Nga Astrit Lulushi/
Pavarësia nuk është fjalë boshe dhe as pavlerë. Njeriu lind i pambrojtur dhe i pa-aftë të mbrojë veten, fat i paracaktuar për të qenë i varur. Kështu, mbrojtja e jetës mund të thuhet se ka vlerë, por për cilin? Për atë qe merr përgjegjësinë ta mbrojë. Sepse si mund t’i kërkohet një tjetri të rrezikojë jetën e vet për të mbrojtur tënden?
Gjëja më e frikshme është gjēja më e zakonshme. Besimi në dikë është çlirim nga përgjegjësia e vetes edhe kjo është kaq e zakonshme. Njeriu heq dorë nga pavarësia duke mos pranuar të marrë përgjegjësi për mbrojtjen e jetës së vet. Karakteristika thelbësore e të gjitha qeverive, pavarësisht nga forma, është autoriteti, vendosur diku me respekt e diku me forcë, frikë e mashtrim. Qeveria është forcë e organizuar, jo domosdoshmërisht me ose pa forcë, për të sunduar e dominuar të tjerët.
Hapi më i thjeshtë i një individi të guximshëm, thotë Solzhenicin,
është që të mos marrë pjesë në gënjeshtër. Vetëm një fjalë në përkrahje të së vërtetës ai tejkalon gjithë botën.
Dikur, shpesh edhe sot, ishte tmerrësisht e rrezikshme që njeriu mendimet e veta t’i shfaqete brenda rrezes së një teleskopi. Gjëja më e vogël që mund të shkaktonte ishte një qëndrim nervoz, një ankth i pavetëdijshëm, një zakon për të pëshpëritur me veten – që e bënte të dukej i çmendur – të kishe diçka për të fshehur, në çdo rast, të mbaje një shprehje të pakënashme në fytyrë … ishte një vepër e dënueshme.
Imagjino të jetoje në objektivin e shikimit 24 orë, 7 ditë në javë, nën indoktrinim dhe kushtëzim nga autoriteti. Çlirimi nga unaza e mbikëqyrësve institucionalë nuk ka shpëtim, nuk ka afat, dhe asnjëherë nuk jepet falas. Tani pyesni: Sa të pavarur e të çliruar jemi?