
Nobert Jokli, i cilësuar si babai i albanologjisë, lindi më 25 shkurt 1877 në Bzenec të Moravisë Jugore, në një familje hebreje. Fillimisht u doktorua në jurispondencë, por shumë shpejt iu përkushtua gjuhësisë krahasuese indoevropiane, sllave, gjermanike e romane. Si përgjegjës i bibliotekës së Universitetit të Vjenës dhe ligjërues i gjuhësisë fino-ugriane dhe i filologjisë baltike-sllave-shqiptare, ai u bë një figurë e respektuar në qarqet akademike europiane. Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Rumanisë dhe Danimarkës, ndërsa në vitin 1937 u nderua nga mbreti Zog me “Urdhrin e Skënderbeut” gjatë vizitës së tij në Shqipëri.
Kontributi i Joklit për studimet shqiptare është i pazëvendësueshëm. Ai hapi shtigje të reja në fonetikën historike, në vendosjen e kronologjive relative të ndryshimeve fonetike, në morfologjinë historike, në historinë e fjalëve dhe etimologjinë. Studimet e tij për raportet e shqipes me gjuhët e lashtësisë — ilirishten, trakishten, greqishten e vjetër, latinitetin ballkanik — dhe me gjuhët fqinje si rumanishtja, greqishtja e re e gjuhët sllave, mbeten me vlerë edhe sot. Veprat e tij madhore, si “Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes” dhe “Kërkime gjuhësore – kulturohistorike nga fusha e shqipes”, janë gurë themeli të albanologjisë. Miqësia e tij me intelektualë shqiptarë si Faik Konica, Aleksandër Xhuvani, Ernest Koliqi e Gjergj Fishta, si dhe korrespondenca e dendur me personalitete europiane, dëshmojnë përkushtimin e tij të rrallë ndaj kulturës shqiptare.
Jokli krijoi një bibliotekë albanologjike e indogjermanistike me rreth 3000 libra, ku ruhej edhe dorëshkrimi i një fjalori etimologjik të shqipes — vazhdim i punës së Gustav Meyerit. Fatkeqësisht, ky dorëshkrim humbi në pranverën e vitit 1942.
Kalvari i Joklit nisi në vitin 1938, kur iu mohuan të drejtat profesionale për shkak të origjinës hebreje. Përpjekjet e miqve shqiptarë e italianë për ta sjellë në Shqipëri si organizator të bibliotekave dhe arkivave shtetërore dështuan. Më 4 mars 1942 ai u arrestua nga Gestapoja në Vjenë dhe më 6 maj 1942 humbi jetën, sipas burimeve ose në kazermën Roßauer, ose në kampin e shfarosjes Maly Trostenets pranë Minsk-ut. Me vdekjen e tij, albanologjia humbi mjeshtrin e saj më të madh, ndërsa biblioteka dhe dorëshkrimet e tij u shpërndanë ose u zhdukën.
Norbert Jokli mbetet një nga figurat që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e gjuhës shqipe dhe kulturës kombëtare. Trashëgimia e tij është një thesar i gjallë për brezat e studiuesve dhe një dëshmi e përjetshme e dashurisë së tij për Shqipërinë.