos nxiteshin e i hoveshin përsipër demonët e zinj të tunelit.

Ai hoqi trikon e pambuktë dhe ia veshi shpejt e shpejt, duke u munduar ta ngrohë sa më parë me afshin e parë të trupit të tij të sapozhveshur. E puthte dhe e puthte, për t’i përcjellë tërë ngrohtësinë e qenies së vet, e përkundte dhe s’reshte një grimë së foluri :

– Po Lumes, i the që do vinim këtej ? Mbase do vijnë e do na kërkojnë ata !

Ajo tundi kokën në shenjë mohimi, psherëtiu thellë dhe zu të qajë në heshtje, në prehër të tij. Ai i rrufiste lotët, tek e puthte lehtë, pa kuptuar tashmë në pinte nga lotët e saj apo të tijtë. Ajo e kish mbërthyer nga qafa dhe e mbante shtrënguar, si të mbahej fort pas një direku anijeje të mbytur në atë oqean errësire e guri. Një Zot e di, ndonëse unë vetë jam edhe hija e Perëndisë, sa ndenjën ashtu të lidhur, për t’i përcjellë shoshoqit sadopak forcë, besim e shpresë…

Tashmë mund të ndërhyja tërësisht, e t’u ndihja aq sa mundja. Rrëshqita përtej tunelit dhe i nxora jashtë… mes ëndërritjes. I shpura turravrapazi, atë pasdite të vonë, secilin në shtëpi, ku u përligjën te mami e babi për vonesën, (megjithëse të sharat, të bërtiturat e kërcënimet nuk munguan). I ula në tryeza, njëra tek përlau tre copa byrekë, racionin e saj që nga dreka (se mami çdo të diel bënte byrek), dhe tjetri tek hëngri një pjatë gjelle dëng me patate e mish, si gjella më e mirë e javës për familjen. I kish marrë uria, ndaj dhe u përcolla fragmente të tilla vatre të ngrohtë familjare. Si hëngrën, (shi atë hop kur zorrët kishin nisur tashmë t’u ulërinin egër), i çova nëpër shokë e shoqe të klasës, ku nuk munguan të tregojnë ndodhinë e tyre të tunelit, por jo pa një çikë humor, për të mos e bërë tragjike. I shëtita rrugëve me diell të qytetit, i shpura për të blerë akullore dhe i ula në një stol të parkut të vetëm buzë bulevardit, ku bënin shëtitjen dhe parakalimin e gjatë darka me darkë…

Atë çast, e para u hov sërish Mira, tek iu shkëput djaloshit nga krahët dhe u lëshut drejt portës për ta shtyrë me gjithë marrëzinë e vet, me klithma tejshpuese të shpirtit por jo të betonit të pashpirt. Nuk donte, nuk pranonte kurrsesi të kalonte natën aty, e bindur tashmë që muzgu kish rënë në jashtësi dhe terri po e tmerronte më shumë se kurrë. Zu të përplasë kokën pas betonit, të shkulë flokët, të çjerrë veten dhe t’i vërvitet Mirit si skifter me kthetrat hapur, për t’i rrëmbyer nga gjoksi shpresën dhe lirinë në ekzistonin në qetësinë e tij ende të paçmendur. E akuzoi atë, akuzoi dhe vetveten : « Pupu ç’bëra ! pupu ç’bëmë ! Ti e ke fajin ! Pse hymë këtu ? Ç’deshëm që hymë ? Po tani ? S’do dalim më ! Si do dalim që këtej ? » dhe njëmijë pyetje e përgjigje bashkë, tronditjeje e llahtar njëkohësisht. Ai mundohej ta mbërthente nga krahët, t’ia mposhte djajtë e skëterrës dhe ta sillte në vete, akoma i fuqishëm për t’iu lutur e përgjëruar :

– Aman të keqen, mos bëj kështu ! Mendo më mirë si të dalim që këtej !

Si u lodh nga ulërimat e u dërrmua nga dëshpërimi, ra në gjunjë, pa bëzajtur më. Heshtja e saj tashmë ndezi Mirin, tek u ngrit dhe iu vërvit edhe ai errësirës me zë buçimë :

– Po ne jemi gjallë, jemi gjallë, do dalim se s’bën ! Më kupton ? Më kuptooon !…

Dhe ra mbi të për ta mbërthyer fort në gjoks. Vijuan të rrinë kështu të lidhur një trup, me të vetmen kohëmatje, rrahjet e forta të zemrës dhe vërshimin e gjakut tëmthave.

Sërish m’u dha mundësia të ndërhyj, t’i përkundja në djep të ëndërritjes. Mund edhe t’i nxirrja përsëri jashtë, por do ishte vegim shkatërrimtar, si radhën e parë. I lashë atëherë të ruanin baraspeshën në njëfarë qetimi. Shpirti m’u bë copë tek i shihja në zi për së gjalli. Dhe shihja rrezik të madh tek demonët e brendshëm të betonit, vërtet në mbretëri të tyre, por që vetëm rastin prisnin të hidheshin në mësymje përfundimtare.

E pafuqishme për të luftuar këta demonë të luftës, duhej doemos të bëja diçka, qoftë edhe një gjest të vogël, për t’i neutralizuar sado pak.

Jashtë, ishte natë kur dola e vetme për të biseduar me mikeshën time, hijen e eprorit të repartit ushtarak, ndonja pesë kilometra larg që andej. I qava hallin për dy të mjerët e betonuar për së gjalli dhe ajo më premtoi se do të më ndihmonte me sa të mundte…

Mikesha ime, duhej ta kish ngacmuar me siguri në vesh atë komandant bunker, me ndonjë nga mesazhet tona ekstra të vullnetshme e të pavullnetshme, sepse nuk vonoi dhe ai dha urdhër (sipas urdhrit që kishte marrë, për më tepër !), të ndizeshin dritat e zbehta të tuneleve që kishte në vartësi. Të bëhej një veprim i tillë, kur popullata e qytetit më të afërt vuante për mungesë energjie elektrike, ishte gjëja më e zakontë për një vend të bunkerizuar. Duhej zbatuar urdhri nga lart që fortifikatat të mbaheshin herë pas here të ndriçuara dhe të pastra, në gadishmëri të plotë, e sidomos për t’iu « ruajtur nderin » nga dashnorë çamarrokë. Sepse jo të gjitha fortifikatat qenë të pajisura me dyer të blinduara.

Tek ra befas drita e zbehtë në tunelin e tyre, Miri e Mira shqyen sytë mes dënesës e lotëve. Ç’të qe vallë ajo ëndërr torturuese që po tallej me ta ? U hovën përpjetë në gaz e vajtim, duke pandehur një hop se qe shpërthyer vetë tuneli.

– Shpëtuam, shpëtuam ! – ulërinë me sa në kokë.

Të gjorët ata ! Atë dritë fijehollë e morën për vetë yllin polar, që krejt errësirë e mendjes ua përflaku në mijëra yje të tjerë. U turrën nga porta për ta shtyrë, por veç kur e panë veten të shtyrë egërsisht drejt thellësisë së tuneltë.

Tani, nuk përmbaheshin më. Gjithë djajtë të bashkuar zunë të kërcejnë një valle të shfrenuar, kush e kush t’i shkulte nga flokët, t’i shqyente nga rrobat, t’i çirrte nga mishtë. Kaluan kështu një orë të tërë të demonizuar, aq sa të shkrehur në vaj, u zalisën përdhe. Nuk i lashë shumë kohë në prehjen zali, por i vura në gjumë të rëndë. Ndonëse shpesh djajtë u suleshin dhe ua copëtonin gjumin, sepse i pashë të shkretët si hoveshin përpjetë të lebetitur dhe si përplaseshin të dehur e të shkrehur mbi ftohtësi të mureve…

Në zgjim, që për ata qe mëngjes i ditës së re, por që në fakt kishte kohë që qe thyer edhe dita e re, iu sulën sërish portës më me shpresë, por më pak të fuqishëm. Lutjet e klithmat e kishin humbur forcën e tyre, tek shndërroheshin në rënkime e bëlbëzime, gati në fikje, të ngjirur siç qenë. Burimi i shpresës së re qe tanimë drita e pafikur, që kish filluar t’u bëhej hyjnore, edhe pse asnjëherë s’e kishin shkuar nëpër mend të kundronin hyjnitë e thellësive të qiellit. E mbanin vështrimin ngulur mbi të, duke kërkuar telin e korrentit në thellësi të kubesë, po as edhe një gjurmë nuk dukej. Ai qe betonuar si vetë ata. Kërkuan për çelës, por kurrkund as çelës : vetëm ca pezhishka, që vishnin paretet e mureve. Zunë të zvarren e të rrëshqasin përgjatë betonit, dhe tmerroheshin nga unë, hije e tyre, që isha bërë tanimë zot i vendit. Kërkonin me sy një të çarë, një të plasaritur, si të kërkonin ndonjë galeri nëntokësore, u binin mureve me grusht, por hasnin kudo vetëm jehonë të thellë mali, që kumbonte mbytur, beton e ashpërsi betoni.

Një hop, Mirit i vetëtiu në mendje një ide : i tha Mirës të ngjitej mbi supet e tij dhe të mundohej të thyente me shufrën e hekurt xhamin e trashë që kish murosur llambën nën kube. Pa e kuptuar gjer në fund mendimin e tij për të bërë qark të shkurtër e për të dhënë kësisoj, në njëfarë mënyre alarmin në repart, ajo rifitoi një energji të re, tek pandehu se çdo thyerje qe për ta një dalje, një shpërthim, një shpëtim. Nisën ahere të akrobatohen mbi shoshoq, me këmbët që u merreshin, kush e kush më lart, e kush e kush në majë të gishtërinjve, të mbajtur nga ftohtësi akulleme e mureve, për të arritur më në fund llambën. Përpjekje e dështuar foshnjarake, se duhej edhe një gjysmë metri, ai gjysmë metër fatal, për të arritur të paktën në pikën më të lartë të kubesë. Ajo vërtiti atëherë, me gjithë fuqinë e pafuqisë, hekurin mbi xhamin e trashë telëzuar nga brenda, që bëri një zhurmë të mbytur, sikur të donte ta qesëndiste, tek ia ktheu mbrapsh, si të papranueshëm, copëzën e hekurt. U shembën të dy përtokë, të ekzekutuar nga vetë mendimi i tyre, me sytë e shqyer në drejtim të tavanit.

Tashmë, ishin telendisur aq keq, në shterje të plotë të çdo energjie, sa ua mblodha mendjen me të vetmen fijeshpresë e mendim të ngulët në kokë : « Do vinë…, do vinë se s’bën…, po kur do vinë…, do vinë …, po pse s’po vinë…, do vinë », si goditje të buta çekani, në lëshim të plotë të muskujve e nervave.

Ishte e vetmja mënyrë të mos epeshin, të mos shkëputeshin nga ata, nga mami, babi, motrat, vëllezërit, nga shkolla dhe shoqëria, e vetmja mënyrë për të mos këputur fijet me jashtë, fijet me konkreten. Këtë herë, në krahë të shoshoqit, me zë të mekur, nisën të kujtojnë të shkuarën, për t’iu larguar të tashmes së egër.

– Të kujtohet aksioni në Lukovë, deti, dielli, gruri, plazhi ? Të kujtohet si të ngacmoja me guralecë që t’i bëja kosh tek rrobat e banjës ? Po mbrëmjet ? – e pyeste Miri, dhe ajo tundte kokën në heshtje e pikëllim.

Ai i foli për xhirot, për fustanin e bukur që i kish qepur asaj mamaja me një copë turke, i kujtoi kur vajtën në estradë dhe panë Skënder Sallakun, që i shkriu me lot, kur kishin ngrënë po atë natë trigona me lekët që ai të nesërmen do blinte bukën e shtëpisë, i kujtoi bile edhe këngët e Luçio Dalës e të Adriano Çelentanos, që ajo i kishte aq qejf. Madje, me zë të mekur, zu t’i këndojë, me gojën te veshi i saj « Chi non lavora, no fa l’amore », këngën më të dashur të tyre.

Ajo i vuri dorën te goja, që ai të heshtte, mos vazhdonte më tej, dhe lotët u shkuan çurg. Kishin etje të marrë, uri të tërbuar, ftohtësi kallkan. E ç’u kish mbetur tjetër veçse të dorëzoheshin para urisë, etjes, torturës, burgut ! E ç’u kish mbetur tjetër veçse të pinin lotët e tyre për të shuar etjen, të kafshonin mishrat për të shuar urinë, të shkulnin flokët për të torturuar fizikisht vetveten, që të paktën të mund të qetësonin torturat mendore !  Por përsëri, shumë u kish mbetur, u kish mbetur shpresa gjer në fund, edhe vetë shpirti i gjallë.

– O zemra ime, o shpirti im, të dua, të dua, mbahu, mos e lësho veten ! – i përsëriste pareshtur ai, shkrirë në vaj…

Deri atë hop, më kishin parë përgjatë mureve, dhe qenë tmerruar nga unë. As që e merrnin dot me mend se unë isha hija besnike e tyre, tek kisha shpalosur krejt krahët mureve për të penguar sulmin e demonëve të betonit. Vërtet kisha mposhtur djajtë e errësirës, por e dija që betoni të ha pak nga pak, të përpin pak nga pak, të kallkanos pak nga pak, siç hëngri dhe rrënoi pak nga pak, për pesëdhjetë vjet me radhë, një vend të tërë, aq të pasur në krejt potencialet e veta. Por edhe më shumë më mbetej për të bërë, që të shmangia gjer në fund demonët e marrëzisë, sepse ishte krim i pafalë që ajo pafajësi e dëlirë, pa kurrfarë mëkati, të gllabërohej nga çmendësia. Jo, kurrsesi, ata ishin engjëllorë, ishin « për t’i pirë në kupë », sipas shprehjes së bukur shqipe. Dhe duhej t’ua ruaja mendjen të pastër e të pacenuar. Ky ishte misioni im kryesor për t’i përjetësuar e përtejësuar në mënyrën më fisnike. Duheshin pra, marrë në mbrojtje nga marrëzi e betonit, nga marrëzi e të Marrit…

I vura sërish në gjumë, për të dytën, për të tretën, për të katërtën e të pestën herë, gjithnjë duke ua zgjatur edhe më shumë mpirjen dhe dobësimin fizik e duke përdorur fuqimisht narkozën e ëndërritjes dhe të vegimit. Ishte e vetmja mënyrë për t’i mbrojtur nga kthetrat gërryese të stomakut, nga eshkësimi i gjuhës dhe grykës, nga çujësimi i trupit, por edhe nga vetë marrëzia. I përkundja në djep të shpresës së paktë për t’i vënë në gjumë, por më zgjoheshin, më kërcenin përpjetë, hoveshin, nga frika e vdekjes. Ishte një lojë e tmerrshme, mes jetës e vdekjes, mes arsyes e marrëzisë. E kisha të pamundur të vija këtu baraspeshën, kur fataliteti peshon me tërë egërsinë e vet në njërën anë të peshores. Ishte një mision torturues edhe për mua vetë, sepse kurrë s’e kisha parë veten aq pisk. Kurrë s’ma priste mendja që ata bunkerë të arrinin të torturonin e terrorizonin edhe vetë perënditë dhe hijet e tyre !…

U detyrova atëherë t’u shfaqem, t’u konkretizohem në materie të gjallë, për të mos i lënë të vuanin gjatë, për të mos i braktisur në çastet më kritike, ndërkohë që vetë realiteti i kish zbuar e jashtëqitur, për t’i varrosur barbarisht në atë varr tunel-bunker të një populli të tërë.

Tek po endej mureve me duar, ditën e tretë, a të katërt, ndoshta – se për mua koha dhe hapësira janë tërësisht relative dhe s’kanë rëndësinë që u kushtojnë njerëzit -, ajo e gjorë Mira më dalloi në një qoshk pezhishke, merimangë të vogël, të bardhë, siç isha unë vetë, dhe shtangu. Sh t a n g u : një gjallesë në atë tunel-varr ! Dhe që lëvizte. Dhe që bënte punën e vet. Një gjallesë-merimangë… Shqeu sytë, vështroi duart e veta nga ku i vareshin nëpër thonj e gishta flokë të shkulur nga të vetat, vështroi sërish pezhishkën, u bind se kishte përpara një rrjetë me merimangë brenda, dhe aty-aty, i vetëtinë në mendje fjalët e përhershme të mamasë, sa herë që pastronin bashkë muret e shtëpisë : « Merimanga e bardhë sjell fat !»

– Fat…, fat…, faaat ! – mundi të bëlbëzojë.

U çel një dritare shprese e re në trurin e saj të mpirë dhe, ashtu këmbadoras, me eshtra të copëtuara e me plagë të vetëbëra gjithandej trupit e kryeve u përmbys përmbi Mirin, u mundua ta shkundë e ta nxjerrë nga kllapia që e kish mbërthyer të gjorin djalë. Ia doli mbanë tek e zgjoi :

– Fat…, fat…, faaat ! përsëriste me frymë gati të sosur dhe me gishtin, mbi mua, si shpëtimin e tyre …

Po nga ta dinin, të zinjtë ata, që unë vërtet isha shpëtimi i tyre i fundit, i përjetë !

Arriti të më shohë më në fund edhe i miri djalë, tek ngriti mundimshëm nga sytë varr rrasën e qepallave. Më buzëqeshi ëmbël e hidhur, me atë buzëqeshje mbinjerëzore që mund t’i bëhet dhuratë vetëm vdekjes, i buzëqeshi edhe asaj, me shumë ëmbëlsi të syve, por me ëmbëlsi tashmë të vrarë, me vështrim gati të fikur, të asgjësuar. Ishte krejt i bindur që ky qe mbarimi i tyre, por të paktën një mbarim i qetë. Rrëmoi në vetvete për të rigjetur forcat e fundit, dhe e mbërtheu atë, Mirën e tij, të dashurën gjer në vdekje, në krahë, e shtrëngoi për të mos e lëshuar kurrë më, duke e puthur e puthur, dhe duke i pëshpëritur në vesh, me zë të mekur :

– Fat, shpirti im, fat !… Do vinë…, nuk do vonojnë…, do vinë…Fli tani, zemra ime !

Dhe ashtu të lidhur, në gjoks të njëri-tjetrit ranë në gjumë të thellë, në martesë të përjetshme.

Maj 99.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: HIJA, nga Fotaq Andrea, Tregim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 258
  • 259
  • 260
  • 261
  • 262
  • …
  • 312
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • BESA NUK ËSHTË SLOGAN – ËSHTË NDËRGJEGJA MORALE E KOMBIT
  • Nikolaos Dragoumis dhe libri i tij për Skënderbeun
  • Si Italia sulmonte “Vatrën”: Bostoni që trembte Romën
  • “Cheers to Summer 2026” AFC sends a Love Postcard to Kukes Hospital
  • Dokumentarë historik mbi krimet e luftës në Kosovë
  • MALI I ZI, SHTETI KU DISA KOMUNA TENTOJNË TË UDHËHEQIN ME POLITIKËN E JASHTME TË TIJ
  • 𝗠𝗮𝗿𝗿𝗲𝘃𝗲𝘀𝗵𝗷𝗮 𝘂𝘀𝗵𝘁𝗮𝗿𝗮𝗸𝗲 𝗺𝗲 𝗦𝗛𝗕𝗔-𝘁𝗲: 𝗶𝗻𝘃𝗲𝘀𝘁𝗶𝗺 𝗻𝗲 𝘀𝗶𝗴𝘂𝗿𝗶𝗻𝗲 𝗸𝗼𝗺𝗯𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲
  • Kujtojmë në përvjetorin e lindjes gjuhëtarin austriak dhe albanologun Maximilian Lambertz
  • Jeronimi dhe Bibla që foli latinisht
  • FYTYRA E STATUJËS SË LIRISË
  • “Besa” e kryeministrit dhe besa e shqiptarëve
  • GURËT E KULTIT QË QAJNË, PLAGOSJA E SHKUPIT SHQIPTAR
  • UNESCO duhet ta njohë edhe Malin e Tomorit
  • KUR SHKRIMTARIA I NGJAN NJË LUTJEJE PËR LIRI
  • “IDENTITETI PA MBROJTJE INSTITUCIONALE”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT