• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MEHMET SHEHU,Aspirant i Mbretit Zog, bursist i fashizmit

January 15, 2018 by dgreca

NGA RESHAT AGAJ/*

….Më 1936 unë mora punën e parë në administratën e Financave të Shtetit dhe u emërova nëpunës tatimesh në Korçë, po nuk shkoi shumë kohë dhe më thirrën në ushtri për të kryer detyrimin ushtarak. Ishte një kohë shumë e vështirë për shkak të krizës ekonomike dhe familja vuante nga koha e shtërnguar. Aty në kazermat e Ali Rizait, siç i quanin, u mblodhën nja 120 djem të rinj, të gjithë maturantë të shkollave të mesme ose të larta, por në shumicë ishin nëpunës të shtetit, që duhej të kryenin shërbimin ushtarak.

Në këtë shkollë ushtarake, që zgjati plot nëntë muaj, njoha shumë njerëz, që janë në fuqi edhe sot e kësaj dite dhe fati e kish caktuar të luanin një rol historik të rëndësishëm në historinë e vendit tonë. Këtu njoha të birin e Shehut të Çorrushit, Mehmet Shehun, me të cilin u bëmë shokë të ngushtë dhe të dy ishim në një kurs, në atë të fanterisë. Mehmeti kish qenë jashtë në një shkollë ushtarake italiane me bursë të shtetit, por qe zënë me material propagandistik komunist në Napoli dhe e kishin arrestuar dhe dërguar në Tiranë. Miqtë e të atit e liruan nga burgu dhe, pasi shërbeu disa kohë si agronom, se kish kryer studimet në shkollën teknike amerikane në Tiranë, në degën e bujqësisë, e sollën edhe atë këtu për të kryer shërbimin ushtarak të caktuar për çdo të ri në atë kohë. Me Mehmetin ishim miq, se dajo i tij, Gani Aliko, ish mik i shtëpisë sonë dhe kohën e pushimeve e kalonim bashkë në kodrat karshi shkollës, nën hijen e thanave dhe rrethuar nga tërë ata burime të vegjël uji, që rridhnin në të katër anët. Ishte njeri i çuditshëm dhe nuk i qeshte kurrë buza.

Më 28 Nëntor 1937, në 25 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ne të gjithë u graduam aspirantë të plotësimit dhe me gradat tona parakaluam në sheshin e Bashkisë së Tiranës, para Mbretit Zog dhe personaliteteve të kohës.

E kush mund të profetizonte në atë kohë se vetëm shtatë vjet më vonë ai Mehmet Sheh, që komandoi brigadat e kuqe, që u futën në Tiranë dhe më shumë akoma, do të ishte fuqia dhe qendra e pushtetit komunist pas 1948-ës, kur e shkëputën nga Jugosllavia?

Kur u ndamë, Mehmeti më shkroi në një libër kujtimesh, që mbaja që nga koha e Shkollës Tregëtare në Bari plot me nënshkrime shokësh italianë dhe shqiptarë, këto fjalë me të vërtetë të çuditëshme:

“Zëri i këndezit dhe ky ka kuptim

Ngrehu dhe vepro, o ti me qëllim…

Këto vargje ia dedikoj shokut të dashur, Reshatit, i cili besoj se më do, ashtu si e dua.  Mehmet Shehu”

Kur u shpërndamë, unë vajta në Korçë, se gjeta një punë pranë fabrikës “Birra Korça”, të italianit Umberto Uberti si kontabël, i rekomanduar po nga Doktor Melis, i Bankës së Korçës, që e kisha njohur qysh në Vlorë. Këtu në Korçë bashkë me shumë shokë të tjerë të kursit ushtarak gjeta dhe Mehmet Shehun, që kish ardhur tek i ungji Sulo Shehu, që shërbente atëherë si kapiten i rekrutimit në Korçë. Takoheshim shpeshherë në darkë në kafen e famshme Majestik të Korçës dhe një natë Mehmeti më hoqi mënjanë dhe më tha:

– Të lë lamtumirën Reshat, se unë po shkoj për në Spanjë. ( Spanja atëherë ish bërë shesh lufte midis fuqive të Frankos, nga njëra anë dhe komunistëve internacionalë, nga ana tjetër).

Unë nuk ia bëra të mbarë si njeri i urtë dhe urrejtës i aventurave të çdo lloji dhe nuk ia dëshiroja këtë aventurë një mikut tim. Po ai e kish ndarë mendjen dhe e kish vendosur rrugën e tij. Kur e pyeta se si mund të arrinte në Spanjë, ai më tha se do të shkonte në Tiranë, prej ku do të merrte një bursë studimi nga komendator Giro, një fashist ekstremist, që kish ardhur atëhere në Tiranë për të blerë sa më shumë nga rinia shqptare, që t’i përdorte kundër Mbretit Zog, sepse ata, si u duk më vonë, e kishin caktuar rrugën e tyre e do të futeshin në Shqipëri me çdo kusht. Dhe Mehmeti vazhdoi:

– Do marr bursën nga Giro dhe do të shkoj gjoja për studime në Torino dhe prej këndej, të dalësh në Francë është punë e kollajtë dhe në Nicë të Francës është qendra e rekrutimit evropian për milicinë komuniste, në ndihmë të shokëve që luftojnë në Spanjë.

U çudita shumë kur dëgjova këto biseda të Mehmet Shehut atëherë, që më dukeshin si plane të marrësh dhe, pasi e pashë se e kish bërë mendjen top, i urova rrugë të mbarë.

Të nesërmen, Mehmet Shehu u nis për në Tiranë e prej andej për në Spanjë, ku luftoi deri në fund me fuqitë komuniste kundër fuqive të gjeneral Frankos dhe, kur nacionalistët fituan, atë dhe shumë milicë komunistë të huaj i mbyllën në një kamp përqëndrimi në Francë dhe, kur fuqitë gjermane, pasi plasi Lufta e Dytë Botërore, zaptuan Francën, e çliruan kampin dhe milicët e kuq i lanë të lirë, duke i riatdhesuar në vendet e tyre. Meqenëse Shqipërinë e kish zënë Italia, Mehmet Shehun e dërguan në Romë. Kampi, ku ndodhej Mehmeti, ish në Francën e lënë gjysmë të lirë ndën pushtetin e Gjeneralit Petain dhe këta milicë nuk ranë drejtpërdrejt në duart e gjermanëve, po, me urdhër të tyre, u lanë të lirë. Çudia ishte se këta milicë të kuq antinacionalistë militantë komunistë u lanë të lirë nga gjermanët. Prej Rome, ku u degdis, Mehmet Shehun e sollën shëndoshë e mirë në Shqipëri, me ndërhyrjen e miqve të rëndësishëm të Shehut dhe Gani Alikos, si Qazim Koculi me shokë, të cilët ka gjasa se mendonin ta përdornin Mehmetin në planet e tyre dhe as u shkonte ndërmend se si do të bëhej përbindëshi, që do t’i përpinte të gjithë, të mëdhenj e të vegjël.

Kështu, italianët, që e dërguan në Spanjë nën maskën e bursistit, e sollën përsëri në Shqipëri me kushte shumë të ndryshme, duke ditur fare mirë se ai ishte një milic i kuq, i vendosur dhe i rrezikshëm dhe e lanë të lirë, pa i krijuar asnjë pengesë. Mehmet Shehu, besnik i idesë së tij, pas dy ditëve që qëndroi në shtëpinë e të atit, doli në mal me pak partizanë, që i mblodhi aty-këtu dhe nisi atë lëvizjen që do ta bënte komandantin komunist numër një kundër okupatës italiane dhe asaj gjermane më vonë.

E përmend këtë histori të shkurtër për të vënë në dukje se jo rrallë, por shumë herë, njerëzit punojnë për tjetër qëllim dhe rezultati është krejtësisht i kundërt nga ai që ata janë munduar, duke dalë krejtësisht e kundërta e asaj që ata kanë ndërmend. Historia e Mehmet Shehut është një histori tipike e një njeriu revolucionar, sa të duash, por edhe kompromisaxhi, sa të duash. Kur ia deshi nevoja, i përdori fashistët e Giros me shokë dhe vajti për të bërë luftën për idealin e tij, duke marrë parasysh vdekjen. Edhe kur erdhi në Shqipëri, duket se do u ketë thënë miqve të tij se ai do të ishte gjithnjë në lidhje me ta, se ndryshe s’ka si të ndodhte që e lanë të lirë pa një, pa dy dhe prapë bëri punën e tij. Më vonë, kjo karakteristikë u vu në dukje në lidhje me qëndrimin e tij karshi rusëve dhe  më vonë kinezëve. Italianët mendonin, besoj unë, se luanin në Shqipëri sipas motos së vjetër romake, përça e mbretëro. Ata atëhere mendonin se nacionalistët ishin shumë më të fuqishëm dhe ringjallja e një lëvizjeje komuniste do t’i neutralizonte ato fuqi në favor të italianëve. Fare pak mendonin atëhere, qoftë italianët, qoftë krerët nacionalistë shqiptarë, që ajo nëpërkë e vogël, që ata ushqyen me verbësinë e tyre, do t’i hante të dy palët e do bëhej lubi e pangopur me gjak njeriu.

  • Marrë nga libri-ditar”Vëllai i Pengut” i Reshat Agaj. Ditarin ia dorëzoi editorit të sotëm të Diellit(atë kohë editor i gazetës Illyria- Korrik 1999- gusht 2009) vajza e Pertef Agaj, vëllai i Reshatit, që u pushkatua nga diktatura komuniste. Në bazë të ditarit u botuan shkrime dossier në Illyria dhe gazetat e Tiranës dhe më pas në editimin e editorit të sotëm të Diellit, ditari u kthye në libër me titull “Vellai i pengut”, libër që deri tani ka njohur 3 botime nën sponsorizimin e Teki Gjonzenelit dhe bashkëshortes së tij, Finlanda Agaj Gjonzeneli.

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: aspirat i Zogut, mehmet Shehu, Reshat Agaj

Artikujt e fundit

  • DEMOKRACIA E POLITIKA: PËRFUNDIMET E PAPARASHIKUESHME TË LUFTËS
  • DUKE MEDITUAR PËR CAMAJN, KOLIQIN, FISHTËN… 
  • Murana e Gjergj Kastriotit në Prizren
  • PSE SHQIPTARËT DUHET TA KUNDËRSHTOJNË “BALLKANIN E HAPUR”?
  • KONICA- NJË STEKË AKOMA E PAKAPËRCYER NGA AMBASADORËT SHQIPTARË NË WASHINGTON
  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ
  • 100 VJETORI I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE, VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR MË 28 KORRIK 2022
  • Një copë qielli midis Meksikës dhe Kosovës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT