Shkruan: Marjana Bulku/
Eshtë i pashmangshëm akti i të kthyerit të kokës prapa kur ikën prej nga një vend që ka qënë mjedisi yt. Sa më tepër i largohesh,aq më shumë i kthehesh me një shikim, kujtim, mall,brengë,dëshirë rikthimi. Kështu vepruan të gjitha Ata, para nesh, ndoshta edhe ato pas nesh, ndonëse uroj që kjo ”hemoragji” disa shekullore që zanafillat i ka me 250 000 shqiptarët e parë të ikur menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut, të mos vazhdojë më edhe pse histori liderësh të mëdhenj që bien po përsëriten . Është i paharruar përqafimi i fundit me shtëpinë, njerëzit e dashur, të paharrueshme përpjekjet e një jete të gjatë që nuk janë vetëm kujtime,por edhe lumenj djerse, biseda të ngrohta,të nxehta,të ftohta,,,me miq, nga ata që koha i ve në provë. E pamundur të ecësh me ritmin e një jete që vrapon pa menduar për atë ritëm që të ndiqte dhe e ndiqje rrugës së gjatë për të ndërtuar atë që është piksynimi i cdo qelize shoqërore(familje), jetesën apo ndoshta edhe mbijetesën. Unë ëndërrova Shqipërinë Zonjë! Nuk e gjeta kurrë në fjalime pompoze,parrulla shkruar me aq mund faqeve malesh,muresh,,, Nuk më mjaftuan vargjet e Naimit. Ishte shumë larg për tia numëruar majat, lisat, bagëtinë, dhimbjet ,historitë jo vetëm ato të lashtat e vetëm malli ndonjëherë nuk mjafton… Nuk arrita ta takoj atë as në vargjet e Cajupit, ishte shumë i brengosur për tia zbuluar nurin,edhe pse traditat, mangësite e zullumet ia dinte si askush tjetër dhe satira e tij ther. E kërkova në vargjet e Serembes dhe zbulova dramën e trefishtë shqiptare , atë të shqiptarit këtu, atje, pa atdhe. U dashurova me veprën e Martin Camajt edhe pse ftohtësia hermetike e izolimit e ndau nga lexuesit e vet dekadash. ”Kur të vdes do të bahem bar” më rrëfen se sa e pamundur ishte ëndrra për ta parë,takuar atë Shqipërinë Zonjë. Duke ëndërruar Shqipërinw Zonjë përshkova tej e per tej Fishtën , Konicën,Poradecin… Dhe në këmbim të ëndrrës mora brengën e Fishtës deri ne dëshpërim,tragjizmin e Pashko Vasos, multidimensionalitetin e Konicës si thesarin e kultures shqiptare që nëse e zbulon mbart jo pak vezullime të asaj Shqipërie Zonje që cdokush do donte ta shihte, e ndoshta arsyjet pse nuk mundem ta shihnim.Yjet që vallëzojnë përmbi liqenin e qetë e të trazuar të Poradecit gdhendën përfundimisht një qytet shqiptar që duhet vizituar dhe ndoshta vargu piktoresk i dha emrin, madhështine, magjinë … Kur më merr malli për Shqipërinë Zonjë i drejtohem gjithmonë një rafti me libra,,, Ekskursioneve fotografike nuk u besoj me… sepse aty nuk e gjej kurrë ate zonjën Shqipëri ku syri është subjektiv, gënjeshtar, e shpesh here joshet nga vezullime e shkëlqime të rreme. Mendja ime kërkon fjalën, atë që gdhend shqiptarin e mirë, të hijshëm, të ndershëm,punëtor, familjar, të besës, trimin, të drejtin ,të përvuajturin, atë që ringrihet mbi padrejtesinë për të mos u viktimizuar, por edhe atë që nuk bën protagonistin duke u viktimizuar… Kërkimi është i vështirë…Botimet shqiptare jane intensifikuar vitet e fundit. Personazhet jane shumuar,por jo fatet që përgjithësojnë. Të gjithë shkruajnë, por pak e dëgjojmë dhe lexojme njëri-tjetrin, reklama shet produktin dhe jo gjithmonë atë më të mirë. Multipromocion…dhe në kushtet e mungesës së oponencës në botim lexuesi e ka të vështirë të jetë kritik e të mireorientohet në tregun kaotik. Liria e përzgjedhjes ndonjëhere ”vret” dhe viktima zakonisht është e ardhmja… Prandaj unë dua të lexoj për Shqipërinë Zonjë, t’ju tregoj fëmijëve të mi që po rriten këtu(larg Shqipërisë), miqve që nuk e njohin Shqipërinë ,atë zonjën , legjendaren,krenaren,,, Kur multimedia nxin prej lajmesh që shokojnë,,,intensifikoj kërkimin dhe shfletoj paragrafe që dua ti ndaj me të tjerë,tekste dhe autore që i mbaj udhëtimeve si pjesëza të identitetit tim të copëzuar tashmë në kohë dhe hapësirë. A nuk është kjo ”drama” e cdo shqiptari brenda dhe jasht Shqipërise në epoken e globalizmit ku liria e lëvizjes shpërngul dhe lëviz vlerat e identitetit tonë?! Veprat e shkruara janë një produkt i mirë që flasin ,gdhendin, ndërtojnë imazhe që mund ti shohësh,përjetosh edhe pse larg në kohë dhe distancë…Vlerat që na bashkojnë, ato që jetojnë më gjatë se ne janë aty nëpër fletët e shumta të një libri që ti e zgjedh jo spontanisht nëpër tregun kaotik. ”Në kostumet e tyre ,gratë shqiptare janë tw shkëlqyera me një hijeshi të jashtëzakonshme dhe të bukur.Qëndisma të pacmuara të dantellave,mëndafshit dhe ngjyrave të shndritëshme e zbukurojnë pamjen e tyre krejt ,krejt tw vecantë” -kështu do të shkruante amerikani Charld Telford Erickson mikut të tij gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri… ”Këtu shoh burra që janë aq krenare për vendin e tyre ku besnikeria ,vyrtytet dhe pastërtia morale në jetë kurrë nuk mund të vihet në dyshim” ( citim nga ”Jeta e jashtë zakonshme e amerikanit Charles Telford Erickson kushtuar Shqipërise” nga Mal Berisha fq 30, fq 33). Përpara se të themi përshëndetje dhe lamtumirë në një botë jo të përkryer le të ndalemi e të kujtohemi se ekzistojnë gjurme të të mirës, thelbi i fshehtë i të cilës nuk duhet braktisur edhe nëse endet andej -këtej, ekzistojnë disa”fluturime” që mundësojne formësimin e saj . Kur duam që veten ta shohim të bukur dhe realiteti sillet kërcënueshwm ,nëpër mendje sjell letërsi ,autorë, artistë , akte të thjeshta plot kuptim që edhe pse nuk janë në fokusin e mediave dhe vemendjes ,kujtesa njerëzore duhet ti krijojë terren që Shqiperia Zonjë, ajo që ndoshta unë nuk e gjeta dot. që kurrë nuk na e ndërtoi politika dhe qevetitë , le të jetë akt i krijimtarise humane në cdo fushë.Këtë po, ne mundemi ta zhvillojmë edhe në biseda të thjeshta. Të bukurën në cdo gjë! Faleminderit të gjithë atyre që mundësojnë me shpirt dhe vepra një gjë të tillë. Janar 2014