Rusia e ka publikuar listën e zezë të saj me emrat e shtetasve amerikanë, të cilëve u ndalohet hyrja në këtë vend, në shenjë të hakmarrjes për dokumentin e njohur si “Lista Magnitsky”.
Ministria e jashtme e Rusisë sot e ka publikuar listën e 18 zyrtarëve amerikanë, për të cilët thuhet se “janë implikuar në shkelje të të drejtave të njeriut”.
Në këtë listë gjenden edhe zyrtarë në administratën e ish presidentit George Bush, dhe zyrtarë të përfshirë në dënimet e rusëve, që aktualisht gjenden në burgjet e Shteteve të Bashkuara.
Ky zhvillim u bë një ditë pasi Shtetet e Bashkuara kanë imponuar sanksione të mosdhënies së vizave dhe ngrirje të pasurive të 18 njerëzve, shumica prej tyre shtetas rusë, që dyshohet se kanë bërë shkelje të të drejtave të njeriut.
Për 16 persona rusë në këtë listë, theksohet roli i tyre në rastin e avokatit moskovit, Sergei Magnitsky, i cili i kishte akuzuar zyrtarët rusë për mashtrime tatimore në shumë prej 230 milionë dollarësh.
Avokati Magnitsky vdiq në paraburgim në Moskë në vitin 2009.
SHBA: 18 vetë në Listën Magnitsky/
Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë ndalesë të dhënies së vizave dhe ngrirje të pasurive të 18 personave, shumica prej tyre rusë, që janë emëruar në atë që njihet si “Lista Magnitsky”.
Për 16 persona nga kjo listë theksohet roli i tyre në rastin Sergei Magnitsky, që ishte një avokat rus nga Moska, i cili e kishte akuzuar një numër të zyrtarëve rusë për një skemë të mashtrimit tatimor, në vlerë prej 230 milionë dollarësh.
Pasi i kishte bërë këto akuza, ai ishte ngarkuar nga autoritetet e Rusisë me fshehje të taksave në vitin 2008.
Derisa ishte në paraburgim, Magnitsky ishte rrahur dhe nuk i ishte dhënë përkujdesje mjekësore, kështu që ai kishte vdekur në vitin 2009.
Në listën e Shteteve të Bashkuara, që këta persona i konsideron fajtorë për shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut, gjenden edhe dy çeçenë.
Para shpalljes së mbrëmshme të listës, zëdhënësi i presidencës së Rusisë, Dmitry Peskov, tha se ajo do të ketë “padyshim efekt shumë negativ në raportet bilaterale ruso-amerikane”.