• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR FLASIN TË “VDEKURIT”

February 6, 2021 by dgreca

Nga Sokol PAJA – DIELLI/

Zakonisht për të vdekurin nuk flitet keq. Por kur i “vdekuri” ringjallet si profet biblik apo kuranor, ai e meriton një “uratë” apo “sure”. Vetëm rilindja e socialistëve arrin ti ringjallë njerëzit që vetë i “vret”. Për interesa të rëndomta politike partia-shtet ringjall “heronj” të cilët pasi i ndërsen në situata të caktuara politike kryesisht zgjedhore, pasi i përdor sipas oreksit politik të çastit i tret në harresë. Zakonisht të ikurit, të larguarit, të humburit, të zhdukurit, të vdekurit nuk janë atje ku i mendojmë, por aty ku flitet për ta dhe aty ku ata shfaqen si hije, si imazhe apo mesazhe. Me qëllim largimin e vëmëndjes publike nga menaxhimi katastrofik i pandemisë globale, me synimin që të shmangë vëmëndjen nga hetimet për lidhjet kriminale të eksponentëve të qeverisë me organizatën kriminale famëkeqe Ndragheta për pastrim parash e kulla mafjoze në Tiranë, partia-shtet ngjalli një hero qimelyer, Fatos Nanon. Një mishërim spektakolar i vesit, korrupsionit, krimit, abuzimit dhe degradimit shtetëror dhe njerëzor kur rilindasit udhëhiqeshin nga filozofi majtist i katarsisit. Për nevoja të partisë apo për fitoren e revolucionit si vëlla komunist, rilindasit e sotëm sjellin nga lartësitë e qiejve edhe ata që vetë i “varrosën” dikur. Të gjitha partitë që burojnë nga filozofia marksiste, heroin komunist e kanë njeriun ideal, njeriun e ri, për manipulim spektakolar të opinionit publik. Komunistët edhe kur nuk e kanë një hero ata e sajojnë, e shpikin, e fabrikojnë dhe e shpërndajnë këtë model për ndjekje masive. Duke nxjerrë Nanon në Tv, Rama tregoi se është vetëm, se nuk e mbështet më askush, se ndër të gjallët s’ka më përkrahje, i duhet forca e një të “vdekuri” për ta mbajtur gjallë. Ky shërbim mediatik dhe politik që ish kryeministri liberal i bëri liderit arrogant e diktatorial ishte një neveri përtej kufijve të arsyes nëse i referohemi konsideratave dhe vlerësimeve në të kaluarën që këto dy dordolecë karnivalesh kanë pasur për njëri-tjetrin. Në spektaklin 3D të qeverisjes shkatërruese të kryerilindasit Rama ndaj qytetarëve shqiptarë, dordoleci i karnivales nuk kishte sesi ti mungonte shfaqjes dhe spektaklit të çmendurisë që qeveris shqiptarët tash 8 vjet. Të mbrosh të keqen je më i keq se vetë e keqja. Nano me daljen e tij publike në televizionin kombëtar Klan i shtoi vetes një njollë turpi duke mbrojtur e promovuar atë që deri dje e përbuzte me neveritje. Hajduti i ikonave të vjedhura dhe thonjëpapreri, papritur si me shkop magjik na del politikani i maturuar dhe modeli i politikanit produktiv i dekadës së fundit. Nano është refuzuar nga shqiptarët 16 vite më pare. Me Nanon në ekran, Rama ua shpifi dhe ua neveriti edhe më shumë shqiptarëve. Edi Rama është kryeministri më i keq në historinë moderne të shtetit shqiptar. Ky huligan, ky dinosaur politik që shpartallon e pushton gjithçka e çdo gjë që i del përpara, prodhoi një qeverisje të tmerrshme për Shqipërinë: shqiptarët gjenden pa shtëpi, shqiptarë që detyrohen të braktisin atdheun, shqiptarë që u vritet shpresa, që u shkatërrohet e ardhmja, që u hiqet mundësia, shqiptarë që mjerohen, shqiptarë që varfërohen, shqiptarë që diskutojnë kafshatën, shqiptarë të harruar, shqiptarë të diskredituar, fshatra që braktisen, qytete që vriten. Pasi zaptoi të gjitha institucionet dhe pushtetet, Rama prodhoi një Shqipëri të varfër dhe të mjerë që zhytet përditë e më keq nën kthetrat e sektit të rilindjes që i pi dhe pikat e fundit të gjakut përpara se të thyejnë qafën një herë e përgjithmonë. Ndryshimi i sistemit qeverisës dhe largimi sa më shpejt i këtij sekti grabitqarësh rilindas neokomunistë, është një frymëmarrje e thellë për Shqipërinë, është një çlirim  i madh nga kthetrat e shpopullimit, lidhjes së politikës me mafjen kombëtare e ndërkombëtare, degradimit të shtetit, thellimit të pabarazive shkatërruese, konfliktit social dhe varfërisë. 

Filed Under: Politike Tagged With: Nano TV, Rama, Sokol Paja

Kosovë-Izrael, thyhet rendi i dështimeve

February 5, 2021 by dgreca

Vendosja e marrëdhënieve të plota diplomatike me Izraelin shënon një nga momentet më të rëndësishme të diplomacisë së Kosovës në vitet e fundit./

nga Akri Çipa*/

Vendosja e marrëdhënieve të plota diplomatike me Izraelin shënon një nga momentet më të rëndësishme të diplomacisë së Kosovës në vitet e fundit. Për mjaft arsye, kjo duhet të shërbejë si një moment kthese. Është e rëndësishme, që përtej celebrimeve, të ketë një diskutim më të gjerë për rëndësinë e marrëdhënieve diplomatike me shtetin hebre, por edhe për leksionet e nxjerra nga ky zhvillim. Miqësia e re me Izraelin hap perspektiva për bashkëpunim në rrafshin ekonomik, tregtar, inovacionit, si dhe në atë të sigurisë, dhe këto meritojnë një analizë më vete. Por çfarë është e rëndësishme për momentin është se kjo marrëdhënie mbart një kuptim më të gjerë për vetë konsolidimin e pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Njohja nga Izraeli erdhi pas një periudhe gati trevjeçare, në të cilën jo vetëm që nuk pati asnjë njohje të re, por edhe u intensifikua fushata dhe propaganda serbe për kundërshtimin e legjitimitetit të pavarësisë. Në fakt, gjatë kësaj periudhe kanë qenë shumë më vokale pretendimet serbe për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë.

Kosova jo vetëm që në këtë hark kohor dështoi në avancimin diplomatik, por mori përsipër dhe përgjegjësinë e disa gabimeve fëmijërore, sikurse ndodhi në rastin e fiaskos me Xhamajkën. Në atë rast, njohja e paralajmëruar nga zyrtarët në Prishtinë u mohua nga përfaqësuesit xhamajkanë, duke krijuar një situatë groteske. Gjithaq domethënëse ishte dhe performanca në fushatën për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ku shembulli më i bujshëm ishte dështimi me aplikimin në Interpol.

Njohja dhe formalizimi i raporteve me Izraelin thyejnë këtë rend dështimesh dhe jep tashmë një sinjal domethënës, mbi të gjitha për imazhin ndërkombëtar.

Elementi tjetër i rëndësishëm është se njohja reciproke Kosovë-Izrael u realizua pavarësisht angazhimit tejet të madh të diplomacisë serbe për të ushtruar rol bllokues.

Me gjithë punën disavjeçare të diplomatëve të Kosovës para dhe pas kuintave për të vendosur lidhje me shtetin hebre, Serbia ia ka dalë nëpërmjet kanaleve zyrtare diplomatike të shkurajojë dhe të ndalojë në gjenezë çdo lloj iniciative izraelite drejt Prishtinës. Në të njëjtën kohë, lobi serb në Izrael dhe në Shtetet e Bashkuara ka qenë tejet aktiv. Çdo përpjekje për ta ngritur si çështje në Izrael njohjen e Kosovës pasohej nga kundërvënie të menjëhershme të segmenteve të lidhura me Beogradin zyrtar.

Prandaj është tejet e rëndësishme të vlerësohet ndërhyrja dhe garancitë e ofruara nga Shtetet e Bashkuara si elementi kryesor që theu pengesat e Serbisë dhe vuri në lëvizje zhvillimet që u finalizuan me ceremoninë e kësaj jave. Është e rëndësishme që kjo të kuptohet mirë nga të gjithë, përtej rezervave dhe kontestimeve të tjera për takimin e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë.

Në të njëjtën kohë, këto zhvillime shërbejnë dhe për të trajtësuar ecurinë diplomatike dhe objektivat strategjikë që duhet të ndiqen në të ardhmen e afërt.

Pretendimi i Serbisë – mbështetur nga Rusia dhe Kina – se pavarësia e Kosovës duhet refuzuar si unilaterale dhe krijuese e precedentëve të rrezikshëm ka pasur deri më sot njëfarë efikasiteti. Në fakt, frika se njohja zyrtare mund të përdorej për të krijuar paralelizma, në fakt tërësisht të paqenësishme, me konfliktin në Lindjen e Mesme ka qenë arsyeja kryesore pragmatike që e ka shtyrë Izraelin t’i druhej deri më sot pranimit të realitetit të Kosovës së pavarur dhe sovrane.

Tanimë, pas vendosjes së marrëdhënieve me shtetin hebre, ekzistojnë të gjitha mundësitë për të ngritur argumentin e anasjelltë: nëse Izraeli, një shtet që përballet me një nga konfliktet territoriale më problematike dhe komplekse në botë, nuk i druhet rastit të pavarësisë së Kosovës si precedent, atëherë asnjë vend tjetër nuk mund të fshihet pas këtij argumenti. Me tejkalimin e kësaj situate, Kosova i ka shtuar arsenalit diplomatik një element tejet substancial.

E gjithë kjo duhet kontekstualizuar brenda një mësimi tjetër shumë të rëndësishëm.

Pavarësisht ecurisë së dialogut me Serbinë, nuk ka asgjë që e konsolidon më shumë pozicionin në arenën ndërkombëtare se vendosja e raporteve të barabarta me shtetet e tjera të botës.

Vëmendja ndaj Beogradit dhe Brukselit ka thithur rishtazi shumë më tepër energji nga sa duhej në Prishtinë dhe ka sjellë harresën ndaj kryeqyteteve të tjera të botës. Procesi dialogues me Serbinë mund të vazhdojë, por pa vënë në pauzë ose sakrifikuar konsolidimin e marrëdhënieve me shtete të treta, aq më shumë përpjekjet për t’i shumuar ato.

Madje edhe integrimi në organizatat ndërkombëtare duhet të jetë element shtesë, jo zëvendësues, i përpjekjeve për shtimin e njohjeve. Teksa anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara është bërë shpeshherë kryefjalë e diskutimeve për ecurinë diplomatike, duhet mos harruar se anëtarësimi duhet të jetë pasojë, jo qëllim në vetvete.

Orientimi i diplomacisë së Kosovës drejt këtij kahu duhet të bëhet dhe kryefjalë në raport me aleatët amerikanë. Administrata Biden mund të ofrojë një mbështetje shumë të fortë në këtë pikë, por Prishtina zyrtare duhet të tregojë iniciativë nga ana e saj. Angazhimi amerikan është i domosdoshëm për t’u qasur ndaj shteteve që ende refuzojnë ta njohin Kosovën, por edhe për të anashkaluar pretendimet serbe dhe për të rritur presionin ndaj Beogradit.

Së fundmi, është fatkeqësi që Bashkimi Europian nuk është palë mbështetëse në këtë përpjekje. Sikurse u reflektua pas ceremonisë së 1 shkurtit, në vend që të përgëzonte Kosovën dhe Izraelin, zëdhënësi i Bashkimit Europian për çështjet e jashtme e kritikoi Prishtinën për zyrtarizimin e vendosjes së ambasadës së saj në Jerusalem. Kjo pasi Bashkimi Europian vazhdon ta kundërshtojë Jerusalemin si kryeqytet zyrtar.

Këmbëngulja e përfaqësuesve europianë në këtë politikë rezultoi të ishte më e rëndësishme sesa mbështetja për Kosovën në një hap pozitiv të forcimit të pozicionit të saj dhe të krijimit të marrëdhënieve të cilat realisht avancojnë stabilitetin dhe paqen. Ky veprim absurd nuk duhet harruar dhe duhet të shërbejë si një mësim kuptimplotë për valencën që u duhet dhënë mesazheve që do vijnë nga Brukseli në të ardhmen.*Botuar fillimisht në Sbunker.net

Filed Under: Politike Tagged With: Akri Çipa, Kosove-Izrael

ARRITI BANDA E VATRËS NË NEW YORK- FALEMINDERIT AKADEMIK VASIL S. TOLE!

February 4, 2021 by dgreca

Libri”Banda Kombëtare ”VATRA” me autor Akademik  Vasil S. Tole, arriti në bibliotekën e Vatrës.

Ka arritur në bibliotekën e Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” libri ”Banda Kombëtare”VATRA:- një histori unike shqiptaro-amerikane” i akademikut Vasil S. Tole, kompozitor dhe etnomuzikolog, anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë dhe zëvendëskryetar i saj. Libri është botuar në vitin 2020 me rastin e 100 vjetorit të arritjes së bandës së Vatrës në Shqipëri, të 100 vjetorit të Luftës së Vlorës,si dhe të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Libri i dërguar nga Akademia e Shkencave mbanë shënimin e autorit:

VATRËS sonë të dashur të Shqiptarisë, me mirënjohje dhe përulje!

Vasil S. Tole

Tiranë 15 Dhjetor 2020.

        Me mirënjohje e falenderojmë akademikun dhe e përgëzojmë për punën e shkëlqyer profesionale e shkencore që ka bërë për të sjellë në kujtesë “bëmat” kombëtare të Bandës së Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”.

Libri mbanë titullin”Banda Kombëtare”VATRA:- një histori unike shqiptaro-amerikane”, e shoqëruar me CD.

          Librin e bandës së vatrës, autori Vasil S. Tole, ia dedikon: Federatës “Vatra”, Bandës Kombëtare“Vatra”, Thoma Nasit(1892-1964) dhe familjes së Tij, patriotëve të çështjes kombëtare, misionarëve të forcimit të marrdhënieve shqiptaro-amerikane, pionierëve të artit muzikor në Shqipëri,përmbushësve të aksiomës”Me pushkë e penë për mëmëdhenë”, interpretuesve të parë të “Himnit Kombëtar” në ceremonitë zyrtare të shtetit shqiptar pas vitit 1920; dhe kujtimit të presidentit amerikan Woodrow Wilson(1856-1924).

Krahas falenderimi të gjithë atyre që e ndihmuan, autori e përcjell librin edhe me një parathënie, ku ndër të tjera shkruan: Ky nuk është një libër për muzikën, por është një libër që përmes muzikës, na fton të kuptojmë historinë e Shqipërisë në gjysmën e parë të shekullit XX. Si i tillë ai nuk është një tekst apokrif,përkundrazi. Përmes njohjes konkrete me rolin e bandës muzikore kombëtare shqiptaro-amerikane ”Vatra”, na jepet mundësia të kuptojmë dhe të eksplorojmë historinë e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore, në vitet e Mbretërisë Shqiptare(1928-1939), gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të ardhur deri në krijimin e formacionit të orkestrës frymore kombëtare, emërin e së cilës sot mban Orkestra Frymore Kombëtare e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Autori me dashuri dhe përkushtim,me librin e tij çel disa dritare përmes të cilave duhet ta shohim bandën”Vatra”: si formacion muzikor, si shenjë e qartë atdhedashurie, si miqësi shqiptaro-amerikane apo dhe mekanizëm për të kuptuar vendin e muzikës në shoqërinë shqiptare.

Banda VATRA shkoi në Shqipëri kur Atdheu ksihte nevojë për të. Lufta e Vlorës në vitin 1920 ishte thirrja për bashkimin e të gjithë shqiptarëve kundër pushtuesëve. Thënia e Nolit”Mbahu nëne, mo ski frikë, se ke djemtë në Amerikë”, gjeti konkretizimin e saj përmes akteve sublime të 120 vullnetarëve shqiptaro-amerikanë, të mbledhur dhe të përgatitur nga federate “VATRA”, SHBA dhe te veprimtaria mbarëshqiptare e bandës kombëtare”Vatra”në atdhe.

  Autori arrinë në përfundimin se: falë Thoma Nasit dhe bandës”Vatra”, roli i muzikës në vitet 1920-1926 u ridimensionua në shoqërinë shqiptare. Kryeministrat e kohës dhe vetë Mbreti Zog u angazhuan drejtëpërsëdrejti për t’i dhënë shtetit shqiptar një dimension më kulturor, për ta vendosur kulturën dhe posaçërisht muzikën në themel të identitetit të saj….Fara e bandës”Vatra” dhe pjestarët e saj ishin kudo në Shqipëri, aty ku krijohej një formacion i ri muzikor, një botim ose një shkollë e re…

Për të sjellë atmosferën që krijoi banda muzikore”Vatra”në Shqipërinë e kohës, autori citon fjalët e profesorit Sederholm, pjestar i grupit të Lidhjes së Kombeve që monitoronte kufirin jugor të Shqipërisë në vitet 1920 se”…. një komb që arrinte të krijonte të tilla grupe si banda “Vatra” dhe të donte muzikën aq sa njerëzit e shprehnin këtë  me vërshimin nëpër koncerte, natyrisht që e meritonte liriën e tij…”(citohet Thoma Nasi, sipas leksionit që ai mbajti v 1960 me studentët shqiptarë të Universitetit të Harvardit).

  Për të ndjekur rruëgtimin e  bandës së Vatrës, autori e ka ndërtuar librin me 11 kapituj.

 Për më shumë na ndiqni në Gazetën Dielli në print, ndërkohë njoftojmë studuesit dhe të interesuarit se librin mund ta shfletojnë në bibliotekën e Vatrës.

Faleminderit akademik Vasil S. Tole(Dielli)

Filed Under: Politike Tagged With: Banda Muzikore e Vatres, Vasil Sofokli Tole

NJOHJA E KOSOVËS NGA IZRAELI- BASHKIMI EUROPIAN, NË TË NJËJTËN LINJË ME SERBINË?

February 3, 2021 by dgreca

-DUKET SE BE I KA NXJERRË KARTONIN E KUQ KOSOVËS PËR HAPJEN E AMBASADËS NË JERUZALEM./

NGA DALIP GRECA 

Nënshkrimi i marrveshjes për marrdhënie diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit me 1 shkurt 2021 përmes një ceremonie virtuale nuk ishte i papritur për diplomacinë botërore. Natyrisht që ky moment do të vinte një ditë pasi u paralajmërua 5 muaj të shkuara me marrëveshjen Serbi-Kosovë me 4 shtator 2020 nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nën kujdesin e presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Një nga pikat e marrëveshjes për stabilizimin ekonomik, e nënshkruar nga të dyja palët paralajmëronte njohjen e Kosovës prej Izraelit dhe vendosjen e marrdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Citoj: “Kosova dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin.”…në fund shtohej edhe një detaj: “Serbia do ta zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.”

     Arritja e akordit të vendosjes së marrdhënieve diplomatike mes Izraelit dhe Kosovës ka për “kumbar’ Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm pse marrëveshja u arrit gjatë takimit të 4 shtatorit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, por edhe pse në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me 1 shkurt 2021 morën pjesë edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i shtetit Matthew Palmer (I dërguari i SHBA për Ballkanin) si dhe ambasadori amerikan në Prishtinë. Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit N. Price, e përshëndeti marrëveshjen dhe e cilësoi të hënën e 1 Shkurtit, ditë historike. Nga ana e tij dhe ish kryetari i Komisionit të Jashtëm të Kongresit, z. Eliot Engel e vlerësoi si një ditë të madhe për të dy shtetet: “Urimet e mia të përzemërta për shtetin e Izraelit dhe Republikën e Kosovës për vendosjen e raporteve diplomatike. Kjo është një ditë e madhe për të dy vendet”, shkroi Engel në Twitter.

  Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” ndjehet mirë që u konkretizua një nga pikat e marrëveshjes të 4 shtatorit, jo vetëm pse ajo ishte e pranishme ditën e nënshkrimit në Washington me kryetarin e saj dhe bashkëpunëtorët e tij, por edhe për faktin se në gjykimin e saj vendosja e marrdhënieve diplomatike me Izraelin është një hap përpara i diplomacisë kosovare i ndihmuar nga ajo amerikane. Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, z. Elmi Berisha, në emër të Vatrës e ka përshëndetur marrëveshjen me një deklaratë publike të nesërmen e pasnënshkrimit.

      Gatimi i marrëveshjes gjatë administratës së Presidentit Trump dhe nënshkrimi gjatë administratës së re të Presidentit Biden tregon edhe një herë se SHBA harton politika afatgjata gjeostrategjike, pavarësisht se kush parti qeveris në Shtëpinë e Bardhë.

     Diplomacia kosovare është e ndërgjegjshme se me njohjen e 117 nga shteti i Izraelit nuk ka mbaruar beteja e njohjeve, shpresojmë që të mos rinisë ajo e çnjohjeve, që dirigjohet nga Beogradi. Sërish presidenti serb Aleksander Vuçiç me deklaratën e tij të pas ceremonisë se nënshkrimit të marrëveshjes të vendosjes së marrdhënieve diplomatike mes Izraelit dhe Kosovës, tregoi se nuk u qëndron marrëveshjeve, edhe kur i firmos me dorën e tij. Edhe premtimet e tij gjatë marrëveshjes së 4 shtatorit se do ta zhvendoste ambasadën nga Tel Avini në Jeruzalem, duket se do të përfundojë në kalendrat greke. Ai ka thënë se nuk ishte dakord që në Washington në marrëveshjen e 4 shtatorit. Më herët ka deklaruar se mund të hapë në Jeruzalem një përfaqësi ekonomike, tregtare. Edhe pse Vuçiç u zotua para persidentit Trump dhe firmosi marrëveshjen ku detyrohej   të ndalte fushatën e çnjohjeve të Kosovës, në deklaratën e pasnënshkrimit të marrëveshjes, ai jo vetëm shprehu nervozizëm për paktin diplomatik Kosovë-Izrael, por edhe paralajëmroi Izraelin se Serbia mund të rishohë marrdhëniet me  të; dhe komentoi se parashikon: shumë shtete arabe nuk do ta njohin Kosovën tash që nënshkroi me izraelitët. Indirekt, larg gjuhës diplomatike, kjo do të thotë se Vuçiçi e kori i tij diplomatik, kanë nisë t’u fryjnë në vesh arabëve: Kosova Ju tradhëtoi, u bashkua me armikun tuaj!

Po në fakt, ku ishin deri dje shtetet arabe, të cilat më shumë janë treguar të interesuara për të eksportuar ekstremizëm fetar e sekte terroriste në Kosovë se sa bashkëpunim e miqësi me shqiptarët?

Rrugëtimi diplomatik i Republikës së Kosovës do të jetë i vështirë edhe për shumë kohë, qoftë për shkak të Serbisë, e cila duket se do t’i rikthehet fushatës së çnjohjeve, qoftë edhe për shkak të qëndrimit të unionit Europian. Bashkimi Europian e priti ftohtë nënshkrimin e marrëveshjes për vendosjen e marrdhënieve diplomatike me Izraelin, për të mos thënë se i nnxori kartonin e kuq Prishtinës pse nënshkroi çeljen e ambasadës në Jeruzalem. Deklarata që erdhi nga BE-ja përmes zëdhënësit P. Stano e trajtonte veprimin e Kosovës për hapjen e ambasadës në Jeruzalem si një hap të gabuar, që e largon shtetin e Kosovës nga BE. Deklarata-koment e zëdhënsit i kujton shtetit kosovar se të gjitha ambasadat dhe delegacionet e shteteve anëtare të Bashkimit Europian janë të vendosura në Tel Aviv dhe jo në Jeruzale, duke iu bindur rezolutave përkatëse. Indirekt, deklarata i tregon Kosovës se nuk po e respekton rezolutën e më të  mëdhenjëve të Europës, dhe se do ta ketë të vështirë që të gjejë shtegun për anëtarësim në BE. A duhet t’i trembet Kosova këtij paralajmërimi apo duhet të vazhdojë me realpolitikën në konsultim të përhershëm me Washingtonin? Përderisa çlirimi i Kosovës dhe Pavarësimi i saj kanë arkitekt Amerikën, ajo duhet të vazhdojë të dëgjojë Washingtonin, përderisa Brukseli e sheh me syrin e njerkut. Nuk është fjala që ajo të bëjë të fortin, por as nuk duhet të trembet nga kërcënime të tilla. Çfarë ka bërë BE për Kosovën në gjithë këta vite të pasluftës dhe të pas pavarësimit? Ka 13 vjet që është shpallë Pavarësia e saj dhe ende 5 shtete të Unionit Europian nuk e njohin: Spanja,Greqia, Sllovakia,Rumania dhe Qipro. Çfarë ka bërë BE për ta zgjidhur këtë ngërç? Asgjë. Dhe ironia është se sot Evropa ka në krye politikanë e diplomatë nga vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërkohë dhe i dërguari i saj për dialogun Serbi-Kosovë është nga një shtet mosnjohës i pavarësisë së Kosovës. E si do të luftojnë ata për integrimin e Kosovës në BE?

Kosova është i vetmi vend ku nuk është aplikuar liberalizimi i vizave edhe sa kohë duhet të presin qytetartë e saj për t’iu afruar BE-së?

Filed Under: Politike Tagged With: BE -Serbi, dalip greca, Kosova-Izrael

LAMTUMIRË “ORIENTIMIT PERËNDIMOR” TË SHQIPTARËVE

February 1, 2021 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Jo se shqiptarët janë anti-perëndimorë, jo, jo.  Janë udhëheqsit e tyre.  Ndërsa, shqiptarët po boshatisin trojet drejtë perëndimit për një jetë më të mirë, udhëheqsit e tyre politikë shprehen mbështetës të vlerave të lindjes.  Këtë e vërtetoi, ditët e fundit, për të disatën herë gjatë këtyre viteve edhe Kryeministri aktual i Shqipërisë, Zoti Edi Rama i cili me sfida dhe me kërcënime të drejt për drejta ndaj Bashkimit Evropian, vazhdon — me hapa të vegjël por të sigurt — ta largojë Shqipërinë dhe shqiptarët, në përgjithësi, nga orientimi perëndimor i tyre, një angazhim ky i shpallur nga rinia shqiptare pas shembjes së komunizmit, me parullën, “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”. 

Ditët e fundit, Kryeministri i Shqipërisë, Zoti Rama tha se ai vazhdon t’i ketë sytë nga lindja, drejt Turqisë dhe Lindjes së Mesme, duke shtuar se “Por ne nuk jemi të detyruar të presim tregun e BE domosdoshmërisht, sepse ka tregje të tjera. Është e mundur që produktet tona të mishit të dalin në tregje të mëdha në Lindje, që nga Turqia në Lindjen e Mesme”,  një kërcënim ky që ai e ka bërë edhe herë të tjera, në kontekste të tjera, qoftë ai, qoftë zëdhënsit e tij, gjatë viteve. Frank SHKRELI/ Lamtumirë BE- Alo Putin, Erdogan, Ajatollah, Xi Jinping? | Gazeta Telegraf — Ndërkohë që thirrjes së Ambasadores Amerikane, Zonjës, Yuri Kim drejtuar udhëheqësve të partive shqiptare që të mos vënë kriminelë në listat zgjedhore për parliament, Zoti Rama iu përgjigj ambasadës amerikane se partitë nuk janë përgjegjëse për pastërtinë e kandidatëve për në Kuvend. E çuditëshme ishte përgjigja e tij ndaj thirrjes së ambasadores amerikane:

“Ne kemi ligjin, zbatojmë ligjin. Përgjegjësia e kujtdo që gënjen në vetëdeklarim është përgjegjësi individuale jo partie.  Partitë nuk janë drejtori policie, verifikojnë në bazë të ligjit dhe sipas ligjit i kemi bërë verifikimet gjithmonë.  S’kemi ndërmend të ngremë salla torturash në selitë e partive…”, u shpreh Z. Rama. Siç duket, nga toni i përgjigjes — me zemërim dhe inat ndaj diplomates amerikane — sikur përfaqsuesja e Washingtonit, vërtetë, bëri thirrje për “salla torturash”, për të siguruar pastërtinë e kandidatëve.  Thjeshtë, Ambasadorja amerikane, bëri thirrje që partitë të mos përfshijnë individë të koruptuar në listat e kandidatëve për zgjedhjet e ardhëshme parlamentare në Shqipëri, duke i përcjellur klasës politike shqiptare mesazhin e administratës së re të Presidentit amerikan, Zotit Joe Biden se ajo është e vendosur t’i vejë një theks të ri luftës kundër korrupisonit. Sipas një kronike të Zërit të Amerikës nga Tirana, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, kërkoi “Të kontrollohen mirë kandidatët, që të mos promovohet korrupsioni, të mos fyhen votuesit dhe të mos minohet demokracia shqiptare”, ndërkohë që disa ditë më parë ambasadorja, Kim, kur u takua me drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thekësuar “Mbështetjen e SHBA për t’ju përgjigjur kërkesave të popullit shqiptar për politikë më të pastër, duke filluar me politikanë më të pastër”.  Një deklaratë kjo që siç duket zemëroi Kryeministrin e Shqipërisë.

Dekriminalzimi i politikës shqiptare ka qenë dhe është një vlerë amerikane, por edhe perëndimore, në përgjithësi.  Asnjë vend nuk është i pastër nga korrupsioni. As Amerika dhe as vendet e Evropës Perëndimore nuk kanë një politikë të përsosur dhe të pastër nga korrupsioni, por ama përpiqen, me aq sa është e mundur, me anë të ligjit dhe të normave të tjera të vlerave të shoqërisë, që të sigurohet një integritet politik nga partitë dhe nga individët e aprovuar prej tyre, që të kandidojnë si përfaqsues të denjë dhe të pa korruptuar të popullit.  Me doemos, përzgjedhja e kandidatëve të pa korruptuar është një përgjegjësi e udhëheqësve dhe e strukturave të tjera të partive politike, si edhe e enteve ligjore, por edhe e vet individëve.  Por, përzgjedhja e kandidatëve të pa korruptuar është edhe përgjegjësi ligjore, politike dhe morale e një shteti dhe përfaqsuesve të tij.  Sidomos, kur këta politikanë të përjetëshëm që pretendojnë për 30-vjet tani, të pakën me fjalë, se aspirojnë vlerat dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë.  Ndërsa me vepra, por shpesh edhe me fjalë kërcënuese ndaj perëndimit — siç është rasti i deklaratave të fundit të Kryeministrit Rama – se Shqipëria nuk ka pse të presë për Evropën, ka alternativa tjera dhe jo vetëm për tregje, si Turqia dhe Lindja e Mesme.  

E kam thenë edhe herë të tjera se deklaratat kërcnuese nga udhëheqsit më të lartë të Tiranës zyrtare, në mbështetje të idesë se Shqipëria mund të këthejë sytë drejt alternativave të tjera aleancash jashtë BE-së, janë të pa përgjegjshme dhe të dëmshme për procesin e integrimit të shqiptarëve në Evropë, si dhe kundër interesave afatgjata kombëtare të shqiptarëve, në përgjithësi.  Deklarata të tilla kërcënuese duket se bëhen me qëllim për të dëmtuar ose për të neutralizuar përball interesave të tjera të huaja, jo vetëm atmosferën e bisedimeve me përfaqsues të BE-së, por dashtë e pa dashtë, mund të influencojnë negativisht edhe marrëdhënjet e kombit shqiptar me aleatët historikë të tij, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dihet se Washingtoni antarësimin e Shqipërisë dhe të Kosovës në Bashkimin Evropian e kanë pasur vazhdimisht dhe e kanë si një përparësi të politikës së tyre karshi shqiptarëve dhe të objektivave afatgjata të politikës amerikane në Ballklanin Perëndimor dhe në Evropë. 

Nëqoftse se vërtetë e do një gjë të tillë Tirana zyrtare, Shqipëria nuk do të futet në Europë me kërcënime por me një punë maksimale për përmbushjen e kushteve kryesore të Bashkimit Evropian, ashtu siç kanë bërë të gjitha vendet anëtare të këtij tregu.  Shqipëria duhej të kishte qenë anëtare e Bashkimit Evropian me kohë.  Për këtë nuk e ka fajin krejtësisht BE-ja siç pretendon Kryeministri Rama dhe politikanë të tjerë shqiptarë.  Shqipëria ka humbur — gjatë këtyre 30-viteve post-komunizëm — aq shumë raste të mira për integrim të plotë euro-atlantik.  Për këtë mungesë, fajin e kanë kryekput udhëheqsit shqiptarë, për mangësitë e tyre për tu përballur vet me korrupsionin, për tolerancën dhe madje edhe për nxitjen e korrupsionit si mjete këto për të siguruar fitore në zgjedhje due për të ruajtur pushtetin personal dhe partiak.  Koha nuk pret. Demokracia nuk pret! As Evropa nuk pret gjithmonë për shqiptarë! 

Ndërkohë që shqiptarët, si gjithmonë — sidomos rinia — është e orientuar drejt Perendimit, gjë që po e tregon edhe me largimin në masë nga trojet e veta drejtë Perëndimit – është e vështirë të kuptohet se si Kryeministri dhe politika shqiptare, në përgjithësi, shprehimisht pranojnë se i ka sytë drejtuar nga lindja, me të cilën siç duket klasa politike shqiptare — ndryshe nga pjesa dërmuese e shqiptarëve — ka më shumë gjëra të përbashkëta me lindjen se sa me vlerat perëndimore.  Veprat, sjelljet dhe deklaratat e një pjese të klasës politike shqiptare janë një çoroditje e këtyre vlerave dhe çdo ditë e më shumë kjo klasë politike po na bën të humbasim besimin historik në thënjen e Naim Frashërit se, “Dielli vërtetë lind në Perëndim”, për shqiptarët.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Lamtumire, Orientim Perendimor

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 315
  • 316
  • 317
  • 318
  • 319
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT