
Anita Likmeta, Ambasadore e Programit “Connect Albania” për IOM Albania, projekt i cili funksionon pranë “Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare” në një rrëfim për Diellin e Vatrës në New York, dhënë Editorit Sokol Paja shprehet se Shqipëria ka nevojë për politika gjithëpërfshirëse të afta për të forcuar të rinjtë shqiptarë që të mos e braktisin Shqipërinë.
Si mund të ndalet largimi i të rinjve nga Shqipëria?
Ne kemi nevojë për politika gjithëpërfshirëse të afta për të forcuar të rinjtë shqiptarë: sa herë që kthehem në Shqipëri e ndjej qartë se sa të zhgënjyer janë në lidhje me vendin, politikën dhe të ardhmen.
Si mund të kthehet Shqipëria një atraksion për rininë dhe vizitorët e huaj? Siç e kam thënë edhe në intervista të tjera, shezlongët në bregdetin e bukur shqiptar nuk mjaftojnë më. Shqipëria ka nevojë për një narrativë të re, duhet të fokusohet në kulturën e saj.
Si mund të krijohet një përvojë unike kombëtare duke marrë modelin ndërkombëtar në lidhje me punësimin dhe integrimin e të rinjve shqiptarë?
Është e nevojshme të forcohen korridoret tashmë ekzistuese ndëruniversitare dhe të hapen të reja në mënyrë që të krijohen kushtet për integrim dhe lindje të sinergjive të mundshme në drejtim të rritjes.Nevoja e krijimit të markës shqiptare…Kjo është një ëndërr e imja dhe shpresoj të bëhet edhe një projekt për t’u fokusuar për shumë shqiptarë. Bota nuk njeh Made in Albania, nuk njeh historinë dhe kulturën tonë. Është koha për ta thënë, secili në sektorin e tij. Made in Albania është fillimi i një rruge drejt një të ardhmeje të mundshme dhe jam e sigurt se është një projekt që do të jetë në gjendje të forcojë demokracinë tonë të re.Anita dhe projektet e së ardhmes…Projektet e mia aktuale janë të gjitha të orientuara nga shoqëria, por do të flas kur, siç thuhet, të kenë këmbë. Stay tuned
Prezantim për lexuesin, kush është Anita Likmeta?
Anita është diplomuar për Filozofi, më pas është sipërmarrëse në sektorin dixhital, më pas është ambasadore e Connect Albania për Kombet e Bashkuara. Ajo njihet si një ndër 150 gratë unstoppable në inovacion në Itali dhe është emri i parë italian, edhe se ajo është Shqiptare, në Evrope si nga 50 gratë më frymëzues sot në Evropë në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Anita Likmeta, lindur ne Durrës, sot jeton e punon në Milano, Itali. E larguar me familjen nga Shqipëria në moshën 11 vjec në vitin e mbrapshtë ’97, Anita do të niste një jetë të re në Itali, plot sfida dhe sakrifica si mijëra familje emigrantësh që lanë atdheun në ato vite në kërkim të një jete më të mirë. Dëshira për dije dhe vullneti i hekurt për të shkëlqyer në cdo fushë e bëri Anita Likmetën të spikasë. Në Itali ajo mbaroi shkollën e mesme klasike, ndoqi Akademinë Dramaturgjik “Corrado Pani” dhe u diplomua për Filozofi në Universitetin e Romës La Sapienza. Ajo ka nisur angazhimet e saj profesionale, si gazetare për gazetën italiane ”Il Fatto Quotidiano”, për të vazhduar me “Il Giornale”, ka shkruajtur për gazetën e Vatikanit Avvenire dhe aktualisht shkruan për “Huffington Post Italia” ku merret me temat e politikës dhe migracionit. Likmeta është përfshirë gjerësisht në fushën e sipërmarrjes dhe inovacionit. Që nga janari 2014 shkruan në Huffpost Italia, ku mes shkrimeve të saj nuk mungojnë analizat mbi situatën aktuale politike në Shqipëri. Anita është dhe Ambasadore e Programit “Connect Albania” për IOM Albania, projekt i cili funksionon pranë “Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare”. Connect Albania është pjesë thelbësore e Programit të IOM Albania “Angazhimi i Diasporës Shqiptare në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë” me kontributin financiar dhe mbështetjen e Ministrisë italiane të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe në koordinim të ngushtë me Ministrinë e Shtetit për Diasporën, si dhe Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencisë Italiane të Bashkëpunit për Zhvillim (AICS) në Tiranë.