– nga Visar Zhiti -/
Dua të flas thjesht, ashtu siç e kujtonin im atë dhe ime më, e kishim Mik të familjes në Berat, burrë i lartë nga dera e madhe e Frashërllinjve, – e lavdëronin me shpirt, – bir i Abdyl Frashërit dhe nip i Samiut dhe i Naimit të pavdekshëm, zemërgjerë dhe fisnik si ata, me kulturë të madhe europiane, patriot dhe idealist, iu përkushtua Shqipërisë, Kryetar i Ballit të Kombit, lider moral dhe shkrimtar fin…
Kur im atë u fejua me nënën time në kohë shqetësimesh të mëdha, ishte Lufta II Botërore, ajo donte t’i dhuronte tim eti një qëndismë, qëndiste mahnitshëm dhe im atë vizatoi mbi një copë atllasi të kuqe shqiponjën e zezë dyjkrenore dhe shkruajti 4 vargje për Flamurin Kombëtar, por në atë krizë të rëndë që kishte pllakosur vendin, s’gjendeshin moline për të qëndisur.
– I gjej unë, – tha Mit’hat Frashëri dhe sytë i ndrinin, – por dua të më qëndisësh dhe mua një Flamur ashtu.
– Me shumë dëshirë, – u lumturua nëna ime dhe qëndisi dy flamuj me penjët e artë që solli Mit’hati, ndoshta nga Vjena, Roma a Parisi. Lufta vazhdonte, ata burra luftonin jo vetëm me armë, por dhe me kulturë e dhëmbje duke mbetur njerëz edhe kur ishte aq e vështirë, gati e pamundur dhe nëna ime qëndiste si me fije të arta ëndrre atë që ishte ideal. Një Flamur për tim atë në martesë dhe tjetrin dhuratë për mikun e tyre të shtrenjtë.
Flamurin tonë nëna e ruajti gjithë jetën. Dhe vonë Doktoreshë Linda Spahiu, antropologe dhe koleksioniste e pasionuar, na e vuri Flamurin në një korrnizë të bukur, krijoi një vepër arti që u ekspozuan në Tiranë me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së vendit. Aty janë bashkë vargjet dhe vizatimi i tim eti, duart qëndistare të Nënës time dhe fijet e arta të idealit Frashërjan, që duket sikur zoti Mit’hat i hedh ende nëpër Atdhe si rreze të diellta shprese dhe dashurie.
Sot, në këtë përvjetor të tij u përurua dhe Vepra VII e kolanës së Mit’hat Frashërit nën kujdesin e historianit Uran Butka, që drejton dhe Institutin e Studimeve Historike që mban emrin e atij letrar, “Lumo Skëbdo”. Fijet e arta të Mit’hat Frashërit lidhin në vazhdimësi kujtesën Kombëtare me ardhmërinë…