Futboll: Kosova – Finlanda 1 me 1, Shqiperine e shpetoi stuhija, ndeshja u nderpre ne minuten e 75/
Kosova mbylli me rezultat baras 1 me 1 ndeshjen me Finlandën, e para në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror të futbollit.Ndeshja u zhvillua në Turku të Finlandës. Kosova do të përballet në kuadër të grupit edhe me Kroacinë, Ukrainën, Islandën dhe Turqinë.Më 13 maj Kosova u pranua anëtare në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit, dhe kësisoj u hap rruga që ajo të bëhet pjesë e kualifikimeve për Kupën e Botës që mbahet në Rusi më 2018. Kosova u pranua në FIFA dhjetë ditë pasi u anëtarësua në Federatën Evropiane të Futbollit, me gjithë kundërshtimin e Serbisë.
FIFA vendosi në janar të vitit 2014 që t’i lejojë Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare. Megjithatë, ajo kishte vendosur atëbotë kufizime, duke u ndaluar klubeve të Kosovës që të shpalosin simbolet kombëtare apo të intonojnë himnin shtetëror gjatë ndeshjeve. Ajo i ndaloi Kosovës atëbotë që të luajë kundër ekipeve të vendeve që kanë dalë nga ish federata jugosllave.
Tashmë kur ndalesat kanë marrë fund, vëzhguesit thonë se ka mundësi që FIFA dhe UEFA të mbajnë ekipet e Kosovës dhe të Serbisë larg njëra-tjetrës, ngjashëm siç është vepruar me Gjibraltarin dhe Spanjën, prejse Gjibraltari është anëtarësuar në UEFA, tre vjet më parë.Serbia i është kundërvënë anëtarësimit të Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare që kur ajo shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008, ndonëse është përfshirë në një proces bisedimesh me Kosovën në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian.
***
SHQIPERI-MAQEDONI, 1 me 1, Ndeshja u nderpre/
Moti i keq ndërpreu në minutën e 75 ndeshjen mes Shqipërisë dhe Maqedonisë në Loro Boriçi të Shkodrës, e vlefshme për kualifikueset e botërorit rus.
Shiu i dendur dhe era e fortë bënë të pamundur vazhdimin e ndeshjes dhe gjyqtari i takimit vendosi ndërprerjen e saj.
Ndeshja u ndërpre me rezultatin 1-1. Shqipëria kaloi në avantazh që në minutën 9 të pjesës së parë me anë të Sadikut, që lëvizi mirë në hyrje të zonës pasi mori një top të gjatë nga Hysaj.
Kuqezinjtë dominuan pjesën e parë të takimit, megjithëse ishin të paqartë në fazën sulmuese. Në të dytën Maqedonia nisi të shihte me shpesh nga porta jonë, por golin do ta gjente nga një gabim i yni.
Veseli kthen topin keq pas për mbrojtjen dhe nga kjo përfiton Aliovski që i shmanget Gjimshitit dhe dërgon topin pas shpinës së Berishës, në të njëjtin kend ku në pjesën e parë e dërgoi Sadiku.
15 minuta e mbetura të takimit nuk do të luhen sot. Pritet që vazhdimi i ndeshjes të luhet ditën e nesërme.
PO SI DO TE ZHVILLOHET PJESA E MBETUR E NDESHJES?
Menjëherë pas ndërprerjes së ndeshjes, zyrtarët e FIFA-s, UEFA-s si dhe përfaqësuesit e të dy skuadrave janë mbledhur në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi” për të diskutuar rreth mënyrës së si do të zhvillohen minutat e mbetura të takimit.Rregullorja parashikon që në raste të tilla, kur ka ndërprerje të ndeshjeve për shkak të kushteve atmosferike, minutat e mbetura mund të zhvillohen brenda 24 orëve të ardhshme, nëse kushtet janë të përshtatshme.Ekipi maqedonas kërkon që ndeshja të zhvillohet nësër në orën 12:00.Ekipi shqiptar kërkon që ndeshja të luhet në orën 16:00, pasi skuadra nuk ka rezervuar hotel në Shkodër.