-Ministret Gërvalla dhe Nagavci takojnë mësuesit e diasporës, u sigurojnë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për mësimin plotësues shqip. Të punohet në drejtim të shtimit të numrit të fëmijëve shqiptarë që ndjekin mësimin shqip në diasporë/
PRISHTINË, 28 Korrik 2021-Gazeta DIELLI- Behlul Jashari/ Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj.Donika Gërvalla, së bashku me ministren e Arsimit znj. Arbërie Nagavci dhe zëvendësministren e MPJD-së znj.Liza Gashi, ishin nikoqire të një grupi të mësuesve nga diaspora, me të cilët zhvilluan takim për të diskutuar për procesin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe jashtë vendit. Me këtë rast, ministrja Gërvalla ka theksuar se qëllimi i këtij takimi është që të diskutohen nevojat dhe kërkesat që kanë mësimdhënësit e mërgatës. “Sot do të dëgjojmë kërkesat e juaja, do të ndërtojmë ura të komunikimit, të shqyrtojmë kërkesat dhe më pas të bëjmë hapa konkretë”, u ka thënë ajo mësimdhënësve. Kurse ministrja Nagavci ka thënë se Ministria e Arsimit dhe ajo e Diasporës janë në bashkëpunim të vazhdueshëm për të koordinuar punët për arsimin dhe mësimin e gjuhës shqipe në diasporë. Gjithashtu ka theksuar nevojën që të punohet në drejtim të shtimit të numrit të fëmijëve shqiptarë që ndjekin mësimin shqip në diasporë. Zëvendësministrja Gashi, ka theksuar se mësimi plotësues i gjuhës shqipe në diasporë ka nevojë për përmirësim dhe institucionalizim. Në këtë drejtim ka thënë se do të ngritet nevoja për certifikim të gjuhës shqipe jashtë vendit.