Kosovë-“Rugova 2016” shtyhet shkaku i shiut/
– Lojërat tradicionale organizatorët i shtynë për një javë – të dielen e 14 gushtit/
PEJË, 7 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në Kosovë, për shkak të reshjeve të mëdha të shiut, lojërat tradicionale “Rugova 2016” të paralajmëruar për sot në fshatin rugovas Kuçishtë, rrethina e Pejës, nuk u mbajten dhe organizatorët i shtynë për një javë – të dielen e 14 gushtit.
“Lojërat tradicionale ‘Rugova 2016’ janë lojëra popullore, karakteristikë etnokulturore e trevës së Rugovës dhe prezantojnë shumëllojshmërinë e traditës, zakoneve dhe dokeve të kësaj treve malore e që në përmbajtje të tyre hyjnë sikurse lojërat e shkathtësive fizike e lojërat luftarake të burrave, ashtu edhe lojërat humoristike, lojërat dëfryese, këngët tradicionale, vallet popullore dhe ritet e ndryshme etnokulturore të kësaj treve të njohur shqiptare”, shprehen organizatorët.
Lojërat tradicionale “Rugova 2016”, që ruajnë traditën kombëtare kanë për qëllim edhe forcimin e identitetit te diaspora shqiptare, pjesëtarë të së cilës në këtë kohë pushimesh të verës vijnë edhe nga Amerika, vende të Evropës e të tjera të botës në Kosovë e trojet tjera etnike dhe janë pjesëmarrës.