BEJRUT, 6 shtator / Rreth 100 fëmijë irakianë, shiitë dhe jazidë, janë marrë peng dhe po mbahen si të tillë në Mosul, qytet në veri të Irakut, nga xhihadistët e Shtetit Islamik (ISIS), njoftuan burime që gjenden brenda qytetit të Mosulit për faqen kurdo-irakiane të internetit, Rudaw. Megjithatë, ky njoftim nuk mund të konfirmohet ende në mënyrë të pavarur. Sipas këtyre burimeve, 50 fëmijë shiitë dhe 45 jazidë, mbahen peng në një jetimore, në lagjen ”Zuhir”, në qytetin që gjendet nën kontrollin e xhihadistëve të ISIS-it. Të vegjëlit bëjnë pjesë në një grup prej qindra personash, në pjesën më të madhe gra dhe fëmijë, të rrëmbyer nga xhihadistët që në muajin qershor në lokalitetet e Tellafarit dhe Shingalit, në lindje të Mosulit.
31 të vdekur gjatë sulmeve ajrore të regjimit
BEJRUT, 6 shtator– Të paktën 31 persona, civilë dhe xhihadistë, vdiqën gjatë sulmeve ajrore të kryera sot nga aviacioni i regjimit në qytetin Raqa të kontrolluar nga grupi i Shtetit Islamik në lindje të Sirisë, raportoi një OJQ.
“Avionët ushtarakë të regjimit kanë kryer tetë sulme ajrore mbi qytetin Raqa dhe rretthinat e tij”, njoftoi drejtori i Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH), Rami Abdel Rahmane. Sulmet ajrore vranë 16 civilë, mes të cilëve tre fëmijë dhe dy gra si dhe 15 xhihadistë.
Që prej disa javësh, regjimi kryen sulme ajrore kundrejt zonave që janë nën kontrollin xhihadist në veri dhe në lindje të Sirisë.
Sulme ajrore janë kryer edhe gjatë ditës së martë në provincën Deir Ezzor në lindje të Sirirsë, ku humbën jetën 16 persona ku 10 ishin fëmijë