Nga Kastriot MYFTARAJ/
Nuk ka qenë dorë shqiptare ajo që dërgoi flamurin shqiptar nga ajri në stadiumin “Partizani” të Beogradit me një minicopter (helicopter të vogël) gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri. Kjo është absolutisht e qartë. Zbritja nga ajri me një minicopter e një baneri me hartën e Shqipërisë etnike, të stiluar me flamurin shqiptar, në stadiumin e Beogradit ishte një inskenim i shërbimeve të fshehta serbe, me qëllim për të fajësuar shqiptarët për shkallëzimin e tensionimit të ndeshjes. Duke konsideruar shkallën e pranisë policore në stadium dhe përreth tij, si dhe vëzhgimin e madh me videokamera në një zonë të gjerë përreth stadiumit, është absolutisht e pamundur që, jo më një shqiptar nga Shqipëria, Kosova, apo Lugina e Preshevës, por qoftë edhe një shqiptar me banim në Beograd, të ketë mundur ta bëjë një gjë të tillë në Beograd. Në çdo rast, nëse këtë gjë do ta kishte bërë një shqiptar, ai do të ishte zbuluar dhe arrestuar tashmë nga Policia Serbe.
Madje Policia Serbe, e cila zotëron edhe mjete speciale për kontrollin e hapësirës ajrore përreth stadiumit në raste të tilla, do ta kishte interceptuar me siguri minicopterin që para se të arrinte mbi stadium, kuptohet nëse këtë nuk do ta kishte bërë një operator i shërbimeve të fshehta serbe. Nuk përjashtohet mundësia që Serbia të arrestojë një shqiptar me banim në Beograd dhe ta paraqesë atë si njeriun përgjegjës për dërgimin e flamurit shqiptar në fushë me minicopter. Por kjo nuk do të jetë veçse një “gjethe fiku” që nuk mund të fshehë të vërtetën lakuriqe. Se edhe nëse minicopteri do të arrinte të ngrihej nga një pikë diku jashtë stadiumit, ai nuk mund të endej në qiell pa u interceptuar nga njësitë e specializuara policore që para se të arrinte në stadium.
Tani duket qartë se Serbia, dhe këtu e kam fjalën për shtetin serb, duke qenë se nuk mund ta pranonte në asnjë mënyrë që jo më ta humbte këtë ndeshje, por të mos e fitonte atë, ka pasur më tepër se një skenar për ndeshjen me Shqipërinë. Një ishte fitorja në një stadium pa tifozë shqiptarë. Skenari tjetër ishte që në rast se do të shihej se ishte e pamundur të fitohej ndeshja, të sabotohej ajo me një incident nacionalist për të cilin do të bëheshin fajtorë shqiptarët. Vetë mënyra sesi lojtarët serbë vepruan me flamurin shqiptar të zbritur në fushë ishte një provokim ndaj lojtarëve shqiptarë në fushë. U duk qartë se kishte një bashkëpunim të përkryer mes tifozëve të dhunshëm serbë, lojtarëve dhe policëve. Derisa lojtarët serbë u sollën me përçmim me flamurin shqiptar që zbriti në fushë me minicopter, policët serbë qëndruan pasivë dhe i lejuan tifozët e dhunshëm serbë të hynë në fushë dhe të rrahin lojtarët shqiptarë. Kur detyra e policëve serbë ishte që të mbronin lojtarët shqiptarë nga tifozët që kishin hyrë në fushë, dhe për të bërë këtë detyrë nuk kishte pse të prisnin lejën e arbitrit. Kur serbët e panë se loja po zhvillohej në atë mënyrë që jo vetëm kishte gjasë që të mos e fitonin por madje edhe mund ta humbnin, ata aktivizuan Planin B. Dhe ndodhi ajo që pamë të gjithë.
Shërbimi i fshehtë serb e dinte se do të kishte idiotë shqiptarë të cilët nuk e kuptonin trick-un me minicopterin, dhe do ta merrnin përsipër autorësinë e tij. Por kjo nuk e ndryshon të vërtetën e asaj që ka ndodhur.
Për shkak të zbritjes në fushë të flamurit shqiptar me minicopter, UEFA ka shumë gjasa që të vendosë përsëritjen e ndeshjes në një fushë asnjëanëse, duke i quajtur të dy palët si bashkëfajtore për shkallëzimin e tensionimit në ndeshje. Prandaj në këto momente është e nevojshme që të ketë një reagim të shpejtë zyrtar, nga Qeveria e Shqipërisë, me të cilin ngjarja të përcaktohet si një provokim i inskenuar nga serbët, të cilin më e pakta autoritetet serbe e kanë toleruar nëse nuk janë drejtpërdrejt përgjegjës. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe Federata Shqiptare e Futbollit në adresë të UEFA. Kjo histori nuk mund të mbyllet me shpjegimin e rëndomtë tashmë, se janë disa grupe ekstremiste serbe përgjegjëse për akte të tilla dhune. Ajo çka ndodhi në Beograd është një akt lufte dhe meriton që të ketë si përgjigje një notë zyrtare proteste që edhe si adresim të jetë drejtpërdrejt nga ana e Qeverisë së Shqipërisë ndaj Qeverisë së Serbisë, jo thjesht të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.
Kjo që ndodhi në Beograd është një gjë shumë e rëndë dhe nëse Edi Rama pas kësaj vendos të shkojë në Beograd, ky do të ishte një veprim prej Esat Toptani, me ç’ rast Rama meriton fatin e Esatit dhe këtë herë të jetë i sigurt se do ta gjejë nëse guxon të shkojë në Beograd.
GJUKANOVIÇI I MALIT TË ZI NUK MUND TA HEQIN FLAMURIN SHQIPTAR TË DEDË GJO’ LULIT
Nga Ramiz LUSHAJ/
1. “Ligji i Flamurit”, i paraqitur nga Qeveria e Gjukanoviçit në Parlament, është provokim diskriminues veçmas për Shqiptarët etnik nën Malin e Zi, pasi po akt-kryhet juridikisht e publikisht në prag të 6 prillit, 103 vjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar në Deçiç të komunës urbane të Tuzit (Podgoricë) nga Dedë Gjo’ Luli me luftëtarët kryengritës të Malësisë së Madhe. Ky Flamur e mbështolli arkivolin e Homerit Shqiptar, Gjergj Fishta.
Kjo ngjarje historike panshqiptare skënderbegiane hyri përjetësisht në memorien e Kombit, në udhën e Pavarësisë Kombëtare Shqiptare drejt Vlorës, në kangët e popullit:
Kruja e dytë, Vlora e par’
Dedë Gjo’ Luli Flamurtar.
Fluturo Flamur Shqiponjë
Nga Bratila për në Vlorë…
Gjithmonë kur shtetit, si ky i “gospedar” Gjukanoviçit, fillon me i ra takati politik, sidomos në kit’ mandatin e fundit, nis e mendon keq, ban keq, të gjuen keq. Errësimi shoven i arësyes, urrejtja bio-politike ndaj shqiptarëve etnik, e çon Gjukanoviçin të kryej ngucama të tilla politike e etnike, të cilat do të jenë objekt i protestës shqiptare të 6 prillit në Tuz e i 8 prillit në Plavë-Guci si dhe i Demonstratës të shqiptaro-amerikanëve më 8 prill 2014 në Uashington D.C. në ditëpritjen e Gjukanoviçit nga Zëvëndës Presidenti Amerikan Xhozef Bajden.
2. Para së gjithash, i ashtuquajturi “Ligji i Flamurit”, i përcjellë pardje në Podgoricë nga Komisioni Parlamentar për Të Drejtat e Njeriut e të Pakicave Etnike, bie ndesh me vet Kushtetutën gjukanoviçiane të Malit të Zi, kapitulli 5 i saj “Të drejtat e veçanta të pakicave”, neni 79 “Mbrojtja e identitetit”, ku pika 1 e kryesisht pika 2 sanksionon “zgjedhjen, përdorimin dhe të shfaqurit publikisht të simboleve kombëtare…”.
Njëherash, ky P/Ligj bie në kundërshti edhe me nenin 80 të Kushtetutës që është mburojë ligjore kundër asimilimit etnik, si ky rast me ushtrim force të shumicës gjukanoviçane ndaj shqiptarëve trojenik, të simboleve të tyre.
3. Askush nga Shqiptarët etnik, partitë e shoqatat e tyre, nuk i ka kërkue ndonjëherë Malit të Zi që ta vendosin e valëvitin Flamurin Kombëtar Shqiptar në dy kryeqytetet e tij: selinë e Presidencës në Çetinë dhe as në selinë e Kryeministrisë në Podgoricë, pavarësisht se kjo e fundit është tokë etnike shqiptare e Gentit dhe Teutës, (edhe e të parëve të mij, të Shipshanikut).
Në fakt, shtetit multietnik të Malit të Zi mund t’i kërkohet që krahas Flamurit të tij Shtetëror (që ka ndrrue disa herë heraldikën e tij) të vendosen edhe Flamuri i Kombit Shqiptar, për disa arsye:
Shqiptarët janë shumicë si tokëformues të shtetit të Malit të Zi, pasi nga mbi 13 mijë km. katërore të tij mbi 9 mijë km katërore janë toka etnike shqiptare të pushtuara e aneksuara prej tij, si Ulqini e Tivari, Podgorica, Plava e Gucia, Rozhaja, etj.
Shqiptarët për nga etnia, si autokton, në shtetin e sotëm të Malit të Zi janë të dytët, pas malazezëve të Çetinës. Serbët ortodoksë janë të ardhur në territore shqiptare e malazeze nga Berana e Andrejavica deri tek Herceg Novi e Tivati. Boshnjakët janë shqiptarë të asimiluar apo në raste të tjera të ardhur nga Bosnje-Hercegovina apo Sanxhaku shqiptar i Tregut të Ri. Muslimanët janë një populli e sajuar si term nga vet malazezët, pasi pjesa ma e madhe e tyre janë shqiptarë të asimiluar. Kroatët janë të ardhur në Tivat apo Kotorr.
Shqiptarët katolikë në Malin e Zi zenë vendin e parë, shqiptarët muslimanë de facto renditen të dytët. Shqiptarë të besimit ortodoksë janë deklaruar vetëm 27 vetë e si protestanë vetëm 2 prej tyre. Ky numër do të ishte ma i madh sikur të mos ishte asimilimi sllav ndaj tyre.
Shqiptarët janë shtetformues të Malit të Zi, pasi edhe me votat e tyre referendare arriti të jetë shtet i pavarur e sovran.
4.Ky “Ligj i Flamurit” e lejon përdorimin e Flamurit Kombëtar Shqiptar vetëm në ato komuna, forma themelore e qeverisjes vendore në Mal të Zi, ku janë shumicë apo kanë mbi 15 për qind popullsi etnike shqiptare. Shqiptarët, në rastin e parë si shumicë janë vetëm në komunën e Ulqinit (79 për qind) si dhe në komunën urbane të Tuzit (një nga dy nënkomunat e Podgoricës), të cilës nuk po i jepet statusi si komunë e plotë, më vete.
Shqiptarët, në rastin e dytë: mbi 15 për qind, janë vetëm në komunën e re të Gucisë e ndoshta edhe në komunën e re të Plavës, po ende nuk kemi të dhana të plota pasi rregjistrimi i popullsisë për të dyja përmbyllet këto ditë në prag të votimit të tyre komunar të 25 majit 2014.
Llogjika e thjeshtë e këtij ligji parathotë se në komunën e Podgoricës, ku shqiptarët etnik janë mbi 8 për qind (të tretët) nuk kanë të drejtë të përdorin lirisht Flamurin Kombëtar Shqiptar në territorin e tyre, veçse të ardhurit e atyshëm: malazezët (rreth 55 për qind) e serbët (rreth 26 për qind). Dikur shqiptarët ishin të parët për nga popullsia në komunën e Rozhajës, po tani kanë mbetë të dytët, kryesisht në Malësinë e Rozhajës, pasi janë asimilue në boshnjakë apo shpërngulë në dhera të tjera. Fakti që janë vetëm 5 për qind nuk mund t’i privojë ata nga e drejta e përdorimit të Flamurit Kombëtar Shqiptar në tokën e vet, në komunën e vet, në dasmat e tyre shqiptare.
Kuota ligjore 15 për qind është sanksionue vetëm për hatër të mos përjashtimit të komunitetit kroat të komunës së Tivatit, si popullsi e tretë (mbi 19 për qind) si vendi i selisë së partisë së tyre që qeverisë e privilegjuar në koalicion me Gjukanoviçin dhe kanë një ministër në qeverinë e tij. Për shembull: Në koftë se kuota do të ishte mbi 10 për qind do të përfitonin edhe shqiptarët e komunës së Tivarit fqinjë, tokë etnike shqiptare në shekuj, ku shqiptarët arrijnë në mbi 12 për qind. Në Tivar, realisht, ka rreth 6.000 shqiptarë etnik, ndërsa në Tivat, gjysma e tyre, rreth 3.000 kroatë – komunitet i ardhur. Faktikisht shqiptarët e kroatët janë etni e tretë në komunat e tyre.Veçse kanë ndryshim të madh ndërveti: së pari, kroatët, ndryshe nga shqiptarët, për padrejtësinë malazeze ma të vogël protestojnë në Malin e Zi, në Kroaci, në Bruksel e Nju Jork, në Uashington D.C., etj.; së dyti, për kroatët në Malin e Zi shteti Kroat (antar në NATO e BE) nuk lëshon asnjë hap, asnjë orë, asnjë element, ndërsa Shqipëria e Kosova duket se i kanë lanë disi “dorë të lirë” të Gjukanoviçit ma së shumti me fitue “pikë” në integrimin euro-atlantik e në pushtetin e vet politik.
“Ligji i Flamurit” me caktime përqindjesh të tilla nuk mund t’i përjashtojë nga përdorimi lirisht i Flamurit Kombëtar Shqiptar në komunat e tyre shqiptarët etnik në trojet e veta në Podgoricë, Tivar, Rozhajë, etj. po as në Kotorr, Budva, Çetinë, Nikshiq, Herceg Novi etj. ku shqiptarët janë në numër të pakët, ma pak se 100 banorë.
5.Fillim prilli 1907. Në Amerikë, në udhët e Bostonit, pranë Stars and Stripes, organizohet një Paradë e shqiptaro-amerikanëve me Flamurin Kombëtar Shqiptar. Ishin atdhetarë shqiptarë emigrantë, shtetas amerikanë, në tokën amerikane. Ishte koha e Presidentit Amerikan, Teodor Ruzveltit. Gazeta “Kombi” (Boston, 26 prill 1907, fq. 2) thotë se paradon “për të parën herë në mënyrë legale, në kohët moderne, Flamuri i Skënderbeut”.
Prapë prill. Mbi një shekull ma vonë. Në një mijëvjeçar tjetër. 8 prill 2014. Shqiptaro-amerikanët do të protestojnë në Uashington D.C. kundër kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviç. Ata do të jenë në ballë të demonstratës me Flamur Kombëtar Shqiptar, me atë Flamur që Gjukanoviçi shoven don t’ua ndalin shqiptarëve etnik nën Malin e Zi.
Simboli ynë Kombëtar, Flamuri Shqiptar i Skënderbeut, është i lidhur pazgjidhmërisht e pafundësisht me historinë e Shqiptarëve të trevave shqiptare nën Malin e Zi, me këtë pjesë të përjetshme të trungut e trollit shqiptar nga Ulqini e Tivari, në Tuz e Podgoricë e deri në Plavë-Guci e Rozhajë, etj.
Pranverë 1786. Karamahmud Bushati me krerët e Maleve shkoi “në betejë me Flamurin Kombëtar Shqiptar” (F. Lonermon: “Turcs et Montenegrins”) sikurse edhe më 1798 me kit’ Flamur luftoi për t’i shkëput nga ndikimi i Vladikës së Malit të Zi krahinat e Kuçit, Piprit e Palabardhit dhe, si flasin kronikat e kohës, u vra “Më i shkëlqyeshmi Kastriot”.
Ishte tjetër prill. Ai i vitit 1879, kur Ali Beg (Pashë) Gucia lëvizte nëpër “Arbninë e Vogël”, nga Gucia në Plavë e Murinë, i hypur mbi kalë e “mbante një flamur të vogël të kuq me shqiponjë dykrenore”. Në Luftën e Ultinës së Epërme të Limit (Lufta e Nokshiqit), në të dy betejat, 4 dhjetor 1879-11 janar 1881, forcat ushtarake të Lidhjes së Prizrenit e të Plavë-Gucisë kishin prijëtar në ballë Flamurin Kombëtar Shqiptar. Në një telegram të Dervish Pashës dërgue Portës së Lartë (1881) informon se “fjala është për flamujt shqiptarë, të cilët Lidhja i ka përdorur para dy vjetësh për ushtrinë shqiptare të cilët kanë shkuar për të mbrojtur Plavën dhe Gucinë nga sulmet malazeze. Sikurse iu informova në atë kohë kishte afër 20-30 flamuj të tillë. Mirëpo flamujt shqiptarë, të cilët i ka përdorur ushtria e Lidhjes qysh atëherë kanë mbetur në Plavë e Guci” (Dok. 49 dhe 71). Lufta e Nokshiqit ishte “parathënia e Shpalljes së Pavarësisë” në Vlorën e 1912-tës, si e shprehin dhe vargjet:
Si dy male i rrijnë Historisë,
Nokshiqi dhe Vlora e Pavarësisë.
Koinçidencë e jashtëzakonshme: Prapë Prill. Ishte 19 prilli i vitit 1880. Në një miting të madh të organizuar në Shkodër me qytetarët e atyshëm, me malësorë nga të gjitha fiset e Malësisë së Madhe e nga të gjitha krahinat e Vilajetit të Shkodrës, në mbrojtje të Hotit e të Grudës nga pushtimi malazez, pas fjalës të Hodo Sokolit, hotjanët i japin zjarr vendit me veprimet e tyre: “Menjëherë doli në ballkonin e ndërtesës Ismail Marku i Hotit, trupmadh, me fytyrë të pjekur nga dielli, i cili me një të qëlluar të jataganit, e theu shtizën ku ishte varur flamuri i gjysmëhënës. Flamuri i Sulltanit ra përdhe, në pluhur. Pastaj, bajraktari i Hotit, Çun Mulaj, midis brohoritjeve të papërmbajtura valviti Flamurin e kuq Kombëtar”. E pikërisht në atë Tuzin e sotëm që Gjukanoviçi po don me ia pengue e përdredhue statusin si komunë më vete, u mblodhën krerët e LSHP të krahinës së Hotit (dy bajrakët e Hoti i Plavës) më 16 korrik 1880 e iu drejtuan të Mëdhenjëve të Kohës, ku mes tjerash, shprehen:”…ne shpallëm luftën për Pavarësinë e Shqipërisë, për të cilën jemi të vendosur të sakrifikojmë edhe pikën e fundit të gjakut” (Akte të Rlindjes Kombëtare Shqiptare, 1878-1912).
Shqiptarët etnik nën Malin e Zi janë fort të lidhur me Flamurin Kombëtar Shqiptar saqë Gjukanoviçit nuk mundet as ta kuptojë prej qëndrimeve të tij kundërshqiptare, nuk mundet ta heqin Flamurin e Skënderbeut, të Dedë Gjo’ Lulit, të Ismail Qemalit. Në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë kontributi i shqiptarëve etnik të Hotit e Grudës, të Plavës e Gucisë, të Ulqinit e Tivarit, të Kotorrit e Rozhajës, etj. është tejet i çmuar për fatet e kombit.
Në Kotorr, në vitin 1902, në shtëpinë e Pashko Shkjezit i çonte flamujt shqiptar nga deti princi Aladro Kastrioti, pasaardhës i Skënderbeut, që shpërndaheshin gjithandej nëpër Shqipëri (HD, Shkodër. 1937). Në vitin 1905 në shtëpinë e Filip Nogës në Tivarin bregdetar u punue një Flamur Kombëtar Shqiptar që u ruajt deri në vitin 1916 (J. Brahaj. Flamuri i Kombit Shqiptar. Tiranë, 2007). I pari që e përdori Flamurin Kombëtar Shqiptar në Shqipëri është prifti malësor dijetar Berndardin Shllaku, i cili e vendosi edhe në emblemën e ipeshkvisë së tij në Pult, në vula, etj.
Dedë Gjo’ Luli i Hotit, në vitin 1906 e mori dhuratë nga princi Aladro Kastrioti një flamur shqiptar të madh, dy metra e me tufa ari anash e ia besatoj prurësit dorazi, Preloc P. Kisit, që ta ngulte një Flamur Kombëtar Shqiptar përballë Tuzit. E duhet shtue edhe faktin tjetër: Po këtë vit (1906) edhe në Triepsh (nën Malin e Zi të sotëm) u ngrit një Flamur Kombëtar Shqiptar” (“Leka”. Shkodër, 1937).
Prapë koinçidencë: Prill tjetër. I përket vitit 1983 kur një grup nxënësish atdhetarë të gjimnazit të Plavës formuan grupin “Besa”. Ata ishin nga qyteti i Plavës, nga Hoti i Vendit mbi liqen të Plavës, Martinajt, etj. E donin vendlindjen e tyre ndryshe. Asokohe, në mbledhje partie u diskutua direktiva titiste e udbaiste se nuk guxohet të përdoret Flamuri Kombëtar Shqiptar. Po këta të rinj: Tahir S. Prelvukaj, Sadri Xhemë Mehaj (Hoti), Sadri A. Ahmetaj, Naim Selimaj, Burim U. Ahmetaj, Musa Selimaj që ”kanë dasht ta shpalosin Flamurin veç të ndaluar për festën e 1 Majit” (Historiani Rexhep Dedushaj: “Loja” e malazezëve me Flamurin Shqiptar”. Shkurt, 2014) u arrestuan më 29 prill 1983 dhe u dënuan me akuza të montuara e kohë të ndryshme në burgjet e Bijello Poles (Mali i Zi) e në Krushevac (Serbi).
Kur u ngrit Flamuri i Pavarësisë në Vlorë (1912), ku pati parfaqësues edhe nga treva e Plavë-Gucisë, etj. u festua si ngjarje madhore historike kombëtare edhe nga shqiptarët nën Malin e Zi. Kronikat e kohës dijenojnë se ulqinakët gjetën një mënyrë krejt të veten. Në anijet e varkat e tyre e ngritën Flamurin Kombëtar Shqiptar. Kapiteni i një anije ulqinake, Ymer Fasllija, “e shpuri anijen e tij me flamur Shqiptar në portin e Tivarit. Për këtë u burgos dhe pagoi edhe një gjobë”. Sikur krajl Nikolla I në fillim shek. XX po vepron edhe Milo Gjukanoviçi, krajli i ri malazez në shek. XXI (!).
FLAMURI SHQIPTAR LARTESOHET NE ONTARIO
Skicë/
Nga Avdulla Kënaçi/
Në këto ditë festash jam i tëri në sheshin përpara Parlamentit të Ontarios. Si zjarre të vegjel, nga të gjitha anët më rrethojnë flamujt shqiptarë dhe gurgullima gjuhës së ëmbël shqip. Është manifestimi i bashkësisë shqiptare të Torontos. Festa arriti pikën kulmore kur ushtoi Hymni Kombëtar dhe flamuri ynë mbi shtizën e bardhë merr rrugën drejt qiellit gri duke dalë mbi godinën historike të Parlamentit të provincës më të madhe të Kanadasë. Gjaku më vërshon me vrull ndër rremba. Është një moment ku unë ndjej se nuk jam në Toronto, por diku tej oqeanit Atlantik, aty ku kanë jetuar brez pas brezi të parët e mi. Dhe kujtoj….
Ishin vitet e vështirë të regjimit komunist kur emri i Amerikës pëshpëritej me zë të ulët. Ekzistonte tek brezi im një dashuri e fshehtë, dramatike për kombin amerikan, kampionin e mbrojtjes së lirisë. Mbaj mend si qarkullonte nën zë kjo histori:
Ishin vitet e para të Shpalljes së Pavarësisë. Mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte e brengosur se nuk kishte një leje të posaçme për të ngritur në raste festash apo piknikë flamurin shqiptar, deri at’here të panjohur nga Kombet e Bashkuara. U zgjodh një përfaqësi e cila iu drejtua presidntit Willson. Ai i priti, i dëgjoi, pastaj i pyeti:
– Keni ndonjë flamur tuajën të ma tregoni?
– Po –i thanë ata duke i vënë në tavolinën e punës një flamur të kuq me shqiponjën në mes të qindisur me merak. Presidenti kur pa shqiponjën, i ndriti fytyra dhe tërë gëzim, u tha:
– Po ky qënka shumë i bukur, lart e më lart flamuri shqiptar. Ta ngrini kur të doni e ku të doni. Amerikën e kemi së bashku, ajo nuk është vetëm e imja, por edhe juaja.
Është e vërtetë ose jo kjo histori, rëndësi ka që ajo qarkullonte gojë më gojë në ato kohë të vështira dhe jepte mesazhin se Amerika, kampioni i lirisë, e mbeshteste qyshkur, pa asnjë rezervë kombin shqiptar.
Ne e kishim flamurin, por nuk kishim lirinë, Kosova nuk kishte as lirinë e as flamurin. Demokracia na solli lirinë dhe distancën me Amerikën e shkurtoi në maksimum. Mars 1998, Kosova u ndez flakë nën emrin e atij flamuri. Shtatëdhjetë e dy ditë luftë. Dhe une, falë profesionit gazetar, isha ndër të parët që hyra në Kosovë kur sapo u çlirua nga zgjedha serbe. U habita me shpejtesinë se si gjysëm milon njerëz në fare pak ditë u kthyen në trojet e tyre me gjithë paralajmërimet e ushtrisë së NATO-s që të mos nxitoheshin sepse mundet që terreni dhe shtëpitë e tyre të ishin të minuara nga serbëtdhe u rrezikohej jeta. Përpara se sa të hyja në Prishtinë, u ktheva në Malishevë, në shtëpinë e xha Aliut i cili gjatë luftës, me njëzetë pjestarë të familjes së tij, kishte qenë i strehuar në familjet gjirokastrite. Shtëpinë e gjeti të djegur shkrumb e hi dhe ai ishte strehuar në një çadër ushtarake së bashku me familjen. Aty pranë, si një kukudh i zi, nxinte një tank i ushtrisë serbe,i djegur aq shumë sa nuk dukej gjurmë boje mbi kupolë, por nuk i kishte lëvizur asnjë pjesë. E kishin gjuajtur nga lart helikopterët Apash. Një djalë i ri, ish pjestar i forcave të UÇK-së, na udhëhoqi për tek trolli i xha Aliut. Mikpritësi ynë, xha Aliu, ishte një burrë tipik kosovar me mustaqe të bardha e kapuç mbi kokë, rreth të tetëdhjetave,dukej i gëzuar pa masë, sikur gjendej në parajsë. Në kulm të çadrës së tij valvitej flamuri shqiptar.
– U ka dëmtuar lufta, xha Ali. – i thashë unë, – po shoh shtëpinë shkrumb dhe asnjë bagëti rrotull.
– Jo, kam më shumë nga çfarë kisha – tha ai plot siguri dhe besim. Vuri re habinë time dhe vazhdoi të spjegohej.
– Kam atë…dhe tregoi me gisht flamurin mbi kulmin e çadrës-shtëpi.
– E solle nga Shqipëria?
– Jo, e kisha këtu, së bashku me revolen.
– Ku? – pyeta përsëri i habitur nga që nuk po kuptoja ku e kishte fshehur. Si? Trolli i shtëpisë së tij ishte shumë afër ish stacionit të policisë serbe.
– Poshtë, në tokë. – tregoi ai me dorë – Ne lëvizëm, por revolen dhe flamurin i kisha groposur këtu, në tokën tonë. Dhe bëra mirë. Ja, tek ajo qafa atje përkarshi ushtarët serbë na vunë në rresht. Na kontrollonin për armë, para dhe flamur. Paratë i fusnin në xhepat e tyre. Armët tona na i vinin në ballë, ndërsa flamujtë dhe plisat (kapuçat), kujt ia gjenin, ia i flaknin me urrejtje përdhe. Kam qarë si fëmijë sepse na thoshnin shkelni mbi plisa dhe flamuj. Por kisha një gëzim të madh thellë në shpirt. Revolen dhe flamurin tim shqiptar unë i kisha groposur në baçe, pesë pëllëmbë larg asaj dardhës, nga lind dielli, brenda, në qese plastmasi. Ja, shikoje, është ai flamuri që valvitet mbi shtëpinë time (shtëpi i thoshte çadrës)dhe revolja është kjo që kam në brez.- E hoqi revolen nga mesi me kujdesin e një nëne për fëmijën. Ishte një shtatëshe e vjetër me mulli, e vajisur mirë. Pastaj i gëzuar tha:
– Vëlla, erdhi koha që as flamuri dhe as revolja të mos futen më nën dhe, kemi mik të madh, Amerikën. Serbi na mori të keqen, kurrë nuk ka për t’u kthyer më.
Pastaj ngriti kryet lart, vuri dorën mbi plis dhe i mbetën sytë mbi flamur, si mua sot në Toronto.
Toronto, 25 nentor 2012