• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“LE TË USHTOJË KAMBANA E LIRISË”- 50-VJETË NGA FJALIMI HISTORIK I MARTIN L. KING-UT

August 15, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ishte muaji gusht i vitit 1963.  Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lëvizja për të drejtat civile e udhëhequr nga prifti protestant, i përndershmi Martin Luther King, kishte arritur kulmin.  Ajo ishte një lëvizje, misioni i së cilës ishte për të siguruar të drejta të barabarta për shtetasit zezakë afrikano-amerikanë  dhe kundër diskriminimit të tyre në aktivitetet e jetës së përditshme në këtë vend.  Ishte në përpjekje e Martin Luther Kingut, si udhëheqsi kryesor i kesaj lëvizjeje që t’i siguronte popullit të vet të pakën mundësinë për të marrë pjesë në të ashtuquajturën  “ëndërrën amerikane.”Qendra Martin L. King në qytetin Atlanta të shtetit Xhorxha, në një njoftim për mediat në lidhje me këtë pëvjetor,  shpalosi planet për festimin prej dhjetë ditësh të këtij përvjetori, njëkohësisht u bën thirrje komuniteteve në Amerikë dhe anë e mbanë botës që të marrin  pjesë në përkujtimin e këtij përvjetori duke u rënë kambanave, (me 28 gusht,në ora 3 pa dreke, sipas orës së Uashingtonit), në kujtim të njërit prej fjalimeve më historikë të shekullit të kaluar, fjalim ky që ndryshoi  përgjithmonë Amerikën dhe pati jehonë anë e mbanë botës.

Vajza e Martin L. King-ut,  Bernice King u bëri thirrje komuniteteve të ndryshme anë e mbanë botës që të adaptojnë programe përkujtimore, që sipas saj, “të bashkojnë njerëzit me pikpamje të ndryshme politike dhe kulturore, ashtuqë të festojmë humanizmin e përbashkët në mënyra krijuese dhe shpresëdhënse, në frymën e “ëndërres” së Martin Luther King-ut.

Fjalimi u mbajtë në datën 28 gusht, 1963 në përmbyllje të të ashtquajturit , “Marshimi në Uashington”,  ku morën pjesë mbi 250-mijë marshues, përfaqsues të të gjitha racave, para monumentit të presidentit Abraham Linkolnit në Uashington.   Marshimi ishte pa dyshim demonstrata më me rëndësi në historinë e lëvizjes së të drejtave civile në Amerikë, dhe fjalimi i Martin Luther Kingut ishte kulmi i atij marshimi.   Thirrja e marshuesve ishte “për punë e për liri” dhe për të drejta të barabarta, por ishte toni i shpresës në fjalimin e Martin L. King-ut ai që, sipas historianëve, e dallon atë fjalim klasik dhe për këtë ai mbahet mend dhe kujtohet.

Sipas historianëve dhe bashkpuntorve të ngushtë të tij, Martin Luther Kingu e kishte përgatitur më përpara fjalimin për këtë rast të rëndësishëm, megjithëse ai rrallë herë, sipas tyre, i shkruante fjalimet dhe predikimet e tija, por fliste gjithmonë pa letër.  Por pjesën më të rëndishme, për të cilën ky fjalim mbet në histori, ai nuk e kishte të shkruar.   Atje nga fundi i fjalimit, thuhet se ai largon mënjanë fjalimin e shkruar dhe i drejtohet turmës me këto fjalë:

“Unë u them ju sot miqë të mi se ndonëse përballemi me vështirsitë e mëdha të sodit dhe të nesërmës  – unë gjithnjë ëndërroj.  Është këjo një ëndërr që i ka rrënjët e saja thellë në ëndërrën Amerikane. Është një ëndërrë, se një ditë ky komb do të zgjohet dhe do të  jetojë sipas, nenit themelor të kushtetutës, se ‘Ne i konsiderojmë këto të vërteta si provë dhe dëshmi se të gjithë njerërzit janë krijuar me të drejta të barabarta.’

Atëherë  sikur deshti që pësëri  të theksonte ‘ëndërrën’’ e tij përtej drejtësisë dhe barazisë midis racave, ai foli për një të ardhme që tejkalonte edhe ndryshimet raciale, duke thënë se, “Ëndërrojë se një ditë në kodrat dhe logjet e shtetit Xhorxha, bijtë dhe bijat e ish-skllevërve dhe bijtë e bijat e ish-skllavo-pronarëve do të kenë mundësinë të ulen së bashku në të njëjtën sofër të vëllazërimit….Ëndërroj se një ditë, katër fëmijtë e mi do të jetojnë në një vend, ku ata nuk do të gjykohen për nga ngjyra e lëkurës së tyre, por për nga karakteri i tyre.”

