• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JOHN KERRY: NDIHMAT AMERIKANE NUK JANË LËMOSHË

February 21, 2013 by dgreca

Në fjalimin e tij në universitetin Virxhinia, Sekretari Kerry—duke mbrojtur këto ndihma kundër kritkave të brendshme —  tha se ndihmat amerikane për vendet e huaja, “nuk janë lëmoshë”.   ”Ato janë”, shtoi ai, ” një investim në një Amerikë më të fortë dhe në një botë më të lirë”. /

Nga Frank Shkreli/

Sekretari i ri amerikan i Shtetit, John Kerry mbajti të mërkurën fjalimin e tij të parë me rëndësi si kryediplomati amerikan ,  në Universitetin Virxhinia — një universitet public  ky i cili është themeluar nga Thomas Jefferson, njëri prej baballarëve të kombit amerikan dhe Sekretari i parë amerikan i Shtetit, i cili tha Kerry e themeloi këtë universitet, sipas Jeffersonit, të bazuar në “lirinë e pakufizuar të mendjes së njeriut”.   Departmenti i Shtetit njoftoi se ky fjalim ishte i pari i një seri fjalimesh që Sekretari Kerry pritet të mbajë me qëllim që nga koha në kohë  t’i raportojë popullit amerikan mbi diskutimet që ai do të ketë jashtë vendit me udhëheqës të vendeve  të ndryshëme si edhe mbi efektin që ato diskutime mund të kenë në ekonominë dhe mbi gjëndjen e përgjithshme mbrenda vendit.

Zoti Kerry zgjodhi këtë universitet për të komunikuar drejtë për drejtë me popullin amerikan mbi ato që ai tha se janë vlerat e investimeve të Presidentit Obama në një politikë të jashtme të fortë.   Thelbi i mesazhit të Sekretarit amerikan të Shtetit ishte se një investim i vogël në fushën e politikës së jashtme dhe të diplomacisë  amerikane sjellë përfitime të mëdha në ekonominë dhe sigurinë e këtij vendi dhe se bizneset dhe qytetarët amerikanë duhet të jenë pjesëmarrës në debatin e vazhdueshëm në lidhje me prioritetet buxhetore të vendit.

Zoti Kerry tha se kishte shkuar  aty për të nënvijuar faktin se në botën e sotëme globale,  ”nuk ka asgjë të jashtme në lidhje me politikën e jashtme”,  dhe shtoi se ”vendimet që ne marrim në këtë vend, afektojnë jo vetëm situatat  ndërkombëtare, por ato në të njëjtën kohë, shkaktojnë edhe rrjedha të ndryshme brenda vendit tonë.”   Sikurë tha se çdo gjë kishte të bënte  me ekonominë, ai shtoi  se politika e jashtme është një factor i rëndësishëm pasi afekton edhe jetën tonë të përditshme.   Këjo politikë,  sipas John Kerry, “është e rëndësishme jo vetëm në kuptimin e kërcënimeve me të cilat përballemi, por edhe për produket që blejmë, për mallërat që shesim, si dhe për mundësitë që ne ofrojmë për një rritje dhe gjallëri ekonomike.”  Thomas  Xhefersoni,  tha Sekretari Kerry,  ia dinte rëndësinë rolit që ekonomia luan në marrëdhënjet ndërkombëtre, pasi ai si Sekretar i parë i Shtetit  të ri amerikan, vendosi të shtonte numërin e konsullatave të Amerikës anë e mabë botës, pikërisht për promovimin e tregëtisë.

Në fjalimin e tij ai tha se ekonomia dhe tregëtia janë me shumë rëndësi, por nuk janë të vetmit faktorë në marrëdhënjet ndërkombëtare, duke thënë se,  ”Ne vlerësojmë të drejtat e njeriut dhe duhet që të nënvijojmë punën e mirë që Amerika ka bërë në këtë fushë, të vetdijshëm se promovimi më  i efektshëm i të drejtave universal bazë për të gjithë njerëzit,  nuk bëhet nga ndonjë podium ose nga Washingtoni, por në frontin e punës të vendeve  ku mohohen liritë bazë dhe dinjiteti njerëzor.”   Ai foli për programe ndihmash amerikane për vende të ndryshme, përfshirë programet për përmirësimin e shëndetit në botë, të ushqimeve, për promovimin e arsimit nepërmjet shkëmbimeve të programit Fulbright dhe programet që nxisin barazinë gjinore, duke thënë se, “vendet që jetojnë në paqë paqë dhe janë më të begata, janë ekzaktërisht ato vende ku gratë dhe vajzat gëzojnë të drejtat e barabarta.”

Në fjalimin e tij në universitetin Virxhinia, Sekretari Kerry—duke mbrojtur këto ndihma kundër kritkave të brendshme —  tha se ndihmat amerikane për vendet e huaja, “nuk janë lëmoshë”.   ”Ato janë”, shtoi ai, ” një investim në një Amerikë më të fortë dhe në një botë më të lirë”.

Për t’ia bërë punën më të lehtë si kryediplomatit amerikan, Zoti Kerry i bëri thirrje Kongresit amerikan që të zgjidhë sa më shpejtë krizën buxhetore dhe fiskale të këtij, duke thënë se, “ne nuk mund të jemi të fortë në botë, nëqoftse nuk jemi të fortë në punët e mbrendshme tonat.”   Ai u ankua  në lidhje me mosmarrveshjet buxhetore midis palëve në Kongres duke thënë se,  ”se është vështirë t’i themi udhëheqsve të cilit do vend qoftë, se ata duhet të zgjidhin problemet e tyre ekonomike, nëqoftse ne nuk i zgjidhim problemet tona buxhetore e financiare.”

Ai tha se Amerika nuk është një vend i veçantë vetëm e vetëm se ne themi se është i tillë.   Jo, shtoi ai, “Amerika është e veçantë për veprat e veçanta që ka bërë gjatë historisë”, duke përmendur Planin Marshall që nxorri Evropën Perëndimore nga greminat e Luftës së dytë Botërore, duke shtuar se ish-Sekretari i Shtetit George Marshall,  ”e dinte mirë se nuk mund të kishte stabilitet politik pa një ripërtritje ekonomike”,  në Evropën e shkatërruar nga lufta.  Ai e dinte se Amerika e kishte detyrim të ndihmonte Evropën e pa luftës, për ta rindërtuar dhe për ta modernizuar atë, duke i dhënë një shtytje për të cilën kishte nevojë që të bëhej ortakja tregtare e fuqishme dhe paqësore, që është sot”, shtoi kryediplomati amerikan.

Duke folur për ”veçantinë” e Amerikës, Zoti Kerry u tha të pranishëmve në universitetin Virginia se,  ”kur tragjedia ose terrori goditë ndonjërin nga fqinjtë tonë kudo në botë, qoftë nga dora e njeriut qoftë nga dora e Zotit, shumë vende ndihmojnë, por është Amerika ajo nga e cila të gjithë presin që të ndihmojë”.

Ai përfundoi duke thënë se Shtetet e Bashkuara, ”do të vazhdojnë të udhëheqin si një vend i pazevëndsueshëm, jo se pse ne e kërkojmë këtë rol, por për arsye se bota ka nevojë që ne të luajmë këtë rol.    Jo si një alternativë, por si një detyrim.  Jo se ne e konsiderojmë këtë si një barrë, por se pse e dimë se është një privilegj.”   Këjo shtoi ai është veçantia e Amerikës, një cilësi, tha ai, që do ta marr me vete, në emër të popullit amerikan,  kudo që do të udhëtoj nepër botë…një sens përgjegjësie që duhet të zbatohet në parandalimin e tragjedive, në forcimin e aleancave, në krijimin e tregjeve, në promovimin e të drejtave të njeriut dhe në mbrojtjen e vlerave tona”, anë e mbanë botës.

Sekretari Kerry i bëri këto komente para se të niset të Djelën për udhëtimin e tij të pare  jashtë vendit si kryediplomati i Shteteve të Bashkuara, duke filluar me vizitën në Britaninë e Madhe, pastaj në Gjermani, Francë, Itali, Turqi, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkaura Arabe dhe më në fund në Katar.    Sipas njoftimit të Departmentit të Shtetit, Zoti Kerry do të bisedojë me zyrtarët më të lartë të këtyre vendeve për çështje të interesit të përbashkët, dhe për probleme globale.   Bisedimet do të përfshijnë edhe krizat botërore, si gjëndjën në Siri dhe gjetjen e mënyrave për t’i dhënë fund kësaj krize të përmasave njerëzore në atë vend, si dhe përpjekjet ndërkombëtare për të ndihmuar shtetin afrikan Mali në luftën kundër terroristëve islamikë dhe koordinimin e politikave për një numër çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare.
Megithëse është heret, ekspertët thonë se pritet që Sekretari Kerry, gjatë mandatit të tij si kryediplomati i Shteteve të Bashkuara, të përqëndrohet mbi çështje që kanë të bëjnë me Evropën (përfshirë Ballkanin) dhe Azinë, por edhe me mbrojtjen e ambijentit, zhvillimin ekonomik të kontinentit afrikan dhe me luftën kundër rrezikut që  i kanoset njerëzimit  nga terrorizmi ndërkombëtar – çështje këto të cilave ai u kushtonte një vëmendje të posaçme gjatë shërbimit të tij të gjatë në Senatin amerikan.  Ekspertët thonë gjithashtu se duke qenë se Sekretari i Shtetit zbaton politikën e jashtme të Presidentit, nuk pritet që  substanca  e politikës së jashtme të Washingtonit të ndryshojë  nën mandatin e Sekretari Kerry në krahasim me paraadhësen e tij Hillary Clinton – ndoshta nga stili por ja nga përmbajtja.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, John Kerry, ndihmat amerikane, Virginia

JEHONA AMERIKANE ME RASTIN E 5-VJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS

February 16, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të Dielën me 17 Shkurt  Kosova dhe mbarë kombi shqiptar festoi 5-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë nga Serbia.   Ekspertë të ndryshëm kanë pohuar se mos të ishte për përkrahjen e madhe diplomatike dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara për shqiptarët e Kosovës, Kosova nuk do e kishte fituar kurrë pavarësinë e shpallur më 17 Shkurt, 2008.    Duke u bazuar në deklaratat që udhëheqësit e saj më të lartë bënë me rastin e 5-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës,  Shtetet e Bashkuara  të Amerikës vazhdojnë të jenë të angazhuara, me sinqeritetin më të madh të tyre, për të  vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës duke punuar së bashku me institucionet e Republikës së Kosovës dhe me ortakët ndërkombëtarë, për një Kosovë ku mbizotëron rendi e ligji, për një Kosovë të begatë me një ekonomi të fortë dhe me një shoqëri demokratike e tolerante me një qeveri dhe shoqëri civile të fortë dhe të qëndrueshme.   Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se ato vazhdojnë së punuari me aleatët e tyre evropianë për realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës për integrimin e shtetit më të ri në Evropë në organizmat euro-atlantike.Ashtu si edhe në të kaluarën, këto ndjenja miqësie dhe mbështetjeje për Kosovën u ritheksuan edhe në mesazhet që udhëheqsit më të lartë amerikanë i drejtuan popullit të Kosovës  me rastin e 5-Vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.Listën e urimeve të udhëheqësve amerikanë e kryesoi Presidenti Barak Obama, i cili në mesazhin e tij, drejtuar Presidentes Atifete Jahjaga, i përcolli asaj dhe popullit të Kosovës, “urimet më të përzemërta me rastin e 5-vjetorit të Pavarësisë së shtetit tuaj.”    Presidenti Obama uron Kosovën për, ”hapat historike në realizimin e përfundimit të mbikqyrjes së pavarësisë”,  duke shtuar se, “Ndonëse mbetet ende punë për t’u bërë,  Kosova ka ecur përpara në konsolidimin e institucioneve demokratike,  në forcimin e sundimit të ligjit, në ekonomi dhe në zhvillimin e një shteti tolerant, gjithpëfshirës dhe shumë kombësh.”    Presidenti amerikan nënvijon gjtihashtu përparimet e bëra në, ”dialogun me Serbinë, që ka çuar përpara mundësitë drejtë normalizimit të marrëdhënjeve, nga të cilat do të përfitojnë qytetarët e Kosovës, fqinjtë dhe i githë rajoni.”    Në mesazhin e tij, Presidenti Obama, në emër të vendit që ai përfaqëson,  shprehet  se, “Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë miqët tuaj të ngushtë dhe  si partnerë  mbesim të përkushtuar në qëllimin tonë të përbashkët që Kosova të sigurojë vendin e saj të merituar me një të ardhme evropiane të integruar, demokratike dhe të përparuar. “Admirojmë përparimin që Kosova ka bërë në këto pesë vite të pavarësisë dhe mirëpresim që të punojmë së bashku me ju për arritje të tjera në vitet në vijim”,  tha udhëheqsi amerikan në mesazhin e tij, drejtuar presidents Jahjaga dhe nepërmjet saj popullit të Kosovës.

Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry në një mesazh me të njëjtën frymë miqësie karshi Kosovës shprehet se, ”Shtetet e Bashkuara mbeten vendosmërisht të angazhuara për një Kosovë të pavarur, sovrane dhe shumë  etnike”,  duke thënë se, ”uron udhëheqsit e Kosovës për dedikimin e tyre ndaj ndërtimit të institucioneve demokratike, avancimit të mundësive të reja ekonomike,  promovimit të zbatimit të ligjit dhe përpjekjeve drejtë integrimit evropian.”   Sekretari amerikan i Shtetit këshillon udhëheqsit e Kosovës se, ”vazhdimi i punës në këto fushë, shërben për sigurimin e stabilitetit rajonal si dhe të prosperitetit për vendin tuaj”,  duke përfunduar se “ndërsa ju festoni këtë ditë të veçantë, duhet ta dini se Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë pranë Kosovës si partnere dhe mike.”

Nuk munguan as urimet e miqëve të shqiptarëve në Kongresin amerikan, të prirë nga Kongresmeni Eliot Engel i shtetit New York, nën-Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtëme të Dhomës së Deputetëve dhe njëherazi edhe kryetar i grupit të ligjvensëve që mirren me çështjet shqiptare në Kongresin amerikan.   Në mesazhin e tij, Zoti Engel tha se,  ”Ka qënë një nder dhe kënaqësi të qëndrosh përkrah popullit të Kosovës ndërsa ata kaluan nga tragjedia në triumf gjatë 20 vjetëve të fundit.    Por beteja nuk ka mbaruar.  Kosova ende pengohet nga mungesa e vullnetit të disa vendeve për ta njohur atë, ndërsa vende të tjera ende e bllokojnë Kosovën të bëhet anëtare e OKB-së dhe të përparojë normalisht drejt një të ardhme euro-atlantike”.   Ai u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre evropianë që siç tha ai,  ”Përparimi i Kosovës drejtë strukturave euro-atlantike, Bashkimit Evropian dhe  NATO-s  të jetë një prioritet”,  duke shtuar se,  ”Kosova duhet të përfshihet në Evropë së bashku me fqinjët e saj, pasi në të kundërtën do të krijonim një gropë të zezë në Ballkan,  ku shqetsimet më të këqia për krimin dhe korrupsionin mund të bëhen realitet.”   Rruga e Kosovës drejtë NATO-s, sipas Kongresmenit Engel,  kërkon zhvillimin e një ushtrie, hapat e parë drejtë së cilës janë hedhur tanimë”, dhe u shpreh se ”pret me padurim ditën kur trupat e Kosovës do të qendrojnë krah për krah me ushtarët amerikanë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.”    Si mik i sinqertë i shqiptarëve,  Zoti Engel ve në dukje sfidat serioze me të cilat përballet Kosova, prëfshirë papunësinë dhe korrupsionin si pengesa kryesore për zhvillimin e ekonomisë, por edhe marrëdhënjet ndër-etnike. Miku i vjetër i shqiptarëve në mesazhin e tij siguron Kosovën se, ”Shtetet e Bashkuara kanë qënë dhe do të vazhdojnë të jenë miqtë më të mirë të Republikës së Kosovës.    Ne do të vazhdojmë të nxisim zhvillimin e Kosovës, respektin për sovranitetin e saj dhe zgjërimin e numrit të vendeve që e njohin atë.    Me miqësinë në rritje mes dy vendeve dhe popujve tanë, kam shpresë se pesë vjetët e ardhshme do të jenë edhe më të mira sesa këto pesë vjet të para të pavarësisë”,  përfundoi  mesazhin e tij Kongresmeni Eliot Engel.

 

Një tjetër ligjvenës amerikan, Kongresmeni Gary Peters  nga shteti Michigan,  gjithashtu anëtar i grupit  që merrret me çështjet shqiptare në Kongres, dhe njohës I mirë  dhe mbështetës i çështjeve shqiptare në  Kongresin amerikan,  në urimin e tij thotë se, “Jam  krenar që jam mik i shqiptarëve”, dhe  shton se do të festojë  këtë përvjetor me shqiptarët  në shtetin Michigan.   Kongresmeni Peters thotë se gjatë vizitës së tij të fundit në Shqipëri dhe  në Kosovë kishte parë aq shumë shtëpi dhe objekte ku flamuri amerikan valvitej krahas atij shqiptar – dhe shprehet se ai do,”të mbështesë lidhjet e pandërprera midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe do të punojë për të forcuar sovranitetin e Republikës së Kosovës”.

Edhe komuniteti  shqiptaro-amerikan, roli i të cilit është i njohur mirë në forcimin e marrëdhënjeve të ngushta që ekzistojnë midis Kosovës, Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara – por edhe për përpjekjet e tija për të sensibilizuar opinion amerikan mbi fatin e shqiptarëve në Ballkan — e ka shënuar këtë përvjetor — duke zhvilluar aktivitete të ndryshme festive.   Madje edhe gazeta e dytë  më e madhe  në  New York, The Daily News,  pasqyroi aktivitetet e shumëta të shqiptarëve të New Yorkut.   Gazeta  thotë se megjithse kanë kaluar 5-vjetë nga Shpallja e Pavarësisë së Kosovës,  entuziazmi i tyre për Kosovën nuk është pakësuar aspak, ndërsa ata festojnë në lagjën Bronks dhe anë e mbanë qytetit new York.   Daily News citon asamblistin  e parë shqiptaro-amerikan Mark Gjonaj, i cili disa ditë më parë paraqiti në Asamblenë e New Yorkut një rezolutë me rastin e këtij përvjetori se, “këjo është një ditë krenarie për popullin e Kosovës, për shqiptaro-amerikanët dhe  për shqiptarët anë e mbanë  botës.”

Konsulli i Përgjithëshëm i Republikës së Kosovës  në  New York, Ambasadori Bekim Sejdiu, në mirënjohje ndaj rolit të Shteteve të Bashkuara, i tha me ketë rast gazetës së New Yorkut, Daily News se, “Mbështetja e fortë e Shteteve të Bashkuara për Kosovën ka qenë dhe është një faktor jetik për përparimin e gjithanshëm të Kosovës,  dhe ne do të jemi gjithmonë shumë mirënjohës për këtë”, dhe shtoi se diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara  “ka qenë aktive dhe e pazëvendsueshme”,  në zhvillimet  pozitive në atdheun e tyre.   “Në këtë 5-vjetor”, i tha ai gazetës Daily News të New Yorkut, se  “të gjithë ne kemi shumë arsye të festojmë, pasi  shqiptarët nga Kosova që jetojnë këtu janë krenarë për kontributin e tyre ndaj lirisë, demokracisë dhe begatisë së Kosovës.  Ata janë krenarë  si qytetarë të mire të Shteteve të Bashkuara dhe në të njëjtën kohë gëzohen dhe festojnë arritjet e mëdha të Republikës së Kosovës”, përfundoi përfaqsuesi  i Kosovës në New York.Komuniteti shqiptaro-amerikan në New York, por edhe anë e mbanë Shteteve të Bashkuara ku ka përqendrime të konsiderueshme shqiptarësh festoi këtë përvjetor, përfshirë  drekën që shtroi organizata pan-Shqiptare Vatra dhe  gazeta Illyria organizoi një darkë të madhe, për të nderuar personalitete amerikane dhe shqiptare  që ndihmuan në realizimin e Pavarësisë së Kosovës.

Këto janë urimet dhe dëshirat e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të autoriteteve  më të larta të  Shteteve të Bashkuara,  të  një vendi dhe të një populli mik që ia ka dashur dhe ia do të mirën Shqipërisë,  Kosovës dhe kombit shqiptar në përgjithësi. Këto janë fjalët dhe këshillat e sinqerta të udhëheqësve të një vendi,  miku të madh për një kauzë të drejtë dhe të nevojshme që është integrimi i plotë i shqiptarëve në organizmat  Euro-Atlantike.    Nëse Shqipëria dhe Kosova dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj bote euro-atlantike për të cilën bëjnë thirrje udhëheqsit amerikanë dhe për të cilën udhëheqsit shqiptarë në të dy anët e kufirit kanë shprehur gatishmërinë e tyre, të pakën me fjalë — atëherë  udhëheqsit e sotëm të kombit shqiptar nuk mund të mos përfillin këtë zë të fuqishëm miqësor që i bën thirrje të drejtë për drejtë ndërgjegjes kombëtare dhe patriotizmit më të shëndosh shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: 5 vjetorit, Frank shkreli, jehona amerikane, pavresia e Kosoves

ASAMBLISTI MARK GJONAJ: REZOLUTË PËR KOSOVËN

February 14, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Me një njoftim dërguar miqëve dhe përkrahësve të tij javën që kaloi,  anëtari i ri i Asamblesë së shtetit të New Yorkut, shqiptaro-amerikani i porsa zgjedhur në atë detyrë, Zoti Mark Gjonaj, me origjinë nga Reçi i Ulqinit, ftoi të gjithë që me datën 12 Shkurt të merrnin pjesë në kryeqytetin Albany të New Yorkut, ku ai do të paraqiste një rezolutë për aprovim nga Asambleja e new York-ut, me rastin e 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.   Ashtu edhe ndodhi.   Në aktin e parë zyrtar si asamblist i ri, Zoti Mark Gjonaj i paraqiti Asamblesë së shtetit të New Yorkut për aprovim, rezolutën e përpiluar dhe sponsorizuar prej tij, në   5-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Kur e pashë fillimisht njoftimin e asamblistit Mark Gjonaj, ai më solli në mendë dekadat e fundit të shekullit të kaluar kur në Kongresin Amerikan, miqë të shqiptarëve, senatorë dhe kongresmenë paraqisnin, në të dy dhomat federale legjislative të SHBA-së, rezolutë pas rezolute – me të cilat shpreheshin qendrimet e Kongresit në lidhje me gjëndjen shumë të vështirë të shqiptarëve nën regjimet jugosllave e serbe.   Rezolutat të cilat — për të mënjanuar një gjakderdhje në Kosovë — iu drejtoheshin Shteteve të Bashkuara, Kombeve të Bashkuara dhe të gjithë botës së qytetëruar, që sipas njërës prej atyre rezolutave të Kongresit Amerikan madje të aprovuar në Janar të vitit 1992, i bëhej thirrje presidentit të Shteteve të Bashkuara për njohjen e Pavarësisë së Kosovës dhe për lidhjen e marrëdhënjeve të plota diplomatike me Kosovën.

Por, rezoluta e sponsorizuar nga Zoti Mark Gjonaj, asamblisti i parë shqiptaro-amerikan, dhe e miratuar nga Asambleja e New York-ut, nuk ishte e kësaj natyre, dmth., që të vente botën në dijeni për tmerret që pësonin shqiptarët në Ballkan – jo, ai e paraqiti  këtë resolute për miratim, duke e lexuar në sallën e mbushur plot-e për-plot gjatë punimeve të Asamblesë së shtetit të New Yorkut, për një rast historik dhe shumë të gëzueshëm për  të gjithë shqiptarët kudo – pra me rastin e 5-Vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në rezolutën e Asamblesë së New York-ut thuhet se ky trup legjislativ përkujton këtë përvjetor në frymën e ngjarjeve historike që janë shembëll i parimeve dhe i luftës për liri të popujve anë e mbanë botës për të siguruar Pavarësinë dhe për të jetuar në paqë dhe liri.  Rezoluta njeh gjithashtu kontributet që  shqiptaro-amerikanët nga Kosova, kanë dhënë në fusha të ndryshme si në tregti, shkencë e në qeveri, të cilët sipas rezolutës, kanë frymëzuar të rinjët anë e mbanë New Yorkut për të realizuar ëndërrat e tyre nepërmjet shkollimit dhe punës së rëndë.  Në rezolutë thuhet gjtihashtu se trupi legjislativ i New Yorkut  celebron dhe mburret me shqiptarët nga Kosova të cilët ruajnë me krenari preardhjen e tyre dhe janë shëmbëll  i bashkjetesës kulturore, gjë që forcon komunitetet e ndryshme që jeojnë në New York. Në rezolutë nënvijohet fakti se Kosova shpalli Pavarësinë  e saj me 17 Shkurt, 2008, një datë historike këjo që do të festohet nga shqiptaro-amerikanët si dhe nga  Shtetet e  Bashkuara dhe nga shteti i New Yorkut, pasi këjo pavarësi u bë e mundur me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, duke i dhënë fund fushatës brutale policore e ushtarake të regjimit të Millosheviqit kundër spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës.  Rezoluta njeh edhe kontributin e vazhdueshëm të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara që kanë shërbyer dhe shërbejnë trimërisht si pjesë e aleancës së NATO-s, duke thënë se prania e tyre në Kosovë është e pazëvëndsueshme për mbrojtjen e popullit të Kosovës dhe për paqën në rajon.

Në rezolutë thuhet se Kosova tani ka një shtet funksional me një kushtetutë demokratike,  përshëndet marrëdhënjet e veçanta që ekzistojnë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, si dhe nënvijon faktin se Kosova është njohur tanimë si shtet i pavarur nga shumë shtete dhe organizata ndërkombëtare.  Si përfundim, thuhet në rezolutë, Asambleja e shtetit të New Yorkut  vendosi të bëjë një pauzë në punimet e saj, për të përkujtuar 5-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me 17 Shkurt, 2013.

Në fjalimin e rastit, asamblisti Mark Gjonaj iu drejtua kolegëve të tij në Asamblenë e New Yorkut, si edhe shumë personaliteteve, udhëheqësve dhe përkrahësve të komunitetit shqiptaro-amerikan, duke thënë se, “17 Shkurti shënon shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe bashkimin shqiptar, një bashkim që u bë edhe më i qartë ndërkohë që më shumë se 12.000 veta vdiqën dhe një milion Shqiptarë u detyruan të largoheshin si refugjatë, shumë prej të cilëve kërkuan strehim politik në Shtetet e Bashkuara.’’  Asamblisti shqiptaro-amerikan Mark Gjonaj u tha kolegëve të tij se, “Historia e popullit Shqiptar është e vjetër dhe unike”. ‘’Ne jemi, tha ai, “ndër qytetërimet më të vjetra në Evropë me tradita kulturore, që dallojnë  nga të tjerat por që theksojnë  mikpritjen, bujarinë, punën e rëndë dhe respektin, veti këto që jam i sigurt, tha ai, se kanë influencuar Shqiptaren më të famshme në botë, Nënë Terezen.”

Zoti Mark Gjonaj vazhdoi duke thënë se, “Është ironik fakti se njëra prej qytetërimeve më të lashta në Evropë, njihet gjithashtu si shteti më i ri i Evropës.”  Zoti  Gjonaj foli edhe për lidhjet e ngushta që Shqiptarët gëzojnë me Shtetet e Bashkuara, duke  venë në dukje kontributin e presidentëve amerikanë,  në mbështetje të interesave kombëtare të shqiptarëve, duke filluar prej  presidentit Woodrow Wilson, presidentit Bush të vjetër, presidentit Klinton dhe presidentit Bush të ri.   Ai theksoi se, “Shqiptarët nga Shqipëria dhe nga Kosova janë provë e gjallë se Shtetet e Bashkuara janë një komb i posaçëm që mbështetë dhe përhapë lirinë dhe demokracinë anë e mbanë botës, në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe gjithmonë në krye të luftës kundër shtypjeve dhe tiranisë”, përfundoi fjalën e tij asamblisti Mark Gjonaj me rastin e paraqitjes dhe miratimit të rezolutës në Asamblenë e shtetit të New Yorkut, me rastin e 5-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.(FOTO E GAZETES DIELLI NE MJEDISET E ASAMBLESE)

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, Marka Gjona, Rezoluta e Kosoves

BOTA REAGON NDAJ DORËHEQJES SË PAPA BENEDIKTIT TË XVI

February 12, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli /

Lajmi se Papa Benedikti i XVI  ka vendosur, që për arsye shëndetsore dhe të moshës, do të jap dorëheqjen në fund të këtij muaji, habiti dhe shokoi jo vetëm katolikët anë e mbanë botës, por edhe udhëheqsit politikë botërorë, të cilët menjëherë reaguan ndaj vendimit të paprecedencë të Papa Benediktit, i cili me vendimidn e tij u bë Papa i parë në pothuaj 600 vjetë që jepë dorëheqjen.

Udhëheqsit politikë botërorë, nga të gjitha kontinentet, shprehën admirimin e tyre për punën e tij pastorale, nënvijuan përvuajtshmërinë e tij dhe theksuan sinqeritetin e përpjekjeve të Papës Benedikt për të bashkuar popujt e e botës.   Shumë  prej tyre e shikuan vendimin e tij për tu larguar nga detyra e udhëheqsit shpirtëror të një miliard e 200-milionë katolikëve, si një vendim me kurajo, duke venë në dukje kontributet e tija jo vetëm për Kishën Katolike por për mbarë njerëzimin.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama me dashuri kujtoi takimin që kishte pasur me Papën në vitin 2009, duke e falenderuar Benediktin e XVI për ”bashkpunimin me të gjatë katër vjetëve të kaluar.”   Presidenti Obama, në reagimin e tij ndaj vendimit të papritur të Papës , tha se ”Kisha Katolike luan një rol kritik në Shtetet e Bashkuara dhe në botë, dhe u dëshiroj çdo të mirë atyre që së shpejti do të mblidhen për të zgjedhur  pas ardhësin e Shënjtërisë së Tij Papa Benediktit të XVI”, tha udhëdheqsi amerikan në deklaratën e tij.

Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, në reagimin e tij ndaj dorëheqjes së Papa  Benediktit u shpreh se, ” Ai është një burr veprash dhe parimesh, i cili ka punuar për promovimin e të drejtave dhe dinjtetit të njeriut anë e mbanë botës, ku këto vlera e të drejta, shpesh u mohohen njerëzve….Siç pat thënë Papa Benedikti gjatë një meshe në Washington, pothuaj pesë vjetë më parë, Amerikanët mbeten një popull me shpresë dhe se Amerika është një vend i lirisë dhe i mundësive njerëzore.”    Sekreatri i ri amerikan i Shtetit, tha gjtihashtu se, ”Papa beson, ashtu siç besojmë edhe ne, se cilësitë që e kanë bërë të fortë kombin tonë mund të  kontribojnë dhe të ndihmojnë që edhe botën ta bëjnë më të lirë dhe më të drejtë. Jemi të nderuar për bashkpunimin me Selinë e Shënjtë gjatë këtyre tetë vjetëve të fundit që ai ishte Papë,  dhe presim të vazhdojmë këtë bashkpunim edhe në të ardhmen në fusha të interesit të përbashkët midis kombit tonë dhe të Kishës Katolike”, përfundon mesazhin e tij Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Edhe udhëheqsi i republikanëve në Dhomën e Deputetëve të Shteteve të Bashkuara,  John Boehner tha se vendimi i Papës për t’u larguar nga detyra e tij, ”tregon një përvuajtshmëri të jashtzakonshme dhe dashsurinë e tij për Kishën.”

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel tha se ka ”respektin më të thellë” për vendimin e Papa Benediktit, i cili me kombësi është gjerman.   Zonja Merkel, bij e një prifti protestan, tha se “fjalët e Papës do të qëndrojnë me mua për një kohë shumë të gjatë”,  dhe lavdëroi bashkombasin e saj,  për atë që ajo tha se ishte” interesimi i madh që ai kishte për procesin e bashkimit  evropian si edhe për promovimin e dialogut ndërfetar, në botë.  ” Kancelarja Merkel vazhdoi duke vlerësuar Papën Benediktin  si ”Njërin prej mendimtarve më të dalluar fetarë të kohës sonë’’.

Kryeminsitri britanik David Cameron tha se Papa Benedikti i XVI  ka punuar pa pritesë për të forcuar marrëdhënjet midis Britanisë së Madhe dhe Vatikanit, dhe shtoi se vizita e tij në Angli në vitin 2010 mbahet mend me shumë dashuri, nga populli britanik.  Kryeminsiutri britanik tha  gjtihashtu se mesazhi i Papës gjatë asaj vizite “për të punuar për të mirën e përbashkët”, bëri jeonë anë e mabnë vendit të tij.

Presidenti francez Francois Hollande  tha se nuk ka ndonjë koment të posaççm për të bërë për vendimin e Papës, vendim,  i cili shtoi ai, është i respektueshëm, një vendim që do të çojë në zgjedhjen e një pape të ri.  Republika franceze, tha ai, përshëndet Papën për vendimin që mori.

Ndër udhëheqsit e tjerë botërorë që reaguan menjëherë duke shprehur keqardhjen e tyre ndaj dorëheqjes së Papa Benediktit, dhe duke i uruar çdo të mirë e shëndet në të ardhmen,  ishin edhe Kryeminsitri i Kanadasë, Stephen Harper, Presidenti i Filipineve Benigno Aquino dhe shumë udhëheqës të tjerë politikë e fetarë nga e gjithë bota.

Bota mbarë u habit dhe u ”shokua” nga vendimi i Papës Benediktit të  XVI, për tu tërhequr nga detyra si udhëheqës shpirtëror, kryesisht sepse një gjë e tillë nuk kishte ndodhur në 600- vjetët e kaluara të  historisë së Kishës Katolike, megjithëse një gjë e tillë nuk ndalohet nga ligjet kishtare.   Guximi i Papa Bendiktit të XVI për të dhënë dorëheqjen pasi ”fizikisht dhe mentalisht” nuk e ndiente veten të aftë për të kryer detyrën në mënyrë efektive, është për tu admiruar.   Sikur edhe udhëheqës politikë dhe të tjerë, anë e mbanë botës, që mbajnë pozita të larta, do të kishin guximin  dhe kurajon civile të marrin të njëjtin vendim  kur për arsye të moshës ose për  arsye të tjera të të kenë kurajon që të largohen vullnetarisht nga detyrat e tyre, ndonëse  aftësitë e tyre mendore dhe fizike nuk janë të njëjtat me ato kur ata ishin në moshën 40-ose 50-vjeçare.   Vendimi i Papës Benediktit të XVI duhet të jetë një shembull i mirë për të gjithë se si duhet përballuar mosha dhe ngadalsimet mendore dhe fizike që sjellë ajo.

Filed Under: Kronike Tagged With: bota reagon, e papes, Frank shkreli, per doreheqjen

NJË YLL I RI I PARTISË REPUBLIKANE NË SHBA?

February 11, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Këtë të martë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, si çdo vit, mban fjalimin e tij mbi gjëndjen e kombit.   Gjatë këtij fjalimi, Presidenti Obama sigurisht që do të mburret me arritjet e administratës së tij gjatë vitit të kaluar dhe do të përpiqet të jap hollësi dhe të njoftojë popullin amerikan mbi programet dhe iniciativat që ai ka në plan t’ua paraqes ligjvënsve amerikanë për aprovim gjatë këtij viti.   Është gjithashtu traditë që partia në opozitë të paraqesë edhe ajo planet dhe programet e saj, të kritikojë politikën e administratës dhe t’i përgjigjet fjalimit të Presidentit. Partia në opozitë, zakonisht cakton një politikan popullor në nivel kombëtar, për  të mbajtur fjalimin dhe për t’ju përgjigjur pretendimeve të presidentit.

Këtë vit, Partia Republikane në opozitë ka zgjedhur Senatorin e ri republikan nga shteti Florida, Zotin Marc Rubio, popullariteti i të cilit duket se është në rritje, jo vetëm në shtetin Florida që ai përfaqëson, por edhe anë e mbanë Amerikës, sidomos pasi ky përqafoi kauzën për zgjidhjen e çështjes së imigracionit ilegal në këtë vend. Gazeta Washington Post citon udhëheqsin e republikanëve në Kongres, John Boehner, se Senatori Rubio u caktua t’i  përgjigjet fjalimit të Presidentit Obama mbi gjendjen e kombit,  sepse senatori republikan nga Florida, si rrallë ndonjë tjetër,  “është  bartës i parimeve të Partisë Republikane dhe  i vlerave të lirisë, mundësive dhe begatisë  që ajo promovon”.

Është një fenomen ky i politikës amerikane në përgjithësi që lejon dhe mundëson angazhimin e politikanëve të rinjë në jetën politike të vendit dhe në veprimtarinë e politikës brenda partisë të cilës i përkasin.   Kështu ndodhi edhe me Presidentin Barak Obama, i cili pothuajse nuk njihej aspak nga votuesit amerikanë, kur për herë të pare ai  iu paraqit amerikanëve me fjalimin që  mbajti me 2004 në Kuvendin e Partisë Demokrate, duke i hapur atij rrugën për zgjedhjen e tij president të Amerikës, katër vjetë më vonë.    Edhe Partia Republikane po vendos përballë Presidentit Obama dhe para popullit amerikan Senatorin Marc Rubio, një  ligjvenës të ri me prejardhje kubane duke i dhënë  atij rastin dhe mundësinë për të shpjeguar idetë e tija — dhe të partisë që ai përfaqëson — për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet sot Amerika.   Ai do të flasë në anglisht dhe spanjisht,  që është gjuha e prindërve të tij dhe të cilën ai e flet rrjedhëshëm.

Por kush është Senatori Marc Rubio, të cilin revista amerikane Tajms e quan si, ”Shpëtimtarin e Partisë Republikane”, ylli i të cilit duke se po rritet brenda kësaj Partie, dhe të cilin strategu republikan Karl Rove e ka quajtur atë si, ”komunikuesin më të mirë ç’prej Ronald Reaganit.”  Udhëheqsi i republikanëve në Senatin amerikan, Senatori  Mitch McConnell, tha se, “Marc Rubio mishëron optimizmin  që është në zemër të vizionit të Partisë republikane për të ardhmen e Amerikës.  Përvoja e tij si bir imigrantësh e ka bindur atë  mbi përfitimet që vijnë nga kufizimi i kompetencave të qeverisë si edhe në lirinë ekonomike.”

Z. Marc Rubio, i cili është 41 vjeç,  ka shërbyer në Dhomën e Përfaqsuesve të shtetit Florida nga viti 2000 deri në 2008, dhe është zgjedhur Senator i  Shteteve të Bashkuara nga ky shtet,  në vitin 2010.

Në biografinë e tij, Senatori Rubio thotë se besimi i tij në Amerikën u formua heret nga prindërit e tij të cilët emigruan nga Kuba më 1956 dhe pasi diktatori komunist Fidel Kastro soldifikoi regjimin e tij, ata nuk u lejuan të këtheheshin më në atdheun e tyre.   Ishte përvoja dhe kujdesi brenda familjes, thotë ai,  që e ndihmuan të formonte  jetën e tij si person dhe si politikan.  Ai falenderon prindërit e tij për punën e rëndë të tyre për të siguruar që ai dhe vëllëzërit e motrat e tij të kishin mundësitë për të shkuar përpara, mundësi të cilat ata nuk i patën kurrë në jetën e tyre.   Duke shprehur fillozofinë e tij konservatore të qeverisjes, ai shprehet se,  ”ishte angazhimi i Amerikës për një qeveri me kompetenca të kufizuara, si edhe liria ekonomike, që hapën dyertë e suksesit për mua” , thotë ai.   Ai shton  se si anëtar i Senatit Amerikan, ai ka përkrahur me krenari ata që kanë hapur vende të reja pune, dhe ka mbështetur prindërit amerikanë, misjoni i të cilëve në jetë është që — për fëmijtë e tyre — të ndërtojnë një Amerikë të fortë e të begatë.   Përsa i përket politikës së  brendshme, ai ndër të tjera është në favor të  balancimit të buxhetit federal dhe për shkurtimin e shpenzimeve të qeverisë federale.

 

Senatori Marc  Rubio, si bir imigrantësh nga Kuba, dhe si pjesëtar i një grupi senatorësh të cilët janë duke përpiluar legjislacionin për zgjidhjen e problemit të imigracionit ilegal në këtë vend ka thënë se, ”Shumica e Amerikanëve besojnë se kemi nevojë për një sistem imigracioni legal që funksionon, pasi ky që kemi tani nuk i përshtatet kushteve të shekullit 21.”   Ai, në të njëjtën kohë, ka marrë pjesë në debatet mbi politikën e jashtme amerikane, duke përmbledhur qëndrimet e tija  duke thënë  se, ”me krenari ka artikuluar qendrimin e tij në lidhje me interesat e Amerikës për të kundërshtuar tiranët e rrezikshëm,  dhe në mbështetje të luftëtarëve të lirisë”, dhe se ka ngritur zërin e tij në ”përkrahje të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut”, anë e mbanë botës. I vetdijshëm  për popullaritetin e tij në rritje, Senatori Rubio ka mbajtur një numër fjalimesh në të cilat ai ka prononcuar qendrimet e tija, duke dhënë hollësi, nga pikëpamja e tij, mbi një numër çeshtjesh aktuale për Amerikën dhe për  botën.  Ai ka theksuar qendrimet e tija konservatore mbi politikën e brendshme dhe të jashtme, përfshirë politikën ekonomike dhe financiare, që sipas tij, duhet të krijojë taksapagues të ri dhe jo të imponojë taksa të reja; dhe të merren masa mbarëkombëtare për të siguruar që shekulli 21, të jetë një  “Shekull tjetër Amerikan”.   Senatori Rubio  ka folur mbi rolin që duhet të luaj qeveria në Amerikë dhe mbi rolin që Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë në botë.   Ai ka thënë se do të vazhdojë të jetë i angazhuar në politikën e jashtme, pasi shumë njerëz, anë e mbanë botës, “gjithnjë brutalizohen dhe skllavërohen nga qeveritë e tyre”.

E ardhëmja politike e Senatorit Marc Rubio është bërë tanimë një burim spekullimesh në qarqet politike dhe në median amerikane – dhe caktimi i tij për t’iu përgjigjur fjalimit të Presidentit Obama mbi gjëndjen e kombit, vetem do t’i nxisë edhe më tepër këto spekullime, duke e ngritur edhe më shumë profilin e tij si një kandidat i mundshëm iPartisë Republikane për president në vitin 2016.
Caption: Senatori Marc Rubio i shtetit Florida

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, i Partise Republikane, Nje yll i ri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 167
  • 168
  • 169
  • 170
  • 171
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT