Shqipëria gjendet në kushtet e një emergjence sa i përket zhvillimit urbanistik të vendit. Me këtë këmbanë alarmi e ka nisur ditën e parë të konferencës me temë “Shqipëria e Gjeneratës së Re”, kreu i PS dhe kryeministri i ardhshëm Edi Rama. Sipas Ramës, nevojitet hapja e një epoke të re për një zhvillim të integruar, dhe për këtë shtoi ai, duhet ndryshuar modeli i qeverisjes së territorit, duke ndjekur modelet më të mira dhe më suksesshme të vendeve të BE.
“Ne sot jemi në kushtet e një emergjence kombëtare. Gjendjen jashtë kontrollit duhet ta trajtojmë si një gjendje të jashtëzakonshme dhe masat që do marrim do jenë të tilla. Kemi dhe sfidën e një transformimi të madh social. Për ne territori është ekonomi. Duhet të mbyllet epoka kur paratë e shqiptarëve u investuan kuturu, planet kuturu, zhvillimet në qytete kuturu. Të hapet një epokë e re e një zhvillimi të integruar. Do ndryshojmë modelin e qeverisjes së territorit, duke ndjekur modelet më të mira dhe më sukseshme të atyre vendeve që janë sot pjesë e BE” tha ai.Rama tha se socialistët nga sot hynë në rrugën e alternativës për të cilën u votuan pasivisht teksa e krahasoi ndryshimin me atë që ndodhi në vitin 1992.
“Nga sot ne hyjmë në një rrugë tjetër, në rrugën e asaj alternative që ne kemi propozuar dhe jemi votuar masivisht nga shqiptarët. Për një ndryshim, që për nga nevoja e brendshme, është e krahasuar vetëm me ndryshimin e vitit 1992″
Prej kohësh, theksoi Kryesocialisti, kemi konstatuar që modeli i ndjekur në të gjithë këto vite ka shterruar, duke hapur plagë të mëdha në territorin e vendit, në jetën sociale dhe ekonominë e vendit.
“Sot mblidhemi me një grup të gjerë protagonistësh, planifikues urbanë, arkitektë, ekonomistë, të ardhur nga e gjithë bota, për përpjekjen e madhe të një modeli të zhvillimit të vendit që sot ka nevojë urgjente për të adresuar problemet e veta në një qasje krejt të re. Modeli i zhvillimit i ndjekur gjithë këto vite ka shteruar duke hapur plagë të mëdha në zhvillimin e vendit dhe ekonominë e vendit. Sfidat janë të mëdha, në fokus do të jetë territori dhe ekonomia. Ne besojmë që deri sot vendi ka rënë viktimë e një zhvillimi kautik. Pika më e dobët e konstatuar edhe nga KE, aletatët dhe partnerët tanë është hendeku në rritje mes asaj që ligjërojmë në letër dhe asaj që zbatojmë në realitet. Këtu jemi për të vendosur piketet për drejtimin e vendit” deklaroi Rama.
Për përballimin e kësaj sfide Kryeministri i ardhshëm theksoi se vendit tonë më shumë se kurre i nevojitet ndihma, kontributorët dhe partneriteti nga jashtë.
“Për të ndryshuar krejtësisht Shqipërinë na duhen kapacitete planifikuese, implementuese, dhe kapacitete njerëzore, të cilat i kemi të pamjaftueshme për të përballuar sfidën. Ndaj na duhet partneritet në këtë përpjekje. Kemi fatin të punojmë në kushtet kur Shqipëria ka miq dhe partnerë shumë të mirë, institucione ndërkombëtare të gatshme për të ndihmuar. Të gjithë këta kontributorë ne duam që të shtohen dhe të mbeten të lidhur me një proçes sa qeverisës aq dhe emancipues si për pushtetin vendor ashtu dhe atë qëndror” shtoi ai.
Lidhur me zhvillimin urban, Rama nënvizoi se nevojitet kalimi në plane rajonale, përmes të cilave shteti duhet të jetë ai që të drejtojë zhvillimin e territorit, jo individi.
“Para se të vija këtu, fola me një ekspert nga Hollanda e do doja që ai të shpjegonte zhvillimin urban atje ai ku nuk shihet si proces i izoluar nga zhvillimi social. Një nga arsyet e falimentimit të planeve të territorit është se ato janë zhvilluar në kundërshtim me tendencën e zhvillimit social në Shqipëri, nisur që nga ndryshimet demografike të mëdha. Asnjëhërë nuk u mor përsipër përballimi i qasjes me këtë sfidë të kohës. Të ashtuquajturat plane rregulluese kanë rezultuar tërësisht të padobishme për këta që janë stabilizuar rreth e qark qyteteve.Komunat kufitare janë kthyer nga territore të zhvillimit rural në sheshe ndërtimi për banesa e vetëm banese. Pra, ne duhet të kalojmë në plane rajonale. Një nga gjërat që duam të bëjmë është që ta vëmë nga një ndjekës impotent të zhvillimeve në drejtues. Kjo është e mundur në rast se që nga ministrat e pastaj drejtuesit e niveleve të ndryshme do të kuptojnë atë që u tha këtu se duhet të shkrijmë kufijtë e vendosur mes sektorëve, mes administrative dhe të ndërtojmë një qasje të integruar. S’mund të bëjmë më plane si piktura në letër që s’kanë lidhje me realitetin për të marrë nga donatorët fonde për të ndërtuar strategjira pas strategjirash, sepse kemi krijuar një bibliotekë të madhe me letër të pavlefshme, “-tha Rama.
Ndërkaq Zv.Kryeministri i ardhshëm, Niko Peleshi, tha se nuk jemi në zhvillim, por në nisjen historike të proçesit.
“Kjo e sotmja nuk është një zhvillim, por një rinisje historike nga fillimi dhe që përkon me fundin e tranzicionit shqiptar. Me këtë takim ne duam të marrim ide, që mund të jenë edhe të kundërta dhe do na duhet neve që jemi këtu për të ndërtuar ato qëndra që po diskutohen, ato qëndra kreative dhe ku pjesëmarrja e profesionistëve shqiptarë të fushës do jetë e pashmangshme.”
Eglantina Gjermeni, e cila do të mbulojë fushën e turizmit në qeverinë Rama tha se “ne synojmë të marrim modelet më të mira të rajonit dhe do të mbështetemi në atë që është bërë më mirë deri tani.”
Arkitektët dhe urbanistët e ardhur nga vende të ndryshme të botës do të marrin pjesë, më datat 26-27 gusht, në konferencën “Shqipëria e Gjeneratës tjetër”, që është organizuar nga Partia Socialiste. Ndersa sot diskutimet ekesperteve te huaj do te perqendrohen mbi territorin, neser debati do jete i fokusuar ne ekonomi.