Ishte shpresa biblike e Martin Luter Kingut 50-vjetë më parë, që pothuaj askush nuk e parashikonte atë ditë të nxehtë të gushtit, të vitit 1963.  Ishte e vështirë të parashikohej  50-vjetë më parë – ndoshta edhe për vet Martin Luter Kingun — se, sot në 50-vjetorin e këtij fjalimi historik,  do të ishte një president i Shteteve të Bashkuara me origjinë afrikano-amerikane, ai i cili do të kryesojë festimet me rastin e këtij përvjetori, ku sipas organizatorëve, do të fillojnë në Atlanta dhe do të vazhdojnë në Uashington për gjithsejt 8 ditë, dhe ku pritet të marrin pjesë me qindra mijëra veta nga Amerika  dhe qindra mijëra të tjerë anë e mbanë botës.  Përfshirë ish-presidentë, kongresmenë e senatorë dhe zyrtarë të qeverisë federale,  si edhe përfaqësues të lartë ndërkombtarë dhe të organizatave kombëtare dhe ndërkombtare.

Më 28 gusht, ditën aktuale të 50-vjetorit të mbajtjes së fjalimit historik, do mbahet një shërbim ndër-fetar në Uashington para ceremonive dhe para se  Presidenti Barak Obama të mbajë fjalimin e rastit,  në shkallët para monumentit të Abraham Linkolnit, ekzaktërisht aty ku 50-vjetë më parë mbajti fjalimin e tij i Përndershmi Martin Luter King, duke i deklaruar kombit dhe botës, se “ Ëndërroj se do vijë dita kur të gjithë bijtë dhe bijat e Perëndisë, të bardhë e zezakë, hebrejë dhe të tjerë, përfshirë katolikët dhe protestanët do të bashkohemi dhe dora dorës të këndojmë së bashku se më në fund jemi të lirë, jemi të lirë më në fund – dhe falenderojmë të Madhin Zot, se më në fund me të vërtetë jemi të lirë.”

Për lexuesit anglisht-folës do të rekomandoja që pot ë kenë mundësi të  ndëgjojnë këtë fjalim në youtube. Është 17-18 minuta i gjatë por është me të vërtetë një fjalim klasik për nga përmbajtja po se po, por edhe për nga mënyra e të shprehurit të këtij oratori të madh.  Është një fjalim plot pasion që të frymëzon për të mbrojtur drejtësinë, është si një gjëmim kundër padrejtësisë, por është njëkohsisht  edhe një fjalim shprese për një ditë më të mirë për të gjithë  bijtë dhe bijat e Perëndisë.  Është këjo një thirrje nga një gjuhë biblike që mundë të keqen me të mirën, nga goja e një predikatori Baptist protestan, por edhe një udhëheqsi moral kombëtar, i cili tani me të drejtë e ka monumentin e tij ball për ball me monumentet e themeluesve dhe baballarëve të kombit amerikan, në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington, në mirënjohje të kontributeve të tij ndaj këtij kombi dhe mbarë njerëzimit.

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 50 vjet, Frank shkreli, i M Luter King, nga fjalimi

PAPA FRANÇESKU DHE BOTA MYSLIMANE

August 13, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ne Foto:  Papa Françesku duke dhënë bekimin nga Dritarja e Vatikanit/

Të djelën që kaloi, para dhjetëra mija romakësh the turistësh në Sheshin e Shën Pjetrit, me rastin e përfundimit të muajit të shënjët të agjërimit të Ramazanit, nga dritarja e Vatikanit, Papa Françesku u bëri thirrje të Krishterëve dhe Myslimanëve anë e mbanë botës, që të promovojnë respektin e përbashkët midis njëri tjetrit, sidomos nepërmjet edukimit të brezave të ardhëshëm.   Papa, me atë rast u dërgoi  përshëndetjet e tia Myslimanëve në mbarë botën, të cilët ai i cilësoi si “vëllëzër’’, me rastin e festës së Bajramit. Respekti për njëri tjetrin, ishte në të vërtetë,  thelbi i një mesazhi personal që Papa Françesku i kishte dërguar, në fillim të gushtit, botës Myslimane, në të cilin tha: “Këtë vit, që është viti i parë i Pontifikatit tim, kam vendosur që këtë mesazh personal ta nënshkruaj vet dhe t’ua dërgoj ju miqëve të mi të dashur, si një shprehje e respektit dhe miqësisë time për të gjithë Myslimanët, veçanërisht për ata që janë udhëheqës fetarë”,  shtoi ai në mesazhin e njoftuar nga Vatikani.

Përveçse ai bëri thirrje për respekt të përbashkët midis të Krishterëve dhe Myslimanëve, Papa Françesku theksoi atë që ai tha se ishte, “tema që ai dëshironte të pasqyronte kësaj radhe…. Dmth, shqetësimi, si për Myslimanët ashtu edhe për të Krishterët,  për të krijuar  atmosferën për promovimin e respektit të përbashkët nepërmjet edukimit.”  Ky mesazh, tha Papa, u drejtohet të gjithë atyre që “respektojnë jetën, dinjitetin dhe të drejtat inividuale të çdo personi.”  Ai bëri thirrje edhe për respektimin e “reputacionit, pronës, identitetit etnik dhe kulturor, si dhe ideve dhe pikpamjeve politike të çdo personi.”    Drejtë realizimit të këtij  objektivi, Papa bëri thirrje për kontributin e  pazëvëndsueshëm të familjeve, shkollave, përfshirë ato fetare, dhe shtoi se të gjitha mediat e kanë për detyrë të luajnë rolin që u takon në arritjen e këtij objektivi.

Në lidhje me edukimin e rinisë së Krishterë dhe Myslimane,  udhëheqsi i Kishës Katolike tha në mesazhin e tij drejtuar botës Myslimane me 2 gusht, se, “ne duhet të edukojmë rininë tonë, ashtuqë  që ajo të mendojë dhe të respektojë fetë e ndryshme dhe pasuesit e tyre, dhe jo të tallet ose të denigrojë bindjet dhe praktikat e tyre.”  Ai shprehu posaçërisht  dhëmbjen e tij kur dëgjon për sulme kundër qendrave fetare të njërës apo tjetrës fe.

Papa Françesku përfundoi mesazhin e tij, duke thënë se, “Të gjithë ne jemi të vetdijshëm se respekti i përbashkët është baza themelore e të gjitha marrëdhënjeve njerëzore, veçanërisht në radhët e atyre që praktikojnë fenë….Me këto ndjenja, ritheksoj shpresën time se të Krishterët dhe Myslimanët do të jenë promovuesit e vërtetë të respektit dhe miqësisë, veçanërisht nepërmjet edukimit”, përfundoi Papa mesaxhin e tij dërguar botës Myslimane, me rastin e përfundimit të muajit të Ramazanit.

Vatikani e kishte bërë traditë ç’prej  mesit të dekadës së 60-ave të shekullit të kaluar, që të dërgonte mesazhe të tilla solidariteti dhe vullneti të mirë botës Myslimane, por ato dërgoheshin në emër të Papës nga Këshilli i Vatikanit për Dialog Ndërfetar.   Papa Françesku është i dyti Papë në histori që mesazhin e tij, drejtuar botës myslimane me rastin e muajit të Ramazanit, e dërgoi në emërin e tij personal.   Tjetri ka qenë Papa Gjon Pali i II.

Marrëdhënjet midis dy feve më të mëdha të botës kanë qenë shpesh të acaruara dhe me konflikte.  “Por çfarë thotë ose nuk thotë Papa ka një rëndësi dhe pasoja të mëdha për marrëdhënjet midis dy feve”, ka thënë   për gazetën Hufington Post, Imami Feisal Abdul Rauf i Iniciativës Kordoba me qëndër në Nju Jork.   Dhe Ibrahim Moosa, Profesor i Studimeve Islamike në universitetin e njohur amerikan, Duke është shprehur  se, “Vatikani ka investuar për marrëdhënje të mira me botën Myslimane, dhe nën drejtimin e një pape te ri, nuk ka asnjë arsye që të ndodhë ndryshe.”

Filed Under: Komente Tagged With: dhe bota muslimane, Frank shkreli, Papa francesku

KËLMENDI, NDERI I KOMBIT

August 11, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Nga portali i Presidencës së Republikës së Shqipërisë me kënaqsi mësova se të shtunën më 10 gusht, Presidenti i Republikës, Z. Bujar Nishani mori pjesë në “Logun e Bjeshkëve”,  një aktivitet ky që mbahet pë çdo vit në Këlmend të Malësisë së Madhe.  Përveçse njoftohet se Presidenti Nishani i dorëzoi Komunës së Këlmendit dekoratën e lartë,”Nderi i Kombit”, një vlersim i lartë ky për Këlmendin dhe mbarë Malësinë e Madhe,  thuhet se ai ishte presidenti i parë shqiptar në histori që vizitoi  Këlmendin, ku u prit me entuziazëm të madh nga banorët e Malësisë së Madhe.

Presidenti Nishani ia dorëzoi Këlmendit – fisit të luftëtarit legjendar, Prek Calit — dekoratën, ”Nderi i Kombit” gjatë aktivitetit artistik dhe kulturor, “Logu i Bjeshkëve”, që mbahet çdo vit në atë trevë, me qëllim për të ruajtur dhe kultivuar tiparet kulturore eksklusive të Këlmendit dhe Malësisë së Madhe, si pjesë e pa ndarë e kulturës dhe etnografisë së vjetër dhe moderne të Kombit shqiptar.  Kreu i shtetit shqiptar dekoroi fisin e Këlmendit, duke e dalluar,

“Për kontribut të shquar për identitet kombëtar, për trimëri dhe heroizëm në kryengritjet antiosmane për pavarësi, për qëndresën heroike në ruajtjen e kufijve kombëtarë nga copëtimi shovinist, për kryengritjen e parë antikomuniste (1945), ku gjaku i martirëve u shndërrua në memorje dhe vullnet për të kërkuar demokraci, për prijësit dhe bijtë e saj të shquar që ka nxjerrë në shekuj”.

Është tepër me vend, vlerësimi dhe nderi që Presidenti Nishani i bëri luftës dhe qëndresës së Këlmendasve gjatë shekujve, të cilët gjithëmonë i treguan kombit dhe botës, përballë luftërave e shtypjeve, dhe pushtimeve të huaja që kishin për qëllim copëtimin e tokave shqiptare si plaçkë nga fqinjtë shovinistë, se është, “Ma mirë dekun me nderë se gjallë  e për mënderë!”.   Këlmendasit, gjatë gjithë historisë së qëndresës së tyre ndaj pushtuesve të huaj otomanë e sllavë, si dhe ndaj komunizmit, si rradhë ndonjë krahinë tjetër, ata gjithmonë ishin një shembëll bashkimi, të lidhur në besë, për t’i treguar mbarë kombit se ishte më mirë, “me vdekë se sa me jetue në robëni”, ashtu siç këndon edhe malësori lahutar, “

“O ti kangtari i kangve kreshnike,

Merre lahuten tashti nji herë,

Na i thuej trimnitë e doket fisnike,

Na i kujto të parët si e kishin për nder:

deken m’e ba sikur me le.”

Ndoc Vulaj, nga Libri, Lufta e Kelmendit

Sipas portalit të presidencës,  në fjalën e mbajtur në “Logun e Bjeshkëve”,  Kreu i Shtetit, përmendi një prej karakteristakave të kësaj treve, respektin që gëzon femra duke u shpreh gjithashtu se një vlerë e pashuar në shekuj e krahinës së Kelmendit, është edhe respekti gati proverbial ndaj grave dhe lirisë së shprehjes së tyre, si një shembull i përkryer i demokracisë së fiseve shqiptare, duke thënë se, “Trashëgimnia e kësaj treve është një shembull i gjallë i vlerësimit dhe cilësimit të gruas si një zonjë e vërtetë, që merrte pjesë në kuvende, thoshte  lirshëm fjalën e saj, madje dhe  votonte.  Ky është një mesazh i madh qytetarie dhe përparimi që “Logu i Bjeshkëve” duhet t’ia shpërndajë gjithë Shqipërisë dhe gjithë përpjekjeve që ajo sot po bën në betejën e saj kundra padrejtësive dhe pabarazisë gjinore, si një normë bazë e së ardhmes sonë europiane”.    Në një gjest tepër fisnik, kryetari i shtetit paraqiti para këlmendasve të bijën e tij Fiona, e cila në shënjë respekti dhe admirimi për këtë zonë ishte veshur me kostumin popullor të kësaj krahine.

Presidenti Nishani me akordimin e dekoratës “Nderi i Kombit”, komunës së Kelmëndit, nderoi pasardhësit të gjithë atyre kreshnikëve, që gjatë shekujve ia kushtuan jetën, sakrificat, vuatjet dhe mundimet, lirisë dhe përparimit të kombit shqiptar, duke venë në vend të drejtën dhe të vërtetën.

Sot, është detyrë e jona, që atyre kreshnikëve që luftuan për lirinë dhe që mbrojtën terësinë territoriale  kundër armiqve shekullorë të kombit dhe atyre që gjatë gjithë historisë u përpoqën të ruajnë identitetin e fisit shqiptar, t’ua këthejmë lavdinë dhe nderin e kombit që e vërtetë u takojnë.  Unë si njëri me origjinë nga  ato treva, por për më tepër, si nip i Këlmendit, i jam mirënjohës Presidentit Nishani për njohjen e kontributit që ka dhënë treva e Këlmendit ndajë lirisë, përparimit dhe ruajtjes së bashkimit të kombit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Frank shkreli, Kelmendi, Nderi i Kombit

A DUHET TË KETË MORAL NË POLITIKËN E JASHTËME

August 9, 2013 by dgreca

Nga vizita në Turqi e kryeministrit të ri, Edi Rama/

 Nga Frank Shkreli/

Shkak për këtë shkrim u bënë vizitat e  fundit  të Kryeminstrit të ardhëshëm të Shqipërisë, Z. Edi Rama në Turqi,  Greqi dhe Itali, ku sipas deklaratave të tija për median, gjatë dhe pas vizitave, qëllimi i  tij  ishte për të hapur një kapitull të ri në marrëdhënjet me këto vende që ai i cilësoi si ”partnerë strategjikë” të Shqipërisë.

Në një intervistë me Top Channel, Kryeministri i ardhëshëm shqiptar, deklaroi  se “Ne jemi të gatshëm që të ngremë në një nivel të panjohur deri tani marëdhëniet me Turqinë që e konsiderojmë një partner strategjik”.

Edhe për Greqinë,  Z. Rama tha se megjith problemet e së kaluarës me fqinjin në jug, u shpreh i gatëshëm, siç tha ai, të “Hapë një kapitull të ri’’, në marrëdhënjet midis Tiranës dhe Athinës.

Shqipëria dhe shqiptarët, përfshirë edhe Republikën e Kosovës, kanë nevojë për miqë të afërm e të largët, pasi si numër, shqiptarët janë një komb i vogël  dhe i shtypur, i harruar dhe i nepërkëmbur për shekuj, kryesisht dhe pothuaj ekskluzivisht nga këto kombe, tani “partnerë strategjikë” të Shqipërisë,  duke mos lënë jashtë kësaj liste edhe Serbinë, që kanë bërë kërdinë mbi shqiptarët.   Janë ekzaktërisht këto vende që gjatë historisë së kombit shqiptar, jo vetëm u kanë mohuar shqiptarëve lirinë, bashkimin dhe pavarësinë e plotë  të tyre, por janë përpjekur me mish e me shpirt  t’i zhdukin ata nga faqja e dheut si komb dhe të ndajnë trojet shqiptare midis tyre.   Por etja për liri, bashkim dhe pavarësi e shqiptarëve, bëri që kombi shqiptar të mbijetojë sado i vuajtur e i përgjysmuar.

Është shumë me vend që Zoti Rama i bëri këto vizita në Turqi, në Greqi dhe Romë para se të fillojë zyrtarisht nga detyra e kryeminsitrit , ndonëse si për çdo vend tjetër, marrëdhënjet me fqinjtë – megjith historinë e hidhët  të shqiptarëve me fqinjtët e tyre–duhet të jenë prioritare, për nga vet natyra dhe afërsia gjeografike dhe pragmatizmi politik, por edhe për nga interesat ekonomike.   Si të tilla, marrëdhënjet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve me këto vende tani  të “partneritetit strategjik”,  sipas Z. Rama do të jenë në favor të, “një Shqipërie më të fortë politikisht, ekonomikisht dhe shoqërisht.”

Por, ky  “partneritet strategjik’’ me këto tri shtete, pa dyshim me rëndësi për politikën kombëtare dhe ndërkombëtare të Shqipërisë, nuk mund të realizohet në një zbrazëti morale dhe në mungesë të konsideratave historike dhe të politikave aktuale të këtyre tre vende ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.  Sepse, qëllimi i kësaj politike të “partneritetit strategjik”,  duhet të jetë diçka më tepër se vetëm një proces.  Duhet patjetër të ketë qellime për arrijtjen e disa rezultateve të caktuara.  Si “partnerë strategjikë”, të Shqipërisë, nën kuptohet se me ta ndahen vlerat  madhore të njerëzimit, siç janë zbatimi dhe resepktimi i të drejtave bazë të njeriut, lirisë së fjalës, lirisë së shtypit  e të tjera, për vet shtetasit e këtyre vendeve dhe më gjërë.  Nëqoftse këto vende nuk respektojnë dhe nuk zbatojnë këto të drejta për popujt e vet, atëherë si do respektojnë ata këto të drejta dhe norma ndërkombëtare për shqiptarët kudo.  Nuk mund të mos binte në sy deklarata e Z. Rama gjatë vizitës në Turqi, kur tha se “Turqia do të shërbejë si shembull’’ për Shqipërinë, ndërsa në të njëjtën kohë, në sheshet turke, policia dhe forcat e sigurimit rrahnin me shkopinjë dhe derdhnin gaz lotësjellës kundër protestuesve paqësorë.   Edhe sjelljet e këqia të Greqisë me imigrantët, përfshirë edhe ata shqiptarë, njihen mirë nga të gjithë.  Organizata të ndryshme europiane dhe ndërkombëtare kanë venë në dukje rregullisht, shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Turqi dhe në Greqi.

Natyra e këtyre regjimeve besimi i tyre në normat dhe standardet ndërkombëtare dhe se si ato i zbatojnë këto në sjelljet  me popujt e vet, ka shumë rëndësi edhe për marrëdhënjet shtet me shtet, pra për marrëdhënjet edhe të Shqipërisë me këto vende.

Konsideratat  gjeografike, ekonomike dhe kulturore për një fillim të ri në marrëdhënjet me këto tre vende,  të cilat  pa dyshim janë në interesin kombëtar,  duhet të kenë si bazë një politikë të jashtme të bazuar në moral dhe në zbatimin e standardeve të njohuara ndërkombëtarisht ndaj respektimit  të lirive dhe të të drejtave bazë të njeriut.   Shqipëria dhe shqiptarët duhet të ngulin këmbë për këto standard, pasi ata vetëm përfitojnë nga zbatimi i normave ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave të njeriut që tani janë bërë pjesë e pa ndarë e marrëdhënjeve shtet me shtete dhe ë nivel ndërkombëtar.    Merre me mendë se çdo të kishte ndodhur një dekadë më parë në rastin e Kosovës, nëse bota perëndimore në krye me Shtetet e Bashkuara,  nuk do të kishte si barometer moral këto standarde ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të drejtës së kombeve për vetvendosje.  Pa këtë bazë morale në politikën e jashtme  dhe në marrëdhënjet ndërkombëtare nuk do të kishte as 14 pikat e Uodrou Uilsonit, njëra prej të cilave  garantoi  vetvendosjen dhe pavarësinë e shteteve  ballkanike, përfshirë  pavarësinë e Shqipërisë.

Kështuqë, liria dhe siguria e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në trojet e veta, siç është provuar edhe historikisht,  varen shumë nga karakteri dhe morali, nga vlerat, etika dhe pranimi i parimeve universale   nga ana e regjimeve që qeverisin vendet  tani, “partnere strategjike” të Shqipërisë.

Politika e Tiranës zyrtare ndaj këtyre vendeve duhet të jetë me doemos strategjike dhe praktike për kohën, por ama gjithmonë e bazuar në standardet më të larta morale të njerëzimit dhe mbi të gjitha duhet të jetë një politikë që është në interesin afat-gjatë të kombit.    Gjithmonë duke patur në mend fjalët pragmatike të Ministrit të Jashtëm britanik, (1848) Lord Palmerston-it, se, “Ne nuk kemi as aleatë  dhe as armiqë të përhershëm.  Por interesat tona kombëtare janë të vazhdueshme dhe të përhershme.  Janë këto interesa, pra, që e kemi për detyrë t’i ruajmë dhe t’i mbrojmë.”

Është e natyrshme që vende të ndryshme kanë interesat e veta kombëtare, si dhe rrugën e zhvillimit,  të traditave dhe kulturave të ndryshme.  Secili vend gjithashtu do të ndjekë rrugën e vet në zhvillimin e demokracisë dhe të reformave shoqërore, por e drejta e njerëzve për të pasur një zë në shoqërinë ku jetojnë, është jetësore për krijimin e një shoqërie të qendrueshme dhe të begatë – gjë që çon drejtë një shoqërie më të hapur e më transparente dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës dhe më në fund në një botë më të mirë për të gjithë.  “Partnerë strategjik’’ nënkupton miq të ngushtë, pothuaj si në familje, ku bisedohen e diskutohen gjërat haptas.  Marrëdhënjet me “partnerë strategjikë” nënkuptojnë respekt dhe mirëkuptim të përbashkët dhe nuk janë marrëdhënje bazuar në leksione për mohimin, rishkimin ose ndryshimin e historisë në marrëdhënjet me këto vende.

Shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre kanë kërkuar miqësi me fqinjtë dhe me të tjerët, kanë kërkuar marrëdhënje të ngushta me popujt dhe institucionet e Ballkanit dhe më gjërë. Kështuqë nuk mund të fajësohen shqiptarët për mungesën e një partneriteti më të madh në të kaluarën midis Shqipërisë dhe shqiptarëve me këto vende, tani, “partnere strategjike”.  Tani  lindë pyetja: nëse Turqia, Greqia dhe Italia, do e konsiderojnë  Shqipërinë dhe shqiptarët si partnerë strategjikë, apo si vëlla i vogël?  Zoti Rama u ofroi atyre jo vetëm miqësi dhe solidaritet,  por “partneritet strategjik”.   Cila do të jetë përgjigja e Athinës, Romës dhe Ankarasë?

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Edi Rama, Frank shkreli, morali i politikes se jashtme

LUFTË E RE E FTOHTË NË MARRËDHËNJET MIDIS UASHINGTONIT DHE MOSKËS

August 7, 2013 by dgreca

Ne Foto: Presidenti Obama dhe Putin. Nuk duket se janë të kënaqur me njëri tjetrin/

Nga Frank Shkreli/

Presidenti  Shteteve të Bashkuara, Barak Obama anulloi takimin e nivelit të lartë që kishte në plan të mbante në fillim të shtatorit me rastin e mbledhjes së nivelt të lartë të grupit G-20- të, vendeve  më të industrializuara  në Shën Petersburg të Rusisë, me Presidentin rus, Vladimir Putin.  Anullimi i takimit midis dy udhëheqsve të lartë, u mor pas vendimit të Rusisë për t’i dhënë strehim të përkohëshëm politik prej një viti, amerikanit Eduard Snouden, i cili kohë më pare, në kapacitetin e tij si kontraktor me Agjencinë Amerikane të Sigurimit  i dha  medias, pa autorizim, informacione mbi përgjimet e fshehta të agjencisë për të cilën ai punonte, duke bërë publik programin e përgjimeve.   Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar atë për spiunazh dhe kërkojnë kthimin tij në Amerikë.   Vendimi i Moskës për t’i dhënë strehim të përkohshëm prej një viti Eduard Snouden-it, zemëroi për së tepërmi Uashingtonin zyrtar.   Senatorët nga të dy partitë kryesore të vendit i bënë thirrje administratës së Presidentit Obama që, jo vetëm që Z. Obama të mos takohej me udhëheqsin rus në shtator, si përfundim  këtij vendimi për të strehuar Snoudenin, por edhe për arsye të një numër çështjesh të tjera  në marëdhënjet  ruso-amerikane, duke bërë thirrje që  tu bëhet një vlersim i përgjithshëm marrëdhënjeve midis dy vendeve.   Senatori demokrat nga Nju Jorku, Çarlës Shumer, së bashku me senatorin  republikan Xhon Mekejn të shtetit Arizona, janë zërat më kritikë ndaj vendimit  të Rusisë për t’i dhënë strehim të përkohëshëm Snoudenit.  Senatori Shumer u shpreh me zemërim se,”Presidenti Putin po sillet si një shantazhist, i cili nuk meriton  respektin që do t’i akordonte atij një takim i nivelit të lartë me udhëheqsin amerikan”.   Ndërsa Senatori republikan Xhon Mekejn i bëri thirrje administratës Obama  për, “një rishqyrtim themelor të marrëdhënjeve”,  siç tha ai, “me Rusinë e Putinit”.

 

Gjatë një intreviste mbrëmë në programin televiziv të Xhej Leno të rrjetit NBC, Presidenti Obama tha se në takimin e Shën Petersburgut ai do të mbajë një qendrim të fortë ndaj Rusisë,   duke akuzuar  se autoritetet ruse mendojnë si gjatë luftës së ftohë dhe shpesh ata i këthehen mentalitetit të asaj periudhe.  Këjo, tha presidenti amerikan, i takon së kaluarës.

 

Shtëpia e Bardhë, ndërkaq, duke arsyetuar anullimin e takimit midis Presidentit Obama dhe Presidentit Putin, në një deklaratë për mediat theksoi  se,  “pas një rishqyrtimi të hollësishëm të marrëdhënjeve amerikano-ruse,  kemi ardhur në përfundimin se nuk është shënuar mjaftë përparim kohët e fundit në marrëdhënjet dy-palëshe me Rusinë, me qëllim që të mundësohet mbajtja e një takimi të nivelit të lartë midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë”, tha në një deklaratë, zëdhënsi i Shtëpisë së Bardhë,  Xhej Karni.   Ai shtoi, në deklaratën e tij se, vendimi i Rusisë për t’i dhënë Snoudenit strehim të përkohshëm, ishte gjithashtu një faktor me rëndësi që detyroi  rivelrësimin e thellë amerikan të marrëdhënjeve të tanishme midis dy vendeve.  Por, megjith tensionet midis Uashingtonit dhe Moskë për arsye të “çështjes Snouden’’, Presidenti Obama tha mbrëmë gjatë intervistës me Xhej Leno në NBC se, ai do të marrë pjesë në mbledhjen e vendeve industriale të botës në Shën Petersburg të Rusisë në fillim të shtatorit,  pasi sipas tij, ky takim është i rëndësishëm, ndonëse është foumi kryesor ku diskutohet për ekonominë botërore me udhëheqsit dhe me përfaqsuesit më të lartë të ekonomive më të industrializuara të botës.

Por babai Eduard Snoudenit, Lon Snouden, i cili ka udhëtuar në Moskë për të vizituar të birin, reagoi ndaj atmosferës së krijuar në Uashington në lidhje me atë që ka bërë i biri, duke thënë se është i mendimit që djali i tij të qëndrojë në Rusi, pasi kur të merren parasyshë reagimet e ashpëra nga zyrtarët amerkanë, ndaj asaj që ka bërë ai duke publikuar pa autorizim, të fshehtat më sekrete të këtij vendi, ato të programit të përgjimit — ai, sipas tij, nuk do të gjykohej ferë dhe me drejtësi, ndërkohë që falenderoi popullin rus për strehimin e djalit të tij.

Marrëdhënjet amerikano ruse kanë qenë të tensiounuar për një kohët të gjatë tani, një gjëndje këjo që shumë analistë ia atribojnë presidentit rus Putin.  “Çështja Snouden” nuk ëshë e vetmja çështje që, për një kohë tani, ka shkaktuar probleme serioze në marrëdhënjet amerikano-ruse.   Marrëdhënjet as midis dy udhëheqseve nuk kanë qenë aspak të mira, gjatë mandateve të tyre,  siç mund të shihet edhe nga fotoja e mësipërme.  Të dy vendet që ata përfaqësojnë, mbajnë qendrime të ndryshme, përveç të tjerave, mbi  luftën civile në Siri, mbi zbatimin e të drejtave të njeriut në Rusi, krijimi mbrojtës i raketave  në Europë, si dhe mbi një numër çështjesh të tjera  ndërkombëtare.   Por vendimi i Rusisë për t’i dhënë strehim amerikanit Snouden, i akuzuar tanimë për spiunazh nga Shteteve e Bashkuara, siç duket i ka keqësur edhe më tepër marrëdhënjet  midis dy vendeve, që sidoqoftë ishin edhe ashtu tepër  të tensionuara.  Aq tepër duket se janë tensionuar marrëdhënjet midis Moskës dhe Uashingtonit, që si rrjedhim, disa zëra këtu në Shtetet e Bashkura po bëjnë thirrje, për asgjë më pak se bojkotimin e lojërave olimpike dimërore që do të mbahen vitin që vjen në Soçi të Rusisë — një atmosferë këjo e paparë dhe e pa dëgjuar në marrëdhënjet ndërkombëtare ç’prej luftës së ftohët.

Filed Under: Analiza Tagged With: e ftohte SHBA -Rusi, Frank shkreli, Lufte e re

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 158
  • 159
  • 160
  • 161
  • 162
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT