UASHINGTON, 6 shtator – Personat e pajisur me pasaporta evropiane dhe që luftojnë në radhët e Shtetit Islamik në Irak dhe në Siri përbëjnë një kërcënim ”të drejtpërdrejtë” në vendet e tyre të origjinës, theksoi sot një prej drejtuesve amerikan të antiterrorizmit.
”Duke marrë parasysh numrin e tyre shumë të lartë, xhihadistët evropianë janë gjithashtu shumë më të rrezikshëm se luftëtarët amerikanë, të cilët janë me dhjetëra në radhët e Shtetit Islamik (EI)”, sipas Pentagonit.
”Shteti Islamik mendohet të ketë tërhequr gjithashtu rreth 2 000 xhihadistë evropianë, në sajë të pranisë shumë të madhe në internet”, sipas shërbimeve sekrete.
“Kërcënimi është relativisht shumë i madh për Evropën”, deklaroi Matthew Olsen, i cili drejton qendrën kombëtare të antiterrorizmit.
Bashkëpunimi mes agjencive amerikane të shërbimeve sekrete dhe homologëve evropianë është riforcuar me shpresën për t’i mbikëqyrur më mirë këta xhihadistë, ndërkohë që disa vende evropiane tremben përsa i përket rreziqeve që përfaqësojnë ata, kryesisht pas rikthimit nga Siria apo Iraku.
SHBA kërkoi dje formimin sa më shpejt të një koalicioni të gjerë për shkatërrimin e Shtetit Islamik, gjatë një takimi me nëntë vende të tjera në kuadër të samitit të NATO-s në Njuport (Britani e Madhe).
”Nuk ka kohë për të humbur për ndërtimin e një koalicioni të gjerë që parashikon të dobësojë dhe në fund të shkatërrojë Shtetin Islamik”, deklaruan sekretarët amerikanë, John Kerry dhe Chuck Hagel në një komunikatë të përbashkët në përfundim të një takimi me homologët e tyre britanik, francez, gjerman, italian, turk, polak, australian, danez dhe kanadez.