Nga Frud Bezhan/
Mullah Mohammad Omar ka udhëhequr talibanët afganë për afro dy dekada, por për të është ditur pak.
Ka qenë befasi e rrallë kur talibanët, papritur, kanë publikuar këtë javë biografinë e Omarit, për të shënuar 19-vjetorin e udhëheqjes së tij.
I publikuar në pesë gjuhë në një ueb-faqe të talibanëve, më 5 prill, dokumenti prej 5,000 fjalësh përshkruan në detaje aktivitetet e Omarit, madje edhe familjen e tij dhe jetën e tij personale.
Ai po ashtu tenton të qartësojë faktet e diskutueshme rreth Omarit, i cili nuk është paraqitur në publik që nga ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara në Afganistan më 2001, si dhe të zhdukë thashethemet për eleminimin e tij.
Analistët thonë se koha e publikimit sugjeron se grupi po bën përpjekje t’i kundërvihet ndikimit të grupit ekstremist të Shtetit Islamik (IS) brenda radhëve kryengritëse.
Talibanët kanë parë vazhdimisht dezertime te Shteti Islamik gjatë muajve të fundit. Disa militantë madje kanë shprehur zhgënjimin e tyre me heshtjen e Mullah Omarit përballë konkurrencës.
Talibanët thonë se biografia është publikuar për të parandaluar “propagandën e rreme nga një numër i shkrimtarëve të rremë, analistë dhe qarqe të njëanshme”.
Talibanët kanë lëshuar deklarata më shkrim, që thuhet se janë bërë nga Mullah Omar. Por, disa vjet pa ndonjë video apo audio-incizim të tij kanë rritur spekulimet se lideri taliban mund të jetë i sëmurë rëndë ose i vdekur.
Biogafia thekson se Mullah Omar “është ende lider në hierarkinë aktuale të Emiratit Islamik të Afganistanit”. Kështu është quajtur Afganistani gjatë sundimit të talibanëve, në periudhën 1996-2001.
Dokumenti thotë se Mullah Omar “informohet çdo ditë me ngjarjet në vendin e tij, si dhe në botën e jashtme”.
Edhe pse “gjurmohet rregullisht nga ana e armikut”, nuk ka asnjë ndryshim madhor në punën rutinore të Mullah Mohammad Omarit në organizimin e aktiviteteve xhihadiste si lider i Emiratit Islamik, thuhet në dokument.
“Ai ndjek dhe inspekton aktivitetet kundër pushtuesve të huaj brutalë dhe pa fe”, thekson dokumenti.
Omar ka pak fotografi. Vendndodhja e tij mbetet e panjohur, por besohet se udhëheq kryengritjen e talibanëve afganë nga Pakistani fqinj.
Departamenti amerikan i Shtetit, i cili ka ofruar 10 milionë dollarë për kokën e Omarit, e përshkruan atë si mashkull të gjatë, me një plagë në sy.
Në pjesën për personalitetin e tij, biografia thotë se Mullah Omar është i qetë dhe nuk e humb durimin apo guximin e tij.
Dokumenti thotë se ai është “i dashur dhe ka sens të veçantë të humorit, pasi ai kurrë nuk e konsideron veten superior ndaj kolegëve të tij”.
Po ashtu thuhet se Mullah Omar nuk ka shtëpi të tijën dhe as llogari bankare, as brenda vendit, as jashtë dhe as me ndonjë emër tjetër.
Në biografi thuhet se Mullah Omar ka lindur në vitin 1960 në fshatin Chah-i-Himmat të provincës Kandahar.
Ai është nga klani Tomzi i fisit Hotak. Babai i tij Moulavi Ghulam Nabi, “një figurë e respektuar”, ka vdekur kur Omar ka qenë pesë vjeç. Familja më pas është zhvendosur në provincën Uruzgan.
Biografia po ashtu thotë se Omar ka ndjekur medresenë, duke hedhur poshtë pretendimet se ai është analfabet.
Pasi Bashkimi Sovjetik ka pushtuar Afganistanin më 1979, ai ka lënë shkollën dhe është bërë xhihadist “për të kryer detyrimin e tij fetar”. Ai është plagosur katër herë dhe ka humbur syrin e djathtë.
Mullah Omarit i është dhënë titulli “Amir-ul-Momineen”, ose lider i besimtarëve, më 1996, duke u bërë kështu udhëheqësi suprem i talibanëve.
Biografia nuk përmend ndonjë aleancë të talibanëve me ish-liderin e Al Kaidës, Osama bin Laden. Mbështetja e Mullah Omarit për liderin terrorist ka çuar në pushtimin e Afganistanit nga SHBA-ja më 2001.
Biografia pohon se talibanët kontrollojnë 95 për qind të Afganistanit. Ajo thotë se Mullah Omar vazhdon të mbikëqyrë këshillin e lidershipit të talibanëve, gjyqësorin dhe nëntë komisione ekzekutive, ashtu si edhe komandantët ushtarakë që veprojnë në 34 provincat e Afganistanit.
Përgatiti: Valona Tela
Presidenti Obama: Marrëveshja me Iranin nuk kërcënon Izraelin
Siguria e Izraelit nuk është e kërcënuar dhe ne do të jemi gjithmonë në anën tuaj në rast sulmi, i deklaroi popullit izraelit presidenti amerikan, Barack Obama, pas fjalëve të ashpra që kryeministri izraelit, Benyamin Netanyahu përdori lidhur me marrëveshjen bërthamore mes Iranit dhe 5+1-it, ku bën pjesë edhe Uashingtoni.
”Nëse dikush sulmon Izraelin, SHBA do të jetë në anën e tij”, përforcon presidenti amerikan.
Në një intervistë me Thomas Friedman, kolumnistin kryesor të gazetës amerikane ”New York Times”, Obama shpjegon nga Zyra Ovale se ndihej i keqardhur personalisht për akuzat e bëra nga Izraeli, sipas të cilit administrata e tij nuk kishte bërë sa duhej për të mbrojtur interesat e Izraelit.
”Rruga diplomatike dhe marrëveshje me Iranin janë mënyra më efikase për të parandaluar Teheranin të posedojë armën bërthamore”, thekson Obama.
”Marrëveshja është një rast që ndodh vetëm një herë në jetë për t’u përpjekur për ta larguar nga tryezat e bisedimeve çështjen e nxehtë bërthamore”, këmbungul presidenti amerikan.
”Izraeli ka çdo të drejtë për të qenë i shqetësuar për Iranin, një regjim që ka shprehur dëshirën për ta shkatërruar Izraelin apo që ka deklaruar se nuk e njeh Holokaustin”, shton ai.
”Nëse nuk bëjmë asgjë dhe nëse nuk mbajmë sanksionet, atëhere Irani do të vazhdojë të ndërtojë infrastrukturën e tij bërthamore dhe ne do të jemi më pak në gjendje për të thënë se çfarë po ndodh”, thekson Obama.
Irani në rrugë, feston marrëveshjen
Nga Golnaz Esfandiari/
Shumë iranianë festuan publikisht dhe privatisht njoftimin për një marrëveshje kornizë të arritur në Lozanë të Zvicrës mes Iranit dhe fuqive botërore, që mund të çojë në një marrëveshje definitive për armatimin bërthamor të Iranit.
Frenimi i këtij plani bërthamor, do të shkëmbehet me lirim nga sanksionet që shtetet perëndimore i kanë bërë Iranit.
Sanksionet e vendosura mbi Iranin, u kanë bërë jetën më të vështirë qytetarëve të vendit, të cilët shpresojnë se një marrëveshje e përhershme për planin bërthamor do ta drejtojë shtetin te një ekonomi më e mirë, mundësi më të mëdha punësimi, dhe marrëdhënie më të mira me vendet tjera nëpër botë.
Video amatore të postuara në internet nga qytetarët dhe nga agjencitë e lajmeve tregonin njerëzit e zhurmshëm duke festuar në orët e vona të mbrëmjes në Teheran.
MARREVESHA-/
Shtetet e Bashkuara, Irani dhe pesë fuqitë tjera botërore kanë arritur një marrëveshje kornizë, në të cilën janë nënvizuar disa kufizime ndaj zhvillimit të programit bërthamor të Iranit. Marrëveshja kornizë kërkon arritjen e një marrëveshjeje të plotë brenda tre muajsh.
Presidenti amerikan, Barack Obama, e ka vlerësuar këtë marrëveshje si të mirë, e cila nëse implementohet në tërësi, do ta parandalojë Iranin nga prodhimi i armatimit bërthamor.
“Shtetet e Bashkura, së bashku me aleatët tanë dhe partnerët, kanë arritur një mirëkuptim historik me Iranin, i cili nëse implementohet plotësisht, do ta parandaloj atë nga sigurimi i armatimit atomik”, tha Barack Obama të enjten, para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Nëse kjo kornizë do të çojë në marrëveshjen gjithpërfshirëse finale, kjo do ta bëjë më të sigurtë vendin tonë, aleatët dhe botën”, tha presidenti Obama.
Por, zoti Obama tha se “puna nuk ka përfunduar” në arritjen e marrëveshjes atomike me Irain, dhe ka shprehur përkushtim që “gjithnjë të bëhet ajo që është e domosdoshme”, për ta ndalur Iranin nga sigurimi i armatimit bëthamor.
Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka thënë se marrëveshja me Iranin është pajtueshmëri për “zgjidhjen e çështjeve kryesore për programin atomik të Iranit” dhe të gjitha palët do të “kthehen së shpejti për të punuar në marrëveshjen finale”.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, duke e lexuar deklaratën e përbashkët me zyrtarët e Iranit në konferencën për gazetarë në Lozanë të Zvicrës, tha se mirëkuptimi i arritur mbrëmë është “hap vendimtar” në negociatat e gjata për ta ndalur programin atomik iranian, në këmbim për lehtësim të sanksionee ndërkombëtare ekonomike.
Ministri i jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, tha se rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me të cilat janë imponuar sanksione kundër Iranit, do të përfundojnë me arritjen e marrëveshjes gjithpërfshirëse.
Piloti Lubitz e kishte “fshehur sëmundjen”
Një ditë pasi autoritetet franceze deklaruan se ishte bashkë-piloti i fluturimit të Germanwings, ai që e kishte çuar avionin drejt përplasjes, shumë pyetje mbesin ende pa përgjigje.
Të martën, më 24 mars, avioni ishte nisur nga Barcelona për në Dyseldorf, dhe ishte përplasur në Alpet franceze, duke lënë të vrarë të 150 personat në bord, 144 udhëtarë dhe 6 pjesëtarë të ekuipazhit. Në mesin e tyre, më së shumti kishte gjermanë dhe spanjollë.
Dhe ndërkohë që 18 kombe mbajnë zi për qytetarët e tyre, që humbën jetën në këtë tragjedi, autoritetet gjermane kanë bastisur shtëpinë e bashkë-pilotit, Andreas Lubitz, 27 vjeçar, i cili jetonte në Dyseldorf, për të kuptuar arsyen e veprimit të tij.
Prokurorët gjermanë thanë se ai e ka mbajtur të fshehtë një sëmundje nga punëdhënësit e tij. Në shtëpinë e tij, hetuesit kanë gjetur fletë-udhëzime nga mjekët, por që ishin të shqyera. Një prej tyre ishte udhëzim për të marrë ditë pushimi në ditën e fluturimit.
Prokurorët nuk e potencuan se për çfarë sëmundjeje bëhej fjalë në rastin e zotit Lubitz, por mediat gjermane raportojnë se ai ka vuajtur nga depresioni dhe ka pasur nevojë për mbikëqyrje.
Ata thanë gjithashtu se nuk ka pasur asnjë shenjë që do të dëshmonte ndërlidhjen e tij me ndonjë organizatë terroriste, ndërsa ata që e kanë njohur, thonë se Lubitz asnjëherë nuk ka dhënë shenja të keqbërjes.
Të dhënat e analizuara nga një pjesë e incizimeve që janë gjetur në njërën nga kutitë e zeza, flasin se autopiloti ishte riprogramuar për të nisur rënien e shpejtë të avionit.
“Ne në Lufthansa kemi mbetur pa fjalë”, ka thënë Carsten Spohr, drejtor ekzekutiv i linjës ajrore gjermane Lufthansa, e cila në pronë ka edhe linjën Germanwings.
Britmat në avion
Kutia e Zezë e cila ka regjistruar zërat në kabinën e pilotit përmban britma rrënqethëse. Kapiteni, i cili ishte bllokuar jashtë kabinës, dëgjohet duke trokitur fuqishëm në derë dhe duke kërkuar të hyjë në kabinë.
Ndërkohë, frymëmarrja e bashkë-pilotit ishte stabile dhe e qetë, pa ndonjë shenjë të ndonjë sulmi të mundshëm në zemër apo sëmundjeje tjetër, thonë autoritetet.
Pasagjerët e frikësuar dëgjohen duke bërtitur deri në çastin e fundit të këtij fluturimi.
Kapiteni ka mbetur jashtë kabinës, pasi kishte shkuar në tualet dhe kishte kërkuar që bashkë-piloti ta marrë drejtimin e avionit.
Që nga sulmet e 11 shtatorit 2001 në SHBA, linjat ajrore janë detyruar që hyrjen në kabinën e pilotëve ta mundësojnë vetëm brenda kabinës.
Operacionet e kërkimit
Operacionet e kërkimit tash janë përqëndruar në gjetjen e kutisë së dytë të zezë, e cila gjithashtu mund të ofrojë më shumë informacione për minutat e fundit të këtij avioni.
Qeveria franceze ka kërkuar nga Byroja Federale e Hetimeve në Shtetet e Bashkuara, FBI, të ndihmojë në hetimet rreth këtij rasti.
Familjarët e viktimave tashmë gjenden në Francë dhe po presin trupat e pajetë të të afërmve të tyre, apo atë çfarë ka mbetur prej tyre, pasi të ketë përfunduar identifikimi i mbetjeve mortore.
Disa mbetje janë gjetur, por shumë të tjera jo. Vendi ku është përplasur avioni është zonë e thellë malore, qasja në të cilën mund të bëhet vetëm me helikopterë.
Bashkë-piloti ka “rrëzuar qëllimisht avionin”
Bashkë-piloti i avionit të rrëzuar të Germanëings ka “përshpejtuar zbritjen” e avionit, derisa ishte vetëm në kabinën e pilotëve, ka thënë të enjten prokurori i qytetit Marseille, Brice Robin.
“Kjo mund të bëhet vetëm në mënyrë të qëllimshme”, citojnë mediat botërore zotin Robin.
Sipas tij, bashkë-piloti ishte gjallë deri në përplasjen e avionit, meqë dëgjohej frymëmarrja e tij e qetë në kabinë. Sipas tij, bashkë-piloti ka qenë shtetas gjerman, Andreas Lubitz, 28 vjeçar.
Hetuesit francezë i dhanë këto komente pasi kanë analizuar të dhënat nga incizimi i zërit në kabinën e pilotëve të avionit Germanwings, që u rrëzua në Alpe të Francës, me ç’rast u vranë të 150 njerëzit në të.
E përditshmja New York Times, ka raportuar se dëshmia nga incizimi tregon se njëri nga pilotët ishte larguar nga kabina dhe më nuk ka mundur të kthehej.
“Personi jashtë ka trokitur lehtë në derë, por nuk ka pasur pëgjigje”, i ka thënë një hetues i paemëruar gazetës, duke u mbështetur në incizim, dhe ka shtuar se ”ai pastaj e ka goditur derën më fuqishëm, por pa përgjigje…nuk ka pasur kurrfarë përgjigje nga ana tjetër”.
Ky hetues, ka shpjeguar se “mund të dëgjohet se ai është përpjekur ta thyejë derën nga poshtë”.
Aeroplani i tipit Airbus A320, fluturonte nga Barcelona për në Dyseldorf, ditën e martë, kur u rrëzua në shpatijet e maleve me shpejtësi të madhe, pasi ka rënë për tetë minuta pa dërguar thirrje alarmi.
Sipas masave të ashpërsuara të sigurisë, pas rrëmbimeve të aeroplanëve më 11 shtator 2001, në Shtetet e Bashkura, autorizimi për ta hapur derën e pilotit mund të bëhet vetëm nga brenda dhe nga piloti.
I cituar nga gazeta amerikane, një zyrtar i lartë ushtarak, i përfshirë në hetime, tha se audio-incizimi kishte lënë të kuptohet se ka pasur një bisedë “shumë të qetë dhe të rrjedhshme” ndërmjet pilotëve në pjesën e hershme të fluturimit.
Presidenti i Francës, Francois Hollande, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, e kanë vizituar vendin e largët të përplasjes së aeroplanit në Alpet e Francës për të nderuar të 150 njerëzit që e kanë humbur jetën. Shumica prej viktimave ishin gjermanë dhe spanjollë.
Hollande, Merkel dhe Rajoy, i kanë falënderuar ekipet e kërkimit dhe janë takuar me banorët e fshatit, Seyne-les-Alpes, ku po vazhdon operacioni për gjetjen e mbetjeve njerëzore.
Gazeta londineze, Guardian, ka raportuar se grupi prej 16 nxënësve gjermanë dhe dy mësuesve, thuajse e humbën fluturimin, për shkak se një nxënëse kishte harruar dokumentin e identifikimit.
Por, i zoti i shtëpisë ku ajo ishte mysafire, me të shpejtë ishte kthyer prapa e kishte marrë dokumentin dhe e kishte çuar nxënësen në aeroport.
“Kjo është diçka që ta thyen zemrën”, e ka cituar gazeta një zyrtar në qytetin spanjoll, ku nxënësit gjermanë kishin qëndruar në kuadër të një programi arsimor për këmbim nxënësish.
KRYEDIPLIOMATI BRITANIK THOTE SE:”RUSIA PATJETER DUHET T’IA KTHEJE KRIMENE UKRAINES
Perktheu per Diellin: GJON KADELI/*
Ministri i Jashtem Britanik Filip Hamond, e quajti, aneksimin me force, te gadishullit te Detit te Zi nga Kremlini, vitin qe kaloi,
nje veprim” krejtesisht te papranueshem.”
Aneksimi i Krimese ishte i paligjshem ne mars te vitit te kaluem dhe mbetet i paligjshem ne mars te 2015tes.Kremlini ia bashkangjiti
Krimene Rusise, mbasi dergoi atje forcat ushtarake, dhe organizoi me 16 mars nje referendum fals, i cili u deklarua u i paligjshem, gjate
nje votimi me shumice dermuese, ne Kombet e Bashkueme.
Zoti Hamond e cilsoi referendumin; nje “falsifikim” dhe nje “grabitje toke” nga Presidenti i Rusise, pavaresisht se si mundohet Putini ta
paraqes te veretet, qe gjithkush e din. Ministri Britanik tha se “ky lloj veprimi kercenon sigurine nderkombetare dhe ka rrjedhime shume
serioze,per rregullat ligjore, te cilat mbrojne integritetin dhe sovranitetin e te gjitha shteteve.”
Zoti Hamond shtoi se “qe nga koha e aneksimit te paligjshem te Krimes nga Kremlini,liria politike asht paksue, dhe ata njerez qe kane guxue
te ankohen, jane kercnue, dhe kunder tyne asht perdorun edhe dhuna.” Ai tha gjithashtu se abuzimet e te drejtave te njeriut ne Krime, ne
menyre te vecante, jane tuej preke pakicat kombetare, ku gjate nje vjeti, ma se 100 shtepij te Tatarve jane kontrollue nga njesi te
siguriimit Ministri Hamond i bani keto komente nje dite mbas njevjetorit,te aneksimit zyrtarisht te Krimes nga Rusia.
*Ky artikull u botua ne Britanike The Guardian
- « Previous Page
- 1
- …
- 131
- 132
- 133
- 134
- 135
- …
- 171
- Next Page »