ISH KONSULLI DRITAN MISHTO NJOFTON/
Ish- Konsulli i Pergjithshem Dritan Mishto njofton me hidherim te thelle humbjen e vjerrit te tij te dashur Milto Nasti, ndersa sherbimet funerale organizohen te Marten.
Miqte, shoket dhe dashamiret ftohen per lamtumiren e fundit ne LaBella Funeral Home me adrese 70-17 Cooper Avenue, Glendale, NY 11385.
Diten e Marte 7 Prill.
Ne oren 2 pm – 5 pm dhe 7pm – 9 pm.
I ndjeri Milto Nasti ka qene gjithmone prane Federates Panshqiptare Vatra. Ai eshte djali i patriotit Lasko Nasti, ish anetar i hershem i Vatres.
KOMUNITET- KA NDERRUAR JETE MILTO NASTI, I BIRI I VATRANIT TE HERSHEM LASKO NASTI
ISH KONSULLI DRITAN MISHTO NJOFTON/
Ish- Konsulli i Pergjithshem Dritan Mishto njofton me hidherim te thelle humbjen e vjerrit te tij te dashur Milto Nasti.
Miqte, shoket dhe dashamiret ftohen per lamtumiren e fundit ne LaBella Funeral Home me adrese 70-17 Cooper Avenue, Glendale, NY 11385.
Diten e Marte 7 Prill.
Ne oren 2 pm – 5 pm dhe 7pm – 9 pm.
I ndjeri Milto Nasti ka qene gjithmone prane Federates Panshqiptare Vatra. Ai eshte djali i patriotit Lasko Nasti, ish anetar i hershem i Vatres.
Konsulli Dritan Mishto përherë midis nxënësve të shkollave Shqipe
Diaspora e Shqipërise kudo në botë ka mbajtur lidhje të forta shpirtërore dhe fizike me Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur. Në palcë të saj është dashuria dhe dhimbja e pashmangshme për vendin tonë, për prindërit, të afërmit, kolegët, vendet e punës që lamë e gjithçka shpirtërore e vetmja pasuri e patundshme për shumicën që kanë marrë dhe vazhdojnë të arratisen si në kohët biblike. Megjithë përpjekjet dhe sakrificat e mundimshme për të mbijetuar në emigrim njerëzit e gjejnë mundësinë të mblidhen në grupime të ndryshme për të ndarë dhe gëzuar së bashku festat tona tradicionale dhe më gjerë.
Në këto festime tradicionale të shumë shoqatave atdhetare, në hallet dhe gëzimet e Diasporës ka qenë përherë midis nesh Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në New York z.Dritan Mishto. Duke jetuar për kaq vite në New York, që duket se po më afrohet të kem të njejtin balancë me vitet e punës në arsim me Tiranën tonë, njeriu ndjen të domosdoshme të komunikojë me bashkatdhetarët e tij ngase merr prej tyre aromëz Shqipërie, për më tepër medoemos do të marrësh dhe respektin reciprok me përfaqsues të shtetit amë. Njeri prej tyre që e ka përfaqsuar denjësisht ka qenë z.Dritan Mishto.
Më duhet të them se TV Alba Life dhe shkollat shqipe janë komplet të pavarura nga rrymat e ndryshme politike dhe shprehim krenarinë tonë për punën dhe bashkëpunimin tonë me mësuesit, prindërit, artistët, shoqatat, personalitete të shquara të Kombit, dhe ndërtimin e punës sonë tërësisht në forcat tona. Pra për të qenë më e qartë në ceremoninë e dorëzimit të mirënjohjes që u organizua në shkollë në Brooklyn në nderim të z.Mishto, u fol vetëm për punën e tij dhe bashkëpunimin që ka pasur me Shkollat Shqipe në Staten Island dhe Brooklyn.
Megjithatë për lexuesit që nuk e njohin historinë tashmë të përfolur dhe të botuar në shumë gazeta më duhet t’ju sqaroj se kohët e fundit e kam pritur me dëshpërim dhe zhgënjim heqjen nga detyra të Konsullit të Përgjithshëm z.Dritan Mishto deklaruar nga kryeministri shqiptar Edi Rama në mënyrë jo profesionale dhe shokuese në mbrëmjen e organizuar nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan. Mbrëmja do të nderonte Zëvendës/ndihmës Sekretarin Amerikan te Shtetit, z.Filip Riker dhe nobelistin Prof. Muhammad Yunus.
Në këtë mbrëmje ishin të ftuar kryeministri z.Edi Rama, presidenti z.Bujar Nishani, kryeministri i Kosovës z.Hshim Thaci, personalitete të tjera në fusha të ndryshme, pjesëmarrës që kishin paguar biletën plot dollarë për t’u ndodhur atje, si dhe vetë z.Dritan Mishto i cili ishte i ftuar zyrtarisht nga KKSHA-ja në grupin e shoqërimit të presidentit Nishani.
Më vjen keq ose aspak keq që nuk u ndodhëm atje si media për TV Alba Life, pasi kishim kohë që kishim lajmëruar prindërit dhe nxënësit e shkollave shqipe për hapjen e ditës së parë të shkollës për vitin akademik 2013-2014. Sigurisht për shumë shqiptarë është më mirë t’ju mësosh fëmijëve larg mëmëdheut gjuhën shqipe se sa të harxhosh shuma të majme dhe darka të bujshme ku as më shumë e as më pak bëhet një fushatë e tmerrshme politike nga të ftuarit dhe ç’është më e dhimbshmja asnjë nga këta politikanë nuk i shkon mendja absolutisht që të vinë t’i përshëndesin fëmijët dhe t’i inkurajojnë për të mësuar gjuhën e nënës. Disa prej tyre mund ta kishin shkollën larg vetëm pesë minuta, por është e kotë t’jua thuash ngase më shumë ju interesojnë darkat dhe dollari që derdhet pa kufi.
Ndërkohë lexova shkrimin e gazetarit të mirënjohur z.Frank Shkreli ish drejtor i Zërit të Amerikës nën titullin “Gabove z.Kryemistër” në të cilin z.Rama për z.Mishto thotë tekstualisht kështu:
“Jam shumë i kënaqur t’ju njoftoj se Ministri ynë i Punëve të Jashtëme i ka propozuar qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të pasur në këtë qytet madhështor një konsull nderi, në vend të një konsulli burokrat, të cilin tanimë e kemi pushuar nga puna. Ky konsull i ri nderi do të jetë njëri prej jush, i cili do punojë me ju dhe me ne, dhe jo i ardhur nga Shqipëria për punë propagandistike, e ai është Sal Rusi”, tha Kryeminsitri shqiptar Edi Rama.
Pasi mbarova komplet shkrimin pata ndjesinë se në një farë mënyre darka ka degjeneruar në një mbledhje forumi ose të ministrisë së jashtme shqiptare ku hiqen dhe vihen pa kritere njerëzit që do të punojnë për të. Sidoqoftë të gjitha këto do të më bëjnë të ndalem në një shkrim tjetër, pasi sot e kam fjalën absolutisht për punën e kulturuar të Konsullit të Përgjithshëm Z.Dritan Mishto ku kam qenë vetë dëshmitare e shumë aktiviteteve të organizuara nga Diaspora dhe ai me një modesti, çiltërsi dhe plot diplomaci ka përshëndetur dhe folur në podiume të ndryshme. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje si dhe nga dëgjimet e pjesëmarrësve të panumërt për portretin e z.Mishto është se fjalimet e tij kanë qenë jo më shumë se dy paragrafe, ku është thënë thelbi i gjërave pa propagandë partiake, pa bujë, pa fushatë, por ka falënderuar gjithmonë pjesëmarrësit dhe punën e aktivistëve të shquar për Kombin duke u bërë një frymëzues për punë të bukura.
Prandaj si kryeministri i ri dhe të gjithë qeveritarët kur flasin para Diasporës për punët e saj, është mirë të konsultohen më parë me të dhe pastaj të hedhin granata ose shashka tymi, që në rastin në fjalë sipas shumë artikujve akuzohet z.Rama për hakmarrje dhe konflikte të mëparshme që ka pasur me z.Mishto.
Për të gjithë këtë punë të palodhur të Konsullit të Përgjithshëm, mësuesit, prindërit dhe nxënësit e shkollave shqipe në Brooklyn e pritën z.Mishto plot respekt dhe dashuri ditën e premte në datën 4 tetor në mjediset e saj. Zoti Mishto ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij fisnike znj.Agatia Mishto. Pasi ka mbaruar mësimi, Themeluesi i shkollave shqipe dhe president i TV Alba Life z.Qemal Zylo në emër të stafit të tij i dhuroi z.Mishto në prag të largimit të tij për shkak të shkarkimit nga detyra deklaruar nga z.Rama në New York një pllakë mirënjohjeje me këtë motivacion: “Për një kontribut të jashtëzakonshëm dhe përkushtim të sinqertë për shkollat Shqipe dhe TV Alba Life. Ne vlerësojmë kontributin tuaj për ruajtjen dhe kulturën shqiptare në Shtetet e Bashkuara gjatë shërbimit si Konsull i përgjithshëm në New York”.
Gjatë marrjes së pllakës së mirënjohjes Z.Mishto tha me emocion se ishte i nderuar për vlerësimin që i bënë Shkollat Shqipe, TV Alba Life dhe uroi që ato të zgjerohen dhe të mos mbyllen kurrë. Puna që po bëjnë mësuesit, themeluesit e hapjes së shkollave shqipe është nga më të shenjtat dhe më fisniket. Ai uroi që Atdheu ynë të përparojë më shumë dhe të radhitet së shpejti pranë kombeve të qytetëruara. Ndërkohë ndër pjesëmarrësit kishte dhe pikëza loti për largimin e tij gjë që shprehnin dhe njëherë respektin dhe punën e tij të palodhur. Më pas ka përshëndetur dhe sopranoja e famshme shqiptare Lindita Mezini Lole e cila këtë radhë nuk këndoi, por nga sytë e saj blu e thellë rrëshqitën lot kur tha se e falënderonte pamasë bashkëpunimin e z.Mishto me shkollat, TV Alba Life dhe gjithë Diasporën. Ajo i uroi atij jetë më të mirë dhe u shpreh e sigurtë se do ta gjente vehten shumë shpejt.
Në fund të gjithë nxënësit, prindërit dhe mësuesit bënë një fotografi të përbashkët për ta pasur kujtim në jetën e tyre. Ai u nda me dashuri dhe plot respekt me ta dhe u premtoi se do të vijë përsëri. Përcjellja e tij plot respekt nga fëmijët dëshmon qartë se Z.Mishto do të jetë përherë midis nxënësve të shkollave Shqipe.(Keze Kozeta Zylo)
4 Tetor, 2013
Brooklyn, New York
SHKARKIMI I KONSULLIT TË PËRGJITHSHËM, DRITAN MISHTO, NUK I BËN NDER AS KRYEMINISTRIT RAMA
NGA DALIP GRECA/
Një përfaqësi e Kryesisë së Vatres, i përbërë nga kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, dr. Gjon Buçaj, dy nënkryetarët, zz. Agim Rexha, Asllan Bushati dhe editori i “Diellit”, z. Dalip Greca, bëri të dielën me 29 shtator, një vizitë në zyrën e Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në New York.Qëllimi i vizitës ishte për t’i shprehur zotit Dritan Mishto solidaritetin e Vatrës me rastin e shkarkimit të tij nga detyra e Konsullit të Përgjithshëm.
Kryetari i “Vatrës”, dr. Buçaj, e cilësoi shkarkimin para kryerjes së mandatit si befasi dhe shqetësues pse dëmton klimën e bashkëpunimit të nevojshëm për një qeverisje të suksesshme për vëndin dhe që nuk i bën nder as Kryeministrit për këtë akt të pa arësyetuar. Kryetari Buçaj e falënderoi z. Mishto për bashkëpunimin me “Vatrën” dhe me komunitetin në përgjithësi, si dhe për kryerjen e detyrës me përkushtim e profesionalizëm, duke i uruar suksese dhe arritje në të ardhmen dhe duke i siguruar se derën e “Vatrës” do t’a gjejë gjithmonë të hapur e dashamirëse. Vizitorët shprehën, gjithashtu, edhe solidarizimin njerëzor për vështirësitë praktike që në këtë rast do të përballojë familja Mishto, me fëmijë në shkollë.
Shkarkimi i Konsullit të Përgjithshëm Dritan Mishto duket si një veprim jo thjeshtë i nxituar, por i paramenduar dhe i ekzekutuar me turravrap, duke shkelur procedurat ligjore. Në procedurë ka primitivizëm dhe hakmarrje të hapur. Konsulli Mishto nuk e ka mbaruar mandatin e tij, madje duhet më shumë se një vit që ta përfundonte detyrën. A nuk mund të priste zoti kryeministër edhe një vit për të sjellë mikun e tij të besuar? C’qe gjithë ky nxitim? Pastaj, si mund të shkarkohet pa motiv Konsulli i Përgjithshëm dhe pa e paralajmëruar sipas statusit dhe Kodit të Punës! Më shumë se katër muaj para largimit u mësua lajmi i zëvendësimit të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, po së paku Edi Rama të plotësonte kërkesën me minimale për 72 orë.
Urdhëri i shkarkimit shoqërohet nga ultimatumi:”Urdhëri hyn në fuqi menjëherë.”
Nuk po trajtojmë anën njerëzore; a ka familje ky diplomat, a ka fëmijë në shkollë?Sa kohë i duhet që të përgatitet, sa kohë i duhet të bëjë dorëzimet. Sa kohë i duhet të kryejë procedurat protokollare me homologët, trupin diplomatik dhe shoqatat e organizatat e diasporës shqiptare jo të pakta në numër?
Kryeministri erdhi në New York së bashku me urdhërin e shkarkimit, i cili mban datën 20 shtator. Ka vetëm një fjali ai urdhër ”Zoti Dritan Mishto, Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në New York, ShBA, të lirohet nga kjo detyrë.” Poshtë emri dhe firma e kryeministrit Edi Rama.
Po motivi i shkarkimit? Në urdhërin e shkarkimit nuk shkruhet asgjë, por Kryeministrit nuk iu durua, e publikoi atë në darkën vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, ku në fjalimin e tij gjeti vend për t’u bërë të ditur shqiptarëve dhe amerikanëve se Konsullin e Përgjithshëm e kishte shkarkuar, duke denigruar publikisht figurën dhe punën e tij, në prezencë të vetë konsullit, bashkëshortes dhe komunitetit në tërësi.
Ka dhe një anë tjetër të kritikushme deklarimi i Kryeministrit në Darkën gala të Këshillit Kombëtar; ajo nuk ishte mbledhje e Partisë Socialiste, ku ai në prani të qindra vetëve, të zyrtarëve të lartë të departamentit të shtetit amerikan, ndihmës sekretarit të shtetit, kongresisteve dhe personaliteve të larta, të hakmerrej ndaj një diplomatit të shtetit, duke thyer edhe rregullat më elemantare të një darke të tillë.
I mbetet organizatorëve të darkës, të cilët duhet t’i kërkojnë ndjesë Konsullit të Përgjithshëm Dritan Mishto, që podium i tyre u përdor për një hakmarrje personale dhe denigrim individual.
Është për të ardhur keq që ky urdhër erdhi në një kohë kur konsulli ishte i përfshirë në axhendën e vizitës së Presidentit Nishani në SHBA. Dhe ai e kreu shkëlqyshëm këtë detyrë së bashku me ambasadorin Gilbert Galanxhi, edhe pse ishte i shkarkuar. Ndoshta kryeminsitri ka dashë t’ia vështirësoi më shumë vizitën presidentit, prandaj e plasi urdhërin sapo zbriti nga aeroplani! Vetëm shqiptarët mund të veprojnë kështu.
Shkarkimi që i është bërë Konsullit ka prapavijë; nga njëra anë paraljmëron fushatën e spastrimeve, nga ana tjetër nxjerr edhe karakterin hakmarrës të Kryeministrit. Përse ka hakmarrje në veprimin e Edi Ramës? Ai ka pasë konflikte personale me Konsullin që prej 13 vitesh.
Historia e përplasjeve ka nisë herët që në vitin 2000. Në atë kohë Edi Rama ishte Ministër i Kulturës dhe Mishto aso kohe kryente detyrën e juristit në Ministri. Rama e pushon në mënyrë të paligjshme juristin Mishto sepse ai nuk pat pranuar që të firmoste tenderat klienteliste të ish Minsitrit. Ish kryetari i opozitës së asaj kohe, dr, Sali Berisha e denoncoi këtë fakt në Parlament dhe publikoi dosjet.
Përballja do të vazhdonte edhe më pas; z.Mishto, si këshilltar i kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale 2000, denoncoi shkeljet ligjore në veprimtarinë e kandidatit Rama duke ndezur një konflik tjetër personal mes tyre.
Dritan Mishto në vitin 2005 emërohet zëdhënës i kryeministrit dhe shpesh përballej me presionet e Edi Ramës, sidomos gjatë tensionimit të situates, kur qeveria e atëhershme vendosi prishjen e mbikalimit në Zogun e Zi. Kjo situatë u kthye në një kalë beteje mes dy kampeve politike.
Inati dhe vendimi për hakmarrje totale ndaj z. Dritan Mishto duket se Kryeministri Rama e mori në Mars të vitit 2010, kur atëherë kryetari i Opozitës e kishte bojkotuar Parlamentin, erdhi në SHBA dhe mbajti një fjalim në Institutin e Paqes në Washington DC, në prani të zyrtarëve të lartë të Departamentit të shtetit, Kongresit, etj. Në emër të institucioneve shqiptare flet qetësisht diplomati Mishto, duke parashtruar fakte të cilat errësuan prezantimin e Ramës, nervozizmi i të cilit arriti në atë masë saqë deklaroi publikisht se Dritan Mishto ishte një kopje e shëmtuar e Kryeministrit Berisha. Ky debat personal nga ana e Edi Ramës duke e futur diplomatin Mishto në tabelën e qitjes së kundërshtarit politik përfundoi me kërcënimin e Edi Ramës në raport personal dhe jashtë cdo etike: “do ta shohësh kur të vij unë në pushtet se cfarë do të ndodhë”.
Rama e mbajti fjalën e mbrapshtë. Si fitues i zgjedhjeve të qershorit 2013, ai e filloi të parin shkarkim me Konsullin e Përgjithshëm Mishto. Akti është vërtetë qyqar, hakmarrës dhe tepër primitive për një kryeministër.
Në logjikën juridike dhe logjike duket se Kryeminsitri Rama ka shkelë cdo rregull. Vendimin Nr. 139, Datë 20 Shtator 2013 është firmosur nga kryeministri Edi Rama, kur sipas të dhënave rezulton se ai ka dalë jashtë kufirit shtetëror në orën 4.30 të mëngjesit. Pra, dikush firmos kur Kryeministri është në avion? Kur e ka firmosur Kryeministri këtë shkresë? Në cilin vend e ka firmosur, pasi në bazë të ligjit funksioni i kryeministrit në aspektin e firmosjes së shkresave zyrtare ushtrohet në selinë e kryeministrisë?
Me një hakmarrje personale të detajuar, Kryeministri prish edhe atë praktikë të Ministrisë së Jashtme për kthimin e diplomatëve: Kryeministri Rama i ndërpret mësimin fëmijës së mitur 7 vjecar të diplomatit dhe humbjen e vitit shkollor. Hakmarrja e Kryeministrit Rama ndaj diplomatit Mishto bie kësisoj edhe mbi familjen e tij.
E pra, Kryeministri Edi Rama na e tregoi të gjithëve, në mes të Nju York-ut, në kryeqendrën e demokracisë se kur bëhet fjalë për hakmarrje ai nuk pyet as për ligjin, as vendin ku mban fjalimin, as për pjesëmarrësit, as për miqtë e huaj e të nderuar dhe për asgjë, përvec plotësimit të vendimeve të tij personale.
Kryeministri duket se e ka nsiur ta keqeverisë Shqipërinë tonë. Vendet e punës të premtuara me shumicë ai po i përllogarit duke shkarkuar kundërshtarët politik, për t’i zëvendësuar me militantët e vet. Provokimi me heqjen e fotografisë së kreut të shtetit nga zyrat e shtetit, nuk premton asnjë sinjal pozitiv, asnjë ndryshim për përmirësimin e klimës së bashkëpunimit me opozitën. Shkatërrimi i Gardës , është një tjetër precedent, që nuk dërgon sinjale pozitive për institucionet shqiptare. Listës së konsujve të shkarkuar, përvec Dritan Mishtos, i janë shtuar këto ditë edhe:Konsullja në Milano, Nausika Sapiha, konsulli Jako Dako në Janinë, Riza Poda, konsull i përgjithshëm në Selanik, Bashkim Bekteshi, konsull në Bari, Ermal Muça, konsull në Stamboll.Ngadalë zoti kryeminsitër, e ke marrë me vrap!(Ne Foto: Nga e majta: dr. Gjon Bucaj, Agim Rexhaj, Asllan Bushati dhe Dritan Mishto)
TELEGRAM NGUSHELLIMI I KONSULLIT TE PERGJITHSHEM TE SHQIPERISE
Shumë i dashur Z. Sina!/
Më lejoni t’ju ngushëlloj thellësisht për humbjen e nënë suaj të dashur Znj. Hane Sina.\
Jeta e nënës Suaj të nderuar bën krenar cdokënd: stoike dhe e papërkulur e kampeve të përqëndrimit dhe shtypjes së asaj kohe të mbrapshtë; një grua e vetme, që me një angazhim të pashoq ruajti, rriti dhe edukoi fëmijët dhe familjen e saj të ndarë tragjikisht për pothuaj gjysëm shekulli. Ikja e Hanes në këtë periudhë të vitit, kur njerëzit urojnë dhe luten për paqe e mirësi vjen si një mesazh për të gjithë. Me këtë rast, duke dashur të evidentoj edhe punën tuaj vetëmohuese në pasqyrimin me profesionalizëm të veprimtarive madhështore të 100 vjetorit të pavarësisë, krahas kujdesit të pareshtur për nënën tuaj në shtratin e lëngimit, jam i bindur se shembulli dhe mirësia e saj do të vazhdojnë të jenë të gjalla tek Ju dhe pasardhësit.
Edhe një herë pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta,
Dritan Mishto
Konsull i Përgjithshëm
- « Previous Page
- 1
- …
- 6
- 7
- 8
- 9
- Next Page »