Opozitarizmi është kulturë e munguar në Shqipëri , dhe jo vetëm në Shqipëri ,e ndofta prandaj është kaq e vështirë ekzistenca dhe mbijetesa e tij edhe pse është një nevojë kaq jetike e munguar dhe e domosdoshme.
Në vënde si Shqipëria ku mungojnë rregullat dhe standartet e ku lehtësisht liria ka si derivat ose kaosin ,ose frikën ,fenomeni i mungesës së opozitarizmit bëhet shqetësues pasi e shpie vendin dhe të drejtat në lakun e krizave të thella shoqërore, morale madje edhe ekzistenciale.
Kur hedh sytë nëpër histori të afërta dhe të largëta sheh se sa i vetmuar , mohuar dhe dhunuar është “ zëri që kundërshton “, ai që nuk dakortësohet me të gjithë dhe me gjithçka por mbetet si një tentativë e vazhdueshme për dëgjim dhe respektim të principeve apo parimeve individualiste prej të cilave lind evoluimi.
Pikërisht këtu zë fill e nis logjika që i jep frymë opozitarizmit.
Si një instrument që nuk i nënshtrohet grupit i cili jo gjithmonë ka të drejtë opozitarizmi bëhet embrion i një të drejte që hesht, i një të drejte që nuk duhet të dhunohet, i një të drejte që duhet të mbrohet.
E keqja jo rrallë herë “ përqafohet” nga turma, madje e kundërta është e vërtetë ajo vetëm sa e nënshtron atë pêr shkak të dy elementëve fatkeqë që mbisundojnë sjelljet njerëzore ; servilizmi dhe të qenit sipërfaqsor.
Edhe kur turma thërret dhe duartroket për dikë ( mungesë thellimi dhe të menduari) , kjo jo gjithmonë është për tju gëzuar .
Si ta ndihmosh opozitarizmin ?!
Kjo nënkupton të jesh objektiv në perceptimin e realitetit, të njohësh problemet jetike që prekin dhe përndjekin jetët, të dallosh të keqen , të ndihmosh fatkeqin, të jesh i vërtetë dhe realist, të dëgjosh “ zërin që s’ flet dot “ të jesh me të drejtat e të drejtëve në një botë ku jo çdo e drejtë e fituar / dhuruar është realisht e drejtë.
Mund edhe të duket teorike renditja ;1, 2, 3 por opozitarizmi është edhe logjikë .
Opozitarizmi dhe e vërteta jane gjithmonë bashkë dhe e vêrtetë do të thotë fakt, ngjarje, përjetim, rrëfim, përllogaritje e të gjithave dhe dëshmi me çdo mjet e tyre .
Opozitarizmi dhe mos heshtja ecin paralel , nuk ka armik më të madh të opozitarizmit se heshtja .
A nuk heshtën të drejtat e shqiptarëve për infinit vjet ?!
Dhe rezultati ishte nënshtrimi i tyre ndaj dhunës fizike dhe ekonomike për pa limit vjet .
Opozitarizmi ka partner ndershmërinë dhe principet ;ato në familje , miqësi , shoqëri, organizatë ,etj. Duket teori por janë të drejtët ata që dhunohen më shumë në shoqëritë kur rolin e mbrojtësit të të drejtave e bëjnë jo pak herë pikërisht dhunuesit e tyre.
Opozitarizmi dhe besueshmëria janë dy koncepte që kanë si bazë objektivizmin . Pra për sa kohë ekziston e vërteta : si fakt , si dokument , si dëshmi, si akt ,si zë që ngre krye dhe ZË ,opozitarizmi merr shtigjet e lirisë që vazhdimisht cungohet nga errësira përballë ; ajo e iluminimit të rremë, dhunës , mohimit dhe denigrimit .
Ndaj duhen dëgjuar viktimat e dhunës , ata që nuk flasin, flaken, denigrohen ,ata sistemi i gjatë i pa lirisë i la të pa zë, të pa shkollë, të pa shpresë , të pa krahë .
Dhe vonë nuk është kurrë të fillohet nga ata sepse e drejta flen mbi plagë të vjetra dhe të reja .
Kurrë nuk është vonë për t’u kthyer aty ku zinxhirët e fajeve kanë zënë ndryshk prej lotëve të neglizhencës edhe të harrimit .
Opozitarizmi është filiz lirie!
Marjana Bulku