“Informacionet që kemi mbledhur – kryeministri (francez Manuel Valls) dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë franceze dhe natyrisht autoritetet egjiptiane – konfirmojnë se aeroplani është rrëzuar dhe është zhdukur”, ka thënë Hollande.
“Është detyra jonë të zbulojmë dhe të kuptojmë çdo gjë në lidhje me shkaqet e asaj që ka ndodhur. Asnjë hipotezë nuk mund të përjashtohet”, ka shtuar ai.
Kompania kombëtare e Egjiptit ka thënë se fluturimi MS804, me 56 pasagjerë dhe 10 anëtarë të ekuipazhit në bord, është zhdukur pasi ka hyrë në hapësirën ajrore të Egjiptit, mëngjesin e sotëm.
Në mesin e pasagjerëve, 30 kanë qenë egjiptianë, 15 francezë, dy irakianë dhe nga një nga Britania, Kanadaja, Belgjika, Kuvajti, Arabia Saudite, Algjeria, Sudan, Çadi dhe Portugalia, ka bërë të ditur EgyptAir.
Forcat e armatosura të Egjiptit janë duke zhvilluar operacionin e kërkim-shpëtimit, të cilit i janë bashkuar edhe autoritetet greke.
Zyrtarët e aviacionit grek kanë thënë se kontrollorët e trafikut ajror kanë folur me pilotin pak minuta para zhdukjes së aeroplanit dhe se çdo gjë është dukur normale.
Kryeministri i Francës, Manuel Valls, ka thënë po ashtu se “nuk mund të përjashtohet asnjë teori për shkakun e zhdukjes”.
EgyptAir ka thënë se aeroplani ka qenë duke fluturuar në 37,000 këmbë (11,300 metra) lartësi kur është zhdukur nga radari, menjëherë pasi ka hyrë në hapësirën ajrore e Egjiptit.
Një aeroplan i së njëjtës kompani është rrëmbyer në muajin mars, teksa ka qenë duke fluturar nga Aleksandria për në Kajro. Aeroplani është detyruar të devijojë udhën dhe të aterojë në Qipro, ku rrëmbyesi ka kërkuar të shohë ish-gruan e tij.
Ai është dorëzuar pas gjashtë orësh dhe pengmarrja ka përfunduar në mënyrë paqësore.
Një tjetët aeroplan, Airbus A321, i operuar nga kompania ruse Metrojet, është rrëzuar tetorin e kaluar në Gadishullin Sinai të Egjiptit, duke shkaktuar vdekjen e të 224 njerëzve në bord.
Rusia dhe qeveritë perëndimore patën thënë se ky aeroplan është rrëzuar nga një bombë e vendosur brenda. Grupi militant Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për vendosjen e bombës.
Ende nuk dihet shkaku i rrëzimit
Një avion i kompanisë Egyptair që u zhduk gjatë rrugës nga Parisi për në Kajro është rrëzuar në detin Mesdhe, por autoritetet nuk kanë përcaktuar nëse shkaku është një difekt mekanik apo sulm terrorist.
“Duhet të sigurohemi se dimë çdo gjë për shkaqet e asaj që ndodhi. Asnjë hipotezë nuk përjashtohet,” u tha presidenti francez, François Hollande gazetarëve në Paris, ku ai konfirmoi rrëzimin e aeroplanit me 66 persona në bord. Ai tha se qeveria franceze është në kontakt me autoritetet egjiptiane dhe greke për të ndihmuar në misionin e kërkimit.
Kompania Egyptair tha se e kishte humbur kontaktin me avionin Airbus A320 rreth orës 02:30 të mëngjesit, kur avioni ishte në një lartësi prej rreth 11.300 metra dhe vetëm 16 kilometra brenda hapësirës ajrore egjiptiane.
Ministri grek i mbrojtjes Panos Kamennos tha se avioni bëri kthesa të papritura dhe një rënie të shpejtë para zhdukjes nga radari.
Në Kajro, ministri i aviacionit tha se nuk përjashtohet as mundësia e një sulmi terrorist dhe as ajo e difektit mekanik. Ndërkohë, të afërmit e personave që ndodheshin në bord u mblodhën në aeroport, në pritje të lajmeve për njerëzit e tyre.
Ekipe greke dhe egjiptiane janë duke kërkuar për avionin, ku ndodheshin 66 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi.
Zyrtarët grekë thanë se kërkimet po zhvillohen në det, rreth 130 milje detare në juglindje të ishullit Karpathos.
Ministri i Jashtëm francez Jean-Marc Ayrault tha se Franca do të kontribuojë në kërkime me avionë dhe me anije dhe se po mbahen kontakte të afërta me autoritetet egjiptiane.
“Jemi në dispozicion të familjeve, kjo është përparësia jonë… prandaj dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet egjiptiane”, – tha ai në një konferencë shtypi në Paris.
Ministrat e Jashtëm francez dhe egjiptian shkëmbyen ngushëllime lidhur me incidentin.