-Axhenda e manifestimeve e aprovuar nga Këshilli Organizativ për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 12 Shkurt 2016/ Kosova ka nis festimet e 17 Shkurtit, ditës historike kur në vitin 2008 në Kuvendin e saj shpalli Pavarësinë. Qeveria e Kosovës në mbledhjen në prag të muajit shkurt të festimeve ka themeluar Këshillin Organizativ për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Këshilli Organizativ për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka aprovuar axhendën e manifestimeve dhe e ka bërë të ditur sot për Gazeten Dielli.
Në Prishtinë, në datë 17 shkurt 2016 në ora 10.00, sipas vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës do të bëhet parakalimi i kuadrateve të FSK-së dhe njësive të Policisë së Kosovës. Parakalimi përcillet edhe me aktivitete të tjera akrobatike të kadetëve në shesh si dhe nga bendi muzikor i FSK-së.
Tradicionalisht, në çdo 17 Shkurt ka edhe koncerte dhe njerëzi në festë mbushin sheshet dhe rrugët me defilime për Lirinë dhe Pavarësinë, për të shprehur edhe falënderimin e mirënjohjen e përjetëshme për të gjithë kontribuesit në botë.
Këshilli Organizativ për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, i themeluar
me vendim Nr. 09/72, ka aprovuar këtë:
AXHENDË
*të manifestimeve për shënimin e 8-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së
Kosovës në muajin shkurt 2016.
*Manifestimet për shënimin e 8-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë do të përfshijnë:
Aktivitetet e organizuara nga Presidenca;
Aktivitetet e organizuara Qeveria;
Aktivitetet nëpër komunat e Kosovës, dhe
Aktivitetet e përbashkëta me institucionet nacionale.
Aktivitetet me rastin e Ditës së Pavarësisë do të organizohen edhe në të gjitha ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Këtë vit, Dita e Pavarësisë do të shënohet kryesisht me ngjarje kulturore dhe këto ngjarje do të fillojnë më 10 shkurt 2016, ndërsa finalizohen më 17 shkurt 2016. Deri më tani, në kuadër të muajit të Pavarësisë, janë mbajtur aktivitete që në kuadër të tyre kanë pasur fokus shënimin e 8 vjetorit të pavarësisë. Aktivitetet e mbajtura deri më tani përfshijnë:
Konferenca Ndërkombëtare Gërmia Hill [mbajtur më 2-3 shkurt 2016]
Inaugurimi i Klubit të Prodhuesve të Kosovës [mbajtur më 4 shkurt 2016]
Aktivitetet në vijim pritet të jenë:
Do të bëhen homazhe dhe do të organizohen pritjet për korin diplomatik, si dhe
përfaqësuesit e institucioneve qendrore, të atyre shkencore, kulturore, ekonomike,
sportive etj.
Gjatë muajit shkurt, në qytete të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë:
Qendra Kinematografike e Kosovës shfaq filmin e metrazhit të gjatë “Engjujt janë larg”
me regji të Gjergj Xhuvanit (bashkëpunim i Kosovës me Shqipërinë).
Aktivitetet sipas ditëve:
Më 10 Shkurt
Galeria Kombëtare e Kosovës: Hapja e ekspozitës personale të artistit Ymer Shaqiri.
Më 15-17 shkurt 2016
Në të gjitha ambasadat e Republikës së Kosovës, organizohen pritje për korin diplomatik, zyrtarë shtetesh, si dhe personalitete të rëndësishme të shteteve përkatëse.
Më 15 shkurt 2016
Më 15 shkurt në ora 10:00, ceremonia e dhënies së çmimeve letrare (Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit).
Më 15 shkurt në ora 11:00, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Amerikane të Kosovës dhe Odën Gjermano- Kosovare, organizon panairin e punës (Salla e Kuqe).
Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, më 15 shkurt, në ora 20:00, jepet shfaqja mysafire, “Zemra e Huaj” nga Teatri i Sarajevës. Regjia, Dino Mustafiq.
Federata e Futbollit të Kosovës, më 15 shkurt, duke filluar nga ora 17:00, organizon turneun tradicional në Futsal, me rastin e shënimit të Pavarësisë, i cili do të mbahet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, në Prishtinë.
Më 16 shkurt 2016
Ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat do t’i kushtohet Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Në orën 19:00, në Hotel Emerald, Presidentja dhe Kryeministri i Kosovës organizojnë pritje për korin diplomatik dhe përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe mbahet koncert festiv i Filarmonisë së Kosovës.
Në ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, do të paraqitet Ansambli i Këngëve dhe Valleve TOBI nga Tirana.
Më 17 shkurt 2016
Më datë 17 shkurt 2016 në ora 10.00, sipas Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të bëhet parakalimi i kuadrateve të FSK-së dhe njësive të Policisë së Kosovës (parakalimi përcillet edhe me aktivitete të tjera akrobatike të kadetëve në shesh si dhe të përcillet nga bendi muzikor i FSK-së).
Në orën 11:00 bëhen homazhe para varrit të Presidentit Ibrahim Rugova. Në orën 12:00 bëhen homazhe para varrezave të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në Prekaz.
Në orën 12:00, Ansambli SHOTA do të defilojë në sheshet “Zahir Pajaziti”, “Nënë Tereza” dhe “Ibrahim Rugova”.
Baleti Kombëtar i Kosovës në Teatrin Kombëtar shfaq: Baletin “Dasma” me regji e koreografi të Mehmet Ballkan, ora 20:00.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, në ora 10:00, Ekspozitë e Librit “Kosova në Udhën e Pavarësisë”
Më 19 shkurt 2016
Më 19 shkurt, në ora 13:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Saj Zonja Atifete Jahjaga do të dekorojë me medalje personalitete të shquara.
Vërejtje: Protokolli i Shtetit është në dispozicion për të mbështetur të gjitha aktivitetet
dhe ceremonitë shtetërore.
Të gjitha komunat:
Në orën 09:00 bëhen homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe tek shtatoret e heronjve të Kosovës;
Autoritetet komunale mund të bëjnë vizita në familjet e dëshmorëve;
Komunat ndërmarrin aktivitete për dekorimin e rrugëve, parqeve dhe shesheve për datat 15-17 shkurt 2016 me flamuj dhe brenda mundësive të tyre edhe dekorimin e shesheve dhe rrugëve me logo të 8 vjetorit të Pavarësisë;
Më 17 shkurt 2016, në ora 10:00, kuvendet komunale të mbajnë mbledhje solemne me mysafirë të ftuar;
Nga 11 shkurti deri më 17 shkurt, shkollat mund të organizojnë ekspozita me punimet e nxënësve lidhur me përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës;
Komunat mund të ndajnë mirënjohje dhe dekorata për personalitete të vlerësuara komunale në shenjë të 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës;
Manifestime të ndryshme sportive dhe kulturore në varësi të mundësive të komunave.
Më datë 17 shkurt 2016, delegacionet e larta të institucioneve të Republikës së Kosovës: Presidenca, Kuvendi i Kosovës, Kabineti Qeveritar, do të bëjnë homazhe tek varrezat dhe përmendoret e dëshmorëve.
FSK do të angazhojë pjesëtarët e saj tek varrezat dhe komplekset e dëshmorëve.
*Axhenda mund të jetë subjekt i ndryshimeve.