Disa ditë më parë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, z.. Filip Kosnett, e vizitoi ish-Senatorin amerikan, z.. Robert Dole, në zyrën e tij në Washington. Kryediplomati amerikan në Prishtinë njoftoi se së shpejti në Prishtinë do të ngritet shtatorja e z. Dole.
“Ishte kënaqësi për mua t’ia dorëzoja personalisht Senatorit Dole fotografinë e shtatores së tij që do të zbulohet së shpejti në Prishtinë, (punuar nga skulptori Luan Mulliqi), për këtë burrë të shquar e plot merita”, shkroi ambasadori Kosnett.
Senatori Dole, nga ana e tij, shprehu kënaqësinë për ngroitjen e shtatores së tij në Prishtinë dhe e falënderoi përfaqësuesin e lartë diplomatik amerikan në Kosovë për vizitën. Ai e lavdëroi ambasadorin për punën e tij në Kosovë.
“Po bën një punë të mrekullueshme, si përfaqësues i Shteteve të Bashkuara në Kosovë”, shkroi Z. Dole në portalin e tij.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett, duke i dorëzuar ish-Senatorit Robert Dole fotografinë e shtatores së tij që do të ngritet në Prishtinë./
Autoritetet e Republikës së Kosovës kishin marrë vendim për t’i ngritur shtatore ish-Senatorit republikan Bob Dole në Prishtinë, në vitin 2018, me rastin e 95-vjetorit të ligjvënësit amerikan, njërit ndër politikanët më të respektuar amerikanë të fund shekullit të kaluar, për përpjekjet e tij në mbështetje të çlirimit dhe të pavarësisë së Kosovës. Shtatorja e Senatorit Dole do të vendoset në cep të Rrugës Bob Dole dhe Bulevardit Bill Clinton, rrugë këto që, siç tha ambasadori amerikan Kosnett, janë emërtuar sipas dy kundërshtarëve politikë amerikanë, përfaqësues të dy partive të ndryshme politike, njëri republikan e tjetri demokrat, që me gjithë dallimet e tyre në rrafshin e zhvillimeve politike në Amerikë, ishin miq të ngushtë me njëri-tjetrin. Ambasadori Kosnet tha se ata (Dole dhe Clinton) kishin të njëjtën dashuri për Atdheun e tyre dhe ishin të përkushtuar ndaj shërbimit për të tjerët, ndërkohë që përpiqeshin të bashkëpunonin kurdoherë që ishte e mundur.
“Do të bënim mirë të gjithë, në qoftë se do ta përqafonim filozofinë e Senatorit Bob Dole, sepse në politikë kemi kundërshtarë, por jo armiq”, u shpreh Kosnett.
Senatori Robert Dole me tre ish-presidentët amerikanë, Xhorxh Bushin e vjetër, Bill Klinton dhe Xhorxh Bushin e ri, mbështetësve të mëdhenj për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Bushi i vjetër e tërhoqi “vijën e kuqe”për Serbinë,Clintoni e mobilzoi NATO-n për çlirimin e Kosovës, kurse Bushi i ri e publikoi vendimin për shpalljen e pavarësisë së Kosovës në Tiranë…
Senatori Robert Dole, ish-veteran i Luftës së Dytë Botërore, Kongresmen dhe Senator nga shteti Kansas, udhëheqës i republikanëve në Senat dhe kandidat i Partisë Republikane për President të Shteteve të Bashkuara, e kishte bërë çështjen e Kosovës kauzë të tij, që në fillim të viteve 90 të shekullit të kaluar.
Në një letër dërguar Dr. Ibrahim Rugovës, më 19 shtator 1991, Senatori Dole, në atë kohë udhëheqës i republikanëve në Senat dhe kryetar i Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme dhe Senatori demokrat Claiborne Pell, shprehnin shqetësimin për gjendjen e rëndë në Kosovë.
“Siç e dini, ne jemi shumë të shqetësuar për gjendjen në Kosovë. Për vite të tëra popullsia shqiptare në Kosovë është objekt shtypjesh dhe mohimesh të të drejtave të njeriut nga regjimi i egër komunist i Republikës së Serbisë…”, shkruanin ata.
Senatorët amerikanë e kuptonin se situata në Kosovë ishte e rrezikshme dhe e paparashikueshme. Ata e ftonin Dr. Ibrahim Rugovën që të vizitonte Washingtonin, sa më parë që të ishte e mundur për, siç shkruanin, “për t’u takuar me ta dhe me senatorë të tjerë të interesuar për gjendjen në Kosovë, për t’u këshilluar me ju për hapat më të mirë që duhet të merren, individualisht dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin”.
Kështu filloi edhe ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës, fillimisht me sensibilizimin e popullit amerikan dhe të përfaqësuesve të tij në Kongres. Senatori Bob Dole, me letrat e tij të shumta dërguar udhëheqësve të botës, tërhiqte vërejtjen për gjendjen në Kosovë. Kështu ai e sensibilizoi edhe opinionin ndërkombëtar për shkejljen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe për aspiratat e tyre për një Kosovë të lirë dhe të pavarur.
Angazhimi dhe roli i tij, brenda dhe jashtë vendit, në atë kohë, ishte krucial për zhvillimin e punëve në favor të Kosovës, sidomos gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar, që kulmuan me çlirimin e Kosovë dhe më pas edhe me pavarësinë e saj.
Shtatorja e Senatorit republikan Robert Dole në Prishtinë u bashkohet shtatores së ish-presidentit amerikan demokrat Bill Klinton dhe bustit të bashkëpuntores së tij të ngushtë, ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright. Kjo është edhe një simbolikë e frymës së bashkëpunimit të dy partive kryesore amerikane në mbështetje të aspiratave të Kosovës për liri e pavarësi. Kjo frymë bashkëpunimi midis liderëve e përfaqësuesve të dy partive amerikane, republikanëve dhe demorkatëve, përsa i përket Kosovës, vazhdon edhe sot.
Ambasadori Philip Kosnett në ceremoninë e inaugurimit të vendit ku do të ngritet shtatorja e Senatorit Dole, Prishtinë, 22korrik, 2019..
Duke folur për angazhimin e ish-Senatorit Bob Dole për lirinë dhe të drejtat e poullit të Kosovës, gjatë inaugurimit të vendit ku do të ngritet shtatorja e Senatorit Dole, Ambasadori Kosnett zgjodhu fjalët më të mira për Z. Dole.
“Një udhëheqës në promovimin e kauzës së lirisë anembanë botës. Nuk është për t’u çuditur që ai u bë një mbështetës i pazevëndsueshëm i Kosovës, duke qëndruar pranë dhe në mbështetje të popullit të këtij vendi, në përpjekjet e tij për të ndërtuar një shtet të fortë dhe të lirë”, ka thënë me atë rast kryediplomati amerikan në Prishtinë.
Duhet thënë se kjo frymë bashkëpunimi është njohur dhe vlerësuar shumë prej popullit të Kosovës, ndihma e burrave dhe grave amerikane në mbështetje të Kosovës gjatë dekadave. Siç është shprehur edhe Ibrahim Rugova, shpresojmë që, më në fund, kjo frymë bashkëpunimi të sigurojë një miqësi të përhershme, jo vetëm midis Shteteve të Bashkuara e Kosovës, por edhe midis Kombit Amerikan dhe Kombit Shqiptar, në përgjithësi.
Me gjithë grindjet dhe mosmarrëveshjet midis partive të ndryshme politike në Kosovë dhe në Shqipëri, duket se kjo miqësi është e pacenueshme dhe ngritja e shtatores së ish-Senatorit Republikan Robert Dole në Prishtinë e shpreh mirënjohjen e gjithë klasës politike shqiptare dhe të popullit të Kosovës ndaj burrave të shtetit amerikan që kontribuan në thememlimin e shtetit të pavarur e të lirë të Kosovës.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Filip Kosnett, me rastin e inaugurimit të vendit ku do të vendoset shtatorja e Senatorit Dole në Prishtinë, ka theksuar se miqësia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara nuk varet nga një parti apo nga një individ, sepse ajo është miqësi mes dy popujve.
“Qeveritë tona nuk do të pajtohen gjithmonë për politikat e ndryshme dhe do të nevojitet punë serioze për të mbajtur qëndrimet tona në përputhje me njëra-tjetrën, ndërsa partneriteti i Kosovës me Shtetet e Bashkuara rritet. Por, një gjë është e qartë: miqësia e qëndrueshme midis popullit të Kosovës dhe popullit të Shteteve të Bashkuara nuk varet nga ndonjë parti politike apo nga ndonjë individ, në veçanti, sepse janë lidhje ndërmjet dy popujve tanë”, është shprehur ambasadori amerikan në Prishtinë.
Po e përfundoj këtë shkrim me fjalët e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Z. Kosnett që i tha në inaugurimin e vendit ku do të ngritet së shpejti shtatorja e Senatorit Dole në Prishtinë, me shpresë që zbulimi i shtatores së Senatorit Amerikan Robert Dole në Prishtinë do të jetë një moment që të fokusohemi në vlerat që i kanë bashkuar popullin e Shteteve të Bashkuara dhe popullin e Kosovës.
“Le të frymëzojë ky monument i Bob Dolit për përpjekje të reja për të ndërtuar një atdhe që e meritojnë fëmijët e Kosovës, një Kosovë që do të jetojë në paqe me fiqnjët e saj, një vend me drejtësi dhe mundësi të barabarta për të gjithë, pa dallim”, është shprehur ambasadori amerikan në Kosovë, Filip Kosnett.
Shpresojmë që ashtu do të jetë!
Autori (Frank Shkreli) me Senatorin Robert Dole, në darkën e dekorimit të tij me çmimin “Duart e Shpresës”, nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Washington, shtator, 2005