Kryeminisri Edi Rama foli për raportin e Senatit në pritjen me ambasadorët e akredituar në Shqipëri. Edhe ish-kryeministri Sali Berisha shpërndau një deklaratë përmes rrjeteve sociale.
Nga Ilirian Agolli/Tirane
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi në mbrëmje se pati ndjesi të jashtëzakonshme nga publikimi i Raportit të Senatit Amerikan për hetimet, sipas tij, “jo fort të lavdërueshme të CIA-s” përgjatë të ashtuquajturës Luftë kundër Terrorit”. Zoti Rama tha gjatë një fjalimi para ambasadorëve të akredituar në Shqipëri që Shtetet e Bashkuara treguan edhe njëherë se ç’do të thotë të jesh një demokraci dhe të duash të mbetesh demokraci, pavarësisht kostos që kjo ka.
“…Edhe njëherë tjetër ne shqiptarët morëm provën se jemi në anën e duhur të historisë, duke qenë besnikërisht në anën e Shteteve të Bashkuara. E për ne, kjo do të thotë padyshim besnikëri në çdo angazhim ndërkombëtar për paqen apo kundër armiqve të njerëzimit, po edhe besnikëri ndaj vlerave e parimeve të demokracisë që e bëjnë fat të jetuarit në këtë pjesë të botës për njeriun e lirë” – deklaroi kryeministri Rama.
Ai tha se përballë ndodhive të hatashme si lindja e një projekti monstruoz për të ashtuquajturin Shtet Islamik, apo projekti tanimë i përfunduar i aneksimit të dhunshëm të Krimesë, Shqipëria është me fat që gjendet në projektin e Bashkimit Europian. “Jemi me fat që jemi pjesë e botës së organizuar nën ombrellën ushtarake të NATO-s dhe që kemi një partner e aleat të madh strategjik si Shtetet e Bashkuara” – theksoi zoti Rama. Ai tha se Shqipëria e ka rritur figurën e saj në rajon dhe rolin e saj në gjirin e NATO-s, si i vetmi vend anëtar i NATO-s në rajon, që nuk është anëtar i Bashkimit Europian.
“Zëri ynë në NATO ka qenë e do të vazhdojë të jetë qartësisht në mbështetje të politikës së dyerve të hapura për aspiratat e fqinjëve tanë në rajon lidhur me Aleancën. Ne do ta mbështesim fuqimisht anëtarësimin sa më shpejtë të Malit të Zi në NATO, ashtu siç do të mbështesim edhe atë të Maqedonisë” – tha më tej, zoti Rama, duke kërkuar zbatimin më të shpejtë, më cilësor e më të besueshëm të Marrëveshjes së Ohrit.
Për Raportin e Senatit Amerikan reagoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha, duke deklaruar se Shqipëria ka patur dhe ka një bashkëpunim të ngushtë dhe të suksesshëm me CIA në luftën kundër terrorizmit. “Për periudhën pas vitit 2005, çdo bashkëpunim, në çdo operacion me këtë organizatë partnere ka patur si kusht mospërdorimin e torturës, dhe ky është zbatuar plotësisht, madje kjo nuk është kërkuar asnjëherë nga kjo agjensi” – deklaroi përmes rrjetit social facebook, zoti Berisha.
Ai shtoi se në Shqipëri nuk kanë ekzistuar asnjëherë burgje në administrimin e CIA, por Shqipëria ka lejuar fluturime të avionëve të CIA, sepse ajo është një organizatë legale e aleatit kryesor të saj, me kontribute thelbësore në luftën kundër terrorizmit, sistemit komunist dhe rreziqeve të tjera të paqes në botë.(Kortezi:VOA)