Nga Arben LLALLA/ Historiografia shqiptare ashtu si dhe historiografia e fqinjëve tanë greke, serbe, bullgare, etj., janë të mbingarkuara me Mite sidomos për periudhën e Sundimit Osman. Një nga çështjet që rëndon ende tek shqiptarët është Përse ska patur shkolla shqipe gjatë Periudhës Osmane? Por përse shqiptarët nuk pyesin a ka patur shkolla shqipe para Periudhës Osmane? Përse gjuha shqipe nuk ishte gjuhë fetare, pra e besimeve, lutjeve Kishës dhe Xhamisë? Si është e mundur që 500 vite sundimi Osman nuk pësuam gjenocidë, harresën e gjuhës shqipe ashtu siç ka ndodhur me popujt e tjerët të kolonive franceze, spanjolle, portugeze, britanike, holandeze? Faji duhet kërkuar edhe tek vetë shqiptarët, intelektualët dhe pashallarët të cilët dhanë një kontribut në Perandorinë Osmane.
Periudha Osmane interpretohet, kryesisht nga këndvështrimi i kombeve “të shtypur”, dhe shteti osman na paraqitet vetëm si një mekanizëm shtypjeje. Kjo traditë historiografike u krijua në fillimet e shek. 19, kur u themeluan komb-shtet, që nga historiografia sllave, greke dhe më vonë e kopjuar nga ajo shqiptare pas viteve 1945. Këto të ndikuara nga rrymat e romantizmit dhe pozitivitetit, por edhe nga nacionalizmi triumfues, e zhvilluan si historiografi kombëtare duka na u paraqitur si historiografi shkencore, akademike, si dhe format e tjera të botimeve, siç janë librat shkollorë, kanë riprodhuar këtë formë të rreme në vitet 1830 e deri më sot. Periudha e Perandorisë Osmane ka shumë pozivitet sidomos në vitet 1600, ku shkenca islame ishte shumë e përparuar dhe omanët konsideroheshin elita e qytetërimit në botë të cilët kishin krijuar mënyrën e vete të jetuarit, muzikën, funksionimin e shtetit, etj. Perandoria Osmane u tregua tolerante ndaj ortodoksëve, armenëve, hebrenjve, etj., të cilët ruanin të drejtën e jetës, besimit, shkollimin në gjuhën e tyre përderisa paguanin taksat e përcaktuar me Ligj.
Përse nuk ka patur shkolla shqipe në kohën e Perandorisë Osmane ka qenë fati i keq i gjuhës shqipe sepse ajo nuk ishte gjuhë fetare-kishtare si serbishtja, rumanishtja, bullgarishtja dhe greqishtja të cilat gëzonin statusin e të privilegjuarit në Perandorin Osmane. Dhe këto shtete u krijuan me moton e ortodoksizmit duke mbajtur kryqin dhe armët, e patur mbrojtjen e Perandorisë Ruse, Francës, Britanisë së Madhe, etj. Shkollat në këto gjuhë ishin në funksionon brenda institucionit fetar, Patriarkanës të cilat siguronin mbështetjen financiare nga tatim taksat e besimtarëve të tyre. Patriarkanët greke, serbe dhe bullgare ishin pjesë e administratës së Perandorisë Osmane.
Pra, gjuha shqipe duke mos qenë pjesë e lutjeve kishtare krijojë boshllëkun për të përgatitur mësonjësit e saj. Nëse shikohet pas do vërejmë se shumica e atyre që nisën hapat e para për hapjen e shkollës shqipe apo edhe për krijimin e fjalorëve, abetareve të gjuhës shqipe ishin ata shqiptar që kishin mbaruar shkollat pedagogjike në gjuhët e tjera si greke, rumune, etj. Shumë prej këtyre mësonjës e paguan me jetën e tyre hapjen e shkollave shqipe.
Sipas dekretit të reformës në Perandorinë Osmane të vitit 1856, çdo bashkësi kishte të drejtë të krijonte shkolla publike, shteti osman lejonte që financimi i këtyre shkollave të vinte nga fuqitë e jashtme si Austro-Hungaria, Rusia dhe Serbia. Një “Ligj i mëvonshëm për Shkollën” i vitit 1869 po ashtu deklaronte se mësimi mund të organizohej në gjuhën vendore.
Ndërkohë që historiografia shqiptare vazhdon të pasurohet me përralla të historianëve shqiptarë e të huaj se vetëm shqiptarëve Perandoria Osmane ua ndalonte mësimin e gjuhës shqipe. Por e vërteta është se shqiptarët ishin njerëz të privilegjuar në këtë perandori duke patur rreth 40 Vezirë të Mëdhenj, pa folur për Pashallarët apo Guvernatorët. Dhe kjo vërehet qartë që gjuha shqipe ishte më e fuqishme në përdorim në kohën e Perandorisë Osmane se sa pas vitit 1908, kur në pushtet erdhën turqit e rinj (Xhonturqit).
Ka ardhur koha që historianët në përgjithësi ata që ndërtojnë dhe mbështesin Mite, duhet të analizojnë keqkuptimet dhe realitetet e gabuara, duke u çliruar edhe vetë nga e kaluara e cila ka shumë mospërputhje midis historisë shkencore me atë që mësojnë në shkollat shtetërore. Historia që mësohet në shkollat shtetërore greke është e mbingarkuar me Legjenda-Mite, rrëfime emocionale, me përralla të trashëguara gojarisht që ia kanë shërbyer kombit grekë si histori të vërteta. Ndërsa historia shkencore është gjithnjë serioze duke u zhveshur nga emocionet të njëanshme kombëtare e fetare. Kështu, kjo historiografi shkencore zgjidh problemet dhe keqkuptimet e trashëguara. Historiani që thotë e mbron të vërtetën me baza të shëndosha shkencore gjithnjë prodhon punë të përgjegjshme që i reziston çdo Legjende-Miti. Ndërsa historia e riprodhuar disa herë me Mite që u ofrohen nxënësve në shkollat shtetërore mbetet shumë pas, në errësirë duke mos lejuar zhvillimin e miqësive midis etnive, besimeve brenda një shteti dhe më gjerë. Ndërsa Legjendat-Mitet i shërbejnë elitave politike që u sigurojnë atyre karrierë të suksesshme duke përdorur teorinë: Të rikthejmë epokën e lavdishme.
Dhe deklarata e shkrimtarit të madh Ismail Kadares (nëse vërtetë e ka thënë Kadareja) se: “Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla. Prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin”. Është MIT, legjendë dhe unë e sfidojë shkencërisht të na e vërtetojë me fakte dhe jo fjalë boshe se sa shkolla greke kishte në të vërtetë. Por përsëri dyshojë që ta ketë thënë shkrimtari i madh.
Perandoria Osmane nuk merrej me çështjet gjuhësore, përveç me fenë, pasi ajo kishte një administrim teokratik dhe drejtohej nga Islami. Në shekujt 17, 18 dhe 19, nuk kishte mijëra shkolla greke por një numër shkollash mbresëlënës, rreth 40, jo shumë prej tyre ishin me cilësi të lartë. Në disa raste ato ishin, në të vërtetë, të pajisura mirë, me fizikë, kimi dhe biblioteka në zonat dhe territorin e sotëm grek, Azinë e Vogël, Stamboll, Vllahinë dhe Moldavi.
Shqiptarëve gjatë Periudhës Osmane apo Sundimit Osman ua ngulën thikat përkthyesit e gjuhës osmane që ishin shumica grekë-romios. Gjatë shekujve të Peandorisë Osmane, ofiqi i kryedragomanit perandorak, gjithmonë është mbajtur nga grekë fanariotë, dhe u bë praktikisht Ministri e Jashtme.
Ka ende me mijëra dokumente, libra dhe dorëshkrime që gjenden nëpër bibliotekat shtetërore dhe private që nuk janë shfrytëzuar asnjëherë për këtë periudhë. Kuptohet që historianët që do merren me interpretimin e ri duhet të njohin mirë burimet përpara se të vazhdohet me qëllim që mos të kemi një ribotim të teorisë së vjetër. Interpretimi i ri do të ndihmonte brezin e ri që të njohë e të shohë tjetrin me syrin e fqinjit të mirë, dhe jo atë të armikut me urrejtje. Ka ikur koha e mësimit të historisë shkollore ku brezi i ri edukohej për një mobilizim e sakrificës për të mbrojtur shtetin-komb-fe. Kanë përfunduar besoj zgjerimi i territoreve për vendet e Ballkanit. Këtë duhet ta kemi të qartë si historianët, politikanët dhe njerëzit që duam të shohim të ardhmen duke e njohur edhe tjetrin që nuk është shumë larg nesh, por fqinjë që as mund ta përzëmë e as nuk mund të na përzërë.
Kuptohet që projektet për një interpretim të ri të historisë, të shkruar shkencërisht janë të vështira e të rënda sepse ato nuk i shërbejnë mitologjisë popullore dhe si rrjedhim as klasës politike e fetare në shtetet komb-fe të njësuar siç është rasti i Greqisë e cila nuk njeh asnjë pakicë kombëtare ku shteti është njësh me fenë ortodokse.
Historia ka një rol të rëndësishëm sepse ajo është përdorur e duhet përdorur si një disiplinë që mund të formësojë kushtet mbështetëse dhe pranimit në bazë të një mirëkuptimi të përbashkët të së kaluarës. Për këtë kanë më shumë nevojë vendet e Ballkanit, historitë e të cilave janë të mbingarkuara me Legjenda-Mite.