• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NATA QË SHKODRA E MBAN NË ZEMËR…

July 2, 2025 by s p

Ramazan Çeka/

Një himn për qytetin me zërin e Bujar Qamilit.

Një rrëfim për një koncert që u shndërrua në një dëshmi artistike që u bë si një amzë shpirtërore, një përqafim i kënduar për Shkodrën. Në një natë ku emocionet nuk mund të përshkruheshin me fjalë, Shkodra jetoi një koncert madhështor që tejkaloi kufijtë e spektaklit. Ishte një përqafim shpirtëror mes një qyteti dhe një artisti që e ka përfaqësuar me zërin e tij ndër vite: Bujar Qamili. Panorama e sheshit tregoi emocionin e natës me Bujar Qamilin që preku zemrat e publikut me zërin e tij të bukur. Emocioni i sinqertë i publikut është pasuria më e madhe.

Nën moton “Për ty Shkodër”, me pjesëmarrje masive dhe një atmosferë magjike, qyteti nuk ishte më një hapësirë e zakonshme vendbanimi, por një skenë gjigante, që këndonte bashkë me artistin. Në zemër të qytetit, një zë që s’ka nevojë për prezantim dhe një repertor që prek shpirtin sollën një recital të paharrueshëm. Në skenë, Bujar Qamili , “Nderi i Kombit” dhe “Mjeshtër i Madh”, fali një natë që do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve. Sheshi para Bashkisë u kthye në tempull emocionesh si kurrë më parë, Shkodra në festë. Ishte një natë ku e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja e këngës qytetare bashkëjetuan në harmoni.

Bujar Qamili, një zë që sfidon kohën, nuk interpretoi vetëm këngë, ai zbuloi rrënjët tona të përbashkëta, na solli para syve Shkodrën e brezave të kaluar, me nuanca kujtimesh dhe një përkushtim artistik që vetëm mjeshtrit e vërtetë dinë ta mbajnë gjallë. Ai nuk është vetëm një këngëtar, është kujtesa e gjallë e një qyteti që ka ditur gjithnjë ta kthejë mallin në këngë dhe gëzimin në art.

Në skenë u ngjitën emra të njohur si Artiola Toska, Shkëlzen Jetishi – Xeni dhe Mateus Frroku, që e shoqëruan Bujarin si anëtarë të një familjeje të madhe muzikore. Ata sollën me zërin e tyre mallin, dashurinë dhe nostalgjinë, duke i dhënë ngjyrë një mbrëmjeje që do të mbetet në kujtesën e qytetit. Nga bejtaxhiu Tonin Pervjela në publik, tek humori plot buzëqeshje në skenë i Dana Xhaj “Mjeshtre e Madhe”, Muhamet Çekini dhe Akili, e deri te emocionet e sinqerta të këngëtarëve të ftuar, gjithçka në këtë natë ishte frymë.

Artiola Toska e quajti Bujarin “vëlla i madh”, ndërsa Mateus Frroku u shpreh me emocion: “Sonte ishte nata e Bujarit. Kam një ndjesi fantastike dhe një dëshirë të thellë për t’u rikthyer sërish në Shkodër.”

Edhe Shkëlzen Jetishi – Xeni, miku i pandarë i Bujarit përmendi lidhjen e tij të thellë shpirtërore me këngët shkodrane, duke e cilësuar pjesëmarrjen si një privilegj.

Çdo këngë u këndua live, e mbështetur nga mjeshtëria e orkestrës së drejtuar nga Vis Shkodrani, ku iu bashkua edhe Ilir Zoga, maestro i fizarmonikës, me një interpretim të gjallë, elegant dhe plot jetë.

E ndërsa tingujt përqafonin njëri-tjetrin, në sfond jehonte një qytet që lundronte mbi një det emocionesh.

Kjo mbrëmje si një rilindje artistike e përndritur dhe me aromë pranvere, u ndriçua nga eleganca dhe ndjeshmëria e moderimit të Dana Xhaj, “Mjeshtre e Madhe”, dhe Linda Kavajës.

Ato sollën në skenë atë që shpesh mungon: finesë, hijeshi dhe atë thellësi të heshtur që s’mund të shihet, por vetëm të ndjehet, si një dorë e padukshme që prek zemrën.

Shkodra nuk ishte vetëm qyteti pritës, por vetë skena, fryma dhe drita e asaj nate.

Qindra qytetarë, artistë e dashamirës të muzikës popullore, vizitorët e huaj, turistë nga Izraeli, Spanja e shumë vende të tjera, u përfshinë natyrshëm në atmosferën që krijon vetëm kënga popullore shqiptare.

Nuk munguan as miqtë e largët që ndihen të afërt përmes këngës qytetare shkodrane, nga Ulqini, Tuzi, Tetova, etj. Të gjithë njëzëri, me sy të ndritur e duar që nuk pushonin së duartrokituri.

Nuk kishte dallim mes atyre që këndonin në skenë dhe atyre që këndonin poshtë saj, ishte një kor i gjallë i dashurisë për Shkodrën dhe për një artist që ka ngritur zërin e këtij qyteti në qiellin e artit shqiptar.

Mes dritave, duartrokitjeve dhe emocioneve, publiku dëshmoi se Shkodra di të festojë, por mbi të gjitha, di të nderojë ata që i kanë kënduar Shkodrës, siç është Bujar Qamili. Ky koncert recital nuk ishte një performancë, por një rit i gjallë, një përulje ndaj shpirtit të qytetit.

Në fund të mbrëmjes, mes duartrokitjeve dhe emocioneve që nuk donin të ndaleshin, Bujar Qamili e mbylli me fjalë që vinin nga thellësia e një zemre mirënjohëse, një reflektim i thellë për një karrierë që e ka lidhur ngushtë me Shkodrën: “Këtë Shkodër s’e kam parë, as përjetuar ndonjëherë kaq të mbushur me dashuri.”

Dhe nuk kishte nevojë për më shumë. Publiku e kishte thënë fjalën e tij, në çdo këngë të kënduar bashkë me të.

Më shumë se koncert: një shpirt i përbashkët. Kjo nuk ishte vetëm një natë muzikore, ishte një akt mirënjohjeje ndaj qytetit, një falënderim i ndërsjellë midis një artisti dhe publikut të tij. Një përjetim që do të mbahet mend, siç mbahen të gjalla legjendat e këtij qyteti.

Jam thellësisht i nderuar që, përtej emocioneve si libretist i këtij koncerti dhe autor i disa prej këngëve të interpretuara, pata privilegjin të jem dëshmitar i kësaj nate që do të shkruhet me germa të arta në kujtesën artistike të qytetit tim.

Ky aktivitet madhështor u realizua me përkushtimin e thellë dhe vizionin e pakrahasueshëm të Bashkisë Shkodër dhe Kryetarit z. Benet Beci, një mbrojtës i flakët i trashëgimisë kulturore. Ai, për të disatën herë, dëshmon se mbështetja e palëkundur ndaj artit është themeli i lulëzimit të shpirtit qytetar, ku kultura ngrihet në piedestalin e saj më të shenjtë dhe bëhet një festë e përjetshme e identitetit tonë.

Filed Under: Reportazh

Atje ku Shqipëria flet me gurë dhe ujë…

July 1, 2025 by s p

Dr. Afrim Shabani/

Ka udhëtime që njeriu nuk i ndërmerr për të parë diçka të re, por për të rikujtuar atë që e ka ditur gjithmonë. Shqipëria, sidomos ajo e maleve të thella, nuk të fton me bujë. Ajo rri në vendin e saj, krenare në heshtje, e qetë në vetvete, duke pritur që ta lexosh siç lexohet një dorëshkrim i vjetër — me kujdes, me përulësi, me një lloj dashurie që nuk ka nevojë të thuhet me zë. Aty ku gurët janë më të vjetër se çdo varg biblik, ku stani s’është strehë por vazhdim i trungut fisnor, ku fjala “besa” nuk është figurë letrare, por themel i marrëdhënies njerëzore, aty fillon një Shqipëri që nuk është vetëm gjeografi — por kujtesë. Ky udhëtim në Bjeshkët e Veriut, i ndërmarrë në vitin e tretë të një premtimi pesëvjeçar familjar për të përshkuar të gjitha trojet shqiptare, nuk ishte një arratisje, por një kthim i domosdoshëm drejt rrënjës. Edhe pse kësaj radhe udhëtova vetëm, pa gruan dhe djemtë, e ndjeva se duhej të ecja për një herë vetëm me hijet e kujtesës, për të dëgjuar më mirë zërin e tokës që flet jo me fjalë, por me ujë të kthjellët, me bar të butë, me erëra që mbajnë aromën e etnisë, dhe me këngë të heshtura që ende s’kanë pushuar së kënduari. Sepse në këto anë, ku iliri, arberi dhe shqiptari janë një i vetëm — nuk udhëton për të zbuluar, por për t’u rikthyer në vetvete.

Zbrita në Shkup, në një mëngjes të zbehtë ku gjithçka dukej se fliste me gjuhë të mbuluar. Nuk u ndala gjatë. Ecja më priste — jo për të lodhur trupin, por për të zgjuar kujtesën. Ngjitja e parë ishte në malësinë e Selcës së Tetovës, bashkë me dy shokë të fëmijërisë, dy qytetarë të urtë të Uskanës, që mbajnë në vete atë qetësi të trashëguar që nuk ka nevojë për fjalë të shumta — sepse fjala e dhënë njëherë, mbetet si gdhendje në kujtesë. Selca nuk është vetëm një fshat i Dardanisë së sotme — është një prag kujtese, një vend ku shqiptari flet me qiejt dhe dëgjon tokën. Aty, edhe fryma ngjitet më ngadalë, sikur do të kujtojë gjithçka që është harruar. Pas kësaj ngjitjeje, ndalova për pak kohë në shtëpinë e gjyshes sime në Kërçovë — një grua që i ka kaluar të nëntëdhjetat, dhe që me vetë qetësinë e saj ruan gjithë urtinë e një oxhaku shqiptar. E putha në ballë dhe ajo më bekoi me sytë e saj. As nuk pyeti pse po shkoja, as ku do shkoja. Mjaftoi që e dija se po më përcillte me mirësi dhe besim, ashtu siç përcillnin dikur nënat bijtë e tyre në rrugë të gjatë — me dashuri pa fjalë, me përqafim të heshtur, që mbetet më i zhurmshëm se çdo këshillë. Pasdite, i shoqëruar nga djali i shokut tim të ndjerë, Samiut, ngjita malin mbi qytetin e Kërçovës — Kepin e Shqiponjës, të njohur nga vendasit si Ilinica, por nga historia si Uskana. Qytet i lashtë ilir, i përmendur në kronikat romake me frikë dhe respekt, Uskana nuk ka nevojë për arkeologji për të dëshmuar veten — mjafton të ngjitesh lart dhe të dëgjosh gurin që nuk hesht. Aty, çdo hap është i rëndë, jo për trupin, por për shpirtin. Nuk ishte një ecje për të parë peizazhin — ishte një përkulje përpara një toke që ka ruajtur gjurmët e trungut ilir pa bërë zhurmë. Dhe në atë shoqërim të heshtur, me birin e një shoku të shtrenjtë, më dukej sikur ecja jo vetëm me kujtimet e mia, por edhe me kujtimet e tij, dhe të atyre që tashmë nuk janë — por që mbeten në çdo hap që bëjmë drejt lartësive.

Të nesërmen, u bashkova me disa prej anëtarëve të Shoqatës së Bjeshkatarëve “Ujëmiri” — burra të qetë, me sy që shohin më larg se horizonti dhe këmbë që e njohin malësinë jo nga harta, por nga përvoja. Emri i kësaj shoqate s’mund të ishte më i qëlluar: Ujë i mirë — jo vetëm në kuptimin fizik, por si simbol i pastërtisë njerëzore, i qëllimit të ndershëm, i udhëtimit që bëhet për të ruajtur, jo për të shkelur. Madje, vetë mali që mban këtë emër — Ujëmiri — ngrihet hijshëm sipër fshatit të të parëve të mi, Kaleshe, si një mbrojtës i heshtur mbi trungun tim fisnor. Me ta, u nisëm drejt Shqipërisë, përmes një itinerari që s’ishte vetëm rrugë, por udhë shpirtërore. Në Krujë, ndaluam pranë kalasë së shekujve, ku çdo gur ruan një ngulm. Fryma e Skënderbeut ndihej ende mes atyre mureve, jo si relike muzeale, por si pranverë që nuk shuhet. Aty ku flamuri u ngrit kundër perandorisë më të madhe të kohës, historia nuk është e shkuar — është përjetësi. Prania e atij flamuri në ajër, e atyre mureve që ende qëndrojnë, të kujtonte se historia jonë nuk është ndërtuar me fjalime, por me qëndresë. Pastaj, në Teqenë e Krujës, një vend që nuk kërkon zhurmë për të qenë i madh. E ndërtuar lart, në një shkëmb që shikon fushën me një qetësi profetike, ajo të përballte me një Shqipëri të brendshme — një Shqipëri të lutjes, të fjalës së butë dhe të shpirtit të thellë. Udhëtimi vazhdoi përmes rrugëve të Dajtit, derisa arritëm në Mrizin e Zanave — një vend ku gjella nuk është për t’u ngrënë, por për t’u dëgjuar. Çdo shije kishte rrënjë, çdo erëz kishte histori. Atje, ku nuk ka menu me emra të huaj, por gjellë që dalin nga dhéu dhe futen në shpirt. Ishte një drekë që nuk të ngopte vetëm barkun, por edhe kujtesën. E më në fund, në mbrëmje, mbërritëm në Shkodër — qytet që nuk të përshëndet me zë, por të fton të ulesh, të heshtësh dhe të dëgjosh. Në këtë qytet, ku uji i liqenit ka përzier lotin e motrës me fjalën e burrit, ku rrugët mbajnë hapin e dijetarëve dhe të mërgimtarëve, më dukej se kisha mbërritur në hyrjen e Shqipërisë së thellë. Një portë që nuk hapet me çelësa, por me ndjenjë.

Nga Shkodra, udhëtimi mori tjetër frymë. U nisëm drejt liqenit të Komanit, ku uji ka ngjyrën e mendimeve të thella. Lundrimi me barkë përmes atij gryke që ndan gurin me dritë ishte si të ecje mes faqeve të një dorëshkrimi të mbijetuar nga shekujt. Shkëmbinjtë ngriheshin pingul mbi ne, si murgj të heshtur që ruajnë një të vërtetë të lashtë, ndërsa era sillte me vete aroma bari, fiku dhe dushku — gjurmë të një Shqipërie të paprekur. Zërat në barkë u bënë më të ulët, jo nga lodhja, por nga përulësia që të krijonte natyra. Askush nuk donte të fliste më shumë se ç’lejonin ujërat. Në derdhjen e Lumit të Shalës, zbarkuam. Lumi nuk është thjesht një rrjedhë, por një shpirt që flet. Uji i tij është aq i kthjellët, sa duket sikur pasqyron një botë që është më e pastër se kjo që shohim. Rrjedha të fton të ecësh kundër saj, jo për t’i sfiduar forcat, por për t’i kuptuar thellësitë. Shtrati i lumit është vendi ku natyra i jep shqiptarëve një mësim urtësie — se bukuria nuk ka nevojë për asgjë tjetër veçse të jetë. Edhe një copë gur këtu mbart një farë solemniteti. Pas mesditës, ngjitëm shtigjet drejt Liqenit të Xhemës — një oaz i fshehur që flet në heshtje. Uji atje është i qetë si sytë e një fëmije që s’ka njohur ende dhimbjen. Peizazhi reflekton vetveten pa ndrojtje, siç reflektohen njerëzit që jetojnë në paqe me natyrën. Dhe ishte pikërisht këtu që ndodhi diçka që s’mund ta shpikje dot: takova rastësisht një familje miqsh të afërt tanët, të ardhur po ashtu nga Amerika. Ishte një çast që s’kishte nevojë për organizim apo ftesë — vetëm për ndjeshmëri. Përshëndetja jonë mbi atë shpat mali ishte si një përkujtim i heshtur se shqiptaria nuk është kurrë larg, kur zemra e njeh vendin e vet.

Mbrëmja na gjeti në Valbonë. Emrin e saj nuk e shqipton dot njeriu pa ndier një lloj mallëngjimi. Valbona nuk është vend, është ndjenjë. Ajo është si një këngë e vjetër e kënduar në një odë ku muret kanë dëgjuar edhe qeshjen e dasmës, edhe heshtjen e zisë. Male të larta, ujë që vrapon si fëmijë, ajër që nuk mbart pluhur kohe. Netët në Valbonë nuk janë për gjumë, janë për të dëgjuar — zërin e natës, rrëfimin e erës, rrënjën e vetes. Dhe ne, të mbledhur nën dritën e zbehtë të hanës, kishim përshtypjen se ishim bërë pjesë e një balade të harruar që priste të shkruhej përsëri.

Atë mëngjes të nesërmen, nisi gjithçka që në orën pesë, kur ajri kishte ende shijen e natës dhe bari ishte i lagur me heshtje. Hapat tanë në shtegun prej 17 kilometrash nga Valbona në Theth, nuk ishin vetëm udhëtim përmes luginash dhe gurësh, por udhëtim përmes vetvetes. Kjo rrugë, që përshkon Qafën e Valbonës, është një kalim midis dy botëve shqiptare — Valbona që flet me ëndërr, dhe Thethi që flet me kujtesë. Diku në mes, kur mali arrin majën dhe era zbret mbi krahët e çantës si dorë mbrojtëse, ndjen një prani që s’është as lodhje, as entuziazëm — por një përulje e qetë përpara madhështisë. Mbërritëm në Theth ndërsa dielli kishte kaluar tashmë gjysmën e qiellit. Pas një pushimi të shkurtër, udhëtimi nuk u ndal. Kishim ende për të parë, për të dëgjuar. Zbritëm drejt burimeve të lumit të Shalës, ku uji nuk rrjedh — ai lind. Ujëvara që ndjek këto burime nuk është vetëm e bukur — është e pastër në një mënyrë që nuk mund të përshkruhet, veçse të përjetohet. Është një rrëfim i kristaltë mbi gurë, një poezi që natyra e thotë pa fjalë. Pas kësaj bukurie, rruga na çoi te një shtëpi lokale në buzë të një rruge të ngushtë, ku familjarët na pritën me raki dhe fjalë të ëmbla. Ishte një mikpritje që nuk pyet se kush je, por si sillesh. Raki e zier në shpirt, jo vetëm në kazan. Bisedat ishin të thjeshta, por mbushnin zemrën më shumë se librat. Kishte një farë solemniteti në mënyrën se si na shikuan — jo si vizitorë, por si bij që janë kthyer në vendin e vet, edhe pse për një çast.

Në Theth, çdo hap të çon drejt një kujtese, dhe çdo kujtim duket sikur fle nën një gur. Shkuam së pari te kisha e vogël, ndërtuar thjesht, por me hijeshi që s’ka nevojë për korniza ari. Aty, dikur, Shtjefën Gjeçovi, me një libër në dorë dhe gjuhën shqipe në zemër, i mësonte fëmijët jo vetëm të lexonin, por edhe të ndiheshin shqiptarë. Nuk zbritëm te varri i tij, por qëndruam pak çaste në atë vend ku ai kishte folur, kish shkruar, kish besuar — dhe kjo mjaftonte. Muret e kishës, edhe pse të heshtura, ruanin ende zërin e tij. Përmes një shtegu të ngushtë që ndiqte ujin, mbërritëm te Vaskat e Thethit — një çudi natyrore ku lumi krijon rreth vetes qetësi që edhe zëri i zogut e respekton. Uji i ftohtë, pothuaj therës, ishte si një pastrim shpirtëror, jo vetëm fizik. Aty njeriu zhytet jo për freski, por për të dalë më i pastër, më i kthjellët, më i vetveti. Më pas, zbresim më poshtë, ku Syri i Kaltër i Thethit rrëfen një tjetër mrekulli të heshtur. Aty uji nuk ka ngjyrë — ka karakter. Thellësia e tij nuk matet me metra, por me ndjesinë që të ngjall kur e sheh. Është një qendër graviteti, një pikë ku e kaluara dhe e tashmja shikohen në sy pa frikë.

Në kthim për në Shkodër, ndaluam pranë monumentit të Edith Durham, ngritur me ndjeshmëri në nderim të një gruaje që nuk shkroi për ne me mëshirë, por me respekt. Ajo e pa shqiptarin siç ishte, jo siç donin ta shihnin të tjerët. Dhe qëndroi në anën tonë në kohë të vështira, jo për të marrë lavdi, por për të thënë të vërtetën. Teksa qëndronim përballë bustit të saj, në hijen e maleve të larta, ndjenim që ndoshta, më mirë se askush, ajo kishte kuptuar se Shqipëria e vërtetë nuk është ashtu siç duket nga jashtë, por ashtu siç ndihet nga brenda.

Po atë ditë, pas mbërritjes në Shkodër dhe një pushimi të shkurtër, u nisëm drejt Lepushës, përmes rrugës së thepisur të Leqet e Hotit, ku mali nuk të fton të kalosh, por të përqafon me madhështinë e tij. Çdo kthesë ishte një frymëmarrje më vete, dhe çdo pamje një faqe nga një libër që Shqipëria e ka shkruar pa pendë, vetëm me gurë, borë dhe erë. Mbërritëm në Lepushë në orët e pasdites, dhe vendosëm të qëndronim për natë në bujtinën e një këngëtari të njohur të folklorit shqiptar. Ai nuk këndoi, por zëri i tij ndjehej në ajër — në mënyrën si përshëndeste, në mënyrën si e vendoste sofrën, në mënyrën si dëgjonte fjalët e të tjerëve. Ishte si një jehonë e atyre këngëve të dikurshme që nuk harrohen, edhe kur nuk këndohen.

Të nesërmen, herët në mëngjes, u nisëm drejt Majës së Vajushës, nëpër një shteg që niste si rrugë dhe përfundonte si meditim. Rrugës kaluam pranë stanëve, ku ende digjet zjarri mbi gur, dhe ku një gotë dhallë ka më shumë peshë se një fjalim. Barinjtë na përshëndetën me një përkulje koke, të heshtur, por me respekt. Gjithçka aty është e pakryer, por e përsosur — një Shqipëri që nuk është as për t’u ekspozuar, as për t’u harruar, por për t’u ruajtur. Në Majën e Vajushës, ndalëm për pak çaste për të marrë frymë në heshtjen e lartë të malit, e më pas ecja vazhdoi drejt Majës së Flamurit, qëndresës së palëkundur të këtyre trojeve. Në atë majë, ku flamuri nuk valëvitet, por rri si dëshmi, ndjesia nuk ishte triumf, por përulje — se kjo tokë nuk është fituar me dhunë, por me qëndresë, me këngë, me punë e me zemër shqiptari.

Dita tjetër na çoi në një tjetër udhë, ndoshta më të thellë — udhë jo vetëm për trupin, por edhe për ndërgjegjen. U nisëm herët nga Lepusha për të ndjekur rrugën që shkon përmes Vuthajve, përmes luginave të Plavës dhe Gucisë, që sot janë jashtë shtetit shqiptar, por jo jashtë kujtesës sonë kombëtare. Ato troje, ku rrjedh ende shqipja në biseda dhe në këngë që këndohen, janë dëshmi e një Shqipërie që nuk është vetëm gjeografi, por frymë. Rruga u ngjit e heshtur përmes pyjeve të thella dhe burimeve të ftohta, derisa para nesh u hap një botë e fshehtë, e Liqeneve të Jezercës — gjashtë pasqyra qielli të mbështetura mbi supet e shkëmbinjve. Aty ku uji rri si sy që nuk flenë, ku çdo liqen është si një shikim i thellë nga e kaluara në të tashmen, nuk ka asgjë për të thënë, vetëm për të ndjerë. Mali dhe liqenet nuk të pyesin kush je, por të kujtojnë kush ishe. E aty, me këmbët në tokë e sytë në thellësi, përjetuam ndoshta kulmin e këtij udhëtimi.

Kjo ishte viti i tretë i një zotimi pesëvjeçar që familja ime dhe unë i kemi bërë vetes — të shohim me sy, të prekim me shpirt dhe të kuptojmë me zemër gjithë trojet shqiptare. Këtë herë udhëtova i vetëm, jo për mungesë, por nga nevoja për një lidhje më intime, më personale, me këto vende që më kanë rritur pa qenë aty. Familja jonë ka tashmë ndarë udhëtime nëpër Shqipëri dhe Kosovë — ky ishte udhëtimi i heshtur, i përulët, i përvëluar nga mallëngjimi.

Dhe ndërsa zbresnim përsëri nëpër shtigje, me baltë në këpucë dhe diell në shpinë, mendova për gjithë ato gjëra që nuk i shkruan dot as në letra, as në libra — por që jetojnë në mënyrën se si ecën mbi këtë tokë, në mënyrën se si e përshëndet një bari, apo në mënyrën se si një gotë raki të mbush më shumë se një fjalim.

Udhëtimi im në veri nuk ishte vetëm një udhëtim malor — ishte një kthim në rrënjë. Dhe Shqipëria, në të gjitha format e saj, më doli përpara jo si një vend i vogël, por si një botë e madhe, me këngët e saj, me heshtjen, me nderin dhe me dashurinë që nuk shuhet dot, sado larg të jesh.

Filed Under: Reportazh

Misioni i papërfunduar i “Rrugës së Arbërit”

June 27, 2025 by s p

Mbyllet peticioni për Rrugën e Arbërit

Grupi i Lobimit – 26 Qershor 2025

Pas 12 vitesh vendosëm të mbyllim peticionin online për Rrugën e Arbërit. Para se ta bëjmë këtë, duam të falenderojmë me gjithë zemër të gjithë përkrahësit e peticionit, që jashtë ngjyrave politike na mbështetën deri në fund. Ne përmbushëm një detyrim moral ndaj Dibrës dhe vendit.

Të zhgënjyer nga premtimet dhe zvarritjet kronike të qeverive që nga viti 1995, më 17 Mars 2013, një grup intelektualësh dibranë në diasporë dhe Shqipëri filluan peticionin online për Rrugën e Arbërit, nëpërmjet të cilit ju kërkua qeverisë që do të dilte nga zgjedhjet vendore atë vit, me insistim, por gjithmonë brenda normave të kortezisë, një nocion ende i panjohur në politikën shqiptare, që kjo vepër të përfundonte sa më shpejt dhe me standarde ndërkombëtare.

Pavarësisht presioneve, fyerjeve dhe shpifjeve në adresën tonë përsa u përket, gjoja, qëllimeve dhe përfitimeve personale të nismës tonë dhe mungesën e mbështetjes nga përfaqësuesit partiakë, veçanërisht ata në pushtet (qendror dhe lokal), ne e mbajtëm premtimin se do të lobonim me vendosmëri dhe integritet, deri në përurimin e veprës.

Ky është peticioni më i gjatë online në Shqipëri. Nga fillimi deri në fund ne qëndruam larg presioneve, lajkatimeve dhe ndikimeve politike. Ndoshta kjo është gjëja me pozitive që shoqëria civile në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut mund të mësojë nga përvoja jonë.

Kryeministri deri në fund refuzoi të merrte në dorëzim peticionin. Kjo nuk përbën çudi në një shtet si Shqipëria që trashëgoi nga komunizmi dhe po e kultivon dhe praktikon po aq egërsisht kultit e individit, si mënyrë e vetme drejtimi për afro katër dekada.

Refuzimi qeveritar, edhe pse i papranueshëm dhe i dënueshëm, u zventua para mbështetjes që mijëra bashkëatdhetare na dhanë që në fillim në të gjithë hapësirën shqiptare, nga mërgata si dhe nga miqtë dhe dashamirësit e huaj të Shqipërisë dhe kombit tonë. Kjo mbështetje ushtroi një presion të vazhdueshëm, në dukje i injoruar nga qeveria, por në fakt, ndikues mbi vendimmarrjen politike dhe qeveritare, e shfaqur kjo edhe në deklaratat publikë të anëtarëve të qeverisë dhe vetë Kryeministrit.

Më 14 Mars 2025, më në fund, segmenti i fundit i Rrugës së Arbërit deri në Maqellarë u inaugurua. Përsa u përket inaugurimeve, kjo vepër infrastrukturore ndoshta meriton të hyjë në Rekordet Botërore të Guinness. Inaugurimet në prag të zgjedhjeve lokale dhe parlamentare që janë bërë për këtë rrugë, përbëjnë një shantazh të vazhdueshëm emocional nga ana kastës politike që kërkon me ngulm lëvdata, falënderime dhe ‘shpërblim’ me vota për vepra të ndërtuara me fondet e taksapaguesve.

Mania për ta inauguruar me çdo kusht rrugën në prag të zgjedhjeve të fundit parlamentare, nuk e pengoi qeverinë edhe pse, siç është raportuar në media, Tuneli i Murrizit u hap pa u kolauduar sistemet elektrike dhe aspirimi. Po kështu, nuk duhet harruar se zgjatja e afateve të ndërtimit të kësaj rruge është bërë në kurriz të viteve që janë planifikuar për mirëmbajtje. Ndërsa kontrata origjinale, përsa i përket ndërtimit të kësaj vepre, ishte për tre vjet, kontrata e mirëmbajtjes ishte planifikuar për dhjetë vjet. Mos respektimi i këtyre kontratave e bën të justifikueshëm shqetësimin se në këtë vepër abuzimet financiare ka të ngjarë të vazhdojnë.

Ne përshëndesim të gjithë ata që kontribuan në përfundimin e kësaj vepre – projektuesit, inxhinierët, teknikët dhe punëtorët. Një falënderim i veçantë për autoritete shtetërore në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, autoritetet lokale në Peshkopi dhe Dibër të Madhe, me të cilët dialoguam ndër vite, dhe të gjithë entet mediatike, gazetarët dhe botuesit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, dhe diasporë, si dhe mediat e huaja për hapësirën që na dhanë në çdo kohë.

Si rezultat i Rrugës së Arbëri, janë shkurtuar ndjeshëm koha dhe cilësia e udhëtimit. Trafiku pas inaugurimit është rritur jashtë parashikimeve, duke shkuar edhe në mbi 8,000 makina në ditë në fundjavë. Kjo e rrit nevojën e koordinimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për lehtësimin e regjimit kufitar.

Po të kishte patur një dialog konstruktiv ndërmjet qeverisë, institucioneve përkatëse, kompanisë që ndërmori ndërtimin e rrugës dhe shoqërisë civile, kjo vepër do të ishte e një cilësie shumë më të mirë. Kështu, për shembull, në shumë segmente rruga paraqet rreziqe që mund të ishin shmangur. Kjo dëshmohet nga aksidentet pas përurimit të rrugës.

Shkelja e standardeve të ndërtimit dhe kostot nuk duhet të ishin apo të mbeten edhe tani vetëm një debat politik. Kushdo që është në dijeni të shkeljeve dhe abuzimeve duhet t’u drejtohet institucioneve për të denoncuar personat dhe palët përgjegjëse.

Për këtë vepër, nga fillimi deri në fund, nuk pati kurrë transparencë për fondet e përdorura. Mungesa e informacionit të saktë dhe atij kontradiktor për kostot e ndërtimit, shpeshherë sollën kaos te publiku. Sa fonde u abuzuan për këtë vepër dhe kush përfitoi nga to në mënyrë të paligjshme, në një shtet si Shqipëria me korrupsion të institucionalizuar, ka të ngjarë të mos zbardhen kurrë. Një gjë është e qartë – shifrat zyrtare për fondet e akorduara për këtë vepër dhe kostot e përfolura mediatikisht, nuk e justifikojnë standardet e ndërtimit.

Rruga e Arbërit nuk i zgjidh problemet e Dibrës që janë të një karakteri gjeopolitik që nga koha e sfidimit që shqiptarët, të udhëhequr nga Skënderbeu, i bënë rrezikut ekzistencial që i kanosej kombit tonë nga pushtuesit osmanë, dëmet në njerëz dhe materiale nga rezistenca e vazhdueshme ndaj hordhive sllave, copëtimin famëkeqe në vitin 1913 i këtij rajoni i pozicionuar në zemër të kombit, dhe injorimi kronik dhe i vazhdueshëm nga shteti shqiptar. Dibrës i duhen investime dhe Tirana zyrtare duhet t’i japë fund ‘kolonializimit intranacional’ të kësaj zone dhe zonave të tjera në Shqipëri në veri dhe jug në mënyrë që banorët e këtyre zonave të lënë pas dore të gëzojnë frytet e pasurive të tyre mbitokësore dhe nëntokësore, të cilat vazhdojnë të përvetësohen në mënyrë korruptive nga kleptokracia politike.

Rruga e Arbërit përfundon në Maqellarë. Qëllimi i saj për lidhjen me Shkupin mbetet akoma një mision i pambaruar. Për këtë duhet më shumë vullnet i mirë dhe angazhim nga ana e të dy qeverive.

Në mbyllje të këtij njoftimi, duam të falënderojmë edhe njëherë të gjithë përkrahësit e peticionit, që jashtë ngjyrave dhe ndikimeve politike na kanë mbështetur vazhdimisht. Me përkushtimin tonë, ne përmbushëm një detyrim moral ndaj Dibrës dhe vendit. Shpresojmë se përvoja jonë do të jetë një mësim për brezin e ri.

Ne e filluam peticionin si idealistë dhe pas 12 vitesh ajo që na ka mbetur e njëjtë është idealizmi. Shoqëria civile nuk mund të ekzistojë pa idealizëm, por i duhet edhe mbështetje institucionale pa kushte që të mos lejojë kompromentimin e paanshmërisë dhe integritetit të saj. Le të shpresojmë se idealiste e rinj të shoqërisë civile do ta kenë më të lehtë se ne.

https://bit.ly/44mqHVU

Filed Under: Reportazh

Monumenti i nënë Zahide Jasharit, vepra e mjeshtrit, Sabri Behramaj, djepi që përkundi lirinë e Kosovës

June 26, 2025 by s p

Albert Vataj/

Ka çaste kur historia nuk kërkon më fjalë, por një vështrim, një prehje duarsh, një heshtje që peshon si gur mbi ndërgjegje. Ngrihet në lartësinë e një vepre arti, për t’i bërë homazh të shkuarës, për t’i folur zëshëm së tashmes dhe për të kushtruar brezave me thirrje përkatësie, gjeneologjie, kombi, që zëfillin te nëna, bartësja dhe mëkuesja e jetës, sakrifikuesja e shenjtë e çdo bekimi të saj.

Ka figura që nuk bëjnë histori me armë e me fjalime, por me qumështin e gjirit dhe me gjakun që rrjedh pa britmë në damarët e sakrificës, por me thirrje eterne që dëgjohet nga limfa e gjëmimshme e jetës, në vetë hyjninë e nënës. E tillë është Nëna Zahide Geci Jashari, për të cilën liria nuk ishte vetëm ideal, por mish e kockë, bir e vëlla, jetë dhe dhembje, vetë përjetësia që i blatohet si një amanet gjeneratave përmes përjetësimit në art.

Në gjurmët e këtij kujtimi të përjetshëm, që nuk njeh harresë as kohë, u ngjiz edhe kjo vepër skulpturore që sot i ofrohet Kosovës, jo vetëm si një monument, por si një shenjë e përuljes sonë para mëmësisë që mbajti mbi supe dhe në shpirt, në çdo trokitje zemre dhe djepi, lirinë. Është një dëshmi artistike që e shndërron jetën e një gruaje të thjeshtë në ikonë kombëtare, një përkujtim se gjithçka fillon me nënën, dhe se në djepin që ajo përkund, mëkohet e ardhmja e një populli, aty hidhet fara e lirisë, mbin dhe harlise ëndrra e atdheut.

Siç është bërë prezent në publikimet e mediave, më 18 qershor 2025, në Skenderaj, zemra e Drenicës, u përurua në një vepër arti që tejkalon kufijtë e estetikës, për t’u bërë një thirrje ndërgjegjeje, një simbol i pashlyeshëm i mëmësisë shqiptare dhe sakrificës sublime: monumenti i Zahide Geci Jasharit, nënës së heronjve të kombit, Adem dhe Hamëz Jasharit, dora që përkundi një familje që u bë sakrificë dhe shkëndija e lirisë së Kosovës.

E gdhendur në bronz nga dora dhe shpirti i artistit, Sabri Behramaj, kjo figurë e përjetësuar në gjunjë, me duart mbi djep, nuk përkund vetëm një foshnje, ajo përkund lirinë, jetën, kombin. Në heshtjen e saj prej nëne që ka parë tërë tmerrin e luftës dhe që ka “mbijetuar” për të dëshmuar, ajo ngjall një fuqi që vetëm nënat e përjetshme dinë ta mbajnë brenda vetes, forcën për të rritur një brez që do të lindë lirinë përmes gjakut, flijimit dhe përkujdesit të palodhur.

Djepi, i pranishëm në vepër, është më shumë se një objekt, është një arketip. Ai është tempulli i fillimit, vatra e mëkimit të jetës dhe kulla e parë e mbrojtjes së një kombi. Në traditën shqiptare, djepi është mjeti i parë i edukimit, vendi ku mësohet ritmi i jetës nëpërmjet përkundjes, këngës, ninullës dhe lutjes.

Këtu, në bronzin e Zahide Jasharit, ajo bëhet një djep i historisë, ku kraharori i nënës nuk është më vetëm burim ushqimi fizik, por edhe burim shpirtëror, moral, atdhetar, shembulli që kungon hyjnoren që vjen përmes nënës dhe ngjitet në panteonin e magjishëm të artit.

Duart e nënës që përkundin janë duart e gjithë nënave shqiptare që kanë lindur jo vetëm fëmijë, por edhe ideale, dëshmorë, frymë dhe lavdi, duar që kanë fshirë lotët, kanë lidhur plagë, kanë thirrur thellësinë e tokës së lëruar me varre, për të mëkuar përmbushjne e amanetit, lirinë.

Në këtë vepër të Sabri Behramaj nuk ka britma, as patetikë. Ka një heshtje monumentale që e bërtet më fuqishëm se çdo fjalë, e çdo shprehje, ligjërimin elekuen të së cilit e zotëron vetëm magjia e artit.

Aty, në këtë monument, në këtë skulpturë, në këtë jetësim artistik shprehës, thirrës dhe ngulmëtar, është mishërimi jo i një nëne, por i gjithë nënave që mëkun jetën dhe përkundën lartësimin e këtij kombi, nëna që u ngjitën në përjetësi. Ky është thelbi filozofik i figurës, burrëria e gruas që doli nga magja e flakës së barutit, nga forca e paqes së brendshme, dinjiteti i atyre që nuk kanë nevojë të flasin sepse janë bërë vetë histori.

Nëna nuk shfaqet si viktimë, por si përkrahëse e jetës, mëkues e saj, rojtare e kombit, shtyllë e së ardhmes, vetë udhëprijësja dhe shërbestarja e së shenjtes, që etërit na e lanë amanet. Ajo është prehër i përkujdesjes, kështjellë e dashurisë, shpërgenjt e pandërprerë i trashëgimisë shpirtërore, që lidh gjeneratat me gjakun dhe amanetin e lirisë.

Nga pikëpamja psikologjike, kjo figurë është nëna, simbol i unitetit dhe i origjinës. Ajo është nëna tokë, nëna shenjtë, që përfaqëson pavetëdijen kolektive të një kombi që, përmes nënave të tij, ka ditur të ruajë gjuhën, besën, zakonet dhe lirinë.

Në këtë skulpturë gjejmë përfytyrimin e një nënë që nuk është vetëm e Adem dhe Hamz Jasharit, por e gjithë Drenicës, e gjithë Kosovës, e gjithë Shqipërisë. Në djepin e saj përkunden të gjithë ata që do të rriten për të qenë të denjë për atdheun.

Forma e përmbajtur, linjat e buta të bronzit dhe vështrimi i përqendruar e i dhembshur i figurës, e bëjnë këtë vepër një shëmbëlltyrë të estetikës së sakrificës. Nuk ka tepri, nuk ka glorifikim, ka dinjitet, ka pastërti dhe një shkëlqim njerëzor që e tejkalon materialin prej të cilit është bërë. Në këtë aspekt, skulptura është një ikonë moderne e një mëmësie që rri pezull ndërmjet tokësores dhe hyjnores.

Zahide Jashari, në këtë skulpturë, nuk është më vetëm një nënë që ka humbur familjen, një nënë e cila është pjesë e një sakrifice ikonike, legjendare, e një luftë që shkroi një epope, e një qëndrese që u ngulit thellë në trupin, shpirtin dhe vetëdijes së Kosovës dhe krejt shqiptarisë. Ajo është dëshmitare, kujtim i gjallë, amanet i historisë. Ajo qëndron në Skenderaj, në vendlindjen e saj, duke mos përkundur vetëm një djep, por një shpresë kombëtare, një kujtesë të pashlyeshme se liria është e brishtë, por edhe e pamposhtur kur përkundohet me dashuri dhe vendosmëri.

Ky monument i jashtëzakonshëm nuk është vetëm një vepër skulpturore. Është një rrëfim vizual, një lutje e heshtur, një përulje ndaj sakrificës së nënave shqiptare, që janë rrënja dhe kreshta e qenies sonë kombëtare. Në duart e Zahide Jasharit që përkundin djepin, ndjejmë lëvizjen e historisë, frymën e atdheut dhe ritmin e zemrës së një populli martir që nuk dorëzohet.

Në një qasje për ta dëgjuar heshtjen që ligjëron pas kësaj statikeje metali, rrekem të kumtoj se kjo vepër, e frymëzuar nga një figurë konkrete, nëna Zahide Geci Jashari, kapërcen kufijtë e një portretimi biografik, për t’u bërë një shëmbëlltyrë arketipike e mëmësisë shqiptare. Në thelb të saj qëndron jo vetëm përkujdesi amnor, por edhe një koncept më i gjerë, nëna si gjënezë e kombit, si epiqendër e frymës dhe qëndresës. Ajo që përndryshe do të ishte një grua në gjunjë me një djep përpara, në këtë skulpturë shndërrohet në një figurë mitologjike që mbart mbi vete jo vetëm dhimbjen, por edhe bekimin, durimin dhe fuqinë e jetës.

Ideja është thellësisht filozofike, nëna si burim i lirisë, sepse ajo është burim i jetës. Liria, kumton vepra, nuk lind nga armët, por nga gjiri i nënës, nga djepi që përkund brez pas brezi, nga dashuria që mëkon të ardhmen.

Vepra është ndërtuar me një ndjeshmëri të thellë për njeriun, për figurën e zakonshme që mbart peshën e jashtëzakonshmes. Artistikisht, ajo ndjek linjat e një realizmi të përmbajtur, pa teatrikë të panevojshme, por me kujdes ndaj detajit të ndjenjës, rënia e supeve, ngrohtësia e vështrimit, heshtja e buzëve, lëvizja e zgjatur dhe e kujdesshme e dorës mbi djep, fëmija që vështron ngulmues nënën. Këto elementë i japin veprës një psikologji të brendshme, një koncentrim emocional që nuk kërkon shpjegime.

Bronzi si medium i jep masë, peshë dhe përjetësi figurës, ndërsa statika e qëndrimit thekson forcën e brendshme dhe qetësinë e dhembjes, që i jep skulpturës një ngjyrë sakrale. Kjo nuk është thjesht një nënë që përkund fëmijën, por një priftëreshë e heshtur e kombit, që bekon ardhmërinë.

Djepi është elementi më i fortë simbolik në këtë vepër. Ai nuk është një objekt, por një qenie e dytë, një altar i jetës dhe i sakrificës. Në djepin që përkundet, nuk gjendet vetëm fëmija, është Kosova, është shpresa, është amaneti i atyre që dhanë jetën për lirinë.

Simbolika e djepit te shqiptarët është e lashtë,: ai është vendi ku fillon kombi. Përmes tij ndodh trashëgimia kulturore, ku përveç qumështit e ngrohtësisë, kalojnë edhe këngët, gjuhët, legjendat, ëndrrat. Dhe për këtë arsye, në këtë monument djepi është më shumë se një shenjë amësie, është objekti më metafizik i kombit shqiptar, ku fillon dhe mbaron gjithçka.

Në këtë vepër, artisti Sabri Behramaj nuk ka vetëm qëllimin për të përjetësuar një figurë të nderuar nga historia, por kërkon të bëjë një akt kujtese. Ai e ngre figurën e nënës Jashari, jo në një piedestal për t’u vështruar nga poshtë, por në një gjendje pranë, tokësore, njerëzore, në lartësinë e jetës së përditshme. Kjo është një zgjedhje kritike e vetëdijshme, për të treguar se historia e madhe ndodh në shtëpitë tona, në prehërin e nënave, në gjakun që nuk thërret, por që sjell dhe mban gjithçka në jetë, prej jetës, për jetën.

Vepra fiton kështu vlerën e një monumenti pedagogjik, jo për të trumbetuar lavdinë, por për të kujtuar rrënjët e saj. Një popull që harron nënat e tij, që harron djepin, është një popull që e ka humbur fillin. Kjo skulpturë është një ripërtëritje e fillimit.

Vepra e përkushtuar nënës Zahide Jashari është një akt memorie, një mesazh shprese, dhe një manifest për jetën që lind edhe në mes të zjarrit të luftës dhe vdekjes si një sakrificë e shenjtë lirie. Është një ndër veprat më të ndjera të skulpturës së pasluftës në Kosovë, jo për madhështinë e formës, por për madhështinë e së thjeshtës, të njeriut të zakonshëm që bëhet figurë kombëtare. Ajo është, në fund të fundit, një lutje e bronztë që përkundet në heshtje, por që flet për brezat që do të vijnë, përmes zërit të së tashmes, përmes madhështisë së veprës së artit.

Filed Under: Reportazh

KËSHILLI KOORDINUES I ARSIMTARËVE NË DIASPORË (KKAD) MBAJTI TAKIMIN E RADHËS DHE PREZANTOI PUNËN E SAJ NJËVJEÇARE

June 18, 2025 by s p

Sektori për informim i KKAD-së

Një imazh që përmban burrë, person, veshje, video

Përmbajtja e gjeneruar me AI mund të jetë e pasaktë.

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD) zhvilloi takimin e radhës nëpërmjet platformës Zoom, ku mori pjesë edhe drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, znj. Mimoza Hysa.
Takimin e hapi nënkryetarja, znj. Aurela Konduri, e cila u kërkoi anëtarëve të ofronin një pasqyrë të përgjithshme mbi përfundimin e vitit shkollor 2024–2025.
Gjatë diskutimit, anëtarët prezantuan gjendjen aktuale të shkollave shqipe në shtetet ku ata veprojnë, si dhe folën mbi aktivitetet që po zhvillohen për ndërgjegjësimin dhe motivimin e prindërve për t’i dërguar fëmijët në mësimin plotësues në gjuhën shqipe.
Pas prezantimeve të anëtarëve: znj. Miradije Berisha (Austri), znj. Mira Shehu (Kanada), z. Mustafë Krasniqi (Gjermani), z. Isuf Bytyqi (Gjermani), z. Dritan Mashi (Itali), znj. Arta Emiri (Suedi) dhe znj. Aurela Konduri (Greqi), fjalën e mori drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, znj. Mimoza Hysa.

Po ashtu, për disa nga pikat kryesore, nga vende të ndryshme u paraqitën veçoritë e mësimdhënies së gjuhës, u shkëmbyen përvoja të suksesshme dhe u adresuan shqetësimet e mësuesve. Drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën bëri një pasqyrë të punës dhe angazhimit të QBD-së.
Në fjalën e saj znj.Hysa tha se këtë vit filluan më herët kërkesat për tekste shkollore për të kuptuar më mirë dhe në kohë nevojat e mësuesve në diaspore, duke theksuar procedurat që ndiqen sipas legjislacionit për dërgimin e kërkesave dhe shpërndarjen e librave në diasporë.
Të gjithë anëtarët vlerësuan punën e deritanishme të Qendrës së Botimeve për Diasporën dhe të drejtoreshës, duke theksuar njëzëri rëndësinë e ruajtjes së profesionalizmit dhe etikës në punë, si dhe të komunikimit të shëndetshëm ndërinstitucional, si themel për një klimë pune konstruktive, për inkurajimin e motivimin në këtë mision fisnik.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 181
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT