• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JEHONA E VJOSËS, SIMFONI E TRADITËS NË MEMALIAJ

August 19, 2025 by s p

Ramazan Çeka/

Polifonia që ktheu Memaliajn në kryeqendrën e folklorit shqiptar.

Në qendër të Memaliajt, aty ku Vjosa rrjedh e pandalshme me madhështinë e saj të amshuar, u ndez për të dytin vit radhazi flaka e Festivalit Folklorik “Jehona e Vjosës”, duke kthyer qytetin në kryeqendër të folklorit mbarëkombëtar. Në kulmin e gushtit, në sheshin “Minatori”, mbi 150 artistë dhe 20 ansamble nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën për të dhuruar një magji që do të mbetet e paharrueshme.

   Çdo këngë, çdo valle, çdo ritëm shpalosi pasurinë e folklorit tonë. Publiku u bë pjesë e një magjie të përbashkët, ku traditat e veriut dhe të jugut, e gjithë Shqipëria dhe trojet shqiptare, u takuan në një valle që bashkonte gjithë kombin. Ishte një simfoni që lidhte traditat dhe emocionet në një ritëm të vetëm.

   Dy netë të mbushura me emocione të papara, garë të fortë dhe interpretime të shkëlqyera e shndërruan Memaliajn në një sofër mikpritëse. 

Parada e kostumeve tradicionale, ekspozita e pikturave e fotografive, tingujt e polifonisë dhe ritmet e valleve shpalosën një pasuri shpirtërore që e bëri publikun të ndjejë krenari e nostalgji njëkohësisht.

   Atmosfera solemne e ditës së parë u shndërrua në një zjarr emocionues në natën e dytë, kur skena u mbush me ngjyra, zëra dhe ritme të papërsëritshme. Në këtë festival, çdo këngë ishte një amanet i brezave, çdo valle një lutje e hershme, dhe çdo melodi një urë që lidhte të djeshmen me të sotmen. 

   Drejtori artistik i festivalit, z. Viktor Aliu, theksoi se ky event synon të aktivizojë dhe promovojë grupet polifonike, duke ruajtur jetën folkorike si trashëgimi shpirtërore të popullit tonë dhe duke transmetuar tek brezat e rinj dashurinë për folklorin dhe traditën. Ky festival tashmë është pjesë e kalendarit kulturor kombëtar dhe premton të mbajë gjallë traditën për shumë vite.

   Ky festival, ndryshe nga të tjerët, ka një hapësirë të gjerë gjeografike, duke bashkuar çdo vit grupe të ndryshme nga të gjitha trevat e Shqipërisë dhe trojet shqiptare, dhe duke nxjerrë në pah pasurinë dhe gjallërinë unike të folklorit burimor. Veçoria e tij qëndron pikërisht në diversitetin e grupeve të përfshira, të cilat vijnë nga komunitete të ndryshme, duke dëshmuar pasurinë dhe larmishmërinë e trashëgimisë sonë kulturore.

   Çmimet u dorëzuan nga emra të nderuar dhe u bënë një kurorë për artin, duke e kthyer ceremoninë në një moment solemn. Juria, e përbërë nga personalitete të artit dhe kulturës; dirigjenti Ermir Dizdari, specialisti i kulturës z. Sejmen Gjokoli dhe shkrimtari z. Feti Zeneli, vlerësoi me profesionalizëm grupet më të spikatura, duke shpërblyer talentin dhe pasurinë e folklorit tonë.

   Çmimi i Parë – Ansambli “Lunxheria”

   Çmimi i Dytë – Grupi Polifonik “Lazarat” & Ansambli “Haziz Ndreu”

   Çmimi i Tretë – Grupi Polifonik “Memaliaj” & Ansambli “Ferizaj”

   Çmimi i Publikut – Shoqëria Artistike “Gurra e Picarit”

   Çmimi Special i Festivalit – Ansambli Artistik “Kaltersia”

   Diploma “Simboli i Trashëgimisë” – Grupi “Krojet e Velçës”, Ansambli “Drenica”, Rapsodët e Deçanit dhe Ansambli “Mat”.

   Moderatorja Migena Kraja, me profesionalizmin dhe sharmin e saj, u shndërrua në pasqyrë të suksesit; ajo i dha festivalit hijeshi dhe bukuri, duke e kthyer çdo çast në një përjetim të veçantë, të mbushur me magji.

   Sheshi u mbush me qytetarë, me emigrantë të kthyer për pushime dhe me mysafirë nga të gjitha trevat, që u shkrinë në një valë entuziazmi të papërshkrueshëm, një pëlhurë emocionesh që i bashkoi të gjithë. Shumë prej tyre pohuan: “Në këtë qytet ndjehesh vërtet artist.”

   Festivali, i organizuar nga Shoqata “AlbAccess Open” në bashkëpunim me Bashkinë Memaliaj dhe me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, dëshmoi se trashëgimia shqiptare nuk është vetëm kujtim, por një thesar që vazhdon të frymojë dhe të gjallërojë zemrat e njerëzve.

   “Jehona e Vjosës” tashmë është kthyer në traditë, një festival që jeton në zemrat e publikut si një frymëmarrje e përhershme e kulturës sonë. Është një festë që rizgjon kujtesën dhe lidhjen e brezave me Memaliajn, një urë që bashkon shqiptarët kudo që janë, një pasqyrë ku shohim vetveten të ndriçuar nga drita e trashëgimisë sonë.

   Në atmosferen kulmore të kësaj feste, mbetet e qartë: Folklori shqiptar nuk është vetëm një kujtim i së kaluarës, por një gjallëri që frymon me çdo këngë, me çdo hap dhe me çdo valle. Në Memaliaj, këto ditë gushti, festivali foli me zërin e polifonisë, vallëzoi me ritmet e trevave dhe u përjetua si një solemnitet festiv, një poezi e gjallë e trashëgimisë kombëtare.

Filed Under: Reportazh

PALASA E PUSHTUAR…

August 14, 2025 by s p

Kastriot Fetahu/

Borgjezët e rinj nuk janë njerëz interesantë; ndërkohë që bota ju duket shumë personale, ata nuk duan që ajo të rrotullohet. E kam vizituar për herë të parë Palasën kur isha student. Ka qenë delta e lumit të atij fshati dhe profesori im i gjeologjisë, një njeri i jashtëzakonshëm si Servet Pasho, që na shpjegoi se ata gurët e bardhë të deltës janë shkëmbinj brekçiozë. Sekretari i Pablo Picassos thoshte se turistët amerikanë vijnë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore për të parë Papën, Pompein dhe Pablo Picasson. Sa do të më pëlqente që, meqenëse Picasso nuk jeton më, të zëvendësohej me Palasën në thënien e sekretarit të tij.

Deri para pak vitesh, kaloja shpesh në rrugën e Rivierës së Jonit për në Sarandë dhe asaj delte, që dukej nga Llogaraja aq e bukur, i gëzohesha si një fëmijë.

Këtë herë nuk mora kënaqësinë e njohur, se nuk ma rroku syri. Gjeta vetëm një pushtim urban, pushtim industrial, si derivat i një pushtimi detar. Kserksi “modern”, kështu mund ta shkatërronte Salaminën greke, mendova. Imagjinata është fragmenti më i bukur i jetës në të cilin ndërtojmë limitin e të ardhmes.

Nuk po e kuptoja imagjinatën e importuar në Palasë.

Para tre vitesh ishin vetëm dy lokale dhe unë preferova “Samoa”-n. Atëherë ishte mrekulli, pasi barbarët nuk kishin zbarkuar akoma dhe as bajlozi nga deti.

Para dy ditësh vizitova përsëri Palasën. Pas një shëtitjeje të shkurtër qëndrova në një lokal në atë “lagjen si pazari turk i Stambollit” dhe, edhe pse një ambient shumë i bukur, në të ishin gjithsej 4 njerëz në pikun e sezonit. Jemi në fillim të gushtit.

U riktheva përsëri dhe në mbrëmjen e sotme përrallore të bregdetit, u ula te dashuria e vjetër, lokali “Samoa”.

Unë nuk i tradhtoj gjërat që iu kam besuar dhe nuk u zhgënjeva as këtë herë, pasi u kënaqa; një kameriere e përkushtuar na e bëri të bukur “Samoa”-n. Pas pak shkova te një mol aty pranë. Nga natyra jam gjithmonë shumë kurioz, nuk qëndroj dot pa pyetur. Nuk e di nëse ka qenë kështu idhulli im Hemingway, amerikani nga Oak Park i Çikagos. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Palasë më dukej fare pa kuptim aforizma e shkruar nga unë se “Liria ime është një drejtëz dhe askush nuk mund t’i vendosë skajet veç instiktit tim”.

Pasi erdhi një skaf dhe shkarkoi tre djem, pyes dikë nga ata nëse mund të xhironim me të në det?

Akoma i frikshëm më duket emri “skaf”, më ngjan me atë dragoin që ruante lëkurën e dashit të artë në ishullin Kolhidë. Ishte një djalë i qeshur dhe, me të qeshur, më tha se: “Të shkojmë te Shpella Blu, duhen 250 mijë lekë deri në katër persona, për rreth 1 orë e 30 minuta.” U zmbrapsa i trembur. M’u kujtua se kisha prenotuar një jaht në “Lake Michigan” të Çikagos për 25 dollarë orën – një jaht, jo një barkë me motor si në Palasë. Nuk dija çfarë t’i thoja qeshjes së këtij djali të qeshur. Ai e pa dhe e rriti intensitetin e qeshjes. Pas tij erdhi një djalë tjetër, që na dëgjoi dhe u shtruam në bisedë.

Doja të flisja me dikë që të mos më kujtonte dialogun e filmit “Dikush fluturoi mbi folenë e qyqes” me aktorin Jack Nicholson.

—McMurphy, pse dreqin i flet? Ai s’dëgjon fare!

— Po i flas vetes, jo atij. Më ndihmon të mendoj.

— Por s’po ndihmon atë.

— Keq s’po i bëj, apo jo?

— Si të shkon puna sivjet? – e pyeta atë djalë.

I pezmatuar, më tha se është gjysma e punës së vjetshme.

— I kupton arsyet? – vazhdova.

— Po, – më tha. – Parkimin këta e kanë 30 mijë lekë (të vjetra) ditë-natë, ndërsa për dy orë e kanë 5 mijë lekë, çadrat 30-70 euro dhe këtë e bëjnë ata që janë të pasur, se nuk duan të vijnë njerëz jashtë standardit të tyre.

— Në qendër të Bostonit, në Back Bay magjik, – i bëra me dije, – është 2 dollarë ora, kurse të dielave parkimi bëhet falas.

— A e kupton?

Të dielave është falas, ndërsa ditëve të tjera të javës ora e parkimit kushton 1650 lekë me kursin e dollarit në ditën e sotme.

Pasi folëm gjëra të përgjithshme, shfryu për një çast dhe u largua, duke më uruar gjithë të mirat.

Ndërkohë në errësirën që pushtoi vendin lëvizjet u intensifikuan, duke bërë që njerëzit e makinat të rralloheshin.

Palasa, ashtu si një vajzë që e di se është e bukur, por s’di ç’të bëj me bukurinë e saj, po e shkatërron veten me operacione plastike.

Duhet praktikë, mendim dhe aftësi për të jetuar pa pendime.

Lotët janë të parëndësishëm nëse gëzimi njerëzor harron se kufiri mes tij dhe krizave ekzistenciale është sa koha e “vendosjes së kalit grek në Trojën e festës së fitores”.

Në antikitetin klasik, shkrimtari romak Lucan regjistroi një vend të quajtur Palaeste në malin Ceraunian në Chaonia, të Ilirisë. Palasa, ka qene banuar nga fisi epirot i Kaoneve. Jul Qezari zbarkoi ushtrinë e tij në plazhin e Palasës, nga Brindizi në betejën kundër Pompeut, i cili ishte vendosur në Orikum. Qezarit iu bashkuan dhe Amantët e qytet shtetit ilir Amantia, ndaj Palasa është shumë më shumë se një plazh i pushtuar. Në vitin 1632 u krijua një shkollë shqipe në Palasë. Në vitin 1663 u krijua një shkollë greke.

Nuk e zgjidh dot enigmën nëse ka burgje më të tmerrshëm se sa fjalët, apo fjalë më të tmerrshme sesa burgjet?! Hije që nuk mbeten kurrë pas…Në Martinique, ku pushojnë bilionerët e botës, Jeff Bezos e Co., në qiellin e të cilës nuk lejohet të qarkullojnë avionë (një koloni franceze Martinika), nuk janë këto çmime. Atje do të gjejmë dhe statujën e vendases së atij ishulli, Joséphine de Beauharnais, gruaja e parë e Napoleon Bonapartit – ishull që bën pjesë në Antilet e Vogla të Karaibeve. Thënia e Bonapartit: “Të vetmet pushtime që janë të përhershme dhe nuk lënë keqardhje janë pushtimet tona mbi veten tonë”, më kumton se Palasa ngjan si një vend i marrë hua.

Toka e huaj zgjon ndjenjën e aventurës tek burrat, kurse toka jonë zgjon dashurinë për të dhe përtej saj, duke hapur dyert shqiptarisht për shqiptarët.

Filed Under: Reportazh

Piktori austriak Leopold Forstner dhe Shqipëria

August 13, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Leopold Forstner (1878–1936), një ndër përfaqësuesit më të shquar të Jugendstil-it austriak dhe pjesë e lëvizjes së njohur Secession të Vjenës, la pas një trashëgimi të pasur ku mjeshtëria dekorative bashkohet me ndjeshmërinë artistike. I specializuar në mozaik dhe pllaka dekorative, ai përdorte teknika të përziera dhe materiale të çmuara, duke gërshetuar harmoninë e formës me ngjyrën. Bashkëpunimet e tij me figura të njohura si Gustav Klimt, Otto Wagner, Otto Schönthal dhe Emil Hoppe e vendosin Forstner-in në qendër të skenës artistike të fillimshekullit XX, në një kohë kur arti europian po përjetonte transformime të thella.

Fati e solli që gjatë Luftës së Parë Botërore, kur trupat austro-hungareze u vendosën në veriun dhe qendrën e Shqipërisë (1916–1918) pas shkatërrimit të Serbisë, Forstner të shërbente si oficer i grumbullimit në Shqipëri dhe Maqedoni. Ky rol, përveç detyrave logjistike, i hapi atij mundësinë për të dokumentuar vizualisht jetën e përditshme, arkitekturën dhe tiparet etnografike të vendeve ku qëndroi. Ndryshe nga shumë ushtarakë të kohës, Forstner e shfrytëzoi këtë periudhë për të ndërtuar një arkiv të pasur me vizatime dhe piktura që sot kanë një vlerë të dyfishtë – artistike dhe historike.

Në Shkodër, ai gjeti një qytet me ndërthurje të qartë osmane dhe perëndimore: rrugica të ngushta, çati të pjerrëta, tregje të mbushura me jetë dhe ndërtesa monumentale. Në Tiranën e asaj kohe, ende një qytezë e vogël, regjistroi me kujdes xhamitë, shtëpitë me oborre dhe rrugët me kalldrëm, duke e ruajtur përmes penelit një atmosferë që sot ka humbur. Kavaja e tij është më e qetë, me pamje tregjesh lokale dhe banorë të paraqitur në veshje popullore, ku vërehet qartazi dashuria e artistit për detajet e punimit dhe ngjyrat e gjalla.

Portretet e Forstner-it nuk janë të ftohta apo vetëm dokumentare; ato pasqyrojnë një vështrim të mprehtë mbi psikologjinë e “etnotipit shqiptar”. Ai portretizon burra me plis e kostume kombëtare, gra me veshje të qëndisura shumëngjyrëshe dhe fëmijë me një vështrim të pastër e të drejtpërdrejtë, duke kapur jo vetëm pamjen e tyre, por edhe një ndjesi të brendshme të karakterit dhe krenarisë. Në këtë mënyrë, pikturat e tij bëhen jo vetëm peizazhe urbane, por edhe dëshmi të gjalla të një shoqërie në prag të ndryshimeve të mëdha.

Sot, këto vepra shihen si burime të pazëvendësueshme ikonografike për historinë e qyteteve shqiptare të fillimshekullit XX. Ato janë dëshmi të një periudhe tranzicioni – nga struktura osmane drejt modernizimit – dhe ofrojnë detaje arkitekturore e etnografike që shpesh nuk gjenden më në terren. Për studiuesit, ato janë një dritare për të kuptuar zhvillimet urbane e kulturore të kohës; për botën e artit, ato tregojnë aftësinë e një artisti të formuar në rrymën elegante të Vjenës për të përthithur dhe përçuar estetikisht realitetin shqiptar.

Ekspozitat dhe botimet e viteve të fundit në Austri dhe Shqipëri e kanë rikthyer në vëmendje figurën e Forstner-it, duke e vendosur jo vetëm si një nga mjeshtrit e fundit të Jugendstil-it, por edhe si një kronikan të heshtur vizual të Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore – një artist që, pa e ditur, kontribuoi në ruajtjen e kujtesës historike dhe kulturore të një vendi në ndryshim.

Filed Under: Reportazh

Seminari Mbarëkombëtar me Mësuesit e Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare në Diasporë

August 10, 2025 by s p

Merita Isufi/

Vlerësim mbi Seminarin e XVIII në Shkodër – Përshtypje të përgjithshme

Seminari i XVIII në Shkodër, një traditë tashmë e konsoliduar prej 18 vitesh (një vit në Kosovë, një vit në Shqipëri), u zhvillua me një program të pasur dhe me pjesëmarrje të gjerë të mësuesve nga trevat dhe diaspora shqiptare. Ngjarja shërbeu si një hapësirë e vlefshme për shkëmbimin e ideve, prezantimin e punimeve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të fushës së gjuhës, kulturës dhe arsimit. Atmosfera bashkëpunuese dhe diversiteti i temave të trajtuara ishin ndër pikat më të forta të këtij edicioni.

Vlerat dhe rëndësia

Vlerat e seminarit qëndrojnë në rolin e tij si platformë për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, trashëgimisë kulturore dhe identitetit kombëtar. Seminari krijon mundësi për rrjetëzim dhe nxit frymën e bashkëpunimit mes pjesëmarrësve, duke e forcuar lidhjen mes brezave dhe komuniteteve shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të ministrive, sidomos atyre të arsimit, kulturës apo diasporës, i jep seminarit një peshë zyrtare dhe e bën atë të perceptohet si një aktivitet me rëndësi kombëtare.

Qëllimi dhe përdorimi

Seminari shërbeu për prezantimin e punimeve shkencore, projekteve kulturore dhe përvojave që kontribuojnë në zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare. Diskutimet dhe rekomandimet që dalin nga seminari mund të ndikojnë drejtpërdrejt në hartimin ose përmirësimin e politikave arsimore dhe kulturore, kur ministritë janë të pranishme dhe të angazhuara. Për pjesëmarrësit, sidomos mësuesit e diasporës dhe studiuesit, prania e përfaqësuesve zyrtarë është një shenjë se puna e tyre vlerësohet dhe ka ndikim real. Temat dhe studimet e bera kanë për qellim që të kuptohen më konkretisht dinamikat e organizimit të mësimimdhënies në diasporë. Megjithëse, prindërit ishin një pjesë e studimeve, u vu re mungesa e një puntorie të dedikuar për prindërimin, një temë e domosdoshme për shkak të rolit kyç që prindërit kanë në edukimin e fëmijëve, në ruajtjen e gjuhës amtare dhe në përballjen me sfidat e teknologjisë. Përfshirja e kësaj fushe në të ardhmen do ta pasuronte më tej përmbajtjen e seminarit.

Arritja e qëllimit

Në përgjithësi, seminari e arriti qëllimin e tij, duke bashkuar studiues dhe kontribues të fushave të ndryshme dhe duke nxitur debatin konstruktiv. U fol për intelegjencen Artiviciale dhe perdorimi i sajë në edukimin e identitetit përmes gjuhës dhe udhëtimit mes traditës dhe teknologjisë. U diskutua se si të rritim nderveprimin e pergjegjshëm me mjetet digjitale për të ndihmuar dhe argëtuar fëmijët. U theksua mbi shpejtësinë e bartjes dhe te perhapjes së informacionit, praninë e zhvillimit gjithnjë e më të pasur të rrjeteve sociale, si dhe rreth struktures së një ore mësimore. Këto elemente kontribuojnë drejtpërdrejt në ndërgjegjësimin mbi përdorimin e teknologjisë për krijime konkrete dhe të dobishme me fëmijët. Sidoqoftë, disa aspekte organizative kërkojnë përmirësim. Nisja e punimeve ditën e parë u vonua mbi një orë, dhe ditët në vazhdim nga 20 min me vonesë, ndërsa mungesa e kohës së mjaftueshme për diskutime pas çdo prezantimi kufizoi shkëmbimin e ideve.

Edhe pse nuk iu dha hapësira e merituar, dua të theksoj një gjest thellësisht human e të çmuar: botimin e një libri me poezi të një autori dhe aktivisti që ka kontribuar për vite me radhë në mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë. Ky veprim fisnik u realizua nga një grup mësuesish të Greqisë, në shenjë nderimi për kolegun e tyre të respektuar, duke përdorur pagesën e parë që ato morën nga Ministria e Arsimit.

Gjithnjë duhet të krijojmë hapësirë për mirënjohje të tilla, sepse këto janë shembuj të gjallë të humanizmit dhe solidaritetit. Vlera që, për fat të keq, po bëhen gjithnjë e më të rralla. Përmes librave për fëmijë, qoftë me tregime apo poezi, krijohen materiale shtesë që pasurojnë procesin mësimor me didaktika edukative e nxisin krijimtarinë e të nxënit. Prandaj, një nga aktivitetet e seminarit katërditor do të ishte e vlefshme të përfshinte edhe një përurim libri nga mërgata, si një urë mes mirësisë njerëzore dhe misionit tonë edukativ.

Sugjerime për përmirësim

• Respektimi strikt i orarit, me tolerancë maksimale prej 3-5 minutash.

• Përcaktimi i një personi – kontakti me emër, email dhe numër telefoni për komunikim paraprak.

• Çdo vit të këtë kohë të dedikuar dhe hapsirë për një përurim libri edukativ të autorëve shqiptarë nga mërgata.

• Pas çdo prezantimi të parashikohet kohë e dedikuar për pyetje dhe diskutime.

• Përfshirja e një puntorie të posaçme mbi prindërimin dhe rolin e prindërve në edukimin e fëmijëve ku përfaqësues të jenë edhe prindërit.

Vlerësimi i kumtuesve

Kumtuesit u dalluan për përgatitjen e tyre profesionale dhe temat me përmbajtje të pasur. Prezantimet sollën qasje të ndryshme dhe përvoja të vyera, duke kontribuar ndjeshëm në nivelin e seminarit. Dygjuhësia, ndërkulturalizmi dhe rolet e mësuesit në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit gjuhësor ndërmjet teknologjisë ishin pothuajse të perfshira në secilen puntori të paraqitur. Megjithëse kufizimi i kohës për diskutime nuk lejoi gjithmonë shfrytëzimin maksimal të potencialit të kumtuesve, përpjekjet tona të përbashkëta janë një vlerë dhe frymëzim që i shtohet kombit dhe i dhurohet brezave të ardhshëm në mërgatë.

Akomodimi dhe shërbimi

Një element shumë pozitiv i këtij edicioni ishte akomodimi dhe shërbimi. Hoteli ku qëndruan pjesëmarrësit ofroi kushte të mira, ndërsa ushqimi ishte i shijshëm dhe i organizuar në mënyrë korrekte, duke krijuar një atmosferë të këndshme edhe jashtë sesioneve të punës. Pasditeve të seminarit, pjesëmarrësit përjetuan eksperienca kulturore përmes vizitave në Kalanë e Shkodrës, Muzeun e Marubit, si dhe koncerte duke e përmbyllur ditën me emocione të bukura në shoqërinë dhe miqësinë tashme shmëvjeçare të krijuar me njëri/a – tjetrin/en.

Përfundime

Seminari i XVIII në Shkodër mbetet një pikë referimi e rëndësishme në kalendarin kulturor dhe akademik shqiptar. Me disa përmirësime organizative dhe zgjerimin e tematikave, seminari ka potencialin të shndërrohet në një model edhe më të suksesshëm në vitet që vijnë. “Mirënjohje të thellë për të gjithë kontribuesit dhe organizatorët që bashkuan zërat më të përkushtuar të shqiptarisë në mërgatë. Ata që gjithmonë udhëhiqen nga një mision i përbashkët: të mbajnë të gjallë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë në çdo cep të botës.”

Filed Under: Reportazh

Plotësimi i një amaneti…

August 9, 2025 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Më fund të muajit të kaluar udhëtova nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Kosovë. Presidentja e Republikës së Kosovës Sh. S. Znj. Vjosa Osmani – Sadriu, më ftoi për një pritje që kishte organizuar me përfaqësues të suksesshëm të diasporës shqiptare nëpër botë.

Ishte kënaqësi për mua, u ndjeva vërtetë e vlerësuar nga Ftesa Zyrtare e Presidentes së Republikës së Kosovës Znj. Vjosa Osmani Sadriu. Sigurisht nē atë event të rëndësishëm tē pranishëm ishin edhe Ambasadorët e vendeve përkatëse, mes tyre edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës pranë Misionit të Kombeve të Bashkuara në New Jork, Shkëlqesia e Tij Z. Blerim Reka.

Gjithashtu me ftesë të Presidentes Osmani – Sadriu të pranishëm ishin, e mbijetuara e dhunës e përdhunimit seksual në Kosovë nga forcat militare serbe Znj. Vasfije Krasniqi Goodman, sëbashku me familjarët e saj, vëllain Naim Krasniqin me bashkëshorten e tij Elvirën, pedagoge e matematikës në Tiranë. Gjithashtu të ftuar ishin aktivistët e pa lodhur të çështjes kombëtare Belul Gashi etj.

Fjalën e hapjes e mbajti Presidentja e Republikës së Kosovës Sh. S. Znj. Vjosa Osmani Sadriu, e cila shoqërohej nga bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu. Në Ceremoninë Përshëndetëse, Presidentja Osmani – Sadriu, i uroi mirëseardhjen bashkatdhetarëve në Kosovë. I përgëzoi për arritjet e sukseset e tyre, duke vlerësuar lart përkrahjen dhe mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës në kohë lufte dhe në kohë paqe, si dhe i ftoi për bashkëpunime të mëtejshme. “Pasi edhe pa kontributin e sakrificat tuaja të çmuara – tha ajo – nuk do të fitohej lehtë paqa dhe Pavarësia e Kosovës.

I pranishëm ishte edhe Ansambli artistik “Vatra” nga Zvicra, që udhëhiqet nga artisti dhe aktivisti Lulzim Krasniqi. Ishin veprimtarë të tjerë nga Shqipëria, bota dhe trevat shqiptare. Ky evenimet special mbajtur për bashkatdhetarët në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë u mbyll me një koncert të pasur artistik. Për të pranishmit u shtrua një koktej me ushqime tradicionale shqiptare, pije dhe fruta të stinës.

Si amanet nga im atë, dhe si mbesë e familjes Boletini, nuk mund të lija pa vizituar edhe “Kullën e Boletinëve” varrin e Heroit tonë kombëtar Isa Boletini dhe varrin e djemve, nipave dhe luftëtarëve të Isa Boletinit. Mes emocionesh të forta, këtë rrugëtim nga Prishtina, e mora sëbashku me Heroinën Shqiptare – Vasfije Krasniqi Goodman, vëllain e saj Naim Krasniqin, bashkëshorten e tij, Elvirën e vajzën Alsean. Udhëtuam njëherësh me dy makina, njëra pas tjetrës. 

Me mua ishin edhe disa nga kushërinjtë e mi që jetojnë në Kosovë, të cilëve gjatë kohës së luftës serbët i kishin djegur e shkatërruar Shkollën e Anglishtes në Mitrovicë, ku mësimin e gjuhës angleze e jepnin të gjithë si familje. Me fitoren e Pavarësisë së Kosovës e ringritën përsëri Shkollën, tashmë më të mirë dhe më funksionale përsa i përket mësimdhënies, pasi tani nxënësit, studentët aty praktikojnë e mësojnë jo vetëm anglishten, sigurisht shqipen, por edhe disa gjuhë të tjera të huaja.

Mbrritja në “Kullë” më shtoi më shumë emocionet, pasi në atë tokë që akoma dukeshin gjurmët e gjyleve, preheshin eshtrat e të parëve të mi. Në atë Kullë gjithashtu kishte lindur, rritur e kishte luftuar qysh fëmijë me pushkët e gjata nëpër frëngji edhe gjyshja ime Hajrie Boletini.

Megjithëse u preka, përsëri i mbajta lotët. Më duhej të qëndroja e fortë sikurse gjyshja ime Hajrie Boletini, stërgjyshja ime Ajshe Boletini, teze Ajete Boletini, teze Shehide Boletini etj, të cilat qysh në moshë fare të re jeta i përballi me luftra, vrasje, bombardime, halle e derte e kurrë nuk i ishin përkulur armikut apo të përloteshin. 

Një jetë e tërë me mbresa, kujtime, histori, ëndrra të vrara, luftra e jetë të humbura vetëm e vetëm që populli të jetonte në liri e në paqe. Pas vendosjes së buqetave me lule, në mënyrë solemne hymë një nga një në “Kullë”. Pamë odën e grave, odën e burrave, djepin ku u lindën e rriteshin fëmija, odën ku kuvendonte Isa me luftëtarët e patriotët e kombit shqiptar në Kosovë. Si një amanet i nënës së tij, Shehides, vajzës së Isës, eshtrat e Isa Boletinit, djemve, nipave dhe luftëtarëve të tij mes shumë rreziqeve e kontrolleve të shumta në Mirovicë i solli nipi i Isës, Remzi Murati. 

A person holding a bag of blankets

AI-generated content may be incorrect.

Pas vrasjes së Heroit Isa Boletini, djemve, nipave dhe luftëtarëve të tij në Podgoricë më 23 Janar 1916, eshtrat e tyre qëndruan më tepër se 80 vite në varrezat e Malit të Zi.

Që nga viti 1978 autoritet Kosovare filluan përpjekjet e para për tërheqjen eshtrave të Isa Boletinit dhe luftëtarëve të tjerë në Podgoricë e për t’i rivarrosur ato në vendin e lindjes në Kosovë, ku një nga këmbëngulësit e mëdhenj që eshtrat e Isa Boletinit të mbërrinin nga Mali i Zi në Kosovë ka qenë vetë Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova.

Mos kthimin e eshtrave të Isa Boletinit dhe luftëtarëve të tjerë në Kosovë e kundërshtoi edhe kryetari komunal i Mitrovicës, boshnjaku Osmanagic i cili shkroi: “Mos na i bini eshtrat e këtyre tradhëtarëve”. Nje meritë e veçantë i takon në këtë rast edhe përfaqësuesit të Bashkësisë Islame Idris Demiraj, për interesimin e pakufishëm që tregoi duke njoftuar hoxhën ne Mitrovicë, Prof. Asllan Muratin, Remzi Muratin dhe Muhamet Shukriun, për tërheqjen e eshtrave të Isa Boletinit dhe luftëtarëve të tjerë nga varrezat islame në Podgoricë.

Remzi Murati i biri i Shehide Boletinit mori parasysh çdo gjë, edhe vdekjen që si e si të realizonte amanetin e nënës së tij. Për të përfunduar këtë mision, u nis drejt Podgoricës nga Prishtina me autobus. Remzi Murati u nis në atë udhëtim final duke mbajtur në zemër edhe në shpirt amanetin e nanës së tij të dashur Shehides, që eshtrat e të atit të saj Isa Boletinit të ktheheshin patjetër në Kosovë.

Sipas kontakteve me Armend Muratin, djalin e Remzi Muratit edhe ky veprimtar i njohur i çështjes kombëtare shqiptare, që prej vitesh jeton e punon si inxhinier elektronik në Norvegji, më ka treguar se: “Ditën e kthimit me çantat e eshtrave për në Kosovë, Remzi Murati nuk lejoj që askush tjetër të jetë pranë tij, në rast se policia malazeze serbe do zbulonte se ç’ka ka në çanta. Familja e Remzi Muratit përjetoi disa ditë të vështira pasi që të gjithë e dinin se momenti më i vështirë do ishte transporti për në Mitrovicë nëse gjinden eshtrat, po nuk kishin kontakt me Remziun, dhe ato ditë ishin shumë të rënda për familjen. Remzi Murati sipas ditarit të tij, përshkruan udhëtimin në ndalje të autobusit, ku të gjithë urdhërohen të dalin jashtë dhe të renditen me çantat e veta para këmbëve, dhe në ato momente mendoi se çdo gjë mori fund, me dy çantat para këmbëve të tij, filloi të mendoj se ndoshta policia ka marë informata dhe për atë e ndaluan autobusin. Duke kërkuar nëpër çanta, policia gjeti tek një burrë letërnjoftimin dhe e arrestuan, të tjerëve u thanë të kthehen në vendet e tyre dhe autobusi u nis. Remzi Murati mendoi se do ndalen edhe një herë ose më shumë herë deri në Mitrovicë. Sidoqoftë, arriti në Mitrovicë”.

Ndërsa patriotja dhe mbesa e tij, Ariana Hoxha, punonjëse medicinale në Gjakovë, për median tha:”Daja im, Remzi Murati nuk jetoi që të ishte pjesë e rivarrimit të eshtrave të gjyshit të tij dhe dajëve të tij, dha kontribut deri në ditët e fundit edhe në projektin e renovimit të Kullës si Isa Boletinit. Por vepra e tij mbetet shembëlltyrë për aktin që definon sot ringjallimin e figurës së Isa Boletinit dhe qëndresës së ikonës Shqiptare në veri, si në ditët kur jetoi. Eshtë ky akt, momenti kur thua “o do vdes , o do e bëj” që e definon Remzi Muratin taman si nip i Isa Boletinit. Eshtë shqiptar, është nder, është vendosmëri, është integritet, është heroizëm. Gjaku nuk është ujë”. 

Fotot, shënimet, guri i madh përpara “Kullës” që ishte mburoja e parë e saj nga sulmet e armikut, veshjet e xhamadanët e Isës, të cilat ishin punuar me aq art e dashuri nga duart e nënës së tij Ajshes, me veglën e tezgjahut që ndodhej akoma edhe sot në “Kullë” tërhiqnin vëmendjen e të fusnin thellë në mendime për ngjarjet e së shkuarës…

Në atë “Kulle” ku përveç, luftës dhe vrasjeve, zhvillohej jeta, zihej brumi i bukës, trashëgohej ndër breza artizanati, arti dhe traditat kulturore shqiptare, mësohej gjuha e bukur shqipe. Lindinin e rriteshin fëmijë pa babë, pasi si luftëtarë trima e atdhetarë të flaktë vriteshin nëpër luftra e pusitë e armiqve të cilët e donin Shqipërinë të coptuar. 

Me makinën e vogël të tezgjahut aty u thurrën edhe pëlhurat për plagët e të plagosurve. Pajët e vajzave që nesër do të bëheshin nuse, sa fillonin ndaleshin pasi sulmet e një pasnjëshme tregonin se sa në rrezik ishte jeta e Boletinëve, ku sipas porosisë së Isës në rast sulmi duhej të largoheshin që andej vetëm me rrobat e trupit. Ashtu siç doli nuse edhe gjyshja ime, që kur ishte kthyer Isa dhe vëllezërit e saj nga lufta ishin mërzitur që nuk kishin mundur ta përcillnin nuse. 

Vajtja ime në Mitrovicë, tek “Kulla” në Boletin ishte një amanet i babait tim dhe unë gjithësesi nuk mund të mos e realizoja. Si duket “patëm këmbën e mbarë” pas mbërritjes tonë atje erdhën edhe vizitorë të tjerë, me thënë të drejtën u gëzova. Një ditë më parë “Kullën” e kishte vizituar edhe Ministri në Detyrë i Kulturës në Kosovë Hajrulla Çeku.

Për të lëvizur në Kosovë m’u desh të merja edhe taksi, shoferi i njërës prej tyre më tha: 

– Eh, sikur çfarë ka bërë Isa Boletini. 

– Më falni – i thashë – por më duket, se portreti juaj apo edhe i imi nuk gjendet në flamurin që përshkroi mes përmes stadiumin e Beogradit e valëvitet kudo nëpër botë nga shqiptarët me portretin e Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit.

Kaq u desh e taksixhiu nuk foli më, heshti.

U largova nga “Kulla” në Boletin me mbresa e kujtime të jashtëzakonshme që do të mbeten gjatë në memorien time. Falenderoj me këtë rast, që në këtë ditë të shënuar për mua, pata pranë aktivisten e të drejtave të njeriut Heroinën Vasfije Krasniqi Goodman, të cilës i jap respektin maksimal për guximin e kurajon e saj, që ka treguar dhe flet hapur çdo ditë, ndaj malltrajtimit e dhunës seksuale që është ushtruar ndaj saj nga forcat barbare e kriminelët serbë, familjarët e saj si dhe kushërinjtë e mi.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 194
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FILATELIA SHQIPTARE NË EKSPOZITËN GJERMANE-SUEDEZE : BEPHILA-2026
  • JUSTICE FOR THE BYTYQI BROTHERS — KOSOVA AND AMERICA MUST DO MORE TO ENSURE ACCOUNTABILITY FOR SERBIAN CRIMES
  • Iliria në hartografinë Ptolemeike: Një analizë historiko – hartografike e hartës së Petrus Bertius
  • VATRA DHE DIELLI NGUSHËLLOJNË FAMILJEN HOXHA
  • Sovraniteti i Kosovës në arkitekturën e re ndërkombëtare
  • GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU NË HOLLIVUD
  • Në përvjetorin e dhjetë të Shenjtërimit të Nënë Terezës në Michigan!
  • BALLKANI, PËRTEJ FUÇISË SË BARUTIT
  • Kuvendi i Kosovës kundërshton aktgjykimin e Gjykatës Speciale që dënoi luftëtarët e lirisë
  • SHKOLLA SHQIPE “VATRA” TE VATRA TAMPA BAY FLORIDA
  • AFC, Mirela Nurce and Lushnja Hospital – Where Fashion Meets Compassion
  • Shpëtim Tim Qorraj kandidat për në Parlamentin e Nju Jorkut
  • “Children of the Eagle” tani edhe në Queens!
  • Sukses i madh për vitin akademik 2026–2027 në Staten Island, Brooklyn dhe Bronx
  • DÜSSELDORFI NË ZË TË PROTESTËS: “JO NË EMRIN TIM”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT