
Tirana u zgjua sot me një skenë tragjikomike: fadromat e shtetit që shqyejnë gurët e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të shpëtuar fytyrën e arrogancës së një pushteti të kalbëzuar. Ky është paniku i një qeverie që kujton se duke pastruar rrugën nga gurët, do t’i pastrojë rinisë inatin nga shpirti. Dhuna e të rinjve nuk buron nga kalldrëmi i Bulevardit; ajo buron nga gurët që kjo qeveri i ka vënë nën rrota meritokracisë dhe drejtësisë. Mund ta betonizoni sheshin, por nuk e betonizoni dot zemërimin e një gjenerate.
Pushteti po përpiqet të kurojë simptomën, jo sëmundjen. Terrori policor në rrugët e Tiranës ka tronditur këdo, veç Neronit modern. Kur Neroni po humbiste pushtetin, fjalët e tij të fundit ishin: “Çfarë artisti po humbet bota!”. Sot, Shqipëria e mes-tetorit dëshmon një shfaqje të ngjashme, ku një kryeministër i izoluar përpiqet të shesë veten si teknokrat global, ndërkohë që qyteti poshtë dritares së tij po digjet. Nuk jemi më në rrafshin e një krize politike, por përpara një revolte sociale organike.
Rinia nuk po gjuan me gurë Brukselin, po gjuan modelin e korrupsionit të Tiranës. Ata nuk janë ngritur sepse urrejnë Shqipërinë. Institucionet kanë humbur besueshmërinë, prandaj zemërimi i qytetarëve kthehet kundër simboleve të tyre. Kjo nuk e justifikon dhunën, por tregon sa e thellë është kriza e përfaqësimit.
Në panik e sipër, shteti po shfaq dy simptoma thellësisht të rrezikshme: pengmarrjen e integrimit dhe paranojën e sigurisë shtetërore. I kapluar nga sindroma “L’État, c’est moi” (Shteti jam unë), Kryeministri shantazhon qytetarët duke u thënë se po iku ai, bie rruga e BE-së. Bashkimi Europian negocion me institucione, jo me individë. T’i vësh shqiptarëve gjobën morale “Ose më mbani mua, ose s’ka Europë”, është pengmarrje e së ardhmes. Ky autokrat i izoluar po shfaq hapur mentalitetin: “Ose më mbani mua, ose nuk do të keni asgjë”.
Më alarmant është kalimi i narrativës në një alibi gjeopolitike. Kryeministri, si i sëmuri imagjinar, fshihet pas dronëve dhe sulmeve nga Irani apo Rusia për të justifikuar zemërimin e gjimnazistëve. Ky është kapitullimi logjik i kësaj qeverie. Sigurisht që kushdo mund të përfitojë nga një vend në kaos, por kaosin këtu nuk e krijoi as Putini as Garda Revolucionare iraniane. Kaosin e krijoi korrupsioni dhe kalbëzimi i pushtetit.
Irani na sulmon serverat, por buxhetin, tenderat dhe të ardhmen nuk na i vodhën iranianët. Atë na e vodhën ata që kanë zyrat pranë Kopshtit të Edenit. Ky pushtet ka kaluar në gjendje shtetrrethimi psikologjik. Shteti ynë ka degraduar deri aty sa kërcënon protestuesit civilë me RENEA-n. Ky shtet de facto ka shpallur shoqërinë e vet si armik të armatosur.
Kulmi i këtij dëshpërimi është ofendimi. T’i quash këta të rinj “kokë boshe” është vetëvrasje morale. Le të mos harrojmë: këta protestues janë ekskluzivisht produkt i 13 viteve të qeverisjes së tij. Nëse ata e kanë “kokën boshe”, kjo ndodh sepse kjo qeveri u boshatisi shpresën, xhepat e prindërve dhe mundësinë për të ndërtuar të ardhmen këtu.
Një shtet që ka lënë të lirë eksponentët e krimit të organizuar dhe pushtetarët e qelbëzuar, gjen forcën të përplaset dhëmbë për dhëmbë vetëm me fëmijët e kësaj Republike. Qeveria po premton “dorën e hekurt” të ligjit për 18-vjeçarët që thyen xhama, ndërkohë që ka lejuar “duart e arta” të pushtetarëve që të vjedhin miliona pa iu dridhur qerpiku. Nuk mund të mbulosh kolapsin moral të qeverisjes duke mbushur furgonët e policisë me gjimnazistë. Përplasja brutale e policisë me bijtë dhe bijat e kësaj Republike është pamja më dëshpëruese në rrugën tonë të shtetformimit.
Pushteti ka humbur kontrollin e shtetit. Ai po përpiqet që të kontrollojë pamjen e krizës, kur shkaku i saj kërkon përgjegjësi politike dhe institucionale. Zgjidhja nuk vjen as nga gazi lotsjellës, as nga arroganca. Zgjidhja fillon kur ky pushtet të pranojë që modeli i tij ka rënë. Tani fjalën e ka Drejtësia dhe mjetet demokratike. Sa më shpejt të pastrohen radhët lart, aq më shpejt do të qetësohen rrugët poshtë. Nuk ka për të pasur paqe sociale pa Drejtësi.
Dr. Evarist Beqiri