NGA ATENA BISHKA/ Pas ditësh të prushta e netësh zagushie ngopur në pudrën e përskuqur, me të cilën Çeliku i Partisë na i gostiste mushkëritë prej vitesh, një rrebesh i beftë nate kish fashitur përkohësisht zjarrminë duke e lënë agimin të mbërrinte në paqe të freskët e të qelibartë. Me rrugë frymëmarrjeje të acaruara e të enjtura alergjie prej ditësh, kisha gjetur më në fund qetësi falë puhizës së bruztë të atij mëngjesi veror. Papritur më bëhet se dëgjoj dikë të ngjisë shkallët që të sjellin në verandë. Është im atë. Kur u gjendëm përballë njeri-tjetrit, s’di se cili prej nesh u çudit më fort, ngase si tim eti, edhe mua, të dyve njësoj s’para na këndej zgjimi herët. Im atë më ftoi me zë të ulët t’i shkoja pas, sepse kishte diçka për të më dhënë, që me siguri mua dhe sime motre do të na pëlqente. Aq u desh që fantazia të më kurdisej. A ka vallë lumturi më të madhe se të vrasësh mendjen të gjesh se ç’mrekulli do të jetë ai send misterioz që e paskan bërë ndër mend të ta dhurojnë që në pikë të mëngjesit? Tani, sado i çmuar të jetë e cilido qoftë ai, natyrisht, zor të barabitet me pritshmëritë fluturake pa anë e cak të fëmijës brenda teje. Mirëpo s’kisha nga ta dija se ajo dhuratë e paparashikuar, do t’ia kalonte me gjithë mend çdo fantazie, madje edhe atyre më të pamundurave, që ishin degdisur prej kohësh në kushedi ç’kthinëz zemre që s’guxoja ta vizitoja më. Im atë, me sa duket e kish gjetur shtegun që të shpinte pikërisht atje dhe fantomën e fantazisë e kishte jetësuar dhe e kish shndërruar në nje send që rrinte përpara meje e gati sa s’më thoshte “hë, merrmë, pra, në duar!” Ishte një radio-kasetofon! Edhe sot nuk e di se si mundi Drini (kështu quhej) ta gjente rrugën për në shtëpinë tonë. S’kishte rëndësi për mua marka, cilësia dhe ku ish prodhuar ajo pajisje, mjaft të ishte kasetofon. Për më tepër kishte edhe radio me valë AM dhe FM. Mund të regjistroja, pra, prej programeve radiofonike si të ma kishte ënda. Asaj vere, falë Drinit që s’e shqisja krahut si të ish ndonjë bebe me të cilën s’pushoja së vërtituri me orë të tëra nëpër shtëpi, në kërkim stoik të pozicionit më të mirë që të mund të më ndërlidhte me stacione të përtejme, zbulova për fat muzikën dhe poezinë e Leonard Cohen, të cilat i përjetoja dhe ende i përjetoj si të ishin kod a porosi që s’duhet lënë të të shpëtojë, përcjellë si pëshpërimë sekrete sendërtuar enkas për veshin tim brenda një dhomëze të shenjtë rrëfimtare. Drini ynë modest që shpesh më shndërronte në statujë të dylltë me ta gjetur pozicionin që diktonte antena, arrinte ta sendërtonte këtë përvojë si të ishte komunikim i kulluar dykahësh. Çka më përcillte Cohen futej në ato gjëra që me të rënë në pus të zemrës s’dalin më që andej. S’mund ta dija atëhere se shumë mote më vonë, vendi i tij Kanadaja (që e njihja veç përmes një shënimi dy-paragrafësh në Le Petit Larousse të 1970-ës, që e kishim në shtëpi), do të ishte edhe i imi. S’mund ta dija ende se Montreal-in dhe peizazhet e St. Lawrence-it do t’i shëtisja si ai dikur me Susanne-ën e këngës, se madje do të ndodhesha disa metra larg tij në sallë të koncertit, dhuratë prej time bije. Dua shumëçka që ka krijuar Leonard Cohen. I dashur për mua është veçanërisht albumi i fundit “You want it darker” (2016). Sot kam ngecur te “Steer your way”. Shqipërimi im është më poshtë.
SHTEGUT PRIJ – Leonard Cohen (2016)
Shtegut prij ndër rrënoja
të Altarit dhe Pazarit
Shtegut prij ndër rrëfenja
të Krijimit dhe Rrëzimit
Shtegut prij tej Binave
që lartohen përmbi lëtyrë
Mot pas moti
Muaj pas muaji
Ditë pas dite
Mendim pas mendimi
Zemrës priji tej së Vërtetës
që gjer dje e pandehje
Për Mirësinë e Llagartë
dhe Urtësinë Udhërrëfenjëse
Zemrës priji, zëm’r shtrenjtës
përtetj grave që ke blerë
Mot pas moti
Muaj pas muaj
Ditë pas dite
Mendim pas mendimi
Shtegut prij përmes sëmbimit
që edhe më i vërtetë se ç’je ti vetë është
Që Gjedhen Kozmike ta ka troshitur
që çdo fushëpamje verbuar ta ka
Dhe, të përgjërohem, mos më nguc atje të vete
në pastë Zot atje, a jo
Mot pas moti
Muaj pas muaji
Ditë pas dite
Mendim pas mendimi
Ata ende mërmërisin, të shenjtët shkëmbinj
e malet të shtangur në vaj shkrehur
Ashtu si ai që shpirtin dha, për ta bërë njeriun hyjnor
edhe ne shpirtin të japim, që çerturinat çmimlira t’i bëjmë
Dhe thuaje ti Mea Culpa-n
që mendsh kushedi do të ketë shpëtuar
Mot pas moti
Muaj pas muaji
Mendim pas mendimi
Shtegut prij, O zemër-o
ndonëse të drejtën t’ia kërkoj asfare s’e kam
Kujt për zot detyrës
askurrë s’i doli
Kujt e di se dënimin tashmë e ka marrë
kujt e di se plumbi ka për ta zënë
Mot pas moti
Muaj pas muaji
Ditë pas dite
Mendim pas mendimi
[Shqip © Atena Bishka]