• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJOFTIM MORTOR-NDERROI JETE NENA E BEQIR SINES

December 23, 2012 by dgreca

Njoftojmë komunitetin shqiptar në SHBA dhe të afërmit në Shqipëri se me 22 dhjetor, në orën 10 e 40 të mbrëmjes të së shtunës, pas një sëmundje të rëndë, ndërroi jetë nëna e gazetarit Beqir Sina.E ndjera Hane Sina kaloi një jetë të vështirë në kampet e internimit të diktaturës komuniste. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri ajo u vendos në SHBA së bashku me të birin. Në castet e fundit e ndjera ndodhej në shtëpi e rrethuar nga njerëzit e saj të dashur.

Familja njofton miqtë, të afërmit, komunitetin se shërbimet funerale kryhen pranë Qendrës Islame Shqiptare Amerikane në Brooklyn, NY sipas këtij orari:

E Dielë, 23 dhjetor nga ora 5 pm deri në 9 pm

E Hënë, 24 dhjetor, nga ora 5 pm deri 9 pm

E Martë, 25 Dhjetor, nga ora 5 pm deri 9 pm

Varrimi do të kryhet të Mërkurën me 26 Dhjetor. Ceremonia Mortore fillon në Xhaminë e Brooklynit në orën 10 të mëngjesit, ndërsa varrimi do të bëhet në varrezat e New Jersey-t në orën 2 pm.

Për cdo ndryshimi vizitoni faqen e Diellit në on line www.gazetadielli.com

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina, nderroi jete, nena

NDERIM PËR MJEKUN DHE NJERIUN E MIRË, Prof. EMIL CIMBI

December 11, 2012 by dgreca

Nga: Sajmir Kadiu- drejtor drejtorie, në Ministrinë e Shëndetësisë-Tiranë/

Ne Foto: Prof.dr. Emil Cimbi gjatë punës…/

 Më datën 26 nëntor 2012, familja Cimbi, në Tiranë, humbi përgjithnjë njeriun e saj të dashur, Emilin; bashkëpunëtorët, mikun e tyre të pazëvendësueshëm;  pacientët e vegjël,  mjekun e aftë dhe të palodhur; kultura shqiptare një perfaqësues të rrallë, poliedrik dhe poliglot.Gjithmonë do ta kujtojmë Prof. Emilin,  ashtu siç ishte: burrë elegant dhe gjithmonë fisnik, në kuptim e plotë të fjalës; me një  buzëqeshje të sinqertë, që përbuzte çdo lloj autoritarizmi. Brenda saj kishte disa tinguj të çiltër, të qeshur e miqësor, nga ata që kanë vetëm fëmijët, të  cilët i trajtonte me aq dashuri, prindi e mjeku.Përkushtimi i tij ndaj detyrës, përmbante një “ilaç çudibërës”, që shkrinte çdo  pengesë, në lidhjet njerëzore. Ai sfidonte të gjitha  nyjet, ngërçet, ku ngecnin e gërshetoheshin aq shpesh, zgjidhjet e problemeve të vështira të mjekësisë.Ai ishte ithtar i të mundshmes, i pozitives, ndaj çdo sfide. Nuk ishte thjesht i mirë, por ishte mirësia vetë. Nuk ishte thjesht i zoti, kompentent, por ishte zotësia vetë dhe modestia vetë.

                                    ***

Prof. Dr. Emil Cimbi kishte lindur në Polican të Gjirokastrës, më 7 janar 1928. Mësimet e para i mori në vendindje, në gjuhën greke, ndërsa arsimin e mesëm e filloi në Liceun e Korcës, e vazhdoi në atë të Tiranës dhe e perfundoi në Gjimnazin e njohur të Shkodrës. Në vitin 1948, menjëherë pas marrjes së dëftesës së pjekurisë, iu dha bursa për të ndjekur studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë, në Bukuresht të Rumanise, të cilin e përfundoi shkëlqyeshëm, në vitin 1953.

Pas mbarimit të studimeve të larta,  dr.Emili u kthye në Shqipëri dhe shërbeu mjek, pranë Spitalit të Përgjithshem Civil të Tiranës, në pavionin e Pediatrisë, shef i të cilit ka qenë prof. Selaudin Bekteshi. Nga ky, ai mori mësimet e para të shërbimit mjekësor ndaj fëmijëve, fushë ku më pas do të shkëlqente, duke u bërë një nga figurat më të njohura të Pediatrisë, në Shqipëri.  Gjatë tërë jetës, dr. Emili u shqua për shkallën e lartë të profesionalizmit. Ai, gjithashtu, dallohej për vlerat njerëzore, me të cilat u shërbente të sëmurëve të vegjël.

Në vitin 1958, dr. Emil Cimbi u caktua në detyrën e drejtorit te Drejtorisë së Shërbimit Shëndetësor të Tiranës, ku shërbeu 5 vjet radhazi. Me dijet e tij të thella, në fushën e profilaksisë e të higjienës dhe një organizator i aftë, e kualifikoi dhe e forcoi shërbimin mjekësor, në të gjitha qendrat shëndetësore dhe ambulancat e kryeqytetit.Në vitin 1963, me kërkesën e tij, u rikthye në Spitalin e Fëmijëve të Tiranës. Me vullnetin dhe këmbënguljen e tij, iu fut me mish e me shpirt studimeve në këtë fushë dhe mjaft shpejt u bë një mjek pediatër shumë i formuar dhe i njohur, në Shqipëri. Për vlerat, që mbarte dr. Emili, prof. Bekteshi, në atë kohë drejtor i Pediatrisë, e mbante atë si kolegun dhe bashkëpunëtorin më të afërt, në zgjidhjen e shumë rasteve të ndërlikuara, te pacientët e vegjël.

Për meritat e tij, në vitin 1970,  dr. Emili u ftua të ishte pjesë e stafit të Institutit të sapohapur të Studimeve Pedagogjike. Aty punoi shtatë vjet, me profesionalizëm të lartë, bashkëpunëtor shkencor në fushën e higjienës mendore të nxënësve. Janë të shumta botimet shkencore dhe monografitë e tij, në këtë fushë. Për këtë gjë, dëshmon më së miri edhe skedari i Bibliotekës Kombëtare, në Tiranë. Në ato vite, ai dha një ndihmesë të vye në fushën e pedagogjisë dhe  psikologjisë. Botoi rregullisht edhe në shtypin arsimor e pedagogjik të kohës, si në “Revistën Pedagogjike” dhe gazetën “Mësuesi”. Shumë nga botimet e tij kanë qenë pjesë e rëndësishme e teksteve shkollorë.

Në vitin 1978, dr. Emili u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Konsultoreve “Nëna dhe Fëmija”, në Shqipëri.  Me punën e palodhur të tij, e ktheu këtë institucion në një qendër  të rëndësishme kombëtare profilaktike-kurative, për nënat e reja.

Dr. Emil Cimbi  ka qenë për 15 vjet, pedagog i Katedrës së Pediatrisë, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës. Aty dha ndihmesën e çmuar të tij në përgatitjen dhe aftësimin teorik e praktik të mjekëve të rinj, të cilët do të shërbenin, më pas, në atë fushë të mjekësisë.

Me punën e palodhur kërkimore e studimore, dr. Emili ka fituar tituj të rëndësishëm shkencorë, deri në atë “Profesor”. Gjatë jetës së tij,  ai ka qenë i përfshirë në shoqata të ndryshme shkencore.  Ndër të tjera, ishte nënkryetar i Shoqatës së Psikologëve të Shqipërisë, të cilën e drejtonte Akademiku Bedri Dedja, si dhe sekretar i Shoqates “Mjekësia, Letërsia, Arti”.

Në jetën e tij, dr. Emili ishte, gjithashtu, një letrar i njohur dhe i pasionuar, anëtar i denjë i “armatës së Çehovit”.  Prandaj, duke shfrytëzuar prirjet e tij letrare, ishte mjaft aktiv në këtë fushë të krijimtarisë. Ai ka qenë vazhdimisht i pranishëm në shtypin e kohës, me botime të tij, në gjini të ndryshme, si:  tregime, poezi e poema, të cilat më vonë i ka përmbledhur në vëllime më vete.

Dr. Emili njihet, gjithashtu, edhe si një përkthyes i talentuar. Janë të shumta shqipërimet e tij, nga disa gjuhë të botës. Për këtë gjë, e ndihmonte njohja e mirë e gjashtë gjuhëve të huaja (frengjisht, rumanisht, rusisht, greqisht, italisht, latinisht), duke e bërë atë një poliglot të kohës.

Pas zhvillimeve demokratike në Shqipëri të vitit 1990, falë vlerave, që ai përfaqësonte, u ftua të punonte në shërbimin diplomatik.  Në vitin 1992, u emërua Atashe Kulturor dhe Konsull i Shqipërisë, në Bukuresht të Rumanisë. Ndër të tjera, atje përvetësoi më tej artin e mjekësisë, të diagnostikimit dhe  mjekimit të sëmundjeve.  Dashurinë për atë qytet dhe për kulturen rumune  e shprehu pa rezerva, gjatë gjithë jetës së tij.  Disa vepra të autorëve rumunë u përkthyen në gjuhën shqipe, nga Profesor Emili.

Dashurinë e madhe për mjekësinë, dr.Emil Cimbi e kishte të pandarë  nga  dashuria për kulturën. Mahniteshim për njohuritë e tij të gjëra dhe të pafundme, që i vinin dhe nga leximet e shumta. Në një bisedë të lirë me të,  kalonin si në një paradë  personalitete të kultures dhe letersisë rumune,   si Iliade, Stanesku  Soresku, Ana Baldiana ose Jon Karamitro; të letërsisë greke, si Seferis ose Elitis;  asaj italiane, si Buxati ose Montale, e gjithe letërsia klasike frënge dhe ajo ruse, por edhe poetët amerikanë të shekullit 20-të, që nga Tomas Eliot e deri tek Alan Ginsberg.

Dr. Cimbi, në mjekësi e zgjodhi specialitet pediatrinë, jo rastësisht. Vdekshmëria foshnjore e ajo fëminore dhe e nënave përbënin  plagën më të rëndë të shëndetësisë sonë, në vitet ‘50-’60-të të shekullit të kaluar. Intelektual i formuar dhe me prirje të hapura perëndimore, ai e dinte mirë se shëndeti i fëmijëve është fusha e betejës mbizotëruese, për nderin ose turpin e shëndetësisë, madje, edhe të shoqërisë së një vendi.  Se është beteja për të ardhmen. Treguesit e tyre, në krahasim me vendet e zhvilluara, ishin katastrofikisht  shumë herë më të larta, në kohën, kur ai dhe kolegët e tij e nisën ëndrrën sfiduese. Ndërsa sot,  Shqipëria është futur në listën njëshifrore të këtij treguesi, duke e bërë realitet ëndrrën e prof.dr. Emil Cimbit dhe kolegëve të tij të shquar të mjekësisë, rilindës të vërtetë. Ata sakrifikuan një pjesë të madhe të jetës së tyre, për jetën e shëndetshme të ardhëmrisë së Kombit Shqiptar.

Nëqoftëse në këtë periudhë festive të 100-vjetorit të Pavarësisë jemi dëshmitarë të nderimit të atdhetarëve, që e themeluan shtetin e parë shqiptar, më 28 Nëntor 1912, njëkohësisht, duhet të nderojmë të gjithë mjekët e shquar, që u kujdesën për shëndetin  e popullsisë  shqiptare, duke filluar çdo gjë nga pothuajse zeroja. Këtë gjë e themi pa mëdyshje edhe për prof.dr. Emil Cimbin. Famën dhe emrin e mirë të tij nuk e përbëjnë vetëm librat, përkthimet, monografitë, publicistika, studimet psikologjke e pedagogjike, por në radhë të parë, jetët njerëzore të shpëtuara, sëmundjet e shëruara, foshnjat e lindura shendosh, lehonat e lumtura dhe të moshuarit e mjekuar me aftësi të lartë profesionale.

Dr. Emili ka qenë edhe një familjar shembullor, bashkëshort ideal, në krah të gruas së tij, Engjëllushes, që e donte dhe e respektonte aq shumë. Po kështu, ishte prind i dhembshur dhe i kujdesshëm për fëmijët e tij, Mondin dhe Irenën, duke iu përkushtuar atyre tërë jetën, që të bëheshin sa më të denjë për  familjen dhe shoqërinë shqiptare. Mbi të gjitha, ai ka qenë një gjysh i mrekullueshëm, për nipërit dhe mbesat e tij. U ka shërbyer atyre me përkushtimin e mjekut, pedagogut dhe gjyshit, që në lindje dhe në vegjëlinë e tyre. Dashurinë e pakufishme ndaj tyre, dr. Emili e ka hedhur në vargje, duke krijuar poema të mrekullueshme për Fionën, Frankën, Ralfin dhe Kristin, të cilët janë pjesë e botimeve të fundit të tij. Këto vargje, të thurura me dashuri nga gjysh Emili, do te mbeten një kujtim i pashlyer në zemrat  e tyre. Se janë dhe testament i gjyshit, që ata të ecin në gjurmët e tij dhe të bëhen njerëz me vlera, në shoqërinë tonë, ashtu siç ishte ai, deri në fundin e jetës.

Si të gjithë profesionistët e njerëzit fisnikë, ai zbatoi parimin, se “ai që jep, nuk mban mend, nuk përmend, nuk shënon, nuk kërkon, nuk pretendon”. Është detyra e atyre, që marrin dhe e shoqërisë, në tërësi, të nderohen e kujtohen, të jenë mirënjohës. Dhe, prof. dr. Emil Cimbi, ishte nga ata fisnikë, i cili do të nderohet e  kujtohet, përgjithmonë.

Tiranë, 11 dhjetor 2012

(Shkrimin e dërgoi për publikim, prof. Murat Gecaj)

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Dr. Emil Cimbi, Murat Gecaj, nderroi jete

VATRANI XHELAL DINE NDËRROI JETË NË NEW YORK

December 5, 2012 by dgreca

Vdiq në SHBA, në moshën 82 vjeç – i biri i ish- Kryeministrit të 30 të Shqipërisë/

NGA BEQIR SINA, New York /     

 Xhelal Dine: Jeta këtij njeriu ishte e mbushur plot me dashuri e mall për atdheun tonë dashur – mbasi më shumë se gjysmën e jetës i kaloi në mërgim – i djegur dhe i zhuritur për ta parë një ditë Shqipërinë e lirë e demokratike – Kosovën e çliruar nga sundimi sllavo-komunist serb, dhe të lirë e të pavarur siç është sot

Vdiq dhe u varrosë në Shtetet e Bashkuara, Xhelal Fiqiri Dine, njëri prej trashgimëtarve të njërës prej familjeve më të mëdha dhe të njohura dibrane. Familje, kjo fisnike dhe me virtyte të pastra patriote dhe atdhetare, që i dha qa shumë kombit tonë në luftën për pavarësi dhe indetitetin tonë kombëtarë. Ai vdiq me date 15 Nëntor 2012 në qytetin – Brooklyn, New York në moshën 82 vjeç – dhe u varrosë me nderime të mëdha nga dhjetra anëtarë të familjes së tij, miq, shok dhe bashkëluftëtarë.
Jeta këtij njeriu ishte e mbushur plot me dashuri e mall për atdheun tonë dashur – mbasi më shumë se gjysmën e jetës i kaloi në mërgim – i djegur dhe i zhuritur për ta parë një ditë Shqipërinë e lirë e demokratike – Kosovën e çliruar nga sundimi sllavo-komunist serb, dhe të lirë e të pavarur siç është sot.
Xhelal Dine është i biri i të fundit Kryeministër të Shqipërisë, Fiqiri Dines, prej shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, drei me ardhjen e komunizmit që e sundoi atë vend për 46 vjet me radhë.
Është e rëndësishme të dihet sot se Qeveria e Kryeministrit Fiqiri Dine ishte autonome dhe plotësisht e pavarur nga pushtimi Gjerman në Shqipëri, në atë kohë. Mbasi propaganda komuniste e Enver Hoxhës, Fiqiri Dinen e quante sipas saj Kryeministri i Qeverisë “Quslinge” për çka do të lë të kuptohet dhe se ka shumë misinformim – tek mjaft mjaft shqiptarë që e dinë historinë e Shqipërisë vetëm ashtu si kan shkruar historianët dhe studiuesit e Enverit për 50 vjet..
Qeveria e vitit 1943-1944 e Kryeministrit Fiqiri Dine ishte referuar si Quslinge vetëm nga regjimi komunist dhe nuk gjendet si e tillë në asnjë nga analet e historisë botërore, enciklopedinë e Shqipërisë, tash e të tjera, studime dhe histori të këtyre dy dekadave të fundit. Mbasi në realitet, thuhet se ajo ishte një qeveri e përkohshme dhe jo “kuislinge” në asnjë mënyrë, ashtu si donte t’i quante të gjithë kundërshtarët e tij regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Fiqiri Dine dha dorëheqjen nga posti i Kryeministrit për arsye shumë specifike.Gjithashtu, ai nuk kalojë gjithë kohën në Greqi si shkruan propaganda komuniste. Ai jetojë deri sa vdiq në Belgjikë. Për të shkruar saktë dhe të bazuar në fakte historike, duhet që të posedojmë njohurit e kërkuar në arshivat e Londrës dhe ato të Uashingtonit. Për të në kohën e komunizmit është shkruar një farë pseudo-mini-biografi në librat e historisë komuniste propagandistike.
I biri i tij – Xhelali i cili vdiq këto ditë në New York, ashtu si dhe të gjithë anëtarët e kësaj familje, ishte kundërshtar i përbetuar i komunizmit. I etur për bashkimin kombëtar. Dhe për këtë të gjithë anëtarët të kësaj familje, që ngelen në Shqipëri, mbas ardhjes së komunizmit në 1944 – por edhe ai vetë e paguan më luftën që ju bë atyre nga regjimi komunist.Kjo familje u presekutua dhe u burgos e interrnuan vetem e vetm për bindjet e tyre politike –
Xhelal Dine internohet në Berat në vitin 1945 kur ishte 15 vjec dhe më vonë në Kuçovë.Transferohet nga Kuçova në kampin punës në Shijak. Dhe, në vitin 1948 dërgohet në kampin e Kamzës në Tiranë.
Nga kampi i Kamzës trasferohet përsëri në Berat dhe më vonë në Tepelen në vitin 1949. Pastaj trasferohet nga kampi i “egër” në Tepelenë në Lozhan të Gramshit
Deri sa arratiset nga kampi Lozhan dhe del në Maqedoni dhe më vonë shkon në Kosovë. Përfundon shkollën e mesme dhe punon për disa kohë si mësues në Prishtinë. Në vitin 1959 shkon në Bruksel, Belgjikë, ku takohet me të atin Fiqiri Dine.
Në vitin 1960 emigron në SHBA. Dhe menjëherë u njoh dhe u lidh me fugurat më të shuqara të diasporës në Amerikë. Me atdhetarët e patriottët e flakët duke u bërë një nga anëtarët më të hershëm të Shoqatës PanShqiptare VATRA. Jetoj në Georgia për disa kohë ku me vëllain Mithat, teksa hapën atje një biznes të vogël një restorant.
Më vonë u sistemua në New York. Pasi doli në pencion në vitin 1992 u apasionua me sportin e golfit dhe e luante ketë sport rregulisht.
Ishte ndoshta ndjeksi me i rregullt i shtypit amerikan(lexues me i rregullt i gazetës New York Times -abonenti i saj për më shumë se 40 vjet) dhe një lexues i rregullt i gazetës Dielli, gazetës shqiptaro amerikane Illyria, dhe gazetësk kombëtare Bota Sot.
Vdiq me date 15 Nëntor 2012 në Brooklyn, New York në moshën 82 vjeç, ndërsa varrimi u bënë varrezat qytetare në New Jersey.

 

Dy fjalë për Xhelal Dinen

 

Mbasi u kryen të gjitha shërbimet fetare në Xhaminë shqiptare në Paterson – New Jersey, i biri i Bajraktarit të Lumës, Genc Bajrakatari, lexoi atë që njihet si fjala e lamtumirës :
Thotë një fjalë a vjetër Shqipe: Të gjithë jemi bijtë a vdekjes, të gjithe, pa përjashtim, na duhet me e lanë këtë botë dhe me vu kambën në pragun tjetër ku pranohet vetëm jeta e amshuar.
Megjithëse jemi të ndërgjegjshëm se një ditë do kalojmë pragun, nuk duam ta pranojmë dhe nuk pajtohemi kollaj me të kur humbim një pjestar të familjes, një mik a një shok që ta don zemra. Prej tashti ndihet mungesa e tij dhe boshllëku në familjen e tij dhe në farefisin e tij, po kaq edhe në shoqërinë që ai jetoj.
Xhelal Fiqiri Dine lindi në Maqellarë të Dibrës në vitin 1930. Jeta e tij mbas 1945-es ka qënë një kalvar vuajtjesh, përçmimesh dhe emigrimesh derisa u stablilizua në shtetin e begat të Amerikës.
Familja Dine është e njohur në Dibër dhe është dallur si familje nacionaliste e atdhetare qysh me gjyshërit e tyre, të cilët kanë luftur kundër Sërbve, një armik i egër i Shqipëtarve. Babai i Xhelalit, Fiqiri Dine, në vitin 1917 arsimohet jashtë shtetit në Akademinë Ushtarake në Vjenë, Austri dhe kthehet në Shqipëri ku si officer i shtetit dhe mbretërisë së Ahmet Zogut punon për ndërtimin e shtetit modern për atë kohë.
Në vitin 1945 Xhelali internohet familjarisht – me nënën, Rukijen, dy vëllezërit, Tomorin dhe Sazanin, motren, Hanën, të moshës nga 8 deri në 15 vjeç, xhaxhain me gruan dhe gruan e xhaxhait tjetër me djalë. Vëllain e dytë, Skënderin, e futën në burg dhe pas pak vitesh vdiq në burg në një moshë fare të re.
Internimi dhe burgimi erdhi si pasoj e arratisjes së babait, Fiqiri Dine dhe djalit të madh, Mithat Dine.
Me Xhelal Dinen u njoha në vitin 1945 në Berat, vendqnëdrim për të dënuarit.e sistemit komunist. Nga Berati na dërguan për punë në Kuçovë, Shijak, Kamëz, dhe prap në Berat. Në të gjithë këto vënde që punonim trajtoheshim si skllevër. Së fundi, na dërguan në Tepelen. Në këtë kamp, që padyshim, mund të krahasohet me kampet famëkeq të shfarosjes Naziste, ishim të grumbulluar njerëz nga gjithë Shqipëria – vetëm nga veriu kishte më shumë se 3,500 vetë. Ky kamp ishte projek i sistemit komunist, me në krye Enver Hoxhën, i cili kërkonte me çdo kusht të eleminonte kundërshtarët. Dhe ja arriti qëllimit. Për shembull në kampin famëkeq të Tepelenës, për një kohë shumë te shkurtër vdiqën aq shumë njerëz sa nuk kishte as tokë për ti varrosur.
Xhelalin me disa shokë i transferuan në një vënd që quhej Lozhan në Gramsh për ndërtimin e një rruge ushtarake. Në ketë kamp Xhelal Dine, xhaxhai Esat Dine, kushuriri Muhamer Nasufi, Jonuz Ndreu, Tafil Ndreu, Avdulla Kaloshi dhe Nikoll Gjon Markaj nga shtëpia e Kapedanit të Mirditës marrin vendimin për tu arratisur dhe realizojnë me sukses kalimin jashtë Shqipërise por fatkeqsisht Esat Dine u vra në përpjekje me forcat komuniste. Të gjithë të tjerët e realizuan dëshirën dhe pas disa vitesh erdhën në SH.B.A.
Përveç shumë virtyteve të tjera positive, Xhelali ishte njeri me zemër të madhe. Pas vitit 1990 për famijen e tij që gjëndej në Shqipëri beri atë që shumë pak të tjerë mund ta kenë berë. Në një periudh 2 vjeçare ka shkuar në Itali, Gjermani, Turqi dhe Greqi për të ndimuar dhe sistemuar vëllezërit dhe disa nipër e mbesa që ishin larguar nga Shqipëria. Xhelali me xhaxhain Dilaver Dine dhe kushuririn Hiqmet Dine qenë një mbështetje e jashtëzakonshme për më se 20 pjestarë të familjes Dine që erdhën në Amerik në vitin 1991.
Gjatë 20 viteve të fundit jam takuar shpesh me Xhelalin dhe bisedonim për probleme të ndryshme por veçanërisht politike që kishin të bënin me gjëndjen në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Ai kishte njohuri në politik dhe ishte gjithmonë i interesuar për çështjen Shqiptare.
Xhelali ishte njeri shumë i qetë, i edukuar dhe shumë i sjellshëm. Ishte i azhornuar me shtypin Shqiptar dhe atë Amerikan. Lexonte rregullisht të përditshmen, New York Times.
Për sa i përket komunitetit Shqiptar, isthte i pranishëm në New York apo Washington sa herë bëheshin protesta për Kosovën dhe më vonë për Shqipëtarët e Maqedonis. Xhelali ishte gjithmonë i gatshëm ti shërbente çështjes kombëtare pa u kursyer edhe finaciarisht. Gjithatshtu, ka qënë anëtar i organiztës Vatra që kur erdhi në Amerike. Pra, ky ishte Xhelal Dine.(Kryetari i Vatres. Dr. Gjon Bucaj dhe vatrane te tjere moren pjese ne percjelljen e te ndjerit)
Së fundi, në emër të famijes Bajraktari, ngushëlloj djalin Fiqri dhe vajzën Lule, vëllezërit Tomor dhe Sazan me familjet e tyre., theksojë i biri i Bajraktarit të Lumës, Muharrem Bajraktarit, zoti Gencë Bjaraktari – Të ndjerit Xhelal Dine Zoti ja bëftë dritë jetën e amshuar!

 

 

Filed Under: Featured, Kronike Tagged With: nderroi jete, ne New York, Xhelal Dine

NË FLORIDA NDËRROI JETË BASHKATDHETARI ZEF SUTI

November 13, 2012 by dgreca

Njoftojmë bashkatdhetarët se në Palm Harbor, Florida, ditën e premte me 6 nëntor, ndërroi jetë  në spital, në moshën 84 vjecare, Zef Suti. I ndjeri pat lindur me 15 qershor 1928. Ai ishte ndër antikomunistët e vendosur dhe pas një rezistence në malet e Shqipërisë, u arratis në ish Jugosllavi, ku dhe atje nuk iu ndanë vuajtjet. Shpëtoi kur doli në Botën e Lirë. Për jetën dhe vuajtjet në komunizëm ai ka lënë pas librin e tij”Escape From Komunist Darkness”.

Shërbimet funerale për të ndjerin u bënë me 12 dhe 13 nëntor në Curlew Hills Memory Gardens Funeral Home Chapel. Mesha e Dritës do të mbahet të mërkurën me 14 nëntor, ora 11 am, St. Michael the Archangel Catholic Church që ndodhet në Clearwater, FL. Më pas kryehet ceremonia e varrimit në varrezën, që ndodhet në adresën 1750 Curleë Road, Palm Harbor, FL.

Të interesuarit mund të gjejnë të dhëna më të shumta në adresën : www.curlewhills.com

I ndjeri ishte një activist i përkushtuar i lidhur shpirtërisht me Federatën “VATRA”. Ne arkivin e Vatres eshte arshivuar letra e fundit e te ndjerit,e shkruar ne castet e fundit dhe qe mberriti ne Vater, pikerisht ne kohen qe zemra e tij i kishte ndalur te rrahurat atje ne spitalin e Palm Harbor. Letra percillte fjalet e fundit dhe  nje cek prej $160(kuote e pervitshme qe ai dergonte ne Vater), me lutjen:Me trishtoni nese e ktheni mbrapsht! Kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Bucaj,(i cili eshte nisur nga Nju Jorku per te marre pjese ne varrimin e te ndjerit, i dërgoi dje një ngushëllim bashkëshortes Maria Suti, të cilin po e bashkëngjisim.

November 12, 2012

Mrs. Maria  Suti

Palm Harbor, Florida

Dear Mrs.  Suti,

We are saddened by the news of the passing of your beloved husband Zef, who was a great friend of ours and a longtime supporter of The Pan-Albanian Federation of America VATRA.

Zef Suti was a distinguished man that lived his life with dignity and integrity, despite adversities and tribulations during his journey that started in the rough but proud mountains of Northern Albania, through communist persecutions in his native land, in secret prisons of former Yugoslavia, to the free world, finally in the United States where he worked and lived honestly, until he left for eternal life.

Please accept our deepest sympathies from the Board of Directors and members of VATRA, and from myself and my family.

 

Respectfully,

Gjon Buçaj

2437 Southern Boulevard
Bronx, NY 10458
E-mail: drgjlb2000@yahoo.com

Tel. 718 365-6930

Mobil: 914 760-5653

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Gjon Bucaj, nderroi jete, Vatra, Zef Suti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34

Artikujt e fundit

  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ
  • 100 VJETORI I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE, VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR MË 28 KORRIK 2022
  • Një copë qielli midis Meksikës dhe Kosovës
  • NJË PYETJE (NEVE) PËR QËNDRESËN
  • Meet a NYCHA Construction Partner: STV  
  • KUVENDI  I  GREÇES , KRYEKUVENDI  KU MORI  JETË PROGRAMI  POLITIK I PAVARESISË  SË SHQIPERISË…
  • GAZETA E VETME SHQIPE E KOSOVËS “BUJKU” E 23 QERSHOR 1991: XHEJMS BEJKERI NË SHQIPËRI: JU JENI ME NE, NE JEMI ME JU – SHQIPTARËT I SHFAQËN MIQËSI TË MADHE AMERIKËS
  • Mirënjohje dhe vlerësim

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT