Naum Prifti/
Është e vështirë të përcaktosh se çfarë ndjen kur dëgjon se kush është personi që të spiunon. Por kur zbulimin ta thotë survejuesi yt atëherë fillon të mendosh se jeton në një botë të përçudnuar. Përpara se të shkoja në Divjakë, nuk kisha dijeni nëse ndiqesha apo ruhesha nga dikush që raportonte në organet përkatëse. Por kur vajta aty si arsimtar në vitin 1967 e di mirë se Sigurimi i Shtetit ishte interesuar posaçërisht për ndjekjen dhe survejimin tim. Në shkurt të atij viti sistemi komunist shqiptar nisi valën e “riedukimit” të shkrimtarëve dhe artistëve – ishte një prej pasojave dhe ngjarjeve të lidhura me Klubin Petef të Hungarisë të cilat i paraprinë revolucionit hungarez.
Vendi i riedukimit tim ishte Lushnja. Komiteti Ekzekutiv i Lushnjës nuk pranoi të më mbante si gazetar – profesioni im i atëhershëm në Tiranë – dhe më dërguan në Divjakë si mësues të shkollës tetëvjeçare. Shkolla e mesme shihej si një lloj “gradimi” për të cilin unë nuk isha i denjë. Personi i rekrutuar nga Sigurimi në Divjakë ishte Pilo Gorreja, Përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës. Meqë ne të dy shoqëroheshim shumë, gjurmimi nuk do binte në sy. Siç mësova më vonë, Piloja qe agjent special me rreze të ngushtë veprimi. Objekt i tij isha unë dhe Profesor Dhimitër Pilika, një historian dhe studiues i nderuar, i akuzuar nga tarafi i Androkli Kostallarit se po i kundërvihej Akademisë dhe aq u desh që ta “internonin” në Myzeqe.
Nuk do ta di kurrë nëse shtysa e vetëzbulimit të misionit agjenturor të Pilos ishin rrethanat apo brerja e ndërgjegjes. E mbaj mend se një të diel kur kisha ardhur në Tiranë pranë familjes, siç bëja çdo fundjave, bie zilja e telefonit dhe në anën tjetër dëgjoj zërin e Pilo Gorresë. Kishte ardhur edhe ai në Tiranë. Piloja vinte dy-tri herë në vit në kryeqytet për të blerë furça e bojëra për Shtëpinë e Kulturës. Kërkoi të takoheshim e të pinim një kafe. Kur u ulëm më tha se kishte provuar katër-pesë hotele në Tiranë por nuk kishte mundur të gjente dhomë dhe treni i fundit për në Lushnje ishte nisur me kohë. Pasi e dëgjova hallin e tij e ftova të vinte në shtëpinë time, si mik e shok. Atëherë më tregoi se Sigurimi e kishte ngarkuar të më gjurmonte dhe të më provokonte. Qe situatë paradoksale që po flija me agjentin në një dhomë, duke e pasur mik në shtëpi. Aty për aty sqarova edhe një dyshim që nuk më largohej nga mendja. Një ditë Piloja më kishte pyetur në korridorin e shkollës në prani të arsimtarëve të tjerë pse kinezët nuk e ftuan PPSh në kongresin e tyre. Ishte koha e Kongresit IX të Partisë Komuniste Kineze. Pyetja mu duk paksa e çuditshme, mbasi e dija se pasionet e Pilos ishin të sferës praktike ku hynte mezeja dhe rakia, mbrëmjet e vallëzimit te Vatra e Kulturës, një dorë me letra dhe jo politika e jashtme. Pse iu kujtua Kongresi i kinezëve dhe ç’i hynte në qese kush u ftua dhe kush nuk u ftua? Për fat sapo kisha lexuar një artikull te “Zëri i Popullit” dhe përsërita argumentet e paraqitura në shtypin e ditës se meqë ishte kongres pune kinezët nuk e kishin parë të arsyeshme të ftonin të huaj. Piloja më zbuloi se pyetjen provokative ia kishte sugjeruar njeriu i Sigurimit që kryente detyrën e të Plotfuqishmit në Divjakë. Si për kundërbalancë rrëfeu se shokët e tij të ngushtë Nasi, Llambi, Ristani e kishin porositur të tregohej sa më i kujdesshëm dhe të mos u thoshte atyre asgjë që mund të më dëmtonte. Kudo kishte edhe njerëz të ndershëm që të donin dhe të mbronin. Megjithatë fjala “provokim” më solli ndër mend një mbledhje me shkrimtarët në Klubin e Lidhjes ku Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Kadri Hazbiu kumtoi se dikasteri kishte hequr dorë prej kohësh nga metodat provokuese si edhe torturat fizike për të arrestuarit. A thua nuk e njihte Ministri realitetin apo e fshihte me dashje? Metodat provokative jo që nuk ishin braktisur por ishin intensifikuar nga vartësit në dikasterin e tij.
Është një paradoks i llojit të vet kur njeriu që është rekrutuar për të të spinuar është miku yt që vetëdekonspirohet. Mbi të gjitha ‘zbulimi’ më zemëroi dhe më indinjoi. Ndjenja se Sigurimi nuk do të ndalej dhe se do ngrinte kurthe të tjera për të provuar dyshimet e veta për aq kohë sa do isha arsimtar në Divjakë më shtyu të merrja vendimin për tu larguar me të gjitha pasojat e hidhura që mund të kisha. Braktisja me kokën time do të sillte shumë vështirësi punësimi në Tiranë. Shkova në Lushnjë të këshillohesha me Dr. Qirjako Leshon, kirurg i mirënjohur, të cilin e kishin hequr nga Lushja duke e dërguar mjek ambulance në spitalin me pesë shtretër të Divjakës. Mbrëmjeve shkoja shpesh te dhoma e tij për të kaluar kohën. Doktorin kirurg Qirjako Lesho e kisha njohur qysh kur ishte mjek në Tiranë. Më pikonte në zemër sa herë e shihja t’i fuste duart në ujë të ngrohtë, me merakun e madh se gishtërinjtë po e humbin shkathtësinë dhe nuk do të ishte në gjendje të punonte më si kirurg. E dija se shihej shtrembër nga regjimi për shkak se ishte djalë nënprefekti, vëllai i gazetarit të dënuar Vangjel Lesho dhe ngaqë e kishte bashkëshorten malazeze. Ia thashë hapur se doja ta braktisja Divjakën dhe ia tregova ngjarjen me Pilon fill e për pe. Nisi të qeshë me të madhe duke e zhvleftësuar shqetësimin tim si kalanmallëk. “Pse bëhesh budalla?” më qortoi. “Të gjithë e kemi nga një pas. Ti duhet të jesh i lumtur që e di agjentin. Po unë i ziu kë kam në spital? Prej kujt të ruhem më parë?” Kishte të drejtë. Unë e njihja agjentin, kisha miqësi me të gjë që më jepte një avantazh që shumë nuk e kishin.
Edhe pasi u ktheva në Tiranë në vitin 1971, survejimi vazhdoi. Dega e Brendshme i kishte thënë Pilos se mund ta dërgonin “me shërbim” në kryeqytet me shpenzimet e tyre sa herë të dëshironte. Kjo deklaratë në fillim më krijoi idenë se Tirana ende s’e kishte gjetur agjentin për mua po pasi e analizova me gjakftohtësi arrita në një përfundim tjetër. Kryeqyteti kishte strukturat e veta. Në disa raste ne i njihnim të rekrutuarit apo operatorët e Sigurimit në Sektorin e Kulturës por larg qendrës militantizmi ishte edhe më i madh. Veçanërisht nuk duhet skualifikuar rivaliteti midis degëve të Sigurimit në qendër dhe rrethe. Pra Lushnja donte t’i thoshte Tiranës se kishte aftësinë të zbulonte armiqtë e fshehur me petk intelektuali që qendra nuk kishte qenë e zonja t’i zinte. Kur ia rrëfeva Vito Koçit se agjenti im ishte vetëzbuluar, më tha: “I ziu ai, po ta marrin vesh dekonspirimin nuk do t’i zënë këmbët tokë”. Ishte një e parathënë që u jetësua pas disa vitesh. Pilon e dënuan me katër muaj burg për një grindje banale me llogaritarin Ll. Trungu, që mund të ishte mbyllur brenda pesë minutash me një qortim.
Pilo Gorreja e pati të hapur derën e shtëpisë sime në kryeqytet gjatë gjithë viteve të mia në Shqipëri. Në kujtesën time ai është një njeri i mirë e kurajoz i një kohe kur sistemi i përdorte shtetasit si Piloja për qëllimet e veta të mbrapshta. Unë jam dhe do t’i jem mirënjohës shpirtit të tij të ndershëm përgjithmonë.
Foto nga arkivi i familjes Prifti: Naum Prifti me nxënësit e shkollës tetëvjeçare të Divjakës, Divjakë, tetor 1967