• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Letra e Biden për Vuçiçin dhe diplomacia e “shkopit dhe karotës “

February 12, 2021 by dgreca

Analizë nga Rafael Floqi/

Diplomacia është arti i të mundshmes. Por vetëm parashtrimi i një kërkese nuk mjafton. Arti diplomatik i shkopit dhe karotës, duhet përdorur, por kjo deklaratë e Bidenit, ndaj Serbisë nuk ka as forcën e shkopit” as joshjen e karotës.  Dhe e thënë shqip as fshikullimën e kërbaçit dhe as shijen e kulaçit.  Po pse? Sepse Serbisë i afrohet karota të cilën Amerika s’e ka plotësisht në dorë dhe s’e kontrollon, që është aderimi në BE, që varet vetëm nga BE-ja dhe kjo madje pa asnjë hije shkopi.

Shprehja e përdorimit të “karotës dhe shkopit” është një metaforë për përdorimin e një kombinimi të shpërblimit dhe ndëshkimit, për të nxitur një sjellje të dëshiruar, është një idiomë që i referohet një politike që ofron një kombinim shpërblimesh dhe ndëshkimesh, për të shkaktuar një sjellje e qëndrim të caktuar drejt qëllimit tonë. Në politikë, “karota ose shkopi” ndonjëherë i referohet konceptit realist e pragmatik të fuqisë së butë dhe të fortë. Karota në kontekstin e diplomacisë mund të jetë premtimi i ndihmës ekonomike ose diplomatike midis kombeve, ndërsa shkopi mund të jetë kërcënimi i veprimit ushtarak. Në fakt vetë metoda është realisht pragmatike dhe është një përzierje e të dyjave.

Si ta kuptojmë Letrën e Biden për Vuçiçin

Këto ditë zëdhënësi i Ambasadës së SHBA në Beograd, James Hagengruber, ka përsëritur qëndrimin e presidentit amerikan Joe Biden se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me njohjen e ndërsjellë si bazë, është i njohur prej kohësh si çelës për arritjen e këtij qëllimi. Kjo deklaratë dhe pse përsëritje nuk është e re por një vazhdimësi e politikës amerikane në Ballkan.

 “Ish-Presidenti Trump gjithashtu e ka bërë këtë politikë shumë të qartë. Në vitin 2019, ai i shkroi Presidentit Aleksandër Vuçiq për ‘mbështetjen e palëkundur’ të Shteteve të Bashkuara në thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe veçanërisht angazhimin e tij për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, – ka thënë Hagengruber për agjencinë “Tanjug”, duke komentuar letrën e Presidentit të tanishëm të SHBA, Biden, të cilën ia dërgoi Vuçiçit me rastin e Ditës së shtetësisë së Serbisë, në të cilën theksohet njohja e ndërsjellë midis Serbisë dhe Kosovës. Hagengruber theksoi se “u takon të dy palëve të arrijnë një marrëveshje të cilën dy palët mund ta mbështesin”, duke shprehur bindjen, se njohja e ndërsjellë duhet të jetë një element kryesor në normalizimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve. 

Pra, qëndrimi amerikan ndaj zgjidhjes së çështjes së Kosovës është i njëjtë, me gjithë dyshimet, jo aq për qëllimin, po për taktikat disi ekscentrike e jokonvencionale të qasjes së Grenellit, që mbështetej tek diplomacia ekonomike dhe tek “karota-interesi i përbashkët ekonomik “, se sa tek shkopi dhe presioni. Në një kohë që Serbia luan me dy krahët dhe armatoset ushtarakisht nga Rusia dhe i bën me sy pranisë së Kinës dhe Turqisë në Ballkan.

“Një marrëveshje e tillë historike, me njohje të ndërsjellë në thelbin e saj, do të ndërtonte rrugën drejt qëllimeve të integrimit evropian dhe rritjes ekonomike të Serbisë”, shtoi zëdhënësi i Ambasadës amerikane në Serbi. 

Në fakt kjo deklaratë ka vetëm forcën e citimit dhe graviton peshën e SHBA në politikën e Ballkanit, dhe ka prapavijën që presidenti Biden, është një njohës i mirë i çështjes së Kosovës, por vetëm aq. 

Pse nuk shkaktoi befasi Letra e Bidenit?

Letra në Kosovë nuk shkaktoi befasi pasi është një qëndrim që pritej nga Biden, madje  dhe në Serbi u kalua disi me heshtje.

Diplomacia është arti i të mundshmes. Por vetëm parashtrimi i një kërkese nuk mjafton. Arti diplomatik i shkopit dhe karotës, duhet përdorur, por kjo deklaratë e Bidenit, ndaj Serbisë, nuk ka as forcën e shkopit” as joshjen e karotës.  Dhe e thënë shqip as fshikullimën e kërbaçit dhe as shijen e kulaçit.  Po pse? Sepse Serbisë i afrohet karota të cilën Amerika s’e ka plotësisht në dorë dhe se kontrollon, që është  aderimi në BE, që varet vetëm nga BE-ja dhe madje, asnjë hije shkopi.

Hagengruber shtoi se “Shtetet e Bashkuara nuk duan asgjë më shumë sesa Serbia të ketë sukses në aspiratat e saj drejt BE-së dhe se kthimi në dialog midis Kosovës dhe Serbisë, me ndihmën e BE-së, është thelbësor për një sukses të tillë”. 

Ai kujton fjalët e presidentit Biden se “një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e cila do të çonte në njohjen reciproke, ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të të dyja vendeve dhe forcimin e institucioneve të tyre demokratike, që është me rëndësi thelbësore për përparimin e Kosovës dhe Serbisë”. 

E thënë kështu, për të mos tjetërsuar Serbinë, drejt Rusisë, në fakt ky është më tepër një dëshirë e politikës së jashtme e gjeopolitikës amerikane në Ballkan, se sa një mjet për ta detyruar Serbinë të pranojë njohjen e Kosovës. Pasi, nga ana tjetër, nuk ka paralajmërime për sanksione për Serbinë, për pengimin e aderimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare. 

Zëdhënësi i ambasadës amerikane shtoi se kjo do të përmirësonte sigurinë dhe prosperitetin e të dy vendeve dhe do të përkonte me aspiratat e tyre për anëtarësim në BE dhe institucione të tjera multilaterale dhe do të mbështeste qëllimin e qëndrueshëm që një Evropë e tërë të jetojë në paqe dhe liri.  Nga njëra anë Amerika i lë në dera Evropës ta zgjidhë këtë kontest ndërkohë, që Evropa gjithë këto vite s’ka arritur gjë. Ndërkohë që Serbia pengon me çdo mjet aderimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

BE-ja dhe kalendat greke të Lajçakut

Ndërkohë përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, është në kërkim të vazhdimit të mandatit në postin në të cilin u emërua para gati një viti, edhe pse  perspektiva e vazhdimit të dialogut të cilin ai e ndërmjetëson nuk duket shumë e qartë. Lajçakut dhe ekipit të tij prej rreth dymbëdhjetë personave mandati u skadon në fund të muajit që vjen dhe pritet që shtetet anëtare të pajtohen për vazhdimin e tij. Por, situata politike në Kosovë dhe paqartësitë të cilat mund të vazhdojnë edhe pas zgjedhjeve të së dielës përmenden si arsye pse takimet e reja në kuadër të dialogut mund të mos zhvillohen deri në verë. Para përfaqësuesve të vendeve të BE-së, për situatën politike në Kosovë dhe pritjet pas zgjedhjeve, ka raportuar shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomasz Szunyog. Pas tij ka raportuar edhe Lajçaku. Situata e komplikuar politike në Kosovë dhe mundësia që gjërat të mos sqarohen para verës bënë, që vazhdimi i dialogut të mos ndodhë deri atëherë. Lajçaku kërkon mandat të ri, ndërkohë që ai më nuk flet për “marrëveshje të shpejtë”, por thotë se “nuk mund të caktojë afate kohore”. 

Lajçaku, në të njëjtin debat, ka folur edhe për pritjet për një bashkëpunim më të mirë me SHBA-në dhe se ai nuk pret ndonjë shantazh nga ana e Washingtonit, duke sqaruar pikërisht atë se mungon presioni diplomatik . 

Letra e Bidenit si statuskuoja e Obamës 

Në fakt, letra e Biden është dëshmi serioze e konsistencës amerikane në qëndrimet lidhur me dialogun me Serbinë. “Letra e Presidentit Biden, drejtuar Presidentit të Serbisë, është dëshmi serioze e konsistencës amerikane në qëndrimet karshi zgjidhjes së çështjes, përkatësisht përmbylljes se procesit negociator në mes të Kosovës dhe Serbisë, proces i cili pritet të përmbyllet shpejt dhe të përfundojë me njohje reciproke. Nëse deri me sot, adresimet ndaj Serbisë kanë qenë me shumë të nënkuptuara, ky mesazh ka qenë i shkoqur  dhe me i qartë. 

Por megjithatë kësaj deklarate i mungon pragmatizmi diplomatik kundrejt një kokëfortësie serbe që po vazhdon për dy dekada.  Në ketë kontekst, Presidenti Biden, edhe njëherë ua bëri të qartë se njohja e Kosovës nuk ka alternativë dhe se sa me herët të ndodhë kjo nga Serbia, do të jetë veç me mirë për vetë Serbinë, Kosovën dhe gjithë rajonin. Por a thua kjo do të mjaftojë t’i largojë serbët ndaj synimet e tyre ndaj Kosovës. Unë mendoj që nuk mjafton. Në një kohë drejtuesit e Kosovës që luftuan për lirinë e vendit të tyre ndodhen në Hagë, dhe vrasësit edhe të vëllezërve Bytyqi janë të lirë.

Ballkani perëndimor ka sfida të mëdha, shpresojmë që Serbia t’i kuptojë mesazhet amerikane dhe t’i kthehet realitetit të politikës, rrjedhimisht pranimin e realitetit të Kosovës. Por a mund të bëhet kjo pa presion. Kjo deklaratë i ngjan politikës 8- vjeçare të Obamës ndaj Kosovës, që ishte një ruajtje e statuskuosë dhe nuk pati asnjë avancim të zgjidhjes të problemit të Kosovës. Serbia nuk ka treguar as konsistencë, e as shkathtësi diplomatike e politike për të qenë në gjendje me artikuluar drejtë në vlerësimin e situatave. Ajo çdoherë ka qenë e ndikuar nga qasja populiste e politikës të brendshme se sa nga ajo realiste, prandaj Vuçiçi i lëshon shkëndija me teori siluruese për të parë reagimin amerikan. 

Vuçiçi dhe teza armene për Kosovën

Aleksandar Vuçiçi, presidenti serb, i ngjashëm me kryeministrin armen Nikolla Pashinyan, pretendon të përsërisë sa herë që i jepet mundësia të argumentojë një tezë të tij mbi domosdoshmërinë e ndarjes së Kosovës, bazuar në të ashtuquajturin parim të shkëputjes korrigjuese. Por, kur kjo tezë nuk i përshtatet, si në rastin aktual të ndërhyrjes së Azerbajxhanit, ai thirr sovranitetin e paprekshëm dhe të drejtën e shtetit për të mbrojtur interesat kombëtare!  Përkundër kësaj, për Beogradin, lufta gjithëpërfshirëse për kthimin në Kosovë vazhdon. Edhe me koston e shkaktimit të përplasjeve të mëdha, pasi ato krijojnë mundësi për të aplikuar skema të rrezikshme gjeopolitike pa u shqetësuar për paqen dhe stabilitetin. Në këtë linjë mendimi duhet kuptuar kërcënimet e Aleksandar Vuçiçit sot.

Deklarata e Vuçiçit në fakt i drejtohej më shumë administratës së Joe Biden sesa Prishtinës zyrtare ose Tiranës. Synimi këmbëngulës për të bërë paralele me rrugët e ndjekura për çlirimin e Kosovës nga pozicioni kolonial dhe konflikti i ngrirë në Nagorni-Karabak, duke mbrojtur tezën serbo-ruse mbi konflikt dhe barazimi i Kosovës me një, është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe duhet të trajtohet me shumë seriozitet.

Bisedimet Kosovë -Serbi dhe paqartësia e zgjedhjeve në Kosovë

Në lidhje me vazhdimin e bisedimeve, Lajçaku kësaj radhe ka thënë se “nuk mund të përmendë afate kohore për vazhdimin e dialogut për shkak të situatës në Kosovë” dhe se “dialogu do të vazhdojë kur në Kosovë të krijohen institucionet e reja, që do të dalin si rezultat i zgjedhjeve të 14 shkurtit”. Sipas të njëjtave burime, Lajçaku ka thënë se “nuk do të nisë nga zero, por nga aty ku kanë mbetur në procesin e dialogut”, duke u lavdëruar se ai ka arritur “ta rifillojë dialogun”.

Deri vonë, Lajçaku dhe zyrtarët e tjerë të BE-së thoshin se “arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë çështje muajsh e jo vitesh”, por tani kur Lajçakut po i skadon mandati njëvjeçar thonë se “nuk mund të ketë afate kohore, sepse kjo varet nga palët dhe gatishmëria e tyre për t’u treguar qytetarëve se çfarë kompromisesh priten”.

Madje në BE ende vazhdojnë të mos përgjigjen në pyetjen se a është njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë qëllimi i dialogut, siç është shprehur presidenti amerikan, Joe Biden, në një letër dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Dimitrija Miliç nga OJQ “Novi treci put” sipas radios serbe B92, e sheh arsyen e botimit të këtyre dokumenteve në statusin e ndërlikuar të BiH dhe të Kosovës. “Ata i konsiderojnë vendet e tjera në rajon të qëndrueshme. Ekipi i Biden beson se të gjitha ato vende, përfshirë Serbinë, duhet të jenë pjesë e BE dhe NATO. Sipas tyre, kjo është mënyra më e mirë për të pajtuar rajonin,” përfundoi Miliç.

Basti i humbur i Vuçiçit me Trumpin

Nëse Trump nuk e njihte çështjen e Kosovës, hapat e ndërmarra dhe takimet në Shtëpinë e Bardhë, i shërbenin më tepër ndërtimin e një imazhi me strategjinë e shuarjes të konflikteve të fjetura, duke zvogëluar praninë ushtarake amerikane në vende të tjera. Në atë masë sa gjatë takimit në shtëpinë e Bardhe Trumpi e pyeste Vuçiçin për tenistin serb Gjokanoviç.  Dashuria dhe investimi i Vuçiçit pranë Trumpit, filloi qysh me fitoren e këtij të fundit dhe largimin e Hillary Clinton-it nga presidenca qysh më  2016,  madje dhe në qarqet pro serbe në Kongres dhe në media shihej si një iluzion i kotë. Megjithatë duhet të kujtojmë se revista “Wall Street International” publikoi një artikull sipas të cilit rreth 750.000 qytetarë amerikanë me origjinë serbe, të cilët jetojnë në shtete kyçe dhe shumë të rëndësishme në SHBA në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, ishin kundër Bidenit ” pasi serbët, pohonte artikulli, nuk e kishin harruar mbështetjen e Biden për bombardimin e Jugosllavisë.

Më 4 shtator 2020, ndodhi takimi në Shtëpinë e Bardhë. Dukej se pritja e presidentit  serb u shpagua. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ishte në Shtëpinë e Bardhë duke nënshkruar marrëveshje me Kryeministrin kosovar, Avdullah Hoti, që do të shihte që të dy kombet – që bënë një luftë në 1998 – të rivendosnin lidhjet ekonomike, duke mos e përdorur detyrimin e Serbisë për të njohur Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në 2008

Kjo ishte një fitore për Beogradin, i cili kishte bërë presion për dy dekada për të mos pranuar një Kosovë të pavarur, dhe ky kusht s’ishte vënë nga Trump, ndërsa Bashkimi Evropian, i cili e ka bërë atë një kusht të anëtarësimit të Serbisë në bllok. Trump dhe i dërguari i tij Richard Grenell, nuk kërkuan që Vuçiç të kalonte atë rubikonin. Vuçiç mori madhështinë dhe ceremoninë e një marrëveshje paqeje në Shtëpinë e Bardhë, por pa paqen. Fakti që ishte Biden ai që fitoi Shtëpinë e Bardhë – ky qe një lajm i keq për Vuçiçin dhe aleatët e tij. Aleksandër Vuçiçi i Serbisë vuri një bast i madh ndaj Donald Trumpit dhe humbi. 

Po tani çfarë?

Serbia pa presion do të vazhdojë zvarritjen e dialogut të zgjatur, duke zbatuar edhe pjesërisht konceptin e kontrollit efektiv në veri të Kosovës, duke investuar vazhdimisht për të qenë e gatshme për të pushtuar veriun në rrethana të përshtatshme. Tani që marrëveshjet sekrete me ish-presidentin Hashim Thaçi për një simulim të rikthimit kanë dështuar, presidenti serb i u kthye argumentit të Nagorni Karabakut si një “argument” shtesë dhe si një alibi të gjetur!  

Por është koha e fundit dhe është e dëshirueshme që Serbia të mësojë nga gabimet e veta, derisa vlerëson se Serbia do të hezitojë ta njohë Kosovën dhe përmes satelitëve të saj brenda Kosovës, do të mundohet ta stabilizojë vendin që ta shpallë të dështuar. Megjithatë Kosova ka Amerikën dhe miqtë e saj dhe Serbisë do t’i imponohet njohja e Kosovës por a do ta pranojë ajo.

Serbia, karotat dhe shkopinjtë 

Ekzistojnë në thelb dy mënyra të zbatimit të këtyre instrumenteve të politikës në politikën ndërkombëtare. Karotat dhe shkopinjtë mund të aplikohen njëkohësisht ose në seri, njëra pas tjetrës. E gjitha varet nga konteksti i veçantë që mbizotëron në një moment të caktuar historik, nga balancat e fuqisë, si dhe nga botëkuptimi (realist, liberal ose konstruktivist) i vendimmarrësit qoftë ai (fajkua, pëllumb apo buf). Cilado qoftë mënyra në të cilën do të përdoren këto instrumente, qëllimi përfundimtar, e sfida, mbetet e njëjtë: si ta bëjmë palën tjetër të ndryshojë politikën e saj për një çështje të veçantë në përputhje me atë që ne dëshirojmë.

Është koha e fundit dhe e dëshirueshme që Serbia të mësojë nga gabimet e veta dhe t’u kthehet problemeve të brendshme që i ka të shumta, e mos ta mbajë peng, as Kosovën e as popullin e vet. Serbia do të hezitojë dhe do të prolongojë njohjen e Kosovës, me shpresë që mund të arrijë që përmes satelitëve të vetë brenda Kosovës, ta destabilizojë atë me shpresën që të shpallet shtet i dështuar e jofunksional. Por, megjithatë, edhe përkundër faktit që do na e bënë jetën të vështirë, Kosova, bashkë me miqtë e vet, siç është SHBA, do t’ia dalë ta imponojë njohjen e Kosovës nga Serbia. Megjithatë përveç deklaratave të qarta si ajo e Presidentit Biden, nevojiten më shumë kushte dhe mjete presioni ndaj Serbisë. 

Pasi është një çështje tjetër që as karotat dhe as shkopinjtë e përdorur shpesh ose në seri, ose së bashku, nuk mund të garantojnë gjithnjë suksesin. Nga ana tjetër ne e dimë që përdorimi i karotave dhe shkopinjve të Amerikës, ka punuar deri në një farë mase, ndaj vendeve të caktuara, gjë që tregon se pala tjetër së cilës iu paraqiten kushtet ka interesat e veta dhe, përveç kësaj, në të vërtetë mundet të mos i konsiderojë karotat mjaft të ëmbla, ose dhe shkopinjtë aq të dhimbshëm.

Filed Under: Politike Tagged With: Rafael Floqi.Letra e Biden, Vuçiç

VOTA PËR NDRYSHIME E FORCON MIQËSINË ME AMERIKËN

February 11, 2021 by dgreca

-Presidentët amerikan nuk deklarohen, por Biden mendoj se do të preferonte Zonjën Osmani dhe Zotin Kurti në qeverisje të Kosovës/

MA. AGIM ALIÇKAJ*/         

                                 LETRA E PRESIDENTIT BIDEN

         Letra e presidentit amerikan Biden dërguar presidentit serb Vuçiq e manifeston politikën reale dhe të drejtë amerikane në interes të paqes në Ballkan. Kjo letër i shuan shpresat e Serbisë dhe Rusisë për dalje në det nëpërmjet tokave shqiptare. E hedh Minishengenin e armiqëve dhe tradhëtarëve të kombit shqiptar në liqenin“Trump”.

Të gjithë ata që kan kontaktuar, punuar dhe kan patur nderin ta njohin personalisht presidentin Biden, e dijnë qëndrimin e tij parimorë për çështjen e Kosovës. Ishte joserioze deklarata e kryeministrit në detyrë se “ju kam paralajmërue” për Biden. Edhe zogjët e malit e dijnë se ai ishte pro-Trump, ndërsa lideri i Vetëvendosjes i dha përkrahje publike kampanjës zgjedhore të presidentit Biden. Edhe pse një president amerikan dhe administrata e tij nuk dalin publikisht në përkrahje të liderëve të një shteti tjetër para zgjedhjeve nacionale, është e qartë se ai do të preferonte zonjën Osmani dhe zotin Kurti në qeverisje të Kosovës.  

         Amerika dhe presidenti Biden nuk kan kohë të merren me Kosovën në pafundësi. Presin me të drejtë që ne vetë ta ndërtojmë shtetin tonë. Politikanët e korruptuar nuk i duhen askujt. Nuk zhvillohet dhe forcohet miqësia me asnjë shtet në botë duke e copëtuar dhe shitur shtetin tënd. Forcimi dhe zhvillimi i shtetit, mbrojtja e sovranitetit dhe ruajtja e integritetit teritorial është në interes të Kosovës, Evropës dhe Amerikës. Serbia nuk bën të lejohet të vazhdojë të sillet si viktim. Duhet të paguaj dëmet e luftës, t’i kthejë të pagjeturit, t’i dorëzojë kriminelët e luftës të cilët sillen lirisht kudo, t’i pranojë krimet dhe të kërkojë falje për to. Nuk ka kompromis, nuk ka ndarje, nuk ka asociacione dhe pikë. Të drejtat e serbëve në Kosovë duhet barazuar me të drejtat e shqiptarëve në Serbi. Askush nuk mund ta detyrojë popullin e Kosovës për ta humbur lirinë. Kosova është fëmij i Amerikës e thoshte edhe vetë shovenisti Vuçiq. I shkreti, mendonte fëmijë i Grenellit për të bërë çfarë të dojë me te, por i doli ndryshe.

Amerika, është shumë më shumë se një ambasador ose politikan i saj arrogant. Është vendi i demokracisë dhe drejtësisë botërore.

                           SHTYPJA E VOTËS SË MËRGATËS

         Në shtetet me demokraci të përparuar siç është Amerika, shtypja e votës konsiderohet problem shumë serioz antidemokratik. Vota është e drejt e shenjtë e cila nuk guxon të cenohet. Në Kosovë, shtypjen e votës po e bën hapur dhe pa pikë turpi vetë KQZ-ja, institucioni më i lartë i cili e ka detyrë të kujdeset për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Mërgimtarët jan vënë në shënjestër të KQZ-së sepse ata e kan bërë të qartë se do të votojnë për ndryshime. Më shumë se gjysma e aplikacioneve të dërguara për regjistrim as që jan hapur, pra nuk jan konsideruar fare. Krijohet përshtypja se ky ishte regjistrim për të luajtur loto, ku disa fitojnë dhe shumica humbin.

         Këtë e ka përjetuar gati çdo familje, shumë nuk jan marrë në telefon fare, nuk jan dalë në listën e të regjistruarve dhe nuk kan marrë kurrëfarë arsyetimi për refuzim të tyre. Nga gjashtë anëtarë të familjes sime, të cilët i plotësojnë kushtet për regjistrim, vetëm një është telefonuar dhe vetëm dy jan regjistruar. Në ankesën tone dërguar PZAP dhe GJK, nuk përgjigjet askush. Megjithëate ne votuam, i dërguam votat me postë të shpejt-DHL në dy zarfa, njëra me dy vota të shtetasve të regjistruar, tjetra me katër vota të shtetasve të mohuar. Ne të diskriminuarit kërkojmë nga komisioni i KQZ-së që votat tona të numërohen, dokumentet që dëshmojnë kualifikimin tonë janë në zarf. KQZ-ja mund ta mohojë të drejtën tonë për të votuar, por nuk mund të na marr lirinë e fjalës.

                  ZGJEDHJET E 14 SHKURTIT SHPRESË PËR NDRYSHIME

         Fjala e jonë, zëri i ynë i bashkohet zërit të fuqishëm të popullit të Kosovës. Kërkojmë ndryshime në qeverisje. Besojmë se populli i Kosovës me 14 Shkurt, do të votojë edhe për neve që mund të mbetemi me votë të shtypur, do të votojë për ndryshime, do të votojë për Vetëvendosje dhe Guxo. Krejt dhe Drejt. Zonja Vjosa Osmani është pasardhëse e denjë e presidentit legjendar Ibrahim Rugova. Ajo dhe Zoti Albin Kurti janë të drejtë, të vendosur, të pakorruptuar dhe të aftë për ta udhëhequr shtetin. Duhet shpresuar se votuesit që preferojnë kandidatë të partive tjera do të votojnë për kuadro të reja, të aftë, të shkolluar e të edukuar. Për ata që nuk morën pjesë në korrupsion dhe shkatërrimin e shtetit të Kosovës. Për ata që interesin shtetëror dhe kombëtar e qesin para interest individual, klanor dhe partiak. Detyra e tyre është e trefishtë, ta shpëtojnë partinë, të bëhen opozitë konstruktive dhe të ndihmojnë në shpëtimin dhe forcimin e shtetit.

         Sidomos nuk duhet votuar ata, që për interesa personale, bashkëpunuan dhe ju nënshtruan rrënuesit të demokracisë së Kosovës, ish-ambasadorit amerikan pro-serb Richard Grenell. Ai dhe ish-presidenti Trump ishin shpresa e fundit e shovenistit Vuçiq për ta ndarë dhe shkatërruar Republikën e Kosovës. Veprimet e tyre ishin në shërbim të Serbisë, kundër interesave shqiptare dhe amerikane. Politikanët e Kosovës duhet të kuptojnë se detyrë e tyre është për t’i mbrojtur interesat shtetërore dhe kombëtare, jo për të ju nënshtruar forcave të jashtme kur ato punojnë në interes të armikut. Vetëm populli i Kosovës ka të drejtë të vendosë kujt ja beson qeverisjen.

         Përpjekja klasës së dështuar për të mbetur në pushtet me çdo kusht, pa kërkuar falje për keqbërjet 21 vjeçare, pa i ofuar popullit programe reale për ndryshim, veç me sharje, fyerje dhe akuza imagjinare të oponentëve politik, është dëshpëruese. Duhet patur kujdes dhe syçeltësi në moslejuarjen e shkaktimit të ekseseve të mundëshme me qëllim të dëmtimit të proçesit zgjedhor, ngado që vijnë ato.

         Pas dështimit në Amerikë, serbët i kan ndryshuar metodat e veprimit. Janë orientuar nga Evropa, aty ku Rusia dhe pesë shtete që nuk e njohin Kosovën kanë influencë të madhe. Lajçak dhe Borrell jan pro-serb dhe më të këqinj se Grenell por nuk e kan arrogancën dhe fuqinë që e kishte ai. Kjo e bën edhe më të domosdoshme lidhjen e Kosovës me Amerikën. Vota për ndryshime e forcon miqësinë me Amerikën. Kosova dhe Trojet shqiptare, me mërgatën patriotike, të fortë materialisht dhe të ditur, janë në gjendje ta mundin shtetin mesjetar jocivilizues serb si në vitet 90-ta. E drejta është me ne, fitorja është e jona dhe varet nga ne.

*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës 

  • Artikulli shpreh opinionin dhe pikpamjet e autorit.

Filed Under: Politike Tagged With: MA. AGIM ALIÇKA, Presidenti Biden, VOTA PËR NDRYSHIME

KUR SHQIPËRIA“VRAU” ZOTIN

February 10, 2021 by dgreca

54 VJET NGA REVOLUCIONI ATEIST, KUR SHQIPËRIA “VRAU” ZOTIN/

Sokol PAJA – DIELLI/

54 vite më parë Shqipëria ndërmori një nismë të pa dëgjuar ndonjëherë më parë. I shpall luftë Zotit. Shqipëria komuniste shpallet zyrtarisht i vetmi vend ateist në botë. Gjithçka fetare shpallet rreptësisht e ndaluar dhe besimtarët, klerikët dhe praktikantët dënoheshin me burg. Kishat e xhamiat propagandistët komunistët i quanin institucione të një ideologjie reaksionare. Çmenduria revolucinare shqiptare në luftë kundër fesë solli sulmi frontal ndaj klerit fetar, linçime, arrestime, burgosje, tortura ndaj atyre klerikëve që kishin mbetur pa u likujduar nga 1945, shkatërrim  fizik i kishave, xhamive, turbeve, teqeve, faltoreve, manastireve, demaskim të bazës ideologjike e materiale fetare, propagandë në të gjitha dritaret e shtypit kundër fesë si institucion dhe ideologji. Lufta ndaj fesë në Shqipëri solli mbylljen dhe shkatërrimin e 2,169 institucioneve fetare, përfshirë 740 xhami, 608 kisha ortodokse, 157 kisha katolike dhe 530 teqe, tyrbe, mekame. Feja u ndalua me ligj. Gjimnazi “Naim Frashëri” në Durrës bëhet pishtari i parë i revolucionit kundër fesë në Shqipëri. Pas propagandës ateiste agresive në mediat komuniste të kohës, pas sulmeve të pandërprera ndaj klerikëve dhe institucioneve fetare, pas fjalimit të 6 shkurtit prej diktatorit Enver Hoxha për “Revolucionarizimin e partisë dhe të pushtetit” shpërtheu për herë të parë në Shqipëri Revolucioni kulturor ideologjik ateist si Lëvizje Antifetare Mbarështetërore.  

SHPËRTHIMI I REVOLUCIONIT ATEIST

Shpërthimin e lëvizjes masive popullore antifetare propagandisti komunist L.Dibra në shkrimin “Një lëvizje revulocionare e rinisë së Durrësit me përmbajtje të thellë teologjike”, botuar në gazetën “Zëri i Rinisë” të datës 8 Shkurt 1967, numri 11, faqe 1, tregon për për një atmosferë shumë të ndezur të luftës ndaj fesë. Në shkrimin ateist thuhet se: Menjëherë pas rënies së ziles që shënonte fillimin e procesit mësimor, ndërsa nxënësit prisnin mësuesin në klasë, shpërtheu revolucioni ideologjik me qëllim luftën kundër zakoneve prapanike dhe paragjykimeve fetare. Aktivi i shkollës “Naim Frashëri” sipas shkrimit ateist shtroi detyrën që organizata e shkollës, anëtarët e “Bashkimit të Rinisë” dhe gjithë nxënësit të mobilizoheshin për të dalë plotësisht fitimtarë në atë detyrë të rëndësishme kombëtare që komunistët kishin marrë përsipër. Sipas shkrimit të cituar më lart, të rinjtë duhej të armatoseshin mirë ideologjikisht pasi “lufta” kundër atyre që komunistët i quanin zakone prapanike dhe paragjykime fetare do të thoshte sipas ateisteve në shtyp, luftë bindjesh, luftë ideologjike, zëvëndësimi i bindjeve të vjetra me bindje revulocionare komuniste. Për kthimin në shoqëri plotësisht ateiste baza e këtij aksioni antifetar ishte edukimi ateist-shkencor i popullit, kryesisht rinisë që përdorej dhe manipulohej lehtë prej regjimit diktatorial. Shkrimi nga L.Dibra “Një lëvizje revulocionare e rinisë së Durrësit me përmbajtje të thellë teologjike” e shikon këtë revolucion që do të shtrihej në të gjithë Shqipërinë si një lëvizje të “armatosur” me teori, botëkuptim dhe ideologji socialiste. Panorama e shkollës “Naim Frashëri” në Durrës paraqitet në shkrim sikur me propozimin e aktivitetit të organizatës së rinisë, komiteti i rinisë së shkollës krijoi një organ ndihmës shtabin e luftës kundër zakoneve prapanike dhe paragjykimeve fetare si dhe tre komisione që ishin: “komisionin e studimit të materialeve, i cili do të meret me zbulimin e literaturës përkatëse ateiste dhe përvetësimin e ideve të tyre, komisioni i citateve, i cili do të merrte mendime të çmura mbi luftën kundër zakoneve të vjetra dhe dogmave reaksionare të fesë dhe komisioni i prapagandës figurative”. Sipas shkrimit ateist që mban firmën e L.Dibrës, hyrja në korridorin e shkollës, muret e shkollës, korridoret e klasat kishin marrë një pamje të re: citate, artikuj, vizatime, karikatuara të vendosura në të katër anët që mbështesnin lëvizjen e re, zbulonin qëllimet e ideologjisë fetare, të origjinës e të rolit të fesë që sipas komunistëve ishte pengesë të zhvillimit të shoqërisë e përparimit të njerëzimit.

SHKRIMET ANTIFETARE NË SHTYPIN KOMUNIST

Shkrimet antifetare të kohës në shtypin komunist bëjnë thirrje urgjente për masivizim të lëvizjes kundër fesë, institucioneve dhe ideologjisë fetare, masivizim të shtrirjes si lëvizje ateiste, pjesëmarrje masive të të gjithë organizatave bazë të partisë të organizatave të masave e bashkimeve profesionale komuniste. Komunistët propagandonin që gjoja revolucioni ideologjik në luftën kundër ideologjisë së vjetër (fesë) kërkoheshin që të gjithë të shëndërroheshin në revolucionarë me detyra konkrete për të nxitur masat komuniste për të shkatërruar paragjykimet fetare e zakonet fetare e familjare që komunistët i quanin prapanike. Si formë e përdorur prej komunistëve në propagandën ateiste dhe shtrirjen e gjithëpërfshirjen e kësaj lëvizjeje kombëtare antifetare, ishin shkrimet në shtyp, kronikat në radio e televizon, debatet, kritikat, veprimi praktik, studimi e përgatitja ideologjike që bënin pa reshtur organizatat bazë të partisë, në qendra pune, shfaqje të ndryshme teatrale apo në shtëpitë e kulturës e deri te koperativat në fshatrat e Shqipërisë. Përveç luftës kundër fesë ky i ashtuquajtur revolucion prej komunistëve, synonte sipas propagandistëve ateistë edhe goditjen e amullisë, burokracisë, javashllëkut dhe indiferentizmit. Në aksionin kombëtar për çrrënjosjen e fesë dhe ideologjisë e zakoneve prapanike siç i quanin komunistët, u mbështet maksimalisht nga organizatat bazë të partisë së rretheve që ishin leva të zbatimit të vendimeve të Komitetetit Qëndror të PPSH. Motoja e aksionit kundër fesë që shërbeu si shkëndijë komuniste në të gjithë Shqipërinë ishte: “Me shpatën e mprehtë të ideologjisë së Partisë sonë, në luftë kundër bestytnive fetare e zakoneve prapanike”. Propaganda në luftën ndaj fesë u mbështet tek: elementet figurative dhe gazeta e murit kishin një ritëm dhe forcë manipuluese dhe nxitëse të masave komuniste. Në luftën që shteti komunist zhvilloi ndaj ideologjisë fetare, në shkollën “Naim Frashëri” komisionet e studimeve të citateve e të propagandës figurative kishin hartuar gjithë biblografinë e librave atistë shkenorë duke krijuar një kënd të librit ateist që ishte burim i frymëzimit ateist, bibla e revolucionit ideologjik agjitacionit figurativ, u krijua biblioteka ateiste-shkencore dhe këndi i propagandimit të luftës kundër shfaqjeve të ideologjisë fetare. Anëtarët e komisioneve studionin problemet që godasin, përgatiten për të diskutuar në klasa e jashtë shkolle me qëllim forcimin e bazës ideologjike të revolucionit si një kusht për forcën goditëse gjithnjë e më të madhe të tij. Sipas shkrimit ateist të cituar më lart, me rritjen dhe shtrirjen e revolucionit sa vinte e shtohej numri i studiuesve,  të librave ateistë, të materialeve të partisë së punës, e të veprave të klasavë të marksizëm – leninizëm. Shembulli i rinisë së Durrësit u detyrua të ndiqej rreptësisht në të gjitha shkollat dhe qytetet e Shqipërisë. Për suksesin e luftës klasore dhe ideologjike, organizata e kohës synonte të tërheqë në përgatitje teorike dhe ideologjike gjithë masën e të rinjve që ishin zemreku i revolucionit ideologjik të shtyrë, nxitur, të manipuluar, motivuar dhe orkestruar nga direktivat direkte të Komitetit Qendror të PPSH.

PROPAGANDA ATEISTE NË LUFTËN NDAJ FESË

Propagandisti komunist L.Dibra në shkrimin “Një lëvizje revulocionare e rinisë së Durrësit me përmbajtje të thellë teologjike”, shprehet se propagandën ateiste në luftën ndaj fesë më së miri e ndihmonte Komisioni i Citateve që çdo ditë ndryshonte citat e reja antifetare që shprehnin anë të ndryshme të së vërtetës mbi rolin gjoja reaksionarë të fesë dhe të paragjykimeve dhe mbi rolin e shkencës e diturisë dhe luftës kundër ideologjisë fetare për fitoren e rendit të ri komunist. Përveç kësaj, edhe në art shihej si një mundësi e mirë zhvillimi i luftës ndaj fesë dhe institucioneve fetare. Sipas shkrimit ateist të cituar më sipër, në klasat shkollore kudo vendoseshin vjersha, karikatura, anektoda, trajtojnë problemin e bestytnive, zakoneve prapanike dhe para gjykimeve fetare. Me masivizmin e lëvizjes mbarëkombëtare ateiste, komunistët synonin edukimin marksist të shoqërisë komuniste, kthimin e shoqërisë shqiptare në një shoqëri plotësisht ateiste dhe shtirjen e kontrollit komunist në çdo qelizë të shoqërisë, depersonalizimin e njerëzve, uniformizimin e shoqërisë dhe të mendimit politik e ideologjik të kohës.  

Filed Under: Politike Tagged With: KUR SHQIPËRIA “VRAU” ZOTIN, Sokol Paja

MASAKRA BARBARE E SERBËVE-KUJTESË EDHE PËR VUÇIÇIN DHE SERBËT

February 9, 2021 by dgreca

NJË NGA MASAKRAT BARBARE QË KREU USHTRIA SERBE
GJATË LUFTËS NË KOSOVË ISHTE AJO E KATUNDIT OBRINJE E EPËRME/

…. Ndër të vrarët përfshihej 94 vjeçari i paralizue, kryetar i familjes, i prenë kryet një burri 65 vjeçar, i nxorën trunin, vranë një grua 65 vjeçare, i prenë kambën; gjuejtën kundër një gruaje 27 vjeçare dhe kundër vajzave të saj 5 e 7 vjeçare, vranë një grua 30 vjeçare, ishte shtatzanë…i prenë barkun e i nxorën fëmijën të cilit i prenë gjymtyrët e trupit të posa formueme, gjuejtën nga afër dy vajza adoleshente….

Përktheu Gjon Kadeli nga libri me titull “Be Not Afraid” nga autoria amerikane Stacy Sullivan/

Dy ditë mbasi njësitë e U.Ç.K.sulmuen pozicionet e ushtrisë dhe të policisë serbe në katundin Obrinje e Epërme në mes të shtatorit 1998 dhe vranë 14 ushtarë, forcat e Millosheviqit u hakmorën. Ato vranë 21
katundarë të pafajshëm,shumica gra,fëmijë e pleq.
        Të vramit ishin të gjithë pjestarë të familjes Delijaj, të cilët u vranë në mënyrën ma barbare. Në ta përfshihej 94 vjeçari i paralizue që ishte kryetari i familjes dhe një fëmij 18 muejsh.Forcat serbe i
prene kryet një burri 65 vjeçarë dhe mandej i nxorën trunin dhe e vunë pranë trupit të tij. Madej vranë një grue 65 vjeçare, e mbas vrasjes i prenë kambën. Mandej gjuejtën kundër një grueje 27 vjeçare dhe kundër
vajzave të saj 5 e 7 vjeçare të cilat u vranë kur po përpiqeshi të iknin . Mandej ata vranë një grue 30 vjeçare e cila ishte shtatzanë e priste lindjen e fëmijës brenda dy muajve. Mbas vrasje së saj i prenë barkun e i nxorën fëmijën të cilit i prenë gjymtyrët e trupit të posa formueme. Ata gjuejtën nga afër dy vajza të reja(adoleshente) të cilat ishin të fshehura në disa shkurre, e që nga frika shtërngonin
njena tjetrën. Disa njerëz të tjerë të moshuar u gjetën të vrarë, ndër ta edhe një burrë, i cili ende mbante shkopin në dorë. Një grua e re u gjet e vdekun, e cila mbante një kërthi(foshnje) 6 javëshe që ishte ende
gjallë.
Kjo masakër tejet çnjerzore u banë gjatë operacioneve ushtarake serbe për të dëbue popullsinë e Kosovës nga trojet e tyne mijvjëçare.

Filed Under: Politike Tagged With: Gjona Kadeli, Masakra ne Obrinje te Eperme, Stacy Sullivan

EDHE UNË ÇAM JAM – PËR TË MOS E HARRUAR KURRË ÇAMËRINË!

February 7, 2021 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Megjithëse kaluan disa javë nga dita që shënoi 30-vjetorin e themelimit të Shoqatës Patriotike “Çamëria”, më 10 Janar të vitit 1991, për mua nuk është kurrë vonë që të flitet dhe të kujtohet Çamëria Shqiptare — në përvjetorë që duhet të shënohen dhe kurdoherë tjetër – dhe të kujtohet gjithmonë në të gjitha dimensionet e tragjedisë së saj.

Ia vlen që në këtë 30-vjetor të themelimit të Shoqatës Patriotike, “Çamëria”, t’i kujtojmë edhe njëherë lexuesit se megjith hallet dhe telashet e sotëme të shqiptarëve, Çamëria nuk duhet të harrohet, por të kujtohet si një tragjedi kombëtare e shekullit 20.  Kjo Shoqatë, është themeluar pas shembjes së komunizmit në Shqipëri, 30-vjetë më parë në Tiranë, nga intelektualët e dalluar çamë si Abaz Dojaka, Hasan Minga, Sali Bollati, Petrit Demi, Ilmi Saqe, Lutfi Saqe, Petrit Kasemi, Bashkim Braho, Qani Biraçi, Nexhat Mergjushi, Ferhat Sejko, Arshi Rexho, Resul Taipi etj.  Shoqata “Çamëria”, ç’prej fillimit i ka venë vetes misionin e shenjtë për të sensibilizuar opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar, me qëllim për të bërë të njohur – në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar — gjenocidin e kryer nga forcat shoviniste greke në vitet 1940-ave të shekullit të kaluar, si dhe për të rivendosur të drejtat themelore universale të njeriut në trojet e tyre, mohuar çamëve shqiptarë, për pothuaj një shekull tani.

Këtu në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara jeton dhe vepron, patrioti çam, shqiptaro-amerikani i respektuar i komunitetit, Z. Sali Bollati, lindur në Paramithi të Çamërisë — njëri prej themeluesve të Shoqatës Patriotike Çamëria në Shqipëri– dhe një ambasador i vërtetë i çështjes çame këtu në Amerikë dhe më gjërë, një veprimtar i palodhëshëm i Çamërisë martire në të gjitha dimensionet e vuajtajeve dhe padrejtësive që i janë bërë e vazhdojnë të bëhen kundër saj.  Pjesë e rëndësishme e veprimtarisë 30-vjeçare të Shoqatës, “Çamëria” vazhdon të jetë, sipas vet Shoqatës, “Institucionalizimi i Çështjes Çame përmes Presidentit të Republikës, Kuvendit të Shqipërisë, qeverisë shqiptare dhe institucioneve të tjera deri në zgjidhjen përfundimtare të saj”.

Tragjedia e Çamërisë mbetet e tillë për shqiptarët dhe vazhdon të mbetet si një fitore e forcave më të errëta të Luftës së Dytë Botërore.  Është një tragjedi që duhet të rendojë në shpirtërat dhe zemërat e shqiptarëve ashtu siç duhej të rëndonte edhe masakra e Tivarit dhe shumë masakra të tjera ndaj  shqiptarëve, anë e mbanë trojeve shqiptare.  30-vjetori i themelimit të Shoqatës Patriotike “Çamëria”, thërret me zë të lartë për një shqyrtim të ndërgjegjës të atyre që kanë shkaktuar këtë tragjedi, por ky përvjetor përbën gjithashtu një rast të mirë për një apel të gjithë shqiptarëve – sidomos atyre në pushtet — për një shqyrtim të vet ndërgjegjes tonë si shqiptarë, jo vetëm për krimet e të huajve ndaj shqiptarëve, por edhe për krimet e kryera nga shqiptari kundër shqiptarit, gjatë shekullit të kaluar.  

 
Qytetërimi nisë pikërisht aty, me shqyrtimin e ndërgjegjës, ka thenë me një rast Ismail Kadare: “Shqyrtimi i ndërgjegjes mbetet sot po aq dramatik dhe aktual sikurse në teatrin grek, dy mijë e pesëqind vite më parë.  Nga krimet e nazizmit e të komunizmit, ai vjen gjer te hapja e dosjeve të fshehta, ato që janë kthyer në ankth në vendet që ende s’e kanë bërë këtë, duke përfshirë këtu, për fat të keq, edhe vendin tim, Shqipërinë”. (Nga Fjalimi i Kadaresë me rastin e dhënies së një Çmimi prestigjoz në Izrael, 2015).  Dihen përpjekjet due fushatat e fqinjëve për zhdukjen e popullit shqiptar gjatë dekadave dhe shekujve të kaluar nepërmjet spastrimeve etnike, shpërnguljeve të detyrueshme dhe masakrave, siç ishte ajo e Çamërisë, e Tivarit dhe lufta e fundit në Kosovë, ndër të tjera. Si askund tjetër në Evropë e ndoshta edhe në botë e gjithë harta e trojeve shqiptare është një skenë masakrash, krimesh, spastrimesh etnike, shpërnguljesh me dhunë dhe dëbimesh barbare të shqiptarëve. 

Uroj që gjatë “Javës Çame”, të shënuar muajin që kaloi, autoritetet shqiptare të kenë reflektuar edhe mbi përpjekjet aktuale dhe në vazhdimësi nga Greqia, Turqia dhe Serbia – për të ndryshuar historinë dhe identitetin e shqiptarëve në trojet e veta– brenda kufijve aktualë të Shqipërisë — duke “mbjellur” varreza dhe monumente të okupatorëve shekullorë, grekë, turq dhe sllavë.   Fatbardhësisht, zhdukja fizike e shqiptarëve gjatë shekujve, me masakra, spastrime etnike dhe shpërngulje të detyrueshme, sot në shekullin XXI, është pak më e vështirë se në të kaluarën, falë mbështetjes historike dhe të pa hile të miqëve të vërtetë perëndimorë të Kombit shqiptar. Por, siç tregojnë monumentet greke, turke e sllave në territorin shqiptar, përpjekjet e këtyre “vendeve strategjike” dhe “popujve miqë” nuk kanë pushuar të mësyjnë tokat shqiptare duke “mbjellur” varreza, e monumente të ushtarëve e të “heronjve” të tyre në trojet shqiptare, përfshir edhe zemrën e Tiranës, me miratimin e vet autoriteteve shqiptare.  Askush nuk reagon kundër, askënd nuk e vret ndërgjegjja kombëtare!

 “Java Çame” kishte si temë, “Çamëria është e të gjithë shqiptarëve. Çam Jam!”  Por, fatkeqësisht, shqiptarët kujdesën më shumë për të huajt, “Duke u dhënë pas doktrinave të huaja shterpa e miqësive të mbrapshta, u harruan për fat të keq shpeshherë njerëzit tanë të gjakut, ata që kanë qenë e janë pjesë e Trungut Shqiptar të Pavdekshëm. Ajo ka qenë pjesë e një harrese të madhe për të cilën Kombin Shqiptar do ta vrasë ndërgjegjja për një kohë të gjatë.” (Ismail Kadare në përshëndetjen drejtur gazetës Çamëria-Vatra Amtare, 1992, cituar në librin e Sali Bollatit, “Çamëria, Krahina më Jugore e Trojeve Etnike Shqiptare

Në këtë 30-vjetor të themelimit të Shoqatës “Çamëria”, unë i bashkohem përpjekjeve të kësaj Shoqate kundër asaj që ajo cilëson si, “nismave për ta ‘mbjellë’ Shqipërinë me varreza të ushtarëve grekë, duke kërkuar ngritjen e një memoriali për martirët e gjenocidit grek në Çamëri” të lenë pa varre. Por, jo vetëm kundër varrezave greke, por edhe kundër ndërtimit (natën) të monumenteve turke dhe sllave në Shqipëri, ngritur vitet e fundit, me miratimin e autoriteteve shqiptare.  Edhe për këtë, nevojitet një shqyrtim i thellë i ndërgjegjës kombëtare të autoriteteve më të larta shqiptare. Hiqni dorë nga “doktrinat e huaja shterpa dhe miqësitë e mbrapshta” dhe mos harroni “njerërzit tanë të gjakut”. 

Shqiptarë jemi aty dhe atje ku na fali Zoti.  Edhe unë, një shqiptaro-amerikan, me origjinë nga Malësia e Madhe, por me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një gjysëm shekulli, me krenari dhe me ndjenja të thella vëllazërore, deklaroj: Çam jam!  

 Frank Shkreli

Sali Bollati i mbijetuari i Çamërisë dhe njëri prej themeluesve të Shoqatës “Çamëria” dekorohet nga Këshilli i Bashkisë Nju Jork, Nëntor, 2019 – në foto me Z. Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit të qytetit.

                           Autori me Z. Sali Bollati, të mbijetuarin e gjenocidit grek në Çamërinë Shqiptare dhe njëri prej patriotëve që themeluan Shoqatën “Çamëria” në Tiranë, 30-vjetë më parë – në Sallën e Këshillit të Bashkisë — New York, Nëntor, 2019

                          Autori i këtij libri, Z. Sali Bollati, pas vrasjeve barbare të 7 familjarëve të tij nga bandat shoviniste greke të Zervës me 27 Qershor, 1944, mbahet në burg në vendlindjen e tij në Paramithi, para se të dëbohej me dhunë nga trojet e tija stërgjyshore ashtu si mijëra shqiptarë çamë të tjerë – kryesisht gra, pleq e fëmij – dhe hynë në Shqipëri. 

Filed Under: Politike Tagged With: DHE UNË ÇAM JAM, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 314
  • 315
  • 316
  • 317
  • 318
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT