
Lush Culaj/
Studimet që trajtojnë diplomacinë në të kaluarën e shqiptarëve janë të rralla dhe jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhë të huaja. Është pikërisht kjo është arsyeja pse çdo vepër me përmbajtje të tillë është me interes të veçantë. E tillë është padyshim edhe vepra e studiuesit Lulzim Nika, Diplomacia ndërkombëtare dhe çështja e Kosovës 1997-1999 e cila trajton një ndër periudhat më të ndjeshme të historisë më të re të Kosovës.
Çdo përpjekje për studime diplomatike, në rrafshin teorik apo historik, kërkohet të bëhet duke e pasur gjithnjë të qartë ndikimin e politikës së forcës, të së drejtës ndërkombëtare dhe të diplomacisë. Gjersa politika vepron paqësisht ose me forcë, sikurse edhe e drejta ndërkombëtare që imponon zgjidhje paqësisht ose me forcë, diplomacia është art i negociatave dhe instrument i zgjidhjeve paqësore të problemeve, ose i parandalimit të tyre.
Pikërisht për arsyet e lartshënuara, në studimin që e po paraqesim autori do të vështrojë e analizojë aspekte të historisë politike aspekte të historisë dhe të teorisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, aspekte të së drejtës ndërkombëtare të ndërlidhura e të ndërvarura ngushtësisht me historinë dhe me teorinë e diplomacisë. Në këtë kontekst të gjerë, pra të ndërlidhjeve ndërmjet politikës së forcës, diplomacisë dhe të drejtës ndërkombëtare, autori do ta pasqyrojë rolin e Kosovës në vitet 1997-1999 në rrjedhat e diplomacisë botërore, evropiane dhe rajonale.
Duke e kuptuar se çështja e Konferencës të Rambujesë në fakt ishte çështje fillestare e zgjedhjes të çështjes të Kosovës dhe duke e parë ecurinë e ngjarjeve në terren dhe rolin e presionit ushtarak mbi procesin e negociatave, edhe faktori shqiptar reagoi konform sygjerimeve të miqeve ndërkombëtar në përgjithësi e sidomos amerikan në veçanti. Ky reagim i dha impulse pozitive procesit në favor të zgjidhjes të çështjes të Kosovës.
Krahas përiekjeve amerikane konsideroj se kjo temë paraqet risi në trajtimin e qasjes diplomatike të vendeve të ndryshme të botës, sidomos në rrafshin e standarteve të drejtës ndërkombëtare, të drejtës të popujve për të vendosur për fatin e tyre, si dhe vullnetit që shtetet demokratike, KS i OKB-së, BE-ja dhe NATO duhej të mbanin qëndrim ndaj zgjedhjes të drejtë të çështjes të Kosovës. Punimi është mbarështruar nga aspekti kronologjik i zhvillimit të ngjarjeve.
Autori Nika konstaton me të drejtë se në ketë periudhë ishin tri nivele të politikave ndërkombëtare të cilat çështjen e Kosovës e kanë vlerësuar nga aspekte të ndryshme, qoftë duke e mbështetur plotësisht si SHBA-ja dhe Britania e Madhe, qoftë duke hezituar në mbështetje si disa shtete të Evropës Perendimore apo duke e kundërshtuar çështjen e Kosovës si Rusia dhe aleatët e saj.
Se mbështetja ameriane për çështjen shqiptare ishte shumë më e hershme vlen për tu veçuar fjalimi i Fan Nolit në Parlamentin shqiptar me 11 shkurt 1924 me rastin e vdekjës të Presidentit amerikan Wilsonit ku ndër të tjera do të theksonte: “ Amerika dhe terë bota vajtuan keto ditë vdekjën e Woodrow Wilsonit. Pranë Amerikës merr pjesë në ketë zi edhe Shqipëria, e cila e quan amerikanin e madh, idealistin bujar dhe mbrojtësin e saj më të fortë. Presidenti Wilson provoi në shekullin e XX se ka një vend i cili edhe prodhon kalorës bujarë për ti mbrojtur jetimët, të vejat dhe të shtypurit. Qysh ta quajmë e ta vajtojmë ketë kalorës pa frikë e pa njollë, chevalier sans peur ni reproche! Amerika , ajo nënë bujare qe i dha Botës Wilsonin ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ai, kalorës të cilët do të vazhdojnë të përfundojnë veprën e Paqës, e vellazërimit, dhe mirëdashjës nderkombëtare”.
Profecia e Nolit se “ Amerika, ajo nënë bujare qe i ka dhënë Botës Wilsonin, ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ai u jetësua pas 75 vitesh. Amerika lindi Bill Klinton, burrë i madh i shekullit qe ishte në ballë të aksionit për ti sjellë lirinë Kosovës.
Monografia është mbështetur kryesisht në trajtimin e shtjellimin e matrialeve nga dora e parë, pra burime arkivore ( letra , dokumente, akte marrëveshje shtypi etj. Për autorin shfrytëzimi i matrialeve të shumta burimore nga arkivat e SHBA-ve, të Britanisë të Madhe të Gjermanisë dhe të disa vendeve të Evropës ishte ndihmesë e madhe për trajtimin e kësaj monografie.
Në rrafshin metodologjik-hulumtues, me qëllim që lexuesi profesionist si dhe ai joprofesional të ketë para vetes një pasqyrë të ngjarjeve sa më komplete në vazhdimësi, duke mos i shkëputur ngjarjet nga konteksti historik, autori brumin e lëndës së këtij studimi e organizon në pesë pjesë të cilat janë të lidhura ngushtë mes veti dhe e përbëjnë boshtin e këtij studimi monografik. Në kapitullin e parë trajtohët historiku i çeshtjës të Kosovës. Në kapitullin e dytë shtjellohët çeshtja e Kosovës në analët e diplomacisë ndërkombëtare 1997-1999. Kapitulli i tretë trajton diplomacisë amerikane në raport me Kosovën kurse kapitulli katërt trajton diplomacinë evropiane në raport me Kosovën. Kapitulli i fundit trajton diplomacinë ruse në raport me Kosovën.
Në fund pasqyrohën burimët dhe literatura si dhe faksimile të ndryshëm diplomatik në lidhje me çeshtjen e Kosovës.
Autori Lulëzim Nika në këtë studim ka qëllim mjaft të qartë, duke spikatur në të gjitha drejtimet e kjo përputhet më përpjekjet diplomatike ndërkombëtare në ato vite të mëdha të përcaktimit të fatit të Kosovës. Natyrisht që peshë të rëndësishme për autorin kishin edhe shtjellimi me pedanti i shkaqeve që kanë ndikuar në to.
Ky libër, i shkruar me një stil të qartë dhe të rrjedhshëm, është rezultat i punës së palodhshme dhe të përzgjedhur të autorit Lulëzim Nika dhe paraqet një punë serioze që përmban problematika të ndjeshme nga e kaluara dhe aktualiteti shqiptar e botëror dhe, si i tillë, plotëson një zbrazëti për opinionin tonë shkencor e kulturor. Vlera e mirëfilltë e këtij libri qëndron në faktin se autori, për ngjarjet që i shtjellon, niset nga koha dhe hapësira e zhvillimit të tyre, duke i shkoqitur si duhet e në mënyrë të duhur si anët pozitive ashtu edhe anët negative të diplomacive që u zhvilluan në atë periudhë kohore në raport me Kosovën.
Nga e terë kjo mund të përfundojmë se diplomacia është më e pasur për një analizë të thukët diplomatike, ndërsa diplomatët, historianët dhe të gjithë lexuesit te libri i Lulzim Nikës gjejnë analiza të thelluara të ngjarjeve dhe momenteve diplomatike të cilat do të shërbejnë për t’i thelluar studimet dhe hulumtimet për kohën në shqyrtim.