• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Letër Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës

June 20, 2016 by dgreca

Nga Hysen Haxhija/*

Isha në 38 vjetorin e ekzekutimit tuaj më 17 korrik 1977 në luginën e maleve të Librazhdit. Atje duke iu kujtuar lotët më rridhnin papushim, sot po plotësoj kohën që kaluam mbas pushkatimit tuaj. Përse?! Për ëndrrat e talentin tuaj, të cilat pa sharë dhe ofenduar asnjë qënie të gjallë, i hodhët në fletore. Për këtë ua morën jetën, ata që bashkë më Miladinin dhe Dushanin i stërviti kominterni i utopistëve francezë, ata që vrisnin qenie njerëzore vetëm se mendonin ndryshe nga ata, vrisnin ata që e donin Shqipërinë të lirë dhe të bashkuar. Vilson vëlla, unë kur lexova dijet e tua të shkruara aq sinqerisht dhe me aq pasion, kur lexova ato përkthime nga kolosët e letërsië botërore në shqip, mu duk vetja i vogël, ngrita sytë nga qielli duke pyetur: pse more atë gjeni o zot dhe më le mua të gjallë të jetoj kohën e misionarve të atij sistemi që mori ato jetë dhe la maskat e pinjollëve të tyre për t’i bërë homazhe hipokrizie në emër të demokracise dhe pushtetit? Ju patët guximin të shkruanit atëherë sa i qërruat sytë atyre që iu kapën e iu bënin hetuesi, hetuesi me ndjenjat tuaja, me mendimet dhe ëndrrat që më pas do t’i vaditnin me gjak. Si i pranoi toka trupat dhe shpirtrat tuaj? Si është e mundur që në shekullin XX të kishte mbi tokë të tilla bisha me fytyrë njeriu që, për fat të keq, i thërrisnin prokurorë, gjyqtarë të drejtsisë, ku në fakt ata ishin misionarë arkivolesh të ndjenjës njerëzore, të shpirtit demokrat, të lirisë së mendimit dhe të dashurisë për jetën? Si është e mundur që njerëz të tillë të firmosin vdekjen e rinisë dhe të intelektit të kombit të tyre, të atij intelekti që duhet t’i printe shoqërisë shqiptare? Në fakt sot janë po ata, po ajo pjellë e tyre që del në podium dhe salla akademikësh duke folur për lirinë, demokracinë, shkencën, ekonominë, ku gjysma e popullit vuan për bukën e gojës. Këtë kërkuat dhe ju atëherë, miq të mire, që ky vend mos kishte të varfër, të mos kishte të lënduar, të mos kishte të shfrytëzuar. Vetëm një zot e di se si ju dhe bashkë me ju të gjithë ne, si shtresë e persekutuar, duruam ato dhimbje, duruam ato duke qenë të prangosur e të brengosur që atdheu kishte marrë drejtimin për nga humnera komuniste. Sot në jemi gjallë për të dëshmuar qëndresën tuaj ndaj torturave, ndaj personit dhe kërcënimit, për të dënuar deri në pikën e fundit të jetës ku ëndrrat do t’i vadisnin me gjak. Po jo vetëm ëndrrat. Duke iu vrarë juve u vra dhe shpirti i artistit, i shkrimtarit, i gjuhëtarit, shpirti që donte që liria të mos matej me metra katror po me qiell! Zhgënjimi dhe përplasja e duarve të tyre për Europën e bashkuar, ku për fat të keq si përfaqësues të vendit tonë janë po ata ose më saktë parimet e tyre, që në një sistem tjetër i kanë kthyer në ligje. Ligje që vijnë me ca europianë dhe që këtij populli të traumatizuar ia shesin si konsultë me komisionin e e Venecias, por që në fakt e kanë zhytur vendin në mjerim dhe krim. Të gjithë këto 25 vite janë torturë që nuk durohet, torturë demokratike që jetën nuk po na e merr me plumb si ju, por dalë ngadalë, për të qënë dëshmitarë se fara e keqe ka mbetur thellë në këtë vend. Nuk dua të bëj moralistin, por unë i kam zili ata që humbën jetën në këneta, kanale dhe miniera dhe ju që u vratë nga plumbat e bishave të komunizmit. Ju kam zili sepse ju mbaruat ëndrrën shpejt, ndërsa ne vërtet nuk po vritemi vetë po shohim sesi zgjat vrasja e një ëndrre të një populli. Kemi parë me sytë tanë se si janë shitur vajzat tona në Europë, në ato vende nga presim të marrim shembull humanizmi dhe drejtësie, kemi parë se si trupi dhe nderi i tyre vlen pak dollare. Kemi parë dhe po shohim madje më shumë se si prokurorë dhe gjyqtarë vrasin jo me plumba por me vendime, vrasin jo me urdhër por me seanca “demokratike”, ku kandari i drejtsisë është bërë më i frikshëm se arma e kallashnikovit. Kemi parë dhe po shohim sesi masakrohet një shoqëri, sesi masakrohet një gjuhë, një shpirt që në fakt ju e deshët aq shumë dhe jatë jetën. Vëllezër, ju nuk e dini ose e shihni dhe nuk na vini dot në ndihmë. Sa shumë na kanë lodhur dhe plakur duke na mashtruar, përçarë, madje këtë të fundit më mirë se paraardhësit e tyre. Na kanë bërë  të shohim njëri -tjetrin si armiq deri te vëllai vëllanë. Po vëllezër ju u vratë për një ideal, për një ëndërr, për një sistem që nuk e deshët, ndërsa sot vritet vëllai me vëllain për një pëllëmbë tokë, për një vijë uji. Kjo është demokracia që ne po jetojmë. Kjo në fakt është vdekja jonë për së gjalli. Sot nuk vriten për fjalë apo për poezi si ju, sot vritesh po kërkove pronat e tua, trashëgimëninë brez pas brezi, pasi prokurori apo gjyqtari zbaton ligjet nën kujdesin e rreptë të komisionit të Venecias. Sot ka shumë makina dhe këto i solli demokracia, por ata më shumë se fytyra e demokracisë janë kthyer në fytyrën e krimit, transportojnë tritol; ato më të bukurat mbajnë kriminelë Brenda, ato më të shtrenjtat të shtypin dhe në këtë rast qëllojnë vetëm fukarenjtë dhe aq më shumë që në mungesë të katilave që iu vranë juve, sot të detyrojnë të vetvritesh, të digjesh i gjallë në mes të kryeqytetit që kërkon të jetë pjesë e Europës. Po po, besojeni si Lirak Bejko. Lartësitë e këtij vendi që duken luks demokracie janë kthyer në trekëndësha të vdekjes në podium ku poshtë atij luksi qëndron arkivoli i njerzëve të zhytur në dëshpërim. Varfëria dhe problemet sociale po shkatërrojnë familjet, ligji antikombëtar i pronës i miratuar me konsensusin e famshëm PD-PS, ligji 7501, jo vetëm po vret njerëz, po pronën tonë të shenjtë po e degdisin kanaleve të grekëve dhe serbëve. Njerëz anonimë me interesa të shitura janë sot pronarët e pronave të shqiptarëve. Vëllezer ju nuk i keni kaluar këto mynxyra të post komunizmit europian. Ata na kanë lënë pa fshat, pa atdhe, pa varret e të parëve tanë. Kemi 4000 vëllezër të vrarë nga 1943-1944, por më makabria kriminelët që vrisnin pa gjyqe jo vetëm që nuk janë penduar, jo vetëm që nuk kanë kërkuar falje, por nuk tregojnë as groposjet për të qarë kockat e atyre që në shumicën e rasteve i kanë bërë grabitqarë mbi sipërfaqen e tokës. Ju ndoshta nuk e besoni, po edhe të vdekur na urrejnë, u dhembin sytë, duhan të na mohojnë jo vetëm gjenezën tonë, por dhe atë që donim të sillnim në këtë vend. Por jo vetëm kaq. Ligji 7501 është ndryshuar deri tani 18. Jo për ne jo, popër interesat e tyre. Së fundmi nxorën një tjetër ligj që edhe pse ke pasur sipërfaqe të mëdha toke të trashëguar, këta të dëmshpërblejnë vetëm më 300 m2. Qesharakja me çmimin e vitit 1945 jo me flori si e kanë blerë të parët tanë, po me letër. Mashtrimi i madh jo vetëm për ne, por edhe për ekspertët e Europës që po e gjejën gjuhën me këtë popull që deshën ta linin pa komb dhe pa atdhe; edhe atje ka pinjollë, ka trashëgimtarë bishash, mashtrues të korruptuar, vrasës, hipokritë, por për fat të keq të gjithë kanë qëlluar konsulentët tanë, ekspertët e këtij vendi që po kërkon të futet ne familjen europiane. Këtu po vdes shpresa, këtu edhe ata që dijnë heshtin, këtu dhe ata që shohin padrejtësi nuk guxojnë. Mjerë ne çfarë po shohim. Ju guxuat dhe patët kurajon të demaskonit sistemin me fjalë dhe ato qenë më të rënda dhe më të forta se plumbat që ata derdhën në trupat tuaj. Tani nuk ka vëllezër të asaj bote. Po ju shkruaj sot jo për t’u kujtuar juve, ju nuk do të harroheni kurrë nga njerëzit kuptohet se nga pushteti nuk japim garanci. Jo jo, mos ma merrni për keq këtë letër. Po ju shkruaj sot për t’u thënë se kemi nevojë për këshillën tuaj, se nuk dimë çfarë të bëjmë. Të jetojmë duke ju kujtuar ju apo të vdesin për të mos parë se si po vazhdon ekzekutimi i ëndrrës suaj për një tjetër jetë me liri dhe demokraci. Sot mund t’u themi që ne nuk e harrojmë kurrë vepren tuaj, madje ajo po na jep forcë të jetojmë me shpresën se kur te vijmë aty tek ju tu themi se ëndrra juaj nuk është më e tillë, ajo është realitet. Ndaj kemi frikë të vijmë dhe jo se na dhimset jeta. E vetmja gjë që mund të bëjmë të themi ty Genc e ty Vilson se janë të mallkuar ata që iu dërguan para plumbit. Ata që iu qëlluan dhe që menduan se gjaku juaj do të pushonte shpejt së ekzistuari, ne na ka mbetur në fakt vetëm mallkimi. Mos na i vini re se kaq kemi në dorë. Sot nuk na vrasin si juve. Sot ka metoda të tjera, ka fjalë të tjera. Sot po na vrasin jo në emër të internimit, të dënimit, të burgosjes. Jo jo. Kemi fjalën e bukur tani demokratike, vrasje në emër të integrimit dhe për këtë po kujdeset Europa që heshti kur ju vranë ju.

* Dergoi per Diellin : Cerciz Loloci

 

Filed Under: ESSE Tagged With: dhe Genc Lekës, Hysen Haxhija, leter, Vilson Blloshmit

LETËR PUBLIKE DREJTUAR KRYEMINISTRIT EDI RAMA

April 19, 2016 by dgreca

Zoti kyreministër!/

Ne pronarët e ligjshëm kemi një hall të përbashkët, hallin e pronave. Ne duam kthimin e pronës konform kushtetutës, ndërsa ju për ti thenë Evropës dhe SHBA se Qeveria e zgjidhi problemin e pronave. Në fakt, ju jetësuat ligjin 7501, një ligj  vëllavrasës, antizakonor e antishqipëtar, por mbi të gjitha edhe antikushtetues e tërësisht në kundërshtim me konventen Europiane të të Drejtave dhe Lirive të njeriut. Me këtë akt ju i dhunuat e i shpërfillët këto të drejta, megjithëse e dini mirë se kështu nuk ka ndodhur në asnjë nga vendet ish socialiste që ndyshuan sistemin në vitet 1990.

Demokracia dhe liria në thelb kanë mbrojtjen e të drejtës e pronës dhe prona nuk mund të fitohet me grabitje nga ana e shtetit. Pas vitit 1991 zytrarisht shteti u shpall demokratik dhe pluralist, por kjo vetëm në letër. Me ligjet që miratonte Kuvendi i Shqipërisë dhe vendimet korruptive që janë dhënë nga komisionet e pronave dhe AKKP si dhe me pushtimet dhe ndërtimet pa leje të personave të tretë në pronat e pronarëve, ju hap rruga  vjedhjes së pronave. Me këtë pseudodemokraci u grabit prona pronarit dhe prona e shtetit dhe korrupsioni lulëzoi deri në krye të shtetit. Zullumet më të mëdha për pronat shihen aty ku janë mpleksur interesat e pushtetarëve, në zonën turistike sidomos të qarkut Vlorë nga Kalaja e Ujit të Ftohtë dhe në jugë, duke përfshirë Dukatin, Himarën, Sarandën.

Zoti kryeministër! Në fushatën elektorale ju premtuat zgjidhjen e pronës, ne shpresuam por ju na zhgënjyhet, nuk e mbajtët premtimin. Me legalizimet e ndëtimeve paleje të bëra nga persona të tretë në tokat që kanë pronarë dhe me ligjin e fundit 133/2015 nga ju po merret në mbrojtje ligjore dhe po kultivohet pjesa e pa qytetëruar, ajo që nuk ka turp të përvetësoje pronën e tjetrit. Kjo rrugë është qartësisht antikombëtare. Ligji i ri u përgatit pa u konsultuar me grupet e interesit dhe nga specialistet që punuan për atë ligj u prezantuan vetëm drejtoresha e AKKP dhe të tjerët mbahen sekret. Ata që kanë përgatitur këtë ligj kanë shpërdoruar detyrën sepse kanë shkelur Kushtetuën me urdhërin tuaj. Gjatë muajve Gusht-Shtator 2015, janë bërë takime të shoqatave të pronarëve me Avokatin e Popullit e Presidentin. Këto institucione u shprehën haptas kundër ligjit tuaj. Ju me forcën e kartonit e miratuat ligjin në Komisionin e Ligjeve dhe në Parlament. Ky ligj është edhe më i zi se neni 8 në ligjin 7501, që thotë « Në dhënien e tokave në pronësi e në përdorim personave juridikë a fizikë nuk njihet pronësia e mëparshme, as madhësia dhe kufijtë e saj para kolektivizimit”. Pra ju nuk ktheni pronën e grabitur tek i zoti, por jepni pronë, sepse pronën e grabitur e trajtoni si pronë të grabitësit.

Zoti Edi Rama! A e konsideroni normal veprimin tuaj kur ligji 133/2015 pritet të shqyrtohet në Gjykaten Kushtetuese, ju po shpejtoni shpërndarjen e tapive në zbatim të këtij ligji, të cilat janë fiktive. Zoti kryeministër, pse nuk ballafaqoheni një herë të vetme me grupet e interesit dhe na dëgjoni, sepse ky ligj nuk garanton zgjidhje kushtetuese, të drejte edhe të qëndrueshme. Ju po insistoni që problemi i pronës të mbetet një plagë kombëtare e pambyllur ashtu si dhe problemi i cameve në Çamëri, ndërsa ky i yni nga qeveritë që dalin nga votat e popullit dhe sabotojnë vendin e tyre.  Në ligjin 133/2015 ju arrini të kërkoni që pronarët të mos ankohen më në Gjykatën e Strasburgut mbasi dënimet dhjetra milionëshe për gjygjet e humbura nga ankimimet e pronarëve do të çojnë në falimentimin e shtetit. Por a mendoni se  Strasburgu do ti ndryshojë standardet e gjykimit ?

Unë kam shkruar edhe herë të tjera në gazetë se nuk kam mundësi tjetër si të komunikoj me ju. Unë jam 16 breza autokton në Dukat të rrethit të Vlorës dhe historikisht familjes time dhe gjithë të tjerëve ndër breza nuk ua grabiti njeri pronën. Diktatura i shtetëzoi pronat e mëdha dhe i vuri në dispozicion të shoqërisë, por nuk jua shpërndau ministrave. Ne fshatarëve në Dukat diktatura nuk na konfiskoi prona por na detyruan ta pranonim  kolektivizimin dhe për këtë qëllim u bë dhe ligji për kooperativat bujqesore. Sali Berisha do të ishte në regull nëse do zbatonte parashikimet e ligjit të Enverit për kooperativat kur ato shkriheshin. Berisha e instaloi vjedhjen e pronës dhe këtë e pranoi publikishtsi  gabim në 2013. Ju  premtuat drejtësi por e stampuat më të zi qëndrimin antipronar të Sali Berishës.

Sot unë me vëllezërit e fëmijët e mi nuk kemi pronë në Dukat dhe kemi 25 vjet qe nuk mund të themi se jemi nga Dukati. Ky është gabimi fatal i shtetit me popullin e tij. Atdheu im i parë dhe i kujtdo nga ne, është toka që na la babai që ne nuk e posedojmë dot,  është prona e grabitur. Prona e trashëguar është e patjetësushme, është e shenjtë dhe ne pa pronën e babait jemi pa atdhe. Jo, zoti kryeministër, as ju dhe kërkush nuk e ka tagrin ligjor, kushtetues e kanunor që të më heqë mua identitetin e fshatit tim, askush në botë! Pronat nuk mund të ndryshohen sa here që ndrohen qeveritë. Si unë janë dhe mijra të tjerë prandaj anulloje këtë ligj të zi.

Moskthimi i pronës ka krijuar edhe shumë probleme sociale. Ata që kanë marrë pronat tona falas me këtë ligj na përçmojnë, na provokojnë, na ofendojnë e bëjnë karshillëk, por nga ne është ruajtur gjakftohtësia. Por deri kur duhet të vazhdojmë kështu ? Mos vallë qeveritë e majta e të djathta nuk e vlerësojnë jetën e mbi 8000 të vrarëve për pronën. Politikanët cilëtdo rangu qofshin  që na mashtrojnë e na grabisin pronën tonë të trashëguar, ne nuk na hynë në punë, ose të vije dhe ti arrestojë FBI.

Me këtë qendrim armiqësor ndaj pronarëve autoktonë, ju dhe deputetët e tjerë na keni kthyer muhaxhir në fshatrat tona, jemi më keq se çamët, por çamët i perzuri Zerva me hekur e zjarr ndersa ne na perzunë liderët e politikës postkomuniste.

Ne nuk kerkojmë lëmoshë, jemi pronarët autokton që kërkojmë konform Kushtetutës pronën e prindërve tanë të trashëguar ndër breza. Për këtë të drejtë do të luftojmë sa të kemi frymëm sepse është prona jonë. Shoqata Krahina Jonë i drejtoi 20 pyetje në shtyp Avokates së Shtetit, znj. Alma Hicka kur deklaroi se jeni konsultuar me grupet e interesit por nuk u dha asnjë përgjigje! Ne besojmë se Gjykata Kushtetuese nuk do të mashtrohet me këtë ligj, por sido qe të vijë puna secili do të dijë ti dali zot pronës së tij dhe mënyra më e mirë për mua është duke vajtur në Strasburg.  

Zoti kryeministër! Prona e trashëguar në zonën turistike bregdetare vërteton identitetin e fiseve dhe familjeve tona, por pse na e mohoni?! Ne nuk duam të kompesohemi, përjashto rastet kur prona  shfrytëzohet për nevoja publike. Këtë besoj se e dëgjuat edhe nga protesta e transmetuar  dt. 18 prill nga emisioni i Zerit te Amerikës, që besoj se edhe ju që sot jeni kryeministër, ashtu si  të gjithë shqiptarët e vlerësoni një zë të fuqishëm që ndimon të drejtat e shkelura të shqiptarëve . Ku qendron nevoja publike që kullotat e Karaburunit të mos i marrin pronarët e vërtetë, por pronarët fallco që do sajohen sipas interesave të pushtetarëve ? Çfarë ju pengon që  nuk merrni në shqyrtim zgjidhjen që ju ka propozuar shoqata e pronarëve në 2013 , zgjidhje që përputhet me Kushtetutën, nuk ka faturë financiare, shuan konfliktet dhe vendoset stabiliteti social sepse secili shkon në pronën e tij, ashtu siç është bërë në gjithë Shqipërinë e veriut.

Shpresoj mirkuptimin dhe në reflektimin tuaj.

Me respekt:

Merko Bozhani,

Anëtar i Shoqatës “Krahina Jonë”

18.04.2016

Filed Under: Komente Tagged With: KRYEMINISTRIT TE SHQIPËRISË, leter, LETËR PUBLIKE DREJTUAR, ZOTIT EDI RAMA

Prof.dr. Eshref Ymeri, Letër Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit

April 16, 2016 by dgreca

Dr. Bujar Leskaj/

I dashur Zoti Kryetar,/

Në faqen e internetit “Shqiptari.eu”, të datës 12 prill 2016, lexova një informacion befasues, me titull:

“Kontrolli i Lartë i Shtetit denoncon vjedhjen e 1 miliard eurove nga Edi Rama dhe qeveritarët e tij”.

Ju flas me zemër të hapur, si shqiptar i përmalluar: u trondita tej mase. Kjo është një shumë tmerrësisht kolosale. E gjora Shqipëri! Megjithëse grabitet në një mënyrë kaq të pamëshirshme, s’e kuptoj dot se ku i gjen forcat që vazhdon të mbijetojë?

Ju dhe mbarë kolektivi i nderuar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, meritoni respektin dhe nderimin më të madh të mbarë popullit shqiptar për këto të vërteta tragjike që ia keni përcjellë Kuvendit të Shqipërisë me një shkresë të posaçme.

Nderim dhe respekt të veçantë për Ju dhe për Kolektivin Tuaj.

Prof.dr. Eshref Ymeri

Sinsinati, Ohajo

15 prill 2016

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Bujar Leskaj, leter, Prof. dr. eshref Ymeri

Presidenti Nishani-Komisionit te Reformes ne Drejtesi:Po e ktheni vendin në aktor qesharak në raport me partnerët

October 14, 2015 by dgreca

Presidenti Nishani i dërgon letër Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi/
Tirane,14 tetor 2015/
Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi/
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë/
Për Dijeni:Kryetarit të Kuvendit të Shqiperisë, z. Ilir Meta/
Kryetarit të Grupit Parlamentar të PSSH, z. Gramoz Ruçi/
Kryetarit të Grupit Parlamentar të PDSH, z. Edi Paloka/
Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI, z. Petrit Vasili/
Lënda:Në lidhje me procedurat e ndjekura nga Komisioni i Posaçëm në lidhje me Reformën në Drejtësi./
Të nderuar anëtarë të Komisionit,/
Një nga 5 prioritetet e vendosura nga Komisioni Europian, parakusht për hapjen e Negociatave të Anëtarësimit në BE, është realizimi cilësor dhe në kohë i reformës në drejtësi.
Progres-raporti i vitit të kaluar për Shqipërinë, konkluzionet e Dialogut të Nivelit të Lartë BE-Shqipëri, si dhe qëndrimet publike dhe zyrtare të të gjithë interlokutorëve e partnerëve evropianë dhe strategjikë të Shqipërisë, cilësojnë paekuivok se reforma në drejtësi përbën një prioritet parësor, dhe se ajo duhet arritur përmes një bashkëpunimi gjithëpërfshirës e konstruktiv, në partneritet me Komisionin e Venecias, e institucione evropiane e ndërkombëtare që na asistojnë prej vitesh në këtë fushë.
Përveçse një detyrim madhor në raport me rrugën evropiane qe kemi nisur, reforma në drejtësi përbën një domosdoshmëri me rëndësi jetike për vendin.
Gjithaq e rëndësishme, është pritshmëria e lartë e legjitime e qytetarëve shqiptarë të cilët presin një reagim dhe angazhim serioz të të gjithë aktorëve politikë e institucioneve relevante për të vendosur një standard të ri e të merituar në sistemin tonë të drejtësisë, që vuan sa nga korrupsioni e pandëshkueshmëria, ashtu edhe nga mungesa e profesionalizmit dhe politizimit akut.
Duke konstatuar me keqardhje mungesën e iniciativës dhe zvarritjen rutinore për çeljen e këtij procesi, një vit më pare, thirra në një tryezë gjithëpërfshirëse aktorët e drejtpërdrejtë dhe asistues, me besimin se kjo do të shërbente si një kambanë zgjimi dhe katalizator i një angazhimi të ri.
Pavarësisht hapave fragmentarë e të njëanshëm që u ndërmorën gjatë vitit të kaluar, të cilët nuk sollën asnjë përmirësim, as cilësor e as përmbajtësor në sistemin tonë të drejtësisë, mirëprita angazhimin që palët ndërmorën gjatë këtij takimi, duke premtuar mbështetje të çdo përpjekjeje që do të pasonte këtë pikënisje të re.
Duke njohur vështirësitë e klimës së polarizuar politike, por edhe domosdoshmërinë për të përparuar me këtë proces, kam mirëpritur përpjekjet e para për të bërë një analizë të qenësishme, orientuese për strategjinë kombëtare të reformës në drejtësi.
Po kështu kam mirëpritur me kënaqësi angazhimin e partnerëve tanë që kanë asistuar me ekspertizën e eksperiencën e tyre të çmuar, duke shpresuar që kjo frymë bashkëpunimi të reflektohej në të gjithë etapat e procesit.
Por, me keqardhje kam konstatuar e ngritur shqetësimin e përsëritur për disa elementë, që mendoj se janë thelbësorë për efikasitetin, cilësinë dhe shpejtësinë e reformës në drejtësi.
Së pari, procesi po zhvillohet në mungesë të plotë transparence si për aktorët e drejtpërdrejtë ashtu edhe për publikun e gjerë.
Reforma në drejtësi meriton një vëmendje të posaçme e jo periferike, si dhe një diskutim të gjerë e të plotë me qëllim sigurimin e besueshmërisë, zbatimit të suksesshëm dhe jetëgjatësisë së saj.
Së dyti, Komisioni i Posaçëm e ka zhvilluar veprimtarinë e tij në shkelje flagrante me vendimin nr. 96, të miratuar nga vetë Komisioni datë 27.11.2014, ku në nenin X specifikohet “Për çdo element të objektit të veprimtarisë së tij, Komisioni i Posaçëm do të organizojë, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe nën kujdesin e Presidentit të Republikës, tryeza pune gjithëpërfshirëse me institucionet e sistemit të drejtësisë, ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë dhe subjektet e tjera të interesuara.”
– Asnjë nga tryezat e organizuara deri më sot nuk janë organizuar nën kujdesin e Presidentit të Republikës, duke reflektuar mungesën e plotë e të njëanshme të bashkëpunimit me këtë institucion;
– Presidenti i Republikës është ftuar të marrë pjesë në disa aktivitete selektive, me njoftim të momentit të fundit, duke pamundësuar kontributin mbi thelbin dhe përmbajtjen e çështjeve të diskutuara. Dorëzimi i materialeve bazë në momentin e fundit, është ngritur si shqetësim edhe nga aktorë të tjerë, duke e bërë thuajse të pamundur diskutimin përmbajtësor gjatë takimeve të organizuara.
– Referuar vendimit nr.4, datë 22.12.2014 “Për ngritjen e Sekretariatit Teknik”, Institucioni i Presidentit të Republikës ka caktuar një përfaqësues, i cili nuk është ftuar as edhe një herë në takimet Sekretariatit.
– Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është ftuar të ketë përfaqësues në Grupin e Ekspertëve të Nivelit të Lartë, pavarësisht proces-verbalit të mbledhjes së Komisionit të Posaçëm dt. 22.12.2014.
– Në asnjë rast nuk janë realizuar intervista apo takime me Institucionin e Presidentit lidhur me hartimin e raportit analitik për Reformën në Drejtësi, siç pretendohet në pikën IX të vendimit 96/2014.
– Në muajin Maj 2015, u realizuan me shpejtësi 6 tryeza pune, dhe Presidenti i Republikës është ftuar të ketë përfaqësinë e tij vetëm në një prej tyre, në datë 18 Maj 2015.

Siç u konkludua edhe gjatë këtij takimi, pjesëmarrësit nuk mund të bënin një diskutim përmbajtësor rreth materialit të përgatitur nga grupi i ekspertëve “Analiza Kushtetuese mbi Reformën në Drejtësi dhe Analiza Ligjore mbi Reformën e Gjykatës Kushtetuese”, pasi materiali u vu në dispozicion vetëm në fillim të takimit.
– Në fund të muajit Qershor dhe gjatë muajit Korrik janë zhvilluar 9 forume rajonale të konsultimit publik referuar Raportit Analitik për analizën në sistemin e drejtësisë.
Në lidhje me këto aktivitete sërish Institucioni i Presidentit është njoftuar me vonesë për të siguruar pjesëmarrjen, por asnjëherë në rolin e njohur nga ana e Kuvendit të Shqipërisë në këtë proces. Forumet nuk kanë siguruar një pjesëmarrje dhe aq më tepër konsultim të gjerë.
Pjesëmarrja është siguruar përmes thirrjes nominale të personave të caktuar, në mungesë të plotë të njoftimeve publike për të interesuarit.
Nga ana tjetër, asnjë nga komentet dhe sugjerimet e Institucionit të Presidentit dhe të aktorëve të tjerë pjesëmarrës në këto forume, nuk janë reflektuar në as edhe një rresht të Dokumentit final të miratuar datë 30 korrik. Në deduksion logjik, këto takime kanë shërbyer vetëm si tryeza formale apo makiazh i procesit.
Lidhur me sa më sipër, vlerësoj se shmangia e qëllimtë e institucionit të Presidentit të Republikës, si dhe e aktorëve të tjerë me peshë e integritet nga bota akademike dhe shoqëria civile, dëmton rëndë procesin dhe çdo akt që del prej tij.
Kompromentimi i këtij procesi arrin deri në kufijtë e mashtrimit publik mbi veprimet apo mosveprimet e Presidentit të Republikës të cilat veçse njollosin reformën dhe frymën mbi të cilën po krijohet ajo.
Pavarësisht këtyre rrekjeve të pashpresa, qëndrimi i palëkundur i Presidentit të Republikës ka mbetur koherent dhe konsekuent për domosdoshmërinë e avancimit të reformës në drejtësi, sipas parimeve dhe standardeve më të larta evropiane.
Së treti, në lidhje me anën përmbajtësore të Reformës dëshiroj të ve në dukje se, Raporti Analitik për analizën në sistemin të drejtësisë, hartuar nga ekspertët e nivelit të lartë, nuk reflekton shumësinë e informacioneve dhe analizës së përcjellë nga aktorët e tjerë të përfshirë qoftë edhe formalisht në proces, duke rezultuar jo rrallë herë në deformimin e realitetit, pasqyrimin e qëndrimit subjektiv të ekspertëve në emër të opinionit publik, deri në ofrimin e modeleve nga vende të cilat nuk mund të përbëjnë pikë referimi për Shqipërinë, vend kandidat për në BE, (si p.sh. rasti i Ukrainës).
Fakti që Dokumenti fillestar i prezantuar në muajin Maj, është krejt i njëjtë me Dokumentin final të miratuar në muajin Korrik, me vendim nr. 14 datë 30.7.2014, do të thotë se procesi dhe metodologjia e ndjekur kanë qenë në rastin më të mirë të padobishme e joefikase dhe në rastin më të keq janë konsideruar si detyrime formale për të finalizuar procesin, gjithsesi të njëanshëm.
Situata po bëhet edhe më shqetësuese pas hapave të ndërmarrë rishtaz, të cilat kanë krijuar një kaos të vërtetë, dhe po e kthejnë vendin në aktor qesharak në raport me partnerët.
Komisioni i Posaçëm, pasi ka miratuar Raportin Analitik “Analizë e sistemit të drejtësisë”, në të njëjtën ditë ka miratuar në parim Dokumentin Strategjik dhe Plan veprimin, si dhe ka përcjellë në mënyrë krejtësisht arbitrare e të njëanshme aktet ligjore që parashikojnë ndryshime kushtetuese në Komisionin e Venecias.
Ndërkohë që as Dokumenti strategjik dhe as plan veprimi nuk janë diskutuar dhe as miratuar në tërësi, me dakortësinë e të gjithë palëve, në turravrap, janë përcjellë një paketë ndryshimesh për të cilat duhet të shprehet një institucion prestigjioz ndërkombëtar, që ka treguar bujarinë dhe angazhimin serioz për të na asistuar në këtë proces.
Pra përkundër asaj që u diskutua e dakortësua në takimin e 6 tetorit 2014, në prezencë edhe të Presidentit të Komisionit të Venecias, se pala shqiptare do të përcillte për mendim fillimisht Dokumentin Strategjik, e më pas sipas një plani pune paketën ligjore me ndryshimet përkatëse, Komisioni i Posaçëm ka përcjellë paketën ligjore për ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që tashmë pritet të përcillen edhe dy platforma të tjera.
Kjo mënyrë sjelljeje institucionale, jo vetëm nuk e ndihmon procesin, por na kthen në aktorë joseriozë në raport me Komisionin e Venecias.
Sjell edhe një herë në vëmendjen tuaj, se reforma në drejtësi duhet të jetë një proces që t’i shërbejë në radhë të parë dhe mbi të gjitha qytetarëve shqiptarë dhe të mos përdoret si një instrument për të përmbushur aspiratat individuale apo orekset politike.
Kjo reformë duhet të jetë gjithëpërfshirëse, transparente, objekt i një debati të gjerë publik, dhe të zhvillohet mbi shinat parimeve të gjithëpranuara e standardeve më të larta evropiane.
Ju siguroj se çdo përpjekje juaja apo e kujtdoqoftë që ecën në këtë drejtim do të gëzojë gjithherë mbështetjen më të plotë të Institucionit të Presidentit të Republikës, dhe jam i sigurt edhe mirënjohjen e qytetarëve shqiptarë.
Me besimin për reflektim serioz dhe gatishmërinë për bashkëpunim,
Bujar Nishani

Filed Under: Analiza Tagged With: komisionit te Posacem, leter, presidenti Nishani, Reformat en Drejtesi

Leter pa zarf Myftiut te Pukes

July 28, 2015 by dgreca

Nga ILLO FOTO- NJU JORK/
Ne foto: Myftiu u Pukes, Gezim Kopan/
I pernderuar Myfti,
Nuk njihemi fizikisht, por kjo nuk me pengon te te pershendes miqesisht dhe te te dergoj te fala te sinqerta, per te pasur gezime dhe lumturi,ne jeten provizore, qe na eshte dhene e drejta ta jetojme.
Ne diten e lumtur te Fiter Barjamit , Ju ju drejtuat populit te Pukes ku sherbeni , me nje mesazh shume kuptimplote dhe qortus , per aq sa e lejojne suret perkatese te ketij problemi , qe rregullon mardheniet e njerzve me te derguarin e Perendise.
Po e citoj nje pjese te mesazhit tuaj, ashtu si e ka botuar shtypi civil i Shqiperise :
“Largimi është tradhti ndaj vendlindjes. Azili nuk është shpëtim, bëhuni më vizionarë! Ktheni sytë nga tokat tuaja bujqësore. Jemi i vetmi vend ku toka nuk punohet. Kur nuk doni vendin tuaj, si mund t’iu duan të tjerët”.
Si bashkatdhetar dhe specjalist i vjeter bujqesie , te falnderoj nga zemra , per kete konsiderate te munguar , qe shprehni ndaj tokes meme dhe ndaj bujqesise te vendit tone . Te tere njerzit, me perjashtim te qeverritarve, e dine se ne Shqiperi, ka 25 vjet, qe nuk mbillen gati c’do vit, mbi 200 mije Ha toke, ne mos me shume.
Me lejoni t’i shtoj shqetesimit tuaj qytetar , se tokat me te mira bujqesore ne Myzeqe, Zadrime, Vurg, Mamuras, Maliq dhe luginat e lumejve ka vite , qe u ka mbire trusku . Mbi to po kuturiset te peshkohet, i respektuar, Myfti.
Eshte tamam keshtu, sic shpreheni ju. Jemi i vetmi vend ne bote, ku toka nuk punohet. Ne e kemi alternitiven, qe te mos emigrojme dhe e perbuzim .
Shumica e tokave te pa punuara jane te pa kulluara dhe pa ujitje . Po sa do t’i leme keshtu ? Ministrat e bujqesie te ketij tranzicioni 25 vjecar, jane fajtoret e drejtperdrejte te ketij handikapi te pa pare . Lere, qe nuk kane vene ujet ne zjarr, per te ndryshuar situaten me token bujqesore , po nuk i kane dhene popullit shqiptar nje raport , sa toke nuk selitet dhe pse . Me sa duket, Ministrat nuk e dine shifren e sakte te tokes te pa mbjelle . Shifrat, kemi te drejte te dyshojme se jane te manipuluara , deri sa ish Ministri Ruli, raportonte, perpara medjave se bujqesia eshte rritur mbi 8 %, kur ajo eshte shume posht nivelit te vitit 1990.
Nuk eshte e qarte , pse fshihet shifra e mos mbjelljes se tokes bujqesore , nje realitet nga me mostruozet , qe ka njohur ky vend, ashtu sic e nenvizoni dhe Ju ne mesazhin tuaj. Fshatari token e ka punuar me parmende druri dhe ja ka dale. Sot nuk behet fjale, per mjete mekanike te punimit, qe i kemi dhe i gjejme, po s’i patem.
Keto 25 vite kane ministruar Ministrine e bujqesise 10 Ministra . Sejcili e ka shpallur veten shkencetar dhe patriot ,por e kane dorezuar Ministrine me token shqiptare te pa mbjelle dhe pa thene gjysem fjale , per faktin pse nuk mbillet. Ministri i bujqesise , mund te emertohen ndryshe edhe Ministri i tokes dhe i ujit siperfaqesor . Faktikisht nuk kane menazhuar as toke , as ujra dhe perseri e kane mbajtur emrin ministra; per cfare ? Si i ka lejuar populli te kaperxejne pragun e Ministrise , pa u pergjigjur? Profesoret e bujqesise shqiptare , dogjen diplomat perpara zyres se ish Ministrit . Kete nuk e harron bota dhe Europa, por ne Shqiperi kjo ngjarje unikale u harrua , qysh ne mbremjen e dites , qe ndodhi . Lavdia eshte e perjeteshme per profesoret bujqesore shqiptare !
Situata e heshtjes 25 vjecare, nuk ka spjegim. Ajo qe te them me sinqeritetin e burrit eshte kjo : Po qe se do ta kisha krijuar une kete situate , ose dicka afer kesaj, do te kisha vajtur me kohe ne vetvrasje pa u menduar dy here !
Nje koleg, me ka thene , tani von , se pushtetaret e fshefin gjendjen e tokes se pa punuar , sepse nuk i pranon Europa . Personalisht mendoj krejt te kunderten . Europa nuk e ka vene kete kusht dhe ne se dikush mund ta zgjidhi kete ngerc , eshte vete Europa . Ne kemi dhene boll prova , se jemi te pa afte , per nje sipermarrje te tille mbi token tone . Duhen investime te medha , brenda nje afati kohor sa me shkurter. A mund ta realizojme ne kete investim , me buxhetin modest, qe do te kemi ne c’do kohe ? Europa mund ta beje , po tja kerkojme .
Shtypi ka bere dhe po ben sehir . Duhet te gjendet nje burre t’u kerkoi llogari pushtetarve , ne emer te popullit ! Juve dhe kleriket e tjere shqiptare ju dhemb zemra , per token , qe nuk mbillet , sepse ju i doni besimtaret e varfer . Nuk kini asnje ngjashmeri me Ministrat e korruptuar dhe te pa ndergjegjshem , per detyren , qe ju ka ngarkuar populli . Nuk jeni as nje gazetaruc , qe pergjon per ndonje lajm sensacional .
Toka e pa mbjelle nuk eshte nje gabim , qe riparohet me nje autokritike. U eshte hequr shqiptarve alterrnativa me e plote per punesim , mirqenie dhe evitim te emigracionit marrok .
Kur themi , qe jane fajtore te rinjte , qe ikin , me perpara , duhet te kthejme syte dhe vemendjen nga Ministrat e bujqesise , qe populli i ka paguar dhe vijon t’i paguaj me roga te pa krahasushme , per 25 vite . Une nuk di te mallkoj . Besoj kete do ta beni Ju , ne emer te besimtarve , qe ju u sherbeni me perkushtim .
Juve keni besim tek pushtetaret e rinj te Bashkive te medha se do te bejne dicka me shume per bujqesione , vecanerisht per kullim- ujitjen . Kete mendim kam dhe une , por me shume rezerva . Pse ? U bene reforma te sukseshme ne arsim , pensione , ushtri , shendetesi , do te behet dhe ajo e drejtesise; kudo . Bujqesia do te mbetet po kjo , me koregjim te inflacionit . Bujqesine e duan hiq e mos keput . Kjo situate arsyetohet se ka ndryshuar struktura e mbjelljve, sipas kerkeses se tregut. Kjo keshtu ka ndodhur vertet , por pritej . Te publikojne sa $ merren nga nje Ha. toke e kadastruar ? Kjo shifer na duhet per krahasim . Le te mbillet toka me se te duan; qofte dhe manaferra .
Pak dite perpara degjova Zv. Ministrin e bujqesise , qe fliste se do te pastrohen me shume kanale . Per c’kanale flet ky zoteri ? Fjala eshte per nje rrjet te tere inxherik , te eliminuar ne teren .
Zv. Ministri optimist foli dhe per politikat bujqesore , qe do te formuloi me mire Ministria , tani , qe “kanalet “ i ka Bashkia . Po per c’politika behet fjale , kur nuk ekziston objkti allfa : Nuk mbillet toka ! Do te ndjehem i lumtur , ne se realizohet parashikimi tuaj per punen e Bashkive te medha . Jam ende skeptik .
Toka bujqesore nuk eshte “disa kanale “ , sic e percaketojne keta “optimiste “ qeverritare . Toka bujqesore eshte bonifikim integral, nga Velipoja ne Karaburun .Bonifikimin nuk e beri Diktatura , por populli. Shqiptarve ju deshen 30 vite per ta perfunduar . U prish per disa dite dhe vijon te mos jete funksional per 25 vjet . Kur dhe kush do ta beje funksional? Kete duhet ta gjykoi drejtesia e pa varur !
Uroj te behet me e mira dhe ne kurban Barjam te takohemi me koncepte dhe praktika te reja per token dhe ujrat siprfaqesore , qe gjithsesi duhet te kemi ende besim tek vendimi mbarepopullor , i shprehur 2 here me vote .
Me konsiderate te larte : Illo Foto , NY- Korrik -2015

Filed Under: Opinion Tagged With: Gezim Kopani, Illo Foto, leter, Myftiut te Pukes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT