Ne Foto:Kampioni i Amerikës Latine,Rafail Dishnica-GËRNJOTI-Rafail Dishnica-GËRNJOTI- Kampioni i Amerikës Latine, BABAI I BOKSIT SHQIPTAR/
Nga Vangjel Simaku/
Ai quhej Rafail Dishnica – Gërnjoti. Rridhte nga një familje vllahe nga Frasheri i Përmetit. Lindi pikërisht te ky fshat me emër të madh, Frashër, në vitin 1902. Më pas familja shpërngulet dhe u vendos në fshatin Dishnicë të Korcës, nga ku buron edhe mbiemri i tij. Kur Rafaili ishte ende i vogël, emigroi bashkë me familjen drejt Amerikës Latine, në Argjentinë, ku shumë shpejt do të shdërrohej në kampionin e saj. Rafail Dishnica-Gërnjoti, ishte një talent i rrallë në sportin e boksit. Dallohej vecanërisht për forcën goditëse dhe befasitë, aq të domosdoshme në këtë sport. Në krejt ndeshjet e të rinjve zhvilluar në vitet ’20-të në Argjentin, ai doli fitues. Ra shumë shpejt në sy të trajnerit të shquar argjentinas, Migrales, i cili do ta stërviste me shumë kujdes kampionin e ardhshëm, duke u ndeshur me boksierët më të mirë të atij vendi. Tri herë rradhazi i riu i talentuar do të fitojë titullin kampion i Argjentinës, për peshën e mesme. Sukseset erdhën njëra pas tjetrës. Tashmë boksier profesionist, ai do të ndeshej me figura të shquara të boksit botëror në Argjentinë, Brazil, Uruguai, Kili , Bolivi, Ekuador etj. Në ndeshjen e zhvilluar në vitin 1931-ë, në Rio de Zhaneiro fitoi titullin “Kampion i Amerikës Latine “.
Por më 1937-ë, kampioni latino-amerikan kthehet në Korcë. I patën propozuar të merrte nënshtetësinë argjentinase, por ai nuk pranoi. Toka e të parëve e tërhiqte si me magnet. Ai u kthye në Shqipëri për të vazhduar këtu rrugën e suksesit. Rafail Dishnica-Gërnjoti, ishte jo vetëm boksieri- themelues i këtij sporti të bukur e guximtar në Shqipëri, por edhe traineri dhe edukatori i aftë. Rafaili martohet dhe pati shtatë fëmijë, nga të cilët katër djem, dhe që të gjithë u bënë boksierë. Traineri i tyre i parë pa dyshim ishte ai vete; “Mjeshtri i Merituar i Sportit “. Në Shqipëri u ndesh me figura të shquara të boksit shqiptar si Sotir Polena, Pandi Shano, Ali Kastrati, Thanas Qafzezi, si dhe me figura të shquara botërore si; gjermanin Arthur Ëinter, maqedonasin Vllado Markovic, kampionin e Greqise Janis Milopotamitaqis, serbin Mihal Celik, etj .
Korcarët i mbajnë mend ndeshjet e tij të mrekullueshme, goditjet e tij të rrufeshme, të shoqëruara nga zërat në kor të tyre: ” Denju Rrapo ! ” ( vllahisht: Bjeri Rrapo ! )
Por jeta për Kampionin latino-amerikan dhe babain e Boksit Shqiptar nuk ka qenë gjithnjë fushë me lule. Familja njohu persekutimin e gjatë, kur njëri prej djemve të tij boksier, i famëshmi Dhori GËRNJOTI, kampion edhe ai, tenton të arratiset.
Pasojat gjithkush që ka jetuar në atë sistem i merr vete me mend. Por Rafail Dishnica, megjithë titujt botërore, dhe titullin e mjeshtrit në boks, që i meritoi, nuk mori asnjëherë vlerësimet e duhura sa ishte gjallë. Edhe pas vdekjes figura e tij nuk u vlerësua sic duhej e sic e meritonte, Babai i Boksit Shqiptar. Mbaj mend se në një aktivitet , organizuar në periudhën e demokracisë, nga i biri i tij, Thimi Gërnjoti, pushtetarët e rinj të Korcës, nuk patën kohë të vinin e të nderonin sic duhet këtë figurë të paharrueshme të sportit shqiptar .
Sot mungon një përmendore e Rafail Dishnicës, në qytetin e kulturës, në Korcën e tij, që ai e deshi dhe i dha aq shumë. Mungojnë dhe përmendoret e bamirësve të shquar Lakce e Turtulli , që bënë aq shumë për këtë qytet. Paturpësisht dhe paradoksale ngrihen shtatore njerëzish, që nuk e meritojnë t’u përmendet as edhe emri. Por pavarësisht kësaj, emrat e bijve të shquar të saj, Korca ka kohë që i ka gdhendur në memorjen e saj historike .
Këtu pa dyshim një vend të merituar ka edhe kampioni i kampioneve, i madhi Rafail Dishnica -Gërnjoti, -Babai i Boksit Shqiptar.