Mësuesit shqiptarë në mërgatë më të përkushtuarit dhe më të harruarit/
Ftoj deputetët, Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Ministrin e Punëve të Jashtme, Ministren e Arsimit dhe Sporteve, shoqërinë civile, median e shkruar dhe elektronike, të gjithë ata që e kanë në shpirt gjuhën e bukur shqipe, t’i mbështesin me të gjitha mënyrat mësuesit e gjuhës shqipe në mërgatë që fjala dhe germa shqipe të jetojë ndër breza…
Shpresoj që në shtator 2015, mësimi plotësues i gjuhës shqipe në mërgatë, të fillojë bazuar me një ligj të veçantë të Kuvendit të Shqipërisë, me akte nënligjore dhe me marrëveshje të dyanshme mes shtetit shqiptar dhe shteteve të tjera për krijimin e një hapësire të gjerë për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e mërgimtarëve…
Nuk jam jurist dhe nuk kam aq njohje juridike për të formuluar një projekt – ligj për tu miratuar nga Kuvendi i vendit tim, por si gazetar në mërgim, kam njohjen dhe përvojën e një armate mësuesish mërgimtarë në Greqi dhe më gjerë që mbledhin fëmijët e emigrantëve, ku të mundin dhe si të mundin dhe, si në vitet e Rilindjes Kombëtare, u mësojnë atyre të shkruajnë, lexojnë e këndojnë në gjuhën e nënës.
Mësimi i Gjuhës Shqipe në Mërgatë nga fëmijët e brezit që lindën dhe u rritën në mërgim është një detyrim kushtetues që rrjedh nga nenet 8 dhe 57 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Këtë detyrë, përpara shtetit dhe shoqërisë në Atdhe, më mirë se kushdo e kanë përjetuar mësuesit shqiptarë në Greqi, mësues vullnetarë që pa asnjë përkrahje, pa asnjë shpërblim, pa asnjë vlerësim moral, pa asnjë fjalë të mirë, tash katërmbëdhjetë vjet, që nga 7 marsi i vitit 2001, e kanë shtrirë mësimin plotësues të Gjuhës Shqipe nga Selaniku e Kavalla në Veri të Greqisë e deri në Jug, në Patra, Arta dhe në ishujt e largët të Egjeut. Vetëm në Shkollën Shqipe të Selanikut kanë dhënë mësim në katërmbëdhjetë vite mësimore 21 mësues, të cilët u kanë mësuar më se njëmijë fëmijëve ta shkruajnë, ta lexojnë e ta këndojnë fjalën shqipe.
Përvoja dhe përkushtimi i mësuesve për t’u mësuar fëmijëve gjuhën e nënës është dokumentuar në qindra shkrime në shtypin shqip në Greqi e në gazetat shqiptare, në tre libra monografikë (“Rilindësit e kohës sonë”, “Shkolla shqiptare e Athinës” dhe “Shkolla shqipe e Selanikut”) si dhe në filmin dokumentar “Vera, mësuesja e dy ishujve”.
Njëkohësisht përkushtimi atdhetar i tyre është prezantuar në 8 seminare zhvilluar në qytete të ndryshme të Greqisë si dhe në 7 seminare mbarëkombëtare për zhvillimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë; zhvilluar në Durrës, Strugë, Mitrovicë, Vlorë, Prishtinë, Ulqin dhe Berat.
E kam ngrit zërin e mësuesve në letra të hapura drejtuar ministrive e ministrave, avokatit të popullit etj., por, fatkeqësisht ai ka mbetur pa përgjigje, pa zë e figurë të shtetit e të pushtetit zyrtar në Shqipëri, të shoqërisë civile dhe të organizatave jo qeveritare.
Më 23 mars 2015, në protokollin zyrtar të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, në pikën 6 flitet për një marrëveshje të bashkëpunimit për “Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe Mërgatë”
Kanë kaluar muaj nga 23 marsi 2015 i mbledhjes së dy qeverive pa një zë të vetëm për organizimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë dhe, sikur kjo mos ishte e shkruar e zeza mbi të bardhë dhe të ishte përcjellë nga të gjitha mjetet e komunikimit modern, për ironi Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, ndonëse paralajmëroi se do të ishte e pranishme me një person të saj në një orë mësimi me fëmijët shqiptarë në Greqi më 26 prill dhe se do të merrte pjesë në seminarin e 8-të për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Greqi organizuar nga Lidhja e Mësuesve Shqiptarë”, jo vetëm nuk erdhi njeri por nuk dërguan qoftë edhe një e-mail të thjeshtë në shenjë urimi për këtë ngjarje me vlera të mëdha për mbijetesën e gjuhës shqipe në brezin më të ri të mërgimtarëve.
Kanë kaluar 14 vjet nga ora e parë e mësimit të gjuhës shqipe në Greqi dhe për ironi asnjë mësues nuk është shpërblyer edhe për një orë mësimi të gjuhës shqipe, nuk i është dhënë qoftë edhe një fletë lavdërimi e thjeshtë, për mos me thënë pastaj për vlerësime presidenciale me dekorata e tituj nderi…(!)
Për mua mësuesit shqiptarë në mërgim janë NDERI I KOMBIT, Rilindësit e Rinj të Kohës Sonë.
Përballë heshtjes ndaj mësuesve dhe shkollës shqipe në mërgatë vendosa…
TË FLAS…
TË SHKRUAJ…
TË VIKAS…
Shpresoj që Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ta vendosë këtë projekt – ligj në kalendarin e Kuvendit të Shqipërisë duke qenë i sigurt se ai do të marrë votat e të gjitha kuvendarëve.
Shpresoj që në shtator 2015, mësimi plotësues i gjuhës shqipe në mërgatë, të fillojë bazuar me një ligj të veçantë të Kuvendit të Shqipërisë, me akte nënligjore dhe me marrëveshje të dyanshme mes shtetit shqiptar dhe shteteve të tjera për krijimin e një hapësire të gjerë për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e mërgimtarëve…
Shpresoj…
Abdurahim Ashiku
Gazetar-ish mësues.
Shënuar më 1 qershor 2015, Ditën Botërore të Fëmijëve
Perpjekjet e vlefshme te nje patrioti per pasunimin e gjuhes shqipe
Nga Pjeter Logoreci/
Një bisedë me një njohëse të gjuhës shqipe në tetor të vitit 2014, u bë shkak që unë të kërkoja në Austri materiale apo informacione mbi vepren dhe kontaktet e albanologut, gjuhëtarit dhe etnografit Dom Nikollë Mazreku. Dija vetëm që Gazulli ishte një nga studentët shqiptarë që studiuan në Austri dhe kisha dëgjuar për kalvarin e vuajtjeve që i shkaktoi atij rregjimi komunist.
Në Austri mundësitë e kërkimit të dokumentave të vjetër mbi historinë dhe gjuhën e shqiptarve janë të mëdha, por duhet ditur se si dhe ku duhet kërkuar. Nganjëherë legjislacioni përkates bëhet pengesë për të pasur rezultatet maksimale në kërkime. Kështu me ndodhi edhe në rastin Gazulli, ku materialet që arkiva dispononte për te, nuk mund të skanoheshin, kopjoheshin apo të hidheshin në një cd, pasi nuk ishin mbushur 70 vite nga vdekja e personit të cilit i përkisnin (Norbert Jokl-it). Më duhej një autorizim i vecantë nga një trashegimtar i familjes së tij që ti nxirrja materialet nga arkiva.
Në bibliotekën kombëtare të Austrisë në Wien, ruhej korespondenca që albanologu i shquar Norbert Jokl kishte pasur me personazhe të ndryshëm shqiptarë, por jo vetëm, të cilët ishin të interesuar për Shqipërine, gjuhën dhe zakonet e saj. Në këtë fond gjindej dhe një lidhje e letrave origjinale, pra korespondenca në mes priftit shkencëtar dhe albanologut Jokli, e cila përmblidhej në rreth 125 faqe të shkruara kryesisht me makinë shkrimi por edhe me shkrim dore nga Dom Nikolle Gazulli. Periudha kohore kur janë shkruar këto letrat i perket viteve 1930, 1931 dhe 1932. Për të pritur përgjigjet e mikut të tij nga Austria, famullitari Gazulli përdorte adresen: Nikollë Gazulli, meshtar / Famullitar i Riollit. Te Nush Coba – Serreq ndë Shkoder.
Lidhja në formë libri e letrave, e cila është e skanuar nga arkiva me mjetet më moderne, përmban 7 letra që Nikollë Gazulli i ka dërguar Joklit si dhe një numër faqesh plot me fjalë shqipe, fraza shqipe dhe interpretime të fjalëve, frut i kërkimeve shumë vjecare të klerikut. Pjesa e fjalorthit prej 117 faqesh që i është dërguar me 5 letrat shoqëruese, mban mbishkrimin “Gazulli, Mbledhje Fjalësh”. Nuk dihet numri i fjalëve të cilat janë të rreshtuara me rend sipas germave, por dihet (sic shkruhet në letrën e parë) qe …..“me 12 dhetuer 1928, kur ishe famullitar në Jueshe afër Shkodret, mue mu dogj qela me gjith´c pata e ashtu u shkrij edhe mundi i sa vjetëve; c´pata mbledhë fjalë e shumë gojdhana permbi fise shqiptare të verit, qi vetëm prej skamit nuk muejta me i botue.” . Së bashku me letrat janë edhe disa fletë “qortime” dhe “shtesa” të cilat janë vendosë më vonë, në vecanti. Sic kuptohet ndër letrat, sipas kërkesës së priftit, Jokl-i i ka dërguar atij herë pas here edhe libra të ndryshëm, fjalore enciklopedikë në frengjisht apo gjermanisht …“qi me vyejnë me caktue domethanien e fjalëve shqipe”.
“U lutem shumë për bibliothekë mos me m´lanë mangut, në kjoftë se nuk Ju bjen tepër randë (pse me U randue s´due asnji fije) pse mue m´asht djegë edhe shka pata; ktu mandej e dini mirë qi nuk asht si nd´Austri qi m´u gjetë libra për përdorim pa i ble, mandej me i ble lypen të holla, qi te un s´gjinden, mbasi ma shpune kuleten: rrnoj me nji popull të mirë fort, por qi nuk i del m´u ngij me buk kollomoqe….”
Dom Nikolla kerkon mendimin e Jokl-it për sa i perket interpretimeve të tij si dhe mbledhjes të këtyre fjalëve: …“Kuer të Ju daline ngae, s´keni m´u kursye pa ma cfaqe me nji leter pershtypjen qi po Ju ban këjo mbledhje e emja; ….besoj qi nji mbledhje të mirë fort e ka edhe At Bernardin Palaj…..qi s´kishte me u kursye me jua cue…”
Ndërsa në letren e fundit, Gazulli i shpreh bindjen Jokl-it që….” …këtu pritet me pa-durim fjalori Juej qi ka me kenë si gur themeli për nji giuhë shqipe t´arsyeme….”
Duke qenë se personin, qe më kërkoj që ti gjeja këto letra me mbledhje fjalësh të Dom Nikolle Gazullit për ti botuar, nuk arrij ta kontaktoj më dhe unë personalisht nuk jam specialist i fushës së gjuhësisë, mendova që këto materiale ti bëj të njohura për lexuesit shqiptar, botuesit e ndryshëm, si dhe studiuesit e gjuhës shqipe, në mëndyrë që këto perla të shqipes të gjejnë mundësinë e botimit.
Një vështrim i shkurtër mbi jetën e Dom Nikollë Gazullit.
Kleriku katolik Dom Nikollë Gazulli lindi në fshatin Dajc të Zadrimës në Lezhë rreth vjetit 1895. Ai ishte pjesë e familjes së njohur – GAZULLI – e cila qysh në mesjetën e herëshme përmendej për disa figura me vlerë në lëmin e teologjisë, artit ushtarak apo diplomacisë. Shkruhet së mësimet fillestare i mori në shkollën e fshatit e cila ishte hapur nga Dom Ndre Mjeda në vjetin 1902. Më vonë u bë pjesë e kolegjit Franceskan në Shkodër nga ku me shumë të tjerë u dërgua në Insbruk të Austrisë për të studiuar teologji dhe filologji. Me mbarimin e studimeve largohet për në Romë ku në vitin 1917 shugurohet meshtarë. I realizohet dëshira që të kthehet në atdhe ku krahas punës si prift katolik, fillon të merret me studimin dhe prejardhjen e gjuhës shqipe duke mbledhur, studiuar dhe analizuar qindra fjalë të rralla, shprehje popullore, pjesë dialektore apo të dhëna zakonore të vendeve ku sherbeu. Kryesisht sherbeu si udhehëqes shpirtëror në Malsinë e Madhe (famillia Shkrel) ku u përballua me ngjarje reale apo gojëdhëna të dala nga populli, që i shërbyen si objekt i shkrimeve apo studimeve të tija të cilat përpara se ti botonte i konsultoi me albanologun Norbet Jokl, Eqerim Cabejn, Ndre Mjeden, Gjergj Fishten, Justin Rroten. Vepren e tij e mblodhi në dy vëllime, Fjalorth i ri që u botua në vitin 1941 dhe Fjalori Onomastik i cili u botua me pjesë në revisten e kohës Hylli i Dritës. Gazulli shkruante nën pseudonimin Gelasius dhe zotëronte gjuhën gjermane, italishten, latinishten, sllavishten. Lexonte në gjuhen turke dhe franceze. Mbledhjet dhe studimet e tij u vlerësuan shumë nga albanologu austriak Jokl me të cilin kishte korespondencë të rregullt. Më vonë, fjalët e mbledhura ndër zonat e malsisë së madhe ku ai jetoj si dhe etimologjia e tyre, i shërbyen gjuhëtarit austriak për ti përmbledhur në veprën e tij për Etimologjinë e gjuhës shqipe. Mendohet që në mbledhjen dhe gjurmimet e tij, i ndihmuen dhe koleget at Mark Harapi, At Aleksandër Sirdani, at Nikollë Suma, të cilët për fjalorin onomasitk mblodhën materiale gjuhësore që nga Malsia e Madhe deri në Fier, nga Malësia e Gjakovës deri në malin e Shpiragut, nga Iballa e Pukës deri në Shëngjergj të Tiranë. Së bashku me të vellaun Gjonin ishin aktiv në levizjen kundër Zogut në Malsinë e madhe në vitin 1927. Ndërsa Gjoni denohet me vdekje, Dom Nikolla denohet me 4 vite burg. Për arsye të luftës por edhe për të ju shmangur perndjekjes klasore gjatë rregjimit komunist ai qëndron si klerik në malësitë e veriut ku në marsin e vitit 1946 vritet nga forcat e sigurimit në shpellën e Shkrelit (ku ishte fshehur për ti shpëtuar ndjekjes). Prehet në kishën e këtij fshati pasi u rivarros nga besimtarët e malsisë të cilët i sollën eshtrat e tij nga vendi ku i mbanin të fshehura. (Referencat u morën nga libri: Studentet shqiptar te Austrise)
Gjuha shqipe, në degën e pemës gjuhësore botërore
TIRANË,25 Janar / Gjuha Shqipe gjithmonë ka qenë objekt studimi për shumë studiues në botë.
Së fundmi,gazeta prestigjoze “The Guardian” ka publikuar një ilustrim të Minna Sundberg që tregon hartën e gjuhëve që ekzistojnë sot në botë.
Në foton e botuar dallohet qartë gjuha shqipe si një degë më vete e pemës simbolike të gjuhëve botërore.
Kjo vërteton edhe njëherë se shqipja është një gjuhë unike dhe e lashtë.
BASHKIMI EUROPIAN DHE GJUHA SHQIPE JASHTE POLITIKAVE KOMUNITARE
BASHKIMI EUROPIAN NUK MUND TË JETË TËRËSISHT E PLOTËRISHT ORGANIZATË PANEUROPIANE DHE KOMUNITET VLERASH DUKE E LËNË JASHTË POLITIKAVE TË TIJ GJUHËN SHQIPE/
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Shqipja, një nga gjuhët ma të moçme të botës, deri më sot, fundmaj 2014, po mbetet e vetmja nga Trungu i Gjuhëve Indo-Europiane, (pa CIS), që nuk është gjuhë zyrtare e Bashkimit Europian.
Ky status i munguar nuk iu mundësua Shqipes as në zgjerimet e mëdha të BE në vitet 1995, 2004, 2007, dhe as në afatet me pritje-përcjellje të gjata e të thata të Shqipërisë Londineze në kit’ dekaden e dytë të shek. XXI.
Ndryshe ngjet me organizatën tjetër politiko-ushtarake euroatlantike, NATO-n, e cila ndonëse ka dy gjuhë zyrtare si Anglishten e Frengjishten por në 65 vite të saj i ka të përfaqësuara në gjirin e vet të gjitha gjuhët indo-europiane.
2.Nga Trungu i Gjuhëve Indo-Europiane tre familje kryesore të saj romane, gjermanik e sllave kanë mbi 90 për qind degëzime e shtrirje gjeografike në vendet e Bashkimit Europian si dhe i flasin mbi 90 për qind e popullsisë së saj.
Nga familja e gjuhëve romane (anglisht, frengjisht, italisht, spanjisht, portugalisht, rumanisht) në BE kanë hyrë Mbretëria e Bashkuar (1951), Franca (1951), Belgjika (1951), Luksemburgu (1951), Italia (1951), Republika e Irlandës (1973), Spanja (1986), Portugalia (1986), Malta (2004), Rumania (2007).
Nga familja e gjuhëve gjermanike (gjermanisht, hollandisht, danisht, suedisht) në BE kanë hyrë Gjermania Perëndimore (1951) e, Gjermania Lindore, përndryshe si Republika Federale e Gjermanisë (1990), Belgjika (1951), Luksemburgu (1951), Hollanda (1951), Belgjika (1951), Austria (1995), Danimarka (1973), Austria (1995), Suedia (1995), Finlanda (1995).
Nga familja e gjuhëve sllave ( sllovenisht, polonisht, çekisht, bullgarisht, sllovakisht, kroatisht) në BE kanë hyrë Republika Çeke (2004), Sllovenia (2004), Polonia (2004), Bullgaria (2007), Sllovakia (2004), Bullgaria (2007), Kroacia (2013).
Nga Trungu i Gjuhëve Indo-Europiane kanë hyrë edhe familja e gjuhëve balltike (letonishtja, lituanishtja) si dhe familja e gjuhëve kelte (irlanishtja) si: Lituania (2004) e Lituania (2004), Republika e Irlandës (e antarësuar më 1973 dhe irlandishtja si gjuhë zyrtare më 2007), Mbretëria e Bashkuar ( Irlanda e Veriut, Skocia e Uellsi), ku gjuhët skoceze e uellsiane kanë status të veçantë në BE. Si degë më vete është edhe Greqishtja, gjuhë zyrtare në Greqi (1981) dhe në Qipro (2004) e cila ka gjuhë zyrtare edhe Turqishten.
3.Bashkimi Europian edhe në koft se e shef Shqipen si kriter politik të “vetin” duhet të marrin në konsideratë me përparësi edhe anën tjetër të medaljes, pasi Shqipja është pjesë e identitetit e komunitetit të vlerave të tij.
Së pari: Gjuha Shqipe, e prejardhur nga ajo pellazgo-ilire, është nga gjuhët më të vjetra të Europës, biles para shumë gjuhëve zyrtare të Bashkimit Europian, që hodhën rrenjë e lëshuan degë dhe morën hapësira gjeo-politike europiane pas lindjes së Krishtit, si disa nga gjuhët sllave, uralike e altaike, etj.
Së dyti: Shqipja zenë vendin e 79-të në botë, ndër 300 gjuhët e sotme që fliten nga mbi 1 milionë banorë. Në këtë tregues vetëm 12 gjuhë zyrtare të Bashkimit Europian janë para saj, si ajo Angleze, Frenge, Spanjolle, Gjermane, Italiane, Polake, Rumune, Hollandeze, Greke, Hungareze, Çeke e Suedeze.
Së treti: Gjuha Shqipe është gjuhë zyrtare e vetme në Republikën e Shqipërisë, gjuhë zyrtare ( e para për nga popullsia) në Republikën e Kosovës, gjuhë zyrtare e dytë në Republikën e Maqedonisë. Nisur nga ky tregues shtrirje të saj në disa shtete, Gjuha Shqipe, po të krahasohet me gjuhët zyrtare në BE, zenë vend pas gjermanishtes, anglishtes, frengjishtes.
Së katërti: Trungu i Gjuhëve Indo-Europiane, (bashkë me familjen Indo-Iraniane, etj. dhe degë të veçanta si Armenishtja, Anatolianishtja – Hittët, etj.) ka 449 gjuhë, ku Gjuha Shqipe renditet e 46-ta, çka do të thotë se për nga shtrirja territoriale e numri i shqipfolësve të saj, merr një rëndësi të vecantë.
Së pesti: Italia, si vend antar themelues i BE-së, këto kohët e fundit, e ka njohur Arbërishten e ngulimeve shqiptare në disa zona të saj, si një nga gjuhët e minoriteteve në listen e Bashkimit Europian. Greqia, si vend antar i BE-së dhe fqinjë i Shqipërisë, pamvarësisht se BE i ka apeluar disa herë, nuk po e ndjek shembullin e Italisë, që ta rendisë Arvanishten në listen e gjuhëve të minoriteteve të Bashkimit Europian, pamvarësisht faktit se Krahina e Çamërisë Shqiptare ka Shqipen gjuhë të tokës e të tamblit të vet amtar. Shembulli i Italisë duhet ndjekur me antarësimin e Shqipërisë në BE në kit’ qershor 2014.
Së gjashti: Shqipja po bahet gjuhë panballkanike, pasi me nënshkrimin e Kartës Europiane për Gjuhët e Regjioneve e Minoriteteve, po përdoret edhe në treva etnike shqiptare. Republika e Serbisë (15 shkurt 2006) e njeh Shqipen në Luginën e Preshevës (në tre komunat shqiptare si Preshevë, Bujanov e Medvegjë), etj.; Republika e Malit të Zi (15 shkurt 2006) njeh Shqipen në disa komuna si në Ulqin, etj.; Rumania (24 tetor 2007) e njeh Shqipen si gjuhë në përdorim për diasporen shqiptare në këtë vend.
Tashti ka ardhë koha që Shqipja të jetë edhe një gjuhë paneuropiane, një gjuhë zyrtare e Bashkimit Europian.
4.Në Bashkimin Europian, ka disa shtete antare të tij që nuk i kanë gjuhët zyrtare nga Trungu i Gjuhëve Indo-Europiane, si Hungaria në Europën Qëndrore, Finlanda në ishullin Skandinav e Estonia në hapësirat Balltike, pasi këto të tria hyjnë në gjuhët Fino-Ugrike, ashtu sikurse shteti ishullor i Maltës në Mesdhe, me gjuhën malteze, hynë në gjuhët semetike.
Pas këtyre shembujve mund të pyesim: ende do të mbetet jashtë Bashkimit Europian Gjuha Shqipe, rrënjase e Europës kontinentale e ishullore?!
Disa shtete europiane përsa iu përket gjuhëve të regjioneve e minoriteteve të tyre kanë më përparësi në Bashkimin Europian si gjuha Armene në 4 shtete si Bullgari, Qipro, Hungari e Poloni; gjuha Serbe në Austri, Hungari, Gjermani, Rumani e Slloveni; gjuha Kroate në Austri, Republikën Çeke, Hungari, Itali, Sllovaki e Slloveni; gjuha Boshnjake në Austri, Gjermani e Slloveni; etj.
Kur e trajtojmë ballas, hapur e ngultas çështjen e Gjuhës Shqipe në listën e gjuhëve zyrtare apo edhe të regjioneve e minoriteteve të Bashkimit Europian, kam parasysh se nuk po flas për ngulimet ilire në kohën e Aleksandit të Madh, në pllajën e Hundëzës në 2300-2700 m. lartësi mbidetare në Nuristanin e Pakistanit me mbi 50 mijë banorë, aty ku takohen Afganistani, Pakistani, Kina e Taxhikistani, të cilët ende flasin dialektin e tyre Burrushesku (Gjuha e Burrave), me rrënjë e gjurmë të Shqipes.
Gjithësesi e realisht kam parasysh faktin se po flasim për një vend europian si Shqipëria, për një gjuhë të veçantë në Europë e me peshë territoriale e popullsie në Ballkan, që ka fqinjë tokësorë Greqinë e fqinjë detar Italinë antare të Bashkimit Europian, që meriton vëmendje e përparësi, duke e antarësuar vendin tim, Shqipërinë, në BE sa më shpejt të jetë e mundur.
Çështja shtrohet thjeshtë: Shqipja e Shqiptarëve në Ballkan kur do të zerë vendin e merituar në gjuhët zyrtare të Bashkimit Europian, që materialet dokumentare të BE-së të kenë fatin historik të përkthehen edhe në Gjuhën Shqipe, që Shqipëria të jetë antare e BE-së.
5.Ndërsa ngre çështjen e përdorimit zyrtar të Shqipes në BE kam parasysh edhe faktin tjetër, se Bullgaria ballkanike një vend i porsa pranuar asokohe në BE (2007) e ngriti problem edhe në përdorimin e një germe (shqiptimin e saj) të fjalës “Euro” për t’u shqiptuar sipas gjuhës bullgare “Evro” në të gjitha përkthimet, në të gjitha gjuhët zyrtare të BE-së. Bullgaria arriti deri aty e atje sat ë kërcenoj edhe me Veton e saj. Ndaj u gjet një kompromis: në dokumentet zyrtare të BE-së, të përkthyera në gjuhën bullgare, të mos shkruhet fjala e plotë “Euro” as në variantin roman e as në variantin bullgar “Evro”, por thjeshtë vetëm kodi i saj bankar ndërkombëtar “Eur”, çka, kjo, i mundësoi edhe Malit të Zi të nënshkruante MSA me BE më 15 tetor 2008, etj.
Kur diplomacia e politika e BE ndërhyn e zgjidhë problematika edhe për një gërmë alfabeti gjuhësor, atëherë a mund të bëjnë më shumë e më shpejt edhe për t’i dhënë Gjuhës Shqipe vendin e merituar e të munguar në BE, duke e pranuar Republikën e Shqipërisë, me proçedura të përshpejtuara, jo vetëm si vend kandidat, por edhe antar të tij?!
Prandaj, jo vetëm statusi i pritshëm si vend kandidat në BE në qershor 2014 , por edhe antarësimi sa më i shpejtë i Shqipërisë në BE, nuk është as privilegj dhe as sakrificë, por detyrë e paplotësuar e kohës nisur nga realiteti historik, sepse realiteti i ri gjeo-strategjik, politik e kulturor i Europës e Botës e kërkon edhe Shqipen në Bashkimin Europian. Edhe Bashkimi Europian është organizatë politike, ekonomike e tregtare dhe komunitet vlerash, por e ka lënë jashtë politikave të tij Gjuhën Shqipe, ndonëse e ka të Trungut të vet Indo-Europian, të hapësires gjeo-politike kontinetale të tij.
Tiranë, 25 maj 2014
Gjuha shqipe dhe gjuhët sllave te Prof.Anila Omari
Nga Fahri Xharra/
Ne Foto:Prof.Anila Omari/
Se ç`po ndodh me ne, në shtjellimet dhe pështjellimet e historisë sonë, të gjithë po jemi të vetëdijshëm. Një “luftë” e panevojshme ndër veti. Energji të humbura, komprometime, tëhuajësime të vetvetes dhe zhbërje të asaj të cilën e kishin bërë të parët tanë dhe vazhduesit e tyre me breza të tërë deri më sot. Por, një tentim tjetër shumë i rrezikshëm që ka filluar të paraqitet nga të tanët; humbja e origjinës së gjuhës sonë. Medet!
Është një fatbardhësi e madhe që turqit me turqishten e tyre nuk po lypin të na paraqesin gjuhën tonë si vijimësi të së folmes turke, duke u nisur nga barbarizmat gjuhësorë që i kemi trashëguar me shekuj nga prania turke në anët tona. Nuk është për t’u habitur që një ditë ndonjë “mendës” (intelektual yni) të na dalë edhe me këso lloj teorie. E këtë duhet pritur. Një herë për një herë jemi në dëgjimin e asaj, e cila nuk është gjë tjetër vetëm se një “të vërtetuar” nga ana jonë se gjuha shqipe na qenka me prejardhje serbe, apo motër e saj, apo motër e dreqit të mallkuar.
“Kam shkruar me fakte dhe dokumente e argumente e kam vërtetuar që shqiptarët nuk janë autoktonë as në Shqipëri, e aq më pak në Kosovë dhe viset tjera që e rrethojnë Shqipërinë. E kam thënë që shqiptarët kanë zbritur nga malet e tyre në tokat e vendeve, si janë Greqia, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi” (Prof. dr. Kaplan Buroviq, akademik). Një gërryerje makabre i një shqiptari – Kaplan Burri apo Kaplan Resuli. Vazhdojmë: “Shkodra me shekuj ishte qytet serb, e kohë pas kohe edhe kryeqendra e disa sunduesve serb. E ngritur në brigjet e Liqenit, iu bashkua më 1913 shtetit të sajuar, Shqipërisë. Edhe cari i Bizantit, Irakliu, në veprën e tij “De Administrando Imperio” shkruan se si ua pati dhënë serbëve Shkodrën në shek. VII (?) Dhe, serbët pastaj e formuan shtetin e Duklës. (?)“Shkodra ishte qendër e rëndësishme e shtetit mesjetar serb (kurrë s’ka pas shtet mesjetar serb, f.xh.). Dhe një nga sunduesit serb, të cilët e kishin Shkodrën për kryeqytet ishte edhe Jovan Vladimire i kanonizuar si shenjtori i parë yni (serb, f.xh.)”. “Në luftërat ballkanike 1912-1913 (luftërat për pushtimin e tokave shqiptare f.xh.) Serbia dhe Mali i Zi u munduan që edhe Shkodrën t’ia bashkëngjitin shteteve të tyre”. Këtu qëndronte edhe arsyeja, sepse një pjesë e madhe e popullit të saj flitnin serbisht. Ajo popullsi falë rrethanave të reja janë tretur ndër shqiptar. Kënga e njohur popullore serbe “Zidanje Skadra na Bojani” (Ndërtimi i Shkodrës mbi Bunë) që këndohet për të tre vëllezërit që e murosën gruan gji-dhënëse në mënyrë që qyteti të mos rrëzohet natën. Kurse shqiptarët thonë që ajo ishte e Rozafës dhe se ishte ilire!” (Burime serbe).
“Kombi është themeli i godinës së shtetit, sa më i fortë të jetë themeli, aq më shumë qëndron godina”. (Sami Frashëri). Një pyetje kurtuazie: “Jemi në valët e frekuencave të Sami Frashërit?
Në tollovinë intelektuale të shqiptarëve u bashkëngjitet edhe zonja Anila Omari, duke na mbushur mendjen neve, e duke e vërtetuar atë që e thonë serbët “Shqipja dhe serbishtja, gjuhë në fqinjësi”. Pasi i paska marrë në analizë mbi 200 tituj e studime, e krijon vepër model të kontakteve historike të shqipes me gjuhët fqinjë, “Marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-serbe”.
“Francezet vetë e pranojnë që varietetet e verës Vitis Vinifera Biturica janë me prejardhje nga trojet Shqiptare dhe atë nga Butrinti… e këto janë varietetet e familjes Cabernet dhe Merllot. (R. Kryeziu)”. Pra, që nga koha e ilirëve, në shek. I , galët e atëhershëm e morën trungun e hardhisë nga ne. E mira është se sot francezët nuk e shtrembërojnë faktin e gjallë, ose të them ndryshe, më shumë e kanë për krenari që rrushi i tyre ka prejardhje ilire. Çka është për t’u përmendur që galët nuk ekzistojnë më, ata janë romanizuar tërësisht, gjuha e tyre ka humbur dhe quhen frëng, francezë. Kurse ne, si hardhia ilire jetojmë dhe marrim frymë shqip. Shumë për çudi se gjuhëtarët sot na dalin me teoritë e tyre marramendëse duke e shfrytëzuar emrin e tyre si Registered Trade Mark. Por, kot e kanë, puna e tyre nuk mbrohet me të drejtën e pronës intelektuale, sepse është kopje e punës së gjatë serbe dhe quhet plagjiaturë. Të mjerët ne, “i vjedhim” të tjerët për ta humbur veten! Ndoshta Anila Omari bazohet në këtë: “Mund të merret edhe si e vërtetë që albanizimi i sllavëve në shqiptarë ka filluar që nga kohët e vjetra serbe, dhe u shtua me ardhjen e turqve, sepse shqiptarët si barinj që ishin mundnin më shumë t’i bënin ballë goditjes turke se sa bujqit e urtë sllavë. Impulsit të albanizimit të serbëve iu dha një hapësirë më e madhe me rastin e islamizimit të tyre (të shqiptarëve f.xh.) (Mitar Peshikan Svjedocanstva starih popisa).
Autorja (Anila Omari) nuk mungon ta përditësojë fillimisht lexuesin me vështirësitë e hulumtimit në fazën e parë të këtyre kontakteve, sidomos në periudhën midis shek. VI/VII – XI, duke iu bashkuar gjithsesi mendimit mbizotërues në albanologji, që marrëdhëniet shqiptaro-sllavojugore, e më pas-serbe/malazeze erdhën e u intensifikuan dukshëm me ngjizjen dhe formësimin e shkallëshkallshëm të etnogjenezës serbe (e malazeze) në mijëvjeçarin e dytë të erës sonë, bashkë me shtrirjen e perandorisë serbe të Nemanjidëve në Shqipërinë e Veriut e në Kosovë në shek. XII, përkatësisht shek. XIII, duke arritur një pikë kulmore gjatë sundimit të Stefan Dushanit në shek. XIV. Periudha e mëvonshme, sidomos ajo e shek. XIV-XV, shënon një fazë të re në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve, pasi nuk kushtëzohet më në binomin pushtues-vendas, por përftohet në kushtet e marrëdhënieve të ndërsjella të fqinjësisë ndëretnike. Këto marrëdhënie pa dyshim janë të pranishme sot e gjithë ditën në zonat kufitare të hapësirës kompakte shqipfolëse. Prof. Bardhyl Demiraj. Sipas zonjës së gjuhës shqipe, ajo ka arritur në një përfundimin: “Gjuha shqipe dhe gjuha serbe janë gjuhë të familjes indoevropiane dhe në këtë rrafsh mund të kenë pika të përbashkëta të trashëguara nga paraardhëset e tyre”. Mos, or milet! Mos, ore të shkallmuar! Mos!
Dihet që lidhjet gjuhësore ekzistojnë kudo ndërmjet popujve, por autorja e thotë krejt ndryshe, ku, sipas saj, jo vetëm që serbët e shqiptarët kanë lidhje gjuhësore por ata e kanë, sipas saj, edhe të njëjtin paraardhës, që këtu po e sjellim edhe një herë, “Gjuha shqipe dhe gjuha serbe janë gjuhë të familjes indoevropiane dhe në këtë rrafsh mund të kenë pika të përbashkëta të trashëguara nga paraardhëset e tyre”. Kjo është diçka tjetër, tepër irrituese, sikur të na thoshte autorja se shqipja dhe serbishtja kanë huazuar nga njëra-tjetra fjalë që nga ardhja e tyre në Ballkan, po do e kishim kuptuar autoren, mirëpo kurrsesi nuk duhej të thuhej se shqiptarët dhe serbët kishin paraardhëset (këtu ajo e ndërlikon edhe më shumë qëllimisht apo jo me “ardhsi/ ardhësit apo ardhësi? Se paraardhës paskemi ne shumë tjerë apo një, e përbashkët, nuk arrij ta kuptoj se mbi çfarë bazash e argumente shkencore mbështetet autorja Anila Omeri në studimin e saj?
Po: “Ligjet fonetike dhe kronologjia e tyre na japin dorë t’u vëmë gisht toponimeve të lashta, vendbanimeve tona, oronimeve, emrave të maleve, qyteteve të moçme: Shkupi, Shari, Shtipi, Shkodër, Mat-i, Dri-ni, Lesh-Lezhë, Ishmmi, Buenë, Bunë, Durrës, Qafa e Prushit (Scupi, Scardus mons, Astibos, (us) Mathis, Drinus, Lissus, Issamus, Perustae, Pirustae). Është konstatuar se shumica e këtyre toponimeve të sapopërmendura janë ilire e zhvillimi i formave të sotme të tyre nga ato të moçmet ka qenë i mundshëm vetëm me ndërmjetësim të fonetikës historike të shqipes; gjuhët sllave, me të drejtë, janë përjashtuar, sepse në kohën e kryerjes së këtij procesi gjuhësor, bartësit sllavofolës të tyre, në ato kohë, po gjëllinin përtej maleve Karpate. (Idriz Ajeti: “Formimi i popullit shqiptar dhe i gjuhës së tij”). Zonja Omari jemi dakord me zotin Ajeti? Turpi kombëtar nuk ka se si ndryshe të shfaqet!
Duke vazhduar hulumtimet që i përkasin kësaj teorijeje (: “Gjuha shqipe dhe gjuha serbe janë gjuhë të familjes indoevropiane dhe në këtë rrafsh mund të kenë pika të përbashkëta të trashëguara nga paraardhëset e tyre” Anila Omari) , me dalin shumë përkrahës . Por të jemi të sigurtë që ata janë nga rradhet sllave, dhe nga rradhët e shqiptarëve që synojnë një shterrim të kombit, një shuarje të prejardhjes (origjinës) sonë dhe krijimin e një krijese artifiaciale me përmasa të të mëdhe të shurjës së saj (shqiptarëve fxh)
Kur erdhën sllavët në Ballkan? na gjetën neve këtu , apo ne pas disa shekujsh pasi ”që erdhëm si të pa strehë i gjetëm” ata ?
Tentime nga më të ndryshmet shekullore ose dy-tri shekullore për mohimin e çdo gjëje shqiptare , për habinë tonë vazhdojnë edhe sot. Kur do të ndalën? Mendoj se kurrë , pasiqë edhe nga vetë gjiu i ynë vazhdimisht po dalin mohsat e gjuhës, historisë dhe fytyrave tona kombëtare. Që të kemi një pasqyrë edhe më të qartë se si mohohet gjuha shqipe në qarqet akademike të huaja deshta të ju njoh edhe me një libër (prej shumë librave) të autorit sllovak Jan Kollar : ”Sláva bohyně a původ jména Slavův čili Slavjanův 1839 ) ”Lavdi Perendisë për emrin dhe gjuhën Sllave ”(1839)
Nga vetë titulli shihet se si dhe me çfarë krenari e flitet për gjuhën sllave.Nuk do të më kishte penguar aspak si libër sikur mos të kishte folë në gjuhën e sotme te Anila Omarit dhe të anilanave tjerë. Si popull të ardhur vonë në trojet ku janë ata janë munduar në mënyra të ndryshme që të paraqesin ”autoktoninë” e tyre.Për qëllimet e tyre shpërlarëse , sllavët janë munduar në çdo formë të neutralizojnë elementin shqiptar ; se me zhvlerësimin e çdo gjëje shqiptare i forcojnë pozitat e tyre prej hajni në Europë.
Është për t´ardhur keq se si munden ”kokat e ndritura” shqiptare të këndojnë në të njejtin grup koral , apo në të njejtën orkestër të marrin edhe rolin e violinës së parë.
Dihet që lidhjet gjuhësore ekzistojnë kudo ndërmjet popujve, por autorja (Anila Omari) e thotë krejt ndryshe, ku, sipas saj, jo vetëm që serbët e shqiptarët kanë lidhje gjuhësore por ata e kanë, sipas saj, edhe të njëjtin paraardhës, kurse Jan Kollar që më 1839 e thot që ja fjelët sllave në gjuhën e shqiptarëve : Arra=orech (arra)
At=ot otec (ati),Bagatia=bogatstwj (pasuria),Balta=blato ,Berber=barbjr ( fjalë jo shqipe) ,Borika=borowice, Briska=britva,Cuba=dëwa ,Секаn=cekan /kyg ,Ciap=cap, kozel ,Dera=dwére ,Derres=drzeti ,Drapar=neb, sradar, srp ;Dru=drwo ,Durog=darugi
Durim=dar Dzier=deru, drátí Eviiatikit=wlhky, wilgotny, pois Fangil thengjill=ugel uhel,Fliakà=Ык, blcenj, plamen Gati=gotow Gliep= slep lippitudo Gropa=grob, Gropos=brobjm polàbiti Grusht=grst, hrst,hubjm :Cheth=hodjm Ishprazin=prázen Fàngilthengjill=ugel uhel
Fliakà=Ык blcenj, plamen Gati= gotow Gliep=sr slep lippitudo Gropa=grob, hrob
Gropog=brobjm, polàbiti Grusht=grst, hrstCheth=hodjm I shpràzt=prázen
Liagin=láhwice, Liuga=lyzica Liupata=lopata Mace=raacka, kocka Miegula=magla, mhla ,Mrezià=mreza sak sjt, Mut=mut, kal, legno, [smutna voda] Nata, Nat=noc Nemec=nëmy
Nese e bëjmë një vështrim të thjeshtë të fjalëve ” sllave ” në gjuhën shqipe , shofim se ato janë fjalë të vjetra pellazgjike -ilire-shqipe se pse janë një rrokëshe (monosylabike), psh.
at, flak´, der`, çub´ e shumë tjera.Por le të mbetet në ndërgjegjën e gjuhëtarëve dhe tëna spjegojnë si duhet këtë ”huazim ”të shqipes nga sllavishtja
Përndryshe , për ata që duan më shumë le të referohen në: Sláwa bohyně a půwod gména Slawůw čili Slawjanůw: w listech k P. J. Šafařikowi By Ján Kollár(books.google.com)
- « Previous Page
- 1
- …
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- Next Page »