• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Search Results for: Dalip Greca, Kristo Kirka

KONTRIBUTI I FEDERATËS “VATRA” NË MJEDISIN POLITIK DHE KULTUROR TË VITEVE 20’ NË SHQIPËRI

July 30, 2022 by s p

Dr. Adelina Nexhipi,  Dr. Ardiana Miçi

Departamenti Histori – Gjeografi, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë

Abstrakt

Vitet 20’ në Shqipëri përfaqësojnë një periudhë nga më të rëndësishmet në historinë e shqiptarëve dhe shtetit shqiptar. Nuk kishte kaluar asnjë dekadë nga shpallja e pavarur e Shqipërisë kur u vu përsëri në diskutim pavarësia dhe tërësia territoriale e saj. Luftërat rajonale dhe botërore e kishin hedhur në mes të furtunës fatin e Shqipërisë. Shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut bënë përpjekje të përbashkëta për të zgjidhur tashmë njëherë e mirë problemin kombëtar, ku shqiptarët e Amerikës të organizuar në Federatën Panshqiptare “Vatra”, dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm. Që në fillimet e shek XX, ata kishin punuar për të mbajtur fort të gjallë ndjenjën kombëtare, për të zhvilluar gjuhën dhe debatin politik përmes shtypit të shkruar e u bënë të njohur si komunitet diaspore. Në momentet më delikate, gjithë potenciali intelektual dhe polititk i “Vatrës” u përfshi aktivisht në Shqipëri dhe pranë kancelarive evropiane në mjediset diplomatike ku luhej drama shqiptare. Kontributi i vatranëve në ngritjen e institucioneve shtetërore dhe demokratizimin e vendit sipas modelit amerikan, në Shqipërinë e viteve 20’ është i çmuar. Vatranët nuk u mjaftuan vetëm në përpjekjet diplomatike e propagandistike, por “Vatra” dërgoi në Shqipëri ndihma në të holla dhe Trupën Vullnetare. Banda muzikore që e shoqëronte atë u bë ambasadorja dhe frymëzimi i shqiptarëve, që luftonin për të mbrojtur identitetin e territorin e tyre. Diplomatët e parë të shtetit shqiptar, që e përfaqësuan Shqipërinë në nivelet më të larta, vinin nga rradhët e vatranëve. Takimet, memorandumet, lobimet kishin vendosur kontaktet politike mes shqiptarëve të SHBA-së dhe institucioneve shtetërore amerikane. “Vatra” fliste e vepronte në emër të institucioneve shqiptare, apo në emër të shqiptarëve në mungesë të institucioneve shtetërore kombëtare, ndaj veprimtaria e saj ishte një fillim i rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri – SHBA. Edhe pse zyrtarisht marrëdhëniet Shqipëri – SHBA u vendosën në vitin 1922, falë veprimtarisë së kolonive shqiptare në SHBA dhe “Vatrës” në mënyrë të veçantë, bashkëpunimi shqiptaro – amerikan i kishte hedhur themelet më herët.

Fjalë kyçe: Fedarata Panshqiptare Vatra, Shqipëri, SHBA, demokratizim, marëdhënie diplomatike

1. Komuniteti shqiptar në SHBA në fillim të shek XX

Ndër kolonitë shqiptare jashtë atdheut, kolonia e shqiptarëve të Amerikës ka dhënë kontributin më të madh në rritjen e nacionalizmit dhe zhvillimit intelektual të shqiptarëve si përpara se të shpallej pavarësia e shtetit amtar edhe në vazhdim. Shqiptari i parë në Amerikë (fund i shek XIX), Kolë Kristofori, nga Katundi i Kolonjës do të tërhiqte pas një grup të rinjsh nga rajoni i Korçës të cilët u vendosën në Anglinë e Re, Boston e New York e jetonin në konakë. Jeta në migracion ekonomik i bënte të jetonin së bashku e të kishin të fortë ndjenjën komunitare por jo aq të shfaqur ndjenjën kombëtare. Në vitin 1905, një grup më i shkolluar shqiptarësh të ardhur nga kolonia e Rumanisë, krijuan të parën shoqëri “Mall i Mëmëdheut”, në Jamestown, NY.  Do të ishte Sotir Peci nga Dardha e Korçës, që do të vendoste gurin e parë në themelet e lëvizjes kombëtare në SHBA, me botimin e gazetës së përjavshme “Kombi, në vitin 1906. Me të ardhurat e veta si punëtor dhe zellin që e dallonte, Peci ua çonte falas gazetën shqiptarëve të Amerikës të cilët qëllonte të ishin edhe analfabetë. Atëherë atij i duhej me durim t’u shpjegonte se çfarë ishte ajo dhe çfarë pritej nga shqiptarët[1]. Nga 5000 shqiptarë që mund të ishin në atë kohë në Amerikë, vetëm 20 vetë dinin të shkruanin e të lexonin[2]. Në vitin 1907 u themelua në Boston shoqëria “Besa-Besë”, që filloi të botonte gazetën “Dielli”. Patriotët shqiptarë e kishin kuptuar se një diasporë e fortë dhe e organizuar në SHBA krijonte mundësi më të mëdha për të bërë realitet pavarësinë, tërësinë territoriale dhe përparimin e Shqipërisë, ndaj shumë prej tyre u nisën drejt Amerikës.

Jeta sociale e këtij komuniteti nuk mund të ishte e plotë pa një institucion rreth të cilit ata të bashkoheshin shpirtërisht. Në 8 mars 1908, Fan Noli u dorëzua si prifti i parë shqiptar i kishës ortodokse, ndërsa në 22 mars 1908 ai mbajti liturgjinë e parë në gjuhën shqipe. Themelimi i Kishës së Pavarur Orthodokse Shqiptare dhe liturgjia në shqip do të shënonte një “revolucion të vërtetë paqësor”[3] duke shtuar një gur themeli të ri në organizimin e shqiptarëve, me rëndësi edhe në Shqipërinë amë, ku Patriarkana e Stambollit nxirrte ende dekrete ç’kishërimi për përdorimin e gjuhës shqipe. Me krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale, të cilën Nicholas C. Pano e cilëson “agjenci të nacionalizmit”[4], organizimi i shqiptarëve arriti një nivel më të lartë, duke demonstruar një harmoni befasuese me migrantët e tjerë të fesë myslimane[5]. Edhe këtu në diasporë, del në pah konstatimi i Hobhaus, se “kombësia i bashkon shqiptarët, shumë më tepër sesa i ndan feja”[6].

Organizimi më i lartë i komunitetit shqiptar në Amerikë arriti me themelimin e Federatës Panshqiptare “Vatra”, më 28 prill 1912 dhe fuqizimit të Gazetës “Dielli” e cila u bë gazeta më e besueshme ndër të gjitha. Degët e saj u shtrinë në shumë shtete dhe më 13 qershor 1912, “Vatra” u regjistrua zyrtarisht në shtetin e Masacusests. Federata “Vatra” u fuqizua me shpejtësi, brenda një viti numri i anëtarëve arriti në 1000.[7] Rreth saj u përfshinë personalitete të tilla si; Fan S. Noli, Faik Konica, Kristo Dako, Kostë Çekrezi, Sevasti e Parashqevi Qiriazi, Kol Tromara, Kristo Floqi, Bahri Omari, Kostaq Kota, Mihal Grameno, Andon Frashëri etj. Ata krijuan kontakte me amerikanë të shquar, si; Charles Crane, George Fred Williams, Jane Addams, Osvald Garrison Villard, R. Uds, Charles Telford Erickson, etj të cilët mbështetën çështjen kombëtare shqiptare dhe lobuan me institucionet amerikane për zgjidhjen e drejtë të saj, duke hedhur themelet e marrëdhënieve shqiptaro – amerikane.

Që në fillimet e veprimtarisë së saj, “Vatra” do të luante rol të rëndësishëm në mbështetje të çështjes kombëtare. Më 17 nëntor 1912, “Vatra” organizoi një miting të madh në Boston në mbështetje të pavarësisë së Shqipërisë, filloi të mbledhë fonde për kryengritjen në Shqipëri dhe u dërgoi telegram Fuqive të Mëdha dhe Presidentit Amerikan, Taft, ku kërkohej njohja e pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë e saj etnikë. I madh ishte kontributi i vatranëve në Kongresin e Triestes (1 mars 1913), i cili u kryesua nga Faik Konica, i zgjedhur për këtë detyrë nga Kuvendi i Jashtëzakonshëm i “Vatrës”, i 16 shkurtit 1913. Përfaqësues nga të gjitha kolonitë shqiptare miratuan një rezolutë në mbështeteje të qeverisë së përkohshme shqiptare dhe kundër përpjekjeve për copëtimin e Shqipërisë. Gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, “Vatra” denoncoi në shtyp padrejtësitë ndaj shqiptarëve, mbrojti të drejtat e tyre kombëtare, organizoi disa mitingje, për të siguruar mbështetjen e opinionit amerikan; dërgoi memorandume në Londër dhe filloi përgatitjen e trupave vullnetare, në ndihmë të shtetit shqiptar. Në Londër, “Vatra” dërgoi Nolin, për të zhvilluar propaganë proshqiptare në mjediset politike, ku ai ndihmoi në formimin e Komitetit Proshqiptar të Londrës ndërsa në Shqipëri Faik Konica, do të vendoste lidhjet midis diasporës së Amerikës dhe qeverisë së Vlorës.

Përpjekjet për arsimim dhe kulturë do të bëheshin paralel me zgjimin kombëtar dhe veprimtarinë diplomatike. Në vitet në vazhdim, numri i gazetave dhe revistave të botuara në Amerikë u shtua dhe së bashku me to edhe përpjekjet e shqiptarëve për të mësuar shkrim dhe lexim, të cilat në mungesë të shkollave, bëheshin në mënyrë autodidakte pas pune. Sipas kujtimeve të Llambi Vaskë George (jetonte në Pontiac, ishte anëtar dhe sekretar i degës Nr.43 të “Vatrës” në Micigan) gjatë ditëve të javës, ai priste të lexonte gazetën “Dielli”, gazetën “Albania”, të botuar në NY, gazetën “Mbrojtja shqiptare”, Gazetën “Koha” të Gramenos, Revistën “Yll’ i Mëngjesit”, “Era Shqiptare”, “Vullnetari”, “Përparimi” etj., lexonte lajmet në “Chicago Tribune” dhe shkruante herë pas here ndonjë artikull për këto gazeta[8]. Nëpërmjet shtypit të shkruar dhe përpjekjeve për ta shpërndarë atë mes shqiptarëve, u lëvrua dhe u përsos më shumë gjuha amtare dhe u mbajt gjallë ndjenja kombëtare.

Shpesh në këto gazeta mbahej i gjallë edhe debati politik midis grupimeve shqiptare të cilat kishin qëllim të njëjtë, por dallonin mes tyre në disa pikëpamje. Në vitin 1919 në SHBA botoheshin 10 gazeta në gjuhën shqipe dhe 4 gazeta dygjuhëshe, anglisht–shqip, në artikujt e të cilave mbizotëronte tematika kombëtare[9]. Tek “Ditarët”, Llambi Vaskë George, tregon sesi nevojës së bashkëatdhetarëve të tij për t’u integruar në shoqërinë amerikane dhe mësuar anglisht ai ju përgjigj duke hartuar një libër të vogël shqip-anglisht në vitin 1915, të cilin e kishte quajtur “Methodë”. “Methoda” u botua e ribotua në 1918-1919 dhe u shpërnda edhe me ndihmën e “Vatrës” dhe “Diellit”, e gazetave të tjera ku i bëhej reklamë[10]. Një fenomen që do të ndikonte jetën sociale të komunitetit shqiptar në SHBA ishte krijimi i skuadrave sportive dhe bandave muzikore që bashkonin njerëzit dhe krijonin kohesion social të nevojshëm në një mjedis të huaj dhe që sigurisht ndikoheshin nga jeta në Amerikë. Dy banda muzikore dhe mjaft shoqëri të tjera u shtuan me ardhjen e më shumë migrantëve shqiptarë.

2. Kontributi i “Vatrës” në mbrojtjen e çështjes kombëtare gjatë dhe pas LIB

Fillimi i Luftës së Parë Botërore e gjeti Shqipërinë në pozita të vështira. Lufta iu dha shteteve fqinje mundësinë për të përmbushur synimet e tyre territoriale duke i shndërruar krahinat shqiptare në shesh lufte, edhe pse Shqipëria shpalli asnjanësinë në konfliktin botëror. Shqipëria u bë vendi i përplasjes së dy blloqeve ushtarake ndërluftuese. Vendi u zhyt në kaos të vërtetë dhe në mjerim të plotë. Në fund të vitit 1918 Lufta e Madhe kishte mbaruar, por pavarësia e Shqipërisë ishte sërish e rrezikuar. Gjatë vitit 1919 Shkodra ishte nën administrimin e garnizonit ushtarak ndëraleat; Italia mbante të pushtuar Vlorën e rrethinat; Luma, Dibra, Kukësi e Peshkopia ishin nën pushtimin serb; në Korçë e Pogradec gjendeshin forcat ushtarake franceze; prefektuara e Gjirokastrës ishte nën kontrollin e forcave ushtarake greke; autoriteti i qeverisë së Turhan Pashë Përmetit, krijuar nga Kongresi i Durrësit (25 dhjetor 1918) shtrihej vetëm në Durrës, Elbasan, Berat e pjesërisht në prefekturën e Tiranës dhe Shkodrës. Zhvillimet në Konferencën e Paqes ishin shqetësuese për Shqipërinë. Kjo situatë në Shqipëri, nxiti jo vetëm organizimin e brendshëm por edhe të diasporës shqiptare e cila nuk kishte reshtur së punuari dhe tani ishte gati për veprime aktive. Shoqëritë politiko-kulturore shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, ndër të cilat “Vatra” ka spikatur, patën një angazhim shumëplanësh në shërbim të çështjes kombëtare, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore.

Veprimtaria diplomatike e vatranëve u intensifikua. Më 21 gusht 1915, Noli, i dërgon Sekretarit të Departamentit të Shtetit, R. Lansing një telegram, me anë të së cilit denonconte Traktatin e Fshehtë të Londrës dhe kërkonte nga presidenti Wilson “të parandalonte ndarjen e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha”[11]. Në kuvendin e vitit 1915, “Vatra” mori vendimin për të dërguar delegatë në Evropë, për të mbrojtur interesat e Shqipërisë si dhe vendimin për organizimin e Trupave Vullnetare. Kol Rodhe në gazetën “Vullnetari” argumentonte nevojën e organizimit të Trupave Vullnetare, duke u shprehur se humbjet e deriatëhershme të tokave shqiptare kishin ardhur nga mungesa e një ushtrie të rregullt profesioniste dhe të organizuar atdhetarësh. Në numrat e gazetës bëhej thirrje për mobilizim “Atheu është duke rënkuar…Atdhetarët që e dëshirojnë ta shohin Shqipërinë si një shtet të Europës, përnjëherësh e rrokën idenë e shenjtë dhe u shkrojtën Vullnetarë për t’i shërbyer Atdheut në Kohë rreziku. Regjistrohu edhe ti atdhetar që të dhimbet Atdheu për ta shpëtuar atë nga vuajtjet!”[12] Menjëherë pas vendimit u zgjodh komisioni organizator i vullnetarëve i përbërë nga: Kristo Kirka, Kol Rodhja, Kol Tromara, Kostë Çekrezi dhe Vangjel Sotiri[13], komandant i përgjithshëm i Trupave u caktua Aqif Përmeti, ushtarak karriere dhe filloi organizimi dhe stërvitja e trupave.

Në vitin 1916, u dërgua në Londër delegati i parë i “Vatrës”, Mehmet Konica, i cili krijoi Komitetin “Miqtë e Shqipërisë”, ku bënin pjesë personalitete të shquar si A. Herbert, E. Aubrey, E. Durham, C. Woods etj. Këta miq të Shqipërisë, u bënë mbrojtësit më të mëdhenj të të drejtave të kombit shqiptar. Në 1917 u dërguan dhe dy delegatë të tjerë, M Turtulli dhe Nikolla Kasneci. Në vazhdim të përpjekjeve, gjatë vitit 1917, “Vatra” kërkoi të vendoste kontakte e të bashkëpunonte me Foreign Office të Mbretërisë së Bashkuar, me qëllim që të ushtronte ndikim në favor të Shqipërisë. “Vatra” i propozoi qeverisë britanike dërgimin e dy regjimenteve me vullnetarë shqiptarë nga Amerika, për të luftuar në Ballkan, madje ajo kishte organizuar 3000 – 4000 forca vullnetare, por propozimi nuk u mbështet nga Foreign Office.[14] 

Megjithatë, “Vatra” nuk i reshti përpjekjet për të shpëtuar Shqipërinë nga rreziku i shpërbërjes, gjatë Luftës së parë Botërore, ndonëse u vendos në kushte të vështira në mjedisin amerikan. SHBA-të kishin hyrë në luftë me Austro-Hungarinë dhe anëtarët e “Vatrës”, dyshoheshin si agjentë të saj[15]. Përveç situatës ndërkombëtare të pafavorshme, lëvizja kombëtare shqiptare në SHBA, duhej të orientohej mirë e të siguronte mbështetjen amerikane në realizimin e qëllimit kombëtar. Në këto kushte, hyrjen e SHBA-së në luftë, “Vatra” e vlerësoi si pozitive për çështjen shqiptare dhe u bëri thirrje emigrantëve shqiptarë të mobilizoheshin në ushtrinë amerikane. Mbi baza vullnetare, rreth 3000 emigrantë shqiptarë morën pjesë në ushtrinë amerikane[16], veprim ky i nxitur nga interesat kombëtare. Ata synonin të fitonin simpatinë amerikane e mbështetjen e saj në fund të luftës. Megjithatë në arenë nuk munguan as përplasjet e brendshme; grupi i Dakos, Gramenos, e Sevasti Qiriazit i ishte kundërvënë “Vatrës”[17].

Kur pavarësia dhe tërësia territoriale e Shqipërisë ishin në diskutim, gjithë potenciali intelektual dhe polititk i “Vatrës” u përfshi aktivisht si në Shqipëri ashtu edhe pranë kancelarive evropiane e në mjediset diplomatike ku po luhej drama shqiptare. Gjatë viteve 1917-1918, Vatra ka luajtur rolin e qeverisë së munguar të shqiptarëve, e njohur si qeveri në mërgim. Konica dhe të tjerë pohojnë se “Vatra”, për shumë kohë kishte zënë edhe vendin e guvernës, aherë kur guverna ose nuk ish akoma e formuar ose ish tepër e pafuqishme[18]. Kuptohet që kësaj “qeverie”, i mungonte aspekti territorial i shtetit që qeveriste, por ajo mbante kuvende si të ishin mbledhje parlamenti. Në kuvendin e korrikut 1917, “Vatra” protestoi hapur kundër Proklamatës italiane të 3 qershorit 1917 dhe në Rezolutën e saj ajo ushpreh për  “një Shqipëri me kufijtë e saj etnikë, me indipendencë mbretërore të plotë, një Shqipëri për shqiptarët, politikisht dhe ekonomikisht”[19]. Ndërsa nuk mund të mblidhte taksa si një qeveri e zakonshme, ajo mblidhte kontribute vullnetare nga shqiptarët e Amerikës. Aq shumë kontribute arrinte në atë kohë të mblidhte Vatra, sa dedektivët amerikanë dyshonin për financim të saj nga Austria[20]. Thirrjes së Vatrës për të krijuar një Fond Kombëtar (qershor 1917), shqiptarët e Amerikës iu përgjigjën me një zemërgjerësi të paparë. Vatra mblodhi 160.000 $. Të bënte përshtypje të thellë kur shikoje që punëtorët e fabrikave dhe shitës të vegjël jepnin rrogat apo fitimet e dy-tre muajve për çështjen kombëtare- shprehet K. Cekrezi[21]. Ndërkohë Mehmet Konica si përfaqësues i Vatrës në Europë mbante korrespondencë të rregullt me Vatrën, në guvernën e së cilës ai mbante postin e ministrit të jashtëm[22]. Qeveria e “Vatrës” me seli në Boston kishte këtë përbërje: kryeministër F. Noli, zv.kryeministër Kolë Tromara, ministër i Luftës Aqif Përmeti, ministër i Ekonomisë dhe Financave Loni Kristo, ministër i Brendshëm Koli Rrodhi, ministër i Punëve botore Kristo Kirka, ministër i Arsimit dhe Kulturës Kostë Çekrezi[23]. Kjo qeveri i mbante mbledhjet në zyrat e Vatrës në Boston.

Në mars 1918, Noli i dërgoi një memorandum presidentit amerikan, ku denonconte protektoratin italian të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe “Vatra” ia kishte dalë të njihej si komunitet diaspore dhe Fan Noli, si udhëheqës i saj, u ftua në takimin e presidentit Wilson me përfaqësues të 30 kombësive në SHBA, në festimet e 4 korrikut 1918. Gjatë këtij  takimi, Noli mori premtimin e presidentit Wilson se do të përkrahte çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes. Hapat diplomatike të “Vatrës” ishin ngjitur në nivele të larta. “Vatra” u vu në krye të përpjekjeve për të siguruar përkrahjen e SHBA-së në zgjidhjen e çështjes shqiptare. Që përpara mbarimit të luftës, në mars 1918, ajo shprehte dëshirën e shqiptarëvë për restaurimin e pavarësisë me asistencën e një fuqie të madhe, e cila mund të ishte SHBA, “i vetmi shtet tek i cili shqiptarët mund të kishin besim të plotë”[24]. Qëndrimi i shprehur fillimisht nga “Vatra”, për një mandat amerikan në territorin e kontestuar në jug të Shqipërisë, u shpreh në mars 1919, në Konferencën e Paqes edhe nga kryeministri shqiptar, Turhan Pashë Përmeti. Në nëntor 1918, kur delegacioni amerikan po përgatitej për të shkuar në Paris, Noli, në emër të “Vatrës” i drejtoi një memorandum presidentit Wilson, Sekretarit të Shtetit, Lancing dhe Ministrave të Jashtëm të Fuqive Aleate, ku kërkohej rivendosja e pavarësisë së Shqipërisë, bazuar në parimet fisnike të shpallura në programin e presidentit Wilson[25].

Në prag të Konferencës së Paqes, “Vatra” organizoi delegacionin e saj në Evropë, me anëtarë Fan Nolin, A. Lorechio, Rasih Dino, T. Erickson, A Herbert. Aktiviteti diplomatik i delegacionit të “Vatrës” gjatë zhvillimit të Konferencës së Paqes, ishte intensiv. Vlen të përmendim, takimet e Mehmet Konicës me diplomatë italian; kontributin e tij në organizimin e Kongresit të Durrësit; memorandumi dërguar ambasadës franceze në Washington (16 janar 1919), me anë të së cilit kërkohej që Korça t’i mbetej Shqipërisë; memorandumi i 3250 shqiptarëve ortodoskë të SHBA-së, dërguar Konferencës së Paqes, ku denoncohej veprimtaria antishqiptare e diplomacisë greke, memorandumi i 52 kishave shqiptare të Amerikës në mbrojtje të popullsisë ortodokse të Shqipërisë së Jugut, që konsiderohej greke nga qeveria e Athinës; memorandumi i prillit 1919, që denonconte protektoratin Italian dhe synimet e Italisë për të aneksuar Vlorën.[26]

Po kaq e rëndësishme ishte dhe veprimtaria propagandistike, artikujt e shumtë në shtypin shqiptar dhe atë amerikan, polemikat me ambasadën greke në SHBA dhe Lidhjen e Miqve të Greqisë në SHBA. Gjatë zhvillimeve të Konferencës, “Vatra” organizoi dhe disa mitingje, me pjesëmarrje të gjerë, konferenca, leksione të hapura në universitete të njohura amerikane, ku kërkohej ruajtja e tërrësisë territoriale të Shqipërisë, njohja e pavarësisë së saj. Me anë të kësaj veprimtarie synohej të fitohej simpatia dhe mbështetja e oponionit amerikan. Në fund të të gjitha përpjekjeve të papërkulura të shqiptarëve një nga qëllimet kryesore të lëvizjes kombëtare shqiptare ishte arritur, shpëtimi i pavarësisë së Shqipërisë dhe ruajtja e tërësisë territoriale, të paktën të në kufijtë e viteve 1913. Më 9 nëntor 1921 u bë publik vendimi i Konferencës së Ambasadorëve të Parisit i cili shpallte njohjen e qeverisë shqiptare si qeveri e një shteti sovran dhe të pavarur, konfirmonte kufijtë e vitit 1913, me disa rektifikime të vogla, por që nuk preknin thelbin.

3. Kontributi i “Vatrës” dhe vatranëve në fazat e para të ndërtimit të shtetit

Vatranët nuk u mjaftuan vetëm në përpjekjet e tyre diplomatike e propagandistike, por për t’i ardhur në ndihmë qeverisë shqiptare, “Vatra” dërgoi në Shqipëri ndihma në të holla dhe Trupën Vullnetare, për t’u vënë në shërbim të Shqipërisë në ato kohë të vështira. Me në krye, Aqif Përmetin, Trupi i Vullnetarëve, mbërriti në Shqipëri në 2 prill 1920, “për mbrojtjen e kufijve dhe stabilizimin e qeverisë së saj”[27]. Gjetja më interesante në këtë kontribut ishte shoqërimi i këtij Trupi, me Bandën muzikore “Vatra”, të përbërë nga muzikantë amatorë dhe profesionistë, të udhëhequr nga mjeshtri Thoma Nasi. Rrugëtimi i tyre drejt atdheut ishte i lidhur me një ndjenjë të fortë patriotizmi, entuziazmi dhe shprese për ta bërë Shqipërinë. Ll. V. George, i cili mori pjesë në Kuvendin e shtatë të Vatrës si delegat dhe regjistroi veten dhe 4 shokë nga dega 43, si vullnetarë të Gardës Civile, për të ardhur në Shqipëri me shpenzimet e tyre, iu ngarkua detyra e sekretarit[28]. Në Ditarët e mbajtur prej tij përshkruhet rruga e ndjekur nga Trupi Vullnetar, Banda e “Vatrës” dhe ngjarjeve që i shoqëruan gjatë veprimtarisë në Shqipëri. Në një intervistë me djalin e tij, Kristaq Jorgji, i cili i ka përmbledhur dhe botuar “Ditarët”, tregon sesa entuziast ishte babai i tij kur fliste për atë periudhë, kur ata me nga një sënduk me vete hipën në anijen “Canada” dhe u nisën për në atdhe.

Trupi Vullnetar dhe Banda muzikore mbërritën në Durrës, ku Banda dha koncertin e saj të parë. “Ardhja e Trupës vullnetare dhe Bandës “Vatra” e forcoi më tepër besimin e popullit te qeveria e Tiranës dhe kjo ishte mbështetje që i jepej drejtëpërsëdrejti asaj”[29] – shprehet Vasil Tole, në librin e tij “Banda kombëtare “Vatra” një histori unike shqiptaro – amerikane”. Banda “Vatra” udhëtoi, dha koncerte, ngjalli shprese e gëzim, përhapi mesazhe atdhedashurie e vlera të larta kulturore thuajse në çdo qytet të Shqipërisë. Ajo qendroi në Tiranë, në Elbasan, në Berat, Gjirokastër, Tepelenë, Delvinë, Sarandë, Nivicë, Lukovë, Përmet, Shkodër, Vlorë, Korçë, etj. Kudo u prit me gëzim dhe entuziazëm të pashoq.

Kur në 27 maj, Trupa vullnetare dhe Banda “Vatra” mbërriti në qytetin e Korçës, qyteti dhe banorët e tij vuanin nga frika dhe pasiguria, Konferenca e Paqes ende nuk kishte vendosur fatin e qytetit. Pretendimet dhe veprimet e autoriteteve greke për ta konsideruar Korçën të tyren dhe tërheqja e trupave franceze nga qyteti e vendosnin atë në pozitë të vështirë. Me koncertet e saj në çdo lagje dhe pranë çdo përfaqësie të huaj të ndodhur në qytet, Banda “Vatra” përcillte bukur, përshfaqte në mënyrën më të kulturuar ndjenjat atdhetare shqiptare të banorëve të Korcës, që këndonin bashkë me të himnin shqiptar dhe këngët e bukura shqiptare, krahas interpretimit të simfonive të njohura botërisht. Banda u bë ambasadorja dhe frymëzimi i korçarëve, që luftonin për të mbrojtur identitetin e tyre.  Nëpërmjet ndikimit të saj sidomos në Korçë, “Vatra” arriti të ndërtonte një mjedis të fortë nacionalist përballë përpjekjeve të një pakice filogrekësh në këtë qytet që krijonin vazhdimisht alibi për përbërjen etnike dhe atë gjuhësore të këtij komuniteti që jetonte përgjatë kufirit[30].

Trupi Vullnetar i “Vatrës” u bë barrikada e parë në mbrojtje të kufijve jugore të Shqipërisë. Trupi Vullnetar plotësonte një varg detyrash të ushtrisë kombëtare shqiptare, duke rritur prestigjin e shtetit shqiptar. Në qershor ata u bashkuan në Luftën e Vlorës, që u bë simbol i qëndresës popullore. Krahas “Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare” për Vlorën, nën komandën e Aqif Përmetit, 120 anëtarë të Trupës Vullnetare si dhe 250 vullnetarë të ardhur me ta nga Korça, luftuan për çlirimin e Vlorës. Banda “Vatra” do të shoqëronte shqiptarët gjatë luftës së Vlorës dhe siç shprehej F. Noli “do të mbante lart moralin e tyre”[31]. Himni i kënduar prej saj do të ndizte peshë zemrat e luftëtarëve. Kënga himn “Vlora-Vlora” është kompozuar, në ditët që zhvillohej lufta, nga drejtuesi i bandës së “Vatrës”, Thoma Nasi, mbi vargjet e Ali Asllanit.* Më 3 shtator luftëtarët e ngazëllyer për fitoren, hynë në Vlorë, të udhëhequr nga Banda “Vatra”. Banda u shndërrua nga një orkestër frymore normale në një bandë kombëtare të natyrës ushtarake.[32]

Trupi Vullnetar i Vatrës formoi Gardën Kombëtare të Shqipërisë dhe pas një shërbimi të vyer, bërë atdheut, me urdhër nga Komanda e Ushtrisë së Korçës, Trupi Vullnetar lirohet[33]. Komandanti i saj, Aqif Përmeti, vazhdoi të qendrojë në Shqipëri. Gjatë viteve 1920 – 1924 ai shërbeu me patriotizëm si komandant i lartë në ushtrinë shqiptare, dhe në vitet e mëvonshme vuri në shërbim të vendit përvojën e tij ushtarake, për të organizuar xhandarmërinë shqiptare.[34]

Banda “Vatra” qendroi pjesën tjetër të kohës kryesisht në Korçë dhe Tiranë. Në Korçë ajo filloi të jepte koncerte të hapura dy herë në javë. Programet e saj përmbanin muzikë klasike si dhe aranzhime këngësh shqipe, për t’u kënduar nga masa e njerëzve. Me mijëra banorë të Korçës i ndiqnin këto koncerte dhe duartrokitjet e tyre ishin të stuhishme. Kontributi i Bandës për jetën kulturore të Korçës është i pashoq. Profesor Nasi, me shpirtin e vet plot dashuri për muzikën dhe shumë vullnet, nxiti dhe ndihmoi në formimin e koreve muzikore, trupave teatrale, shoqërive artistike. Me ide dhe nismë të tij, në dhjetor 1920, në Korçë u themelua Shoqëria e “Arteve të bukura”, një organizim i madh, me veprimtari në fushën e muzikës, teatrit dhe arteve figurative. Shoqëria kishte në bërthamë të saj anëtarët e bandës muzikore “Vatra” dhe grumbulloi rreth vetes amatorë në fusha të ndryshme. Veprimtaria e suksesshme dhe e larmishme e Shoqërisë së “Arteve të bukura” vazhdoi deri në vitin 1925, kur u detyrua të ndërpritet për shkak të mungesës së fondeve. Përveç se gjallëroi jetën kulturore dhe nxiti lindjen e talenteve, mbi modelin dhe përvojën e saj u krijua në Korçë, në vitin 1928 Kori “Lyra” (që funksionon ende edhe sot). Falë këmbënguljes dhe vizionit të Thoma Nasit, në Korçë u krijua edhe orkestra simfonike, e para dhe e vetmja në Shqipëri. Koncertin e saj të parë Orkestra e dha në 6 prill 1924.[35] E gjithë veprimtaria e Thoma Nasit, përvecse artistike, ishte mbi të gjitha patriotike, ai donte t’i paraqiste shqiptarët evropiane, si në art, kulturë, gjuhë e histori. Ai qëndroi dhe punoi në Korçë deri më 1925, më pas u transferua në Tiranë, ku themeloi Bandën Presidenciale Shqiptare. Në kryeqytet Th. Nasi qëndroi vetëm një vit për t’u larguar përfundimisht në Amerikë më 1926.

Shqipëria e viteve ’20 përballej me sfida të shumta; interesat konfliktuale të shteteve fqinjë, pa aleatë të drejtëpërdrejtë ndërkombëtarë, me një profil të dobët ekonomik, me çështjen kombëtare të zgjidhur përgjysmë, pa eksperiencë shtetformuese, me disa segmente të kufirit të pacaktuar përfundimisht, me një histori të gjatë të të qënit e pushtuar, me një shoqëri që vuante nga konfliktet për pushtet midis familjeve të mëdha bejlere[36]. Gjatë këtyre zhvillimeve historike të kombit shqiptar, “Vatra” dha kontributin e saj në politikë të drejtpërdrejtë, në diplomaci, në arsim dhe në zhvillimin kulturor, aq të nevojshëm për një shoqëri që synonte përparimin si komb. Pas Kongresit të Lushnjes, “Vatra” e përqendroi veprimtarinë e saj në njohjen ndërkombëtare të qeverisë së Sulejman Delvinës, forcimin e lidhjeve me institucionet shtetërore shqiptare dhe luajti një rol aktiv në ndërtimin dhe demokratizimin e shtetit të ri shqiptar.

Qeveria e S. Delvinës, duke njohur kontributet e komunitetit shqiptaro – amerikan, autorizoi “Vatrën” të zgjidhte një deputet në Kuvendin e Shqipërisë, gjë që iu besua Nolit. Veçanërisht i çmuar është kontributi i Nolit në anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombëve, më 17 dhjetor 1920. Sipas Arben Putos, Noli si kryetar i delegacionit shqiptar, bëri punën e një diplomati të përkryer[37] me takimet paraprake me anëtarët e Sekretariatit të Lidhjes, me kontaktet me shtypin dhe fjalimin e tij elokuent në Asamblenë e Lidhjes. Vetë Noli e cilësonte anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve si fitoren e tij më të madhe. Pas kësaj Noli u emërua përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Sipas teorisë së të drejtës ndërkombëtare, pranimi i një shteti në Lidhjen e Kombeve, është konsideruar si një formë e njohjes kolektive e shtetit të pranuar.[38] Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve ripohonte statusin e Shqipërisë si shtet i pavarur.

Në fund të Luftës së Parë Botërore u kthyen në Shqipëri rreth 15.000 emigrantë[39] nga SHBA, një pjesë e të cilëve u përfshinë aktivisht në jetën politike, arsimore dhe kulturore. Kristo Floqi si vatran i hershëm ishte kthyer më herët në Shqipëri e kishte jetuar këto ngjarje nga brenda, e quan vitin 1920 si vitin shpëtimtar të Shqipërisë.[40] Kontributi i vatranëve në ngritjen e institucioneve shtetërore dhe demokratizimin e vendit sipas modelit amerikan, në Shqipërinë e viteve ’20 është i çmuar.  

Në Këshillin Kombëtar emëruar nga Kongresi i Lushnjes, 3 anëtarë ishin të ardhur nga “Vatra”, Kostaq Kota, Sotir Peci dhe Fazlli Frashëri. Në Këshillin Kombëtar, dalë nga zgjedhjet e vitit 1921 (zgjedhjet e para parlamentare në vend) nga 78 deputetë, 8 ishin vatranë, Kristo Floqi, Kristo Dako*, Sotir Peci, Fan Noli, Bahri Omari, Loni Kristo, Kristo Kirka, Koli Rrodhe (mori mandatin pas emërimit të S. Pecit në Këshillin e Lartë) Skena politike dominohej nga dy parti politike, Partia Përparimtare dhe Partia Popullore e kryesuar nga Fan Noli. Përfaqësuesit e Vatrës ishin angazhuar në të dyja partitë politike. Në Kuvendin Kushtetues (1924 – 1925) dalë nga zgjedhjet tetor – dhjetor 1923, nga 102 deputetë, 5 ishin vatranë, Bahri Omari, Kostaq Kota, Faik Konica, Fan Noli dhe Kolë Tromara. Ata u zgjodhën përfaqësues të popullit në institucionin ligjvënës, falë mbështetjes që gëzonin në popull. Përfaqësuan kryesisht popullsinë e prefekturës së Korçës, Dibrës, Vlorës dhe Gjirokastrës. Pothuajse në çdo qeveri që ushtroi detyrën në vitet 1920 – 1925, kishte të paktën një ministër, që vinte nga “Vatra”. Diplomatët e parë të shtetit shqiptar vinin nga rradhët e vatranëve, Mehmet Konica shërbeu si Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Britaninë e Madhe, Faik Konica shërbeu si Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA, Fan Noli ishte përfaqësuesi i parë i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve e pas tij Rasih Dino. Angazhimi i vatranëve ishte po kaq i rëndësishem në administratën lokale, duke mbajtur postet e prefektit, si Kostaq Kota, Kolë Tromara, Kristo Kirka dhe Koli Rodhe. Jo më pak i rëndësishëm ishte kontributi i Andon Frashërit, si Sekretar i Përgjithshëm i kabitetit qeveritar të Nolit, apo Nik Dishnicës si drejtor i Policisë në Korçe gjatë qeverisjes së P. Evangjelit. Në jetën politike ata ishin aktivë dhe forcuan pluralizmin politik duke krijuar parti apo organizata politike, që u bënë alternative politike e rëndësishme, apo opozitë e hekurt, të tilla si, Partia Demokratike-Nacionale, Partia Liberale, Bashkimi Kombëtar, KONARE etj. Kristo Dako së bashku më Sevasti e Parashqevi Qiriazin veç kontributit politik dhanë kontribut të çmuar në fushën e arsimit. Morën pjesë në kongreset arsimore në vitet 1920 – 1922, hartuan programe e tekste shkollore, ndërtuan Institutin e vajzave Kiriaz dhe ndihmuan në emancipimin e vajzave shqiptare. Koço Kota, gjithashtu, hartoi tekstin e matematikës për tre klasat e para fillore[41].

Federata “Vatra” me veprimtarinë e saj atdhetare e kulturore, në SHBA e në Shqipëri, u bë vatër e rëndësishme e kulturës kombëtare, ajo ndikoi e ndihmoi në formimin e shoqërisë civile në Shqipëri. U bënë përparime të rëndësishme në fushën e teatrit, letërsisë, muzikës, falë kontributit të vyer të Fan S. Nolit, Faik Konicës, Kristo Dakos, Kristo Floqit, Thoma Nasit, etj Federata “Vatra”, më 20 korrik të vitit 1921, do të ndizte zjarrin e dijes në qytetin e Korçës, dhe me një tjetër kontribut të çmuar, krijimin e “Bibliotekës Popullore”, e para e këtij lloji në Shqipëri. Biblioteka, drejtohej nga sekretari i qendrës së Vatrës, Miçe Frashëri dhe fondi i saj fillestar ishin botimet e Federatës “Vatra” dhe dhurimet prej saj.

Në emancipimin e shoqërisë ndihmoi veprimtaria e gjerë letrare e publicistike e vatranëve. Ata botuan e drejtuan në Shqipëri gjatë viteve ’20 gazeta / revista të tilla si “Bota e Re”, “Agimi” “Telegraf”, “Ora”, “Shekulli”, “Indipendenca shqiptare”, të cilat u bënë pasqyrë e jetës social – politike, kritikët më të mëdhenj të padrejtësive, mbrojtësit më të vendosur të demokracisë, promovuesit më të flaktë të artit dhe kulturës. Letërsia në të gjitha zhanret e saj u pasurua falë kontributit të Kristo Floqit, Fan Nolit, Faik Konicës, Kostë Cekrezit, të cilët kontribuan edhe në studime historike, gjeografike dhe antropologjike.

Vatranët dhanë kontribut të gjithanshëm dhe u shquan për atdhetari.Një pjesë e tyre u larguan nga Shqipëria në vitin 1925, ndërsa të tjerë vazhduan kontributin e tyre politik, e jo vetëm, në Shqipëri. Një pjesë e tyre, patën fatin tragjik të arrestoheshin, të vuanin në burgjet komuniste apo të ekzekutoheshin. I tillë ishte fati i Andon Frashërit, Kolë Tromaras, Kristo Kirkës, Koli Rodhes, Aqif Përmetit, Kostaq Kotës, Kristo Floqit, Bahri Omarit etj.

Përfundime

Me 17 nëntor 1921, Komisionieri i qeverisë shqiptare në Uashington, Kostë Çekrezi, dorëzoi kërkesën për njohje në Departamentin e Shtetit. Kërkesa u përsërit nga qeveria shqiptare në 7 qershor 1922. Ishte Noli që, në detyrën e Ministrit të Jashtëm në qeverinë e Xhafer Ypit, nënshkroi në janar 1922, notën zyrtare të qeverisë shqiptare, që kërkonte vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA. Qeveria e SHBA dërgoi në Shqipëri përfaqësuesin e saj jo-zyrtar Maxwell Black, me një mision hetimi paraprak për situatën politike në Shqipëri pas mbërritjes së kërkesës së qeverisë shqiptare për njohje. Me 28 korrik 1922, ai i dorëzoi Xhafer Ypit, në cilësinë e Kryeministrit të vendit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, notën e njohjes së qeverisë shqiptare nga SHBA. Deri në vendosjen e marrëdhënieve të rregullta diplomatike Black do të qëndronte në Shqipëri si Komisionier i SHBA në rangun e Ministrit të Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë të SHBA. Në fillim të dhjetorit 1922 mbërriti në Tiranë përfaqësuesi i parë diplomatik i qeverisë amerikane U.Grant-Smith, në cilësinë e Ministrit të parë Fuqiplotë dhe të Jashtëzakonshëm të SHBA në Shqipëri. Deri në prill 1922 qeveria shqiptare u përfaqësua nga Komisionieri Çekrezi në Washington e më pas nga konsujt e saj në New York, Koço Tashko e Abdi Sula. Në korrik 1926 u emërua Ministri i parë Fuqiplotë dhe i Jashtëzakonshëm shqiptar në Uashington, Faik Konica, i cili hapi Legatën shqiptare në SHBA.

Edhe pse zyrtarisht marrëdhëniet Shqipëri – SHBA u vendosën në vitin 1922, falë veprimtarisë së kolonive shqiptare në SHBA dhe “Vatrës” në mënyrë të veçantë, bashkëpunimi shqiptaro – amerikan është më i hershëm. Veprimtaria e ngjeshur e “Vatrës”, (e përshkruar më sipër), krijimi i Kishës Autoqefale shqiptare, mitingjet, leksionet e hapura, veprimtaria publicistike, klubet muzikore e teatrale e kishin bërë të njohur Shqipërinë, popullin shqiptar, kulturën shqiptare e çështjen shqiptare në opinionin amerikan. Imazhi i njerëzve të punës, njerëzve të shkolluar, njerëzve të mirë dhe të drejtë, që shqiptarët e Amerikës përcillnin në opinionin dhe institucionet amerikane ishte kontributi më i vyer që komuniteti shqiptar i Amerikës i ka bërë Shqipërisë. Takimet, memorandumet, lobimet e shumta kishin vendosur kontaktet politike mes shqiptarëve të SHBA-së dhe institucioneve shtetërore amerikane që në fillim të shekullit të XX-të. “Vatra” fliste e vepronte në emër të institucioneve shqiptare, apo në emër të shqiptarëve në mungesë të institucioneve shtetërore kombëtare, ndaj veprimtaria e saj ishte një fillim i mbarë dhe i rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri – SHBA.

Referenca


[1] Kostë Cekrezi, Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja, (Tiranë, ShB Naimi: 2012),.266

[2] Po aty, 266

[3] Po aty, 271

[4] Nicholas C. Pano. Fan Noli, komuniteti shqiptaro – amerikan dhe Shqipëria, në “100 vjet pavarësi”, Vell II (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2014) 491

[5] Kostë Cekrezi, Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja, (Tiranë, ShB Naimi: 2012), 269

[6] Faik Konica, Vepra 2, (Tiranë, Dudaj: 2001) 226-227

[7] Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017), 547

[8] Kristaq LL. Jorgji, Ditarët e Llambi Vaskë Jorgjit, (Shtypshkronja Koti, Korçë: 2014),79-81

[9] Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017) 545

[10] Kristaq LL. Jorgji, Ditarët e Llambi Vaskë Jorgjit, (Shtypshkronja Koti, Korçë: 2014).15

[11] Cit. Nasho Jorgaqi, Roli i Fan Nolit në marrëdhëniet shqiptaro – amerikane, në “Fan S. Noli ne 130 vjetorin e lindjes (Promo print, Korçë: 2012) 14

[12] Cit. Dalip Greca, Histori shqiptaro-amerikane / Një patriot si Kol Rodhe që la Shqipërinë për Amerikën,  [online] i disponueshëm në: https://inforculture.info/2021/06/22

[13] Po aty

[14] Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017) 557

[15] A. Alibali, Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati, (Argeta LMG, Tirane: 2016)   53

[16] Cit.  Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017) 555

[17] A. Alibali, Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati, (Argeta LMG, Tirane: 2016)   57

[18] Cit. A. Alibali, Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati (Argeta LMG, Tirane: 2016) , f.264,

[19] Cit.  Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017) 408

[20] A. Alibali, Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati, (Argeta LMG, Tirane: 2016)  60

[21] Kostë Cekrezi, Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja, (Tiranë, ShB Naimi: 2012),273

[22] A. Alibali, Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati, (Argeta LMG, Tirane: 2016)  60

[23] Po aty

[24] Cit. Arben Puto, Shqipëria politike 1912 – 1939 (Toena, Tiranë: 2009) 240

[25] Arben Puto, Shqipëria politike 1912 – 1939 (Toena, Tiranë: 2009) 214

[26] Po aty, 558 – 561

[27] Kristaq LL. Jorgji, Ditarët e Llambi Vaskë Jorgjit (Shtypshkronja Koti, Korçë, 2014) .20

[28] Po aty

[29] Vasil Tole, Banda kombëtare “Vatra” një histori unike shqiptaro – amerikane (Kristalina-KH, Tiranë: 2020) 81

[30] Nuçi Koti, Kufijtë Jugorë të  Shqipërisë, 30

[31] Cit. Vasil Tole, Banda kombëtare “Vatra” një histori unike shqiptaro – amerikane (Kristalina-KH, Tiranë: 2020) 99

* Vec saj Th. Nasi kompozoi dhe këngë të tjera patriotike, të shndërruara në himn, siç ishte “Marshi i Korçës” dhe “Marshi mbretëror”, një kompozim mbi tekstin e Kristo Floqit, kushtuar Ahmet Zogut, të cilin ky i fundit e bëri marsh mbretëror pas shpalljes së monarkisë

[32] Vasil Tole, Banda kombëtare “Vatra” një histori unike shqiptaro – amerikane (Kristalina-KH, Tiranë: 2020) 85

[33] Kristaq LL. Jorgji, Ditarët e Llambi Vaskë Jorgjit (Shtypshkronja Koti, Korçë, 2014)  177

[34] Eugen Shehu, Aqif Përmeti…me vision atdhetar, [online] i disponueshëm në: https://www.radiandradi.com

[35] Vasil Tole, Banda kombëtare “Vatra” një histori unike shqiptaro – amerikane (Kristalina-KH, Tiranë: 2020) 138

[36] Pranvera Dibra, Dilemat e diplomacisë angleze për pavarësinë e Shqipërisë, në rrethanat e krizës politike shqiptare 1921 – 1925, në “100 vjet pavarësi”, Vell II (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2014), 25

[37] Arben Puto, Historia diplomatike e cështjes shqiptare 1878 – 1926, (Titane, Dudaj: 2010) 292

[38] Po aty, 321

[39] Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017), 547

[40]  Jonela Spaho, Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare (OMBRA GVG, Tiranë: 2020) 114

* Edhe pse në vitin 1916, për shkak të mosmarrëveshjeve, Dako u shkëput nga “Vatra” dhe krijoi Partinë Poitike në Boston. Kristo Dako ishte përkrah Nolit, Floqit, Pecit dhe Konicës, ndër anëtarët e parë të Federatës “Vatra”, ndaj e kemi renditur këtu, përkrah të tjerëve.

[41] Harallamb Kota, Koco Kota, për një Shqipëri oksidentale, (Morava, Tiranë:2017)260

Filed Under: Vatra Tagged With: Dr. Adelina Nexhipi, Dr. Ardiana Miçi

EFTHIM NATSI, VATRANI DHE EDITORI PAK I NJOHUR I DIELLIT

May 6, 2022 by s p

  • Me rastin e 110 vjetorit të themelimit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës”VATRA”- 

NGA DALIP GRECA

         Efthim Nasi(Natsi) ishte një ndër shqiptarët e parë të Amerikës që vuri kursimet e tij, shpirtin dhe zemrën në themel të Lëvizjes Kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Ai kishte hyrë në Amerikë më 1905 dhe kishte zbritë në portin e Nju Jork-ut. Më pas ishte çvendosur në Boston, ku jetonin shumë prej bashkatdhetarëve të tij korçarë. 

        Fillimisht kontribuoi me të gjitha mjetet e mundshme për t’i ndihur gazetës” Kombi ” që themeloi Sotir Peci. Ishte pjesë e “Kombit” që më 6 Qershor 1906 në numrin e parë dhe nuk u nda nga ai deri në numrin e fundit të 10 Janarit 1909, edhe pse Sotir Peci ishte larguar që në Vjeshtën e dytë të vitit 1908, por gazeta vazhdoi të dilte nën përkujesjen e Efthim Nasit, George Konda Gjoleka e Fan S.Noli.

        Vatra dhe Dielli ia kanë njohur meritat dhe kontributet që Nasi dha për “Kombin”, “Diellin” dhe “Vatrën”. Në festimet e 50 vjetorit të gazetës Dielli, në buletin special të 2 shtatorit 1959, gazeta Dielli shkruante:” Në lidhje me Sotir Pecin, duhet të përmendim me mirënjohje dhe adhurim Zotin Efthim Natsi, i cili që në fillim dhe gjer në mbyllje të KOMBIT ish dora e djathtë e Sotir Pecit…Në fakt, mund të shënohet pa frikë, kundërshtimi që Sotir Peci s’mund ta kishte filluar gazetë”Kombi” pa Efthim Natsin dhe Efthim Natsi s’mund të kish nisur gazetën pa Sotir Pecin.”

       Kur iu bashkëngjit Noli Kombit, e gjeti aty Efthim Natsin duke shtypur gazetën,duke punuar paralelisht në dy makina. 

Shkëpus këtë fragment nga “Historia e Diellit”, projekt në vijim imi: “Fan S. Noli e la fabrikën në Bufalo ku punonte dhe me 20 korrik 1906 shkoi në Boston pranë Pecit që të merrte detyrën e redaktorit. Puna ishte e vështirë. Redaksia dhe shypshkronja ku shtypej “Kombi” ndodhej në adresën Hadson 100. Një tip hauri ku mbizotëronte lagështia. Kushte tepër të vështira. Gazeta përgatitej dhe shtypej nga Efthim Natsi.Të rinjët vinin dhe e merrnin gazetën për ta shpërndarë tek bashkatdhetarët. Për ta kuptuar gjendjen e vështirë ku shtypej gazeta, mjafton të sjellim në mendje atë çfarë shkruante Kostandin Demo në libërthin e tij ”Shqiptarë n’Amerikë”: “Përfytëroni po të mundni, Nolin në të djathtë duke ushqye me letër shtypshkronjën, Thimaqin (Efthim) në mes duke pompu maqinën me këmbë, dhe mandej fill duke u vërsulë që të kontrollonte shtypjen, ndërsa Peci në të majtë, nxirrte nga maqina fletët e shtypura të gazetës…”

          Emrin e Efthim Natsit e ndeshim përherë e më shpesh gjatë shfletimeve të Kombi-t dhe të Diellit si dhe në veprimtaritë e Besa-Besën dhe Vatrës.Ai ishte pjesë e Shoqatës kombëtare Besa-Besë që në themelimin e saj me 6 Janar 1907, edhe pse nuk ishte pjesë e kryesisë. 

         Fjalë mirësie për kontributin e Efthim Natsit në gazetën Dielli gjejmë edhe në shkrimin redaksional të drejtorit të Diellit, Faik Konicës, në numrin e përvjetorit të parë, botuar në gazetën e 11 shkurtit 1910. 

       Gazeta “Kombi”përgatitej dhe shtypej nga Efthim Natsi dhe George Konda Gjoleka.Të rinjët shkonin në shtypshkronjë dhe e merrnin gazetën për ta shpërndarë tek bashkatdhetarët. Për ta kuptuar gjendjen e vështirë ku shtypej gazeta, mjafton të sjellim në mendje atë çfarë shkruante Kostandin Demo në libërthin e tij ”Shqiptarë n’Amerikë”. 

Citoj:“Përfytëroni po të mundni,Nolin në të djathtë duke ushqye me letër shtypshkronjën, Thimaqin në mes duke pompu maqinën me këmbë, dhe mandej fill duke u vërsulë që të kontrollonte shtypjen, ndërsa Peci në të majtë, nxirrte nga maqina fletët e shtypura të gazetës…”

      Emrin e Efthim Natsit e ndeshim përherë e më shpesh gjatë shfletimeve të Kombi-t dhe të Diellit si dhe në  si veprimtaritë e Besa-Besë e VATRA,që kishin në administrim”Diellin”.

Konica shkruante plot ngrohtësi për kryetarin e Besa-Besë, Kristo Kirka, për pleqësinë e nxehtë, kurdoherë gati të bëjë detyrën e saj, …menaxherin George Konda… Drejtori i Diellit, Faik Konica, nuk harron që të përhirojë Efthim Natsin me vëllezër:”…Dhe s’mund të heshtim emrin e zotit Efthim Natsi, i cili nga atdhesia ka marrë gjurmët e dy vëllezërve të njohur të Tij, dhe z. Ilo Zografi”, shkruan Konica në numrin e 11 shkurtit 1910.

Efthimi ishte pjesë e gazetës”Dielli” dhe kontributor i saj edhe kur gazeta e Besa-Besë dilte me dy emra”Dielli dhe Flamuri, (25 Shkurt 1910 deri me 28 Shtator 1911).

  Efthim Natsi ishte pjesa e padukshme e Diellit, veçanërisht në dekadën e parë. Ai nuk e shënoi emrin si editor i Diellit, edhe pse shpesh herë e kreu këtë mision.Kështu ndodhi në Dhjetorin e vitit 1912, kur Faik Konica shkoi në Evropë, në gazetë mbeti emri i  Faik Konicës, edhe pse gazeta defakto drejtohej nga Efthim Natsi, si editor. Kjo e dhënë dokumentohet në gazetën”Dielli” të 19 dhjetorit 1912, ku botohet lajmi”Faik Konica Largohet nga Amerika.”

    Lajmi informon për largimin dhe mesazhin e Konicës:”Atdhetarë, Shqiptarë të Amerikës; me qenë që më përcjellin me urimet e tyre të ngrohta, u lë shëndet. U pjekshim të gëzuar, dhe për së afërmi në Shqipëri!. Si zyrtarëve të Vatrës, si anëtarëve dhe këndonjësve të dashur, u jap pjekje për së afërmi në Shqipëri”. F.K. 

      Nën këtë përshëndetje të kryetarit të Vatrës dhe kryeredaktorit të Diellit, bëhej ky shënim i redaksisë: ”Ndonëse Faik Konica shkojë n’Evropë, emri i tij qëndroi për një kohë të gjatë si redaktor i DIELLIT. Punën si redaktor e bënte z.Efthim Natsi.”(Citimi nga gazeta “Dielli, 19 dhjetor 1912.)

     Efthim Natsi, jo vetëm që bënte punën e editorit, por edhe kontribuonte financiarisht, si shumë shqiptarë të tjerë të Amerikës. Ai iu bashkua thirrjes që u drejtoi lexuesëve të Diellit dhe vatranëve, menaxheri i gazetës,Vangjel Gjika, më 30 shtator 1913. Njoftimi u publikua në Diellin e 14 tetorit:” …Me datë 30 shtator menaxheri Vangjel Gjika, lëshoi thirrjen për të blerë shtypshkronjë për Diellin. Gjika kërkonte 100 shokë të jepnin nga 15 dollarë ose më tepër (sipas mundësive) për të blerë makineritë e shtypskronjës. Për këtë qëllim ai shkoi nëpër kolonitë, ku jetonin shqiptarët, dhe dha konferenca duke argumentuar se përse duhej kjo shtypshkronjë, si do t’i ndihte ajo jo vetëm gazetës”Dielli”, por edhe çështjes kombëtare duke botuar libra për Shqipërinë.

Efthim Natsi ishte nga të parët që iu bashhkua këtij grupimi, madje ai ishte pjesë e komisiont që u caktua për të blerë makineritë e shtypshkronëjs së re.

Gazeta Dielli njoftonte në numrin e 12 dhjetorit 1913 se”Më 23 nëntor, 1913, Komisioni i Vatrës (i brazvlershëm me Kryesinë e sotshme) mbajti mbledhje dhe vendosi të blerë makineritë për shtypshkronjën. Komisioni i zgjedhur për këtë qëllim përbëhet nga Efthim Natsi, Paskal Aleksi, Nick Dishnica dhe Harry Kaçka.”

               Si rezultat i blerjes së makinerive për shtypshkronjën e Diellit, gazeta në numrin e 6 janarit 1914, u zmadhua; nga katër kolona, që  dilte më  parë, doli me pesë. Dielli në këtë kohë kishte për editor Paskal Aleks, i cili me 17 shkurt 1914, u nis për në Shqipëri dhe shkroi reportazhe nga Durrësi. Në vend të tij, Diellin e drejtoi Denis Kamburi(Dennis Kambury). Atë kohe Diell i dërgoi në Shqipëri 400 copë gazeta.

         Efthim Natsit iu ngarkua sërish barra e editorit të Diellit në kuvendin e 4 Korriku 1914. Arsyeja ishte se u hoq nga pozicioni i editorit Denis Kamburi.Natsi e pranoi detyrën. Ai e drejtoi gazetën Dielli deri në nëntor 1914. Komisioni Drejtues i vatrës kishte vendosur në mbledhjen e 11 tetorit të thërriste për pozicionin e editorit Kostë Çekrezin, i cili aso kohe ndodhej në Brindizi, Itali, në kampin e refugjatëve. Çekrezi nisi ta drejtojë Diellin, që nga numri i 10 nëntorit 1914. Gazeta botohej 2 herë në javë, që nga 11 marsi i vitit 1913. Pas tri javësh, Kostë Çekerezi realizoi botimin 3 herë në javë të Diellit. Me 7 nëntor 1915 Dielli nën drejtimin e Çekrezit u bë e përditshme, duke shënuar rekordin e së parës gazetë shqiptare të përditshme.

        Dielli do të vazhdonte të botohej nën drejtimin e Kostë Çekrezit deri në numrin e 20 Dhjetorit 1915. Pas atij numri Dielli u editua vullnetarisht, pa pagesë nga Fan S Noli, deri në numrin e 6 korrikut 1916. Në Janar 1916, Vatra emëroi ndihmës editor Andon Frashërin, një ndër vatranët që kishte përfunduar shkollën e mesme në Natick, Massachusetts. Frashëri qëndroi ndihmës editor për disa vite. Ai punoi në këtë pozicion edhe pas Kuvendit të 4 Korriku, kur Bahri Omari, fitoi pozicionin e editorit përballë kandidaturës të Kostë Çekrezit. Andon Frashëri u emërua editor në Kuvendin e 11 Korrikut 1920. Ai e mbajti këtë pozicion deri në tetor 1923, ku Faik Konica e pushoi.

  Me këto radhë, në kuadër të 110 vjetorit të themelimit të Vatrës, solla në kujtesë një nga vatranët dhe editorin e paekspozuar të Diellit, Efthim Natsi(Nasi), edhe për faktin se për të shkruhet për herë të parë.

Me këtë rast kujtoj të ndjerin kryetar të Vatrës, Inxhinier Agim Karagjozin, i cili në mometin që mora drejtimin e Diellit, më porositi: Mos shkruaj vetëm për Nolin dhe Konicën se për ta shkruajnë shumë studiues, por shkruaj dhe për vatranët e thjeshtë, për të cilët është thënë fare pak.Vatrën dhe Diellin e kanë mbajtur vatranët, jo vetëm kryetarët.”

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca, efthim natsi

28 PRILL 1912-2022; 110 VJETORI I THEMELIMIT TË VATRËS / ATDHETARI QË DHA FRYMËN E FUNDIT NË DITËTHEMELIMIN E VATRËS,28 PRILL

April 28, 2022 by s p

…NJOLLA E KRIMINELIT MBI BALLIN E ATDHETARIT 

ARSHI PIPA: Vdiq Flamurtari i moçëm!/ Si rrojti: vdiq me nder/ I pastër, i devoçëm,/E pa u përkulë nji herë./… Ndër qela- u sos t’Burrelit,/Me dhunën e tradhëtarit,/Me njoll’n e  kriminelit/ Mbi ballin e atdhetarit/…

NGA DALIP GRECA*

ATDHETARI QË DHA FRYMËN E FUNDIT NË DITËTHEMELIMIN E VATRËS,28 PRILL

       Me 28 prill 1955 pushoi së rrahuri zemra e atdhetarit të orëve të para të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish kryetar i Shoqatës atdhetare”Besa Besën”,kryetar i shoqatës “Arsimi”, bashkthemelues i Vatrës, nënkryetar i saj, shoqërues i dorëzimit të Imzot Nolit Prift, deputet në Parlamentin shqiptar, nën/prefekt në Himarë dhe Bilisht, kryetar i Bashkisë së Korçës, një ndër themeltarët e Vatrës, menaxheri i parë i Diellit si gazetë e Vatrës, dhe krah i djathtë i Nolit në themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Kristo Kirka.  

Shpirti i atdhetarit u shua në ditën e themelimit të Vatrës, me 28 prill, si për të dëshmuar se jeta e tij prej martiri ishte pazgjidhshmërisht e lidhur me Vatrën kombtare, së cilës ai dhe patriotët e tjerë i dhanë përjetësinë.

        Jeta e atdhetarit u shua në burgun politik të Burrelit, një ndër më të egrit e diktaturës komuniste. Atdhetarit të orëve të para edhe sot nuk i janë gjetur eshtrat. Nuk ka varr. Vatrani që kishte vënë jetën në themelet e atdhetarizmit ndëshkohej në mënyrën më çnjerëzore. Cili komb tjetër i ka ndëshkuar atdhetarët në mënyrë kaq kriminale?
      Kristo Kirka pat ardhë në Amerikë që më 1905. Ai qe një ndër atdhetarët që iu përkushtua kombit dhe ishte me fat që pat miqësi e aktivitet të përbashkët me Sotir Pecin, Fan S. Nolin, Faik Konicën, Kristo Floqin,Koço Kotën, Elio Tromarën e të tjerë patriotë, që përbëjnë elitën e diasporës në SHBA. Që më 1906 iu përgjigj thirrjes së Sotir Pecit për të ndihmuar gazetën”Kombi” ,e para gazetë e shqiptarëve të Amerikës, dhe jo vetëm dhuroi, por edhe mblodhi ndihma për të.Kur Noli iu bashklua Pecit si redaktor i Kombi-t, Kristo Kirka, e shoqëroi në Natick dhe u bëri thirrje të ndihnin Kombin, që të vazhdonte botimin. I pari dhuroi kursimet e veta Kirka dhe pas tij Kol Tromara, Andrea Pani, Ilo Tromara, Sotir Noka, Ilo Zdruli dhe shumë të tjerë. Noli i falenderoi me fjalë zemre.Kur Noli do të themelonte shoqatën Besa-Besë, Kirka ishte pjesë e shoqatës.
      Kur Noli do të dorëzohej prift, Kristo Kirka ishte në komisionin dëshmus të ortodoksëve shqiptarë pranë Kishës Ruse në Nju Jork, së bashku me Sotir Pecin, Vangjel Miller, Spiridon e Gaqo Dushi , Kol Rodhe e të tjerë patriotë korcarë, që i dhanë shpirt lëvizjes kombtare në SHBA.
Më 1908 Kristo Kirka është zgjedhur kryetar i Shoqërisë Besa-Besën, detyrë që duket se e ka mbajtë dhe më 1910, ç’ka e dëshmon një letër e Faik Konitzës, e 11 shkurtit të atij viti,kur kryente detyrën e editorit të Diellit dhe i drejtohej me mesazhin falenderues:”Shoqërisë Besa-Besën, kryetarit të palodhur të saj Kristo Kirka,pleqësisë së nxehtë, kurdoherë gati të bëjë detyrën e saj…”.

  Kristo Kirka kontribuonte paralelisht në disa shoqata, që vepronin atë kohë në SHBA. Me 1911 ai kryente detyrën e arkëtarit të Shoqërisë teatrale”Lahuta” që e kishte qendrën në Cochituate në Massachusetts. Ishte dhe kontributi i tij që kjo shoqatë kulturore vuri me sukses në skenë dramën”Vdekja e Pirros”(1910), shkruar nga Mihal Grameno dhe komedinë “Një gjyq në Rekë” të Kristo Floqit më 1911.

Ndërkohë, kontributi i tij në shoqatat “Besa-Besë” dhe “Arsimi” ishte parësor. Ai ishte në krahun përparimtar në debatet që paten shpërthyer në Shoqatën Besa-Besë në vitet 190-1911, ku debatohej se ç’krah duhej të merrte shoqata, atë të Austro-Hungarisë apo të Turqisë që po gremisej.Dielli shkruantë në numrin e 9 nëntorit 1911se Kristo Kirka kishte triumfuar me kritikat e rrepta kundër përçarsve.

 Qëndrimin e tij pro Austro-Hungarisë, Kirka e shfaq edhe në një takim në prag të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ai denoncoi krimet serbe në Kosovë dhe shprehu përkrahje për Austrinë, e cila duke çliruar tokat shqiptare të Kosovës martire, do të fitojë përgjithnjë dashurinë dhe mirënjohjen e kombit shqiptar.

Për Kirkën, dy fqinjët tanë, grekët në Jugë dhe serbët në Veri, ishin armiqtë tanë, që rrezikojnë ekzistencën e Kombit të lashtë shqiptar. Në një miting të madh, organizuar me 2 shkurt 1913, ku shqiptarët protestuan kundër masakrave dhe barbarive greke në jug të Shqipërisë. Demonstrata u organizua nga Shoqëria”Arsimi” e Korçës, ku Kirka ishte në bordin drejtues, dhe kishte qenë kryetar i saj. Edhe Vatra ishte pjesë e organizimit të kësaj demonstrate.Në krye të mitingut ishte Kristo Kirka. Dielli, në kronikën e vet përshkruse, ka përcjellë pjesë nga fjalimi i kryetarit Kirka,i cili ngriti lart vlerat e qytetit të tij të lindjes, Korçës, si djep i Shqiptarisë, ku u ngrit e para shkollë shqipe, ku u botuan të parat gazeta shqip, të parat shtypshkronja. Ai tha se do të ishte një çnderim i madh nëse Korça mbetej jashtë kufijve të shtetit shqiptar.

 Kirka firmosi telegramin e mitingut të madh të Bostonit, drejtuar ministrit të Jashtëm britanik, Sir Edward Grey. Në të shkruhej” Mijëra shqiptarë të krishterë protestojnë kundër masakrave që po bën ushtëria greke nër burrat dhe gratë në Korçë dhe fshatarve rrotull, si dhe kundër pothua 80 fshatrave cilët i përmbysnë rrotull Devollit. Një telegram i tillë iu dërgua dhe qeverisë së përkohshme shqiptare. Në arkivin e familjes Kirka, ruhet dhe telegrami, që atë Kohë Kristo Kirka mori nga delegatët shqiptarë, që ndodheshin atë kohë në Londër. 

Gazeta Dielli e 27 Shkurtit 1913 e ka përcjellë tekstin e atij telegrami:” I nderçmi atdhetar; Ju përhirojmë për atdhesinë që çfaqni.Korçarët, kurdoherë atdhetarë, u çfaqnë në këto çaste kritke të zotët të luftojnë për të drejtat e tyre.Me sa na mundet, u përpoqmë dhe përpiqemi që Korça, një nga më të bukurat xhevaire të kurorës shqiptare, t’i mbetet Shqipërisë dhe mundim t’ju sigurojmë që do t’i shpëtojë nga thonjtë armiqëve…”

Vatra, me patriotë të tillë si Kristo Kirka, shpëtoi Korçën dhe Gjirokastrën nga thonjtë e grekëve. Eshtë e njohur deklarata e Venizellosit se ishte Vatra ajo që ia hoqi nga duart Vorio Epirin.

 Sipas Diellit të 2 majit 1913, në një tjetër miting të madh, shqiptarët e Amerikës protestuan fuqishëm kundër vendimeve të Konferencës së Londrës.Menaxheri i gazetës”Dielli” Kristo Kirka, denoncoi grabitjen e tokave shqiptare me vendime të ndërkombëtareve. Kirka ngre lart luftën e trimave shqiptar të Kosovës me gjeneralin popullor Isa Boletini dhe e mbylli fjalimin me vargjet e poezisë”Oso Kuka”.
Kristo Kirka ishte delegat në të gjitha takimet themeluse të Federatës “Vatra” dhe në mbledhjen themeluse ai u zgjodh menaxher i Diellit. E kreu edhe detyrën e kryetarit të degës së Vatrës nr 1 për Bostonin, që në themelimin e degës, ndërkohë u zgjodh nënkryetar dhe kreu edhe detyrën e kryetarit.
Atdhetari i përkushtuar gjatë të gjithë kohës ishte në krye të veprimtarive antigreke që organizonin shqiptarët e Amerikës. Madje në mitingun madhështor të 2 shkurtit 1913, në “Phoenix Hall” në Boston, organizuar nga Shoqëria Korçare “Arsimi” me përkrahjen e “Vatrës” ai ishte drejtus i mitingut kundër barabarizmave greke në jug të Shqipërisë.
Kristo Kirka sipas gazetës Dielli , 2 maj 1913, ishte në krye të një mitingu të organizuar në Boston në mbrojtje të kufijëve të Shqipërisë, si reagim kundër vendimeve coptuse të Konferencës së Londrës.
            Më 1914, atdhetari i palodhur, ndodhet në Rumani dhe me delegacionin e shqiptarëve të Rumanisë shkon në Durrës dhe urojnë dhe mbështesin Princ Vidin. Po atë vit Kristo Kirkën e gjejmë në Korçë, i emëruar përgjegjës për punët publike. Gjatë përpjekjeve të grekëve për të aneksuar Korçën, Kristo Kirka ishte në krah të Themistokli Gërmenjit, me detyrë përgjegjës për mbrojtjen e postblloqeve të qytetit nga sulmet e andartëve grekë.Pas hyrjes së grekëve në Korçë, Kristo Kirka me atdhetarë të tjerë detyrohen të lënë vendin. Rikthehet sërish në radhët e Vatrës duke u bërë si më parë një përkrahës i zjarrtë i Nolit.

    Në janar 1921,Këshilli i Vatrës e ngarkon Kristo Kirkën përfaqësues të posaçëm të Vatrës në Shqipëri.Duke qenë një figurë që gëzonte besim në popull ai u zgjodh deputet i Korçës në Parlamentin Shqiptar për katër vite.Më 1924 Qeveria e Nolit e dërgoi konsull në Boston.
      Në vitin 1933 rikthehet në Shqipëri, edhe pse ishte kundërshtar i monarkisë, për atdhetarizëm emërohet nënprefekt në Himarë dhe më pas në Bilisht.Ishte i fundit kryetar bashkie i Korçës para instalimit të diktaturës komuniste, para ardhjes në pushtet të komunistëve.Refuzoi ftesën për të marrë pjesë në Kongresin e Përmetit. Sapo komunistët hynë në Korçë, arrestohet nga njësiti guerril; e lirojnë pas një jave. Pas dy muajsh e propozojnë për kryetar fronti për shkak të popullaritetit që kishte; por sërish refuzon, duke paraqitë si shkak moshën e mahde. Me 12 maj 1946 arrestohet dhe dënohet me 20 vjet burg. Arrestohet vatrani që kishte lënë Amerikën për të bërë Shqipërinë! Atdhetarizmi shpërblehet me burg! Pas 9 vitesh vuajtjesh në burgun e tmerrshëm të Burrelit, dha shpirt, por trupi i tij nuk iu kthye familjarëve.Martiri mbeti pa varr!
Poeti antikomunist, Arshi Pipa,bashkëvuajtës me Kristo Kirkën, do të shkruante aso kohe  elegjinë përjetësuse”Elegji për atdhetarin Kristo Kirka”. Në vargje shpërthen dhimbja për atdhetarin dhe mllefi për diktaturën, që i mohoi dhe varrin:

Vdiq Flamurtari i moçëm!
Si rrojti: vdiq me nder.
I pastër, i devoçëm,
E pa u përkulë nji herë.

Ndër qela- u sos t’Burrelit,
Me dhunën e tradhëtarit,
Me njoll’n e  kriminelit
Mbi ballin e atdhetarit

A u pezmatu, a u-lodh
Se ashtu u-shpërblye i pafati?
Se fëmija pranë s’ju ndodh
Se vorr, as vorr, nuk pati?

Nuk fali, nuk mallkoi.
Por kur fjala ju-pre
Ndigjuem qysh thellë ankoi:
“Për Flamur!…për Atdhe…!

(Arshi Pipa- Libri i Burgut)

VATRA, SHTETI I MUNGUAR SHQIPTAR

Federata Pan shqiptare e Amerikës Vatra dha gjithëçka për të shpëtuar Shqipërinë, madje sakrifikoi jetët e drejtuesëve të saj..Siç ka shkruar Faik Konica, një ndër shtyllat e Federatës, sekretari i Komisionit të  bashkimit të shoqërive që vepronin në SHBA më  1912,- “Vatra” mori përsipër të veprojë  në vend të shtetit të vdekur shqiptar.”

 “Vatra” e shqiptarëve të Amerikës ka bërë punë të mëdha për Shqipërinë: Emëroi dhe financoi delegatët e Shqipërisë në Evropë dhe Uashington, që i shërbyen çështjes kombëtare në  çastet më të vështira gjatë Luftës së Parë  Botërore e më pas.

 Ishin harxhet e Vatrës ato që financuan jo vetëm diplomatët shqiptarë, por edhe miq të Shqipërisë si dhe agjensi të huaja të specializuara që punuan në ato vite për të propaganduar çështjen kombëtare shqiptare. Protestat e shumta, telegramet dhe deklaratat e organizuara nga Vatra në SHBA për mbrojtjen e çështjes shqiptare pranë kancelarive, konferencave, forumeve ndërkombëtare, qenë  jetike për kombin.

Ishte Vatra ajo që me 3 qershor 1917 nisi fushatën e lobimit për mbrojtjen e pavarsisv së Shqipërisë nën moton”Për shpëtimin e Shqipërisë”, ku u mblodhën 150 mijë dollar. Pa kaluar tre vjet nisi fushata tjetër në ndihmë të qeverisë shqiptare “Huaja Kombëtare”, ku mblodhën më shumë se 198.000.00 dollarë amerikanë, që për kohën ishin shuma të mëdha, ndërkohë që punëtorët a pakualifikuar s’arrinin të merrnin më shumë se 5-7 dollarë në javë.

Një kontribut i çmuar i Vatrës ishte ai për zgjimin e kombit dhe ndriçimin e vetëdijes kombëtare.“Dielli” dhe Federatës “Vatra”, zgjuan nga plogështia shekullore jo vetëm shqiptarët e Amerikës, por edhe ata të Shqipërisë.Ndihma që dha” Vatra” për arsimimin e shqiptarëve dhe kulturën kombëtare, janë të pamohushme. Më shumë se 200 mijë tekste shkollore për shkollat shqiptare i sponsorizoi “Vatra”,ndërkohë që nxiti botimin dhe përkthimin e dhjetëra veprave letrare, përkrahu materialisht dërgimin e studentëve shqiptarë në shkollat amerikane etj. Nga diaspora e Amerikës Shqipëria fitoi edhe Kishën Autoqefale Orthodokse, që u bë një nga shtyllat e forcimit të shtetit.

Pas Luftës së Parë  Botërore, si dhe në prag të Luftës së Dytë  Botërore, shumë prej vatranëve patriotë iu përgjigjën zërit të Atdheut,  lanë Amerikën për t’i shërbyer Shqipërisë. Disa prej tyre u ndëshkuan nga diktatura komuniste që u instalua në Shqipëri, pa qenë  fajtorë e pa u gjykuar si të atillë. Atdhetarët e orëve të para ranë në kurthin e diktaturës,e  cila shumëzoi me zero kontributin atdhetar dhe sakrificat e mëdha që ata kishin bërë për Shqipërinë.

Është jashtë çdo logjike që atdhetarizmi të shpërblehet me plumba apo me burgime të rënda. Ajo “Vatër” që i kishte paraprirë formimit të shtetit të munguar shqiptar, ajo VATER, që mbrojti Shqipërinë përmes Amerikës në Konferencën e Paqes, merrte shpërblimin e dhunshëm duke u hequr të drejtën për të jetuar vatranëve patriotë, vetëm e vetëm pse nuk kishin pranuar idologjinë vëllavrasëse komuniste. Tre nga delegatët themeltarë të Vatrës; që së bashku me komisionin e bashkimit, sollën krijimin e Federatës; Kolë Rodhja, Kristo Kirka dhe Koço Kosta, u ndëshkuan prej diktaturës vetëm pse nuk u bënë bashkëpunëtorë të saj. Kryetari i Vatrës Kol Tromari, komandanti i Trupave vullnetare të Vatrës Aqif Përmeti, Editori i Diellit Bahri Omari u pushkatua pa iu provuar asnjë lloj fajësie, Aqile Tasi, që për tetë vjet kishte qenë zyrtar e kryetar i Vatrës si dhe editor i Diellit, dhe pat lënë Amerikën për të pranuar detyrën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë e për të kontribuar në shtypin shqiptar, u dërgua në burgun e Burrelit duke u shpërblyer në mënyrën më çnjerëzore për atdhetarizmin e tij, siç kishte ndodhë edhe me Kristo Kirkën.

PARADOKSI- VATRANËT U SHPËRBLYEN ME PLUMBA 

Çfaj kishte bërë Kolë Tromara, kryetari i Vatrës më  1917 dhe 1918, që i kishte dhënë  Shqipërisë gjithëçka kishte të shtrenjtë, deri edhe jeten? Po Bahri Omari, editor i Diellit, Aqif Përmeti, menaxher i Diellit, komandant i Trupava Vullnetare të Vatrës që la Amerikën për të mbrojtë Shqipërinë nga barbaritë e grekëve?  Përse u ndëshkua Ali Kuçi, ai vatrani që u printe dhurusve për çështjen shqiptare duke dhuruar më shumë se të gjithë për shpëtimin e Shqipërisë nën thirrjen e imzot Nolit:”Jepni për Nënën”? Shpirti i tij u shua në qelitë e errëta të Beratit.U mbeti ndër duar hetuesve komunist gjatë torturave çnjerzore në qelitë e vdekjes! Edhe vatranë të tjerë: Ish kryetari i Vatrës dhe editor i Diellit Aqile Tasi,Koço Kota, Kristo Floqi, Kol Rodhe, Kol Kuqali, Andon Frashëri, do të plaseshin në burgjet e diktaturës.

        Vatranët që kishin ndezur ëndërrën për mëvetësinë e Shqipërisë dhe kishin iluminuar shpirtrat e shqiptarëve për të ringjallur kombin e motit të  madh të Skënderbeut, u martirizuan për të mos e tradhëtuar idealin kombëtar. Në memorien e historisë ata do të mbeten martirë të iedaleve kombëtare. 

PA KOMENT-LETRA E KRISTO KIRKËS PËR MID’HAT FRASHËRIN

Boston Mass, 27 prill, 1920

Z. Mid’hat Frashëri,

Delegat i Vatrës.

40 Rue de l’Artois

Paris, Francë

Muarëm letrën tuaj me datë 21 Mars

Për dr. Adhamidin, përsa na shkruani, u habitmë, se nuk dimë gjësendi dhe nuk kemi dëgjuar gjë. Do ish mirë po të kini më tepër dritë, të na bëni të njohur.

      Sa për politikën që mban Dielli dhe të cilën e gjeni Italo-file vimë t’ju themi se Dielli nuk ka mbajtur politikë të tillë, por munt disa nga artikujt e tij t’ju duken si të tillë. Redaksia e Diellit si dhe neve, ju lutemi tepër që hera-herën të na shkruani nga një raport, i cili të botohet në gazetë dhe të shfaqni politikën tonë. Kësisoj Dielli të shkelë mbi ato gjurmë, se pa mos patur një dritë të tillë, gazeta nga ndonjë herë munt të gabohet pa dashur. Me raporte më të dendur dhe më të gjatë, Vatra dhe Dielli, ndritohen mjaft dhe dinë të punojnë më mirë.

   Nga një kabllo që muarmë me datë 20 prill nga dr. Mihal Turtulli, delegati i Vatrës, muarëm dhe demicjen e tij(dorëheqjen), si delegate i Vatrës. Kjo na hidhëroi tepër se nuk dimë shkaket që doktori jep dorëheqjen.Duket që e gjen të tepërt që Vatra të ketë delegatë sot kur qeveria ka të sajët.

  Nuk dimë edhe se si gjykoni juve mbi këtë çështje, duhet delegatët e Vatrës të qëndrojnë edhe në Paris apo duhet të veprojnë në Shqipëri, ku ka fushë veprimi më të gjërë dhe është  nevoja për ta?

    Më 17 të këtij muaji, ju dërguam një kabllo, siç ju dërguam dhe delegatëve të tjerë të Vatrës, ku ju thoshim se duhet në këto raste të jeni të bashkuar dhe në harmoni me delegacjen zyrtare të Qeverisë sonë. E gjetmë të arsyeshme se një mosbashkëpunim dhe një përçarje na duket në këto kohëra është tepër i rrezikshëm.

    Në raportin financial të zotit Mehmet Konica me datë 22 nëntor, 1919 vemë re si ai ju ka dërguar për broshurën ”Shqiptarët dhe sllavët” franga 2910.20(dy mijë e nëntëqind e dhjetë). Gjithashtu u ka dërguar për rrogë franga 3.095.20(tri mijë e nëntëdhjetë e pesë e 20) për rrogën dhe harxhe. Vatra u ka dërguar së këtejmi në Midi-Clarence, Svicre, më 13 dhjetor 1919  franga 10.000(Dhjetemijë). Me që Kuvendi i Vatrës i përmotshëm po afrohet, dëshirojmë që të kemi një raport financial për këto të holla dhe për rrogën tuaj , që kështu dhe hesapet e mvarura t’i mbyllim dhe t’ia paraqitim Kuvendit. Shpresojmë të na dërgoni këtë raport përpara 15 Qershorit që vjen.

         Ju përshëndosh atdhetarisht dhe mbetem juaji me besë

                Kristo Kirka

Zëvendës/Kryetar i Vatrës

Arkivi Qendror I Shtetit

Fondi 35, dosja 38,fletet 142-143


Diçiturat e fotografive:

 1-Kristo. Kirka 17 Janar  1883- 28 Prill 1955

2- Fan S. Noli, Sotir Peci, Kristo Kirka, Boston 1908

3-Imzot Noli, shoqeruar nga Kristo Kirka, Korçe, 11 dhjetor 1921

5-Kristo Kirka dhe ambasadori amerika Grant Hugh, qershor 1938 ne Hoçisht, Korçe.

4- Kristo Kirka, Konsull ne Nju Jork, 1925..

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca, Kristo Kirka

Xhevat Kallajxhiu si Ikonë e Gazetarisë së Mërgimit dhe romani i tij “Larg Atdheut”

April 23, 2022 by s p

Nga Dalip GRECA*

Fillimisht dua të falenderoj dervish Eliton Pashaj, që më bëri pjesë të projektit të Teqesë së Baba Rexhebit dhe Kryegjyshatës në botimin e librit të ish editorit të Diellit Xhevat Kallajxhiu. Libri i shkruar që më 1947 në Regio Emilia, mbetur në dorëshkrim, pasi u gjet nga dervish Eliton Pashaj, mu dërgua në qershor 2020 me kërkesën që pasi ta lexoja t’i bëja një përcjellje, e cila është përfshirë në këtë botim nga faqa 5 deri në 15. E kzistenca e librit historik “Larg Atdheut” ishte paralajmëruar nga vetë Xhevat Kallajxhiu në parathënien e libërthit me 100 anekdota të titulluar”Për të qeshur”, publikuar në vitin 1976, shumica nga të cilat qenë botuar herë pas here në faqet e gazetës”Dielli”. Pas vdekjes së Xhevatit, në shkrimin përkujtimor që botoi në gazetën”Dielli”- studiuesi Peter R. Prifti e përmend romanin e pa botuar, që ishte në dorshkrim, por nuk dha më shumë detaje. Pyetja shtrohet: Përse nuk u botua libri sa ishte gjallë autori, ndërkohë që siç shkruan ai vetë, e kishte përfunduar që më 1947 në Regio Emilia, në kampet e emigrantëve politik të pas luftës, ndërkohë që ai botoi një sërë librash si: “Për të qeshur” 1960, “Bektashizmi dhe Teqeja Shqiptare në Amerikë”-1964, “Skënderbeu”-1976, “John Kenedy, kampion i Paqes dhe lirisë”, Vëllimin poetik”Lot dhe shpresa” etj. Pra përse nuk e botoi dhe librin e hershëm shkruar më 1947? Xhevati nuk foli, as shkroi në të gjallë të tij se përse nuk mundi ta botonte. Nuk mendoj se shkaku ka qenë financiar. Sipas arsyetimit time duhet të ketë qenë problematika e librit, faktet historike, denocimet e dhunës dhe të luftës civile në Shqipëri përgjatë Luftës së Dytë Botërore, ku Partia Komuniste, sipas tij, ishte shkaktare e vëllavrasjes dhe përçarjes kombëtare. Mendoj se Xhevati i frikej hakmarrjes që mund të bënte diktatura mbi familjen e tij në Shqipëri, djalin dhe vajzat, edhe pse ai, gjatë ushtrimit të detyrës së editorit, nuk bëri kompromis me diktaturën.E kritikoi atë ashpër dhe u ballafaqua me të përmes shkrimeve. Madje shkroi në gazetën”Dielli’ edhe për kritikën e hapur, që i bëri me emër Enver Hoxha. E vërteta është se “Larg Atdheut” përbën një aktakuzë të fortë, të dokumentuar, kundër Enver Hoxhës dhe diktaturës që ai instaloi me ndihmën e emisarëve të Partisë Komuniste Jugosllave. Jo vetëm kaq, por ai e akuzon Enver Hoxhën edhe për krimet e pasluftës, ku nacionalistët, përfshirë dhe vatranët Kolë Tromara, ish kryetar i Vatrës, Bahri Omari, ish kryeredaktori i Diellit, Aqif Përmeti, komandanti i Trupave Vullnetare të Vatrës, apo të tjerë si Kristo Kirka, Aqile Tase, Kol Rodhe, Ali Kuçi, e të tjerë, që shkuan të shërbenin në Shqipëri, por diktatura i burgosi dhe ka nga ata që sot nuk kanë një varr ku t’u prehen eshtrat. Libri është edhe një burim autentik historik me fakte dhe dokumente që vërtetojnë krimet e Partisë Komuniste. Eshtë një rast i lumë që këtë libër e sjell sot në dritë,Selia e Shenjtë Bektashiane. Me modesti, autori e ka cilësuar librin e tij roman historik, ndonëse ky, ngjason më shumë me një traktat historik, mbështetur mbi fakt jetsore e dokumente historike. Në qendër të librit është i riu nacionalist Pirro Skënderi,rreth të cilit shtjellohen ngjarjet. Subjekti nis me përshkrimin e rrugëtimit të refugjatëve politik shqiptar nacionalist të luftës së dytë botërore, të cilët mbarteshin me kamionë nga kampi i Santafarës, mbartjen e tyre drejt qytetit të vogël të Jugut të Italisë, Leuca, qytet që atë kohë kishte rreth 500 shtëpi, 5 mijë banorë. Qyteti ndodhet tek thembra e çizmes. Aty ishin akomoduar nga anglo-amerikanët rreth 1500 refugjatë. Refugjatët nacionalistë shqiptarë organizojnë aty veprimtari patriotike dhe politike.Autori i tregon ngjarjet e së shkuarës duke u kthyer pas në kohë, duke pasur si referencë Pirro Skënderin, i cili dëshmon vitet e luftës në Shqipëri, nisjen e veprimtarisë së nacionalistëve, të cilët e filluan luftën para komunistëve, që në kohën e pushtimit.Pirro Skënderi është pjesmarrës në Konferencën e Mukjes dhe ngjarje të tjera si luftën e batalionit të Ballit”Besnik Çano” në Kosovë, ku ra dëshmor nacionalisti Hamdi Troplini. Ai denoncon masakrat e sllavëve në Kosovë, si ajo e Bihorit e janarit 1943, ku u masakruan 5600 shqiptarë, ato të vitit 1945 e në vijim, ku u vranë më shumë se 40 mijë shqiptarë:-8 mijë në Gjilan dhe rrethina, në Prishtinë më se 3600, më Ferizaj 1200, Drenicë 4 mijë, në Pejë 3600 etj. Ai denoncon masakrat e partizanëve kundër ballistëve si pushkatimi i 67 ballistëve në Lushnje nga Brigada e Mehmet Shehut, si dhe masakrat në Vlorë, Mallakastër, Gjirokastër,Elbasan, Berat, Dibër, Korçë, ku lufta vëllavrasëse merrte jetë shqiptarësh me urdhër të komandës partizane, nxitur nga emisarët e Beogradit.Heroi i librit, Pirro Skënderi ka një fund tragjik së bashku me shokun e tij, Sulo Tomorri, që shkuan në Shqipëri për të luftuar komunizmin dhe humbën jetën me forcat e ndjekjes.Libri ka element autobiografik, ku vetë Xhevat Kallajxhiu ishte pjesë e ngjarjeve që përshkruan.
Dalja në dritë i këtij libri, mundësuar prej klerikëve të sotëm bektashian, është pa më të voglin dyshim, një shpërblim i munguar ndaj përkushtimit të tij, në historinë 800 vjeçare të besimit të ngjizur prej Haxhi Bektash Veliut. *** XHEVAT KALLAJXHIU, EDITORI I DIELLIT PËR 10 VITE Xhevat Kallajxhiu nisi të drejtojë gazetën Dielli, që nga 1 tetori i vitit 1976 deri në vitin 1986. Drejtuesit e Vatrës ia kishin bërë herët ftesën për t’u vënë në krye të gazetës më të vjetër të shqiptarëve, por atë kohë Xhevati punonte në emisionet në gjuhën shqipe të Zërit të Amerikës, punë që i siguronte jo vetëm një pagesë të mirë, por edhe një pension të mirë për kohën e pleqërisë.Siç dëshmonte ai vetë në editorialin e 1 tetorit 1984, Vatra nuk kishte mundësi dhe nuk ishte në gjendje që t’i paguante as një të pestën e rrogës që merrte në Zërin e Amerikës. Duke mos iu përgjigjur në atë kohë kërkesës së Vatrës, tërthorazi Xhevati i bëri mirë vetë Vatrës sepse kur doli në pension dhe pranoi detyrën e drejtimit të Diellit, pagesa që mori nga Vatra ishte simbolike, madje shpesh herë, siç i merrte prej Vatrës, ia kthente asaj sërish në formë dhurimi. Gazetaria ishte pasioni i Kallajxhiut. Për të gazetaria ishte një nga profesionet më të mirë, më të bukur; në gazetari ka raste të shumta për frymëzim dhe krijimtari, imagjinatë e fatntazi, shkruante ai në faqet e Diellit. Gazetaria kishte nisë shtegtimin në kuptimin e plotë të fjalës me Xhevatin që kur ishte 22 vjeçar, kohë kur mbante postin e drejtorit përgjegjës të gazetës”Demokratia”, që pat filluar botimin në Gjirokastër në pranverën e vitit 1925 deri më 1939. Xhevati kishte adhurim dhe për vetë Vatrën. Ai pat bashkëpunuar rregullisht me drejtuesit e Vatrës, që kur punonte në Zërin e Amerikës. Në arkivin e Vatrës gjenden letërkëmbimet origjinale të tij me disa nga drejtuesit e Vatrës, para se të editonte gazetën”Dielli”. Kështu psh gjatë vitit 1968, tek festohej 500 vjetori i heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kryetari i Vatrës, Anthony Athanas, i dërgonte një letër vlerësuese për kontributin e tij kombëtar dhe e ftonte që të ishte folësi kryesor në banketin madhështor që organizonte Vatra në nderim të heroit kombëtar. Letra mbanë datën 15 shkurt 1968. Po ashtu gjenden letërkëmbime me editorin e gazetës”Dielli” Dr. Athanas Gegaj si dhe me editorin tjetër Refat Xh. Gurrazezin, me Dr. Hamdi Uruçin, Agim Karagjozin etj. Kallajxhiu i tha”Po’ ftesës së Vatrës për të drejtuar gazetën Dielli, pasi u pensionua në Zërin e Amerikës. Në shënimet editoriale ai sqaron:”Më në fund arriti koha që unë mora përsipër të kryeja detyrën e editorit të Diellit.Kjo gjë u bë e mundur kur dola në pension nga detyra që kisha në Zërin e Amerikës. Isha më i lirë.Mundësinë e jetesës ma siguronte pensioni i shtetit përfituar nga puna në Zërin e Amerikës. Nga ana e saj, Vatra më ofroi 200 dollarë në muaj, aq sa kërkova vetë. Shpenzimet për kartë e zarfa, pullat e postës, telefonatat me distancë të largët, kanë qenë të miat”… Xhevati e thoshte me krenari se”Jam editori i Diellit më pak i paguar nga Vatra, sepse ashtu kam dashur unë vetë…Kam dëgjuar se në këtë mënyrë ka vepruar edhe Refat Gurrazezi.Përveç kësaj, unë rrogën time, edhe pse fare e vogël,herë pas here, ia kam kthyer përsëri Vatrës, si dhuratë.” Përfundimisht Xhevat Kallajxhiu i shërbeu Vatrës në krye të Diellit vullnetarisht për një dekadë të plotë, 1976-1986. Ai e quante veten me fat dhe ndjehej i nderuar me pozicionin e editorit të Diellit, për të cilën shkruante me krenari” Dielli është e vetmja gazetë e trashëguar nga koha e Rilindjes; është gjithashtu e vetmja gazetë shqipe, që vazhdon të botohet qysh prej 15 Shkurtit të vitit 1909, vit kur nisi botimin në Boston. Për më tepër Dielli gëzon një emër të madh dhe ka një histori të shkëlqyer për veprimet e ndritura, të vjetra dhe të reja,në shërbim të Atdheut dhe popullit shqiptar, me Vatrën famëmadhe në krye. Përveç këtyre, Dielli ka patur si editor atdhetarë të shquar, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme. Të gjitha këto hynin në rezonancë me shpirtin rilindas të Kallajxhiut. Mbi të gjithë, Dielli ka patur editor dhe të dy kolosët e patriotizmit, të kulturës e të gazetarisë shqiptare:Fan S. Nolin dhe Faik Konicën. Ishin të gjithë këta faktorë që Xhevat Kallajxhiu e priti me gëzim emërimin si editor i gazetës Dielli dhe pa përfillur distancën e shtëpisë së tij, që ndodhej në adresën: 3415 Lorring Dr. Apt.# 202-Forestville, MD 20028) me Bostonin, ku ishin zyrat e Vatrës. Kur kishte mbushë 8 vjet në krye të Diellit, në një shënim editorial, ai shkruan sërish për motivet që i dhanë shtysën për të drejtuar gazetën Dielli.Citoj:”I frymëzuar nga ndjenja e atdhedashurisë dhe ndjenja e përgjegjësisë, vendosa që në pozicionin e editorit, të bëja diçka konkrete, dhe të lija gjurmë në veprimet në shërbim të vendit të lindjes, të kauzave të mëdha kombëtare dhe të komunitetit shqiptar në Amerikë”. Natyrisht nuk e pati të lehtë.Kur e mori drejtimin e gazetës, niveli kishte rënë dhe nuk e kishte më lavdinë e kolosve, financat për të përballuar botimin, ishin në pikë të hallit, por ai kishte besim se do t’ia dilte. Xhevati shkruante: “Vendosa që ta nxjerr Diellin nga gjendja e një gazete lokale dhe ta ngrija në shkallën e një gazete kombëtare e ndërkombëtare, ashtu siç ishte dikur”. Natyrisht kjo nuk ishte e lehtë që të realizohej, por ishte e domosdoshme sepse vetëm ashtu Diellit do t’i jepej mundësia që të lunate rol me rëndësi në çështjen Kombëtare dhe fjala e shkruar e gazetës të peshonte si në ambientet shqiptare, ashtu edhe në qarqet e huaja. Pas tetë vjetësh punë me përkushtim vetë editori Kallajxhiu konstatonte:”Lumturisht objektivi është arritur. Sot Dielli lexohet me kujdes dhe interes nga shqiptarët e çdo kategorie dhe dërgohet në çdo vend të botës së lirë, ku ka shqiptarë; dërgohet gjithasht dhe mbahet në konsideratë në Departamentin e Shtetit në Washington dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Romë, Beograd, Athinë, Ankara, po ashtu dërgohet edhe në Tiranë.” Por çfarë ndryshimesh solli Xhavat Kallajxhiu në gazetën Dielli? Ai ktheu Diellin në një tribunë të fjalës së lirë në kuptimin e drejtëpërdrejtë,ku personalitete të zotë e me aftësi profesionale, që jetonin jo vetëm në SHBA, por edhe në Evropë, kanë rrahur me seriozitet dhe dinjitet probleme të ndryshme me rëndësi kombëtare. Së dyti, solli në fokus çështjen e Kosovës dhe mbrojti me vendosmëri të drejtat etnike dhe legjitime të shqiptarëve në ish Jugosllavi. “Flamuri i Kosovës, është i sigurtë në duart e Vatrës”, shkruante Xhevat Kallajxhiu. Ai mbrojti me të gjitha format të drejtat e Njeriut, duke vënë në dispozicion faqet e gazetës.Së treti, ka denoncuar pa ndërprerje shypjet dhe padrejtësitë e regjimit të Tiranës, duke denoncuar dhunën shtetërore. Së katërti, ka përkrahur pa dallim të gjithë institucionet fetare të shqiptarëve në Amerikë e Kanada dhe ka informuar në çdo rast rreth veprimtarive të tyre, fushatave etj. Së pesti, u ka prirë përpjekjeve për mosasimilim të racës shqiptare në mërgim, duke e vënë theksin tek ruajtja e gjuhës shqipe, veçanërisht e ka bërë këtë përmes editorialeve, reportazheve, korrespondencave; ka këshilluar në vazhdimësi prindërit shqiptarë që të mos i kursejnë sakrificat e tyre për t’i pajisur fëmijët, djem e vajza, me mësimet më të larta sepse dituria është pasuria më e çmueshme që mund t’iu lënë trashëgim. Kallajxhiu e vuri gazetën Dielli në shërbim të gjithë shqiptarëve, pa dallim krahine, besimi fetar, tendencash politike atj. Me maturinë e tij, drejtpeshimin, ai iu shmang tensioneve që vinin nga partitë politike, duke mbajtur të ngritur Flamurin Kombëtar, mbi flamujt e partive. Të gjithë shihnin veten tek gazeta që editonte Xhevat Kallajxhiu. Faqet e Diellit në kohën e tij shkëlqyen nga idetë progresive kombëtare, nga faqet e ndritura të historisë së Kombit, nga portretet dhe idetë e Rilindjes Kombëtare dhe shfletimet e bëmave të tyre kombëtare, nga botimet e dokumenteve historike, nga shfletimi i historisë dhe jetës së përditshme të arbëreshëve, nga veprimtaritë e shqiptarëve në të gjithë anët e botës, historia e Amerikës etj. Përvjetorëve historikë Xhevati u kushtonte editoriale të posaçme. Kallajxhiut iu desh që të përballej edhe me kritika të ndryshme në formën e paraqitjes së gazetës. Sipas tij formati i madh nuk i shkonte më Diellit prandaj e ndryshoi dhe e bëri gazetën nga katër faqe në tetë, por me format të përgjysmuar. Me urtësi i tejkaloi kritikat, duke mos i ofenduar kritizerët, por duke i mundur me logjikë. Për këtë qëllim përdori rubrikën”Nga tryeza e Editorit”, ku bashkëbisedonte me lexuesit dhe kritikët.Ai kishte hapur rubrika të përhershme të bashkëbisedimit me lexuesit e Diellit dhe i respektonte ata duke botuar si lavdërimet ashtu dhe kritikat, kur ishin të drejta. Vlerësimet e lexuesëve ia ngrohnin shpirtin. Psh, një lexues i shkruante”Dielli po na nderon dhe për mua ka aq vlerë dhe rëndësi, sa ka dhe gazeta”The New York Times” për amerikanët…Ju lumtë!”. Reagimi i Xhevatit”Ky mesazh i shkurtër përbën për mua një shpërblim moral me rëndësi për çmimin e punës time si editor.” Megjithatë ai tregohej modest dhe shkruante ”megjithkëtë e shoh për detyrë të theksoj këtu haptazi se merita më e madhe, u takon bashkëpunëtorëve të shumtë që janë grumbulluar rreth Diellit. Dhe ky ishte një tjetër sukses i Xhevatit, ai iu imponoi respekt bashkëpunëtorëve dhe i bëri pjesë të Diellit ashtu siç mundi të gjente sponsor për botimin e Diellit, ku familje bashkatdhetarësh morën përsipër përballimin e shpenzimeve të botimit për 6 muaj deri në 1 vit. Në gjykimin tim Xhevat Kallajxhiu mbetet një ikonë e rrallë në gazetarinë e mërgimit. Kontributi i tij prej një dekade në gazetën Dielli, është me vlera jo vetëm për kohën kur shkroi dhe editoi Diellin e Vatrës, por edhe për brezat që erdhën dhe do të vijnë pas tij. Ai ishte njohës i mirë i historisë botërore, veçanërisht asaj amerikane dhe historisë shqiptare, ç’ka pasqyrohen në artikujt e tij historikë dhe në editorialet festivë e përkujtimorë. Ai e orientoi Diellin drejt shqetësimeve reale të komunitetit, të fuqizimit të Vatrës dhe çështjes shqiptare në tërësi. Kallajxhiu i dha hapsirë mbrojtjes të të drejtave të shqiptarëve në ish Jugosllavi dhe në Shqipërinë diktatoriale, denoncoi shkeljen e të drejtave njerëzore,shtroi me guxim probleme para komunitetit, evokoi historinë kombëtare, evidentoi vlerat e Vatrës dhe të Diellit, shkroi e përcolli me shpirt e sy të përlotur bashkatdhetarët që ndërruan jetë pa e parë Atdheun, dhe ai i përcolli në jetën tjetër duke shkruar kronikat. Xhevati ka lënë pas gjurmët e një njeriu me shpirt njerëzor, të dashur,të respektuar. Pena e tij në rreshtat e Diellit dëshmoi shpirtin rilindas; e deshi me shpirt Atdheun, që ia pat mohuar shteti komunist, që e pat shpallë armik të popullit. Xhevati ishte gazetar profesionist edhe pse nuk kishte kryer shkollë gazetarie, që të imponon t’ia lexosh artikujt e shkruar nga pena e tij e të përjetosh emocione. Ishte mjeshtër për të thënë shumë gjëra në pak radhë.Nuk kërkonte fjalë bombastike; jo stili i tij ishte i thjeshtë, fjalitë dhe frazat të shkurtra,fjalët rridhnin natyrshëm. Mendoj se suksesi qëndron edhe tek fakti se kur shkruante, e mendonte lexuesin përballë vetes. I përshtatej lexuesit të Diellit.Mendoj se kishte krijuar stilin e tij vetiak.Përherë nisej nga faktet për të shtruar idetë. Editorialet e tij, kam mendimin se mund dhe duhet të studiohen nga shkollat e gazetarisë në Tiranë, Prishtinë,Tetovë e Shkup. Xhevati tregonte kujdes që në përcaktimin e titullit të shkrimit, veçanërisht tek editorialet.Kur i shfletoja koleksionet e Diellit, harrohesha me orë të tëra; më fusnin në kurth titujt dhe i shkoja deri në fund leximit. Ka qenë shumë prodhimtar Kallajxhiu.Nuk ka numër të Diellit në 10 vitet që e drejtoi ai që të mos gjesh editorial me emrin e tij. U kushtonte kujdes titujve. Po përmend disa nga titujt e editorialeve të Xhevatit:”Flamuri i Kosovës në duart e Vatrës”, “U mbars mali dhe polli një mi”, “Hakmarrja, një zakon i keq”, “Të njohim njeri-tjetrin”, “Fati i të burgosurve të Kosovës”, “Gjallëria e racës shqiptare për Amerikën”, “Sundimet absolute dhe Liria”, “Thirrje arbëreshëve në Amerikë”, “Malli i Atdheut”, “Të drejtat e Njeriut” etj. Siç shihet mesazhet e editorialeve lexohen që në tituj. Kam konstatuar se Xhevati i provoi të gjithë gjinitë publicistike. Kryeartikullin, analizën, Kronikën, reportazhin, fotoreportazhin, satirën, humorin,lëvroi poezinë, esenë, etj. Ndërkohë Kallajxhiu mbetet edhe një qëmtues plot qibër i historisë së tarikatit bektashian dhe për më tepër një vëlla shpirtëror i klerikëve të teqesë së baba Rexhebit në Detroit, Miçigan. Kumtesë e mbajtur në Vatër, me 2o Prill 2022, në promovimin e librit të Xhevat Kallajxhiut”Larg Atdheut”.

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca, Xhevat Kallajxhi

KUSH MUND T’I DILTE PËR ZOT FOSHNJËS QË LINDI NË VLORË ME 28 NËNTOR 1912 PËRVEÇ VATRËS?

November 27, 2021 by s p

NGA DALIP GRECA/

Federata“Vatra” dhe Flamuri kuq e zi përbëjnë binomin e pandashëm përgjatë të gjithë së historisë së ekzistencës së vetë Vatrës. Që në kohë themelim e në vijëmësi Vatrës i ka prirë Flamuri  kuq e zi.Askush nuk mund ta mohojë faktin se Vatra i priu Pavarësisë, jo vetëm pse u themelua 7 muaj para se Ismail Qemali të ngrinte Flamurin e Pavarësisë në Vlorë me 28 Nëntor 1912, por edhe për faktin se ajo e orientoi shtetin e pavarur shqiptar në kahun perëndimor.

           Vatra ishte e kthjellët në qëndrimet e saj. Është i njohur qëndrimi i saj përmes telegramit të kryetarit të saj Faik Konica dërguar Kuvendit të Vlorës, ku kërkohet haptazi orientim perëndimor. Citoj:

Mbledhjes së Kombit, Vlorë:

Federata Panshqiptare VATRA e Amerikës dërgon urime të nxehta për inauguratën tuaj, e cila s’do të harrohet kurrë.

Vatra i lutet mbledhjes së Kombit, që të mos krijojë një shtet oriental, por një shtet krej Evropian, si Norvegjia, Danimarka, Hollanda, Blegjika…I nënshkruari u lutet veçan deputetëve muslimanë të provojnë atdhesin’ e tyre duke zgjedhur një princ të krishter. Po të bëjnë ndryshe do të bëjnë një lajthim të pandreqshëm…”

Për Komisionin- Faik Konitza(Dielli, 5 Dhjetor 1912)

          Shpallja e aktit të Pavarësisë nuk e shpëtoi Shqipërinë nga rreziqet. Vatra nuk rreshti së luftuari. Ajo dërgoi Nolin dhe Konicën në Evropë që të luftonin në arenën ndërkombëtare për shpëtimin e Shqipërisë, ndërkohë që Vatra nga Amerika u bë avokate e palodhur. Dielli konstatonte se: Proklamata e Pavrësisë ishte vetëm një copë kartë. Pyetja shtrohej: Si do të mbahej ky shtet? Fqinjët ia kishin bërë gati varrin para se të nisnin luftën me Turqinë. Shtetet e mëdha nuk ishin të gatshëm të mbronin krijesën-foshnjë-Shqipërinë e prapambetur. Ndër të gjitha, vetëm Austria ishte e ineteresuar të ndalte sllavizimin e tokave shqiptare, Italia e kushtëzonte mbrojtjen e Shqipërisë me interesat e veta, Franca dhe Rusia, punonin fort kundër interesaver shqiptare, Po ashtu Dielli konstatonte se krerët e Shqipërisë që kishin marrë shtetin në dorë ishin pa ndjenja atdhetarie, dhe thuajse të gjithë kishin shërbyer në të shkuarën në zyrat e Perandoris Osmane.

Dielli shtronte pyetjen: Kush mund t’i dilte për Zot foshnjës që lindi në Vlorë me 28 Nëntor 1912?Dhe përgjigjej po vetë: Vetëm Shqiptarët e Amerikës me anë të Vatrës, e cila që më 1912 dhe gjer më 1920 veproi nga Bostoni si qeveri në mërgim.

               VATRA, LUFTËTARJE E PAVARËSISË

         Ndërkohë që Noli dhe Konica u larguan në Evropë për t’i ndih shtetit-foshnjë, Vatra vazhdon luftën në shumë fronte: Mbanë gjallë shpirtin atdhetar përmes gazetës”Dielli”, përmes konferencave nëpër koloni, përmes mitingjeve e protestave, ku u apelonte ndërkombëtarëve për drejtësi ndaj kombit, që po tentohej të gëlltitej nga fqinjët. Dielli u jep zë protestave. Gazeta shkruan se Shqiptarët e New Englad-it nën hijen e Vatrës, mbajtën një miting në mbrojtje të tërësisë toksore të Shqipërisë. Mitingu u mbajt ditën e Dielë me 27 Prill 1913 në Lawrence Hall, 724 Washington Street, MA. Shqiptarët protestuan kundër grabitjes që i bëri Shqipërisë konferenca e Ambasadorëve në Londër, duke i dhuruar Serbisë viset më të mira shqiptare në Veri dhe Greqisë viset Jugore. Dy ditë para mitingut, informonte Dielli, malazezët kishin hyrë në Shkodër, edhe pse Konferenca e Londrës ishte treguar”zemër gjerë” dhe nuk kishte pranuar aneksimin e Shkodrës shqiptare, por ia kishte njohur Shqipërisë.

Nga mitingu i madh i Bostonit iu dërgua një Rezolutë Kryetarit të Konferencës, Sir Edward Grej. Mesazhi përcjellës i bënte të njohur kryetarit të Konferencës se në mitingun e 21 prillit 1913 në Boston, u përfaqësua vullneti i 30 mijë shqiptarëve të Amerikës.Të njëzëshëm, shqiptarët e të gjithë besimeve kundërshtonin ashpër coptimin dhe rrëmbimin e trojeve shqiptare.

Atë kohë Vatra udhëhiqej nga kryetari Kristo Dako, i cili së bashku me zonjushën Parashqevi Qiriazi, ishin folësit kryesorë në miting. Rezoluta, paralelisht iu dërgua të gjitha kancelarive të Fuqive të Mëdha. Dielli e cilësonte këtë si hapin e parë të luftës për jetë a vdekje në mbrojtje të shtetit të pavarur shqiptar. 

  VATRA dhe Dielli luftojnë në front të gjërë, sa kundër fuqive të mëdha që mbështesnin fqinjët tanë në politikat grabitqare ndaj Shqipërisë, aq edhe kundër vetë fqinjëve. Dielli që atë kohë kishte editor Kristo Dako, atakoi fort politikën e Rusisë, e cila ishte armiqsore ndaj Shqipërisë. Gazeta u bënte thirrje shqiptarëve të Amerikës që të mos ushqenin iluzione për Rusinë. 

Në gazetën Dielli të 3 Qershorit 1913, shkruhej:” Nuk duhet kurrë Shqipëria të presë ndonjë të mirë ose ndihmë nga Rusia se interesat e saj kanë qenë dhe do të jenë kurdoherë për të copëtuar Shqipërinë dhe t’ua shpërndajë këlyshëve sllavë për fitim të saj. Programi i Rusisë është që të përfshijë një ditë të gjithë shtetet e Ballkanit, të lidh Detin e Zi me Egjeun dhe Adriatikun.

  Edhe fqinji jugor i kishte prehur dhëmbët për të kafshuar Jugun e Shqipërisë. Dielli denonconte dhunën e egër greke dhe u apelonte ndërkombëtarëve. Në numrin e 23 Shtatorit 1913 gazeta shkruante’Të këqiat që heq populli shqiptar nga invadorët grekë janë të pa treguara: Vrasin, presin çnderojnë, burgosin,dhe përdorin çfarëdo mënyre për të përmbushur dëshirat dhe qëllimet e tyre.’

Vatra dhe Dielli, edhe pse Shqipëria ishte nën okupim, përpiqen që të mbajnë gjallë imazhin e Pavarësisë. Me 28 nëntor 1913, Dielli nën titullin” VITI I DYTË I INDIPENDENCËS” shkruante: Është një ditë në Mot që ka një rëndësi të veçantë dhe një kuptim të thellë për një Komb ose një popull. Kjo ditë është e madhe dhe zë të parin vend në historinë e atij Kombi.Amerika e kremeton Pavarësinë me 4 Korrik, Franca me 14 Korrik, Kombi Shqiptar feston ditën historike me 28 Nëntor (1912). Kjo ditë është e shenjtë për Shqipërinë e lirë ose të shkelur.(Dielli, 28 nëntor 1913).

Ndërsa në numrin pasardhës të Diellit, që doli me 2 Dhjetor, informohet lexuesi se Dita e Indipendencës Shqiptare u festua me një shkëlqim të veçantë në Boston. Në zyrat e Vatrës dhe të Diellit, Flamuri Shqiptar valonte së bashku me atë Amerikan.

               VATRA, PRINC VIDI DHE ESAD PASHA

   Vatranët nuk e pushuan luftën. Me 7 Mars 1914, ku Princ Vidi arriti në Durrës, Vatra i dërgoi përhirime me shpresa të mëdha se Shqipërinë do ta mbronte Evropa. Dielli i 10 Marsit 1914, e borhoriste lajmin. Gazeta e Vatrës vërshoi edhe në Shqipëri me entuzizmin se Shqipëria do të bëhej. Dielli i 14  Prillit(1914) shkruante se 400 copë gazeta shkuan në Shqipëri.

  Vatranët u gëzuan dhe shfaqën dëshirën të dërgonin ndihma njerëzore pranë princit perëndimor, që ata e quanin Mbret. Mirëpo nisën trazirat në Shqipërinë e Mesme. Shqetësimi u rrit ndër shqiptarët e Amerikës që kërkuan përmes Vatrës të shkonin për ndihmë. Për këtë qëllim Vatra i shkroi princit. Përgjigja erdhi nga Ministri i Brendshëm dhe i Luftës Esad Pashë Toptani nga Durrësi me 11 Prill 1914 përmes një kablogrami’U gëzova për ndjenjat patriotike që tregoni…Kur të jetë nevoja do t’u thërresim…’

Ministri i Luftës dhe i Punëve të Brendshme – Gjeneral Esad Pashë Toptani.

  Gazeta Dielli kishte në Durrës korrespondentin e saj, ish Editorin Paskal Aleksi, që përcillte situatën. Për entuziazmin e popullit ndaj princ Vidit, pritjen e tij madhëshore, dhe shpresat e popullit, kishte shkruar edhe”opinga”.

    Shumë shpejt Vatra do të mbante qëndrim kritik ndaj politikës esadiste dhe do ta godiste ashpërsisht gjeneralin e perandorisë Osmane.

Në Diellin e 17 Prillit 1914, shkruhej”Esadi i rrezikshëm”. Kabllogrami që publikoi Dielli jepte alarmin:

-Esadi i rrezikshm për Shqipërinë.

-Nacionalistët ndiqen prej hafijeve esadiste.

-Memurë të Turqisë janë nëpunës të Qeverisë.

– Gjuha Shqipe ndalohet në zyrat qeveritare.

– Protestoni te Mbreti!

– Kërkoni dorëheqjen e Esadit nga Ministria e Brendshme!….

Dielli e duartroket lajmin e arrestimit të Esad Pashës me 20 Maj 1914 dhe informon lexuesit se ai iu dorëzua përfaqësuesit të Italisë, Alliotit dhe u deportua për në Itali.

           SHQIPËRIA NË KAOS, VATRA MERR PËRSIPËR BARRËN E SHTETIT INEKZISTENT

         Ndërkohë që në Shqipërinë e Mesme vazhdojnë trazirat, Greqia përfiton në Jug dhe kryen maskara. Vatranët protestojnë në një miting të madh në Boston, duke dënuar barabrizmat në Toskëri. Mitingu u mbajt me 17 Maj 1914. Ai u kryesua nga patrioti i njohur, vatrani i Biddeford,nga shteti i Maine-it, Stath Suli, i cili më vonë do të bëhej pre i kurtheve të Vorio- epirotëve në Shqipëri, që do ta vrisnin me armë e duar shqiptare, duke e masakruar; i prenë kokën dhe ia dhuruan porositësve grekë.

      Vatra i ndiqte me vëmendje ngarjet në Shqipërinë e Jugut. Dielli përherë bënte thirrje për qëndresë. Në numrin e 29 Majit 1914 gazeta e Vatrës informon se në Shqipëri që në fillim të prillit 1914 kishte plasë një Kryengritje e organizuar nga ushtarët grekë, duke pasë dhe ndihmën filogrekëve shqiptarë. Lufta kishte zgjatë për gjashtë ditë. Shqiptarët triumfuan dhe qëndruan heroikisht. Të dy palët, raportonte Dielli, humbën rreth 300 luftëtarë. Ndërkohë esadistët ishin bërë të rrezikshëm. Dielli informonte se më 19 dhe 25 Maj esadistët kishin organizuar kryengritje në Shijak, Kavajë, Tiranë, dhe sulmuan Durrësin.Në beteja, raportonte Dielli i 16 Qershorit 1914, ranë 30 nacionalistë dhe 80 mercenarë kryengritës. Dielli u thur lavde dëshmorëve si Kolonel Thompson, Haki Glina dhe Ceno Sharra. Raportuesi informonte për Diellin se midis të plagosurëve ishin oficeri Meleq Frashëri dhe Sotir Gjika. Ndër të plagosurit lehtë: L. Gurakuqi, Sabri Qyteza dhe Veli Vasjari. Dielli nuk kursen bashkëpunëtorët me Esadin. 

 Vatra dhe Dielli e “qanë” largimin e Princ Vidit nga Shqipëria me 3 Shtator 1914. Në numrin e 8 Shtatorit Dielli boton në vend të kryeartikullit”MBRETI YNË IKU”!

          Një tjetër artikull vinte nga Durrësi dhe shkruhej prej Qerim Panaritit, i cili 30 vjet më pas do të bëhej editor i më shumë se dy dekadave për Diellin. Shkrimi që përcillte ikjen e mbretit nënshkruhej me pseudonimin” Opinga”.Citoj:” Mbreti unji Flamurin e Shqipërisë me dorën e tij, dolli bashkë me Mbretëreshën, dhe nisën të shkojnë duke përshëndetur popullin me këto fjalë:Ju lëmë shëndoshë dhe Ju gjetshim shëndoshë!..

Tërë gjendja lëshonte lot nga mallëngjimi. Natyra qante…

Isa Boletini, Bajram Curri, me shokët e tyre Çerçiz Topulli dhe të tjerë shkuan për Lesh…Panariti e përfundon artikullin:’Mbarojë sa për këtë herë, duke shtuar: si mjerë ne të mjerët, që patëm fatin e tillë që të shohim dhe një herë Turqinë të futet në Shqipëri.’Ky shkrim mbanë datën:Durrës, 5 Shtator 1914 në titullin”Flamuri turk valon kudo!” dhe u publikua në Diellin e 29 shtatorit 1914.

Dielli vazhdon ta ndjekë Esadin, duke informuar lexuesit e vet. “Opinga” shkruan në Diellin e 27 tetorit 1914: Pasi u largua Mbreti nga Shqipëria, e lëshoi tiranin e Tiranës të vejë nga të dojë.Nga Brindizi ai shkoi në Pire, Athinë, Selanik, Nish; në fund hyri në Dibër dhe mblodhi 12 mijë ‘ushtarë’ dhe me 2 tetor arriti në Tiranë. Opinga informon”N’orën 8 të mbrëmjes, ardhi në Durrës tirani që pritej prej Tirane, u puth me miqtë e tij,por më shumë me Dhespotin, dhe hoqi drejt për në Pallatin Mbretëror, dhe aty mbajti fjalimin: Të dashur miq- Unë Esad Pasha, jam përpjekur dhe do të përpiqem për të përmbajtur Islamizmën në Shqipëri. Jam tepër i gëzuar që u kthyesh shëndoshë.Ju uroj edhe ju që dolët faqebardhë në punën e shenjtë që nisët.

             ***

Gazeta e Vatrës konstatonte me dhimbje se Pavarësia e Shqipërisë me 28 Nëntor 1914 ishte festuar vetëm në Shkodër. Ndërkohë lajme të këqia erdhën nga Vlora. Lajmi në Boston mbërriti vonë dhe Dielli e publikoi me 20 Janar 1915:…Me 25 Dhjetor 1914, Ditën e Krishtlindjeve , Italia, djallzisht ishte shfaqur me trupa pushtuse në qytetin e Vlorës.

Në këto kushte Vatra, merr masa të menjëhershme. U mblodh Komisioni me 6 Mars 1915, dhe me propozimin e Kristo Kirkës, Kol Tromarës, Nik Dishnicës, dhe Andrea Kristos, u vendos që të formoheshin Trupat ushtarake të Vatrës. Për këtë qëllim u ngrit komisioni i posaçëm që do të organizonte Trupat: Kristo Kirka, Kol Rodhja, Kol Tromara, Kostë Çekrezi, dhe Vangjel Sotiri.Komisioni që drejtonte Vatrën përbëhej: Faslli Frashëri, Miçe Bardho,Kosta Isaak, Costa Th. Ratska(arkëtar), Vani Chekani(Sekretar i Komisionit), Loni Kristo-sekretar i Vatrës. Përgjegjës për Trupat u ngarkua Aqif Përmeti.

 Vatra po kryente detyrën e shtetit që mungonte. Vijoi përgatitja e Trupave Vullnetare në të gjitha qytezat ku kishte degë të mëdha për t’i dërguar në Shqipëri. Ndërkohë, Festa e Flamurit, kishte diktuar nevojën e ngritjes e Bandës muzikore të Vatrës. Kjo kërkesë u bë nga dega e Usterit në festën e 28 Nëntorit 1916. Merita i takon Thoma Nasit, i cili sapo ishte kthyer nga shërbimi ushtarak. Banda përbëhej nga muzikantë amatorë, të cilët i blenë instrumentët me shpenzimet e veta. Pas një viti banda ishte gati dhe dha koncertin e parë më 1917.

Përgatitjet për Trupat e Vatrës ecnin paralelisht. Ndërkohë inekzistenca e shtetit shqiptar, e detyroi Vatrën, që të dërgonte delegatë(ambasadorë) në Evropë. Këtij qëllimi i shërbeu organizimi i Ditës së Delegatit, duke filluar që nga 4 qershori 1916. Kjo fushatë kishte për qëllim që të siguronte të ardhura për shpenzimet dhe lobimin për pavarsinë të delegatit Mehmet Konitza. Vatra dërgoi delegatë të tillë në Londër, Zvicër, Romë, Washington. Me 3 Qershor 1917 u organizua fushata për shpëtimin e Shqipërisë, ku u mblodhën 150 mijë dollarë, që shërbyen për të siguruar ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe lobim për Konferencën e Paqes. 

Me 2 Prill 1920 Trupat Vullnetare të Vatrës nën drejtimin e Aqif Përmetit dhe Banda e muzikore me 29 instrumentistë e udhëhequr nga Thoma Natsi arritën në Durrës të thirrur nga Kryeministri Sulejman Delvina. 

Filed Under: Emigracion Tagged With: dalip greca

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 12
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • A ishte krijimi i Dhomave Speciale në Hagë, një kompleks inferioriteti?
  • Mirdita dhe hapësira e saj historike në veprën e Praschniker dhe Schober (1919): Toponimia, arkeologjia dhe dëshmitë hartografike
  • Zinxhiri i diskriminimit që po e zbraz Luginën e Preshevës nga shqiptarët!
  • LETRA E GJERGJ KASTRIOTIT drejtuar Giovanni Antonio Orsini-t
  • JURIDIKSIONI KA KUFI
  • Monumenti, një akt i vonuar
  • Diplomacia në përballje
  • Kryeministri i Kosovës z.Albin Kurti takohet me shqiptarët e Amerikës në Bronx, New York. Fotoreportazh: Shaqo Gjokaj
  • INTERNACIONALJA KOMUNISTO-GLOBALISTE NUK ËSHTË E ARDHMJA E KOMBIT SHQIPTAR!
  • Koncerti “Sounds of Albania” nga Kuarteti Mbretëreshë Teuta Kumbon Fort për Mëmëdhenë
  • Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se sa faqe në historinë e Evropës
  • APEL KOMBËTAR SHQIPTARVE TË AMERIKËS
  • A ka ardhur koha për një Institut të Studimeve Shqiptare në Mal të Zi?
  • “Mbretëresha ilire, TEUTA (231-228 p.K.).”
  • Xhelko Maksuti, historiani, studiuesi dhe veprimtari i shqiptarëve në Rumani

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT