Kryeministri Mustafa: Ilaz Kurteshit, kontribut të madh për realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës/
Prishtinë, 13 shkurt 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ngushëlloi Familjen Kurteshi dhe qytetarët e Kosovës me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar, Ilaz Kurteshi.
Duke shprehur pikëllimin për ndarjen nga jeta të Ilaz Kurteshit, kryeministri Isa Mustafa theksoi kontributin e madh të tij për realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës në rrugën e gjatë të krijimit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa ka veçuar rolin e rëndësishëm që Ilaz Kurteshi ka dhënë gjatë hartimit të Kushtetutës së vitit 1974 dhe në themelimin e institucioneve të rëndësishme të Kosovës, si Bibliotekës Universitare, Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Institutit Albanologjik dhe Radio Televizionit të Prishtinës.
Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta në emër të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Isa Mustafa, theksoi se vdekja e Ilaz Kurteshit është humbje e madhe për familjen, për miqtë dhe për shtetin e Kosovës, përfundonnjoftimi dërguar sonte nga Kryeministria kosovare.
Ilaz Kurteshi ka lindur në vitin 1927, ishte një nga personalitetet më kontribuese kosovare në kohën kur Kosova ishte element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës. Mes tjerash, ishte kryetar i Kuvendit të federatës së atëhershme, nga shpërbërja e së cilës elementet konstituive, përfshirë Kosovën, u bënë shtete të pavarura.
Sot u njoftua se pas një sëmundje të gjatë Ilaz Kurteshi është ndarë nga jeta./b.j/