• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RISHFAQJA E TOTALITARIZMIT NUK ËSHTË NJË KËRCËNIM ABSTRAKT

August 23, 2020 by dgreca

 Nga Frank Shkreli-

23 Gushti shënon Ditën që Evropa kujton çdo vit Viktimat e regjimeve totalitare, Stalinizmit, Komunizmit, Nazizmit dhe Fashizmit.  Është kjo një ditë, që anë e mbanë Evropës, me ndonjë përjashtim aty këtu – siç është Shqipëria dhe Kosova, që të pakën në të kaluarën, kësaj dite nuk i është kushtuar, zyrtarisht, ndonjë vëmendje sado simbolike – kujtohet si një ditë kundër ekstremizmit, mos-tolerancës dhe shtypjeve.  Kjo ditë hynë në kalendarin ndërkombëtar e përcaktuar si e tillë me vendim të Parlamentit Evropian (PE), që nga viti 2008/2009, me qëllim që në këtë ditë të kujtohen viktimat e të gjitha regjimeve totalitare dhe autoritare, “me dinjitet dhe pa dallime”, siç është thenë në deklaratën e (PE) me atë rast.  Dita Evropiane për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit dhe Nazizmit, e njohur gjithashtu edhe si “Dita e Shiritit të zi”, kujtohet zyrtarisht nga të gjitha entet e Bashkimit Evropian anë e mbanë Evropës, përfshir vendet ish-komuniste, me përjashtim të Shqipërisë.  Këtë ditë e nderojnë dhe e kujtojnë edhe disa vende që nuk kanë përjetuar as komunizmin, as nazizmin, siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.

Kujtimi i kësaj dite është zgjedhur për arsye historike, pasi përkon me datën e nënshkrimit të Paktit të mos-agresionit – të quajtur Molotov-Ribbentrop, i vitit 1939 – midis Bashkimit Sovjetik komunist dhe Gjermanisë naziste, marrëveshje kjo e cila përmbante edhe një protokoll për ndarjen e Evropës, në sfera influence, midis Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë.  Ky traktat famëkeq, është cilësuar nga ish-presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek si një shembëll “bashkëpunimi midis dy formave më të këqija të totalitarizmit, që ka njohur ndonjëherë historia e njerëzimit.”

Është, pikërisht, ky totalitarizëm kundër të cilit paralajmëroi Sekretari Amerikan i Shtetit, Michael Pompeo gjatë vizitës së tij në Evropën Lindore, në fillim të këtij muaji.  Kryediplomati amerikan i porositi demokracitë e reja – ish-komuniste — të Evropës Qendrore e Lindore të mbrojnë liritë e fituara me mund, përballë kërcënimeve nga Rusia, Kina dhe aktorë të tjerë autoritarë në kontinentin evropian, duke thekësuar sidomos kërcënimin që paraqet Moska për demokracitë e reja në Evroppën Lindore e Qendërore.  

Mediat vendase dhe ndërkombëtare njoftuan se Z. Pompeo paralajmëroi vendet ish-komuniste se rishfaqja e totalitarizmit nuk është një kërcënim abstrakt që është i kufizuar vetëm në kryeqytete si Moska dhe Pekini, por është shfaqur edhe në Evropë, duke përmendur zhvillimet e fundit në Bjellorusi, ku kanë shpërthyer protestat anti-qeveritare pas zgjedhjeve të fundit në atë vend.  Në konferencën e përbashkët për shtyp në Pragë, Pompeo tha se ai dhe Kryeministri çek janë të vetdijshëm për përpjekjet e Rusisë, për të korruptuar demokracinë në vendet ish-komuniste dhe për të shkatërruar Aleancën Perëndimore, NATO. Mirëpo, ai u shprehur optimist se megjith këto përpjekje të Moskës, liria, më në fund, do të fitojë, ka thenë Kryediplomati amerikan.

Sekretari Amerikan i Shtetit gjatë vizitës së tij Pragë iu referua edhe dy ideologjive të shekullit të kaluar – komunizmit dhe nazizmit si dhe rezistencës së popullit çek ndaj këtyre dy ideologjive anti-njerëzore, në konferencën e të përbashkët me Kryeministrin çek, Andrej Babis. “Shtypja naziste dhe sovjetike (komuniste) gjatë shekullit të kaluar e kanë bërë popullin çek shumë të vetëdijshëm për shtypjen që sjellin për popujt, regjimet totalitare.  Populli çek e kupton se historia na përcjell mësime dhe na ndihmon të mbrojmë liritë e sotme”, është shprehur Mike Pompeo për gazetarët, duke shtuar se “kundër autoritarizmit mbetet shumë për tu bërë”.

Aty në Pragë, Mike Pompeo u kujtoi çekëve edhe pushtimin e vendit të tyre nga forcat sovjetiko-komuniste në vitin 1968 njëkohësisht, përmendi edhe guximin e çekëve dhe sllovakëve që luftuan për liri, atëherë dhe më vonë gjatë revolucionit anti-komunist të vitit 1989. “Parimet për të cilat ata luftuan – për demokraci, për liri, për sundimin e ligjit, për respektimin e të drejtave të njeriut, për ekonomi të tregut dhe për këthimin e vendit të tyre në Perendim, ishin të njëjtat parime për të cilat forcat amerikane luftuan në Luftën e dytë Botërore dhe janë të njëjtat vlera që bashkojnë edhe sot dy vendet tona”, ka shtuar Kryediplomati amerikan Mike Pompeo gjatë vizitës së tij në Evropën Lindore e Qendrore të fillim të këtij muaji.  Ishte pra në mbrojtje të këytyre vlerave, për të cilat Shtetet e Bashkuara me alaetët e tyre luftuan kundër komunizmit dhe nazizmit dhe vazhdojnë të jenë gjithnjë në mbrojtje të këtyre vlerave të përbashkëta të lirisë dhe të demokracisë së vërtetë.  Bazuar në këto vlera të përbashkëta, Parlamenti Evropian ka caktuar 23 gushtin, si referencë kujtese për viktimat e tiranisë komuniste dhe naziste në Evropë.

Është e pamundur që në këtë ditë të Evropës kushtuar viktimave të terrorizmit komunist dhe nazist në Evropë të mos bëjmë pyetjen: po Shqipëria, ky vend-ish-komunist me një prej regjimeve më të egra komuniste në botë, ndanë të njëjta vlera me pjesën tjetër të Evropës –dhe kur do të vendos Tirana zyrtare që t’i bashkohet Evropës dhe të kujtojë viktimat e pafajshme të regjimit të Enver Hoxhës.  Ashtuqë, të kujtohen edhe në Shqipëri viktimat e regjimeve totalitare – ashtu siç ndodh anë e mbanë Evropës – ata burra dhe gra të guximshme, të cilët me qëndrimet e tyre kundër komunizmit, mbrojtën vlerat e përbashkëta të njerëzimit, në mbështetje të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit të tyre njerëzor.  Por, shënjat –se Shqipëria me një akt të Kuvendit mund ti bashkohet Evropës për të kujtuar Ditën e Viktimave të regjimeve totalitare — nuk duken shpresëdhënse, kur të merret parasysh deklarata e para disa javëve e Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama në parlamentin shqiptar se, “komunizmi dhe komunistët shqiptarë ishin në anën e duhur të historisë”.  Fatkeqësisht, 30 vjet post-komunizëm shqiptarët, si asnjë komb tjetër në Evropë, vazhdojnë të vuajnë pasojat e asaj tiranie, shpirtërisht, psikologjikisht dhe materialisht.  Një përkujtim i tillë i viktimave të komunizmit në Shqipëri është i nevojshëm gjithashtu për të treguar se vërtetë shqiptarët janë serioz dhe duan të ndajnë me popujt evropianë vlerat e përbashkëta në mbrojtje të jetës dhe të drejtave universale të njeriut, duke shënuar këtë ditë me pjesën tjetër të Evropës dhe botës, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Ky është mesazhi për klasën politike shqiptare, që është, drejt për drejt përgjegjëse për mos pasjen e legjislacionit, që së bashku me pjesën tjetër të Evropës do të shënonte 23 gushtin si ditën e kujtimit të viktimave të regjimeve totalitare.  Por, as ndërkombëtarët në Tiranë, nuk janë më pak përgjegjës për këtë mungesë, pasi nuk kanë treguar asnjëherë ndonjë angazhim serioz zyrtar për të kërkuar nga autoritetet shqiptare ballafaqimin zyrtar të Shqipërisë me krimet komuniste dhe dënimin e tyre, si pjesë e kushteve për antarësim në organizmat euro-atlantike që kërkohen nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara.  Heshtja juaj në lidhje me këtë çështje, të nderuar ndërkombëtarë, nuk u bën nder as ju as vendeve që ju përfaqësoni në Tiranë.  

Deri kur më kështu!  Ndryshe flitet nga përfaqsuesit evropianë dhe amerikanë në Bruksel, Washington, Pragë e në Varshavë dhe ndryshe ose hiç nga përfaqësuesit perëndimorë në Tiranë.  Rishfaqja e totalitarizmit në Evropë nuk është një kërcënim abstrakt, por një dukuri e vërtetë! 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Rishfaqet Totalitarizmi

Në 30 vjetorin e poezisë “Kuajt” të Gjekë Marinaj

August 23, 2020 by dgreca

Kur poezia “Kuajt” mori jetë, Shqipëria ishte e mbyllur për 45 vjet dhe ishte një shembull thuajse unik në botë, se si një vend i vogël në Ballkan, i kishte mbyllur plotësisht të gjitha portat e komunikimit me botën përreth.

Kjo gjendje kaq e rënduar psikologjike e sociale, ky terror i pajustifikuar për jetën kulturore shqiptare në atë kohë, krijoi një klimë mbytëse auto-censure, dhe në shumë plane shihej dështimi i atij sistemi, që kishte kufizuar lirinë e njerëzve ndërsa komunistët po e mbanin me forcë e terror. Në këto kushte, një poeti ri malësor, nga Bruti i Kastratit, me emrin Gjekë Marinaj, guxoi, ndoshta nisur edhe nga një naivitet i habitshëm, që i shoqëron gjenitë, dhe botoi 4 poezi në gazetën “Drita” të “Lidhjes së shkrimtarëve”, ku poezia e fundit e atij cikli të përmbledhur nga poeti Ndoc Gjetja, ishte “Kuajt”. Ishte guxim i madh nga poeti i ri, por edhe nga botuesit e gazetës Drita, që nuk kaloi në heshtje. “Kuajt” ishin një britmë vërtetësie në qiellin e errët shqiptar të kohës, një “vintergæk”, si i thonë danezët “luleborës”, që hapi siparin e lëvizjes studentore shqiptare kundër diktaturës në Shqipëri dhe sjelljen e demokracisë në vend.

Poezia me 21 vargje ishte mjaft goditëse për sistemin komunist në Shqipëri. Të nesërmen e botimin të poezisë, nën idenë se “shteti e zë lepurin me qerre”, Sigurimi i shtetit i çon fjalë poetit të ri atje në Brut, që të paraqitet në Degën e Brendshme në Shkodër. Gjeka e kuptoi se kjo ishte një thirrje, që mund ta dëmtonte përjetë. Padyshim se mund ta prisnin tortura çnjerëzore, dhunë e pajustifikuar, poshtërim i tejskajshëm e rrezikim i jetës. Në këtë konflikt të madh me vetveten, duke e parë rrezikun në sy, ai pa folur me shumë njerëz, e ndau mendjen, që të arratisej për në Jugosllavi. Mori disa libra me vete dhe u nis atë natë, meqë zonën e njihte mirë dhe iku… Ishte një veprim mjaft i guximshëm prej tij, si një alternativë e vetme drejt lirisë, drejt jetës. Kush guxon – fiton. Në atë kohë, kishte plot raste, që njerëzit kapeshin duke ikur në kufi dhe torturoheshin e vriteshin si qentë…

Në Beograd, nga kampi i refugjatëve në Hvala, Gjeka gjeti mundësinë të kontaktonte me Ambasadorin Amerikan në Beograd. Dhe në takim me të, Gjeka i sqaron atij tragjedinë tij personale, dhe fatkeqësinë që i solli një poezi… Me ndihmën e një përkthyesi, Gjeka ia lexon poezinë “Kuajt” ambasadorit amerikan në Beograd, dhe me të mbaruar leximin e saj, ambasadori amerikan i thotë: “Welcome to USA son”. (Mirësevjen në SHBA bir.) Dhe kështu Gjeka shkoi në Amerikë…

Në Amerikë i duhej të punonte për të mbajtur veten, e paralelisht me punën, edhe të shkollohet e të shkruajë. Kështu që me punë, me mund e sakrifica, Gjeka arriti të mbronte edhe titullin PhD në letërsinë krahasuar, dhe nga një poet i ri malësor, tashmë është shndërruar në një intelektual të rafinuar e të kuruar, dhe ka marrë edhe një pozicion si Drejtor i Përgjithshëm i Mundus Artium Press, shtëpia botuese e Universitetit të Texas, UTD. Prej 19 vjetësh, Gjeka vazhdon gjithashtu të japë mësim për letërsi.

Tani Gjeka ka një histori suksesi me vete, që filloi me një poezi kundër regjimit komunist në Shqipëri. Ai doli edhe me teorinë tij letrare Proteus, që po futet në disa universitete për studim. Është i kompletuar në fushën profesionale dhe ka më shumë mundësi të avancojë si një intelektual shqiptaro-amerikan i një kalibri të lartë. Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë të botës dhe “Kuajt” e tij nuk frymëzuan vetëm shqiptarët, studentët që e mbanin ndër duar poezinë e tij gjatë protestave të Dhjetorit ’90-të, por edhe popuj të tjerë të shtypur në botë! / Arben Çokaj/

****

“Kuajt” e Gjekë Marinaj-shkruajnë Mediat italiane

Gazetarja Angela De Leo ka shkruar një shkrim për poezinë e shkruar nga Gjekë Marinja para 30 vitesh.

“Për mikun tim të shpirtit dhe poezisë, Gjeke Marinaj. Ditët, të cilat shumohen në nyjën e fikës, më lënë në një ankth guximi të rizbuloj dhe vargjet e tua dhe britmën tënde të dhimbjes, poezinë tënde të guximshme “Kuajt” të 19 gushtit tridhjetë vite më parë, e cila u bë jehonë.

Në leximin e parë, për shumicën e njerëzve dukej një poezi e thjeshtë në mbrojtje të kafshëve dhe, në veçanti, të kuajve të bukur me një pamje krenarie dhe një udhëtim elegant dhe madhështor, për fat të keq në robëri. Në realitet, ishte një satirë e egër socio-politike nga ana juaj për kushtet e njerëzve tuaj.

Ishte një akt kurajoz rebelimi kundër regjimit komunist nga një poet dhe gazetar 25 vjeçar i guximshëm (dhe mbase i pamatur), ende jo i famshëm.

Tridhjetë vjet më vonë, poema juaj, vëllai im, është ende e fortë dhe e gjallë dhe është ende një këngë rebelimi dhe lutjeje në të njëjtën kohë”, shkruan ajo.

Të gjithë nuk kemi një emër, kuaj, kjo është ajo që ata na quajnë. Pa qarë, pa qeshur, në heshtje, ne dëgjojmë, ne hamë atë që ata na japin, ne shkojmë atje ku ata na thonë.

Kush ishte kali i mbretit, ai kishte një gradë më të lartë; Kush ishte kali i një princeshe? Ishte i shaluar me ar; Kush ishte kali i një fermeri ishte shaluar me kashtë; Ata që nuk i bindeshin atij gjithmonë flinin në sy të hapur: Por me njerëzit, ne qëndrojmë gjithmonë kuaj!, vijon ajo.(Diaspora)

Filed Under: Politike Tagged With: Arben Cokaj, Gjek Marinaj, KUAJT

DOKUMENTET ZYRTARE SERBE TREGOJNË SI E VRAU SERBIA UKSHIN HOTIN

August 22, 2020 by dgreca

Ekipi i emisionit “Udhëve” hulumtoi një kohë të gjatë për rrethanat e zhdukjes së veprimtarit shqiptar Ukshin Hoti dhe arriti të zbulojë shumë fakte.

Në bazë të dokumentave të ushtrisë dhe policisë serbe që i ka siguruar redaksia e “Udhëve”, ditën që ishte nxjerrë nga Burgu I Dubravës, Ukshin Hoti nuk ishte liruar. Fillimisht u rrëmbye. Më pas Ukshin Hoti ishte vrarë e masakruar në mënyrën më makabre nga policia serbe e asistuar nga Ushtria Jugosllave. Kështu thuhet në dokumentet e siguruara nga redaksia e “Udhëve”, të cilat kanë vulën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, departamenti i hetuesise për krime lufte. 

Ditën kur ishte liruar, te dera e burgut e kishin pritur pjesëtarë të sigurimit shtetërorë serb. Jozyrtarisht thuhet se ishte Sreten Cemoviq, pjesëtar i sigurimit shteteror serb me kodin 9787960, ai qe e priti te dera e burgut. Cemoviq shpeshherë kamuflohej edhe si gazetar. Në një dokument zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, me numër protokolli 03/4-3-1 SB nr.270/13, të datës 4 tetor të 2013 poashtu të siguruar nga redaksia “Udhëve”, një person të cilit ky dokument i referohet si personi X-1, që ishte dëshmitar i rastit, kishte zbardhur gjithë ngjarjen që kishte ndodhur me Ukshin Hotin në majin e vitit 1999. 

Personi X-1, kishte qartësuar mënyrën e kryerjes dhe përpjekjen për fshehjen e krimit nga policia dhe ushtria serbe në rastin e Ukshin Hotit por edhe disa vrasjeve të tjera në rajonin e Pejës. Ky person përmes fotografive kishte identifikuar shtëpinë, dyert e shtëpisë, oborrin e shtëpisë dhe si ishte vrarë Ukshin Hoti. Personi X-1 pa menduar dy herë ka pohuar që ka njohur në fotografinë me numër 1 dhe 2 derën e hyrjes prej druri në oborrin e shtepisë së një shqiptari. Deshmitari e përshkruan vendin e krimit dhe jep detaje per deren dhe oborrin siç i kishte pare në maj të vitit 1999. Pas luftës ai mur është ndertuar me blloka të betonit, pasi që shtëpia ishte djegur gjatë luftës. Qytetari X-1 më pastaj ka sqaruar që në fotografinë numër 3 ka njohur pamjen e oborrit e cila ishte e drejtuar ka gardhi i oborrit dhe rruges lokale e cila kalon skaj shtëpisë së përmendur. Personi X-1, e ka vizatuar skicën e vendit të ngjarjes dhe në të cilën në mënyrë të detajuar ka sqaruar me hollësi planifikimin e brendshëm të atëhershëm të oborrit të shtëpisë: porta hyrëse përmes së cilës hynë në oborr ku në anën e djathtë të portës hyrëse ai pa 2 kufoma në ndërtesë, pastaj para një shtëpie më të vogël në oborr 1 kufomë. Kufomat në skicë janë shënuar me x. Ai sqaron se kufoma e Ukshin Hotit përfundimisht ishte mbështjellë me qese najlloni në oborrin e shtëpisë së përmendur dhe ishte marrë nga ana e djathtë e portës hyrëse në fund të oborrit nga një shupë ose shtallë, ku më pas gjetën disa dru ose pisha të thara. Kufoma e Uksin Hotit shënohet me + në skicë, sipas këtij dokumenti zyrtar të policisë serbe. Ky dëshmitar i ngjarjes thotë më tej se e vendosën kufomën pranë atyre pemëve, dhe me një sasi të vogël eksplozivi ia shpërthyen kokën dhe të dy duart e kufomës së Ukshin Hotit dhe më pas ata e mbuluan kufomën me pemët e përmendura dhe e dogjën për të fshehur krimin. Gjatë gjithë kohës kur pjestarët e MUP-it të cilët kryenin masakrat dhe veprat makabre mbi civilët shqiptarë që ishin në oborrin e asaj shtëpie, në rrugën lokale të shënuar në skicë, ishin të siguruar nga ushtarë të ushtrisë jugosllave të udhëhequr nga Komandanti Milićko Janković. Të gjitha këto të dhëna thuhen në dokumentin e siguruar nga redaksia jonë.

Filed Under: Politike Tagged With: dokumentet Serbe, Si u vra, Ukshin Hoti

Përkujtohet Bajram Rexhepi, vlerësohet shembull patriotizmi

August 21, 2020 by dgreca

-Para 3 vitesh ndërroi jetë Bajram Rexhepi, kryeministri i votuar në Kuvendin e zgjedhjeve të para në Kosovën e lirë

-Tituj nga deklarata e intervista: Kryeministri Rexhepi: Gjithçka në Kosovë është me përparësi; Pavarësia e Kosovës kërkon një çast të volitshëm

-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi: BAJRAM REXHEPI, ishte një figurë shembull e patriotizmit, i cili nuk e ndali asnjëherë kontributin për lirinë, pavarësinë dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 21 Gusht 2020/ Para 3 vitesh ka ndërruar jetë kryeministri i votuar në Kuvendin e zgjedhjeve të para në Kosovën e lirë, Bajram Rexhepi, i cili më parë pas luftës ishte edhe kryetar i parë bashkie në Mitrovicë.

Në të njëjtën ditë e votim në Kuvend kur u zgjodh Ibrahim Rugova president i parë i Kosovës edhe i pas luftës, Bajram Rexhepi u zgjodh kryeministër në 4 mars 2002 pas zgjedhjeve të para nacionale në Kosovën e lirë që u mbajtën në 17 nëntor 2001. “Gjithçka në Kosovë është me përparësi”, theksonte ai në deklaratën e parë si kryeministër.

“Natyrisht, nuk duhet harruar kurrë se ne duhet t’i ndërtojmë institucionet tona demokratike dhe të krijojmë kushte të domosdoshme që statusi final i Kosovës në fund të jetë aq i lartë”, theksonte kryeministri Rexhepi duke u përgjigjur në pyetjet që të sapozgjedhurve që ua bëra si kryeredaktor i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, pasi fillimisht urova për zgjedhjen, në 4 mars 2002, pas seancës së Kuvendit të Kosovës, ku u votua. “Presidenti Rugova dhe Kryeministri Rexhepi flasin për Rilindjen”, ishte paralajmërimi në ballinë. Gjatë viteve kisha intervista ekskluzive.

Në një nga intervistat ekskluzive  që kam zhvilluar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, e botuar në 13 shkurt 2003 me titullin “Pavarësia e Kosovës kërkon një çast të volitshëm”, kryeministri Rexhepi theksonte se Pavarësia, çështja më madhore për të ardhmën e Kosovës, kërkon “çastin më të volitshëm” dhe që subjektet kryesore politike të vendit ta vlerësojnë një gjë të tillë në mënyrë unanime, “në pajtim edhe me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me SHBA-në dhe fuqitë e mëdha europiane”.

I pyetur se, “si e shihni perspektivën e serbëve dhe të komuniteteve të tjera në një Kosovë të pavarur”, ai përgjigjej: “Si perspektivën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, ku të gjithë do të jenë të lirë, të sigurtë dhe të mbrojtur nga ligji”.

E, i pyetur “në veçanti, si i vlerësoni marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me Shqipërinë”, kryeministri Rexhepi përgjigjej: “Nuk ka dyshim se raportet e Kosovës me Shqipërinë janë raportet më të mira se me të gjitha vendet e tjera fqinje. Ky është edhe një realitet i natyrshëm. Shqipëria e ka ndihmuar gjithmonë Kosovën, por, ka dëshmuar gjithashtu se politika e saj e Jashtme është në përputhje me rregullat dhe normat ndërkombëtare. Lidhja e Kosovës me Shqipërinë është në interes të zhvillimit ekonomik mbi të gjitha, sepse përmes Shqipërisë ne dalim drejtpërdrejt në kufi me vendet e Bashkimit Evropian, siç është Italia dhe Greqia. Do të thoja se ky është një privilegj i natyrshëm, i cili duhet shfytëzuar në maksimum”.

Bajram Rexhepi ka lindur në Mitrovicë në 3 qershor 1954. Ishte mjek-kirurg, gjatë luftës edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e në Kosovën e sapoçliruar edhe kryetar i Mitrovicës. Ishte edhe ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës. Ka ndërruar jetë në një spital në Turqi, në 21 gusht 2017.

PRESIDENTI THAÇI: BAJRAM REXHEPI, NJË FIGURË SHEMBULL E PATRIOTIZMIT

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka shkruar:

#NjereztePaharrueshem

Kryeministri i parë i Kosovës së pasluftës, BAJRAM REXHEPI, ishte një figurë shembull e patriotizmit, i cili nuk e ndali asnjëherë kontributin për lirinë, pavarësinë dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës.

Bajram Rexhepi ishte intelektual, humanist, diplomat dhe politikan shumë i vendosur.

Ai dha kontribut shumë të madh në vijën e parë të frontit të luftës, duke shpëtuar qindra jetë të ushtarëve të UÇK-së dhe duke iu mundësuar atyre që të ktheheshin sërish në istikamet e luftës për mbrojtjen e atdheut.

Ishte figurë unifikuese në momentet më të ndjeshme të politikës sonë të brendshme pas çlirimit, duke bashkëpunuar me të gjitha subjektet politike si kryeministër i parë i Kosovës.

Bajram Rexhepi dha kontribut të jashtëzakonshëm edhe për vendlindjen e tij, Mitrovicën, të cilën e udhëhoqi shumë vite me radhë.

Angazhimin dhe përkushtimin për fuqizimin e shtetit të Kosovës, Bajram Rexhepi nuk e ndali në asnjë moment.

Ishim së bashku, si në luftë, ashtu edhe në paqe!

Së bashku fituam shumë beteja, deri para tre vjetësh kur fatkeqësisht humbi betejën me sëmundjen e rëndë, duke u ndarë vetëm fizikisht prej nesh.

Kontributi, trashëgimia politike dhe patriotike që Bajram Rexhepi ka lënë për brezat e ardhshëm do të jetojë përgjithmonë!

Prehu në paqe, miku im i paharruar! HTH

Filed Under: Politike Tagged With: Bajram Rexhepi, Behlul Jashari, perkujtohet

MALI I ZI- ZGJEDHJET PARLAMENTARE,NË ATMOSFERË TË KRIZËS SHUMËDIMENSIONALE

August 20, 2020 by dgreca

Në sajë të gjendjes ekzistuese  zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi(30 gusht), do të mbahën në një krizë shumëdimensionale të pa parë deri më tash  ku përveç asaj ekonomike e politike i është shtuar edhe ajo shëndetësore(Corona-19), që nuk ka dilemë së do të ndikojë  në daljen e qytetarëve për të votuar, nga del se do të kemi rezultat të diskutueshëm  deri në momentin e fundit  për të përcaktuar shumicën e ardhshmë parlamentare.-

Shkruan: Nail  Draga-

Në zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahën më 30 gusht, Komisioni Zgjedhor Shtetëror(KZSH) ka verifikuar listen e pjesëmarrësve, të cilët do të jenë 6 koalicione dhe 5 parti politike.Këto do të jenë zgjedhjet e njëmbedhjeta nga miratimi i pluralizmit dhe të pestat nga pavarësia e Malit të Zi në vitin 2006.

Ndonëse më herët ka pasur iniciativë që opozita të dalë me një listë zgjedhore, përpjekjet e tilla mbetën vetëm tentime dhe ata do të marrin pjesë në zgjedhje në dy kolona(DF dhe DCG), ndërsa PSD dhe URA do të marrin pjesë të vetme. Dhe janë këto subjekte politike që do të jenë konkurent  të DPS-it  por edhe partnerëve të saj që janë partitë e popujve pakicë. Nga numri I subjektëve politike për pjesëmarrje në zgjedhje dy koalicionet(DF dhe DCG) kanë ndikuar që partite e vogla të mos garojnë të vetme, që është një veprim pozitiv politik me mundësi të mëdha me rritë numrin e deputetëve të opozitës por edhe për të qenë pjesë e parlamentit të ardhshëm, më përfaqësuesit e tyre legjitim.

Në kuadër të pjesëtarëve të popujve pakicë,në këto zgjedhje nuk ka ndonjë risi, sepse  pothuaj gjendja është identike si më parë, më përjashtim të kroatëve. Pjesëtarët e popullit boshnjak kësaj here marrin pjesë me një subjekt politik(BS), ndërsa shqiptarët marrin pjesë me  dy lista zgjedhore(koalicione).

Risi në këto zgjedhje paraqesin kroatët  të cilët deri më tash kanë pasur një subjekt politik(HGI), ndërsa  kësaj here është paraqitur edhe një subjekt tjerët(HRS), që do të konkurojnë për një mandat të deputetit.

Fushata  parazgjedhore pa dinamikën e mëparshme

Subjektët politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 30 gushtit 2020, këto ditë janë duke shpalosur programin e tyre, por jo me dinamikë siç jemi mësuar në zgjedhjet e mëhershme. Janë pikërisht rrethanat e reja shoqërore, që kanë ndikuar në një model të ri parazgjedhor të panjohur deri më tash.Madje edhe retorika e subjektëve politike është përcaktuar në tema të veçanta.

Kështu për dy konkurentët kryesor në këto zgjedhje  për DPS-in  dhe DF-in   parësore janë temat  identitetare,  në anën tjetër SDP dhe Demokratët iu premtojnë qytetarëve paga dhe pensione më të mëdha, ndërsa URA ofron qeverisjën me eksperta. Çështje tjetër  është se çka premtohet dhe sa realisht mund të realizohet në praktikë, sepse qytetarët janë ngopur me deklarata të tilla të cilat, nuk i degjojnë për herë të parë.

Katërmbëdhjetë vite pas pavarësisë dhe  në zgjedhje te pesta parlamentare, për DPS-in, siç duket mbrojtja e shtetit është çështje kyçe. Më ndryshim nga zgjedhjet e deritashme, kësaj here siç duket kundërshtari kryesor nuk iu është opozita, por KOS-i, sepse të gjithë e kanë të qartë se ajo është opozita  me e rrezikshme, edhe pse ata nuk marrin pjesë në zgjedhje si parti politike.

Për temat ekonomike nga  qeveria nuk prononcohen në fushatë sepse kriza momentale do ti dekurajonte qytetarët, ndërsa analistët thesojnë se  ajo do të jetë edhe ma e theksuar pas zgjedhjeve.

Nga ana tjetër partitë politike të popujve  pakicë, nuk janë të zëshme në fushatë parazgjedhore, ku  edhe pse  janë pjesë e qeverisë, ka qenë e udhës për të ndryshuar retorikën, sepse votuesit e tyre, presin angazhime konkrete përmes projektëve të ndryshme në mjediset përkatëse, përkatësisht për barazi qytetare e nacionale në Mal të Zi,  si vendi me  multinacional e multikulturor në Europën Juglindore.

Nuk ka dilemë se kjo fushatë parazgjedhore ishte e veçantë por dhe shumë e shkurtër, andaj si e tillë është e pa parashikueshme.

Pensionistët faktor në zgjedhje(!?)

Në Mal të Zi në kuadrin e spektrit politik ka kohë që është në funksion  Partia e pensionistëve, invalidëve dhe e restitucionit(PIR), të cilët kohë pas kohe deklarohen në lidhje me pozitën e pavolitshme sociale te kësaj kategorie të popullsisë. Dhe ndonëse një shqetësim i tillë është i vazhdueshëm, deklarimi publik është bërë dukuri  sidomos në prag të zgjedhjeve parlamentare, sepse kemi të bëjmë me një kategori të qytetarëve të cilët kanë dhënë kontributin e tyre dekada me radhë në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror.

Në sajë të dhënave që disponojmë, momentalisht në Mal të Zi  në tërësi janë 130.300 pensionistë  ku pensioni mesatar është  289,1 euro, ku këtë shumë e marrin  63.578 pensionistë.Nga ana tjetër pensioni minimal me rritje në vitin 2020 është 128,82 euro ku e marrin  11.700 pensionistë. Rreth 3.000 pensionistë  e kanë pensionin nën 100 euro, por madje bëhët me dije se ka pensionistë që e kanë pensionin nën 50 euro(!?).

Duke marrë parasysh se pensionistët më vëshirësi e mbyllin muajin, për të  mbijetuar, ndërsa një numër i tyre ushqehën nga kuzhinat popullore e madje edhe nga kontejnerat, dëshmon se kemi të bëjmë me një kategori të qytetarëve të rrezikuar në aspektin social. Pikërisht kemi të bëjmë me një moment të veçantë, andaj nuk duhet të nënçmohet kontigjenti i votave të  pensionistëve, sepse, votat e tyre mund të jenë vendimtare për formimin e shumicës së re parlamentare.
Andaj duke marrë parasysh këtë gjendje të mjerueshme sociale, Qeveria, më 16 korrik 2020, miratoj vendimin për  rritjen e pensionëve më të dobëta(128 euro) për 13 %, si dhe ndryshimin e Ligjit për dalje në pension.

Duhet theksuar së këtë ligj  e ka propozuar  më herët SDP dhe ka qenë gati nga viti 2018, por ka mbetur në sirtar, sepse nuk ka ekzistuar vullneti politik i DPS-it, ndërsa tash ndryshuan qendrim duke e mbeshtetur ate në parlament, nga del qartë së kemi të bëjmë me marketing parazgjedhor, për përfitime politike!

Më shumë votues se sa qytetarë të moshës madhore


Çështje të veçantë   paraqet regjistri zgjedhor i qytetarëve të cilët do të marrin pjesë në ditën e votimit. Ne regjistrin  zgjedhor janë gjithsej 541.232 qytetarë. Në krahasim me zgjedhjet presidenciale  që janë mbajtur me 15 prill 2018, numri i votuesëve është rritur për rreth 8.6 mijë.

Në lidhje me këtë çështje  ja vlen të cekim se nga zgjedhjet presidenciale në vitin 2013 deri ato në  prill në vitin 2018, numri i votuesve është rritur për 21.194, gjegjësisht  nga 511.405  në 532.599. Nga një e dhënë e tillë ku sipas MONSTAT-it në këtë periudhë kohore numri i banorëve është rritur për 1.844 persona,  del se më shpejt rritet  numri i votuesve  se sa numri i qytetarëve të moshës madhore, që paraqet  paradoks të llojit të vet, andaj mbetet çështje për hulumtim të veçantë, nga ana e KZSH, për të eliminuar dilemat dhe  spekulimet në këtë kohë të fushatës parazgjedhore.

Shqiptarët me dy lista zgjedhore

Ndonëse janë bërë përpjekje në vend e në veçanti  nga diaspora shqiptare në SHBA por edhe nga Shqipëria, që shqiptarët  kësaj here të dalin në zgjedhje me një listë  të përbashkët zgjedhore, angazhimi nuk solli sukses, sepse në rend të parë ishin ambiciet personale e ato lideriste. Kështu me 30 gusht shqiptarët do të dalin me dy lista zgjedhore: Lista Shqiptare”Koha është tani” e përbërë nga Forumi Shqiptar(AA,LDSH), Forca, Unioni i Tuzit dhe Lëvizja Perspektiva  si dhe lista e dytë Koalicioni  “Bashkë  një za” i  përbërë nga ”PD, UDSH dhe LDMZ.

Kujtojmë më këtë rast se në zgjedhjet e fundit(2016) shqiptarët u prezantuan me tre lista: Koalicioni “Shqiptarët e vendosur”(Forca. UDSH, AA) ku fitoi  4854 vota(1.27%) me 1 mandat të deputetit,     Koalicioni shqiptarë “Me një qellim”PD, LDMZ,  3394 vota (0.89%)dhe lista e tretë LDSH 1542 vota(0.40%), pa mandate të deputetit.

Në vitin 2016   votuesit shqiptarë për subjektet politike nacionale votuan 9790 votues, nga del se po të ishin në një listë të përbashkët do të ishin fituar dy deputet. Por, në sajë të mos unifikimit në një listë zgjedhore dhe ligjit zgjedhor ekzistues, që është diskriminues për shqiptarët, nuk do të jetë çudi që shqiptarët të mbesin përseri me një deputet si në mandatin e kaluar, që do të ishte humbje e madhe  jo vetëm politike.Sidoqoftë kësaj here votuesit shqiptar, kanë mundësi të zgjedhin në mes dy koalicionëve shqiptare, sepse në këtë mënyrë do të zgjedhin përfaqësuesit autentik  në skenën politike në Mal të Zi.

Në zgjedhjet lokale në Guci, shqiptarët me listë të përbashkët

Ne  këto zgjedhje megjithate kemi një lajm pozitiv, sepse në zgjedhjet lokale në Guci që do të mbahën të njëjtën ditë me ato parlamemntare shqiptarët do të dalin  me listë të përbashkët”Shqiptarët e bashkuar për Guci”(LDSH, UDSH, ASH).Kujtojmë së në zgjedhjet e fundit lokale ata kishin gjithsej 7 këshilltarë në Kuvendin Komunal në Guci, ndërsa kësaj here të bashkuar ky numër  sipas të gjitha gjasave duhet të jetë më i lartë, sepse të bashkuar mundësitë janë më të mëdha.

Enigma  për shumicën parlamentare(!?)

Gjendjes së pavolitshme ekonomike e politike iu bashkangjit ajo epandemisë së Covid-19, që do të ndikojë në pjesëmarrjën  e qytetarëve në ditën e votimit. Kemi të bëjmë pikërisht me kategorinë e qytetarëve të cilët jo vetëm në zgjedhjet e fundit kanë abstenuar, andaj  motivimi i pjesëmarrjës së tyre në zgjedhje mbetet çështje e diskutueshme. Sepse pjesëmarrja  në votime e kësaj kategorie të qytetarëve, do të vendosë rezultatin definitiv dhe përcaktimin e shumicës parlamentare.Madje, nëse pjesëmarrja do të jetë më e lartë së në vitin 2016(72.6%), ajo do të jetë në favor të opozitës. Pikërisht kjo kategori e votuesëve e bën të pa parishikueshëm dhe enigmatik rezultatin e tyre zgjedhjeve.

Duke marrë parasysh së asnjë subjekt politik  vetë apo në koalicion nuk do të ketë shumicën parlamentare, nuk ka dilemë së këtu rol përcaktues do të kenë  partitë politike të popujve pakicë, si deri më tash duke qenë pjesë e pushtetit. Ndërsa nuk përjashtohet  mundësia që rol vendimtar për formimin e shumicës parlamentare  ta kenë edhe dy partitë tjera opozitare promalazeze (PSD dhe URA), duke qenë alternativa të besueshme për formimin e shumicës parlamentare, përkatësisht të qeverisë së re.

(20 gusht 2020)

Filed Under: Politike Tagged With: kriza shumedimensionale, Nail Draga, Zgjedhjet ne Mal te Zi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 341
  • 342
  • 343
  • 344
  • 345
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT