• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ornela Radovicka dhe kujtesa e Arbërisë – një udhëtim mes historisë, identitetit dhe qëndresës kulturore

February 10, 2026 by s p

Nga Mihal Ciko

Gazetar

Historia e intelektualit shqiptar në shekullin XX është shpesh një histori heshtjeje, sakrifice dhe kërkimi të vazhdueshëm për liri shpirtërore. Për dekada me radhë, sistemi komunist në Shqipëri ndërpreu lidhjet natyrore kulturore me botën shqiptare jashtë kufijve, duke izoluar jo vetëm njerëzit, por edhe kujtesën historike. Në këtë kontekst, pas viteve ’90, shumë intelektualë shqiptarë u kthyen drejt burimeve të identitetit, duke kërkuar në histori, gjuhë dhe traditë atë që ishte mohuar për një kohë të gjatë.

Në këtë hapësirë kërkimi dhe rilidhjeje kulturore shfaqet edhe figura e studiueses dhe aktivistes Ornela Radovicka, e cila prej vitesh është angazhuar në promovimin e kulturës dhe gjuhës arbëreshe. Veprimtaria e saj lidhet ngushtë me përpjekjet për të ruajtur një trashëgimi pesëshekullore, të mbijetuar larg atdheut, por të ruajtur me një përkushtim të rrallë nga komunitetet arbëreshe të Italisë.

Bota arbëreshe përfaqëson një nga dëshmitë më të forta të qëndrueshmërisë së identitetit shqiptar. Arbëreshët, të larguar nga trojet shqiptare pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, ruajtën gjuhën, ritin, këngët dhe kujtesën historike si një formë rezistence kulturore. Pikërisht kjo vazhdimësi e pashkëputur ka tërhequr studiues dhe aktivistë, ndër ta edhe Radivuckën, e cila e sheh arbërishten jo thjesht si një dialekt, por si një dëshmi të gjallë të historisë shqiptare.

Në aktivitetin e saj kulturor dhe studimor, ajo ka theksuar shpesh rrezikun e zhdukjes së gjuhës arbëreshe dhe nevojën për ndërgjegjësim, sidomos tek brezat e rinj. Përmes shkrimeve, pjesëmarrjes në aktivitete kulturore dhe bashkëpunimit me institucione albanologjike, ajo ka kontribuar në afrimin e botës arbëreshe me hapësirën kulturore shqiptare, duke e parë këtë lidhje si një rikthim simbolik të historisë së ndarë.

Figura të tilla përfaqësojnë një brez intelektualësh që, pas rënies së izolimit ideologjik, u përpoqën të rindërtojnë urat e ndërprera të kulturës shqiptare. Në këtë kuptim, angazhimi për Arbërinë nuk është vetëm një interes akademik, por edhe një akt kujtese dhe përgjegjësie ndaj historisë.

Sot, në një kohë globalizimi dhe asimilimi kulturor, puna e aktivistëve dhe studiuesve të botës arbëreshe merr një domethënie të re. Ajo shërben si kujtesë se identiteti nuk mbijeton vetëm përmes historisë së shkruar, por përmes njerëzve që zgjedhin ta jetojnë dhe ta mbrojnë atë çdo ditë.

Në këtë rrugëtim, kontributi i Ornela Radovickës mbetet pjesë e një përpjekjeje më të gjerë: ruajtjes së një trashëgimie që lidh të kaluarën me të ardhmen dhe që i jep kulturës shqiptare një dimension europian të hershëm dhe të qëndrueshëm.

Filed Under: Reportazh

Krijohet Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë – Forumi 26

February 7, 2026 by s p

Është krijuar Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë (Forumi 26), një organizim i ri letrar që synon të krijojë një hapësirë të përbashkët reflektimi, bashkëpunimi dhe dialogu për shkrimtarët shqiptarë, pavarësisht vendit ku jetojnë dhe krijojnë. President i Forumit është zgjedhur Stefan Çapaliku, zv/president Ag Apolloni, ndërsa Granit Zela mban detyrën e koordinatorit.

Në ceremoninë e shpalljes publike, Stefan Çapaliku theksoi se Forumi 26 u krijua nga një grup shkrimtarësh pas një sërë takimesh dhe diskutimesh të përqendruara në letërsinë shqipe, të cilat çuan në përfundimin se ekziston një nevojë e qartë për një organizim të ri, gjithëpërfshirës dhe bashkëkohor të shkrimtarëve shqiptarë.

Nga kjo nevojë lindi Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë – Forumi 26, një bashkësi shkrimtarësh që synon të bashkojë personalitete letrare me kontribute estetike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, si edhe autorë që jetojnë dhe krijojnë në mërgatë.

Forumi 26 krijohet si një hapësirë dialogu, bashkëpunimi dhe rrjetëzimi, ku idetë mbi artin, krijimtarinë dhe kritikën letrare takohen për të ndërtuar kontakte reale kulturore, ndërshqiptare dhe ndërkombëtare.

“Ne e konsiderojmë gjuhën shqipe si atdheun tonë të përbashkët kulturor. Në këtë frymë, Forumi 26 synon të ushtrojë një ndikim konstruktiv ndaj institucioneve dhe vendimmarrësve në fushën e kulturës, për ndërtimin e politikave kulturore koherente, gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme ndaj integritetit dhe unitetit të letërsisë shqipe. Prioritet mbetet promovimi i letërsisë shqipe si një e tërë e pandashme, si një hapësirë e përbashkët kulturore dhe artistike”, u shpreh z. Stefan Çapaliku gjatë ceremonisë së shpalljes publike, e zhvilluar sot në mjediset e Librarisë Babel, në prani të medias dhe anëtarëve të Forumit 26.

Grupi themelues i Forumit të Shkrimtarëve Shqiptarë – Forumi 26 përbëhet nga: Andreas Dushi, Adil Olluri, Ag Apolloni, Donika Dabishevci, Durim Taçi, Entela Tabaku, Ervin Nezha, Gazmend Krasniqi, Granit Zela, Ledia Dushi, Lulëzim Haziri, Mark Pashku, Marsela Neni, Ndue Ukaj, Vlora Konushevci, Primo Shllaku, Stefan Çapaliku.

President Nderi i Forumit është zgjedhur Visar Zhiti.

Filed Under: Reportazh

HEROIZMI I NJË FAMILJE NË FUND TË SHEKULLIT XX PËR ÇLIRIMIN E VENDIT NGA OKUPATORI SERB

February 6, 2026 by s p

​Prof. Dr. Muhamet Racaj/

​1. FAMILJA E ADEM SHABAN JASHARIT – PREKAZ, REPUBLIKA E KOSOVËS

​Familja Jashari nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit të Drenicës, një zonë që historikisht nuk e pranoi kurrë autoritetin e huaj. Kulla e tyre ishte një kështjellë jo vetëm prej guri, por mbi të gjitha prej morali dhe patriotizmi.

​1.1. Historiku përgjatë kohërave i familjes Shaban Jashari nga FISI BERISHA

​Korrigjimi i përkatësisë fisnore është esencial: Jasharët rrjedhin nga fisi Berisha. Ky fis ka një histori të gjatë të rezistencës ndaj pushtuesve osmanë dhe më vonë atyre serbosllavë.

• ​Tradita e Besës dhe Trimërisë: Fisi Berisha në Drenicë është karakterizuar gjithmonë nga një vetëdije e lartë kombëtare. Shaban Jashari, si pasardhës i kësaj tradite, e shndërroi shtëpinë e tij në një vatër ku bisedat për lirinë ishin pjesë e përditshmërisë.

• ​Vazhdimësia: Qëndresa e tyre nuk ishte spontane, por një vazhdimësi e kryengritjeve të mëparshme të udhëhequra nga figurat e këtij fisi dhe zonës së Drenicës gjatë shekujve XIX dhe XX.

​2. ZHVILLIMI DHE EDUKIMI NË FRYMËN PATRIOTIKE

​Edukimi në familjen Jashari ishte një proces i mirëfilltë i formësimit të personalitetit luftarak.

• ​Oda si Institucion: Oda e Shaban Jasharit shërbeu si një “akademi kombëtare” ku analizohej situata politike dhe planifikohej rezistenca.

• ​Roli i Hamzës dhe Ademit: Ndërsa Ademi përfaqësonte forcën dhe vendosmërinë ushtarake, Hamëz Jashari ishte ideologu që përmes këngës dhe fjalës mbante gjallë moralin e anëtarëve të tjerë të familjes, duke i përgatitur ata për skenarin e fundit: lirinë ose vdekjen.

​3. PËRGATITJA PSIKOLOGJIKE E ANËTARËVE PËR VETËFLIJIM

​Ky është kapitulli më i dhimbshëm dhe më i lavdishëm. Familja Jashari kishte arritur një nivel të lartë të vetëdijes kolektive ku interesi kombëtar peshonte më shumë se jeta individuale.

• ​Përgatitja e fëmijëve dhe grave: Nuk ishte vetëm Ademi që luftonte; ishin gratë si Adile Jashari dhe fëmijët që ishin të vetëdijshëm për rrezikun, por refuzuan me këmbëngulje të braktisnin “Frontin e Lirisë”.

​3.1. Përgatitja ushtarake dhe Rezistenca e Parë

​Në vitet ’90, Kulla e Jasharëve u bë baza e parë logjistike e asaj që do të quhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

• ​30 Dhjetor 1991: Rrethimi i parë ishte prova e forcës. Forcat serbe u detyruan të tërhiqeshin, duke kuptuar se në Prekaz ishte formuar një bërthamë e pathyeshme ushtarake.

​4. REZISTENCA DHE FLIJIMI (5-7 MARS 1998)

​Ngjarja që tronditi ndërgjegjen botërore. Përballja e një familjeje me një ushtri të rregullt që përdorte tanke dhe artileri të rëndë.

• ​Taktika e Rezistencës: Jasharët përdorën çdo dritare dhe çdo mur të kullës si pikë zjarri. Rezistenca zgjati tri ditë, gjë që tregon për një organizim ushtarak të mirëmenduar dhe jo thjesht një mbrojtje dëshpëruese.

• ​Rënia Heroike: 59 anëtarë të familjes u bënë fli. Ky akt shënon fundin e pacifizmit dhe fillimin e luftës së hapur frontale në mbarë Kosovën.

​5. RREJDHA POZITIVE E MOBILIZIMIT TË UÇK-SË

​Sakrifica e Jasharëve shërbeu si “betimi” i heshtur për çdo shqiptar.

• ​Efekti domino: Pas Prekazit, UÇK-ja nuk kishte më nevojë për rekrutim; njerëzit shkonin vullnetarisht drejt zonave të luftës.

• ​Ndërkombëtarizimi: Masakra dhe heroizmi i tyre detyruan bashkësinë ndërkombëtare të ndryshonte kursin diplomatik ndaj Kosovës.

​6. BETEJA E KOSHARES DHE THYERJA E KUFIRIT

​Në vitin 1999, fryma e Adem Jasharit u mishërua në Operacionin “Shigjeta”.

• ​Rëndësia Strategjike: Beteja e Koshares vërtetoi se UÇK-ja ishte rritur nga një grup gueril (siç ishte në fillimet e saj në Prekaz) në një forcë të aftë për të zhvilluar luftë frontale dhe për të thyer kufijtë artificialë.

​7. SHEMBULL BOTËROR I HEROIZMIT

​Në historinë moderne, rasti i familjes Jashari konsiderohet si një nga aktet më sublime të qëndresës njerëzore. Ai tejkalon përmasat kombëtare, duke u bërë një simbol universal se si një familje mund të ndryshojë fatin e një kombi të tërë.

​PËRFUNDIM DHE REKOMANDIME

​Heroizmi i familjes Jashari nga fisi Berisha është guri i rëndë në themelin e shtetësisë së Kosovës.

• ​Rekomandim: Institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të investojnë në kërkime shkencore ndërkombëtare për ta bërë këtë ngjarje pjesë të historisë botërore të luftërave çlirimtare.

• ​Rekomandim: Të promovohet figura e Shaban, Hamëz dhe Adem Jasharit si simbole të unitetit dhe vetëmohimit.

​LITERATURA:

• ​Libri i Kujtimit të Dëshmorëve të UÇK-së.

• ​Dr. Muhamet Racaj – Studime mbi strategjinë ushtarake në Ballkan.

• ​Arkivi i Shtetit të Kosovës – Fondi i Luftës së fundit.

Filed Under: Reportazh

Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi

February 2, 2026 by s p

Çdo 2 shkurt, Amerika ndalon për disa minuta punën, politikat, bursën dhe debatet mbi ngrohjen globale për të pyetur një marmotë: “Phil, ç’thua ti, a po ikën dimri?” Dhe marmota del nga strofulla, shikon hijen, nuk e shikon hijen, ngatërron hijen me kameramanin – dhe kombi merr frymë thellë. Shkenca mund të presë. Marmota ka fjalën. Groundhog Day është një festë që i reziston logjikës moderne me një këmbëngulje për t’u admiruar. Në një botë me satelitë, superkompjuterë dhe aplikacione moti që gabojnë vetëm pas 15 minutash, amerikanët zgjedhin të besojnë një kafshë që zgjohet nga gjumi dimëror dhe jep parashikime me saktësi rreth 40 për qind. Me pak fjalë: më pak se një meteorolog i lodhur, por shumë më simpatik.

Këtë vit, Groundhog Day na gjeti me -25 gradë Fahrenheit, një temperaturë që të bën të dyshosh seriozisht në ekzistencën e ngrohjes globale – të paktën në lagjen tënde. Ndërkohë që ekspertët flasin për rritje temperaturash, shkrirje akujsh dhe fundin e planetit, emigranti shqiptar në Amerikë del në mëngjes dhe mendon: “Nëse kjo quhet ngrohje, s’dua ta imagjinoj ftohjen.”

Dhe këtu fillon ironia e madhe globale: bota po digjet… por ne po ngrijmë. Një ditë përvëlohesh nga vapë rekord, ditën tjetër makina nuk ndizet nga i ftohti polar. Ngrohja globale nuk na solli klimë tropikale; na solli kaos klimatik, një lloj Groundhog Day planetar ku stinët dalin nga strofulla të hutuar. Për emigrantin shqiptar, ky absurd klimatik përputhet në mënyrë perfekte me jetën e përditshme. Çdo ditë zgjohet herët, shikon motin, shikon faturat, shikon statusin ligjor, shikon lajmet nga Shqipëria – dhe kupton se dita po përsëritet. Si në filmin “Groundhog Day”, vetëm se pa humorin e Hollivudit dhe pa garanci për fund të lumtur.

“Pranvera” për shqiptarin në SHBA nuk matet me gradë Celsius apo Fahrenheit. Ajo matet me letra, me sigurime, me orë pune, me pushime që shtyhen dhe me ëndrra që ngrihen përkohësisht nga realiteti. Edhe kur termometri ngjitet, emigracioni mbetet një dimër i gjatë me disa ditë me diell.

Ndërkohë, në Shqipëri, Groundhog Day festohet çdo vit në version politik. Çdo sezon zgjedhor, e njëjta marmotë institucionale del nga strofulla, sheh hijen e vet dhe shpall: “Dimri do zgjasë edhe pak, por pranvera po vjen.” Dhe shqiptarët presin. Presin reforma, presin drejtësi, presin ekonomi, presin… derisa vjen dimri tjetër.

Ironia është se si Amerika, ashtu edhe Shqipëria, jetojnë në versione të ndryshme të të njëjtës pritje. Njëra pret fundin e dimrit klimatik, tjetra fundin e dimrit shoqëror. Në të dyja rastet, marmota nuk mban përgjegjësi. Ajo bën punën e saj. Njerëzit janë ata që vazhdojnë të presin.

Edhe miti se Punxsutawney Phil është mbi 130 vjeç dhe “nuk plaket kurrë” tingëllon jashtëzakonisht modern. Në një botë që ndryshon çdo ditë, disa zakone mbeten të pavdekshme. Ashtu si pritja shqiptare për pranverë, ashtu si premtimet politike, ashtu si shpresa se “vitin tjetër do jetë më mirë”.

Por ndoshta këtu qëndron edhe mësimi i vërtetë i Groundhog Day. Marmota nuk ka faj. As moti. As klima. As -25°F. Problemi është kur njerëzit presin shenja nga natyra, nga kafshët, nga liderët apo nga fati, në vend që të ndryshojnë sjelljen e tyre.

Ngrohja globale nuk zgjidhet duke pyetur marmotën. As emigracioni nuk zgjidhet duke pritur mrekulli. Pranvera nuk vjen sepse dikush e parashikon; ajo vjen sepse dikush vendos të veprojë. Deri atëherë, le ta festojmë Groundhog Day siç duhet: me humor, me pallto të trashë, me ironi globale dhe me bindjen se, edhe në -25°F, shpresa është gjëja e vetme që nuk ngrin.

Rafael Floqi

Filed Under: Reportazh

Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin

January 31, 2026 by s p

Akademik Kristo Frashëri, personalitet i shquar i historisë, kulturës dhe arsimit shqiptar lindi në Stamboll më 4 dhjetor 1920 në një familje atdhetare nga Frashëri i Dangëllisë.

U riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë në vitin 1927. Në vitin 1940 kreu shkollën e mesme dhe u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences. Më 1942 u burgos dhe u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe në vitin 1943 kaloi në rreshtat partizane.

Në vitin 1945 -1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar (sektori i kreditit). Ndërkohë ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Institutin e Lartë Pedagogjik (1951–1955).

Prej vitit 1953 ai ishte punonjës shkencor në Institutin e Shkencave. Në vitin 1955 punoi në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë dhe më 1957-n në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Në vitin 1966 u dënua nga politika e kohës dhe u dërgua për pesë vjet për “riedukim” si mësues në shkollën e mesme të Përmetit. Në vitin më 1971 u emërua përsëri punonjës shkencor në Institutin e Historisë, ku doli në pension (1990).

Në vitin 1997 u emërua zv.kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë: Antikiteti, Mesjeta, Rilindja Kombëtare dhe Koha e Sotme. Ka trajtuar tema jo vetëm nga historia politike, por edhe ekonomike, shoqërore e kulturore. Ka marrë pjesë me referate në veprimtari shkencore kombëtare e ndërkombëtare dhe ka botuar artikuj në një varg revistash shkencore, brenda dhe jashtë vendit. Akad.Kristo Frashëri është autor i kapitujve që trajtojnë historinë mesjetare të Shqipërisë dhe periudhën e Rilindjes Kombëtare në “Historinë e Shqipërisë” në dy vëllime (botim i USHT, 1959, 1965).

Në vitin 1954 ka botuar një vështrim mbi jetën dhe veprën e Sami Frashërit dhe më 1958-n një vështrim mbi Gjergj Kastriotin – Skënderbeun; më 1964-ën botoi veprën “Historia e Shqipërisë”, vështrim i përgjithshëm e i përmbledhur që nga parahistoria deri në vitin 1960” (botuar në disa gjuhë të huaja). Është autor i teksteve të historisë së Shqipërisë për shkollat e mesme gjatë viteve ’70 -‘80, bashkautor i “Histoire de l’Albanie” (Lion, 1974). Më 1984-n ka botuar monografinë “Abdyl Frashëri”. Është bashkautor dhe bashkëredaktor i “Historisë së Shqipërisë” vëll. II, 1984 dhe bashkautor i “Historisë së popullit shqiptar” vëll. II, (2002). Vepra të tjera të tij janë: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878 -1881” (1997); “Skënderbeu – jeta dhe vepra” (2002); “Historia e Tiranës” (2004); “Burimet historike shqiptare të shek. XV për Skënderbeun” (në origjinal dhe në përkthim shqip) (2005); “Himara dhe përkatësia etnike e banorëve të saj” (2005); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH 1878–1941” (2006); “Identiteti kombëtar shqiptar” (2006); “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (28 Nëntor 1912)” (2008); “Historia e qytetërimit shqiptar (Nga kohët e lashta deri në fund të Luftës së Dytë Botërore)” (2008); “Historia e Kosovës. Dardania (Kosova Antike)” (2009); “Skënderbeu i shpërfytyruar “ (2009); “Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën (Vjeshtë 1809- 2009); “E vërteta mbi shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e enciklopedisë së Shkupit” (2010); “Historia e Dibrës” (2012); “Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881” (2012); “Ismail Qemali – Album” (2012); “Etnogjeneza e shqiptarëve Vështrim historik” (2013); “Principata e Arbërisë : 1190-1215” (2014); “Jeta e një historiani” (2014); “Ahmet Zogu : vështrim historik” (2014); “Shqipëria në Konferencën e Paqes, Paris 1946” Vështrim Historik (2015); “Kongresi i Përmetit (24-28 Maj 1944)” Vështrim Historik dhe Burime Dokumentare (2015); “Historia e Çamërisë” (2015).

Si pedagog i historisë së Shqipërisë në Universitetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka dhënë ndihmesë në përgatitjen e historianëve të rinj.

Ka marrë dy herë Çmimin e Republikës të klasit I (1961, 1984). Është dekoruar me urdhrat “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”.

Akademik Kristo Frashëri u nda nga jeta më 31 janar 2016.

www.akad.gov.al

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 195
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • STOP DHUNËS NDAJ STUDENTËVE!
  • JO NJË KATOVICË TË DYTË! – SHQIPËRIA KA NEVOJË PËR NJË FILLIM TË RI, JO PËR RICIKLIMIN E PUSHTETIT!
  • “Humanoidët”, një çast në atelierin e Artur Muharremit
  • Life in “Time Shelter”
  • Akademia e Shkencave kujton sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta poetin e madh të kombit që i dha zë Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërin
  • Studentët kanë gjithmonë të drejtë!
  • Më dhemb ajo që po shoh nga larg
  • Kur miqtë e Shqipërisë kthehen kundër qeverisë, fundi i iluzionit politik Rama?
  • KARRIGET E PUSHTETIT DHE LIRIA E POPULLIT
  • KËRKESAT E STUDENTËVE JANË EDHE KËRKESAT E NJË POPULLI TË TËRË!
  • EDI RAMA, SHQIPËRIA NUK MUND TË MBAHET PENG PËR PUSHTETIN TËND!
  • “Ndalimi i torturës dhe i trajtimit çnjerëzor ose poshtërues është absolut”
  • A PRIME MINISTER WHO IS BOTHERED BY THE VERY CONCEPT OF THE RULE OF LAW
  • Studentët dhe rinia që po protestojnë kundër qeverisë, nuk janë armiq të Shqipërisë
  • Shqipëria nuk do të jetë më e njëjtë!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT