Nga Mëhill Velaj*/
Shpesh flitet që shkrimtarët dhe poetët në jetën e tyre shkruajnë vetëm një libër. Sepse në jetë ka ëndrra dhe dëshira. Mund të kesh dhunti e pasion për sportin, dikush tjetër ka për pikturën, muzikën dhe gjithcka që përmblidhet brenda botës së bukur të artit e kulturës, mes tyre edhe arti i të shkruarit që është talent, vullnet, durim, këmbëngulje dhe prirje. Të botosh një libër për fëmijët dhe adoleshentët, për ardhmërinë në ditët e sotme, është shërbimi më domethënës që i bën shoqërisë në progres dhe kombit. Nënkupton të vërtetën sublime, që nëpërmjet librit, i cdo lloj zhanri; prozë, poezi dhe publicistikë, autorët shprehin shpirtin mitik, me rrjedhën e vetkzistencës dhe butësinë e të bukurës, universales, alfabetit të gjuhës , – të dyja të dëgjuara apo të padëgjuara.Unë vetë si autor kam pasur një fëmijëri interesante, një familje e madhe e varfër, por dhe fëmijë të shumtë. Kjo si pasojë edhe e vendit ku unë u linda dhe u rita, aty në Gllogjanin e Pejës, buzë Lumëbardhit, degë e Drinit të Bardhë. Flija cdo natë dhe zgjohesha cdo mëngjes duke dëgjuar gurgullimën e Lumëbardhit, dhe kur hapja frëngjinë e odës sime, para meje cfaqej një pamje magjepsëse me drurët e lartë shekullore në Bjeshkët e Nëmuna të Rugovës dhe lëndinat e blerta, përreth rrjedhës së Lumëbardhit. Packa se ishim të varfër, kjo lloj fëmijërie mbeti një muzë shpirtërore tek unë, më inkurajoi ëndrrën për t’u bërë mësonjës, dhe u bëra dhe pasione të tjera të bukura. Ishte po kjo fëmijëri e varfër dhe jeta prej mësonjësi, unike dhe bukur, që më motivoi të hedh vargje për fëmijë, ku në këtë atmosferë interesante dhe dashamirëse, botova librin e parë me poezi për fëmijë, të titulluar “Gërshetat e Aulonës”. Në një vështrim të përgjithshëm, autorët që shkruajnë edhe letërsi për fëmijë, njohin dhe vlerësojnë mbi bazat e subjektivizmit krijues hapësinor, me të cilat shpirti i fëmijëve merr frymë, c’ka më motivoi gjithashtu të shpreh edhe unë këndvështrimin tim për novelën e autores Eliona Gjergo.
*****
“Bisha prej qelqi” titullohet romani i autores Elion Gjergo, i cili për fatin e mirë të admiruesve, dashamirësve dhe lexuesve të letërsisë për fëmijë dhe adoleshentë, suksesi i kësaj novele pati qenë i menjëhershëm. Ndoshta edhe vetë autorja Gjergo, kurrë nuk e pati besuar se kritika moderne e kohës do e vlerësonte suksesin kryesor të kësaj novele, e cila endet mes letërsisë artistike dhe publicistikës, dhe është një libër vërtet i merituar, vecmas për moshën e adoleshencës. Lexova gjithashtu edhe disa përsiatje të disa autorëve –kolegë, ku edhe ata ashtu si unë, i mëshonin faktit se “Bisha prej qelqi”, -aq me tepër që ky “etiketim” lindi nga mëncuria dhe urtia fisnike e gjyshes së Veronikës, heroinës kryesore të novelës, e cila gjatë gjithë zhvillimit të romanit rrëfehet në vetën e parë. Novelë intersante për fëmijë, e cila në sajë të tematikës që ajo trajton, është bërë bisedë letrare në disa shkolla nëntëvjeçare në Shqipëri, Greqi, Itali, dhe në shkolla të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Diasporë.
Teksa e lexon novelën, autorja krijon atmosferën e një institucioni arësimor, -shkollën,- ajo krijon një sërë personazhe, të rritur, fëmijë, adoleshentë, –mësonjësit, prindërit, gjyshja, rrjeti social, librat, mësimet, etj. Pra, autorja bëhet protagoniste e një fëmije adoleshente që ka ëndrra dhe dëshiron të bëjë gjëra të bukura dhe intersante, me qëllim që jeta e saj dhe e personazheve të tjera të ndjehet, porse ajo dëshiron edhe vëmendjen e familjes, që nga gjyshja, nëna e babai, shkolla dhe mësueset e saj, shokët e shoqet e shkollës, dhe të shoqërisë në të cilën ajo/ata jetojnë e rriten. Veronika, shokët e shoqet e shkollës janë në prag të adoleshencës dhe gjithkush prej tyre është me të mirat e të metat e tyre, me bëmat e tyre prej adoleshenti, të fajshëm kundrejt së pafajshëmes, kështu që ata ecin krah për krah njëri -tjetrit. Të gjithë së bashku, duan në një mënyrë a tjetër të realizojnë ëndrrat e tyre, duke u dhënë krahë dëshirave dhe shpresave, për të kapërxyer dhe sfiduar pengesat dhe vështirësitë e adoleshencës dhe jetës. Edhe Veronika edhe Marta e heshtur me dramën e saj sociale në familje, ecin krah për krah njera –tjetrës, por edhe me mësuesen e vjetër në arësim, Athinanë thatuqe e shtatvogël, e cila gjithmonë mbantë anën dhe i kushtonte më tepër vëmendje Anjezës a Natalies: “Dëgjoni të zgjuarat e klasës dhe mësoni edhe ju prej tyre”!!
Autorja Gjergo, me përshkrimin fizik të mësuese Athinasë, këkon të na japë formën, përmbajtjen dhe funksionin e një mësuese, që edhe kur ajo është në rolin e mësimdhënëses, me c’rast simbolizon fenomenin grotesk dhe mediokritetin në arësim, vetëgjymtimin dhe vetëvrasjen intelektuale të disa prej tyre. Veronika, heroina e romanit, një vajzë e shkathët, ëndërrimtare, e ciltër dhe kurreshtare e cila po përjeton edhe ajo si moshatarët e saj pragun e adoleshencës, përpiqet me të gjitha mënyrat të mbështesë, përkrahë dhe të gjejë ura komunikimi me të gjithë shokët e shoqet e klasës të cfarëdo niveli dhe shtrese të shoqërisë i përkasin. Veronika me hartimet e saj dëshiron të komunikojë me mësuese Athinanë, megjithëse ajo kurrë nuk e vlerësoi me notën që meritonte, me Drejtoreshën e Shkollës që zbuloi personalitetin admirues e dashamirës të Veronikës, por vecmas ajo mbështet Martën e heshtur, e ndihmon atë për ecurinë dhe e mbron nga “Bully-ing konsiderohej si pjesë e rritjes së të rinjve”-shkruan autorja. Mposhtjen e kulturës së dhunës psikologjike, fizike dhe verbale, teksa Veronikës i tërheqin vëmendjen: “Të bërtiturat dhe fjalët ofenduese të disa vajzave….” , “Ajo vuri re se vajza që po keqtrajtohej ishte Marta e heshtur!”
Autorja mjeshtërisht ka rizbuluar fuqinë e karakterit, personalitetit dhe ndjeshmërisë së një adoleshenteje (Veronikës) ndaj ngacmimeve (“bullying at school”), në paraqitjen e një incidenti e ndodhie, deri në grindje e keqtrajtimin ekstreme, derisa Veronica rrezikon me vetëdije të plotë për shpëtimin e Martës nga kthetrat e bully-ing. Por Veronica nuk ndalet këtu, megjithë ngjasimet e forta, ajo bëhet heroinë duke shpëtuar shoqen e saj të ngushtë Martën, nga një abuzimi aspak i këndshëm që e kanos miken e saj të fëmijërisë. E gjitha kjo motivohet me dashurinë dhe respektin që Veronica ka, për botën e Martës së heshtur dhe të pafajshme.
Më e rëndësishme në novelë, është ndryshimi i botës së adoleshëncës larg dhe afër devotshmërisë dhe mirësisë morale, burimi kryesor i ndikimit me forcën absolute të personalitetit të heroinës adoleshente së novelës (Veronikës). Autorja Gjergo edhe pse ndërmjetëson përmes një heroine të gjallë dhe të papërmbajtëshme, ajo rikthen mirësinë morale, miqësinë dhe dashurinë, vlera edukative dhe aspirata shprese këto për ardhmërinë.
Veronica dhe Marta, me të dyja këto personazhe, autorja Gjergo dëshiron të lerë gjurmë se kujdesi dhe edukimi i fëmijëve duhet të jetë primar dhe interesi kryesor në jetën e familjes dhe shoqërisë në përgjithësi. Zhvillimi i aftësive fizike, psikologjike dhe intelektuale te fëmijët, edukimi i tyre, janë garancia e së ardhmes e një familje e shoqërie të shëndetshme fizikisht, moralisht e mendërisht si qytetarë të devotshëm. Pra shoqëria, mësonjësit, shkrimtarët dhe të gjithë ne së bashku, përfshi këtu edhe mjetet e informimit masiv e mediatik, rrjetin social, vecmas atë “Bisha prej qelqi”,(kompjuterin) duhet të bëjmë përpjekje e sakrifica, t’i mbrojmë fëmijët dhe adoleshentet nga “Strange Profile” që krijohen enkas për të abuzuar me vajzat e djemtë adoleshentë online, por të mbështesim kujdesin, ngrohtësinë, edukimin dhe dashurinë ndaj tyre dhe t’i themi: Stop Bully-ing! Stop Dhunës dhe abuzimit me fëmijët dhe adoleshentët! Romani “Bisha prej qelqi”, është një klasifikim tejet i dobishëm i librit si pjesë e zhanrit të letërsisë për fëmijë dhe adoleshentë, i “leximit familjar dhe atij shkollor”, njësoj për të rriturit, adoleshentët dhe fëmijët; një roman tipik i traditës shqiptare në edukimin e brezit të ri. Popullariteti i vazhdueshëm me një audiencë të tillë “familjare dhe shkollore” dhe angazhimi i autores në letërsinë për fëmijë, motivohet me dashurinë që ajo ka për fëmijët dhe respekti për botën e tyre të pafajshme, respekti për nxënësit e vegjël dhe adoleshentë, c’ka na sugjeron forcën e shkrimtarisë së autores, Elona Gjergo.
*Ligjëratë e mbajtur nga Shkrimtari Mhill Velaj në promovimin e veprës letrare të shkrimtares Eliona Gjergo, organizuar nga Shoqata e Shkrimatrëve Shqiptaro-Amerikanë dhe VATRA në sallën e Vatrës me 29 Qershor 2019