
Aleksander Çipa/
Sa herë në ditët që shkoj shmangem të bëhem pjesë e pohimeve për ikje nga ky vend! Nuk e bëj se jam peng i diçkaje. Kam në ikje për shkollim dhe për ” rregullim” të përkohshëm gjendjeje( siç thuhet rëndom) dy djemtë e mi. Por kam shumë e shumë më tepër tërheqje të çeliktë për atë çka lidhet me krijuesit, vendin dhe sidomos gjurmët e jetës së të parëve të mi. Kjo kohë, duket se për shkak të llumit si aktualitet i së sotmes, po na e sfumon apo eklipson raportin publik me trashëgiminë dhe qenësinë tonë. Na imponon një axhendë ditore të mizershme; me sherre, përbaltje, pakënaqësi, frustrime dhe sidomos kotësi që po na konsumojnë jetën kotësisht. Kësi kotësish janë një turp i lehtësisht pranueshëm. Sa keq! Koha ndër ne është vlera e përçmuar e një shoqërie. Kjo është fatkeqësi, por e trajtojmë si të huaj, të tjetërkujt… Na merr pa e peshuar dhe vlerësuar kohën vetiake dhe kalimin tonë ndër mosha. Na merr të pakthyeshmen dhe njëkalimshen jetë. Na tërheq nëpër ditë apo orë të ardhme pendesash të pavlefshme. Na bën të moçëm, ndërsa nuk kemi konsumuar natyrshëm rininë apo maturitetin tonë. Jemi fajtorë më së shumti, për shkak të vetes, por më pandreqmërisht, për shkak të rrethanave.Atdheu ynë për shkak të shoqërisë që mbajmë në gjendje anarkike dhe amorfe strukturimi, mbetet i pabërë. Për këtë arsye ne jemi nën ftesën e madhe drobitëse dhe falimentuese të ikjes prej tij, brez pas brezi. Unë e refuzoj këtë ftesë dhe do bëj çmos të dua rikthimet njerëzore të së sotmes, por më shumë, të së nesërmes që lidhen dhe duan njerëzinë e kombit tim në dheun tonë.



“…Sot me 21 Gusht 2018, në mbrëmje, isha mysafir në Shtëpinë e Vatrës historike, në Vatrën Kombëtare të Amerikës. U ndjeva i emocionuar në këtë Institucion të përfaqësimit të ndërgjegjes Kombtare. Është Vatra e bijëve dhe Etërve të identifikimit Kombëtar në Diasporën Shqiptare në përgjithësi, dhe në USA në veçanti. Takimi me drejtues të Vatrës, me Kryetarin Dritan Mishto, dhe bashkëbisedimi më bashkëpunëtorët e tij, përbën një ngjarje në jetën time dhe një mbresë e thellë shpirtërore gjatë vizitës time në Shtet e Bashkuara të Amerikës”- Këto fjali i shkëputëm nga mbresat që shkroi z. Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, në librin e vizitorëve të Vatrës.